Zbardhet nga Arkivi letra konfidenciale që Greqia i dërgon SHBA-së për të marrë Shqip

Iron_Leon

شيطان בעל זבוב
Pas Luftës së II Botërore, Shqipëria dhe pozicioni i saj në Ballkan vazhdonte të shqetësonte Perëndimin, Lindjen por mbi të gjitha fqinjët e saj, Greqinë dhe Jugosllavinë. Të dyja këto shtete nuk e ndryshuan politikën e tyre kundrejt Shqipërisë. Shqipëria ishte një shtet i dobët, politikisht ekonomikisht dhe duke qenë se regjimi i ri i pasluftës ishte komunist, ishte dhe një kërcënim për Perëndimin. Midis fqinjëve të saj, Greqia ishte më aktivja në ndërtimin e një qëndrimi kundrejt “problemit” shqiptar. Zyrat e Ministrisë së Jashtme në Athinë kishin filluar nga puna në mbledhjen e fakteve dhe argumenteve kundra ekzistencës së një shteti shqiptar. Raportet e Memorandumet e kësaj Ministrie arritën Departamentin e Shtetit Amerikan me qëllim sigurimin e mbështetjes Amerikane kundër Shqipërisë. Diplomatëve grekë do tu jepej një rëndësi e veçantë dhe do të konsideroheshin si të vetmit ekspertë në “çështjet e Ballkanit”. Në thelbin e sugjerimeve tyë tyre, qëndronte zhdukja e pavarësisë shqiptare. Për të qenë korrektë zyrat e Athinës propozonin më shumë se një zgjidhje të “problemit” shqiptar, por që çuditërisht të siç do ta shohim në dokumentet më poshtë asnjëri prej tyre nuk ishte realizueshëm përveç njërit. Shqipëria duhej të bashkohej në një shtet me Greqinë në formën e një federate por që rolin kryesor do ta mbante Greqia. Kjo e fundit i dinte vështirësitë e këtij plani dhe prandaj kërkonte ndihmën e Shtetit Amerikan. Dokumentet më poshtë janë një korrespondencë midis Ambasadës Amerikane në Athinë dhe Departamentit të Shtetit bashkë me Memorandumet e bëra nga grekët.

Ambasada Amerikane në Athinë
2 maj 1949

Konfidenciale
Lënda: Transmetohet një memorandum për çështjen shqiptare, përgatitur nga ministria e Jashtme Greke

I nderuar Sekretar i Shtetit,Uashington,

Zotëri,

Kam nderin t'ju transmetoj të përkthyer në anglisht një studim të përgatitur nga ministria e Jashtme Greke për çështjen shqiptare, që u përpilua nën drejtimin personal të zotit Pipinelis, nënsekretar për Punët e Jashtme të Greqisë, dhe që paraqet pikëpamjet e tij në këtë çështje. Sikurse është në dijeni Departamenti, zoti Pipinelis është një studiues i thellë i çështjeve të Ballkanit, një diplomat me eksperiencë dhe, për shkak të pozitës dhe të aftësive të tij, ai luan një rol drejtues në formulimin e politikës së jashtme greke. Prandaj pikëpamjet e tij për problemin e bezdisshëm të Shqipërisë meritojnë të merren në konsideratë.Analiza e bashkëlidhur për situatën shqiptare bazohet në faktin se pavarësia shqiptare nuk ka qenë asnjëherë më shumë se sa një teori. Lidhur me këtë, referimi ka të bëjë me kontrollin italian të këtij vendi para lufte si dhe me nënshtrimin e pasluftës të Shqipërisë fillimisht nga Tito dhe më vonë direkt nga BRSS-ja. Kjo vartësi e Shqipërisë nuk i atribuohet vetëm lakmisë së fqinjëve të saj ose mungesës së nacionalizmit shqiptar, por më shumë ka të bëjë me prapambetjen ekonomike, ndryshimet racore dhe mungesën "në mënyrë të mjaftueshme të një klase sunduese të kulturuar" në Shqipëri. Mendohet se rreziqet që dalin nga nënshtrimi aktual ndaj tutelës ruse i kalojnë caqet e rrezikut për Greqinë dhe Jugosllavinë dhe përfshijnë kërcënimin për Italinë dhe për vijat e komunikimit mesdhetar si një urë kalimi e fuqishme ruse në Adriatik. Prania e 600.000 shqiptarëve në Jugosllavi dhe kërkesat greke për Epirin e Veriut, përmenden si faktorë që komplikojnë më tej pozitën e shtetit shqiptar në Ballkan. Ndryshe nga komenti i zakonshëm për këtë çështje në shtypin grek, studimi i bashkëlidhur flet për një farë njohje të problemit real kur deklaron: "Në themel të çështjes së Epirit të Veriut qëndrojnë ndjenja me rrënjë të thella, gjë që për popullin grek e bën zgjidhjen e saj më të vështirë se sa një çështje tjetër. Nga ana tjetër, për shqiptarët Epiri i Veriut përbën pjesën jugore të vendit të tyre dhe bashkimi i tij me Greqinë do të konsiderohej prej tyre si një pushtim". Në parantezë mund të shënohet se për çdo grek është tepër e çuditshme që të pranojë se ka një palë shqiptare për këtë çështje.

Shqyrtohen tre zgjidhje të problemit shqiptar:
1. Ndarja e Shqipërisë ose midis Greqisë dhe Jugosllavisë ose midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë. 2. Administrimi i vendit nga një tutor i një organizate ndërkombëtare ose nga një fuqi e pa interesuar. 3. Federatë e Shqipërisë me Jugosllavinë ose me Greqinë. Ndarja konsiderohet shumë pak e pranueshme nga opinioni publik ndërkombëtar i cili do ta konsideronte këtë si një akt agresioni nga ana e Greqisë dhe e vendeve të tjera pjesëmarrëse. Për më tepër studimi nxjerr në pah atë çka duket e arsyeshme. "Në mënyrë të veçantë për sa i takon Greqisë, aneksimi i të gjithë territorit në jug të lumit Shkumbin, i banuar nga një popullsi e madhe heterogjene e njohur mirë për shpirtin e vet të mosnënshtrimit do të komplikonte akoma më shumë problemet e vetë Greqisë dhe, me siguri, nuk do të çonte në stabilizimin e situatës". Tutela ndërkombëtare, ndonëse teorikisht e mundshme, hidhet poshtë për faktin se ajo do të sillte me vete vështirësi për zbatimin e një politike të përbashkët nga kombe të ndryshme, gjë që do të linte pa përgjigje çështjet bazë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë dhe Jugosllavinë dhe do të përjetësonte "...një shtet tjetër të vogël në organizimin e ngatërruar politik dhe ekonomik të Evropës...dhe kufij të tjerë administrativë, ekonomikë dhe kulturorë në një zonë evropiane ku "ballkanizmi" ka shkuar tashmë shumë larg".Shkrirja e Shqipërisë me një shtet kufitar konsiderohet si zgjidhja më racionale. Federata jugosllavo-shqiptare deklarohet e vështirë sepse do t'u shtohej problemeve tashmë të komplikuara të minoritetit të Jugosllavisë dhe do të ndeshej me atë që njihet si armiqësi racore shekullore midis sllavëve dhe shqiptarëve. Nga ana tjetër sillen si evidencë disa ndodhi të rralla nga e kaluara për të treguar se shkrirja e Shqipërisë me Greqinë ka një traditë historike të respektueshme dhe do të ishte në përfitimin reciprok strategjik, ekonomik dhe politik. Qeveri lokale vendase dhe vetëvendosje për të dy popujt pjesëmarrës konsiderohen si kushte të domosdoshme, por do të ketë një administrim të përbashkët të çështjeve ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të dy vendeve. Theksohet se, forma ekzakte e kësaj shkrirje do të kërkojë studim të detajuar por mund të gjenden precedentë në perandorinë austro-hungareze, perandorinë britanike ose federatën zvicerane.Në përfundim theksohet se kjo zgjidhje e problemit shqiptar, do të zgjidhte automatikisht çështjen e Epirit të Veriut sepse qytetarët e Shqipërisë dhe Greqisë do të kenë mundësi të lëvizin lirisht brenda kufijve të komunitetit të tyre të përbashkët politik dhe mund të gjenden lehtësisht procedura të kënaqshme për qeveri lokale vendëse. Këto pikëpamje paraqesin një hap përpara në mendimin grek për çështjen shqiptare. Natyrisht që zgjidhja e propozuar do të ndeshet me vështirësi të mëdha, bile edhe në qoftë se një qeveri jo komuniste do të vendosej në Shqipëri. Duke ripërsëritur kërkesat e veta ndaj Epirit të Veriut, pa bërë dallim midis qeverisë aktuale shqiptare dhe popullit shqiptar dhe duke trajtuar refugjatët shqiptarë në Greqi, si armiq të huaj. Greqia ka ngjallur dyshimin dhe armiqësinë e të gjithë shqiptarëve të shquar jo komunistë. Nga ana tjetër, pa dyshim, ndihma e vazhdueshme dhe e hapur për guerilasit, që jep regjimi aktual shqiptar, si dhe përdorimi i territorit shqiptar si një bazë për sulmin italian kundër Greqisë më 1940 kanë krijuar një zemërim të thellë midis popullit grek, zemërim i cili mund të kundërbalancohet vetëm me ndihmën e akteve dhe veprimeve konstruktive nga ana e udhëheqësve politikë dhe intelektualë të Greqisë. Ka të ngjarë që shqiptarët jo komunistë të shohin në këtë propozim të shkrirjes së vendit të tyre me Greqinë vetëm një mjet për ta futur Shqipërinë nën kontrollin grek. Sidoqoftë besohet se disa propozime ndërmjetëse si vendosja e doganave të përbashkëta dhe rregullimi i çështjes së Epirit mbi bazën e qeverisë lokale vendëse, do të pranohen nga shqiptarët jo komunistë dhe mund të ndihmojnë në lehtësimin për përmbysjen e regjimit aktual të Hoxhës në atë vend. Prandaj është e këshillueshme që zoti Pipinelist të inkuadrohet në shqyrtimin e mundësive të mësipërme dhe bashkërisht të ndihmojmë në lehtësimin e armiqësisë midis Greqisë dhe Shqipërisë, duke ndryshuar propagandën lidhur me Shqipërinë dhe duke i ofruar një trajtim më të mirë refugjatëve shqiptarë në Greqi, disa nga të cilët mund të jenë udhëheqës të një qeverie të ardhshme jo komuniste.

I juaji me respekt
Harold B. Minor
I ngarkuar me punë a.i
Bashëlidhur:
Memorandumi për çështjen shqiptare
përgatitur nga ministria e Punëve të Jashtme Greke
Origjinali për Departamentin e Shtetit
Kopja për GTI

Konfidenciale

Lidhja Nr. 1 e dokumentit 344 datë 12 maj 1949 dërguar nga

Ambasada Amerikane në Athinë

Kopje
Zhvillimet e fundit lidhur me Shqipërinë do të nxjerrin në pah çështje më të mëdha për të ardhmen e këtij vendi. Kur tensioni aktual në Ballkan të bjerë dhe të pasohet nga një situatë normale, do të shtrohet çështja se çdo të bëhet me këtë vend dhe si mund t'i jepen sigurime një regjimi të brendshëm që përvoja e dhimbshme e së kaluarës të mos përsëritet. Nga ana politike dhe kombëtare Shqipëria aktualisht është një vakum. Që kurse Shqipëria u bë fillimisht një protektoriat italian më 1926-ën, ndoshta edhe para kësaj kohe, nuk ka pasur shprehje spontane të vullnetit të popullit. Neni 27 i Traktatit me Italinë njeh pavarësinë e Shqipërisë, por kjo njohje duhet të shikohet lidhur vetëm me rezervimet e formuluara, kur përmendet për herë të parë pavarësia e Shqipërisë (shiko letrën e zotit Eden të 30 dhjetorit dhe deklaratën e zotit Hall më 17 dhjetor 1942). Lidhur me statusin politik të këtij vendi nuk ka ndonjë angazhim detyrues të ndonjë karakteri ndërkombëtar. Nga pikëpamja strategjike dhe politike, Shqipëria nuk është gjë tjetër aktualisht veçse një post i avancuar për penetrimin rus në Mesdhe.Megjithatë, gjendja e tensionuar që zhvillohet sot në Shqipëri e bën të kohës shtruarjen e këtyre çështjeve. Ka të ngjarë që një shpërthim i papritur i çështjes shqiptare t'i vërë fuqitë kryesore botërore përpara një problemi imediat që kërkon zgjidhje të shpejtë.
Për zgjidhje të tilla, vetëm përvoja e së kaluarës mund të na shërbejë si një rrëfyes. Kjo përvojë tregon se qysh në fillim kur u themelua si një hegjemoni autonome në vitin 1913 dhe deri në nënshtrimin e saj të plotë ndaj sundimit italian më 1939, shteti shqiptar ka rënë nën tutela të njëpasnjëshme të huaja, të cilat e kanë kthyer pavarësinë shqiptare në një nocion vetëm teorik. Si rezultat i traktateve të 1926 dhe 1927, Italia gradualisht dhe pa vështirësi arriti të marrë kontrollin e të gjithë shërbimeve administrative shqiptare nëpërmjet këshilltarëve dhe misioneve teknike, si dhe të fitojë koncesione shumë të mëdha politike dhe ekonomike nga Shqipëria si kthim për huatë e vazhdueshme që ishin të nevojshme për shkak të deficiteve buxhetore, gjithnjë e në rritje, deri sa më në fund qeveria italiane, kishte në fakt, një zotërim të fortë në të gjithë organizimin politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Kështu, ishte relativisht e lehtë për Italinë që, në kohë të përshtatshme, ta pushtonte Shqipërinë me ushtrinë e saj dhe të përdorte territorin e saj si trampolinë për invadimin e Greqisë dhe të Ballkanit.
Pas luftës së Dytë Botërore pavarësia shqiptare ra nën kontrollin e Jugosllavisë së Titos. Lidhjet e përbashkëta ideologjike, solidariteti i hekurt ekzistues midis partive komuniste të Ballkanit dhe një sërë marrëveshjesh ekonomike dhe politike e bënë Titon, bile përpara rivendosjes zyrtare të pavarësisë shqiptare dhe jugosllave, dhe sigurisht shumë më tepër që nga ajo kohë, të ushtrojë deri në mesin e vitit 1948 një mbikëqyrje absolute dhe shtypëse mbi Shqipërinë.Pas përleshjes Tito-Informbyro, Shqipëria duke se iu nënshtrua plotësisht Moskës dhe është e qartë se çdo lehtësim në ushtrimin e kësaj tutele do të bënte të nevojshme që Shqipëria nën udhëheqës të rinj dhe nën një regjim politik tjetër të kërkonte një mbikëqyrës të ri tek fqinjët. Sëmundja nga e cila vuan pavarësia shqiptare nuk ka të bëjë vetëm me etjen e vendeve të përmendura më sipër ose me mungesën e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Ajo ka të bëjë me shkaqe më të thella që lidhen me statusin ekonomik të këtij vendi, me ndryshimet racore të popullit të tij dhe sidomos me mungesën në mënyrë të mjaftueshme të një klase sunduese të kulturuar të aftë për të frymëzuar popullin shqiptar për të ndjekur politikën e vështirë të ruajtjes së pavarësisë së tij kombëtare. Me mungesa në komunikacion, e varfër në lëndët e para, pa metoda për shfrytëzimin e ekonomisë dhe pa personel teknik, Shqipëria ka nevojë të domosdoshme për ndihmën të madhe ekonomike, e cila sidoqoftë në rast se i jepet nga një fuqi fqinjë, do të përmbante dispozita dhe kondita që do ta çonin në vartësi politike dhe ekonomike. Në Shqipëri investimi në shkallë të gjerë i kapitalit, në formën e tij klasike, nuk është i mundur për shkak të rezultateve të pakta që do të jepte sepse e ka të kufizuar sferën e prodhimit e të konsumit, sepse ka pasiguri politike dhe mungon puna e përshtatshme dhe biznesi i kualifikuar. Ndihma falas e pa interes është e mundur vetëm në formën e ndihmës së përkohshme. Natyrisht një ndihmë e tillë nuk duhet të konsiderohet si një marrje përsipër e detyrimeve financiare të përhershme për administrimin ekonomik të vendit. Prandaj ishte e natyrshme që rindërtimi ekonomik i Shqipërisë duhej të ndërmerrej ekskluzivisht nga vende fqinje të tillë që kërkonin të siguronin avantazhe politike dhe strategjike atje dhe, që nga ana e tyre, do të ishin të gatshëm të merrnin përsipër barrën e një ekonomie të dobët, që do të thoshte mbulimin e deficiteve të përhershme të buxhetit shqiptar. Por nënshtrimi i Shqipërisë ndaj influencës së huaj prek jo vetëm popullin shqiptar, por edhe fqinjët e saj dhe në mënyrë të veçantë Greqinë. Nënshtrimi i Shqipërisë nga Italia do ta ekspozonte Greqinë ndaj rrezikut imediat të një pushtimi ushtarak, nga një distancë prej pak duzina kilometrash larg Metsovës dhe Thesalisë, në një mënyrë të tillë, që të ndante territorin e Greqisë në dysh dhe të vendoste fushën e Thesalisë, një qendër jetike prodhimi, nën kontrollin e pushtuesit. Për Jugosllavinë, gjithashtu, ura që ofron territori i Shqipërisë, përbën një kërcënim vdekje prurës kundër Maqedonisë dhe, në përgjithësi, kundër Jugosllavisë së Jugut ku vetëm një korridor rreth 150 km i gjatë ndan inkursionet politike dhe ndoshta ushtarake nga Sofia dhe Tirana. Për Jugosllavinë ky kërcënim është akoma më i madh për faktin se një minoritet, me madhësi të madhe e me prejardhje shqiptare, jeton në territorin jugosllav në rrethe e Kosovës, Gjakovës dhe Tetovës që janë ngjitur me Shqipërinë, ndërsa masa të mëdha popullate sllave, shumica e të cilëve me prejardhje bullgare, kanë penetruar thellë në jug të Maqedonisë së Vardarit. Në mënyrë të veçantë zvogëlimi nga shteti shqiptar i tutelës ruse, në formën që paraqitet sot, përveç rreziqeve që përmban kundër fqinjëve imediatë të Shqipërisë, përmban gjithashtu rrezikun e një ure detare ruse që t çon në Adriatik dhe Mesdhe. Nuk ka nevojë për parashikime të guximshme në eventualitet e një lufte të ardhshme për të pasur të qartë rëndësinë që ka kjo urë. Ajo përbën një kërcënim kundër Italisë dhe për pasojë, kundër Francës e Evropës Perëndimore, ajo rrezikon linjat detare në Adriatik drejt Jugosllavisë dhe Evropës Qendrore si dhe kërcënon Greqinë dhe linjat detare në Mesdheun Lindor.

***

Karakteri i paqëndrueshëm i marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe Greqinë komplikon akoma më shumë pozitën e shtetit shqiptar në Ballkan. Për sa i përket Jugosllavisë, shqiptarët nxisin kërkesat nacionale në rrethin e Kosovës ku banojnë mbi 600.000 shqiptarë nën sundimit jugosllav. Për më tepër, duke pas pësuar inkursione politike të përsëritura nga Jugosllavia si në vitet 1921-1924 dhe, me vonë, në regjimin e Titos, shqiptarët kanë, natyrisht, shumë dyshime ndaj Jugosllavisë. Po kështu, jugosllavët, duke menduar se Shqipëria do të nënshtrohet, herët ose vonë, nga një fuqi e huaj, më e mundshme nga Italia, natyrisht janë të preokupuar për neutralizimin e rreziqeve që sjell një situatë e tillë dhe për të parandaluar ngjarjet nëpërmjet vendosjes së influencës së tyre të plotë në Shqipëri. Për sa i përket Greqisë, çështja e Epirit të Veriut ka formuar një hendek të pakapërcyeshëm midis dy popujve. Për grekët Epiri i Veriut është një rajon i vjetër grek që, për gjenerata të tëra, ka lulëzuar nën drejtimin dhe kulturën greke, por i cili qysh nga koha e Ali Pashës po ç'helenizohet gradualisht nëpërmjet persekutimit, shpërnguljes dhe shtypjes të çdo lloji. Si të gjitha çështjet e mëdha politike në Ballkan, çështja e Epirit të Veriut në themel ka ndjenja me rrënjë të thella gjë që e bën zgjidhjen e saj për popullin grek më të vështirë se sa ndonjë çështje tjetër. Nga ana tjetër për shqiptarët, Epiri i Veriut përbën pjesën jugore të vendit të tyre dhe bashkimi i tij me Greqinë do të shikohej prej tyre si një pushtim.

***
Duke pasur parasysh këto konsiderata të përgjithshme, është në përgjithësi e lehtë të parashikohet çdo të ndodhë kur tensioni diplomatik aktual do të bjerë dhe Shqipëria të kthehet në formën e saj të vjetër politike dhe nacionale. Në mënyrë të ngadaltë ose shpejt, marrëdhëniet e saj me Greqinë dhe Jugosllavinë do të mbesin armiqësore. Duke mos pasur bazat e domosdoshme ekonomike dhe politike për stabilizimin e një jete politike të pavarur, Shqipëria është e detyruar të kthehet përsëri nga një fuqi e huaj e gatshme të paguajë për pavarësinë shqiptare, në këmbim të fitimeve që do të nxjerrë. Tensioni aktual në Ballkan nuk do të ulej dhe do të vazhdonte të ekzistonte një burim grindje dhe rreziku.Atëherë çfarë mbetet të bëhet në mënyrë që problemi shqiptar mund të zgjidhej në rrugë të tillë që t'i shërbente paqes ndërkombëtare dhe qetësisë në Ballkan? Zgjidhja e parë, e cila është diskutuar shpesh në të kaluarën dhe që ka përbërë subjektin e akteve ndërkombëtare midis Greqisë dhe Serbisë në vitin 1913 dhe midis Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë më 1919, konsistonte në copëtimin e këtij vendi dhe ndarjen e tij midis Greqisë dhe Serbisë, ose midis Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë. Në atë kohë kjo zgjidhje dukej të ishte më e natyrshmja dhe mënyra radikale për likuidimin e një burimi turbullire. Në atë kohë shteti shqiptar nuk ishte njohur akoma nga opinioni publik si një entitet i aftë për ekzistencë dhe çdo njeri e quante normale që ai vend të shkatërrohej për shkak të konflikteve të brendshme dhe të mungesës ekonomike. Sot, pas një gjenerate jetë politike të pavarur (ndonëse vetëm nga pikëpamja nominale e tillë) një zgjidhje e tillë e çështjes shqiptare do të binte padyshim ndesh me ndjenjat e publikut ndërkombëtar dhe do të konsiderohej si një akt agresioni nga ana e Greqisë dhe Jugosllavisë. Në mënyrë të veçantë për sa i takon Greqisë aneksimi i të gjithë territorit në jug të lumit Shkumbin, i banuar nga një popullsi e madhe heterogjene që njihet mirë për shpirtin e saj të mosnënshtrimit, do të komplikonte akoma më tepër problemet e saj dhe sigurisht nuk do të çonte në stabilizimin e situatës. Zgjidhja e dytë që të vjen në mend është administrimi i vendit nën një tutelë të një organizate ndërkombëtare ose nga një fuqi e pa interesuar. Kjo zgjidhje, ndonëse teorikisht e mundur, me kusht që një numër prej këtyre fuqive të mëdha të ishin të gatshme që, për një periudhë të gjatë vitesh, të furnizonin për mbulimin e deficiteve të një ekonomie tipike të falimentuar dhe të merrnin përsipër përgjegjësitë politike për drejtimin e pavarësisë së Shqipërisë, do të ndeshej me vështirësi për ndjekjen e një politike të përbashkët nga një organizëm kolektiv. Kjo zgjidhje nuk do të përbënte gjithashtu një përgjigje për çështjen bazë të marrëdhënieve midis Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Greqisë e Jugosllavisë nga ana tjetër, një problem ky që në analizë të fundit është jetik sa për vetë këto vende aq edhe për Shqipërinë. Së fundi, kjo zgjidhje do të sanksiononte definitivisht pak a shumë një shtet tjetër të vogël në organizmin ekonomik dhe politik të ngatërruar të Evropës dhe duke vendosur kufij të tjerë ekonomikë, administrativë dhe kulturorë në një zonë evropiane ku "ballkanizimi" ka shkuar tashmë shumë larg.




Tirana Observer
 
Titulli: Zbardhet nga Arkivi letra konfidenciale që Greqia i dërgon SHBA-së për të ma

“Greqia të mos sulmojë Shqipërinë pa konsultimin tonë dhe të Britanisë së Madhe”

Memorandum sekret i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cilësonte Shqipërinë subjekt i shkëmbimeve diplomatike midis SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Në një memorandum në fillim të viteve ’50 vendi ynë ishte ende një plaçkë ndarje mes fqinjëve tanë. Zyrat e ministrisë së Jashtme në Athinë, kishin filluar nga puna në mbledhjen e fakteve dhe argumenteve kundra ekzistencës së një shteti shqiptar. Raportet e Memorandumet e kësaj ministrie, arritën Departamentin e Shtetit Amerikan me qëllim sigurimin e mbështetjes Amerikane kundër Shqipërisë. Diplomatëve grekë do t’u jepej një rëndësi e veçantë dhe do të konsideroheshin si të vetmit ekspertë në “çështjet e Ballkanit”. Në thelbin e sugjerimeve tyre tyre, qëndronte zhdukja e pavarësisë shqiptare. Shqipëria duhej të bashkohej në një shtet me Greqinë në formën e një federate, por që rolin kryesor do ta mbante Greqia. Kjo e fundit i dinte vështirësitë e këtij plani dhe prandaj kërkonte ndihmën e Shtetit Amerikan. Dokumentet e mëposhtme janë të pabotuara më parë dhe cilësohen si tepër sekrete për periudhën që janë dërguar.

Tepër sekret

Shtabi i Përgjithshëm
Uashington 25, D. C
7 gusht 1952

Memorandum për Sekretarin e Mbrojtjes

Lënda: Shqipëria
1. Ky memorandum bëhet në përgjigje të memorandumit tuaj të 19 qershorit 1952, në të cilin Shtabit të Përgjithshëm i kërkohej të jepte të dhëna në të cilat ju mund të mbështetni përgjigjen ndaj një letre sekretarit të shtetit të datës 12 qershor 1952 me anë të së cilës kërkohej që Departamenti i Mbrojtjes të bënte të njohura pikëpamjet e tij për një shkëmbim të dhënash midis Departamentit të Shtetit dhe Forin Ofisit Britanik për çështjen e Shqipërisë.
2. Memorandumi i Departamentit të Shtetit i datës 10 qershor 1952, është dokumenti i fundit në serinë aktuale të shkëmbimeve midis Departamentit të Shtetit dhe Forin Ofisit për çështjen e Shqipërisë. Në këtë dokument, Departamenti i Shtetit përmbledh fushat e marrëveshjes dhe të mosmarrëveshjes midis SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për pikëpamjet e tyre respektive lidhur me Shqipërinë dhe parashtron procedura të sugjeruara që pozitat e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe të përputhen lidhur me secilën pikë të mbetur të mosmarrëveshjes.
3. Me një përjashtim të vetëm, që shënohet më poshtë, Shtabi i Përgjithshëm është dakord me këto pikëpamje të Departamentit të Shtetit që përmbajnë implikime ushtarake si në fushat në të cilat është rënë dakord, duke shënuar se pikëpamjet e Departamentit të Shtetit u formuluan duke marrë në konsideratë të plotë pikëpamjet jozyrtare të një agjencie të Shtabit të Përgjithshëm dhe pikërisht të Komitetit të Përbashkët Strategjik të Survejimit. Lidhur me paragrafin e katërt, pjesa e dytë e memorandumit të Departamentit të Shtetit të 10 qershorit 1952, Shtabi i Përgjithshëm është i mendimit se në qëndrimin ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë, SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet t'u kërkojnë këtyre dy qeverive të mos ndërhyjnë në Shqipëri pa konsultim paraprak me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, lidhur me leverdinë e një ndërhyrje të tillë, në rast ose përballë një sulmi të shpejtë të Informbyrosë kundër Jugosllavisë, ose me rënien e qeverisë aktuale shqiptare. Duke u bërë paraqitje të tilla qeverive të Greqisë dhe Jugosllavisë, e drejta e qenësishme e një kombi për të mbrojtur vendin e tij kundër një sulmi aktual, përfshirë dhe përdorimin e kundërsulmit si një masë mbrojtëse, duhet të njihet. Për të arritur në këtë mendim Shtabi i Përgjithshëm u influencua nga besimi se, nga pikëpamja ushtarake, nuk ka të ngjarë që Jugosllavia të ishte e gatshme të lejojë Shqipërinë një komb armik me orientim nga Kremlini, të mbesë e paprekur në kufijtë e sa në rastin ose rrezikun e një sulmi të Informbyrosë kundër Jugosllavisë. Pushtimi ushtarak i Shqipërisë, si një çështje praktike, ndoshta nga Jugosllavia, do të pasohej në këtë rast në se Jugosllavia do të hiqte dorë nga sugjerimet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe. Për arsye të ngjashme, si dhe për disa konsiderata politike, ka shumë mundësi që edhe Greqia të dëshirojë të marrë pjesë në këtë pushtim. Për më tepër, për shkak të dobësisë së regjimit komunist shqiptar dhe të mundësisë së rënies së tij duket gjithashtu e mundur, që si qeveria jugosllave ashtu dhe ajo greke, të ndodhen nën një tundim të fortë për të kryer pushtimin ushtarak të Shqipërisë në qoftë se kjo qeveri do të bjerë, bile edhe në qoftë se ndonjë sulm i Kominternit kundër Jugosllavisë nuk është i afërt. Një ndërhyrje e tillë nuk do të ishte e dëshirueshme përderisa do t'i mohonte regjimit të ri mundësinë për ta provuar veten miqësor ndaj Perëndimit.
4. Përsëri, lidhur me paragrafin e katërt, pjesa e dytë e memorandumit të Departamentit të Shtetit të 10 qershorit 1952, konsiderohet e mundshme që gjatë përparimit të bisedimeve ushtarake të propozuara me Jugosllavinë, përfaqësuesit e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe do të jenë në gjendje të nuhasin kohën e përshtatshme për një afrim qeveritar ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë lidhur me çështjet e diskutuara në paragrafin e tretë të mësipërm.
5. Shtabi i Përgjithshëm është plotësisht dakord me pikëpamjet dhe sugjerimet e Departamentit të Shtetit lidhur me pjesën e parë të pikave të pazgjidhura. Qëndrimi i Jugosllavisë dhe i Greqisë lidhur me pushtimin e territorit shqiptar, në raste armiqësish kundër Jugosllavisë, dihet. Prandaj çdo sugjerim, paraqitur bashkërisht nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, si një vijë ndarjeje për të parandaluar çdo ndërhyrje të tillë në Shqipëri, do të shërbente vetëm për të pakësuar, Shtabi i Përgjithshëm është dakord që SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të bashkëpunojnë tani për zgjedhjen e një vije të përshtatshme ndarjeje në Shqipëri, në një pushtim të mundshëm të saj nga Jugosllavia e Greqia. Shtabi i Përgjithshëm mendon se çdo e dhënë për këtë veprim, ose çdo propozim për pranimin e një vije të tillë nuk duhet t'i bëhet e njohur Greqisë dhe Jugosllavisë, derisa pushtimi i përbashkët nga ana e këtyre dy vendeve, të bëhet imanent, me gjithë sugjerimet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe për të kundërtën.
6. Shtabi i Përgjithshëm ka marrë shënim për studimin e Departamentit të Shtetit, lidhur me një vijë gjeografike demarkacioni të propozuar, midis zonave të mundshme greke dhe jugosllave në një pushtim të përbashkët të Shqipërisë nga ana e këtyre dy vendeve. Kriteret e sugjeruara, për zgjedhjen e kësaj vije, që duhet t'i përshtatet sa më mirë interesave të SHBA-së, janë edhe politike edhe ushtarake. اështja e zgjedhjes së vijës më optimale ka të bëjë kryesisht me peshën e konsideratave politike në krahasim me ato ushtarake.
7. Pasi konsideroi një vijë që kalon në bregun jugor të lumit Shkumbin, që përfaqëson kërkesën maksimale greke ndaj territorit shqiptar në të kaluarën, si dhe vijat e tjera më thellë në jug, si vija që përfaqëson kërkesën kombëtare greke për Epirin e Veriut, studimi i Departamentit të Shtetit rekomandon që një vijë që kalon përafërsisht në Lindje dhe në Perëndim dhe rreth 10 milje në Veri të lumit Shkumbin, duhet të përfaqësojë vijën e kompromisit më të mirë të demarkacionit midis forcave pushtuese greke dhe jugosllave mbështetur në paraqitjen e një numri kriteresh politike dhe ushtarake. Ambasada e SHBA-së në Athinë e kishte këshilluar më përpara Departamentin e Shtetit se kjo vijë përfaqëson një kufi natyror midis Shqipërisë së Veriut dhe të Jugut, me sa duket, bazohet në atë që kjo vijë përgjithësisht përputhet me ekstremin verior të derdhjes së ujit të lumit Shkumbin.
8. Nga pikëpamja ushtarake, si me afat të shkurtër ashtu dhe me afat të gjatë, një vijë demarkacioni midis forcave ushtarake, midis të tjerave duhet të jetë:
a) E identifikuar lehtësisht nga karakteristikat gjeografike natyrore dhe...
b) E tillë që të pakësojë në minimum mundësinë e incidenteve pa dashje midis trupave të qeverive pushtuese që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës. Në bazë të këtyre kritereve Shtabi i Përgjithshëm është i mendimit se vija qendrore e lumit Shkumbin, e shtrirë në mënyrë të përshtatshme drejt Lindjes deri në kufirin aktual shqiptaro-jugosllav do të ofronte avantazhe të qarta po të krahasohet me vijën arbitrare në favor të cilit është studimi i Departamentit të Shtetit. Historikisht lumenjtë janë provuar se janë kufij ndërkombëtarë të mirë dhe në shumë raste janë vendosur fillimisht nga kufizimet që ka sjellë pushtimi ushtarak. Vija, për të cilin është në favor studimi i Departamentit të Shtetit nuk ofron karakteristika gjeografike të identifikuara me lehtësi, bile do të duhet që ajo të shënohet gjatë majës së një kodre që vjen duke u ngritur. Secila vijë do të përfaqësonte një shtrirje të përafërt drejt Perëndimit të kufirit aktual midis Greqisë dhe Jugosllavisë dhe, për këtë arsye, do të ishte një kompromis që do të pranohej më me lehtësi nga qeveritë jugosllave dhe greke, se sa një vijë shumë nga veriu ose shumë nga jugu.
9. Duke marrë parasysh të gjitha këto konsiderata, përfshirë edhe mundësinë se një pushtim ushtarak i Shqipërisë nga Greqia dhe Jugosllavia që mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë dhe bile mund të çojë në një ndarje të përhershme të Shqipërisë, Shtabi i Përgjithshëm do të ishte në favor të vijës së demarkacionit të përfaqësuar nga vija qendrore e lumit Shkumbin, nga burimi i tij deri në bashkimin me lumin Bushtricë dhe që nga vija qendrore e lumit Bushtricë deri në pikën ku ai kthehet menjëherë për në veri, pra një vijë Lindje-Perëndim deri në kufirin aktual shqiptaro-jugosllav.

Për Shtabin e Përgjithshëm Omar N. Bradley
Kryetar i Shtabit të Përgjithshëm

Tepër Sekret

Zyra e Sekretarit të Mbrojtjes

T.O
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top