Ish-diktatori i Libisë, koloneli Muammar Gaddafi, është konfirmuar i vdekur nga burime zyrtare, disa orë pas përhapjes së zërave të parë për këtë ngjarje.
Njeriu që drejtoi vendin e Afrikës Veriore për më shumë se 40 vjet nëpërmjet një regjimi autoritar dhe ushtarak, mbeti i vrarë në betejën për marrjen e Sirtes, qyteti i fundit i cili kishte mbetur ende në duart e besnikëve të diktatorit.
Ministri i Informacionit i qeverisë së përkohshme, Mahmoud Shammam, deklaroi se luftëtarët e ushtrisë rebele kanë mundur të identifikojnë trupin e pajetë të kolonelit. Ndërkohë, festimet kanë nisur të zhurshme në pjesë të tjera të vendit.
Fillimisht u raportua nga mediat ndërkombëtare se koloneli ishte plagosur në këmbë, por më tej u njoftua se Gaddafi ndërroi jetë ndërsa po transportohej me ambulancë.
Në Spitalin e Misurata-s, ish-dikatori mbërriti i vdekur. Koloneli u kap ndërsa po tentonte që të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte. Por një sulm i NATO-s i mbështetur edhe nga rebelët, plagosi Geddafi-n.
“Ai u kap, u plagos në kokë dhe në të dyja këmbët dhe është marrë nga një ambulancë”, deklaroi fillimisht për agjencinë e lajmeve “Reuters” anëtari i KKT-së, Abdel Majid.
Sipas këtij burimi, pati një shkëmbim të ashpër zjarri mes rebelëve dhe grupit mbrojtës të kolonelit para se ky të kapej, në vendlindjen e tij, Sirte.
Ndërsa një ushtar që thotë se e kapi personalisht liderin e rrëzuar ka deklaruar për BBC se në momentin e arrestimit Gaddafi bërtiti: “Mos qëlloni”.
Gaddafi, i cili ka qeverisur Libinë prej vitit 1969, u rrëzua nga pushteti pas protestave që nisën në vend në muajin shkurt.
Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kërkoi arrestimin e tij, nën akuzën për krime kundër njerëzimit, të kryer ndaj popullsisë libiane.
Ndonëse reporterët e mediave ndërkombëtare nuk kanë mbërritur ende në Sirte dhe lajmi nuk është konfirmuar prej tyre, deklarata e Shammam përbën burimin e parë zyrtar që konfirmon ngjarjen.
Burimi: TCH