Një çarje serbo - ruse!

Bilderberg

Anëtar i ri
Një çarje serbo - ruse.

Nuk është sekret se agresioni ushtarak rus kundër Gjeorgjisë dhe njohja nga Rusia e shteteve kukulla të Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë, shkaktoi një traumë politike, diplomatike, juridike dhe morale në Beograd.

Aty, ku udhëheqja serbe e pa veten të zbuluar, madje edhe e tradhtuar nga vëllai i madh rus.Në qarqet diplomatike nisën bastet se sa gjatë do të mundte udhëheqja serbe ta përmbante pakënaqësinë e saj ndaj Moskës, për shkak se veprimi rus komprometonte diplomacinë serbe pikërisht në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku Beogradi do të parashtronte rezolutën për të kërkuar një opinion nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Deklarata e befasishme e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, më 24 shtator se Serbia nuk do të njohë Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut dhe se "ne nuk jemi pjesë e politikës ruse", nuk i drejtohej as BE-së e as NATO-s, por i drejtohej Moskës si një mesazh zemërimi dhe paralajmërimi, i cili zbulon ujërat e turbullta, që po përshkojnë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë.

Dihet në qarqet diplomatike se Rusia u ka bërë presion të gjitha shteteve ballkanike, dhe në radhë të parë Serbisë, që të njohin Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Beogradi priti më shumë se një muaj, që të mendohej për t'i dhënë përgjigje protektorit të madh. Ai e pa se Rusia nuk e përfilli fare dhe nuk e llogariti në efektet e ndërmarrjes së veprimeve të saj ushtarake dhe diplomatike në Kaukaz. U demonstrua ajo, për të cilën ishte dyshuar gjithmonë, se përkrahja e Rusisë për Serbinë në çështjen e Kosovës, nuk vjen nga vëllazëria sllavo-ortodokse serbo-ruse, por nga interesa strategjike të Rusisë, që kanë të bëjnë më shumë me hapësirat ish sovjetike se sa me Ballkanin.

Njohja nga Rusia e dy shteteve kukulla, që Moska i krijoi artificialisht nëpërmjet pushtimit defacto ushtarak dhe pasaportizimit kolektiv rus të shtetasve gjeorgjianë në këto dy provinca gjeorgjiane, komprometoi tezat dhe argumentet bazë, me të cilat diplomacia ruse dhe serbe kishin operuar, që kur u hapën bisedimet për statusin e Kosovës tre vjet më parë, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së saj. Veprimi rus kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të një shteti anëtar të OKB-së si Gjeorgjia zhvlerësoi tezat dhe figurën e Rusisë si në planin ndërkombëtar, por edhe në planin e marrëdhënieve dypalëshe serbo-ruse.
Serbisë i duheshin pozicionet e ashtuquajtura juridiko-morale të Rusisë si një fuqi e madhe, sepse përbënin mbështetjen kryesore të pretendimeve të saj për Kosovën. I duheshin edhe për të mbështetur ofensivën e saj ndërkombëtare për të fituar mbështetje në shtetet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, qoftë kundër njohjes së Kosovës, qoftë për rezolutën në OKB.

Diskreditimi i hipokrizisë së politikës dhe të diplomacisë ruse dhe dobësimi i figurës së Rusisë në sytë e shteteve të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, e çoi mbështetjen për pretendimet e Serbisë për Kosovën disa shkallë më poshtë. Nga ana tjetër Serbia e pa vetë në mënyrë konkrete këtë rënie gjatë punimeve të tanishme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur përçapjet e saj për të fituar vota në OKB për rezolutën e dërgimit të çështjes së Kosovës në GJND, nuk gjetën mirëkuptimin, që kishte hasur para ndërhyrjes ruse në Gjeorgji, dhe që kishte shpresuar Serbia. Vetë presidenti Tadiç dhe ministri Jeremiç e shprehën publikisht zhgënjimin e tyre nga niveli i përkrahjes për rezolutën serbe.

Serbia sheh se njësimi triumfalist me politikën e Rusisë, që ajo i ka bërë vetes dhe politikës së saj në Kosovës dhe në Ballkan, më tepër ka ngjallur dyshime në vendet e të quajturës botë e tretë. Shumë prej këtyre shteteve, të ballafaquar me standardin e dyfishtë të politikës ruse, e cila nga një anë flet për integritet territorial për Kosovën e nga ana tjetër dhunon brutalisht me dhunë ushtarake integritetin territorial të Gjeorgjisë, nuk mund të mos kujtoheshin se Gjeorgjia është këmbanë alarmi edhe për shtetet e tjera jashtë hapësirës ish sovjetike. Sepse një nga konceptet bazë të doktrinës së re të politikës së jashtme të presidentit D.Medvedev është ndërhyrja e Rusisë, kudo ku jetojnë shtetas rusë.

Serbia sheh se Moska gjithnjë e më pak po përpiqet të identifikohet me interesat e Serbisë në Kosovë, pavarësisht se disa zyrtarë të saj vazhdojnë retorikën proserbe për Kosovën. Disa shenja, që ka lëshuar Kremlini pas krijimit dhe njohjes nga ana e tij të dy shteteve "të pavarura" kukulla në Gjeorgji, tregojnë një farë distancimi nga qëndrimi i thekur proserb për Kosovën. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi me 26 gusht se vendimi i Moskës për të njohur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut si shtete të pavarura nuk ka paralel me Kosovën. Ambasadorë rusë në Ballkan papritur nisën të bëjnë deklarata të guximshme, duke shpallur se "Rusia nuk është kundër pavarësisë së Kosovës". Këto qëndrime ishin të pamendueshme para 8 gushtit të ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjeorgji. Ato nuk mund të duartrokiteshin në Beograd.

Një drejtim i rëndësishëm, ku Serbia e sheh veten të ndjejë një shtrëngim jovëllazëror nga Rusia, është fusha energjetike dhe ekonomike. Udhëheqja e Beogradit kishte llogaritur se, duke i dhënë Rusisë pothuajse falas industrinë serbe të naftës për veton ruse në Këshillin e Sigurimit kundër pavarësisë së Kosovës, ajo do të kishte siguruar përjetësisht të njëjtën frenezi ruse për Kosovën. Një llogari, që nuk po del e saktë, sepse Rusia mori industrinë serbe të naftës dhe dha veton në KS të OKB-së, por për më tej ajo vazhdon politikën e saj të shtrëngimit energjetik të partnerit dhe aleatit. Përplasja, që ka dalë tashmë sheshit, për marrëveshjen e madhe energjetike, që nënshkroi në janar të këtij viti presidenti Boris Tadiç me presidentin rus Vladimir Putin dhe të cilën e ratifikoi parlamenti i ri serb më 9 shtator, provon se pazari politik "naftë serbe për veton ruse", duket në Moskë konsiderohet i mbaruar. Ministri rus i Emergjencave, Sergei Shojgu, i cili zhvilloi një vizitë në Beograd më 22 shtator, u deklaroi prerazi udhëheqësve serbë se asnjë ndryshim nuk do t'i bëhet marrëveshjes së përfunduar, duke theksuar se as çmimi i industrisë serbe të naftës, as kapaciteti i gazsjellësve dhe as depot e ruajtjes së gazit, nuk do të rinegociohen më. Kjo ishte një shuplakë e drejtpërdrejtë për kërkesat e qeverisë serbe, kryeministri i së cilës disa ditë më parë kishte deklaruar se do të ketë rinegocim të çmimit. Dihet se një pjesë e politikës serbe, sidomos ata me orientim europian si G-17, kanë kundërshtuar që në fillim marrëveshjen ruso-serbe të gazit, sepse vlera reale e industrisë së naftës është 2,2 miliard dollarë në një kohë që qeveria e ish kryeministrit V.Koshtunica ia dha Rusisë për 400 milionë dollarë. Atë marrëveshje e nënshkroi Tadiçi dhe e ratifikoi parlamenti.

Dalja në skenë e kërkesave serbe për një rinegocim të çmimit është më shumë një shprehje e pakënaqësisë, jo nga çmimi, por nga politika ruse, e cila me veprimet e saj në Gjeorgji, nuk mori në konsideratë interesat e Serbisë. Në këtë kuadër Beogradi ka shtyrë vazhdimisht vizitën, që një delegacion i Gazpromit rus do të bënte në Serbi, për diskutimin e detajeve teknike të marrëveshjes së nënshkruar. Në këtë kuadër duhet parë edhe shpërthimi i ministrit të Jashtëm serb, se "Serbia nuk është pjesë e politikës ruse".

Sido që të jetë, hapësira që Serbia ka në dispozicion për të manovruar, nuk është shumë e madhe. Ajo e ka lënë veten të identifikohet me një instrument të politikës ruse në Ballkan e në Europë dhe nga ky rol e ka të vështirë të largohet. Laku energjetik, politik, ushtarak, etj. me të cilin Moska e ka lidhur Serbinë, nuk është i lehtë për t'u zgjidhur. Politika e vjetër titiste "një këmbë tek Rusia dhe një këmbë tek perëndimi", të cilën qeveritë e Beogradit vazhdojnë ta kenë të preferuar, nuk është produktive në kohërat e sotme.

Nga Petrit Haliti

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)


BalkanWeb.com
 
Nena Rusi tradhetoi vajzen e vogel kopile Serbi, sepse Rusia e di qe Kosova eshte e humbur per sllavet, njehere e mire :)

Kendveshtrim interesant !
 
Fundi i barrikadave te vendosura nga "muskujt" Ruse ne keshillin e sigurimit dhe mbeshtetejeve te ideve kunderracore te politikave te mykura serbe ju ka ardhur fundi.

Kosova eshte e lire tani dhe asgje nuk e kthen ate prapa.
 
Sa mire. E po duhej dikur te shperthente. :)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top