Titulli: Thenje mbi shqiptaret
NGA PUBLICISTIKA E FISHTثS:
"Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizim të një shteti civil një njeri malok, matrahul, që mezi, ndoshta, ka krye dy a tri klasë fillore dhe që djersitet kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradita shpijake dhe edukata familjare, që shumë kend ndër ta, e ban krejt të neveritshëm dhe ekscentrik. Ky, babën gjaksë, gjyshin katil, stërgjyshin mizuer; rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intrigantë batakçi, me vagabondë, rrugaçë, me njerëz hasëm të kulturës e të qytetnimit, si mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e një kombi ende primitiv ? Për me sundue një shtet nuk asht mjaft dhelpnia, dredhia, intriga, batakçilleku, rrena, tradhtia. Duhet nderë, dije, urti, burrni, qé se çka duhet. Po, por dija, urtia, ndera, burrnia mësoheshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë e jo ndër kafeshantana të Evropës e në mejhanë e paçaxhihane të Tiranës, tue luejtë tavëll e bixhoz e tue pi mastikë. Po qe e vërtetë që një grup njerëzish këso dore mund të mëkambin shtete konstitucionale e mund të bajnë të lumtun popuj e fise, atëherë kisha me dashtë me thanë se historia nuk asht mâ "magistra vitae" e se virtyti, dija, burrnia, urtia nuk janë themelet mbi të cilat mbahen shtetet e qytetnueme".
Portreti i nëpunësit të shtetit, që synon vetëm të zhvatë sa ma shumë prej tij, për me sigurue për vete një jetë të qetë e të rahatshme: "....Ju kryetar këtu, drejtor atje, mbasandej, kur të huejtë na u hoqën deret, Ju sot senator, nesër deputet, mbasnesër ministër, tjetërmbasnesër prefekt, prap ministër, prap deputet: me kësulë në njanin sy, endu-çendu në shpinë të automobilit: tungatjeta! Në të djathtën, selamalekum! Në të majtën; ky hiq kësulën, ai hiq kapelen: zgërdhiju njanit; gërmushju tjetrit - Ministër, madje!..."
Ja si i përshkruan meskinitetet e klikave të atëhershme: "U shpërnda, pra, parlamenti dhe ish-parlamentarët e Shqipnisë kthyen ndër kafe e mejhane të qyteteve e të fshatrave të veta, ku menjëherë filluen veprimin e vet: kafe,llafe, mastikë, tavëll, bixhoz. -"Jo, unë jam nacionalist. Ata janë "tradhëtorë", të poshtër, të shitur, maskarenj. Une kam shpëtue Shqipninë në ditën ma të ligë. Unë e mbys opozitën. Ahmet Zog e s‚ka! Kam bërë Hukukun në Stamboll; kam Malsinë në dorë; kam Zadrimën me vete; ia kam bâ e kthye opozitës...".
Kështu u heq maskën prapaskenave parazgjedhore: "Ahmet Zogu lëshoi zagarët e vet elektorale në të katër qoshet e Shqipnisë. T’u lëshuen, bre bir sâme, prefekt e nënprefekt, t’u shpërvolën kryetarë bashkishë, krahinorë, se-kretarë e t’u zgaqën kopista e arkivista...."
Ja si i stigmatizon feudalët e mbrapambetun, që damtonin çështjen kombëtare: "...Ky asht një analfabet, gjysë idiot, dembel, shumë herë sarahosh, gati gjithmonë kumarxhi, njeri pa fytyrë; pse, sadoqë poligam, prej tij s‚ka guxue vajzë me dalë te dera, djalë me u endë sokakut, nuse me shkue te burri. Mendjemadh, dorështrejtë, qelepirxhi, ky, për një çiflik, për një rybe, ka pështy në Fé e në Atdhe, i ka ra mohit kombësisë së vet, kè, shqiptar tue kenë, e quejti veten "turk"... Ma tepër ka vra njerëz me u pushtue tokën; ka vra bujqit e vet për me u grabitë gjinden e shpisë, për me u marrë bagëtinë, për shêj pushke. Myzeqari prej tij s‚ka guxue me mbajtë armë, me shkue në kal të shalës, me ngreh oxhak mbi pullaz të shpisë...".