Samiti urgjent mbi krizën financiare

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Samiti urgjent mbi krizën financiare

Pjesë e tij do të bëhen jo vetëm shtetet e zhvilluara, por edhe ato në zhvillim nga e gjithë bota

Presidenti Bush bëri dje me dije se do të ishte ai vetë iniciatori i takimit që mund të jetë i pari në radhën e një serie samitesh të liderëve botërorë, ku do të studiohen rrugët për t‘u ndjekur për përballjen e krizës globale që ka përgjunjur financat globale.

"ثshtë thelbësore të punojmë së bashku, pasi në këtë krizë jemi të përfshirë të gjithë", tha Presidenti nga Kemp Deivid i Merilendit, bashkë me Presidentin Francez, Nikolas Sarkozi, dhe me Presidentin e Bashkimit Evropian, Hoze Manuel Barrozo. "Duhet të punojmë së bashku për modernizimin e sistemeve tona financiare, ndërkohë që duhet t‘i rezistojmë me çdo kusht prirjeve për izolacionizëm financiar".

Presidenti amerikan vërejti se pjesë e Samitit do të bëhen shtetet e zhvilluara dhe ato në zhvillim nga e gjithë bota. Nuk është përcaktuar ende data e fillimit, megjithëse në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë bëhej e ditur se do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës "shpejt, pas zgjedhjeve të përgjithshme të 4 nëntorit".

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së shteteve aziatike në diskutimet për gjetjen e rrugëzgjidhjes për t‘u ringritur nga kriza aktuale. "Duhet të veprojmë me shpejtësi, pasi jemi para domosdoshmërisë për stabilizimin e tregut botëror", tha ai. "Kjo është një krizë mbarëbotërore, kështu që edhe zgjidhja duhet të jetë mbarëbotërore". Më pas, shtoi se samiti do të shërbejë për përcaktimin e masave reformuese "për të garantuar prosperitetin global në të ardhmen" dhe do të jetë i pari i një serie të menduar për implementimin e masave antikrizë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Toni Frato, u tha gazetarëve se do të ishte "ambicie e tepruar" të mendohej se të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me krizën masive financiare mund të trajtohen në një samit të vetëm.

Javën e shkuar, shtetet evropiane vepruan me shpejtësi për të mbrojtur sistemet përkatëse bankare, duke ofruar miliarda euro në formën e fondeve për garantimin e huave dhe miliarda të tjerave për t‘u injektuar në bankat e prekura nga kriza. Vetëm Presidenti Sarkozi ka deklaruar se shteti i tij po mendon të injektojë 360 miliardë euro në sistemin bankar francez.

Të premten, Dhoma e Lartë e Parlamentit gjerman votoi unanimisht për adoptimin e një pakete prej 670.7 miliardë dollarësh për stabilizimin e ekonomisë së vendit. Qeveria zvicerane deklaroi të enjten se kishte ndër mend që të investonte 5.3 miliardë dollarë në gjiganten bankare UBS, në mënyrë që të përforconte bazën e kapitalit të saj. Nga ana tjetër, Banka Kombëtare Zvicerane do t‘i japë UBS-së një hua prej 54 miliardë dollarësh për krijimin e një fondi stabiliteti.

Në të njëjtën linjë, kanë vepruar edhe vendet aziatike. Autoritetet shtetërore të Singaporit deklaruan të enjten se do të merrnin përsipër garantimin e depozitave për një vlerë jo më të vogël se 102 miliardë dollarë për një periudhë më të gjatë se dyvjeçare. Ditë më parë, Hong Kongu ka marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e depozitave bankare. Sipas mediave shtetërore, qeveria e Koresë së Jugut deklaroi miratimin e një pakete valute të huaj 100 miliardë dollarëshe, për të ndihur bankat e vendit të stabilizojnë tregun e brendshëm. Qeveria merr kështu përsipër që të garantojë për tre vitet e ardhshme të gjitha huatë e dhëna nga kreditorët koreanë jashtë kufijve të vendit që nga qershori i shkuar.

shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top