Titulli: Lazarat, vritet në aksion efektivi i RENEA
Kush ishte ish-komandoja që ra dëshmor si special i RENEA-s
Misionet në Afganistan, miqësia me dëshmorin Feti Vogli dhe besimi tek feja islame
Ibrahim Basha, efektivi i RENEA-s i mbetur i vrarë me plumb në kokë mëngjesin e 24 qershorit 2015 në Lazarat kishte një vit që ishte inkuadruar në forcat e RENEA. Për 7 vjet ka qenë në shërbime të ndryshme jashtë Shqipërisë si ushtarak, duke u bërë dhe pjesë forcave ushtarake Eagle në Afganistan. Efektivi i forcave RENEA Ibrahim Basha humbi jetën mëngjesin e 24 qershorit në Lazarat, në krye të detyrës. 31-vjeçari Basha jetonte në Tiranë. Ai ka qenë pjesë e Batalionit Special të Ushtrisë, ku ka marrë pjesë në disa misione në Afganistan. Ndërsa prej 6 muajsh është bashkuar me forcat Speciale RENEA.
Basha, 31-vjeçar, është diplomuar në Universitetin Bujqësor të Kamzës, ndërsa ka qenë për shtatë vite me radhë si pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Siç theksoi edhe Ambasada e SHBA-së në njoftimin e saj, ai ka qenë pjesë dhe e misionit paqeruajtës në Afganistan, bashkë me “Dëshmorin e Atdheut”, Feti Voglin, i cili humbi jetën në shkurt 2012, gjatë misionit, për të cilin 31-vjeçari atë kohë postoi edhe ngushëllime në rrjetin social.
Të afërmit shpjeguan se për 5 vite me radhë, Ibrahimi ka marrë pjesë në disa misione paqeruajtëse në kuadër të operacioneve të NATO-s. Më pas ishte shkëputur nga forcat Komando dhe kishte aplikuar në Policinë e Shtetit, reparti RENEA. Në rrjetin social, faqja e tij personale Facebook, gjen fotografi të ndryshme, nga ato familjare, tek statuset dhe deri tek një përkujtim në ceremoninë e mikut të tij dëshmor, Vogli, pa e ditur se një ditë do të binte edhe vetë dëshmor, por në radhët e Policisë.
Mesazhi i fundit që i ndjeri Ibrahim Basha ka ndarë më shoqërinë e tij në “Facebook”, ishte një urim për nisjen e muajit të Ramazanit. Më 18 qershor, ditën kur nisi dhe agjërimi, efektivi i RENEA-s, uroi besimtarët myslimanë një agjërim të lehtë dhe të mbarë. “Mirëmbrëma të gjithëve miq, shoqëri dhe dashamirës! Ju uroj agjërim të lehtë dhe të mbarë. Allahu ua lehtësoftë dhe ua pranoftë agjërimin…”, shkruante Ibrahim Basha.
Teksa bëhen përgatitjet për ceremoninë mortore për specialin e vrarë në krye të detyrës, Ibrahim Basha, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit po përgatisin gjithçka në nderim të tij si një dëshmor që ra në mbrojtje të ligjit dhe vendit. Pritet që t’i propozohet Qeverisë edhe shpallja e tij si Dëshmor i Atdheut dhe të propozohet një status i veçantë për familjen e tij sipas procedurave që parashikon ligji. Ministria do të njoftojë më tej për homazhet dhe ceremoninë që do të mbahet.
b.tiranaobserver