~ THESARI IM ~
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje ?
Cilin përbindësh mendon se fsheh ?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur
Mure të zbrazëta, lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra .
Diku e hedhur afër shtratit
Është një kuti ; e tersit dhe e fatit.
E mbushur plot është me kujtime,
Brënda është, gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty
Gjithkënd njoha, përfshi dhe ty.
Gjithçka bëra, e që vetëm i ëndërrova,
Vëndet ku shkela, vëndet ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq i urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty
Herët që s’të pashë në sy
Jetët që pa ty jetova,
Të tjera femra që dashurova .
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
Dhe amanetet që të kam lënë
Fëmijët që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava, se nuk mu bindën.
Ka letra që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithçka përmbysë do kthesh,
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e gjete, s’ke parë gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtërngim,
Atë më të shtrenjtin, sendin tim.
Balsamin që plagët mi shëronte
Kur kjo jetë-djall, më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje,
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar,
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti ishe,
THESARI IM !
( Charles Baudelaire )
