Letra e Derguar tek Sekretari C. Powell nga Koalicioni i Organizatave Shqiptaro-USA

Bilderberg

Anëtar i ri
Koalicioni i Organizatave Shqiptaro-Amerikane
C/O 2021 L Street, N.W., Suite 402, Washington, DC 20036

Letra e Derguar tek Sekretari Colin Powell nga Koalicioni i Organizatave Shqiptaro- Amerikane

Uashington, 10 Janar, 2003 : Me nismën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKSHA/NAAC) dhe Fondacionit të Trashëgimisë Shqiptare (FTSH), shumica dërrmuese e organizatave të komunitetit shqiptaro-amerikan kontribuan, nënshkruan dhe i dërguan letrën e mëposhtme
Sekretarit të Shtetit Colin Powell,
Këshilltares së Presidentit Amerikan për Sigurimin
Kombëtar znj. Condoleeza Rice,
Kryetarit të Komitetit mbi Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan,
Senatorit Richard Lugar,
Kryetarit të Komitetit mbi Marrëdheniet Ndërkombëtare të Kongresit Amerikan,
Kongresmenit Henry Hyde, si dhe Kryetarit të Komitetit për اështjet Shqiptare,
Kongresmenit Eliot Engel.

Ju lutem vëreni se bashkangjitur me këtë deklaratë ndodhet dhe
një kopje në gjuhën angleze. Teksti i plotë i letrës vijon si më poshtë:

9 Janar, 2003

I Nderuari Colin Powell
Sekretar Shtetit Amerikan
Departamenti i Shtetit Amerikan
2201 C Street, NW
Washington, DC 20520

I nderuari Sekretari Powell,

Ne të nënshkruarit, si shqiptaro-amerikanë dhe si anëtarë të organizatave qytetare, fetare, kulturore dhe humanitare shqiptare, po ju shkruajmë këtë letër për të protestuar me tonet më të forta të mundshme miratimin dhe përkrahjen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit për vizitën që bëri kohët e fundit në Shqipëri Nikolas Gejxh –i njohur gjithashtu si Nikos Gaxojanis.

Nikolas Gejxh është një kundërshtar tepër i njohur i interesave shqiptare në Ballkan. Eshtë fakt i njohur publikisht se Federata Panepiriote e Amerikës, Kanadasë dhe Australisë, organizata që përfaqëson z. Gejxh, i referohet Shqipërisë Jugore si “Epiri Verior” dhe e konsideron atë të pushtuar nga Shqipëria. Ky është një provokim i hapur dhe një mohim i drejtpërdrejtë i sovranitetit të Shqipërisë.
Nikolas Gejxh (i) qëllimisht dhe publikisht fallsifikon numrin e popullsisë së minoritetit grek në Shqipëri duke e ekzagjeruar atë deri në 30 për qind të popullsisë tre-milionëshe të Shqipërisë, krahasuar me numrin zyrtar prej 58.000 vetëve, perafersisht 2%; (ii) i portretizon të gjithë shqiptarët e besimit fetar ortodoks në Shqipëri si grekë, duke ofenduar kështu Kishën Ortodokse Shqiptare dhe pasuesit e saj kudo nëpër botë; dhe (iii) në përpjekje për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë ka ndërmarrë fushata agresive në Washington dhe gjetkë, duke shpifur për gjoja mungesën e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.
Këto pretendime pa bazë janë në konflikt të drejtpërdrejtë me
përfundimet dhe vlerësimet pozitive që kanë nxjerrë Departamenti Amerikan i Shtetit, Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Faktet tregojnë se minoriteti grek në Shqipëri bashkëjeton me shqiptarët dhe ka një sërë organesh shtypi që komunikojnë dhe publikojnë informacione vetëm në greqisht; në zonat minoritare raporti mësues/nxënës për klasë është tri herë më i lartë sesa ai
i vetë shqiptarëve në një sistem arsimor që mundëson shkollimin në gjuhën greke që nga shkolla fillore deri në universitet; dhe, për më tepër, minoriteti grek në Shqipëri ka një përfaqësim të lartë dhe në përpjestim të zhdrejtë në qeverinë e Shqipërisë.

Gejxh gjithashtu kundërshtoi publikisht ndërhyrjen e SHBA-së/ dhe NATO-s në Kosovë ndërkohë që mijëra qytetarë të pafajshëm të Kosovës po masakroheshin, duke përfshirë edhe qytetarë amerikanë me prejardhje shqiptare.
Përveç kësaj, jo më larg se 22 maji 2001, ai deklaroi në gazetën e njohur “Washington Post” se mijëra grekë në Shqipëri duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë si rreth 2 milionë shqiptarët e Kosovës, duke nënkuptuar qartë se kur Kosova të fitojë pavarësinë, edhe Shqipëria Jugore duhet të shkëputet dhe të ndjekë të njëjtën rrugë. Këto qëndrime i shërbejnë vetëm rritjes së tensionit dhe kërcënojnë progresin e bërë në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, ndërkohë që pengojnë edhe stabilitetin e
përgjithshëm në Ballkan, një zonë ku SHBA-ja ka bërë investime strategjike të mëdha, përfshirë këtu burimet e tyre njerëzore, politike, financiare dhe ushtarake.

Ne jemi thellësisht të zemëruar që gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ndërsa pritej në nivel zyrtar nga Ambasada amerikane në Tiranë, z. Gejxh (i) ripërsëriti të gjitha pikëpamjet e mësipërme, duke përfshirë fabrikimet në lidhje me numrin e minoritetit grek dhe analogjinë e situatës së tyre me atë të shqiptarëve të Kosovës; (ii) zhvleftësoi kërkesat dhe gjendjen e vështirë të qindra-mijëra shqiptarëve me qëndrim në Greqi, të cilët i nënshtrohen mënyrës greke të spastrimit etnik të njohur si Helenizim dhe, për më tepër
(iii) pati guximin t’i cilësonte të gjithë shqiptarët e اamërisë që jetonin në Greqi si bashkëpunëtorë të nazistëve. Sikurse nënvizohej në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 2001, teza e z. Gejxh jo vetëm që është një fabrikim krejt i hapur por është gjithashtu një krim politik dhe historik kundër çamëve; është fakt se shumë shqiptarë të اamërisë dhanë jetën gjatë përpjekjeve për çlirimin e Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Karakterizimi dashakeq i çamëve si bashkëpunëtorë të
nazistëve është veçanërisht tronditës kur merr parasysh faktin se shqiptarët dhe Shqipëria shpëtoi 100 për qind të hebrenjve që kërkuan shpëtim nga persekutimi nazist në Greqi (ose në vende të tjera të Ballkanit), ndërkohë që, sipas Harvey Sarner-it, autor i “Shpëtim në Shqipëri”, një libër që tregon se si shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë, nga rreth 72.000 hebrenj që jetonin në Greqi para fillimit të luftës, 60.000, plot 83 për qind e komunitetit hebre u bë viktimë e Holokaustit. Gjithashtu, z. Gejxh lehtësisht “harron” se, sikurse është përshkruar në fjalët e Xhozef Xhejkobs-it, kryetar i Misionit të SHBA-së në Shqipëri gjatë viteve 1945-1946, vetëm “në vjeshtën e vitit 1944 dhe gjatë muajve të parë të 1945
autoritetet [greke] në Greqinë Veriperëndimore kryen masakra çnjerëzore duke dëbuar rreth 25.000 çamë [shqiptarë] – rezidentë të اamërisë – nga shtëpitë e tyre” dhe duke vrarë më shumë se 5.000 burra, gra dhe fëmijë në një perpjekje të dukshme për të krijuar një zonë kufitare me Shqipërinë krejtësisht të pastër etnikisht.
Këto ngjarje shënuan kulmin e përpjekjeve për gjenocid dhe spastrim etnik të ultranacionalistëve greke të nisura qysh
më 1913. Deri në vitin 1945, nacionalistët grekë spastruan nga kjo zonë shqiptarët etnikë të fesë myslimane dhe ua morrën atyre të gjitha pronat, vlefta e të cilave me çmimet aktuale të tregut shkon në më shumë se 2.5 miliardë dollarë amerikanë. Dhjetëra-mijëra çamë shqiptarë kanë jetuar në mërgim qysh atëherë.
Ndaj, ne dëshirojmë t’i kujtojmë z. Gejxh, sikurse dhe
atyre që e përkrahin apo kanë të njëjtat pikëpamje me të, se me gjithë manipulimet, Gejxh nuk mund ta përdorë historinë si një justifikim për planet e tij destabilizuese.

Si amerikanë dhe si përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, ne jemi tepër të zhgënjyer dhe të shqetësuar nga fakti që gjatë vizitës së tij në Tiranë z.. Gejxh u prit dhe u shoqërua publikisht nga ambasadori Xhejms Xhefri. Në përpjekje për të justifikuar pritjen madhështore për Gejxh, pas vizitësë tij , përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit në SHBA dhe Tiranë kanë deklaruar se vizita e z. Gejxh dhe mbështetja e saj ishte e
domosdoshme në mënyrë që të nxitej dialogu dhe të bëhej e mundur që z. Gejxh të kishte “ditën e takimit” me autoriteteve shqiptare. Komuniteti shqiptaro-amerikan përkrah fuqimisht dialogun për respektimin e të drejtat të minoritetit, të marëdhënieve miqësore me vendet fqinje, si dhe integrimin
e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike dhe zhvillimin ekonomik të saj.
Në fakt, dialogu me forumet e duhura si institucionet Euro-Atlantike,
institucionet e të drejtave të njeriut dhe qeveritë fqinje ka qenë një pjesë e rëndësishme e zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Sidoqoftë, ne nuk e kuptojmë se çfarë lloj dialogu po përpiqet të nxisë Departamenti Amerikan i Shtetit dhe në përfitim të kujt është ky dialog kur dihet se z. Gejxh është një qytetar privat me një qëndrim të dokumentuar si një prej armiqve më të flaktë të interesave shqiptare, dhe, për më tepër, me sa dimë nuk
përfaqëson as qeverinë greke dhe as atë amerikane.

Ne jemi të sigurtë se Departamenti Amerikan i Shtetit është në dijeni se, për arsye historike të vjetra dhe të reja, shqiptarët i shohin amerikanët si miqtë e tyre të besuar. Cdo gjë që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, perceptohet nga publiku shqiptar si diçka e vlefshme për t’i kushtuar vëmendje dhe për ta përkrahur.

Ndaj, duke e pritur dhe shoqëruar publikisht Nikolas Gejxhin Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Departamenti
Amerikan i Shtetit, me qëllim apo pa qëllim, kanë mbështetur heshturazi pikëpamjet e tij dhe në këtë mënyrë kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe shqiptaro-amerikanëve. Ne besojmë se si shqiptaro-amerikanë kemi të drejtë të kërkojmë që Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë të punojnë për të çuar përpara principet demokratike dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, në vend që të bëhen ndërmjetësues të interesave të individëve me plane shoviniste.

Heshtja e Departamentit Amerikan të Shtetit para vizitës së z. Gejxh, sikurse dhe ngjarjet gjatë vizitës së tij kanë demonstruar se ka një hendek në komunikim dhe perceptim ndërmjet përfaqësuesve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe qytetarëve amerikanë me prejardhje shqiptare. ثshtë evidentuar qartë përmes fjalësh dhe veprash se miqtë më të mirë dhe të vërtetë të Amerikës në Evropë, dhe ndoshta në botë, janë shqiptarët.
Prandaj, ne besojmë se ka ardhur koha për të bërë përpjekje të përbashkëta për të ndërtuar një marrëdhënie cilësisht të ndryshme mes komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Departamentit Amerikan të Shtetit. Ne kërkojmë që hapi i parë në drejtim të kapërcimit të këtij hendeku është bërja publike nga Departamenti Amerikan i Shtetit e natyrës dhe agjendës së takimeve të z. Gejxh në Shqipëri, si dhe një shpjegim publik se si kanë përparuar interesat
shqiptare dhe amerikane nga përkrahja e një “dialogu” me z. Gejxh, një individ pikëpamjet e të cilit mbi rajonin nxisin vetëm zjarre dhe tensione etnike.

Pavarësisht nga më lart, Departamenti Amerikan i Shtetit duhet të shërbejë si ndërmjetësues për një dialog të vërtetë mbi të drejtat e minoriteteve dhe çështjeve të tjera në Ballkan. Përsa i përket Greqisë, ne e nxisim Departamentin Amerikan të Shtetit që të ushtrojë trysni ndaj qeverisë greke në mënyre që ajo të njohë të gjitha minoritetet etnike brenda territorit të saj, duke përfshirë më shumë se 40.000 çamë shqiptarë të besimit fetar ortodoks dhe t’u japë atyre të njëjtat të drejta, që ka numri përafërsisht i
njëjtë i minoritetit grek në Shqipëri. Sikurse dëshmohet qartë nga
organizatat greke dhe shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, politika e mosnjohjes së minoriteteve që ndiqet nga Greqia nuk mund të lejohet më tej. Gjithashtu, më shumë dialog nevojitet për të adresuar ankesat e qindra mijëra mërgimtarëve shqiptarë me banim në Greqi, të cilët
po i nënshtrohen mënyrave të ndryshme të “Helenizimit” sikurse dhe diskriminimit social dhe institucional. Për më tepër, ne nxisim
Departamentin Amerikan të Shtetit, që të bëjë ç’është e mundur për t’u dhënë njëherë e mirë një zgjidhje të drejtë të çështjeve të pronësisë dhe atyre ligjore të çamëve shqiptarë, duke përfshire dhe të drejtën e riatdhesimit dhe marrjen e nënshtetësisë greke. Së fundmi, e një rëndësie të veçantë dhe si një hap plotësues dhe paraprak për të arritur zgjidhjen e këtyre çështjeve, ne i kërkojmë Departamentit të Shtetit Amerikan që të ushtrojë trysni ndaj qeverisë greke që të abrogojë Statusin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë që daton që në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga
Italia në vitin 1940.
Përmes mbajtjes në fuqi të Statusit të Ligjit të Luftës me Shqipërinë mëse 60 vjet më vonë, ndërkohë kur në të njëjtën kohë ka firmosur një Marrëveshje Miqësie me të, Greqia jo vetëm që ka krijuar një
situatë absurde, por po shkel haptazi Deklaratën e OKB-së, e cila u kërkon “të gjithë anëtarëve që të përmbahen ....nga kërcënimi apo përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësinë politikë të çdo shteti…”, si edhe dhe norma të tjera të së Drejtës Ndërkombëtare.

Së fundi, një përmirësim themelor në kanalet e komunikimit dhe përpjekjeve të bashkëpunimit ndërmjet qeverisë së SHBA-së dhe komunitetit shqiptaro-amerikan është i domosdoshëm për një varg çështjesh të tjera shqiptare në rajon. Qysh prej rrëzimit të komunizmit, Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm drejtë themelimit të një demokracie dhe ekonomisë së tregut.

Mirëpo, siç evidentohet nga një sërë raportesh, progresi i
Shqipërisë, zhvillimi ekonomik dhe integrimi i saj në institucionet
Euro-Atlantike është penguar nga korrupsioni i nivelit të lartë, nga
mungesa e transparencës politike, nga reforma elektorale joefikase si dhe rezultate të ulëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të njerëzve. Në Kosovë, ndërkohë që është i dukshëm një zhvillim i madh, vonesat në zgjidhjen e statusit të pavarur përfundimtar të saj po pengojnë investimet dhe zhvillimin ekonomik sikurse dhe po krijojnë një mjedis pjellor për destabilizim. Për më tepër, me gjithë stabilitetin relativ në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, autoritetet maqedonase duhet të bëjnë shumë më tepër që të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila u arrit me
ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar dhe ka mbështetjen e SHBA-së, si edhe për të njohur e pranuar shqiptarët si qytetarë të barabartë e të respektuar maqedonas .
Në përfundim, shumë më tepër mund të bëhet për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe atyre në Luginën e Preshevës në
Serbinë Jugore. Komuniteti shqiptaro-amerikan është i gatshëm të ofrojë ekspertizën, njohuritë, eksperiencën dhe kontaktet e tij në rajon në mënyrë që të punohet drejt zgjidhjes së këtyre çështjeve dhe arritjes së një stabiliteti të qëndrueshëm e të vërtetë në Ballkan.

Shqiptarët e konsiderojnë ShBA-në si miken e tyre më të mirë. Në një kohë kur vendi ynë është i angazhuar në luftën kundër terrorizmit global, në një kohë kur shumë vënde kanë shfaqur ndjenjat e tyre të sinqerta ose të shtirura ndaj Shteteve të Bashkuara, miqësitë e vërteta si ajo që shqiptarët u ofrojnë amerikanëve, nuk duhet të neglizhohen apo harrohen. Le të
nxjerrim mësime nga situata e keqe e krijuar nga vizita z. Gejxh kohët e fundit dhe le të na shërbejnë mësimet e nxjerra prej saj si një gur themeli për ndërtimin e një partneriteti të vërtetë për përparimin e interesave të përbashkëta amerikane dhe shqiptare.



Një letër e ngjashme i është dërguar edhe Këshilltares së Presidentit
Amerikan për Sigurimin Kombëtar, znj. Condoleeza Rice, Kryetarit të
Komitetit mbi Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit Amerikan, Senatorit Richard Lugar, Kryetarit të Komitetit mbi Marrëdheniet Ndërkombëtare të Kongresit Amerikan, Kongresmenit Henry Hyde, si dhe Kryetarit të Komitetit për اështjet Shqiptare, Kongresmenit Eliot Engel.

Me respekt e neshkruar nga,


Ana e Malit - Xheladin Zeneli, President
Federata Pan-Shqiptare “VATRA” – Agim Karagjozi, Kryetar
Fondacioni i Dedë Gjo Lulit – Prelë Sinishtaj, Kryetar
Fondacioni i Plavës dhe Gucisë – Xhevat Kukaj, President
Fondacioni i Shoqërise Shqiptaro-Amerikane – Esad Rizai, President
Fondacioni i Trashëgimisë Shqiptare – Geri Kokalari, President
Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan – Cafo Boga, President
Fondi Humanitar Malësia – Gjon Ivezaj, President
Forumi Shqiptar – Ilirjan Papa, Drejtor
Gazeta Illyria – Ekrem Bardha, Publicist
Grupi i Mediave Shqiptare – Vera Mjeku, President
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan – Richard Lukaj, Kryetar
Kisha Shqiptare Katolike e Shën Palit – At Anton Kqira
Komuniteti Shqiptaro-Amerikan i Illinois – Ilaz Kadriu, President
Lidhja Demokratike e Kosovës në SHBA – Agim Rexhaj, President
Lidhja e Prizrenit - Ismet Berisha, President
Miqtë e Trupave Mbrojtëse të Kosoves – Shefki Mexhuani, Kryetar
Qendra Shqiptare e Nju Jorkut – Drita Kokalari, Presidente
Rrjeti i Informacionit Frosina – Van Christo, Pronar dhe Drejtor
Shoqata Atlantiku – Arbër Muriqi, Përfaqësuesi Kryesor
Shoqata e Pejës – Agim Cavdërbasha, Kryetar
Shoqata e të Drejtave të Njeriut "اamëria"
Shoqata Patriotike e Dibres – Lavdrim Cami, President
Shpirti i Shqiptarit – Ilirjan Papa, Pronar dhe Drejtor
 
Shume shkrimi i qendisur bukur, Shpresoj qe te merret ne konsiderate.
Me falni nje dalje nga tema, por ky drejtori i forumit shqiptar, pse me kujtohet nje antishqiptar i perbetuar mua, po aq sa i "famshmi" Nikos Gaxojanis...!!!
 
Shume shkrimi i qendisur bukur, Shpresoj qe te merret ne konsiderate.
Me falni nje dalje nga tema, por ky drejtori i forumit shqiptar, pse me kujtohet nje antishqiptar i perbetuar mua, po aq sa i "famshmi" Nikos Gaxojanis...!!!

ahahahahah nostra,i paska dale era dhe jashte forumit te tij,bobo!
cdo gje mesohet me kohe,asnje gje nuk mbahet perhere e fshehte.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top