Shqipëria me zyrën parë të promovimit turistik

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Shqipëria do të ketë këtë vit zyrën e saj të parë të promovimit turistik jashtë kufijve të vendit. Kjo do të bëhet e mundur falë një nisme të shoqatës kulturore italo-shqiptare "Vatra", përfaqësuese e bashkësisë shqiptare të Torinos. Zyra do të çelet në kuadër të projektit "Të rinjtë e Rrugës Egnatia", i cili parashikon gjithashtu edhe realizimin e një dokumentari mbi turizmin shqiptar, një guidë turistike në italisht dhe në anglisht, si edhe të një siti ueb shumëgjuhësh. Në prezantimin publik të këtij projekti në Torino mori pjesë edhe zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku. Ajo tha se "ky është një projekt, i cili dëshmon për rëndësinë e rolit të luajtur nga diaspora shqiptare në zhvillimin e vendit. Rritja e aftësisë projektuese dhe e peshës së investimeve nga ana e bashkësisë shqiptare në diasporë do të gjejë të njëjtën përgjigje nga ana e qeverisë shqiptare. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në partneritet me këto nisma, për t‘ju garantuar atyre një realizim të plotë dhe të suksesshëm, si edhe ecurinë e tyre në kohë. Bashkëpunimi me qeverinë shqiptare do t‘i garantojë projektit bashkërendimin me nismat e tjera të rëndësishme në fushën e turizmit në Shqipëri". Sipas zv/presidentit të Konfederatës së Shqiptarëve të Torinos, Benko Gjata, "zyra e Torinos do të mbahet e hapur nga të rinj shqiptarë, të cilët i përkasin brezit të dytë të emigrantëve që tashmë jetojnë, studiojnë e punojnë në Itali. Të rinjtë shqiptarë, të arsimuar në Itali, do të kalojnë përmes një procesi trajnimi, pjesë e të cilit është edhe një udhëtim njohës në Shqipëri, gjatë ditëve të fundit të muajit gusht të këtij viti. Itinerari i vizitës së tyre do të përfshijë sitet më të njohura turistike të vendit, si edhe ato ku potenciali i të cilave nuk është shfrytëzuar ende. Qëllimi i vizitës në Shqipëri është grumbullimi i materialit për realizimin e dokumentarit, guidës dhe sitit ueb, si edhe vendosja e kontakteve me operatorët e sektorit të turizmit dhe me institucionet vendore e qendrore shqiptare". Dokumentari, guida dhe siti i internetit do të realizohen nga gazetarë dhe artistë profesionistë italianë dhe shqiptarë, me kontributin financiar të bashkësisë shqiptare në Torino, të përfaqësuar në këtë projekt nga shoqata "Vatra". Projekti realizohet në partneritet me Bashkinë e Torinos dhe me mbështetjen e fondacionit bankar "Compagnia di San Paolo". Me mbi 40 mijë rezidentë të rregullt, Piemonte është një nga rajonet evropiane me prani më të madhe të qytetarëve shqiptarë. Në shumë provinca të këtij rajoni, si në Cuneo, Alessandria, Asti etj., shqiptarët përbëjnë bashkësinë e parë ndër të huajt. Në këtë rajon regjistrohet edhe një prani e lartë e studentëve shqiptarë të regjistruar në universitete, të cilët studiojnë kryesisht në degët e Mjekësisë, Juridikut, Turizmit, Ekonomisë dhe Shkencave Politike. Po kështu, i lartë është edhe numri i bizneseve shqiptare, rreth 2200. Shoqatat shqiptare të këtij territori janë ndër më të organizuarat dhe më aktivet në jetën sociale e kulturore italiane. Këtu është themeluar së fundmi edhe Federata e Shoqatave Shqiptare dhe Arbëreshe të Piemontes. Prania e rëndësishme numerike dhe cilësore e qytetarëve shqiptarë në rajonin e Piemontes do të favorizojë nxitjen dhe intensifikimin e shkëmbimeve mes dy territoreve. Jo rastësisht Bashkia e Torinos, kryeqendrës së Piemontes, është e para në Itali që i ka dedikuar një edicion në gjuhën shqipe informacionit për bashkësinë shqiptare. Në faqet e sitit ueb të Bashkisë së Torinos, bashkatdhetarët mund të informohen mbi të rejat më të fundit përmes sitit në gjuhën shqipe Qyteti i Torinos

Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top