Namasgjaja - Historia e Parkut të Dënuar

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Artan Lame

Namasgja-3.jpg


"Fusha e Namasgjasë" - një vend i hapur për falje, e ndërtuar nga i biri i Abdurrahman Toptanit, Ahmet bej Toptani ishte një shesh i gjelbëruar, i rrethuar me mur prej guri dhe me selvi karakteristike, të cilat pjesërisht janë edhe sot. Namasgja-ja është dhuruar me destinacion të përcaktuar mirë dhe gjatë shekujve ka shërbyer si vend faljesh për banorët e Tiranës

Një zot e di se ç’i ka pas shkuar ndër mënt Ahmet beut, të birit të Abdurrahman beut, të Et’hem beut, të Kapllan pashës, në të ngrysur të ditëve të tij teksa linte amanetet. Gjyshërit e tij kishin ndërtuar xhami e tyrbe gjithandej qytetit ndaj kjo mund ta ketë shtyrë të ndërtojë e ti falë Tiranës një shesh lutjesh, Namasgjanë. E gjitha kjo mund të jetë vetëm supozim, por fakti që e shohim ende edhe sot një shekull e gjysëm më pas, atje buzë Lanës mes gjelbërimit e pemëve, është Parku i Namasgjasë.

Koordinatat: Parku i Namasgjasë kufizohet nga jugu me rrugën buzë Lanës nga lindja me rrugën e Elbasanit, nga Veriu me rrugën hyrëse të Sallës së Kuvendit dhe nga perëndimi me Shtëpinë e Oficerave.

Bashkia e Tiranës mbi bazën e Planit Francez, ka miratuar ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës në një pjesë të parkut që gjendet mbrapa Pallatit të Kulturës. Shpallja e konkursit për projektin e kësaj xhamie, u bë vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve vendore që do të mbahen në 8 maj. Qeveria, e zënë ngushtë dhe duke mos dashur të lejojë që kjo medalje të mbetet në gjoksin e kryetarit aktual të bashkisë, gjen një zgjidhje tipikisht shqiptare: merr vendim që xhamia të ndërtohet jo aty ku ka vendosur Bashkia, por në Parkun e Namasgjasë.

Histori: “Fusha e Namasgjasë” - një vend i hapur për falje, e ndërtuar nga i biri i Abdurrahman Toptanit, Ahmet bej Toptani. Ky vend ishte një shesh i gjelbëruar, i rrethuar me mur prej guri dhe me selvi karakteristike, të cilat pjesërisht janë edhe sot. Namasgja-ja është dhuruar me destinacion të përcaktuar mirë dhe gjatë shekujve ka shërbyer si vend faljesh për banorët e Tiranës, qytetarët. Aty faleshin namazet e ditëve të Bajramit, dhe të Ramazanit.

Histori: Në vitin 1908, me shpalljen e Hyrjetit, fillon faza e re në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Aso kohe debati më i madh që bëhej në Tiranë, ishte nëse shqipja duhej shkruar me gërma latine apo me alfabetin osman. Kujton Ibrahim Dalliu: “Në këto ditë Haxhi Vildan efendiu dha nji lutje të përgjithshme në Namasgja, ku përmendi çashtjen e shkronjave komtare, e shpalli se përdorimi i shkronjave latine nuk asht gjynah e nuk përban delikt fetar”.

Në lajmet e drekës më 7 prill, dëgjuam se ishte miratuar një vendim qeverie për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës tek Namasgjaja. Askush nuk kish ditur asgjë, deri në minutën e fundit.
As Komuniteti Mysliman që deklaroi se ishte i surprizuar nga ky vendim i Kryeministrit, as Kryetari i Bashkisë që nuk e kishin quajtur të nevojshme t’i thonin se çkishin ndër mend të bënin në qytetin që administronte. Ca më pak dinte mileti, që në fund të fundit, është pronar i qytetit.
Me pak fjalë, VKM-ja thotë se trualli prej afër 2.600 m2 hiqej nga lista e pronave që ishin propozuar për t’ju dhënë Bashkisë së Tiranës dhe i kalonte Ministrisë së Drejtësisë. Kjo pastaj, Ministria e Drejtësisë, ngarkohej të ndiqte procedurat për ndërtimin e xhamisë në këtë pronë publike.

Histori: Më 26 Nëntor 1912, në Tiranë u shpall Pavarësia dhe u ngrit flamuri Kombëtar. Populli u grumbullua në sheshin përpara godinës së Hyqymetit, që aso kohe gjendej në vendin e Bibliotekës së Vjetër Kombëtare. Pas ngritjes së flamurit, në fushën e Namasgjasë u mbajt një shërbesë publike për të bekuar flamurin e ri.

Një nga procedurat më të vjetra, që në shekuj ka kontribuar për krijimin e pasurive të institucioneve fetare, është dhurimi. Persona të ndryshëm, gjatë jetës apo me testament, i dhurojnë enteve fetare pasuri, shuma të hollash apo prona, me destinacion të përcaktuar sipas dëshirës të tyre. Në botën myslymane, këto prona quhet “vakëf” dhe destinacioni i tyre është i mirëpërcaktuar dhe i pandryshueshëm sipas vullnetit të dhuruesit. Garant i këtij procesi, është vetë institucioni fetar përfitues, i cili nuk mund ta shkelë destinacionin për dy arësye. E para, se shkelja do të ishte faj apo krim fetar shumë i rëndë; dhe e dyta, se duke u shkelur testamenti dhe vullneti i vakëf-lënësit, askush nuk do të bënte më dhurata ndaj këtyre institucioneve. Dhe në fakt, kush do të qe ai që do t’i linte apo dhuronte prona një institucioni, nëse do të kishte dyshimin se kjo pronë e lënë vakëf do të keqpërdorej apo shpërdorohej një ditë?!
Nga kjo pikëpamje, vullneti i Ahmet bej Toptanit kur e ka lënë vakëf këtë tokë, ka qenë që ajo të sherbente si Namasgja, pra si shesh e park lutjesh. Mirë që shteti komunist që nuk pyeste për vullnetin fetar të njerëzve, por as vetë Komuniteti Myslyman, nuk do të merakoset për vullnetin e atij mirëbërësi?!

Histori: Në vitin 1923, u përurua rindërtimi i Lulishtes Popullore, që gjendej në zonën e Lulishtes së sotme përpara Parlamentit. Projekti përfshinte edhe parkun e Namasgjasë, që me kohë do t’i bashkohej kësaj Lulishteje. Në fakt, Lulishtja Popullore ishte ndërtuar që në fund të viteve 1800, siç quheshin atëhere “Milet Bahçe”, por më pas ishte lënë pas dore.

Ligji për kthimin e pronave, në mënyrë taksative ka bllokuar këtë lloj kalimi të pronave që është përdorur në vendimin e Qeverisë, deri në mbarimin e procesit të kthim-kompensimit. Mirëpo, duke patur parasysh se sa vlejnë ligjet në Tiranë, nuk e di nëse do më merrni për naiv që e them seriozisht këtë punën e ligjit.
Gjithashtu, ky eshte një vendim që cënon interesat mjedisore të publikut dhe, si i tillë, duhet të respektoheshin të gjitha procedurat e parashikuara për informim dhe akses në vendim marrje. Edhe për këtë punë ka një ligj goxha të plotë, nga ata që më kollaj i kupton anglisht sesa në versionin shqip, për shkak se janë përkthyer me këmbë. Ky ligj kërkon që projekti të bëhet publik, që të informohet komuniteti që të merret parasysh edhe mendimi i tyre.

Histori: Në 26 qershor 1925, me nismë të Presidentit të saposhpallur Ahmet Zogu në fushën e Namasgjasë, u mblodhën rreth 600 krerë nga e gjithë Shqipëria e Veriut, që shpallën Besën e Madhe, jo thjesht presidentit, por shtetit të ri shqiptar. Krerët e bajraktarët mustaqe dredhur e me kobure në brez, të vënë në një rresht të stërgjatë, lëviznin ngadalë, takonin njëri pas tjetrit Presidentin, betoheshin përpara flamurit me shqiponjë dhe shkonin tej në heshtje. Ishte hera e parë në historinë e tyre, që ata nuk i betoheshin për besnikëri një personi por një shteti, kujton Teki Selenica për atë ditë.

Qyteti i Tiranës aktualisht është qyteti me sipërfaqen më në vogël të gjelbërimit për banor në të gjithë Europën. Ky koeficent gjelbërimi, ka shumë pak gjasa që të ndeqet edhe në vijim, për shkak se brenda qytetit zor se gjendet ndonjë hapësirë që mund të shpëtohet për t’u kthyer në lulishte. Nga ana tjetër, i gjithë qyteti po shtrëngohet në darën e ndërtimeve informale, të cilat nuk lejojnë as ndërtimin e parqeve të reja masive periferike. Nisur nga këto fakte, është e domosdoshme të mbrohen me thonj ato pak sipërfaqe të gjelbra dhe lulishte që kanë mbetur brenda qytetit. Parku i Namasgjasë mund të konsiderohet në mënyrë absolute si PARKU ME I VJETER I QYTETIT, dhe do të qe absurde që të mendohej shkatërrimi i tij me çfarëdo lloj arësyeje.

Histori: Falja e fundit publike në fushën e Namasgjasë, mbahej mend të jetë bërë në vitin 1946. Pas këtij viti, muret rrethuese u prishën dhe parku mbeti në funksionet e një lulishteje, funkson që e kryen ende sot.

Histori: Në vitin 1993, Berisha, aso kohe president, vendosi një gur themeli për ndërtimin e xhamisë së re aty. Megjithë ceremoninë punimet nuk filluan. Dhe them se u bë mirë. Me kushtet e Shqipërisë të vitit 1993, mendoni se çfarë objekti i shëmtuar do të kishte dalë.

Pa dashur të bëj teollogun, vlen të jepen nja dy shpjegime rreth termit “Namasgja”. Namasgjatë janë sheshe publike të cilat shërbejnë për kryerjen e faljeve publike, veçanërisht në ditët e festave fetare, kur është i pamundur grumbullimi i besimtarëve brenda xhamive. Për këtë qëllim, zgjidhen fusha të gjelbëruara, rreth të cilave mbillen selvi. Namasgja kanë patur shumica e qyteteve të mëdha tradicionale shqiptare.
Në rastin e Tiranës, fusha e Namasgjasë gjendej në një pllajë pak të pjerrët, që e rrihte dielli që në çelje të ditës, si një shenjë bekimi për lutjen e mëngjesit. Përfund fushës rridhte me gurgullimë përroi i Lanës me ujë të kristaltë. Atyre të cilëve mund t’u duket çudi kjo puna e ujit të kristaltë, ju kujtoj se deri në vitet ’60, Lana kishte peshk (eh, ci kemi bërë ne këtij vendi, as hasmi më i zi nuk ja ka bërë dot) !!!.
Të mos harrojmë, se myslimanizmi liberal shqiptar, ishte i lidhur shumë me natyrën dhe, Namasgjatë ishin një nga ato elemente që siguronin pikërisht një lidhje të tillë. Në skaj të Namasgjasë, aty ku sot gjendet ura e rrugës së Elbasanit, deri në vitet ‘30 ngrihej e famshmja urë e Terzinjve, me 4 harqe përmes së cilës kalonin karvanet që lidhnin Tiranën me Elbasanin. Imazhi i fundit i atyre që, të gjendur mbi harqet e urës, po linin qytetin, apo imazhi i parë i atyre që po hynin në qytet, ishe pikërisht ky park i gjelbëruar nën hijen e selvive dhe rrapeve gjigandë.

Histori: Në vitin 2002 lulishtja u restaurua, u rrethua me kangjella dhe me gjelbërim të lartë. Nga ajo kohë, ajo është kthyer në vend prehjeje për mijëra banorë të gjithë asaj zone të Tiranës.

Histori: Në vitin 2007, dha shpirt e tharë edhe selvia e fundit e mbetur prej atyre që prej dy shekujsh hijeshonin përreth Parkun e Namasgjasë.

Të gjitha këto histori nuk i di dhe nuk i kujton më askush. Tani u mor një vendim thjesht për të bllokuar një vendim tjetër. Politika e ditës kundër politikës së ditës, ndërsa kujtesa dhe e shkuara jonë masakrohen, duke na bërë të jetojmë në një truall të shkretë që pas çdo përmbysjeje e fillon çdo gjë nga e para.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top