SHBA-OSBE dërrmojnë Berishën

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
Ambasadori Uithers sulmon ashpër qeverinë, mbron Ina Ramën: Lufto krimin, hyr në histori. Komisioni hetimor? اoroditje

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë për ndërhyrjet e fundit në punën dhe pavarësinë e prokurorisë. Në një seminar për luftën ndaj pastrimit të parave të pista, i zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës, diplomati amerikan e konsideroi një çoroditje dhe njëkohësisht shqetësues vendimin e Kryeministrit Berisha për një hetim ndërkombëtar për çështjen "Fazliç". Uidhers mbështeti punën e Kryeprokurores Ina Rama në mbrojtje të pavarësisë së organit të akuzës dhe e inkurajoi atë të vijojë hetimet e çështjeve të rëndësishme. Duke kujtuar faktin se Ina Rama u konsiderua në fillim të mandatit të saj si Silvia Konti, ambasadori amerikan tha se Prokurorja e Përgjithshme është shumë më tepër se aq, pasi ajo përballet me realitetin e vërtetë. Uidhers i bëri thirrje prokurorisë të mos bjerë pre e presioneve të politikës dhe të zbatojë ligjin, pasi kjo është mënyra e vetme për t‘u integruar në NATO dhe BE.


"Ina Rama në histori"

Ambasadori amerikan, gjatë fjalës, ka shprehur urime dhe admirime për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Ai tha se Rama është krahasuar me personazhin artistik Silvia Konti. "Siç e dini, znj. Konti ishte e përkushtuar dhe e vendosur të luftonte krimin, pavarësisht çfarë pengesash i krijonin, pavarësisht nga vështirësia e rrethanave, apo kundërshtitë ndaj saj. Ky krahasim është me vend, por nuk arrin lart sa duhet. Sepse personazhi i Silvia Kontit ishte artistik, ndërsa detyrat që znj. Rama ka marrë përsipër janë shumë reale", tha Uidhers, duke shtuar se përgjegjësitë e saj janë jo vetëm të hetojë disa prej çështjeve më të vështira dhe më të debatueshme, që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, por në një kuptim më të gjerë dhe më të thellë, të japë një kontribut me peshë në ndërtimin e demokracisë shqiptare, duke mbrojtur pavarësinë e institucionit të saj dhe të gjyqësorit në përgjithësi, ndaj presioneve politike dhe sulmeve politike. "Nuk më duhet ndonjë mençuri e madhe për të parashikuar që kur të shkruhet historia e demokracisë shqiptare, për njerëzit si Ina Rama do të ketë një kapitull të veçantë", paralajmëroi ambasadori.


"Hetimi ndërkombëtar?

Një çoroditje"


Diplomati amerikan shprehu edhe disa komente mbi zhvillimet e kohëve të fundit në Shqipëri. Ai tha se Parlamenti po shqyrton fillimin e një komisioni hetimor për funksionimin e prokurorëve dhe Prokurores së Përgjithshme këtu në Shqipëri. "Qeveria ka bërë thirrje edhe për një farë inspektimi ndërkombëtar në këtë fushë, të cilin, sinqerisht, e gjej të pashpjegueshëm. Të gjitha këto i gjej shumë çoroditëse dhe mjaft shqetësuese", tha Uidhers. Duke bërë krahasime me fatin e ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, ambasadori tha se "loja" është e njëjtë. "Tetorin e kaluar, pak pasi kisha ardhur këtu, parlamenti kish filluar një komision hetimor për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Tani, duket se synon të bëjë të njëjtën gjë ndaj Prokurores së Përgjithshme aktuale. Po, parlamenti ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore, por mos është kjo diçka që parlamenti shqiptar e bën çdo tetor? Sinqerisht, nuk shoh asnjë arsye legjitime përse qeveria apo parlamenti t‘i ndërmarrë këto lëvizje", pohoi Uidhers, duke shtuar se nxit si qeverinë, ashtu edhe parlamentin, të rishqyrtojnë këto lëvizje impulsive, që duken se ndërhyjnë në pavarësinë e një institucioni, që ka nevojë të jetë i pavarur. "Këshilla ime dhe e qeverisë sime është që prokurorët të lejohen të bëjnë punën e tyre si aktorë të pavarur që janë", tha ambasadori.


Përgëzohet Task-Forca


Ambasadori amerikan ka vlerësuar me nota pozitive strukturën e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare. "Task-Forca është përgëzuar kohët e fundit nga dy organizata ndërkombëtare për punën e saj të shkëlqyer. Organizata jofitimprurëse ‘Freedom House‘ vërejti që korrupsioni vazhdon të jetë një problem i kudondodhur në Shqipëri, por veçoi Task-Forcën si një mekanizëm të efektshëm për të luftuar korrupsionin", tha Uidhers. Më tej, pohoi se Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i organizatës "Transparency International", për vitin 2008, e renditi Shqipërinë në vendin e 85-të, një kapërcim prej 20 vendesh nga renditja e mëparshme globale, kur ishte e 105-a. Raporti vërejti që Shqipëria mbetet një vend shumë i korruptuar, por njohu meritat aty ku duhej: te prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore në këtë sallë.

Prokurorë, keni ligjin

Në të njëjtën frymë me Ina Ramën, ambasadori tha se prokurorët duhet të veprojnë në bazë të ligjit. Duke folur për prokurorët, Uidhers përmendi një histori të shkurtër. "Në historinë e hershme të Shteteve të Bashkuara, kur skllevërit që mbaheshin të lidhur në plantacionet e jugut kërkonin lirinë e tyre, nuk kishin as busulla, as harta. Shumica as nuk lexonin dot. Mes tyre dhe lirisë në veri qëndronin këneta, lumenj, male e shumë pengesa të tjera. Ajo që këta skllevër kishin, ishte vendosmëria e tyre për të qenë të lirë dhe një copë dije. Kjo copë dijeje ishte që ekzistonte një yll, Ylli Polar. Dhe për sa kohë që ndiqnin atë yll, ishin në shtegun drejt lirisë. Të gjithë ju në këtë sallë keni një Yll Polar. Dhe ky yll është Ligji. Për sa kohë që ndiqni ligjin, pavarësisht nga kritikat që merrni, pavarësisht nga presionet që iu bëhen, edhe ju, do ta arrini objektivin tuaj përfundimtar", përfundoi ambasadori.



Takimi "privat"

Kryeprokurorja Ina Rama dhe ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, pas fjalëve përshëndetëse në "sy" të prokurorëve dhe gazetarëve, kanë preferuar të diskutojnë privatisht për 10 minuta situatën e krijuar nga sulmet e qeverisë



"Pastrimi i parave, një murtajë"


Ambasadori bashkë me Kryeprokuroren trajnojnë hetuesit e Task-Forcës


Prokuroria e Përgjithshme, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane po zhvillojnë një seminar në Prokurorinë e Tiranës rreth pastrimit të produkteve të veprës penale. Tematika e seminarit është cilësuar nga ambasadori amerikan si një murtajë. "Duke mbledhur bashkë ekspertizën që përfaqësohet në këtë sallë; duke mbledhur bashkë prokurorë, oficerë të policisë gjyqësore, zyrtarë të zbatimit të rregullave nga bankat, kemi mbledhur bashkë ekipin që nevojitet për të luftuar një murtajë. Kjo murtajë është pastrimi i parave, çka përfaqëson shtyllën kurrizore për krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin", tha Uidhers. Më tej, sqaroi se këto janë krime që ndikojnë jo vetëm Shqipërinë, por të gjithë botën. Nga ana e saj, Kryeprokurorja ka falënderuar ambasadorin për të gjitha ndihmat e ofruara ndaj institucionit qendror të akuzës.




Prokurorët të "gëzuar" pas deklaratës së Uidhers


"Hetimi ndërkombëtar? Në Task-Forcë është një prokurore amerikane"



Atmosfera në Prokurorinë e Tiranës ka qenë dje mëse "gazmore". Punonjës të akuzës deklarojnë nën zë se tashmë "drejtësia" duhet të vihet në vend. Sipas tyre, deklaratat e diplomatit amerikan kanë qenë një "dush i ftohtë" për qeverinë dhe mazhorancën, e cila po i sulmon me pa të drejtë. Zyrtarë të prokurorisë pohojnë se dosjet, që kanë në dorë, do t‘i çojnë deri në fund, pavarësisht çdolloj presioni politik. "Tashmë të gjithë e dinë për sulmet dhe çoroditjet e politikanëve rreth dosjeve që po hetojmë. Idetë e tyre janë qesharake", pohojnë prokurorët. Duke dashur të sqarojnë idenë për hetimin ndërkombëtar për çështjen "Fazliç", ata pohojnë se struktura e Task-Forës i ka të gjitha kapacitetet, qoftë njerëzore për hetimin e dosjes së "politizuar". Sipas tyre, në këtë strukturë punon një prokurore amerikane, e cila është e aftë të hetojë këtë çështje.



OSBE: Qeveria, kontroll mbi drejtësinë


"Rrëzimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ishte votë politike"



Ylli Pata


OSBE konstaton se mazhoranca aktuale kërkon të vërë nën kontroll gjyqësorin, si një nga pushtetet e pavarura në vend. Pas Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, OSBE është organizmi i tretë ndërkombëtar që i bashkohet shqetësimit për vënien e drejtësisë nën kontrollin e pushtetit politik. Në raportin vjetor të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, të lexuar dje në Vjenë nga kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, theksohet tejet qartë kritika ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Në dokumentin që analizon zhvillimet politike nga shtatori 2007 deri në shtatorin 2008, theksohet se "në korrik 2008, Ministria e Drejtësisë përfundoi përgatitjen e projekt-ndryshimeve për ligjin për Prokurorinë dhe në shtator 2008, Kuvendit iu dërgua për shqyrtim një projektligj për administratën gjyqësore. Deri më sot, dy projektligjet, të cilat synojnë të luftojnë korrupsionin brenda gjyqësorit, duket se forcojnë kontrollin e ekzekutivit mbi gjyqësorin, duke ngritur pyetje mbi ndarjen e pushteteve dhe ato nuk u diskutuan si duhet me aktorët kyçë përpara se të paraqiteshin zyrtarisht. Në përgjigje të kritikave nga bashkësia kombëtare, tani po zhvillohen konsultime". Gjithashtu, OSBE paraqet objeksione jo të vogla edhe për disa vendime të miratuara në mbledhjet më të fundit të qeverisë në lidhje me drejtësinë. Në raportin e lexuar nga ambasadori Bosh, thuhet ndër të tjera se "në tetor 2008, Këshilli i Ministrave miratoi një sërë projektligjesh për profesionin e avokatit dhe noterit, Gjykatat Administrative dhe Shërbimin e Përmbarimit me qëllim, siç pretendohet, që ta përafrojë legjislacionin kombëtar me standardet e BE-së. Megjithëse është ende herët për të komentuar mbi hollësitë e këtyre ligjeve, mund të vërehet se ato u miratuan ose pa iu nënshtruar një procesi të plotë konsultimi publik ose duke shpërfillur komentet e bëra nga bashkësia ndërkombëtare".

Presidenti

Në raportin vjetor të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, i cili u paraqit në Këshillin e Përhershëm të organizatës dje në Vjenë, nuk ka lënë pa u përmendur edhe përplasja e fortë institucionale e fillimit të verës së shkuar mes mazhorancës dhe Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Në raport theksohet se "në qershor 2008, gjashtë vendet vakante për Gjykatën e Lartë ngjallën debat. U zhvilluan debate të ndezura në lidhje me çështjen nëse Presidenti veproi në mënyrë kushtetuese në procedurat e emërimeve për Gjykatën e Lartë. Qeveria argumentonte se Presidenti paraprakisht duhet të kishte hyrë në diskutime joformale me Kuvendin. Në të vërtetë, shumë vetë e panë votën pasuese kundër kandidaturave të Presidentit nga ana e Kuvendit, si një votë politike përkundrejt vendimit të Presidentit për të mos hyrë në konsultime. اështja u zgjidh vetë, pasi Presidenti ngriti një grup ekspertësh për të përcaktuar një paketë kriteresh që duheshin përmbushur nga grupi i kandidatëve të ardhshëm, të cilët më pas u miratuan. Ngritja e grupit të ekspertëve qetësoi situatën dhe për këtë i duhet dhënë meritë e madhe Presidencës që e propozoi këtë ide".


Katastrofa


Në dokumentin vjetor theksohet kërkesa për zbardhjen e tragjedisë së 15 marsit dhe gjetja e përgjegjësve


"Gërdeci, Prokuroria e Përgjithshme të lihet e lirë të hetojë"


Nuk kishte si të mos ndodhte që ngjarja më e rëndë e vitit 2008 të mos trajtohej nga raporti vjetor i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Pikërisht, katastrofa e tmerrshme e Gërdecit. Për të cilën, ambasadori Robert Bosh dërgon një thirrje të fuqishme ndaj qeverisë shqiptare dhe mazhorancës, që të lënë të lirë Prokurorinë e Përgjithshme të vazhdojnë hetimet për Gërdecin, pa u bërë presion. Tragjedia e 15 marsit zë një vend të rëndësishëm në raportin e Prezencës së OSBE-së, e cila përbën një nga dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare, që zakonisht kanë një koordinim edhe me raportin progres të Komisionit Evropian për vitin 2008. Në dokumentin e paraqitur në Vjenë nga ambasadori Bosh theksohet se "në mars 2008, një sërë shpërthimesh në një depo municionesh ushtarake pranë Tiranës (Gërdec) vranë 26 persona dhe lënduan 300 të tjerë, ndërsa u shkatërruan edhe mijëra shtëpi. Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim të plotë, i cili është në vazhdim. Prokuroria e Përgjithshme duhet të vijojë hetimet pa ndërhyrjen e politikës. Në korrik 2008, imuniteti parlamentar i ish-ministrit të Mbrojtjes u hoq për t‘i hapur rrugë hetimeve mbi rolin e tij. Në përpjekjet për rindërtimin e zonës, qeveria ndërmori masa madhore, duke zhvilluar një strategji koherente pas-rindërtim. Sa i përket sigurisë së zonës, bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të përsëritur, ka bërë thirrje që perimetri i sigurisë prej 800 metrash përreth zonës së shpërthimit të respektohet si zonë e ndaluar, për aq kohë sa të certifikohet si zonë e sigurt nga ekspertë të huaj të pavarur".

Ekonomia

Në lidhje me zhvillimin ekonomik, OSBE-ja thekson se korrupsioni dhe moszgjidhja e çështjeve të pronave ndikon në rritjen e çmimeve. Në raportin vjetor bëhet e ditur se "ekonomia ka vazhduar rritjen me një përqindje të shëndetshme prej 5.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, megjithëse rritja e çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike shtoi trysninë e inflacionit. Nisma si adoptimi i taksës së sheshtë dhe sistemi i regjistrimit të bizneseve në one-stop-shop, ndërthurur me veprimin dinamik për të formalizuar tregun e zi, ka sjellë përfitime përmes rritjes së nivelit të mbledhjes së taksave dhe rritjes së investimeve të huaja. Në shtator 2008, raporti i Bankës Botërore e renditi Shqipërinë në vend të dytë mes vendeve që kanë ndërmarrë reforma në vitet 2007-‘08 për të lehtësuar biznesin, duke parë reforma që kanë thjeshtëzuar dhe zbutur rregullat. Rezultati i saj i përgjithshëm e poziciononte Shqipërinë në pozitë të barabartë me vende të tjera të rajonit të Evropës Juglindore. Megjithëkëtë, shtrirja ekonomike dhe modelet shoqëruese të migrimit vazhdojnë të ndikojnë në ekuilibrin mes rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Potenciali për tregti dhe investim të huaj gjithashtu është ndrydhur nga shqetësimet që rrjedhin nga siguria ligjore dhe fizike e pronës, korrupsioni dhe çmimet e larta të operimit.


Shqip
 

Attachments

  • Ambasadori USA.jpg
    Ambasadori USA.jpg
    27.4 KB · Shikime: 14
eeeeeeee Profka ne diell i thone kesaj,. Tek ne ka kohe qe na ka ngec gomari ne balte . Tani u kujtua SHBA dhe OKB ?

Pse u kujtuan pikerisht tani ? Mos u prek gjekundi interesi i tyre ?
Nese nuk do u ishte prekur interesi , valle a do ishin sjelel keshtu me Berishen dhe qevereine qe ai drejton ?
Dyshuse apo jo ?
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top