Titulli: Poezi Dashurie
Të kam dashur_Neruda
Mirupafshim, por ti do të jesh
e pranishme tek unë, brenda
një pike gjaku që më qarkullon në damarë
ose jashtë, puthje zjarri mbi fytyrën time
ose brez përvëlues i shtrënguar në mes.
Pranoje, o e ëmbël,
dashurinë e madhe që ia beh në jetën time
dhe që s’gjente tek ty një truall
si një zbulues i humbur
në ishujt e bukës dhe mjaltit.
Të kam takuar njëherë
në të mbaruar shtrëngata,
shiu e kishte larë ajrin
dhe në ujë
këmbët e tua të buta shndrisnin si peshq.
E adhuruar, ja ku iu jam rikthyer luftrave të mia.
Do të gërvish dheun që aty të ndërtoj
një shpellë ku Kapiteni yt
do të të presë në një shtrat lulesh.
Harroje, e ëmbla ime,
atë vuajtje
që si një ndriçim fosfori
kaloi mes ne të dyve
duke na e lënë mbase djegien.
Edhe paqja rikthehet, e ajo bën që të kthehem
të luftoj në truallin tim,
dhe meqë ti ke shtuar
njëherë e përgjithmonë
në zemrën time dozën e gjakut që e mbush
dhe meqë
e kam në duar lakuriqësinë tënde,
vështromë mua,
vështromë,
vështromë mbi këtë det ku rrezatues eci përpara,
vështromë sonte ku lundroj,
dhe ku deti dhe nata janë sytë e tu.
Nuk kam dalë jashtë teje kur largohem.
Tani do të ta them :
toka ime do të jetë e jotja,
po nisem ta pushtoj,
jo vetëm për ty
por për të gjithë,
për tërë popullin tim.
Një ditë zaptuesi do ta braktisë kullën.
Do ta shporrim pushtuesin.
Të gjitha frytet e jetës
do të rriten në të miat duar
që më parë njihnin vetëm barutin.
Dhe do të di të përkëdhel çdo lule të re
falë mësimeve të tua të dashurisë.
E ëmbël, e adhuruara ime,
ti do të vish me mua të luftosh trup më trup :
puthjet e tua jetojnë në zemrën time
si çarçafë të kuq
dhe nëse unë bie, do të ketë
dhé për të më mbuluar
por do të jetë dhe ajo dashuria e madhe që ma solle
dhe që do të ketë jetuar në gjakun tim.
Ti do të vish me mua,
të pres në këtë orë,
në atë orë, në çdo orë,
të pres në të gjitha orët.
Dhe kur të dëgjosh trishtimin e urryer
duke trokitur në kanatin tënd,
thuaji se unë po të pres,
dhe kur vetmia do të dojë që ti ta ndërrosh
unazën ku është shkruar emri im,
thuaji që të vijë të më flasë,
se më është dashur të shkoj sepse jam një ushtar
dhe se aty ku jam,
nën shi apo
zjarr,
dashuria ime, unë po të pres.
Të pres në shkretëtirën më të mundimshme,
të pres pranë limonit në lule,
ngado ku jeta do të mbahet e fortë
dhe ku lind pranvera,
dashuria ime, unë po të pres.
Dhe kur të të thonë : « Ky njeri
nuk të do », oh ! kujtohu pak
që këmbët e mia janë të vetmuara në terr, në kërkim
të këmbëve të buta të vogla që i adhuroj.
Dashuria ime, kur të të thonë
se të kam harruar, edhe po
të jem unë që ta thotë këtë,
edhe kur të ta them unë
mos më beso,
e kush do të mundej, si do të mundej
të të shkëpusnin nga gjoksi im,
e kush do ta merrte atëherë
gjakun e damarëve të mi që rrjedh drejt teje ?
Por unë s’mund ta harroj
popullin tim.
Do të luftoj në çdo rrugë
dhe i fshehur pas çdo guri.
Edhe dashuria jote më mbështet :
ajo është një lule në gonxhe
që më mbush me aromën e saj
dhe që befas, si një yll i stërmadh,
shpërthen tek unë.
Dashuria ime, është natë.
Uji i zi përreth meje
dhe bota në gjumë.
Por dita do të zbardhë,
e ndërkohë po të shkruaj
për të të thënë : « Të dua. »
Për të të thënë « Të dua », ruaje,
pastroje, ngrije,
mbroje
dashurinë tonë, zemrën time.
Po ta besoj ty ashtu siç lëmë
një grusht dhé me farërat e veta.
Nga dashuria jonë jetë të tjera do të lindin.
Nga dashuria jonë do të pijmë ujë.
E një ditë ndoshta
një burrë
dhe një grua
si ne të dy
do ta prekin këtë dashuri që do ta ketë ruajtur forcën
t’i djegë duart që e prekin.
E kush do të kemi qenë ne ? E ç’rëndësi ka ?
Ata do ta prekin këtë zjarr
dhe zjarri, e ëmbla ime, do të thotë thjesht emrin tënd
dhe timin, emrin që vetëm ti
do ta kesh ditur sepse vetëm ti
mbi këtë tokë e di
kush jam, dhe se askush s’do të më ketë njohur si ti,
si njërën prej duarve të tua,
dhe askush
s’do të ketë ditur as si as kur
zemra ime ndezi vetëm
sytë e tu të mëdhenj e të kaftë,
gojën tënde të gjerë,
lëkurën tënde, gjinjtë e tu,
barkun tënd, rropullitë e tua
dhe atë zemër që unë e kam zgjuar
të këndojë
deri në ditën e fundit të jetës tënde.
Dashuria ime, po të pres.
Mirupafshim, dashuri, po të pres.
Dashuri, e imja dashuri, po të pres.
Po e mbyll tani këtë letër
pa trishtim, aspak : këmbët e mia
janë aty, të ngulura mirë në tokë,
dhe dora ime të shkruan në udhë :
në mes të jetës, gjithmonë
do të mbahem
përkrah mikut, përballë armikut,
me në gojë emrin tënd,
me një puthje që kurrë
s’i është shmangur tëndes.