Sikur janë dy Shqipëri!

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Sikur janë dy Shqipëri!


Shiko fotografinë 31042



“Ideja që mund të ketë përgjithmonë dy Evropa, njëra syresh demokratike, e qëndrueshme dhe e begatë, e angazhuar në integrimin dhe tjetra më pak demokratike, më pak e qëndrueshme dhe më pak e begatë është plotësisht e gabuar. Ajo i ngjan një lloj besimi sikur të thuash se gjysma e një dhome mund të nxehet, kurse tjetra të mbetet e pangrohur. Ekziston vetëm një Evropë, pavarësisht nga diversiteti i saj, kurse çdo gjë që do të ngjajë në një nga gjysmat do të ketë pasoja të natyrshme në të gjithë pjesën tjetër të kontinentit”. Pak a shumë ky ishte thelbi i një fjalimi honorifik, mbajtur pak vite më parë nga Vaclav Havel në Parlamentin Evropian. Apeli ishte i hapur për zyrtarët që i referoheshin por edhe që i referohen gjithmonë njësisë tonë evropiane, me një konceptim si dy pjesë të kundërta.

I thjeshtë, por edhe i drejtpërdrejtë, gjatë të gjithë jetës post-liri disidenti i njohur dha pika ku duhej të reflektonin strukturat e mëdha të Bashkimit Evropian, por më shumë nga të gjitha vetë shoqëritë ish-komuniste dhe liderët e tyre të tranzicionit.

Një e tillë si Shqipëria jo thjesht lë shumë për të dëshiruar sa i përket qasjes demokratike, por të habit me kthesat e jashtëzakonshme dhe paradokset. Publiku do habitej realisht kur një raport i nxjerrë prej BERZH-it, vlerësonte se 31 për qind e shqiptarëve e duan sistemin autoritar. Në raportin “Jeta në Tranzicion”, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka nxjerrë se pjesa e shqiptarëve që duan qeverisje autoritare është tre herë më e lartë sesa ajo e qytetarëve të Evropës Perëndimore.

Ajo e tejkalonte madje edhe vetë mesataren e ish-vendeve komuniste simotra me Shqipërinë, ku i njëjtë tregues raportohej në deri 28%! E nuk mbaronte këtu sepse nëse pjesa më e madhe kuptohet se është për demokraci, edhe kjo masë është bjerrë sepse nga 57% që e votonin këtë zë në vitin 2010, ajo ka përfunduar në 50% aktualisht!

Jashtë këtyre, ajo që të dhemb është se Shqipëria duket e ndarë në dyfish, jo vetëm në statistika, por deri në qëndrimet e partive politike; në idetë e kryeministrit; të liderit të opozitës; në platformat pafund kundërshtuese, që hedhin aktorë të ndryshëm por që asnjëherë nuk konvertojnë, sa i përket vendit. Duket se një pjesë e do Shqipërinë të nxehtë, si do të thoshte Haveli, kurse pjesa tjetër të ftohtë. A mund të ndodhë kjo vallë, në një areal kaq të vogël dhe me shumë probleme ekonomiko-politiko-sociale? Asesi jo. Opozita tashmë lufton përveç se me pozitën, dhe me vetveten. Pozita e deritanishme nuk e kursen anatemën, porse njësoj qeverisin me ish-aleatët e tyre, që nga ana e tyre i stigmatizojnë, por vazhdojnë e qëndrojnë në qeveri.

Dhe Shqipëria si pasojë po dhuron gjithnjë e më shumë parametra të frikshëm. Kjo nuk lidhet vetëm me ikjet masive nga vendi, por me azilkërkuesit dhe mbi të gjitha humbjen e shpresës. Kuptohet këto zenë pak vend në media, përpos propagandës të aseteve turistike (që gjithsesi duhet vlerësuar për vendin). Shqipëria e këtij imazhi mbytet sakaq nga ajo tjetra e piromanëve të pashpirt, që nuk duan të rreshtin së kalluri në zjarr vendin, ashtu si masa e madhe e nihilistëve, që hedhin poshtë gjithçka.

Kurse në rrjetet sociale, shqiptari i thjeshtë përball politikanët e dy Shqipërive, që flasin vetëm kundër; apo atë atdhe që të fton ta ndërtosh, shijosh dhe zbukurosh dhe tjetri pashpresë, që kërkon autoritarizmin dhe ekonominë totalisht të centralizuar. ا’po ndodh vallë? A po jetojmë në dy Shqipëri krejt të ndara? (JavaNews)

Ben Andoni
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top