Fragmente te perzgjedhura

Sikur të mos isha kaq e trishtuar do të isha e lumtur. Po qëmton shi? Nuk dalloj dot ç’bëhet jashtë. Do isha e lumtur, sikur të mos më kish kaplluar kjo dhimbje e pabesë. Fundja më mirë kështu, po kthehem atje ku isha betuar të mos kthehesha kurrë. Me këtë vend s’më lidh më kurrgjë, ndaj po iki, por s’do të kisha ikur, sikur të më kishin lënë të jetoja. Jo, ky që dëgjoj nuk është shi. Është shushurima e detit që shkryth eshtrat.
Si do më bëjë zemra të dëgjoj kujën tënde kur të më shohësh? Nëne, ç’nuk do të kisha dhënë për të të përqafuar. Por do të më duhet veç të të duroj ulërimën, pa mundur të të marr kokën në krahëror: shshsht nëne, tani jam unë këtu, kaloi, iku dhimbja, tani jam këtu e s’duhet të rënkosh më, të kujtohet që ma ke premtuar? Veç të jemi pranë e gjithçka bëhet e kapërcyeshme, helmi i mendimeve, pabesia e diellit, madje edhe ftohtësia ngjyrë blu e hënës. Por nuk do të mundem të çel fjalë, e shpirti ma di si do ta duroj atë çast.


ELVIRA DONES
 
Dhe vjen koha
e mëson diferencën
mes kapjes për dore
dhe rrëmbimit të zemrës.
E vjen koha e mëson se dashuria,
nuk është të mbështetesh te dikush,
e as shoqëri për të fituar sigurinë.
Më tej mëson se puthjet s’ janë kontrata
e as dhuratat premtime.
Pastaj fillon të pranosh,
dështimet e tua me kokën lart,
e me sytë hapur;
me hijeshinë e të rriturit
e jo me dhimbjen e fëmijës.
E nis e ndërton rrugën tënde sot,
sepse kupton se te e nesermja,
nuk ka siguri të bësh plane projekte.
Më tej, me radhë, mëson dhe, se
dielli të djeg po e frekuentove shumë;
se duhet të mbjellësh kopështin tënd,
të zbukurosh shpirtin me forcat e tua,
në vend që të presësh
që dikush të të sjellë lule.
Dhe mëson megjithëmend si të durosh,
për tu bindur se sa i fortë je,
se sa vlera ke.
Dhe mëson,
pafundësisht mëson.
Nga çdo lamtumirë, mëson...
 
A ka shqiptar që nuk ndjen dhimbje nga kjo poezi e At Gjergj Fishtës:

Lamtumire vëndet e mija,
Që po m'zhdukeni dalngadalë
Gjëmon Deti ushton duhija
Lkundet varka vale mbi vale.

Kah njaj Diell që asht tuj flakrue
Andej fill un tash do t'veta
Lamtumir atdhe i bekue
Lamtumirë për sa të jetë jeta!

Neser Nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa Ujë e Dhe,
Mue prej teje ka me me më nda?

Po ni pvetsha retë minore?
Po në i pvetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me më fol kush ma mue t'shkeretit

Kam me shkel në të tjera zalle
Në të tjera brigje e të tjera Dete
Kam me ndije të tjera gjuhë
Në të tjera vënde e të tjera qytete…

Vëndin tëm ma skam me pa…

Ka me prit pra motër zeza
Me i pru nanës në shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht kah kalbet për nan dhe…

Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s'dijmë, çka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrënisë!

Lamtumire ju mriza e stane!
Lamtumire ju "shkurre e mreta"!
Lamtumire ju o armt e t'parve
Lamtumire për sa t'jetë jeta.
 
S’jam asgjë
Gjithmonë do të jem asgjë.
S’mund të dua të jem asgjë.
Sidoqoftë, mbart mbi vete të gjitha ëndrrat e botës.

Dritare të dhomës sime,
të dhomës sime në mizërinë njerëzore njësi e panjohur(edhe po ta dinim ç’është, e ç’do të dinim më tepër ?),ju jeni me fytyrë nga misteri i një rruge në ecejaken e vazhdueshme,
nga një rrugë e pakapshme nga të gjitha mendimet,reale, pamundësisht reale, e saktë, panjohshmërisht e saktë,me misterin e gjërave të rrasur nën gurë dhe nën qeniet,
me vdekjen që mbjell muret me lëmyshk dhe me flokë të bardhë njerëzit,
me fatin që udhëheq pipëzën e gjithçkaje në rrugën e asgjëje.

Sot jam i thyer, njëlloj si ta njihja të vërtetën ;
i kthjelltë sot, si të isha në çastin e vdekjes,
duke mos pasur më asnjë vëllazëri tjetër me gjëratveç atë të një lamtumire,
ngaqë kjo shtëpi dhe ky krah i rrugës
kthehen në një rresht vagonësh që nisen me vërshëllimën e ardhur nga thellë në kokën time,një shkundje nervash dhe një kërcëllimë kockash që shkulen nga vendi.

Sot jam në mëdyshje, si dikush që ka reflektuar, gjetur, pastaj harruar.
Jam në mëdyshje mes besnikërisë që i detyrohem
Dyqanit të Duhanit përballë, si një gjë jashtësisht reale
dhe ndjesisë që gjithçka është ëndërr, si një gjë reale e parë nga brenda.

Kam dështuar në gjithçka.
Meqë isha pa ambicje, mbase kjo gjithçka s’ishte asgjë.
Parimeve të mia që m’i kanë ngulitur,
iu kam ikur nga dritarja e kurtit.
Kam shkuar fushave me qëllime të mëdha,
por s’kam gjetur veç bar dhe drurë,
dhe njerëzit, po të kishte, ishin njëlloj me të gjithë.
E braktis dritaren, ulem në një karrike. E për çfarë të mendoj ?

E nga ta di unë ç’do të jem, kur s’e di kush jam ?
Të jem ai që mendoj ? Por unë besoj se jam aq shumë !
Dhe ka aq shumë që e besojnë veten të njëjtën gjë, sa s’bëhet më !
Një gjeni ? Në këtë çast
njëqindmijë trure e shohin veten si gjeni në ëndërr, si vetë unë
e historia s’do të mbajë nga këta, kushedi ? mbase asnjë ; bajga, ja ç’do të mbetet nga aq pushtime të ardhshme.
Jo, nuk besoj tek unë.
Në të gjitha azilet ka aq të çmendur të ngulitur në aq siguri !
E unë, që s’kam asnjë siguri, a mos jam më tepër i sigurtë, më pak ?
Jo, as për veten time…

Fernando Pessoa, Duhantorja.
 
"Asnjehere nuk kam shkuar ne cirk, me kane mjaftuar palaçot që kam njohur gjate jetes time..."

Charlie Chaplin

158930883_1779616082202822_2896276470526689591_n.jpg
 
Pikë së pari më tha që unë isha krahinor. Çfarë mund të besosha ? Që qyteti i madh ishte vendi i mrekullive dhe i qejfit siç mendonin disa, ato që i pëlqen udhetimi? Jo, qyteti i madh përkundrazi ishte pikërisht kështu:I zymtë,i keq, i brengosur, i ankthshem: shumë njerëz që kanë ngut, që shkapeten majtas djathtas, dhe nuk të përfillin, sepse do të shkojnë.

-Do të shkojnë ku?- thashë .

Kush e din? Për të paguar copën e rrugës që skadon, ndoshta, për të gjetur paratë që të mundësojnë këtë avantazh të dyshimshëm , provinçal edhe ky, për të jetuar në qytetin e madh. Shikoji në fytyrë: të nderë, me sytë e gripit, harrojca të gjithësisë përveç parave që duhen çdo ditë, dhe që nevojiten sa mjafton vetëm për të qëndruar në këmbë, për të punuar, punuar përsëri, për të fituar para të tjera. Një spiral pa fund. Dhe tragjedia është pikërisht që për këtë gjë nuk janë koshient, mendojnë se janë të privilegjuar. Degjoji, provokoji, dhe do të ndjesh snobizmin e tyre vetëm se jetojnë në qytet të madh. Kjo është klasa e mesme e përulur.
 
@Monique


Kam njohur dikë
Që kapte yjet e i burgoste në një qoshk të errët të shpirtit
Pa e gjetur kurrë çastin e duhur për t’i lënë të shndrisnin…

Kam njohur dikë që e rrotullonte kohën nëpër gishta duke shpërfaqur vërtetësinë e qenies e duke i shpallur luftë hipokrizisë e përpjekjeve për t’iu dorëzuar çasteve të haresë…

Kam njohur dikë që mund të të vinte një vulë të hirtë në cep të syrit me mbishkrimin “sipërfaqësor”, vetëm se zgjidhje të vallëzoje në majë të gishtave mbi thëngjinj, por veç gërmat ishin prej floriri të kuq, prej atij të lirit, të tregjeve me shumicë…

Kam njohur dikë që hënën e demaskoi si trup qiellor borgjez vetëm se s’mundi të kishte kurrë një teleskop që ta afronte drejt vetes…

Kam njohur dikë të brishtë si kafka e një fëmije të porsalindur
që me këmbët e përgjakura nga drizat e rrugëve të asfaltuara moderne shkelte lulet e me mëngën e çeliktë të bluzës fshinte lotët…

Kam njohur dikë që e luftonte dhimbjen duke e parë në sy, dikë që ishte zemërluan e duronte plagët, urinë, të ftohtin e mallin, që fikej e ndizej si far në stuhi, dikë që kokën e anonte veç anash e kurrë për poshtë… dikë që strateg s’mundi të bëhej kurrë…

Kam njohur dikë që mendonte se veç dhimbja mund t’ia lehtësonte dhimbjen, dikë që u frikësohej hijeve të muzgut e që me ankth priste rrezet e para të agut…

Dikë që i frikësohej humbjes e prandaj jetonte territ, dikë që pastronte pafundësisht emblemën e lavdisë së lashtë të të parëve të njerëzimit që të mos kthente kokën për të parë ndërrimin e stinëve…

Kam njohur dikë të madh sa bota, të vogël sa askundi, të lartë një kokë mbi Olimp e që shkurtësia i shkonte pash më pash katranit të përvëluar të Hadit…

Dikë plotë jetë ndër vena e me mendime të fishkura e me sy të fikur e zemër të çelur… dikë që lufton mes vargonjve të jetës i etur, i tretur, e sërish i ndezur nga hiri… dikë që një buzëqeshje në muzg do i kishte shpëtuar jetën…
 
Lamtumire..

E këputa këtë lule shqope
mos harro se vjeshta vdes
më s'do të shihemi kësaj bote
era e kohës lule shqope
mos harro se unë të pres.


Gijom Apolineri

autumn-autumn-leaves-autumn-light-cemetery-cross-death-fall-graveyard-middle-ages.jpg
 
Niçe- MIK TË JESH PËR KOKË

Lumturin’ mbi tokë
Veç beteja-e ndes!
Mik të jesh për kokë,
S’mund pa zjarr e bes’!

Njësh në tri janë miqtë:
Vllezër në çdo zort,
Bashkë ndaj të liqtë,
T’lirë nga çdo mort!
 
E=mc²

Energjitë e mia, koaguluar në këtë ligj, (E=mc²),
Pa Ajnshtajnin, "inkuizicion" e më tej akoma Bota,
Se di, në ç'ekuilibër do ishim dhe sa miq ?
Çdo ndodhte me ne(?), mendimet...Hipoteza të kota.

Imagjinata, është më shumë se dija,
Pa imagjinatën, s'do të kishte, as poet,
Ajnshtajni e tha, për shkencën ai perëndia,
Ndoshta pa të...Lumit do i thonim det !!

Ai shkroi...Edhe dija është e kufizuar,
Ndaj Bota, ndez shpirtin prej poetëve,
Që nga Homeri, energjia kurrë s'ka për tu shuar,
Nderojini...Pas Ajnshtajnit, poetët, në jetë të jetëve.
 
ELIZË E BUKUR Robert Berns

Kthehu prap Eliz'e bukur
dhe shikomë nën qerpik,
ki mëshirë mos ma thyej
shpirtin që të ish besnik!
Ktheu prap Elizë e bukur,
nëse s'ndjen më dashuri,
atë fjalë mos ma thuaj,
fshehe bëj sikur s'e di!

Vajzë e dashur a mos je fyer?
grindjen kisha dashuri,
mund të më dënosh ti mua
që do vdisja veç për ty?
Gjer kjo zemër të ketë jetë,
dhimbje e madhe thellë më ther,
kthehu pra moj vajzë e dashur,
buzëqeshmë pa më ler!

As dhe bletët nëpër lule
që vrapojn' e ngrehin zënë,
as perritë që lodrojnë
verës nën flori të hënës,
as poeti që mban flakë
frymëzim e fantazi,
nuk e di dot lumturinë
që më një vështrim jep ti!

a35985768e02d8ad80ad77810d2d22a4.jpg
 
Redaktimi i fundit:
Studio lart!
Për hir të dijes, kurrë për notat.
Sepse të dish ndihmon të jesh.
Dhe të dish shumë ndihmon të jesh shumë.
Studio lart!
Sepse kultura të bën të lirë
dhe asgjë nuk vlen më shumë se liria.
Studio lart!
Sepse ne jemi fjalët që dimë,
sepse mendimi krijon realitetin.
Studio lart!
Sepse kurrë nuk do ta njihni mërzinë
nëse e doni një libër, një peizazh,
një foto ose javën enigmatike.
Studio lart!
Sepse duke studiuar ju do të kuptoni cilësitë tuaja, animet tuaja, dobësitë tuaja.
Studio historinë, sepse e kaluara ndriçon të tashmen.
Studio gjeografinë sepse çdo vend është edhe lumë, mal, erë.
Studio matematikën sepse në jetë matematika shpesh nuk kthehet dhe duhet të gjesh zgjidhje alternative.
Studioni gjuhët e huaja, sepse udhëtimi është mësimi më i bukur i jetës.
Studioni biologjinë për të kuptuar se si zemra juaj rreh ose pse zemra juaj rreh më shpejt nëse dashuroheni është e mrekullueshme.
Studioni filozofinë sepse do të mësoni të arsyetoni dhe ta shikoni botën nga këndvështrime më origjinale.
Studio letërsinë sepse do të jetosh shumë jetë dhe do të shohësh vende të mahnitshme nga shtëpia.
Studioni gramatikën sepse dallimi midis një theksi dhe një apostrofi nuk është kurrë një detaj.
Studio muzikë, art dhe poezi!
Sepse bukuria është emocion dhe terapi.
Studimi i fizikës dhe kimisë sepse në atom dhe molekula ka energji shumë të fuqishme.
Studio lart!
Sepse kur ndalon së mësuari, ndalon së jetuari.
Studioni atë që ju pëlqen, por edhe atë që mendoni se është e padobishme tani.
Sepse një ditë, atëherë kur nuk e pret, do ta kuptosh kuptimin.
Studio lart!
Pa kërkuar shumë nga vetja dhe pa hequr dorë nga kënaqësia, sporti dhe emocionet.
Sepse studimi vjen gjithmonë pas mirëqenies tënde!
Studio lart!
Pa frikë se mos harron diçka.
Sepse vrimat e kujtesës janë të dobishme për të bërë hapësirë.
Sepse shkolla është mësuar ti shndërrojë pasqyrat në dritare, jo të të gjykojë.
-- F. Nga Berardinisi
 
NUK DITEN TE SHKRUAJNE PER TY FEMER…

ata pak që dinin i mbyti morali
etika
mirësjellja
syri i tjetrit
hipokrizia
frika…

shpikën për ty fjalë të reja
dhe stisën vargje që nuk i kuptonin as vetë…
kurse të tjerët s’mund të shkruanin për ty
se s’të njohën dot kurrë edhe pse njëri tjetrin
shanin e mallkonin në emrin tënd…

i kënduan dashurisë tënde
por jo dëshirës …
i kënduan pasionit tënd
por jo epshit…
i kënduan puthjes,
por kurrë orgazmës…
i kënduan marramendjes,
por jo ekstazës...

u kënduan syve të tu
e vështrimit tënd të paharruar…
buzëve
duarve
flokëve
supeve
gjinjve
por kurrë pi@@ hyjnore
që mes kofshëve të tua rrotullon një botë të tërë
vetëmohimesh të dyshimta turbulluar…

i kënduan gruas në ty
të dashurës
motrës
bijës
shoqes
mikeshës
nënës… monumentales…
por kurrë femrës…
asaj…
të padukshmes
të panjohurës…
spontanes…
hormonales…

por le t’i harrojmë ata
në moralin e tyre të bujshëm…
në etikën e tyre sqimatare…
të vonuar si shtojcë “korrigjim gabimesh”
në faqen e fundit të librave të dikurshëm…
bezdisës si era e squfurit në stacionet balneare...

dhe lejomë të të rrëfej se
mua ma ka qejfi me ty

por dua të ta them
jo edhe aq poetikisht mes vargjesh
dhe për të të impresionuar sadopak
në këtë botë lustrafine plot varak
mund të kërkoja ndihmën e fjalëve të ndërlikuara
të fjalorëve
enciklopedive
të filozofëve dhe të perëndive
e te te mahnisja
të të godisja
të të hutoja
me gjerdane metaforash
karmogjeobioteknopsikoagrofilozofike,
por jo...

mund të ta thoja me gjuhën plot etiketë
i ndrojtur si ngjyra rozë e lehtë
me rrokjet e kollarisura rrokullisur
mbi gravata fjalësh
por jo…

mund të ta thoja me varg hermetik
ku nënkuptimet të pashpresa
të lodhura si gratë e revolucionarëve
përgjojnë orëve të vona të papriturën
dhe hapjen e derës,
por jo….

jo

sepse ti e di që unë…
që unë gjithnjë jam aq çmendak sa të kuptoj
se në të vërtetë gjërat janë shumë më të thjeshta
për aq kohë sa ne të dy
jemi ti dhe unë e asgjë më shumë
ndaj dua të të them atë që ke qejf të shijosh…
ashtu si ç’dëshiron ta dëgjosh…
pa zbukurime patetike
pa metafora idioteske ndërplanetare
pa aliteracione teknologjike …
apo ekuacione erotike ku ti je gjithnjë X-i fajtor
që herë gjendet kollaj…
e herë s’ia vlen të gjëndet…

me gjashtë fjalë të zakonshme…
gjashtë
si gërmat në fjalën d-a-sh-u-r-i
dua të të them thjeshtë e saktë :
“ma-ka-ënda-të-q@@mi-bashkë …”
pa le të brengoset etika globale paskëtaj
bashkë me ata që s’ditën kurrë të shkruajnë për ty
ata që s’mundnin…
e ata që u përpoqën sadopak…



(nga “MEKATARI”, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani
 
Redaktimi i fundit:
Në këtë foto, nëna ime sapo kishte mbushur 18 vjeç. Po mbaronte liceun.
Ishin 8 nxënësit më të mirë, dy vajza dhe gjashtë djem. Të tjerët ishin të gjithë fëmijë mjekësh, profesorësh e avokatësh, ajo ishte e vetmja bijë e një elektriçisti dhe një shtëpiakeje.
Gjyshërit e mi kishin mbaruar vetëm filloren dhe nëna ime zgjohej që në pesë të mëngjesit për të shkuar në shkollë me autobusin e punëtorëve.
Kur shkoi në maturë, gjyshi i saj nga babai i tha se kishte ardhur koha që ajo të gjente një punë . Diku, kërkonin një sekretare. Punë fikse, e mirëpaguar dhe prestigjioze për një vajzë të mirë. Nëna ime ishte vërtet shumë nxënëse e mirë dhe nuk donte të hiqte dorë nga studimet,por nuk kishte mundësi financiare .
Një mbrëmje, babai i saj, gjyshi im i dashur e mori mënjanë dhe i tha:
“Këto para i kemi vënë mënjanë për pajën tënde. Merri dhe regjistrohu në universitet. Ke kohë plot për të blerë çarçafë". Ishte viti 1960 dhe gjyshi im ishte i pashkolluar, ishte jetim nga nëna e megjithatë ishte vite drite i përparuar. Kishte vetëm dy vajza dhe të gjithë atyre që i thonin "i shkreti ti sa keq që nuk ke një djalë" iu përgjigjej gjithmonë se vajzat e tij ishin gjëja më e bukur që jeta mund t'i ofronte. Nëna ime u diplomua pas 5 vitesh, duke studiuar ditën e duke dhënë mësim pasditeve për të paguar studimet.
U bë profesore në universitet dhe tani që është në pension shkruan libra dhe korrigjon teza.
Gjithçka,për meritë të një babai punëtor dhe revolucionar që preferoi të investonte për arsimimin e saj e jo për çarçafë e perde...
Gjyshi im ishte një superhero.

/Irene Vella
 
MISIONI PARANOIK

çfarë ishte nuk do jetë më këtu
bosh nuk mbetet asgjë…as vetë asgjëja…
Ajo i humbi drurët e saj
gjahtare pa pyll…. por preja
tashmë fshihet pas qerpikëve të dimrit
horizont i një loti blu
përmjerja që Dhimbja e derdhi
në zgavrën pa sy të Zemërimit…

çfarë ishte nuk do të jetë më as atje
asgjëja e mbushur pjell çmendurinë
kush digjet nga hiri nuk është i marrë
njeriu është hija që hija pas lë…

dje ishte nesër…
e sotmja gjithnjë pret…
demoni është foshnja që harrojmë ta vëmë në gjumë…
flutura nuk është budallaqe
kur i afrohet një zjarri që nuk djeg…

çfarë ishte nuk ka qenë ndonjëherë…
ndonjëherë është gjithmonë…
tani…
dikur…
pellgjet thahen...jo narçisti...
qielli s'është ajër...
por është lëkurë...

destini është balona që nga duart e fëmijës
u shkeput kur melodinë e vrane mbi dëborë…
në altarin bosh veç pianoja…
tingujt ikën…
edhe Pianisti....
nuk kishte spektatorë…

po ju? ku ishit ju?
ju që më kthyet kurrizin
të shtunat që m’i vratë i varrosa çdo të dielë
mos m’i vrisni të hënat,
lermëni të mbjell qiparisin…

dhe paskeni ardhur sonte të gjithë?
tani mund të vdes i qetë vetmie...

por nuk dua të vdes…
i kam frikë lartësitë…
nga varri im drejt e mbi ju do të bie...

ndaj në këtë botë ku fjala peshon më pak se ëndrra,
memec le të bëhem që nga heshtja ime peshë të marrë…
në këtë botë ku lulet dhurohen aq lehtësisht,
varr i harruar le të bëhem, ku lule nuk vë askush…
në këtë botë ku MORALI mbretëron si travesty
helm le të bëhet sperma ime në “one night stand”-in tonë…
në këtë botë ku kaq MIQËSISHT miku të bëhet armik
dhe armik origjinal nuk ka më,
ç’vlerë ka lufta për të fituar miqësinë e një njeriu…?

në këtë botë ku DASHURIA tepron aq shumë,
sa që shpesh u falet kafshëve nga njerëz që s’e njohën kurrë,
si mund t’iu fal dashuri njerëzve, unë që dashurova aq shumë…?
në këtë botë ku edhe kukullat tashmë ndjejnë vetmi,
kush mund të më shpjegojë ndryshimin midis
një vrasësi dhe një fëmije?

në këtë botë ku e vërteta ka dhjetë fytyra
K-Ë-R-K-O-J
vetëm njërën,
pa sy,
pa gojë,
pa veshë,
pa emër
dhe si një copë të bardhë letre
një të porsalinduri t’ia dhuroj,
me lotë dhe urinë të vizatojë
pikturën e tij tronditëse ….

në këtë karnaval shekullor
pazar shpirtërash të tjetërsuar
hedh çdo çast mallkimin tim :
“Gëzuar për shumë vjet, njerucër !”,
duke shpresuar mos t’i zërë…

©Artan Gjyzel Hasani
 
Mishel Houellebek:

.."Lumturia e vërtetë është përsëritja, në rifillimin e përhershëm të së njëjtës gjë, si në kërcim dhe në muzikë, për shembull Autobahn e Krafwerk.

Njëlloj dhe për seksin : kur mbarojmë, duam të rifillojmë. Lumturia është një zakon, një zakon që mund të përqëndrohet në gjëra kimike ose në qenie njerëzore, e kur i kam me vete pilulat apo miqtë e mi, s’kam më nevojë për asgjë.

Mërzia është alternativa e lumturisë, e përditshmja e rëndomtë, produktet e reja, informacionet, edhe të paraqitura në mënyrë tërheqëse.

E kam gjetur lumturinë në shpellën time, s’kam më ç’të shpresoj, bëj dush kur të ma thotë truri. Jashtë bën nxehtë dhe shumë dritë, mendoj ca për Gjermaninë ku kanë jetuar bashkë shumë njerëz në hapësira të ngushta dhe jam i lumtur që parajsa s’e njeh mbipopullimin.."/
 
Unë desha të pamundurën ndoshta dhe ajo më desh sa do pak apo në mënyrën e saj absurde herë herë dhe arrogante ndoshta më deshi për sekonda minuta orë muaj ndoshta dhe vite.
Por asgjë nuk kthehet pas kur çdo gjë ska më vlerë kur gjithfarë mbetet thjesht një kujtim një puthje një përqafim një natën e mirë,ndoshta pa lamtumirë.

Se di a ishte mallkim apo urim.

“Dashurofsh sa të desha unë e të dashurofshin sa më doje ti”
 
Secili, ama bash secili njeri, në thellësitë më të errëta të vetvetes, e di se cili është, por të gjithë fshihen – mu drejtua prerazi F., me një shikim të vëngërt nga dy sy bojë qielli që ta kujtonin detin, atëherë kur tërbohet nga dallgët mizore.

Nuk mendoj që njeriu nuk e njeh veten. Më shumë do të thoja se njeriu bëhet kinse nuk e njeh veten.

– Po pse i leverdiska njeriut të fshihet nga vetja, tërë jetën? – ia ktheva unë.

– Njeriu gjithmonë është i prirur ta zgjedh rrugën më të lehtë – vazhdoi F. T’i fshihesh vetes është një çik më lehtë. Rruga e vetvetes është me gjemba, ka shumë dhimbje aty.

– Gjithnjë e kam ditur se jeni një vëzhgues i mprehtë – thashë. Por e pranoj se nuk është se kam menduar që t’i kesh shkuar kaq thellë njohjes së natyrës njerëzore. Nuk ma keni lënë këtë përshtypje. Kjo që thuani ju mi kujton greket e vjetër. Këta tërë ditën e lume e shikonin qiellin dhe meditonin. Ishin të habitur me gjithçka. Si mund të ketë sipër nesh një qiell me gjithë ato të panjohura, e ne këtej, të jemi kaq të sigurt në vetvete! Jo, ketë më nuk e gëlltis! Njeriu vërtet i fshihet i vetes, se ç’ke me të.

– E pse e shikonin qiellin këta greket e vjetër?

– Sepse nuk e fshihnin vetveten, ia ktheva. Vetëm ata që fshihen janë kaq të sigurt, pa dyshime, sikur e kanë rrokur të vërtetën. Njeriu nuk është Zot, ndonëse ka përpjekje të jetë i tillë.

– Unë mendoj se njeriu që i fshihet vetes është shumë i rrezikshëm. Për të mos u zbuluar, ai edhe mund të vrasë gjatë rrugës. E ka më patjetër të mos zbulohet ky soj i njeriut. Po e zbulove fillon të turfullojë si një kalë i munduar. Mirë është nganjëherë edhe mos ta zbulosh, edhe po që se ke vërejtur çkado. Nganjëherë të duhet t’i lesh në iluzione, janë vërtetë të rrezikshëm.

– Dhe kur e mendon, e gjithë kjo torturë, nga fshehja?

– Eh, kështu është i gatuar me gjasë njeriu – tha F., dhe e nguliti shikimin kundruall hënës, që, s’kishte shumë kohë, që drita e saj e zbehtë kishte filluar të çante mespërmes mugëtirës së natës.
 
Sa lehtë mund të ngatërrohet njeriu në cikërrima koti ! Mund të shkosh me orë të tëra nga tavolina tek rafti dhe nga rafti tek divani, dhe prapa s’gjejmë rrugëzgjidhje. Madje mund të harrojmë ku gjendemi dhe të dërgojmë shigjeta në një raft të vogël të varur në mur. "Ej ! Raft !", mund t’i thërrasim, "Ke për ta parë ti !" Ose mund të shtrihemi përtokë dhe të vëzhgojmë pluhurin. Edhe aty ka frymëzim. Kjo është më mirë që të bëhet duke ndjekur orën dhe duke u rregulluar me kohën. Është e vërtetë se vështirë që mund të përcaktohen afatet, sepse çfarë afatesh mund të ketë pluhuri ? Por më mirë fare, është që të shikohet një legen plot me ujë. Është gjithnjë e dobishme dhe mësimdhënëse që të vështrosh ujin. Edhe pse aty nuk shohim asgjë prej gjëje, prapë është mirë. Vështrojmë ujin, s’shohim asgjë në të, shumë shpejt fillojmë të mërzitemi. Por ama jemi të ngushëlluar nga fakti se kemi një veprim të mirë. Kemi numëruar me gishtat tanë. Por për dreq, s’dimë ç’kemi numëruar, sepse a e lë veten uji për t’u numëruar ?
 
Sa lehtë mund të ngatërrohet njeriu në cikërrima koti ! Mund të shkosh me orë të tëra nga tavolina tek rafti dhe nga rafti tek divani, dhe prapa s’gjejmë rrugëzgjidhje. Madje mund të harrojmë ku gjendemi dhe të dërgojmë shigjeta në një raft të vogël të varur në mur. "Ej ! Raft !", mund t’i thërrasim, "Ke për ta parë ti !" Ose mund të shtrihemi përtokë dhe të vëzhgojmë pluhurin. Edhe aty ka frymëzim. Kjo është më mirë që të bëhet duke ndjekur orën dhe duke u rregulluar me kohën. Është e vërtetë se vështirë që mund të përcaktohen afatet, sepse çfarë afatesh mund të ketë pluhuri ? Por më mirë fare, është që të shikohet një legen plot me ujë. Është gjithnjë e dobishme dhe mësimdhënëse që të vështrosh ujin. Edhe pse aty nuk shohim asgjë prej gjëje, prapë është mirë. Vështrojmë ujin, s’shohim asgjë në të, shumë shpejt fillojmë të mërzitemi. Por ama jemi të ngushëlluar nga fakti se kemi një veprim të mirë. Kemi numëruar me gishtat tanë. Por për dreq, s’dimë ç’kemi numëruar, sepse a e lë veten uji për t’u numëruar ?
Mua me relakson te shoh ujin qe rrjedh, qe derdhet, qe leviz, qe valezon.

Ne legen se kam provuar ta sodis me vemendje por ka mundesi te me pelqeje edhe aty😁
 
Sa i hollë është kufiri mes urrejtjes dhe dashurisë.
Në ankthin e dhimbjes klith: Të urrej, sepse nuk mund të dashuroj askënd tjetër.
(A.R)

#ZONJA_ZFB_IMG_1635361205933.jpg
 
Dëshira

Zot!
Sot
Jam,
Kam,
Shoh,
Njoh,
Rronj,
Shkonj;
Kam gas
Dhe flas
E them
Të kem
Ditë,
Dritë,
Jetë,
Vetë,
Ah, dua,
Që thua,
Të mos vdes,
Po të mbes
Përjetë
Të ketë
Shpirti im
Pa mundim
Shëndenë
Të jenë
Me mua
Sa dua.
Sonte jam gjall',
E jam mirë,
Po kam dhe mall
E dëshirë,
Zot i vërtetë
I gjithësisë!
Të rronj përjetë
Ndaj njerëzisë!
Ti ke në dorë,
Çdo gjë që të duash;
Nukë je i gjorë,
Arrin që të thuash;
Pa bëhenë gjithë ç'dua,
Po të më dëgjosh mua,
Le të bëhetë thua,
Dhe gjithë janë bërë!
Atë që thua ti vetë,
Zot i math e i vërtetë!
Ajo bënetë në jetë,
Edhe mbaronet' e tërë!
Ti epi jetë njerëzisë,
Shto e beko dhe bagëtinë,
Se ti je Zot' i gjithësisë,
Në dorëz' e ke mirësinë
Njerëzis' epi jetë të gjatë,
Mundimet fare nga jeta ngreji,
Djepinë shkret' e lugënë thatë
Mos e shih kurrë, po mbushur leri.
Fal
Dhe ep
Gjithë ç'ke
Nga të mirat,
E të pështirat
Hidhi këtje,
A vari më ndonjë grep,
A mbuloji më ndonjë mal,
E lërë vetëm mirësitë,
Fal edhe dritë e jet' e ditë
Le të prehet gjithë njerëzija
E të mos ketë kurrë të këqija;
Ligësitë, djallëzitë e marrëzitë
Le të mos rrojnë paskëtaj edhe një ditë
Veç mirësija në këtë jetë të mbretëronjë,
Urdhëri yt, puna jote, Zotth' i math e i vërtetë,
E v^ërteta le të rronjë, gënjeshtra le të pushonjë
Bëj si të duash, ç'të them unë Zot i vërtetë? Ti e di vetë!


Naim Frasheri
 
Dhe kur rritesh kupton se… Richard Bach

Kur rritesh e kupton se lumturinë nuk e gjen tek gjërat e mëdha.
Nuk e gjen as tek lufta që bën me botën kur je 20 vjeç dhe do të dalësh medoemos gladiatori fitimtar.
Nuk e gjen as tek bindja se dashuria është gjithçka.
Nuk e gjen as tek emocionet e forta që shpërthejnë si fishekzjarre.
Nuk e gjen as në majën e grataçelës dhe as tek sfidat e vështira.
Kur rritesh e kupton se lumturinë e gjen tek gjërat e vogla, por të çmuara.
Dhe kupton
se aroma e kafes në mëngjes është një ritual i vogël lumturie,
se mjaftojnë tingujt e një kënge, ndjesitë e një libri me ngjyra për të ta ngrohur zemrën,
se mjafton era e kuzhinës, poezia e piktorëve të lumtur,
se mjafton turiri i maces apo i qenit tënd, për ta ndjerë pakëz lumturinë.
Dhe kupton,
se lumturinë e gjen tek emocionet e heshtura, tek shpërthimet e vogla që fshehurazi ta hapin zemrën,
se mund të mallëngjehesh nga yjet dhe mund të të shndritin sytë nga dielli.
Dhe kupton,
se një fushë me luledielli mund të ta ndriçojë fytyrën,
se aroma e pranverës të zgjon nga dimri,
se leximi i një libri në hijen e pemës ta shplodh dhe ta qetëson mendjen.
Dhe kupton,
se dashuria gjendet tek ndjesitë e hijshme,
tek pranitë që i ndien afër edhe kur ndodhen larg.
Dhe kupton
se koha tretet,
se pesë minuta mund të jenë shumë më të çmuara dhe shumë më të gjata se disa orë të mbledhura bashkë.
Dhe kupton,
se mjafton t’i mbyllësh sytë, ta ndezësh shpirtin, të nxjerrësh diçka nga furra në kuzhinë, të lexosh një poezi, të mbash shënime nga një libër, apo të shikosh një fotografi, që të mos ta ndiesh kohën dhe largësinë që të ndan nga njerëzit që i ke në zemër.
Dhe kupton,
se të dëgjosh një zë në telefon apo të marrësh një mesazh që nuk e prisje, do të thotë të përjetosh çaste të vogla lumturie.
Dhe kupton,
se të mbash në dorë një foshnje është mrekullia e mrekullive.
Dhe kupton,
se dhuratat më të çmuara janë ato që të sjellin ndërmend njerëzit që do.
Dhe kupton,
se ka lumturi edhe tek ai nxitimi yt për t’i shkruar mendimet në një copë letër.
Dhe kupton,
se edhe tek melankolia e gjen një grimcë të hidhur lumturie.
Dhe kupton,
se me gjithë vetëmbrojten tënde,
me gjithë dëshirën apo fatin tënd,
në zemrën e çdo pulëbardhe që fluturon, gjendet
një Jonathan Livingston i vogël dhe i madhërishëm.
Dhe kupton,
se sa e bukur dhe e madhërishme është thjeshtësia.
 
Herezi - vjen nga greqishtja dhe do të thotë zgjedhje.
Heretik është ai njeri që zgjedh dhe në këtë kuptim, është ai që, më shumë se të vërtetën, dashuron kërkimin e saj.
Heretik sot është ai që e ve lirinë e tij në shërbim të të tjerëve, ai që e shpenzon lirinë e tij për atë që nuk është i lirë.
Heretik është ai që nuk kënaqet me dije të dorës së dytë, kush thellohet në studime dhe pse e tallin për atë që bën.
Heretik është ai që rebelohet në përgjumjen e dijes, ai që nuk tërhiqet para padrejtësive.
Heretik është ai që nuk mendon se fukarallëku është fatalitet, ai që nuk përulet para cinizmit dhe indiferencës.
Heretik është ai që ka kurajo të ketë më shumë kurajo.

*Don Luigi Ciotti
 
Herezi - vjen nga greqishtja dhe do të thotë zgjedhje.
Heretik është ai njeri që zgjedh dhe në këtë kuptim, është ai që, më shumë se të vërtetën, dashuron kërkimin e saj.
Heretik sot është ai që e ve lirinë e tij në shërbim të të tjerëve, ai që e shpenzon lirinë e tij për atë që nuk është i lirë.
Heretik është ai që nuk kënaqet me dije të dorës së dytë, kush thellohet në studime dhe pse e tallin për atë që bën.
Heretik është ai që rebelohet në përgjumjen e dijes, ai që nuk tërhiqet para padrejtësive.
Heretik është ai që nuk mendon se fukarallëku është fatalitet, ai që nuk përulet para cinizmit dhe indiferencës.
Heretik është ai që ka kurajo të ketë më shumë kurajo.

*Don Luigi Ciotti
Te destinuar per tu kryqezuar
 
Pikë së pari më tha që unë isha krahinor. Çfarë mund të besosha ? Që qyteti i madh ishte vendi i mrekullive dhe i qejfit siç mendonin disa, ato që i pëlqen udhetimi? Jo, qyteti i madh përkundrazi ishte pikërisht kështu:I zymtë,i keq, i brengosur, i ankthshem: shumë njerëz që kanë ngut, që shkapeten majtas djathtas, dhe nuk të përfillin, sepse do të shkojnë.

-Do të shkojnë ku?- thashë .

Kush e din? Për të paguar copën e rrugës që skadon, ndoshta, për të gjetur paratë që të mundësojnë këtë avantazh të dyshimshëm , provinçal edhe ky, për të jetuar në qytetin e madh. Shikoji në fytyrë: të nderë, me sytë e gripit, harrojca të gjithësisë përveç parave që duhen çdo ditë, dhe që nevojiten sa mjafton vetëm për të qëndruar në këmbë, për të punuar, punuar përsëri, për të fituar para të tjera. Një spiral pa fund. Dhe tragjedia është pikërisht që për këtë gjë nuk janë koshient, mendojnë se janë të privilegjuar. Degjoji, provokoji, dhe do të ndjesh snobizmin e tyre vetëm se jetojnë në qytet të madh. Kjo është klasa e mesme e përulur.
Të helmuar nga padroni dhe njëkohësisht të stimuluar të lëvizin në të njëjtin drejtim që është më komod për padronin. As nevojat e tyre nuk janë natyrale : mendojmë reklamat ti fabrikojnë në tru ditë për ditë. Ti do të dëshirosh frigoriferin , thotë reklama, ti makinën e re, dhe vini re vini re një fytyrë të re.

Dhe ata duan atë që padroni imponon,e mendojnë që kjo është jeta moderne, lumturia. Derrmohen, ecin si të halucinuar nga mëngjesi deri në darkë, për të blerë atë që besojnë që e dëshirojnë; në realitet atë që padronit i pëlqen që të jetë e dëshiruar.


Luciano Bianciardi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top