Z. Berisha, hidhini një sy FB të Gianni Morandit

Monique

With or Without u
Ndjek për kënaqësi këngëtarin italian në Facebook, Gianni Morandi, ndjek gjithashtu, për punë, edhe politikanin z.Sali Berisha. Nuk e kisha vënë re se kanë disa të përbashkëta: Kanë të njëjtën moshë, të dy të lindur në vitin 1944, Berisha në tetor, Morandi në dhjetor. Kanë të dy një numër të lartë ndjekësish: Mbi 1 milion qytetarë. Por ndryshojnë shumë në përmbajtjen e vlerave që promovojnë.

Janë kryer studime rreth impaktit dhe ndikimit që kanë postimet në FB në rrethin e miqve që i lexojnë, dhe postimet pozitive, optimiste, të thjeshta, njerëzore të Gianni Morandit e rendisin atë mes personazheve më me influencë në vendin fqinj.

Nga më të mëdhenjtë, nga ata që janë në majën e 71 viteve dhe të një karriere të gjatë artistike, politike, më të rinjtë duan të dinë koncepte dhe të vërteta për jetën, për ekzistencën për të marrë më të mirën e për të kaluar një bujtje në këtë rruzullin tonë të mrekullueshëm tokësor, sa më të ëmbël e pa dhimbje. Në postimet e të madhit Gianni Morandi këtë e gjen: që nga detaje të vogla nga jeta e përditshme në punë dhe në familje, vëmendje për natyrën, për më të brishtët e deri tek tema të rëndësishme si Presidenti apo politika e vendit. Pa ofenduar askënd dhe sidomos, pa thënë të pavërteta të qëllimshme.

Ndërsa lexoj postimet e ish-kryeministrit, janë njësoj, pa asnjë ndryshim, me disa shkrime të gazetave të pas viteve 1994 fare pranë PD-së. Vetëm se atëherë, ato shkrime te RD, 55, ishin anonime. Sot ngjajnë, janë gati njësoj me stilin, fjalitë, idetë e z. Berisha në Facebook.

Kryesisht sulme frontale mbi këdo dhe gjithçka, pa pushim. Asnjë pauzë për bukuritë e natyrës, për ndërrimin e stinëve, për retë, zogjtë. Ish-kryeministri kalon ditën në një nga zyrat në një nga pallatet më të bukura e të larta të kryeqytetit, ku besoj, në ditë të veçanta mund të shohë sy më sy retë, dhe Tirana që atje lart, duhet të duket një mrekulli. Por jo, të gjitha postimet janë vetëm me pamje brenda 4 mureve të mobiluara rëndë.

Thonë se një nga sekretet e të jetuarit mirë është rritja e ndjeshmërisë së njerëzve përmes bukurive të Universit. Një njeri që pëlqen natyrën, yjet, hënën, qiellin, lulet, që hyn në kontakt me to, është më i mirë, më i butë se dikush tjetër. Duke parë në sy të vërtetat e ekzistencës, duke u shkrirë me to e ka të vështirë, të pamundur të thotë të pavërteta të tjera ose mbi të tjerët.

Zoti Berisha, për fat të keq vazhdon. Me të njëjtin stil, si ai i pas humbjes se Referendumit në 1994, ku në mediat e tij shkruante për shembull që Karlo Bolino ishte "kapo" i Sacra Corona Unites dhe po ashtu, babai i Carlos, një mjek i njohur në qytetin e Lecces, që jetën e tij e kaloi mes mureve të studios dentare në Via Oberdan, ishte "mafioz".

Të njëjtat shkrime, i njëjti stil, kaq i njohur tashmë, kaq unikal në vetvete, ka rinisur të shfaqet në gazetën 55 dhe frymëzuesi, sepse shkruesi është anonim, është fare i qartë dhe identik me stilin në FB të ish-kryeministrit Berisha. Eshtë fare i dallueshëm.

Të pavërtetat janë punët më të shëmtuara që një njeri mund të bëjë në jetën e tij, por të pavërtetat e qëllimshme, që i serviren mbi 1 milion ndjekësve nga një 71 vjeçar, më falni, por i konsideroj si një produkt i një jete shpirtërore të varfër, të vogël e të dështuar.

Ndaj, nga rubrika ime modeste, me dëshirën që edhe në moshën 71 vjeçare, një mëndje e mençur e ka mundësinë për të ndryshuar dhe për t’u përmirësuar, sygjeroj: Z. Berisha, hidhini ndonjëherë një sy FB të Ganni Morandit. Mund t’ju ndihmojë.
Shqipetarja.com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 50.0%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 3 21.4%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 28.6%
Back
Top