Liri Lubonja: Si e përjetuam në internim vdekjen e Enverit

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Menjëherë pas dënimit të Todi dhe Fatos Lubonjës, nisi e paimagjinueshmja për familjen e tyre. Liri Lubonja, nga Instituti i Historisë ku punonte para 1973, tashmë duhej të provonte ngarkim-shkarkimin në ndërmarrjen bujqësore, e jo vetëm kaq, por edhe pastrimin e WC-ve. E pas punës së rëndë fizike, familja Lubonja do të prekte me radhë të gjitha kampet e internimit.. . Përmes rrëfimeve të Liri Lubonjës në librin “Larg dhe mes njerëzve”, do të prekim jetën reale të të internuarve, përshkruar nga njëra prej tyre.


Pastruese WC-sh në Shtëpinë e Beqarëve


Nga maji i vitit 1975, Liri Lubonja mori një shkresë e cila i njoftonte largimin nga magazina bujqësore dhe e emëronte si punëtore e ngarkim-shkarkimit në magazinën e ambalazhit, paga ishte 370 lekë. E sëmurë me hipertension dhe një koleksion sëmundjesh, tentoi të kërkonte daljen në pension, por kjo sigurisht që nuk iu pranua. Ajo kishte bashkëshortin e djalin në burg, ndaj duhej të punonte aty ku s’i kishte shkuar ndonjëherë mendja. Puna tjetër pas saj ishte ajo në ndërtim, në përgatitjen e llaçit e betonit, e më pas hapja e kanaleve. Pas daljes në komisionin shëndetësor, mjekët i ndaluan punën në diell për shkak të hipertensionit, por Liries i duhej një punë, kështu duhej ta kërkonte. “Më caktuan pastruese. Si detyrë të parë kisha pastrimin e WC-ve, kutërbimi i të cilave helmonte gjithë vendin. Pa asnjë lëkundje u hyra atyre WC-ve. Nuk ishte çështje inati. A mund të veproje ndryshe kur ishe e detyruar të kaloje pjesën më të madhe të punës aty? Nga një njeri krejt i largët me to, mora një lëvdatë: “I paska kthyer ato fëlliqësira në dhoma të pastra”. Gjene mirë. Dekoratë nuk mund të më jepnin. Vazhdoja të pastroja WC-të, të vija kazanin jashtë e të laja çarçafët e shtëpisë së beqarëve të ndërtimit në ato ditë të ftohta dhjetori, kur më dhanë një zarf me një shkresë të firmosur nga drejtori. Në të shkruhej shkurtimi i vendit të punës”, - kujton me dhimbje Liri Lubonja. E pas punës si pastruese WC-sh, e caktuan në mbledhjen e sherebelës. Për shkak se ishte alergjike ndaj polenës, i duhej të bënte testin e alergjisë, e në bazë të tij, s’mund të punonte aty.


Përballja me Tiranën


Ishte shumë e vështirë për të të vinte në Tiranë pas kaq shumë vitesh. Gjërat kishin ndryshuar, kishin ndodhur shumë ngjarje që prej kohës, kur ajo e familja e saj jetonin të lumtur. “I zbrita trenit pa vështruar asnjeri. Në fakultetin e Shkencave, që ishte ndërtesa e parë që ndeshje sapo dilje nga stacioni, punonte një nga shoqet e mia më të ngushta, Semirami. Në asnjë mënyrë nuk desha të ndeshesha me të. Nuk doja të provoja prej saj atë kthimin e kokës, për të mos më parë siç ndodhte shpesh dhe me shumë të tjerë. Zhgënjimi, dhimbja e shoqes së humbur përgjithnjë, do të qe e madhe. A nuk e kisha provuar një herë në autobus me një shoqe tjetër? Kisha bërë me të 13 vjet shkollë në të njëjtën klasë: foshnjoren, filloren, të mesmen; në rininë komuniste kishim milituar në të njëjtën organizatë. Më pas, deri sa na larguan nga Tirana, takoheshim me dashuri. Atë ditë në autobus ajo u ngurtësua, ngriu. Ashtu zbriti”, shkruan Liri Lubonja në librin e saj. Në Tiranë, Olimbia, motra e Todit, ishte e vetmja që nuk ua mbylli derën deri sa ishte vetëm, pasi pas arrestimit të Todit, të shoqin ia burgosën, e përjashtuan nga partia dhe e dërguan në Laprakë. Kur ai u kthye nga Spaçi, ajo derë iu mbyll përgjithmonë dhe pas disa kohësh edhe Olimbia vdiq. Pas marrjes së raportit të dytë mjekësor, Lirinë e caktuan punëtore në repartin e riparimeve të thasëve. Pas ushtrisë, Gimi djali i vogël, nisi punë në kazëm.


Ridënimi


Në vitin 1979, familja Lubonja mori një goditje edhe më të fortë. “Nuk mund ta takoni se nuk është këtu, më shumë nuk di t’ju them”. Këto fjalë i thanë nënës, gruas dhe vajzës së Fatos Lubonjës në marsin e atij viti, kur shkuan në Spaç për takimin e radhës. Familja u terrorizua. Filluan të pyesin në Degën e Brendshme, po asnjë s’u kthente përgjigje. Edhe Todi nuk kishte marrë asnjë letër prej tij dy muajt e fundit. “Zana u kthye një mbrëmje vonë nga Dega e Brendshme dhe lëshoi si bombë përgjigjen që i kishin dhënë: “E kanë izoluar, do ta dënojnë përsëri:. Ne të mëdhenjtë u premë, kurse vajzat filluan të qajnë me të madhe”, - thotë e prekur Liri Lubonja. Filluan letrat e nënës së shkretë drejtuar ministrit Kadri Hazbiu, dikastereve, drejtorisë së kampeve-burgjeve, për djalin e saj, por asnjë përgjigje. Vuajtjet e frika e tyre, u zbutën më 5 qershor, ku të paktën morën një letër nga Fatosi. Të paktën ishte mirë. Më 11 qershor ato shkuan në Spaç për ta takuar. “Tek e pamë Fatosin t’i afrohej portës së madhe të hekurt, u tmerruam me pamjen e tij: ishte kthyer në kockë e lëkurë, me një bardhësi jo të zakonshme. Me gjak të ngrirë e drithërimë, prisja të fliste. Dhe ajo që na tha ishte një mandatë e vërtetë: E kishin dënuar edhe gjashtëmbëdhjetë vjet të tjerë. Mos e kisha dëgjuar gabim? Fatosi na tregoi se e kishin akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kundërrevolucionare, revizioniste e se e kishin ndarë përfundimisht nga ne. Rreth 20 të dënuar i kishin dalë dëshmitarë të rremë në burg. ا’mund t’i thoshim?”, - kujton gjithë dhimbje Liria.


Internimi


Më në fund punëve të lodhshme të nënës së Fatos Lubonjës, nga llaçi, në ngarkim-shkarkim e deri si pastruese WC-sh u erdhi fundi. Sigurimet shoqërore i njohën daljen në pension. I caktuan një pension minimal, po edhe pas letrave dërguar Adil اarçanit, s’mundi të merrte aq sa i takonte. Po atë vit, familjen e Fadil Paçramit e sollën nga Fushë-Arrëzi në Lezhë, dhe Zana, gruaja e Fatosit bashkë me dy vajzat u bashkuan me familjen. Liria duhej t’i gëzohej pensionit, por kjo jo dhe për shumë kohë. Më 22 dhjetor të vitit 1982, Avni Mullaj, punonjës i Degës së Brendshme të Lezhës, i deklaroi vendimin më të fundit të marrë nga komisioni i dëbim-internimeve; Familja Lubonja internohej në Fishtë. E po të njëjtin fat pati dhe familja e Fadil Paçramit. Në kampin e Fishtës ishte i zhveshur e i thatë. “Zana me vajzat dhe familja e Fadilit, kishin zbritur përpara nesh dhe i kishin sistemuar disi plaçkat. Mbasi shkarkuam edhe tonat, referenti i zbatimit të vendimeve penale që merrej me të internuarit pa dënime penale, na mblodhi për të na njohur me rregulloren. Sa pa filluar, Zana e pyeste me insistim: “Pse na prutë këtu, ç’kemi bërë?”. Edhe Todi, pas letrës së parë që i dërgova nga internimi, më shkruante: “Kërkoje arsyen e internimit”. Mirëpo ky më dukej harxhim i kotë i nervave dhe i letrës. As ne, e me siguri as referenti nuk e dinte se më 12 tetor Enver Hoxha, në një plenum të Komitetit Qendror kishte bërë “zbulimin” e madh: të gjithë grupet antiparti të dënuar në vitet ’70, ai i ideologjisë, i ushtrisë, i ekonomisë, kishin qenë degëzim i veprimtarisë armiqësore të drejtuar nga Mehmet Shehu. Nuk iu deshën veçse 10 ditë zellit të Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait, të na ngrinte leckat për në Fishtë”, - kujton Liri Lubonja. Dy herë në ditë, të gjithë të internuarit duhej të paraqiteshin te roja e magazinave dhe objekteve të sektorit, për t’iu bërë apelin. اështja e lejeve të qarkullimit u vështirësua jashtë mase, madje edhe për të shkuar te mjeku e dentisti duhej të merrje leje. Fatos Lubonja kishte dy vjet pa parë vajzat e të vëllain Gimin, ndaj kërkonte që ata të shkonin ta shihnin pa shumë shpenzime. Po çështja nuk ishte te paratë, ishte te lejet e qarkullimit. Në dhjetor të vitit 1982, Fatos Lubonja u transferua në Qafë-Bar. Pas tre muajsh, e rikthyen sërish në Spaç. I vetmi privilegj që kishte familja Lubonja, ishte banja brenda shtëpisë, ndërsa për të marrë ujë duhej të shkoje 300 metra larg. Gimi mundohej të zbardhte me gëlqere muret e nxira dhe të ndihmonte nënën e cila për të shpëlarë rrobat duhet të ecte gjatë e me peshë të rëndë në duar. E vetmja gjë pozitive për vajzat e vogla të fatosit ishte se kur filluan shkollën, mësuesit dhe nxënësit i pritën mirë. Në mes të vuajtjeve e fukarallëkut, Liri Lubonja bashkë me djalin e vogël Gimin, nisën të mbillnin perime para shtëpisë për të jetuar, e ndërkaq nëna kërkonte një punë; Ajo kishte dy vetë në burg për t’i çuar ushqime, ndërsa më të mëdha ishin shpenzimet në varavingot për të marrë leje qarkullimi. “”Të vetmin frut që blemë më 1984, një kilogram mollë, e pruri Linda nga Tirana dhe ne e ruajtëm për Todin. Ata herë-herë na sillnin edhe djathë. Kur mbeteshim pa dru e më pas pa sobë fare, Lida trokiste në mur, shenjë ftese që të shkoja të ngrohesha te ta”. Kështu i sjell ndër mend Liri Lubonja, vitet e vështira në kampin e internimit në Fishtë.


Shpresat...


“Të gjithë dikush në heshtje, një tjetër me zë të lartë, ushqenim shpresa. Veçanërisht me rastin e 40-të vjetorit të çlirimit kishim një dëshirë të madhe, të vetme: donim një amnisti që të kthente në shtëpi Todin dhe Fatosin. Më tej, as që na shkonte ndërmend të shpresonim. “ثndrrat” tona thurreshin për aty në Fishtë”, shkruan Liri Lubonja në librin e saj. Shumica e njerëzve në kamp i thoshin se Gimin mund ta largonin nga internimi në kuadër të amnistisë, ndërsa të tjerë thoshin se do ja hiqnin të dyve. E ndërsa njerëzit shpresonin në ndonjë falje, referenti u deklaroi urdhrin më të ri nga komisioni i dëbim-internimeve; Familjen Lubonja e dënuan edhe pesë vjet të tjerë në internim. “Me Todin u takuam për herë të parë mbasi kishte kaluar një vit që kishim shkuar në Fishtë, në dhjetor të vitit 1983. Leja tjetër na u dha mua dhe Gimit, pas 10 muajsh kur Todi kishte dalë nga spitali-burg i Tiranës. Ishte katandisur në pesëdhjetë e tetë kilogram. Nga analizat që i kishin bërë për gliceminë, kishte rezultuar i “shëruar” nga diabeti, ndaj mjekët endokrinologë i kishin hequr atë dietë minimale që u jepnin të dënuarve në burg”, kujton Liria ndërsa fill pas kësaj i dërgoi një letër Ramiz Alisë e Hekuran Isait për çështjen e dietës. Todit iu rikthye ushqimi dhe kjo ishte hera e parë që letra e Liri Lubonjës pati efekt. Në muajin nëntor të vitit 1985, Liria dhe Gimi pas 16 muajsh kërkesa mundën të marrin lejen për në Spaç.


Vdekja e Enverit


“Një motoçikletë u ngjit nga Baçeli e, kur kaloi përpara shtëpisë sonë, mori kthesën për në Fishtë. Nuk e kishim parë ndonjëherë. Nuk kaloi as gjysmë ore dhe ia mbërriti në portën e gardhit Boxhi. “Vdiq Enver Hoxha”, më tha. Mu duk si e pamundur, e pabesueshme. Dreqi e mori! Për fatkeqësinë tonë, na dukej se ai njeri qe bërë i pavdekshëm. Siç ndodh me perënditë. Në verandë, matanë teneqes, te Marku, ishin disa burra, midis tyre i plotfuqishmi i policisë, ndaj, pasi u ndava nga Boxhi, u ktheva ballë tyre serioze pa asnjë shprehje të veçantë në fytyrë. Hyra në dhomën e Gimit dhe instinktivisht bëra një gjest që qe i papritur, i pazakonshëm për mua vetë: u ula në gjunjë, shtriva duart grusht lart dhe pëshpërita në mënyrë që nga muret e “mprehtë” të mos kalonte gjë: “Gimi! Ngordhi, Ngordhi!” Gimi ishte në punë, por i vetmi me të cilin mund të ndaja gëzimin”, shprehet Liri Lubonja, duke vijuar se Ramizi me atë pardesy të zezë prej nga i dukej jaka e bardhë e këmishës dhe nga mënyra se si fliste, i la përshtypjen e një kleriku. “Nga vdekja e atij njeriu të urryer m’u desh të vuaja më shumë se ç’më takonte, sigurisht jo nga dhimbja për të, por sepse ato gjendje të gatishmërisë që ishin vënë, nuk më lejonin të shkoja në Lezhë për të diagnostikuar një temperaturë subfebrile, që më kishte filluar në muajin shkurt”, kujton Liria.


Torovica


Më 23 maj 1986, familja Lubonja u njoftua se do të transferohej në Torovicë. Pasi i shkroi dy letra Adil اarçanit meqenëse komisioni i dëbim-internimeve ishte pranë këshillit të ministrave dhe Ramiz Alisë, Liria bashkë me Gimin, Zanën, vajzat si dhe familjen e Fadil Paçramit, ngarkuar ato pak gjëra në një skodë dhe u nisën për në kampin e internimit në Malecaj. “Ndarjet ishin tek tullë, izolimet e kateve si të një burgu. Një shtëpi e madhe, shumë e madhe, e ndarë me panele. Edhe gropën e ujit, që ishte në fund të sheshit të kampit e kishim të përbashkët. Nuk qe më e madhe se sa një kazan i vogël rrobash. Ndërsa ti mbushje ujin për të pirë, një tjetër shpëlante apo lante rrobat. O zot, si ishin ato! Harrova, i përbashkët ishte edhe kanali ku derdheshin ujërat e zeza të kampit...”. Kështu e përshkruan Liri Lubonja në librin e saj, “Larg dhe mes njerëzve”, kampin e të internuarve në Malecaj. Veç halleve, punës së rëndë, kushteve të shpifura të jetesës, Todi dhe Liria kishin një merak të madh, Gimin. Që pas gjimnazit djali kishte nisur të punonte në kazëm dhe të provonte bashkë me të ëmën shijen e hidhur të internimit. Todi i cili ndodhej ende në burg kishte merak martesën e tij që në këto kushte ishte tejet e vështirë. Por mesa duket Gimi në Fishtë qe lidhur me Dila, një vajzë që rridhte nga një familje komunistësh, por vajza e guximshme braktisi gjithçka dhe erdhi në Malecaj ku u martua me Gimin. Pasojat i vuajti çifti deri më 1991, ku vetëm atëherë Dila mundi të bëjë pasaportizimin, pa të cilin s’mund të fillonte punë. Në kushte të vështira ekonomike, me një pension që më shumë shkonte për Todin e Fatosin, dhe me rrogën e pakët të Gimit, tashmë i martuar, ky i fundit vendosi të blejë një derr të cilin po ta rrisnin e ta shëndoshnin mund të merrnin shumë mish. Por pikërisht në atë kohë doli një urdhëresë për heqjen e derrave dhe, ai që sapo blenë e që kushtoi sa pensioni i një muaji, u ther.


Lirimi i Todit


Më 7 qershor 1987, pas 13 vjet burgu në Burrel, Todi Lubonja u bashkua me familjen e tij. “Nuk shtyhej koha, minutat, orët, sepse vazhdonte të na mundonte pyetja: “Vërtet do ta lironin?” Këtë pyetje secili e mbante për vete. Kishte kaluar ora 12, ku një zuk kaloi “kolovajzën’ e u drejtua në hyrjen tonë. Lamë dritaren e me vrap zbritëm shkallët. Nga “pallati” tjetër po nxitonte Teti, Ana, Zana; pas tyre Violeta e Fadilit dhe Agimi i saj. Një takim me emocione që rrallë përjetohet. Mbas 13-të vitesh të gjatë, Todi ishte përsëri në shtëpi midis nesh. Një letër shumë e bukur kishte ardhur nga Fatosi, plot ndjenjë e dashuri, ku shprehte gëzimin e kthimit të babait në shtëpi. A mund të lexohej apo të dëgjohej ajo pa derdhur lot? I derdhëm ata pa u turpëruar”, kujton Liri Lubonja. Një tjetër gëzim mbushi familjen e tyre, lindja e djalit të parë të Gimit, të cilin e quajtën Eldorado. Më 1989 lindi dhe fëmija i dytë i Gimit. Pas vitesh të vështira, më 1989 erdhën familje të tjera për të internuarit dhe më në fund u lirua nga pesha e internimit Zana me vajzat dhe Violeta, gruaja e Fadil Paçramit. Më 15 gusht të po atij viti, edhe Liria e Gimi, morën faljen e internimit. “Era të mira po frynin. Nuk mund të them se nuk kisha shpresuar, por gjatë atyre 18 viteve kisha bërë timen fjalën e urtë: “I lumtur është ai që nuk shpreson në asgjë, sepse nuk zhgënjehet asnjëherë”. Megjithatë, ngjarjet u rrokullisën shpejt. Kur u nisëm për Tiranë, më dukej e pabesueshme se ai ishte një udhëtim pa kthim në atë vend. Kishim lënë shumë gjëra në 13 vite... Sa shumë kisha mësuar në trembëdhjetë vite nga e keqja, e egra, çnjerëzorja, por dhe nga e mira, njerëzorja, e ndershmja!”. Kështu mbyllet rrëfimi i gjatë e i dhimbshëm i Liri Lubonjës, gruas që vuajti gjatë në kampet e internimit, por që më shumë vuajti burgosjen e bashkëshortit e djalit të saj të sapo laureuar, me një akuzë të rreme.


Balkanweb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top