Titulli: Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare
Se ishte i devotshëm dhe shumë i përshpirtshëm A. Bogdani, tregon fort mirë dhe inisiativa, që u ndërmor, për beatifikimin e tij, qysh në kohën e P. Bogdanit. Kërkesa është bërë në emër të popullit, kurse të nënshkruarit ishin: P. Karagiq, misionar i Trepçës, N. Baciq, misionar i Malit Zi, Giovanni Jankoviq, misionar i Shkupit, Mark Mazreku, misionar i Novëbërdës, Vinçenc Vlashiq, misionar i Kratovës, Giovanni Bogdani, misionar i përgjithshëm (mis Commune), T. Rospasani, misionar i Prizrenit dhe Pjetër Toliq[20].
Sipas gjasave, po të kishte jetuar më gjatë Pjetri, puna e beatifikimit të tij do të kishte përfunduar me sukses. Ky beatifikim, që deri më sot ka mbetur vetëm dëshirë e zjarrët, tregon se
fytyra e Andreut, arqipeshkvit të Ohrit dhe më vonë të Shkupit, në popull ishte shenjtërore, sepse edhe në kërkesën e cituar më lart thuhet: “Posvetio se stari gospodar i biche mir po svemu svetu”[21].
S’ka dyshim, se kjo ishte një vlerë historike e madhe në edukimin dhe formimin e drejtë të të tjerëve, sidomos të P. Bogdanit. Të përmendim këtu një moment karakteristik për shkollimin e Pjetrit se e kishte “përcjellur personalisht në Kolegjin Ilirik të Loretës” dhe se ai (Andreu) në romë, kishte hequr dorë nga subsidi i zakonshëm, që i takonte dhe rregullisht I vinte nga Roma, në dobi të nipit të tij, për të specializuar dhe për t’u doktoruar nga filozofia dhe teologjia, që do të jenë bazë përgatitore, për të shkruar “اetën e Profetëve”.
Për një ndihmë të konsiderueshme edhe në hartimin e kësaj vepre nga ana e Andreut shkruan edhe Pjetri, duke thënë: “Ky zotëri fort i urtë më dha fort zemër për të vazhduar në këtë vepër edhe duke më ndihmuar pas masë në shumë fjalë shqipe, të cilat me lehtësi i dinte dhe i përdorte, pasi që kishte bërë edhe ai një gramatikë fort të mirë latinisht – shqip”[22].
Pikërisht duke përkujtuar, në treqind vjetorin e vdekjes, fytyrën e P. Bogdanit, dëshiroj të vëj në dukje këtë moment mjaft të rënëdësishëm të traditës sonë , të shëmbëlltyrës së ndritshme e me përmasa evropiane të tij, për t’i zënë ngojë edhe disa emra të tjerë të traditës letrare kosovare jo vetëm të kohës së tij, siç na paraqiten, bie fjala, si poet të shkolluar Luk Bogdani dhe Lek Suma, por edhe për të kaluar madje drejtëpërdrejti në kohën Rilindjes Evropiane, kur edhe trevat tona paraqiten, si të thuash, të integruara me idetë më përparimtare të humanizmit dhe të renesansës.
Duke bërë përpjekje, se në punën kërkimore, kemi arritur të kuptojmë edhe një emër të ri dhe të panjohur në mjedisin tonë shkencor dhe letrar, emnër dhe vepra të tij të shkruara, që sipas të dhënave me të cilat disponojmë, na shpijnë në një periudhë parabarletiane. Në fakt, në këtë traditë të largët kosovare, na udhëzon vepra e P. Bogdanit, humanistit të madh shqiptar të shekullit XVII, e cila vepër tregon për një traditë mjaftë të gjatë të shkrimit shqip. Pikërisht në viset veripërendimore shqiptare, siç është konstatuar edhe më parë, kemi të bëjmë pra me një traditë nga më të hershmet në letërsinë shqiptare, jo vetëm me autorë të shumtë, por edhe me më të rëndësishmit[23].
Në kohën e fundit e kemi pranuar lajmin gazmor, për një traditë letrare edhe më të largët, të kohës së Skënderbeut, kur një kosovar, i quajtur Martin Segoni, nga Novobërda, i bashkohet panteonit të madh të Rilindjes Evropiane. Ky klerik i shkolluar në Padovë, doktor i së drejtës civile dhe kishtare, në kohën e fundit të jetës së tij kishte shërbyer ipeshkv në Ulqin, ku edhe kishte vdekur në vitin 1485. duke qenë bashkëkohanik i Skënderbeut dhe i epokës së bujshme historike të tij, nuk është çudi, që ky humanist, i cili, për vete thotë se është natione chatarensis (me kombësi kotoras), shkruan për shqipatrët dhe luftrat e tyre kundër osmanëve. Siç ishte e zakonshme në atë kohë, ai shqiptarët i quan epiriot (Epirotice gentes); te ai kemi të dhëna edhe për qytetin Arbana, të cilin e lidh rruga me Apoloninë: Haec regio vulgo Albanus nuncupatur, diu sub Arbanitorum domino habita.
Në këtë rast, duhet thënë, se mbi jetën dhe veprat e M. Segonit, mund të flasim në bazë të të dhënave të publikuara të Agostino Pertusit, i cili, edhe i ka zbuluar dorëshkrimet e tij në Bibliotekën Amboziane të Milanos, kurse shkollimi i M. Segonit në Padovë[24], ku, do të botojë librin e tij P. Bogdani nja 20 vjet më vonë, tregon për lidhjet, që kishin trevat tona me qendrat më të mëdha të humanizmit evropian.
Në historinë e letërsisë shqiptare, tradita kosovare, apo thënë në mënyrë më precize, tradite hasjane, pra nuk fillon me P. Bogdanin, por shumë më herët, diku përpara frat Palit të Hasit, për të cilin, Dh. S. Shuteriqi, thotë se “mund të jetë prej Hasit të Malësisë së Madhe ose prej Hasit të Thatë, prej nga ishte edhe P. Bogdani”[25], dhe se do të ketë shkruar edhe poezi të tjera të përshpirtshme. Po të kishte qenë rregulltar, ndoshta edhe P. Bogdani, do ta kishin njohur vetëm si të Hasit, siç nuk ia dimë mbiemrin as frat Palit, autorit të Ditës së gjyqit, për të cilin, na tregon P.Budi.
Në parathënien e Doktrinës së kershtenes (1618), ai nuk e apostrofon vetëm emrin, por edhe titullin e veprës së Palit të Hasit. Këtu duhet theksuar, në mënyrëp të veçantë, se P. Budi, punën e vet edhe në këndin e poezive të Doktrinës e paraqet si përkthim, kurse të frat Palit si origjinale, duke thënë: “Shkrova mbë gjuhu tanë ma parë do kapituj të ditës Gjyqit, puth i gjeta shkruom Atit shumë ncë ndershmit ncë devotshmit frat, Palit prej Hasit; të cijt ende me do të tjera të nshtuome, disaherë tue i shkruom (…), hina për tjera gjuhush tue i nkthyem mbë gjuhu tonë”. Pali, jetoi përpara vitit 1596 dhe mund të ketë përdorur alfabetin e Buzukut, që trashëgoi Budi.