Rrëfimi i 24-vjeçares shqiptare që braktisi gjithçka për punën në kroçere

legjenda

Tetova
Për të udhëtuar një herë me kroçerë luksi, duhet të kesh kursyer gjithë vitin ose disa vite rresht (sigurisht nëse pushimet nuk janë të sponsorizuara). Por i gjithë ky “mund” shpërblehet, pasi brenda kroçerës një armatë punonjësish janë në një tension të jashtëzakonshëm që gjithçka të funksionojë perfekt. Përshtypjet e turistëve janë thuajse të njëjta: fantastike! Por çfarë ndodh me punonjësit e një kroçere? Si përzgjidhen ata? Në ç’kushte punojnë? Delinda Muçollari është vetëm 24 vjeç. Ajo ka mbaruar shkollën për gazetari. Ka punuar jo pak kohë në media, e në ato prestigjozet. Deli është ndër të paktat shqiptare që punon në një kroçere luksi. Në një intervistë për “Urbanus”, Deli tregon se pse e mori vendimin për tu larguar nga media për t’u arratisur drejt detit dhe se si funksionon kjo punë.

Deli, si është të punosh në një kroçerë? Si është të arratisesh çdo ditë nga një destinacion në një tjetër, përmes detit?

E imja është një punë shumë dimensionale, që të mban alert 24/7. Patjetër intensive e me një standard kërkesash shumë të larta. Por unë nuk do ta quaja thjesht ‘punë’, në kroçerë ti jeton përditshmërinë tënde krejtësisht të rikonceptuar, të duhet të ndryshosh regjimin me të cilin ishe mësuar në jetën e zakonshme në ‘tokë’ dhe të përshtatesh me një seri rregullash, detyrash dhe angazhimesh pafund. Personalisht jam pjesë e rrjetit të dyqaneve “Msc Boutiques” por si çdokush tjetër që punon në kroçerë, nuk jam e pavarur nga departamentet e tjera, por funksionoj si hallkë e një zinxhiri të mirëorganizuar. ثshtë një lloj jete që të kërkon energji të pashtershme sepse gjatë gjithë kohës je në kontakt me njerëz me të cilët duhet të jesh maksimalisht profesional. Nuk kanë qenë të pakët ata që kanë rezistuar vetëm një apo dy javë dhe janë larguar, sepse sasia e stresit mund edhe të jetë e papërballueshme nëqoftëse nuk ke durimin dhe qetësinë e duhur për të ndjekur rrjedhën e funksionimit të një institucioni të tillë të mbyllur, si kroçera. Ajo që pasagjerët shohin kur vijnë të kalojnë pushimet është vetëm maja e ajsbergut, sepse në gjysmën e anijes që ata nuk mund ta vizitojnë punojnë me qindra njerëz si një makineri e pandalshme.

Të vizitosh gjithë këto vende njëri pas tjetrit është pjesa më emocionuese e motivuese që të mban në kroçerë. اdo mëngjes të gjen në tjetër port, ti vazhdon punën normalisht dhe është ky ishull i vogël lundrues që udhëton për ty. Unë asnjëherë nuk i kam pëlqyer udhëtimet e gjata me makinë sepse janë shumë të lodhshme, ndërsa në kroçerë ti harron se je në lëvizje nëse nuk ke një dritare afër nëpërmjet së cilës të shohësh oqeanin. Vetëm në ato ditë kur moti nuk është aq miqësor, ky rrugëtim vështirësohet pak dhe ti pendohesh pse nuk i mbajte këmbët në tokë.

Sa vende ke vizituar deri tani?

Në këto dy vite që kam jetuar në kroçerë (siç e thashë më lart, jo thjesht ‘punuar’) pata fatin që të ndjek itinerare të ndryshme, duke filluar nga deti Mesdhe me porte të ndryshme të Italisë, (Venecia, Bari) Greqisë (Athinë, San Torini, Katakalon,Nafplion ), Kroacisë (Split) e Malit të Zi (Kotorr ). Më pas, me një tjetër anije kemi lundruar përgjatë Francës (Marsejë), Spanjës (Barcelona, Valencia, Palma de Majorca), Maltës (Valeta ) e në rikthim sërish përgjatë Italisë (Roma, xhenova, Sicilia). E megjithëse Barcelona është ai qytet që unë e kam dashuruar me shpirt, ai itinerar që më ka fasinuar është ai i detit Baltik, në Europën Veriore, në të cilin kam vizituar shtete si Anglia (Londër), Gjermania (Hamburg), Irlanda (Dublin, Kork ) , Skocia (Invergordon, Kirkëall), Islanda (Reykjavik) dhe e paharrueshmja Norvegji me porte si Geiranger, Alesund, Spitzberg etj. Një nga ditët e ‘shënuara ‘ ishte kur vizitova Kepin e Veriut, pikën më veriore të Europës, pasi kishim kaluar rrethin polar. Ndërsa aktualisht jam në përfundim të një kontrate ‘të nxehtë ‘në një anije që lundron rreth Karaibeve. Pata shansin të njoh kultura tërësisht të ndryshme nga ato europiane, larg kryeqyteteve të zhurmshme dhe të shoh plazhet e konsideruara si më ekzotiket në botë në Republikën Domenikane, në Xhamajka, në Aruba, Kurasao, ishujt Bahamas, ishujt Kajman, Kolumbinë, Ishullin e ëndrrave Puerto Rico, Saint Martin, Meksikën e famshme dhe më në fund preka edhe unë njëçikë tokë amerikane në Majemi. Sapo i kam shprehur eprorëve dëshirën për të udhëtuar drejt Kinës ose Lindjes së Mesme, që janë dy nga destinacionet me shkronja të mëdha në listën time,me shpresën që do të realizohen së shpejti.

Sa gjuhë të huaja di për të mbajtur këtë punë?

Kur fillova këtë rrugëtim, përveç anglishtes së detyrueshme, frëngjishtja dhe gjermanishtja ime ishin të çala megjithëse i kisha studiuar për vite me rradhë. Sot unë flas veç tyre spanjisht, italisht e portugalisht dhe çdo ditë përpiqem të rrëmbej aty-këtu fjalë nga gjuha kineze apo hebraishtja që më ngjallin shumë kuriozitet e dëshirë për t’i njohur. Në kroçerë vizitorët janë nga i gjithë globi, kështu që të duhet të jesh i pajisur maksimalisht me njohuri nga gjuhët e huaja e praktikisht jetesa me ta e bën më të lehtë ketë mision.

Sa është koha më e gjatë që ke qëndruar në kroçerë pa zbritur në tokë?

Pjesa më e madhe e kroçerave të kompanisë për të cilën unë punoj Msc (Mediterranean Shipping Company ), i zhvillojnë itineraret e tyre në Europë, kështu që distanca nga porti në port është veç disa orëshe. Vetëm në rastet kur anija ndryshon itinerar, shkon drejt Brazilit, Lindjes së Mesme etj kapërcimi kërkon detyrimisht disa ditë. Sidoqoftë edhe nëse anija është në port, më ndodh që nuk zbres për ditë me rradhë qoftë për shkak të punës apo angazhimeve të tjera personale. Ndoshta koha më e gjatë që kam qëndruar në kroçerë pa zbritur fare në tokë mund të ketë qenë dy javë, e them pa qenë shumë e sigurt se unë jam gjithnjë e papërtuar për të shkelur tokë, për të marrë ajër të pastër jashtë kabinave të vogla të anijes, pa uniformë, pa name tag e pa qenë e detyruar t’i buzëqesh kujt. Për ne që punojmë prej një kohe të gjatë në këtë lloj terreni, të zbriturit në tokë nuk do të thotë thjesht të vizitosh një destinacion të ri, por është një frymëmarrje e thellë larg normave strikte të punës, një arratisje larg eprorëve, hierarkisë dhe një mënyrë për tu ndjerë i lirë në atë çfarë bën, çfarë vesh, ha, pi, kë takon pa i dhënë shpjegime kujt.

ثshtë një punë e zakonshme, pra që gjithkush mund të aplikojë? Apo ka ndonjë formë specifike të rekrutimit të stafit (zgjedhjes së stafit)?

Gjithkush që ka motivimin e duhur mund të aplikojë. Filtrat do të bëjnë të vetën dhe ata që vërtet e gjejnë veten duke punuar rreth botës herët apo vonë do i realizojnë qëllimet e tyre, ashtu sikurse unë jam tejet e lumtur që e ndërmora këtë sfidë me veten dhe megjithë pengesat që dalin, dobësitë e mia, malli, shtëpia, familja, miqtë etj, ëndrratl ime për të parë gjithë dimensionet e kësaj bote, më motivon për të mos u ndalur.

Në Shqipëri ekziston vetëm një agjensi përmes së cilës çdokush mund të kërkojë një shans punësimi, Kouzon, e cila ka qenë përkrahje e madhe për mua deri më sot dhe u ka mundësuar kaq shumë të rinjve të nisin rrugëtimin e tyre. Esenciale janë gjuhët e huaja dhe aftësitë komunikuese, duke qenë se pozicionet e punës janë pjesë e fushës së shërbimit, costumer service, si recepsion, entertainer, artist, hostess , fotograf, shitës, casino dealers etj.

Cilat është e bukura e kësaj pune? Po sfidat, pra çfarë të është dashur të sakrifikosh nga vetja dhe çfarë vazhdon të sakrifikosh për të qënë aty?

Jeta në kroçerë të hap dritare të reja drejt njohjes së botës, të ndryshon mentalitetin, të bën fleksibël, të aftë të përshtatesh me këdo, kudo, të bën tërësisht të pavarur emocionalisht dhe financiarisht, të nxit për aventurë, nuk të lë asnjë sekondë ta humbësh kot, të njeh me kultura që ti nuk i ke njohur dhe i ke gjykuar gabim, të thyen tabutë, të zbut fobitë, të bën të duruar ndaj të tjerëve, të hapur të bësh kompromise edhe për vendime që nuk bie dakord, të jep mundësinë të rikrijosh veten ashtu siç do, të ndihmon të kërkosh dhe gjesh çfarë të bën të lumtur. Unë kam takuar njerëz nga të gjithë anët e botës prej të cilëve jam përpjekur të ruaj përshtypjet më të mira. Sot numëroj qindra miq nga gjithë bota si Kina, Brazili, Kanadaja, Afrika e Jugut, Maroku, Rusia, Izraeli, Libania, Tunizia, Lituania, gjithë Ballkani etj dhe jam shumë krenare që të gjithë kemi ndarë me njëri-tjetrin këtë punë- aventurë.

ثshtë e trishtueshme që nuk mund t’i shohim familjarët për një kohë të gjatë, të ndahesh nga miqtë e ngushtë, të festosh ditëlindjen apo Krishtlindjen duke punuar, të mos kesh asnjë ditë pushim në 7 muaj, të mos ngopesh kurrë me gjumë e të lutesh për ushqimin nga duart e mamit, por gjithçka ja vlen në fund të ditës.

Dhe ashtu siç do thoshte edhe Shekspiri: “Gjithçka e mirë, mbaron mirë !”/UrbanusBlog
delinda-750x430.jpg
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top