Fragmente te perzgjedhura

𝗝đ—Čđ—”đ˜‚đ—±đ—ź 𝗔đ—șđ—¶đ—”đ—źđ—¶ / đ—§đ—żđ˜‚đ—œđ—źđ˜ đ—Č đ—»đ—·đ—Č𝗿đ—ČÌˆđ˜‡đ˜ƒđ—Č
___
Trupat e njerëzve janë të ndyshëm njëri nga tjetri
kurse shpirtrat e tyre janë përplot me të njëjtin fryt buçitës
njësoj si aeroportet.
Mos më jep pra shpirtin tënd,
më jep trupin tënd, që të mos i gjej kurrë fundin,
mĂ« jep qypin, jo se ç’ka brenda.
Ji pra me mua brenda aeroportesh
atje ku mbështillen brenga ndarjesh
fjalë të ndjera, jetime,
ku ushqimi dhe pija kushtojnë shtrenjtë
e ku njerëzit dhe fatet e tyre kanë pazar të mirë.
Bisedohet në telefon
goja përtyp hidhërimin dhe dashurinë në aparat.
Kush vajton ka duar po aq
të bardha sa gratë që martohen,
ndërsa ato krahë që nuk kanë kë të pushtojnë
si do ta shtynë përndryshe këtë jetë?
Shpirti im le të vdesë tok me trupin tim.
 
Oh! Kurrë mos e fyeni ju një grua që bie! V. Hygo

Oh! Kurrë mos e fyeni ju një grua që bie!
Kush e di sa ka hequr, sa ka vuajtur urie,
Sa netë si ferr ka gdhirë në ankth e drithërimë,
Virtytin kur ua tund mjerimi me tërbim,

Kush nga ne s’ka parĂ« tĂ« tillĂ« gra tĂ« mjera
Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera!
Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin
Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin,
Q’e tundin tok me pemĂ«n e qĂ« dridhet, po mbahet,
Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, pasi ndahet!

Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt!
Po uji i pastër gjendet dhe aty në llum të ndyrë.
Dhe që kjo pikë loti nga pluhuri të dalë,
TĂ« bĂ«het prapĂ« perlĂ« me atĂ« shkĂ«lqim’n e parĂ«,
Mjafton,-sepse vetëm kështu çdo gjë që ditën ngrihet në fund të saj bie,
–NjĂ« rreze dielli a njĂ« rreze dashurie!
 
Rabindranath Tagore

MOS RAFTË ME U HARRU
N’mos e paqa nafakĂ« n’ket jetĂ« me t’taku, atĂ«herĂ«
Ndjenjë e mallit për shikimin tand, koftë mos me u harru
– mos raftĂ« me u harru,
E kjo dhimtë trishtimi, nëpër andrra diftu
Edhe çuet kur t’jem, le t’mbetet mbi mu.
Qysh pazareve t’dynjasĂ« m’kalojnĂ« ditĂ«t e mia
E dinarĂ« t’dynjasĂ«, mbushin duert e mia
QĂ« fitu asnjigja s’kam, koftĂ« mos me u harru
– mos raftĂ« me u harru,
E kjo dhimtë trishtimi, nëpër andrra diftu
Edhe çuet kur t’jem, le t’mbetet mbi mu.
Kur lodhun e pa frymĂ«, skaj rrugĂ«s t’jem ulun,
E shtratin krejt poshtĂ« n’tokĂ«, ta kem shtrue n’pluhun,
Se udh’e gjatĂ« m’pret para meje, koftĂ« mos me u harru
– mos raftĂ« me u harru,
E kjo dhimtë trishtimi, nëpër andrra diftu
Edhe çuet kur t’jem, le t’mbetet mbi mu.
Kur dhomat e mia të jenë zbukuru dhe
Za i fyellit bashkĂ« me t’qeshunat, shurdhu
PĂ«r qĂ« nuk t’ftova n’shpinĂ« teme, koftĂ« mos me u harru
– mos raftĂ« me u harru,
E kjo dhimtë trishtimi, nëpër andrra diftu
Edhe çuet kur t’jem, le t’mbetet mbi mu.
 
MOS I SHEMB MURET

ëndërroj një botë të ndarë
nga mure të kapërcyeshëm
sa herë që njeriu ndihet një tjetër
që nuk përket më aty, por gjetkë
ku ikja është kthim drejt vetes
përtej atyre që i mban bashkë
urrejtja për njëri tjetrin
që nuk e kuptojnë se vetëm dashuria
mund ta shpëtojë njerëzimin
dhe ata që dinë të duan nga larg

mos i shëmb muret,
ka njerëz që iu nevojiten
ndihen të mbrojtur brenda tyre
ka vetëm një mur që duhet prishur përfundimisht
Koloseu planetar ku i kanë vënë popujt të kacafyten çdo ditë
me etiketa mbi kurriz, tabela, shenja njohëse, si deleve numrin me bojë
i bardhi me të ziun, kinezi me indianin, pastori me pederin, LGBTQ me YZDHKF, komunisti me demokratin, republikani me anarkistin, monarkistin me socialistin,
ateisti me besimtarin,
burrat shumëpërdorimësh me aseksualët,
gratë me katunar kunder murgeshave
dhe burrat me midhje kunder vetvetes,
binarë, non-binarët,
prinder gogla, numeratore inkubatori kunder atyre qe iu kane bere koken
seks i shkërdhyer nga gjinia,
Koloseu i madh që dua ta shkatërroj e ta shndërroj
në mijëra Partenonë të vegjël

ndarë me mure të gjithë
mos i shëmb muret, o njeri i shkretë,
as mos iu bjer me kokë
secili ta vdesë jetën siç di
me të ngjajshmit e tij,
me busullën e tij dhe pa tutorë
në paqe me mutin dhe mjaltin e vet

muret janë kufiri i fundit
vendi ku E Mira dhe E Keqja takohen
shkëmbejnë vështrimet
e ndonjëherë edhe vendet
e ne duke mbetur përsëri të njëjtët
pa e kuptuar kurrĂ« nĂ« jemi brenda a jashtë 
mos i shemb muret që të rrethojnë
por kur nuk ndjehesh mirë brenda tyre
kapërceji
kapërceji
kapërceji
vetem kur të prekësh përdheun e anës tjetër
do te kuptosh që muret në të vërtetë nuk ndajnë
por bashkojnë 
 
Te mbetesh njeri...

“..VĂ«lla! Nuk jam i dĂ«shpĂ«ruar dhe nuk jam shkurajuar.
Jeta Ă«shtĂ« kudo, jeta Ă«shtĂ« brenda nesh, jo jashtĂ«. Do tĂ« ketĂ« njerĂ«z pranĂ« meje, dhe tĂ« jem njĂ« qenie njerĂ«zore midis njerĂ«zve, tĂ« mbetesh njeri pĂ«rgjithmonĂ«, pa marrĂ« parasysh se nĂ« çfarĂ« rrethanash je, tĂ« mos tĂ« shtohet dĂ«shpĂ«rimi dhe tĂ« mos shkurajohesh, kjo Ă«shtĂ« jeta, Ă«shtĂ« detyra e saj. E kam pranuar kĂ«tĂ«. Kjo ide ka hyrĂ« nĂ« mishin dhe gjakun tim 
 Koka qĂ« krijon, jeton jetĂ«n e lartĂ«suar tĂ« artit, qĂ« pranoi dhe u mĂ«sua me kĂ«rkesat mĂ« tĂ« larta tĂ« shpirtit, ajo kokĂ« tashmĂ« Ă«shtĂ« prerĂ« nga shpatullat e mia 
 Por mbetet tek unĂ«, zemra dhe i njĂ«jti mish dhe gjak qĂ« gjithashtu mund tĂ« duan, tĂ« vuajnĂ«, tĂ« ndjejnĂ« keqardhje, dhe mos harro, edhe kjo Ă«shtĂ« pjesĂ« e jetĂ«s!”

Dostojevski
(Fragment nga letra drejtuar të vëllait pak orë pas anulimit të dënimit me vdekje më 22 dhjetor 1849)
 
Ka shumë lloje përqafimesh, por më të vërtetat dhe më të thellat janë ato që përcjellin ndjenjat tona. Ndonjëherë një përqafim, kur fryma jote dhe rrahjet e zemrës bëhen të gjitha një, ngulin sytë në atë moment magjik përgjithmonë. Herë të tjera ende një përqafim, nëse hesht, e bën shpirtin të dridhet dhe zbulon atë që nuk e di ende ose ke frikë ta dish. Por më së shpeshti një përqafim po copëton një copë nga vetja për t'ia dhënë tjetrit në mënyrë që ata të vazhdojnë rrugën e tyre më pak vetëm.
- Pablo Neruda
 
Ishte një ëndërr e ëmbël që bëri zemrat e tyre të rrahnin njëzëri!
Erdhën shumë vonë në jetën e njëri tjetrit por zemrat e tyre ishin lidhur në kohën e duhur...

LizzBerisha
 
Si sot, plot dy shekuj mĂ« parĂ« (1821), lindte mĂ« reaksionari, mĂ« konservatori, mĂ« prapaniku, mĂ« religjiozi, mĂ« shovinisti, mĂ« ksenofobi, mĂ« antiliberali, mĂ« antisemiti – megjithĂ«kĂ«to, mĂ« i madhi, mĂ« zhbiruesi, mĂ« i shenjti, mĂ« tragjiku dhe mĂ« mjeshtĂ«rori, tek e fundit mĂ« njerĂ«zori nga tĂ« gjithĂ« ata tĂ« sĂ«rĂ«s sĂ« vet: autori i vĂ«rtetĂ«, shkaktari i dhunĂ«s, mendimit dhe mĂ«shirĂ«s fundore qĂ« shfaqet nĂ« poemĂ«n e Inkuizitorit tĂ« madh.

Stalini nuk e pranonte botĂ«risht dashurinĂ« qĂ« kish pĂ«r tĂ«, por si insomniak i zellshĂ«m qĂ« ish, me nĂ«nvizimet qĂ« ka lĂ«nĂ« mbi kopjen e tij tĂ« “VĂ«llezĂ«rve Karamazov” (njĂ« botim i vitit 1927 qĂ« ai e pati rilexuar, mĂ« gjasĂ«, nĂ« vitet ’30) ka vulosur mbase provĂ«n mĂ« tĂ« vyer tĂ« pohimit e vet tĂ« hershĂ«m, se mund t’i njohĂ«sh njerĂ«zit qĂ« ke pĂ«rreth duke parĂ« se ç’lexojnĂ«.

Po flas për Dostojevskin bthw.
 
PËRQAFIMI ËSHTË TI DHE UNË NJË ÇAST



NĂ«se zgjedh

Një Planet,

Ku dua të jetoj,

Nëse përzgjedh

Një ngrohtësi

Ku zemra të vrasë çdo frikë

ËshtĂ« pĂ«rqafimi Yt.



Nuk Ă«shtĂȘ,

Që është Fjalë e madhe

PĂ«rqafimi Yt.



Nuk është, që të shtrëngon dhe pastaj dhemb.



Nuk Ă«shtĂȘ

Që është

Vlerë e paçmuar,

Nuk është vetmia që ndjej pa Ty.



Përqafimi Yt është

Prekja,

Aroma

E frymës Tënde në buzët e mia.

Përqafimi Yt është

Të kthesh kohën nga supet dhe të kërkosh mbështetje.



Përqafimi Yt është

Ti dhe unë, një çast.



Përqafimi Yt është

Fjalë,

Që fraza nuk i nxë,

Sepse shtyhen dhe humbasin vlerën, peshën...

Përqafimi Yt është

Ilaçi më i çmuar,

Sepse nuk gjendet në çdo krahë që të afrohen.



Përqafimi Yt është

Edhe sytë e mi që të kërkojnë në çdo lindje dielli,

Përqafimi Yt është

Melodia që dëgjoj çdo perëndim dielli,

Që më ndjellin ëndrra,

Për të të sjellë Ty tek zemra ime...



Përqafimi Yt është

- Mirëmëngjezi!

- Natën e Mirë! - e çdo dite që shpresoj ardhjen Tënde.



Përqafimi Yt është

Vetëm Ti tek shpirti im.



Përqafimi që unë dua të jetoj

ËshtĂ«

Vetëm shtrëngimi i duarve të tua

Dhe kur koka ime ka jastëk gjinjtë e Tu...



PĂ«rqafimi,

Ku dua të jetoj

ËshtĂ« vetĂ«m i Yti....
 
SI TË QËNDROSH PËRHERË NË KËMBË

Ke dy mĂ«nyra pĂ«r tĂ« jetuar: i rrĂ«zuar ose nĂ« kĂ«mbĂ«. TĂ« rrĂ«zohesh Ă«shtĂ« e lehtĂ«, sepse tĂ« ndihmon graviteti, shoqĂ«ria, turma, ata qĂ« tĂ« vĂ«nĂ« kushte, etj. PĂ«r t’u rrĂ«zuar mjafton tĂ« mos veprosh, tĂ« mos drejtosh veten, tĂ« jesh i bindur. Por tĂ« qĂ«ndrosh nĂ« kĂ«mbĂ« dhe tĂ« ecĂ«sh Ă«shtĂ« e vĂ«shtirĂ«. PĂ«r kĂ«tĂ« duhet tĂ« mos bindesh, duhet tĂ« mposhtĂ«sh egon, tĂ« pĂ«rmbash vetveten, tĂ« manovrosh. Duhet t’i bĂ«sh vetĂ« gjĂ«rat, tĂ« jesh njĂ« individ i fortĂ«. Qenia njerĂ«zore Ă«shtĂ« e vetmja qĂ« ka njĂ« vetĂ«dije. TĂ« gjithĂ« e kemi, por pak e kĂ«rkojnĂ« dhe e gjejnĂ« atĂ«. NĂ«se arrin tĂ« njohĂ«sh veten dhe tĂ« jetosh jetĂ«n tĂ«nde, do tĂ« qĂ«ndrosh pĂ«rherĂ« nĂ« kĂ«mbĂ«.
 
Në tryezat e gjata të kohës
pinë krikllat e Zotit,
zbrazin sytë e shikuesve dhe sytë e të verbërve,
zemrat e hijeve qe zgjaten,
faqet e zbrazta të natës.
Jane pijetaret më madhështore:
e sjellin boshin tek buzët si të ish plot
dhe nuk derdhin shkumë si unë e ti,,,,
 
Një ditë, do të vij dhe do të sjell një lajm.
Dritë do derdh në venat e tua
dhe zëlartë do thërras:
“O ju, shportat e tĂ« cilĂ«ve janĂ« plot Ă«ndrra!
Ju solla mollĂ«n, mollĂ«n kuqaloshe tĂ« diellit ”.
Do të vij t'i jap një degë jasemini lypësit.
Gruas së bukur lebroze
të tjerë vathë do t' i dhuroj.
Do t'i them të verbrit:
"Ah, ç'pamje e bukur
ky kopsht"!
Do të bëhem shitës shëtitës e në ecejakje rrugicave do bërtas:
"O vesë, vesë, vesë"!
Një kalimtar do të thotë: "Sigurisht që është një natë e terrtë"! dhe unë,
një galaktikë do t' i dhuroj.
Mbi urë,
një vogëlushe pa këmbë.
Do t' i qarkoj qafës Arushën e Madhe.
Do largoj çdo fyerje
prej buzëve.
Do ta shemb çdo mur.
Hajdutëve do t'u them:
" Mbërriti një karvan plot buzëqeshje"!
Renë copash do ta bëj.
Do të lidh sytë me diellin,
zemrat me dashuri,
hijet me ujin,
degët me erën.
Do të bashkoj ëndrrën e foshnjës me zukatjen
e gjinkallave.
Do të ngre fluturimthi shumë shqiponja.
Do të ujis shumë saksi lulesh.
Do të vij tek kuajt e lopët e bar të freskët ledhatimesh do shkarkoj.
Do t' i sjell kovën e vesës pelës së etur.
Gomarit të moçëm në rrugë, mizat do t'ia zboj.
Do të vij e në çdo mur
një karafil do të mbjell.
Në çdo dritare do të lexoj një poezi.
Do t' i jap një pishë çdo sorre.
Do t'i them gjarprit:
"Ç' vezullim ka bretkosa"!
Do të bëj paqe.
Do të bëj njohje.
Do të eci.
Dritë do të ha.
Do të dua.
 
Të gjithë kemi një violinë në kraharor dhe kemi humbur arkitekturën për ta luajtur. Disa e gjejnë në libra, disa në zjarrin e një muzgu, disa në sytë e një personi, por sa herë i bie arketi nga duart dhe humbet si një fije bari ose si një ëndërr. Jeta është kërkimi i pafund për këtë arkitelag që të mos ndjejmë heshtjen që na rrethon.
Fabrizio Caramagna
 
"Jeta, e dashura ime"
(Sandor Marai)

Jeta, dashuria ime, është plotësi.
Jeta janë një burrë dhe
një grua që takohen
sepse janë bërë për njëri-tjetrin,
sepse ata janë, për njëri-tjetrin,
ajo çfarë shiu është për detin:
njëri kthehet dhe bie gjithmonë mbi tjetrin,
ata krijojnë njëri-tjetrin,
njëri është gjendja e tjetrit.
Harmonia ka lindur nga kjo plotësi,
dhe kjo është jeta.
Një gjë shumë e rrallë midis qenieve njerëzore.
 
Masa të kota kundër dashurisë,Dino Buzzati

Tani qĂ« ai u largua dhe nuk do tĂ« bĂ«het i gjallĂ« mĂ«, u zhduk, u fshi tutje nga fusha e jetĂ«s saktĂ«sisht si tĂ« kish vdekur, asaj, IrenĂ«s, nuk i mbetet veçse tĂ« armatoset me gjithĂ« guximin qĂ« njĂ« grua mund t’i kĂ«rkojĂ« Zotit dhe tĂ« shkulĂ« tĂ« gjitha rrĂ«njĂ«t me tĂ« cilat ajo dashuri e pafat i ishte ngjitur pas rropullive tĂ« saj. GjithmonĂ« ka qenĂ« njĂ« vajzĂ« e fortĂ«, Irena, e kĂ«saj here s’do tĂ« jetĂ« mĂ« pak e tillĂ«.

U krye! Më pak e tmerrshme nga sa e mendonte ajo; e më pak e gjatë. Nuk kanë kaluar as katër muaj dhe ja teksa ndihet plotësisht e çliruar. Paksa më e dobët, më e zbehtë, më delikate, më e lehtë, me qetësinë e ëmbël të konvaleshencës brenda së cilës rrahin tashmë iluzione të reja të paqarta.

Oh u tregua trime, heroike u tregua, diti të ishte mizore me veten, shtyu me tërbim të gjitha joshjet e kujtimeve, tek të cilat mund të ishte braktisur ëmbëlsisht. Të shkatërronte me duart e saj gjithçka mbeti prej tij, mbase edhe një spilë, të digjte letrat dhe fotografitë, të flakte teshat e veshura kur ishte ai, mbi të cilat ndoshta vështrimet e tij kishin lënë një gjurmë të padukshme, të hiqte qafe librat që edhe ai kishte lexuar sepse leximi i përbashkët i tyre mbante një bashkëpunim sekret, të shiste qenin që tashmë kishte filluar ta njihte dhe vraponte drejt tij tek dera e kopshtit, të braktiste miqësitë që u përkisnin të dyve, të ndërronte madje edhe shtëpinë sepse një mbrëmje ai kishte mbështetur bërrylin mbi oxhak, sepse një mëngjes ajo derë ishte hapur dhe pas saj ishte shfaqur ai, sepse zilja e derës lëshonte të njëjtin tingull kur vinte ai, dhe kështu në çdo dhomë i dukej se gjente një gjurmë misterioze.

Prapë: të mësohej të mendonte për gjëra të tjera, të zhytej në një punë masakruese prej së cilës në mbrëmje, kur rreziku vinte edhe më kërcënues, një gjumë i rëndë gur ta vinte përtokë, të njihte njerëz të rinj, të frekuentonte vende të reja, të ndryshonte edhe ngjyrën e flokëve.

Ajo ia doli t’i bĂ«nte tĂ« gjitha kĂ«to, me pĂ«rkushtim tĂ« dĂ«shpĂ«ruar, duke mos lĂ«nĂ« asnjĂ« cep tĂ« pambrojtur, asnjĂ« çarje, nga e cila kujtimi mund tĂ« hynte. E bĂ«ri. Dhe u shĂ«rua. Tani Ă«shtĂ« mĂ«ngjes, me njĂ« fustan tĂ« bukur kaltĂ«rosh tĂ« cilin sapo ia ka dĂ«rguar rrobaqepĂ«sja, Irena Ă«shtĂ« duke dalĂ« nga shtĂ«pia. JashtĂ« ka diell. Ajo ndihet e shĂ«ndoshĂ«, e re, e pastĂ«r nga brenda, e freskĂ«t si tĂ« ishte gjashtĂ«mbĂ«dhjetĂ« vjeç. E lumtur madje? Ndoshta.

Por, nga një shtëpi aty afër vjen një valë e lehtë tingulli. Dikush ka ndezur radion ose gramafonin, dhe një dritare është hapur. Hapet dhe pastaj menjëherë mbyllet.

Mjaftoi. Gjashtë ose shtatë nota, jo më shumë, sigla e një motivi të vjetër, kënga e saj. Jepi, e guximshmja Irenë, mos e humb për kaq pak, vrapo në punë, mos ndalo, qesh! Por, një boshllëk i tmerrshëm i është formuar brenda në gjoks, ka ngrënë një humnerë. Për muaj e muaj dashuria, ky ndëshkim i çuditshëm, kishte bërë gjoja sikur flinte, duke e lënë Irenën të gënjente veten. Tani një hiçgjë kishte mjaftuar për ta shkatërruar.

Jashtë lëvizin makinat, njerëzit jetojnë, askush nuk e di për një grua që, e braktisur në dyshemenë afër derës së një shtëpie si një fëmijë i dënuar, duke zhubrosur fustanin e ri, qan e përhumbur. Ai është larg, nuk do të kthehet kurrë më, dhe gjithçka qe e kotë.

 
NDONJËHERË...

Ndonjëherë kam frikë të jetoj
Kam frikë të humbas veten në atë vorbull të madh të kohës që kalon e nuk di të ndaloj asnjëherë.
E frikësuar nga ideja se nuk di të dashuroj, se nuk mund të dua as veten ashtu siç e meritoj...
Ndonjëherë kam frikë se nuk kam për ta kuptuar kurrë jetën!
Ndonjëherë kam frikë të mbaj njerëz afër, frikë se nuk jam e mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e tyre!
Dalngadalë edhe pas gjithë frikërave unë lidhem me ta derisa ata bëhen një dobësi që më bën të kem frikë më shumë nga jeta. Frikë se një ditë do të largohen duke lënë një zbrazëti të madhe dhe lotë thellë në shpirtin tim...

LizzBerisha
 
ATDHEU PA TABU (një poemë politikisht jo korrekte)

Sa herë kujtoj Atdheun
më vinë ndërmënd varrmihësit;

Në varrimin e tim eti dikush solemnisht përmëndi ATDHEUN
e unë qesha hidhurazi
 teksa dëgjoja duartrokitësit
ndjeva keqardhje për ATDHEUN me një copë më pak...
për herë të parë babai po merrte me vete një copë ATDHE

servirur bujarisht mbi njĂ« lopatë 

Po ç’ështĂ« vallĂ« ATDHEU?
Një copë dhÚ
e hija jonĂ« mbi të .
aty ku çdo çast jeton dhe vdes nderi,
vesi, dashuria, urrejtja, lulja, thika, epshi dhe mëria,
mirënjohja, mosmirënjohja, besa, gënjeshtra, miqësia, armiqësia


Flasim për Atdheun, luftojmë, qajmë, mburremi, vritemi per të
kujdes Atdheun
amanet Atdheun...dhe harrojme Vetveten,
atdheun tonë më të parë, harrojme të flasim për të, të luftojmë për të,
të qajmë për të, të vritemi për të, të mburremi për të, të turpërohemi për të,
se Ă«shtĂ« i vetmi atdhe i yni qĂ« fatkeqĂ«sisht ngjan shpesh me vetminë 
i vetmi atdhe i yni që sa pak i ngjan atij tjetrit,
ATDHEUT me gërma kapitale,
atij qĂ« askush nuk mund t'ia shtojĂ« apo t’ia heqĂ« madhĂ«shtinë 

Përse t'ia shtojnë? Përse t'ia heqin? Përse u dashka bërë patjetër diçka për të?
Fundja, ç'bĂ«n ATDHEU kur ne lindim, jetojmĂ«, vdesim, kur sjellim fĂ«mijĂ« nĂ« jetĂ« 

nĂ« gĂ«zimin tonĂ«, nĂ« fatkeqĂ«sinĂ« tonĂ«, nĂ« brengĂ«n tone
 çfarĂ« bĂ«n ai?
I ka parë kush lotët e Tij?

A nuk jetojmë në të njëjtin Atdhe bashkë me miliona batakçinj,vrasës,hajdutë?
A nuk themi fjalët më poshtëruese, gënjeshtrat më të mëdha në gjuhën e Tij?
A nuk bëhen të mirat dhe të këqijat, nderimet dhe turpërimet në emrin e tij?
A nuk e valvisin çdo ditë flamurin e Tij edhe duar të ndyra predikuesish të paskrupullt
që flasin në emër të Tij?

ATDHEU na përket ne, por ne jemi unë, ti, lypësi, mësuesi, prifti, Rrugaçë,
gjykatësit, vrasësit, bankierët, kopilat, murgeshat, heronjtë, pijanecët, hajdutët,
virgjĂ«reshat,ushtarĂ«t, policĂ«t dhe poetĂ«t
nxĂ«nĂ«sit qĂ« buçasin korridorĂ«t
dhe të gjithë njëzëri bertasim: ATDHEU !
Cili vrasës s'e ka kënduar Himnin Kombëtar?
Më bukur nga të gjithë e këndojnë diktatorët.

Po kush do të më tregojë pra ç'është Atdheu?
Kuptimin kësaj fjale kush ia gjen? Dheu i atit?
I gjyshit apo i stërgjyshit?
E ç'di Atdheu për ta, për timin a tëndin fjala vjen?

ATDHEU është egoist si një fëmijë i përkëdhelur

Dhuroji Atij jetën tënde, përkujdesjen, dashurinë ,
pasurinë , besën tënde, burrërinë nëse vërtet je burrë
e ATDHEU s'do tĂ« tĂ« harrojë 
Falja batakçiut më të ndyrë të gjitha këto, edhe jetën tënde
e natyrisht edhe ai s'do tĂ« tĂ« harrojĂ« kurrë 

ATDHE, të nëpërkëmbën! Të poshtëruan!
Të zbardhëm faqen! Të lartësuam! Në përjetësi ndriçon!
Gjepura
pallavra
fjalë boshe

ATDHEU bën pa virtutin e tij po aq sa edhe me vesin tone


Kur vdiqët, ju vranë, ju përdhunuan,kur nënat qanin mbi varret tuaja
a vdiq ATDHEU?
ATDHEU është i pavdekshëm si çdo gjë pa jetë.

Ata që lindin, lindin në Atdhe.
Ata që vranë, vranë në Atdhe.
Ata që u vranë, u vranë në Atdhe.
Teli me gjëmba rrethoi në Atdhe.
Lulet që çelin, çelin në Atdhe.
Edhe ato që vyshken, në Atdhe vyshken

Në Atdhe luhet tragjedia e njerëzit derdhin të hidhurit lotë.
Në Atdhe luhet komedia e njerëzit qeshin të lumtur

Në Atdhe luhet edhe drama e njerëzit as qeshin
as qajnë dot


A iu kujtua ndonjërit Atdheu, ndërsa bënte dashuri,
martohej a divorcohej, pronësohej a shpronësohej,
varfërohej a pasurohej, vritej a vriste, lindëte a vdiste?
E kujtoj ATDHEUN kur në çaste delirante e pandeh veten hero.
Më pas, si pas çdo deliri, qesh si i marrë, qaj si i çmëndur.

ATDHEU!

Brodha nëpër botë dhe kudo njerëzit ngritën supet kur dëgjuan emrin e Tij

Brodha nëpër Atdheun tim e kudo njerëzit ngritën supet kur dëgjuan emrin tim


Brodha kudo nëpër VETVETEN time

vrava e më vranë, dashurova e më dashuruan, mallkova e më mallkuan,
përkëdhela e më përkëdhelën, tradhëtova e më tradhëtuan, fala e më falen

e përsëri
përsëri
urreva e më urryen, gënjeva
 më zhgënjyen
por më njohën
 e më thanë "JE TI!"


ATDHEU!
Kujt duhet t'i krenohemi me emrin e Tij për sa kohë nuk e dimë
pse duhet D-O-M-O-S-D-O-SH-M-E-R-ISH-T të jemi krenarë?
Si mund të kenë Atdhe ata që kanë humbur Vetveten?
Njeriu pa Vetvete s'është vecse lypsar...

ATDHEU!
Ne dimë të vrasim. Të na vrasin. Të vetvritemi.
Dimë edhe të varrosim të vrarët. Dhe vetveten.
Çdo çast i dhurojmĂ« gropa tĂ« reja, solemnisht i quajmĂ« varre
që më pas të krenohemi me to. Ne s'dimë të dhurojmë jetë.
Vdekje po.
A thua jemi lindur të pajetë për t'u mburrur gjithmonë
me të rënët, me të vrarët, me të vdekurit?

ATDHEU u lodh nga vdekjet tona
u neverit... u ngrit
e u largua nga ceremonia jonë e përjetshme mortore

Teksa kazma grryen prej trupit të Tij gjakun e ujshëm...
teksa duart shkulin lule nga trupi i Tij,
oh sa lehtë rikuperohet Ai, rigjenerohet
plehërohet

nga skeletët tanë të bujshëm


E mohuam veten me gjithë ç'kishim
e pastaj ia falëm ATDHEUT atë çka mbeti prej saj.
Më pas , të tjerë vetmohues me lopata vetmohuese në duar
nxituan drejt vetmohimeve të reja si prindërit e tyre

vetmohuar


ATDHEU ka origjinalin e tij të papërsëritshëm, të paprekshëm
dhe miliona kopje të keqpërdorura si fotografi porno në xhepin e ushtarit
plot spermë dhe thërrime që i mburret rekrutit:
"E sheh këtë? E njeh? Eshtë dashnorja ime!"

ATDHEU!

Në radiografinë e Tij duken veç skeletët tanë me një gjurmë të zezë në gjoks
aty ku mund të ishte zemra jonë e vetmohuar
ose vendi ku ne vetvritemi aq natyrshëm nga thika vrastare e kohës së humbur
në kërkim të madhështisë së varreve--ideali ynë i përjetshëm-

kurrorëzimi i mundit

kolera jonë e pashërueshme

Varret tona - argumenti ynë i vetëm në Gjyqin e Fundit.

ATDHEU nuk ka vese

por ne luftojmë që ATDHEU të jetë krenar, mburracak, mospërfillës, egoist, i fuqishëm,
kokëfortë, i pari në çdo gjë, më i miri, më i bukuri, më i mënçuri,
mĂ« i pĂ«rsosuri i gjithĂ«sisë (“A ekzistoka pĂ«rsosmĂ«ria?”
do tĂ« pyesĂ« njĂ« nxĂ«nĂ«s mĂ«suesen e biologjisë ).
Vishjani këto tipare një njeriu dhe do të shihni sa i ftohtë do t'ju duket,
se si ftohtĂ«sia e tij buzĂ«qeshjen do t’ju ngrijë 

ATDHEU është vërtet i dashur vetëm në Mitologjinë e Mërgimit...
një yll që sa më larg i qëndron aq më i bukur duket
e kur pranë tij je për një cast
të tjerë yje lakmon...
por ka shpresë...ka...kur dikur do mësosh
të njohësh e të gjesh Vetveten e Vetmohuar
ta pranosh e pa kushte ta duash paskëtaj
çdo sekondĂ« tĂ« jetĂ«s tĂ«nde pĂ«r aq kohĂ« sa do rrosh

e bashkĂ« me tĂ« pleqĂ«rinë rininë kujtimet e bukura
fĂ«mijĂ«rinë 
çfarë sot ke e nesër do kesh e çfarë pas vetes pakthim le...
veç atëhere mund ta kuptosh magjinë
që një copë të zakonshme dheu
e shndrron përjetësisht në ATDHE


ATDHEU shkatërrohet çdo ditë brenda meje
si mal i mallkuar me mall mëkuar
shkërmoqet pa zhurmë ...ma vret përmallimin

emrin s’ja pĂ«rmĂ«nd kur flas me veten
gjumin s’ma prish e çuditĂ«risht nuk çmĂ«ndem
tashmĂ« ATDHEU s’banon askund
përveçse në pallavrat e politikanëve
ATDHEU ka vdekur
jo rastĂ«sisht fjalimet mĂ« tĂ« bukura mbahen nĂ« varrezë 
Atdheu s’ështĂ« mĂ« toka ku shkel
as fushat, malet, pyjet
Atdheu është mendim në tru 
sëmbim në zemër

po truri është i tepërt në këto kohë gjaksore
dhe zemra s’ështĂ« veçse njĂ« organ qĂ« pa gjakun vdes


ATDHEU
po cili ATDHE?
Shshshshhhh
lexomĂ«ni pa zhurmë dhe mos u grindni
ATDHEU po pi cicë tani në thithat prej silikoni të Kurvës Plakë
pasi është shurrosur në brekët e veta të grisura
ja
tani ajo do i vërë bebelinot

do e lajë në vaskë se është bërë pis
dhe do na e japë ne ta vëmë në gjumë me këngë trimërie


ATDHEU vazhdimisht është në klasën e parë
tashmë në shkollën e Sorrosit
vishet me xhinse të grisura
dhe nuk është më proletar
qëkur marksizmi e la me barrë
si gjithnjë shkruan me dorën e majtë
por kjo s’i prish punĂ« askujt
rëndësi ka të kuptojë leksionin e radhës


ATDHEU duhet çuar nĂ« SPA

një ATDHE leshator është i papranueshem
duhet depiluar para se të qihet
do e bëjmë gay meqë në këtë botë diplomatike
pink, të mirësjellshme, delikate, platonike
përdoren të gjitha mjetet e civilizuara
siç pastrohen armët në luftë
nĂ« paqe duhet larĂ« edhe bytha se s’si dihet

do e bëjmë edhe Rrugaçe që të jetë me fat
s’do lĂ«mĂ« gjĂ« pa i bĂ«rĂ« ATDHEUT
sidomos kur e quajmë MEMEdhe


Hej, njerĂ«z, ATDHEUT i ka ardhur njĂ« letĂ«r nga jashtë 
njĂ« letĂ«r e “jashtme”
 e shndritshme

nuk qënka letër, por ftesë për takim me prindër
ATDHEUT i paskan thyer notë në sjellje
ata që e copëtuan, e ngjitën dhe e shqitën
sa herë që e panë të arësyeshme


ATDHEUN e çojnë për riedukim në Bruksel
të mësojë në perfeksion artin e shitblerjes të vetevetes
ATDHEUN e marrin ushtar
e armatosin gjer në dhëmbë
i vënë dhe maskën antigaz dhe e çojnë të vrasë
ose siç ndryshe I thonë të ruajë paqen në botë
dhe tĂ« edukojĂ« popujt e pacivilizuar andej matanë 

ATDHEU është laboratori ku ata bëjnë eksperimentet
në një epruvetë futën injorancën tonë dhe djallëzinë e tyre
i përzien bashkë ideologjitë vrastare dhe filozofitë mashtruese
lugën e florinjtë me çeqet e bardhë, pak bar dhe marihuanë
Doruntinat e Rozafat, Argjirotë Mujët, Halilët dhe Kreshnikët
Skëndërbetë dhe Terezat, me varfanjakët anonimë që zhgrryhen te tezgat
Njeriun e Ri dhe enverët e vegjël me lypsarin me iphone
barngrënësit me postkomunistët, lum si ne bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë
e që receta të ishte e plotë
edhe pak teater kukullash te majta e te djathta
dhe pastaj na urdhëruan të gëzohemi
për ngjyrën e bukur të qelqit të ylbertë
dhe haj berihaj

hosanna
hosanna

































Dinin vërtet diçka më shumë për ne ata që thanë
‘shkĂ«rdheju nĂ«nĂ«n tĂ« tĂ« thonĂ« baba”


Ne jemi
një tufë delesh e gomerësh,
batakçinjsh e të pandershmish
Injorantësh e të pacipësh,
egoistësh e intrigantësh,
hipokritësh e të pabesësh,
vrasësish e halabakësh, të korruptuarish e hajdutësh
teveqelësh që për hunde na tërheqin
ankimtarësh patetikë legjendaromitikë
pordhacë e frikacakë njëkohësisht
përderisa prodhojmë pambarimisht
plehrat që historikisht na udhëheqin


kjo tufë jemi akoma unë dhe ti
trushplarë nga e njëjta vorbull
jemi militantë skizofrenë partish

numra rendorë në listat zgjedhore

ne jemi elektorat 

tufë që prodhon idhuj të rremë
ATDHEU është bërë si ne

ATDHEU s’ka atdhe
e për fat të keq nuk ka as popull


***
ATDHEU me gërma kapitale është mashtrim
i barinjve që tufën tonë në shekuj udheheqin
por unë uroj që një ditë festa të mbarojë
fanfarat marramendëse të pushojnë
të bjerë heshtja
dhe të kuptojmë bashkarisht
pa bujë,
pa zhurmën që madhështia e rreme pas le
atDHEU apo ATdheu.
 kjo Ă«shtĂ« çështja

do na dhĂ«mbë do na sĂ«mbojĂ« ndoshta zemra
por sa për fillim le ta shkruajmë me gërma të vogla

ashtu
 me shkrimin tonë të keq:
atdhe


©Artan Gjyzel Hasani
 
Nùzım Hikmet
________

Mendoj për ty
dhe ndiej aromën e nënës
nëna ime, më e bukura në gjithësi.

Ti je rrotullame në këtë park lojrash brenda meje
rri pezull përreth, fustani dhe flokët e tu valëviten
çaste jetime që nisin sa gjej fytyrën tënde e deri kur e humbas.

PĂ«r ç’arsye
përse të kujtoj si plagë në zemër
pĂ«r ç’arsye ta dĂ«gjoj zĂ«rin kur ti je kaq larg
dhe nuk kam ç’t’i bĂ«j flakĂ«s qĂ« ngrihet?

Përgjunjem dhe të shoh duart
dua të të prek duart
por s’mundem
ti je pas qelqi
E shtrenjta ime, jam spektator i shtangur i dramës
që vetë luaj në muzgun tim.
 
Autoportret 
 nga Adam Zagajewski

Gjysma e ditës sime kalon mes kompjuterit lapsit dhe makinës së shkrimit.
Me kalimin e kohës do të bëhet gjysma e shekullit.
Banoj në qytete të huaja dhe ndonjëherë
flas me të panjohurit për gjëra pa vlerë.
DĂ«gjoj shumĂ« muzikĂ«: Bach, Mahler, Ć ostakovič, Chopin.
Tek muzika gjej tri elemente: forcën, dobësinë dhe dhimbjen.
Elementi i katërt nuk ka emër.

Lexoj poetë të gjallë dhe poetë të vdekur.
Prej tyre mësoj forcën shpirtërore, besimin dhe krenarinë.
PĂ«rpiqem t’i kuptoj filozofĂ«t e mĂ«dhenj, por nĂ« pĂ«rgjithĂ«si, arrij tĂ« kap vetĂ«m pjesĂ«za tĂ« atyre mendimeve tĂ« çmuara.
MĂ« pĂ«lqen tĂ« bĂ«j shĂ«titje tĂ« gjata nĂ«pĂ«r rrugĂ«t e Parisit dhe t’i shoh tĂ« ngjashmit e mi qĂ« frymĂ«zohen veçse nga xhelozia
lakmia dhe inati.

Më pëlqen të shoh monedhën prej argjendi,
teksa kalon nga dora në dorë
dhe ngadalë humbet forma e saj të rrumbullakët dhe profili i perandorit vjetërohet.
Anash, rriten pemët që nuk shprehin asgjë
përveç përsosmërisë mospërfillëse me ngjyrë të gjelbër.

Mbi fusha fluturojnë andej këtej zogj të zinj
që presin të duruar porsi vejusha spanjolle
Nuk jam më i ri, por ka edhe më vjetër se unë.
E dua gjumin e thellë, kur nuk ka
xhiro të shpejta me biçikletë në fshat,
kur plepat dhe shtëpitë treten si re të grumbullura në qiellin e kthjellët.

Ndonjëherë pikturat në muzeume më flasin
dhe atëherë ironia zhduket menjëherë.
Më pëlqen shumë ta shoh fytyrën e gruas sime.
Çdo tĂ« diel i telefonoj babait.
Një herë në dy javë dal me miqtë,
sepse kështu mbetemi besnikë të njëri-tjetrit.

Vendi im shpëtoi nga një e keqe.
Do të doja të kishte edhe një çlirim të dytë.
A mundem unë ta jap ndihmën time për këtë gjë?
Nuk e di.
Nuk jam biri i vërtetë i detit,
ashtu si shkroi për veten Antonio Machado,
por jam bir i ajrit, i mendrës dhe i violinçelit.

Jo të gjitha rrugët e botës së lartë
kryqëzohen me shtigjet e jetës,
që tani për tani
më përket.
 
Sonte,
ashtu si dhe shume nete te tjera
kur hena eshte e plote.
Qendroj mbeshtetur ne parvaz,
Lehte...
Se me duket sikur me vret mishin, shpirtin pesha e mallit.
Ne pragun e nates,
notoj ne kujtimet e qytetit
te femijerise.
Ne duar mbaj lulen me te cilen
dikur luanim lojen "me do - s'me do".
Sot,
ne cdo petale eshte qendisur
nje germe qe zgjohet e flet.
Jehona zerash pasqyrohen te kalimtaret
qe ecin nxitimthi ne kete Dhjetor te ftohte.
Hena e plote me prin ne cdo
perqafim te padukshem qe nuk e jap dot.
Struk dashurine per Zotin ne gjoks,
E mbushem me Fryme!
B.B.
C9JVYkqCELkdERaqd9gFbj.jpg
 
"Kundër dëshirës"

(Françesko Petrarka,1304-1384)



Atë që dashuroja, nuk e dua më.

Gënjeshtër: e dua, por më pak.

Ja, gënjeva sërish:

e dua, por me turp, me trishtim.

Më në fund, thashë të vërtetën.

ËshtĂ« pikĂ«risht kĂ«shtu:

e dua,

por atë që do të doja të mos e doja,

atë që do të doja të urreja.

Por gjithsesi, e dua, por kundër dëshirës,

në detyrim, në lot, në vuajtje.

Mund të gjej trishtueshëm veten

tek shprehja e një poeti të famshëm:

''Do të të urrej, nëse do të mundem.

E nëse jo,

do të të dua kundër dëshirës".
 
Louise GlĂŒck / Teleskop
________
Për një çast, pasi ke hequr sytë mënjanë
ndodh që ta harrosh se ku je
sepse ke jetuar, me ç’duket,
tjetërkund, në heshtinë e qiellit mbrëmanet.
Ke ndalur së qeni këtu, mes njerëzish.
Je në tjetër vend,
në një vend ku jeta e njeriut është e pakuptim.
Ti s’je krijesĂ« nĂ« njĂ« trup.
Je qenie ashtu siç janë qenie yjet,
merr pjesë në prehjen e tyre, pamatësinë e tyre.
Mandej i kthehesh sërish botës.
Mbrëmjes, mbi një kodër të akullt,
merr teleskopin veçan.
Kupton paskëtaj
jo se pamja është e rreme,
por se lidhja është e rreme.
Sheh sërish se sa larg qëndron
secila gjë nga çdo gjë tjetër.
 
Tony Hoegland / Pamatësi


Të pashë mëngjesit me shi
nga dritarja e dhomës së hotelit,
kur rendje mbi dĂ«rrasĂ« pĂ«r t’i hipur barkĂ«s,
veshur me ato pantallonat e tua ngjyrë portokalli

që në të vërtetë është kajsi.
Dhe varka u trazua ca
ndërsa i kërceve anës.

Po shkoje në punë
me çantë krahu dhe bllok skicash me vete,
me flokët e përhimëta shkurrake,
që shkapërdahen me motin
si buqetë leshi të çeliktë.

E tillĂ« Ă«shtĂ« dhe zemra ime, mendova –
rri mbështjellë brenda meje, e përgjumur,
pastaj lulëzon dhe më shkund
me tërë pamatësinë e saj.

Po teksa ëndërroja, barka jote u largua.
Pastaj mbeti veç shkëlqimi i përhimët
i skelës që la pas, si çelik i palëmuar

dhe pemët e pjerrta me blerim që rriten gjatë bregut
dhe pëlhura e mjegullës mbi kodra.

Ishte barka jote që avulloi
e cila i dha trajtë shfaqjes
me rrugëtimin dhe pikëmbërritjen që përcolli.

Mandej edhe rrëfenja, si bëri punën e vet,
avulloi gjithashtu,
duke lënë pas vetëm përshkrimin e vet dashamirës, aq të afërt;

përshkrim,
që stërzgjatet
dhe dashuron pa ndonjë arsye.
 
Mario Benedetti- ZJARR I HESHTUR

Ndonjëherë heshtja
mbledh potere
parodi zemërimesh
mirazhe fantazmash
stonime tangosh
zemërime të pikëlluara
njoftime vdekjesh
etje dhe uri për ty
por herë të tjera është
thjesht heshtje
vetmi si një lis
shkretëtirë pa oaz
anije pa direk
trishtim që pikon
mbi rrënoja
zjarr i heshtur
 

Arthur Rimbaud – Ofelia​

II.

O e zbehta Ofeli ! E bukur si borë!
Në një lumë rrëmbyes ti vdiqe miturake!
– Se ernat e ftohta qĂ« nga malet fryjnĂ« prorĂ«
Zëultë të kishin folur për lirinë idhnake;

Se ishte njĂ« flurim qĂ« flokĂ«t t’i shpĂ«rthente,
Zhurma të çuditshme të shtinte në mendje;
Se zemra jote këngën e Natyrës ndiente
Në vajtimet e pemëve dhe psherëtimat e netëve;


Se zëri i deteve të çmendur si grahmë e pamat,
Copëtonte gjirin tënd aq të butë e të mitur
Një ditë prilli një kalorës i hijshëm e i ngratë,
NjĂ« i çmendur i gjorĂ« t’u pĂ«rgjunj i nemitur!

Qiell! Liri! Dashuri! ÇfarĂ« Ă«ndrre, o e marrĂ«!
Si bora në flakë u shkrive krahëve të tij:
Vegimet e gjera ta përmbytën çdo fjalë
Dhe syrin blu ta frikësoi e tmerrshmja Pafundësi!

III.

– Dhe rrezeve yjore, Poeti thotĂ« ndĂ«rkaq,
Se natën kërkon lulet që këpute ti,
Dhe se mbi ujë ka parë, shtrirë vellos së gjatë,
Që si zambak lëkundej e bardha Ofeli.
 
Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet - morale, estetike, fetare, sociale e me radhë - pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë? Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s'ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë.

Emil Cioran
 
PERCY SHELLEY - NJË ZOG QYQAR



Nje zog qyqar për shoqezen,
mbi degë të tharë vajtonte,
thellimi shfrynte i tërë i ngrirë,
nën të ky përroi shkonte.

TĂ«rĂ« atij pylli gjethe s‘ dukej,
as lule krej çahirit,
të gjitha rrotull flinin qet,
pĂ«rveç rrotĂ«s s‘ mullirit...
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-BĂ«ju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-TĂ« dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top