Konsulli Amerikan Joseph Haven, që shpëtoi Shqipërinë nga ndarja e dytë.

Bilderberg

Anëtar i ri
Konsulli Amerikan Joseph Haven, që shpëtoi Shqipërinë nga ndarja e dytë.
princvidi.gif

Për konsullin amerikan Joseph Haven, populli shqiptar nuk ka as më të voglën ide se cili ka qenë dhe çfarë roli ka lozur në prishjen e planeve shoviniste greke, në pretendimet e silogjeve greke deri në Konferencën e Paqes në Paris. Jemi përpjekur të mësonim për biografinë e këtij diplomati amerikan dhe për të mësuar pak gjëra dhe vetëm në lëmin e karrierës së tij diplomatike.

Kështu mësojmë se si konsull amerikan në Evropë e ka nisur karrierën e tij në vitin 1914, në qytetin Roubaix, mbas dy viteve shërbim atje, transferohet si konsull në Katania të Siçilisë, ku shërbeu vetëm një vit, sepse në fillim të vitit 1917 e gjejmë konsull në Torino. Në Torino punoi deri në fund të janarit të vitit 1919. Asokohe në Paris kishte muaj që po zhvillonte punimet Konferenca e Paqes. Në atë konferencë morën pjesë delegacionet e të gjitha shteteve që morën pjesë në Luftën I Botërore. Midis tyre edhe Greqia me Jugosllavinë e sapokrijuar, të cilat konsideroheshin shtete që kishin fituar luftën. Pretendimet e tyre tokësore në kurriz të tokave shqiptare ishin jashtëzakonisht të mëdha. Ishin harruar plotësisht vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Delegacioni i SHBA-së në Konferencën e Paqes, i kryesuar nga president W.Willsoni, për të pasur një ide të qartë mbi Shqipërinë, problemet shqiptaro-greke dhe shqiptaro-jugosllave, në fillim të shkurtit të vitit 1919 emëroi konsullin amerikan të Torinos, Joseph Haven, si konsull në Vlorë duke pasur kështu mundësinë e vëzhgimeve të nevojshme drejtpërsëdrejti në Shqipëri. Konsulli J.Haven me të ardhur në Romë, filloi informacionet e nevojshme paraprake. Ai ishte vënë në kontakt me misionarin amerikan Telford Erickson, i cili ishte një mik i madh i shqiptarëve dhe që vite më parë kishte qenë drejtor i shkollave amerikane në Korçë dhe në Elbasan.

Asokohe ai ishte ngarkuar nga kolonitë shqiptare të SHBA-së të mbronte të drejtat e Shqipërisë në Konferencën e Paqes. Misionari amerikan e takoi konsullin me Mehmed Konicën, ministër i Jashtëm dhe me Turhan Pashë Përmetin, Kryeministër, të cilët ngarkuan Tefik Mborjen, asokohe sekretar i Këshillit të Ministrave, ta shoqëronte konsullin amerikan nëpër Shqipëri. Gjatë udhëtimit nga Brindizi për në Vlorë, me një torpedinier italian, Tefik Mborja i shpjegoi me hollësi konsullit Haven Shqipërinë etnike, atë shoqërore, politike, ekonomike si edhe aspiratat greko-jugosllave-italiane mbi territoret shqiptare. Konsulli amerikan, pak i informuar për Shqipërinë, i dëgjoi me shumë vëmendje, madje ai i dëgjoi edhe me shumë dashamirësi. Kur ata mbërritën në Vlorë, në port i priste një kolonel italian, i cili i uroi mirëseardhjen në emër të gjeneral Piacentinit dhe i tregoi atij se komanda ushtarake i kishte vënë në dispozicion një kapiten si edhe një vilë të vogël. Konsulli qëndroi disa ditë në Vlorë. Tefik Mborja fshehurazi nga italianet e vë konsullin amerikan në kontakt me shumë atdhetarë vlonjatë me në krye Qazim Kokoshin. Atdhetarët vlonjatë në shtëpinë e Ali Asllanit organizuan një mbasdite çaji për nder të tij, ku morën pjesë edhe bashkëshortet e atdhetarëve. “Konsulli mbeti shumë i kënaqur, - shkruan në kujtimet e tija Sejfi Vllamasi - sepse jo vetëm burrat, por edhe gratë e tyre bisedonin lirisht me konsullin në gjuhë italisht. Si burrat po ashtu edhe gratë i dhanë të kuptonte konsullit se Vlora me rrethinat e saj do të mbrohej me gjak dhe kurrë nuk do t’a pranojë dominacionin italian”.

Mbi këtë pikë me sugjerimin e Tefik Mborjes, konsullit amerikan iu dorëzua një memorandum i nënshkruar nga shumica e parisë së Vlorës dhe nga kryepleqtë e fshatrave. Qazim Kokoshi dhe Tefik Mborja çuan në këmbë gjithë popullin e Vlorës dhe për ta bindur konsullin Haven se vlonjatët kishin plotësisht të drejtë dhe, në qoftë se italianët nuk do të heqin dorë nga pretendimet e tyre, lufta do të ishte e paevitueshme. Asokohe autoritetet italiane thoshin se «populli shqiptar ka të drejtë të jetojë i lirë e i pavarur, por për disa kohë duhet të vihet nën mandatën e Italisë». Mbas Vlorës konsulli Haven niset për në Gjirokastër dhe Korçë. Para nisjes Tefik Mborja u dërgoi letra konfidenciale të gjithë atdhetarëve që ai i njihte mirë, ku i porosiste që konsullin amerikan ta prisnin me demonstrata e mitingje të organizuara mirë dhe kur ata do të viheshin në kontakt me të, t’i dorëzonin atij memorandume për çështjet kombëtare.

Në Tepelenë, sado që ajo nënprefekturë ishte shume e vogël, me iniciativën e nënprefektit, Qazim Koculit, u mblodhën gjithë fshatarët e zonës të veshur me kostume kombëtare, duke folur dhe protestuar për çështjen kombëtare, edhe duke shfaqur edhe simpatinë e tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjirokastër, kryetari i baskisë, Javer Hurshiti, në bashkërendim me atdhetarët e tjerë, i bënë konsullit një pritje të jashtëzakonshme, me demonstrata simpatie shumë të nxehta për Amerikën. Konsulli mbeti shumë i kënaqur nga kjo pritje. Ai priti edhe një delegacion atdhetarësh, i cili në emër të popullit të Gjirokastrës iu lut t’ia transmetonte Presidentit W.Willson që edhe shqiptarët kanë dëshirë të zjarrtë të jetonin edhe ata të lirë e të pavarur.

Ky delegacion i dhuroi Presidentit Willson dhe vet konsullit peshqeshe me shumë vlera artistike, si kostume kombëtare dhe punime ari e argjendi, të cilat ai i priti me shumë kënaqësi. Në këtë delegacion rol të rëndësishëm kanë lozur atdhetarët Thoma Papapano dhe Jorgji Meksi. Ndërkohë me konsullin kërkuan të takoheshin disa të krishterë të tjerë filogrekë si Lame Karecoja, Efthim Cakoja, av. Dhimoja. Në emër të këtij delegacioni foli Lame Karecoja i cili tha: “Dëshira e pjesës më të madhe të ortodokseve ishte për t’u bashkuar me Greqinë ose të jenë nën mandatin e Italisë, mbasi bashkëjetesa me muhamedanët ishte e pamundur, duke qenë se plagët janë të hapura qysh nga koha e Turqisë, prej qindra vjetësh”. Ata paraqitën edhe një memorandum, por demonstrata e fuqishme antigreke e bërë nga gjirokastritet, e paralizoi nismën e grekomanëve. Në çdo veprimtari dhe takim të konsullit amerikan, Tefik Mborja ishte prezent dhe frymëzues, ndërsa kapiteni italian i shoqëronte vetëm gjatë udhëtimit. Në Përmet pritja u bë madhështore, mbasi këtu, përveç zërit atdhetar, nuk doli asnjë zë tjetër. Para se konsulli të mbërrinte atje nga Gjirokastra, me një korrier lajmërohen Dhimitër Kacimbro e Koço Tasi. Ata në emër të atdhetarëve kërkonin me insistim përkrahjen e Amerikës në Konferencën e Paqes, që t’i jepej Shqipërisë vetëqeverimi i plotë. Ashtu si gjirokastritët dhe atdhetarët përmetarë në emër të popullit të Përmetit, i dhanë peshqeshe konsullit amerikan Haven, për të cilat konsulli mbeti i kënaqur.
 
Redaktimi i fundit:
Edhe në Leskovik e Kolonjë konsullit i bënë po ato pritje dhe demonstrata entuziaste dhe po ato kërkesa dhe lutje që ishin bërë në Tepelenë, Gjirokastër e Përmet. Udhëtimi nëpër zonën e pushtimit italian mbaroi në fshatin Selenicë të Kolonjës. Udhëtimi pati një sukses të plotë. Konsulli Haven i kishte thënë Mborjes: “...Nga sa pashë dhe nga sa dëgjova të gjitha pretendimet greke janë krejt të kota…”. Në Korçë, Mborja kishte menduar që konsulli të qëndronte në shtëpinë e çiftit Kenedi, misionarë amerikanë, i cili kishte bërë shumë për Shqipërinë. Konsulli e pëlqeu atë mendim dhe u vendos atje tek ata, ku qëndroi tri ditë. Në Korçë autoritetet ushtarake franceze ndaluan çdo manifestim që do të bëhej në favor të çështjes shqiptare. Përkundër kësaj mase, korçarët tek konsulli amerikan u paraqitën me shumë delegacione dhe të gjithë me një zë, kërkuan pavarësinë e Shqipërisë duke shfaqur njëkohësisht simpatinë e tyre të veçantë për SHBA-në. Konsulli Haven në Korçë mbeti shumë i kënaqur, sepse midis delegatëve ai kishte takuar me njerëz që kishin qenë në Amerikë, me të cilët ai bashkëbisedoi vetëm në gjuhën angleze. Të gjitha përpjekjet e dhespotit grek Jakov dhe ato të sekretarit të Mitropolitit, Efrem Gjini, shkuan kot dhe qëllimet e tyre dështuan. Dhespoti iu lut me letër konsullit që t’i bënte një vizitë në mitropoli, mbasi ai vetë nuk mund të vinte tek ai, duke qenë se ky i fundit banonte në shtëpinë e një misionari protestan amerikan. Konsulli i përgjigjet negativisht dhe me një ton të thatë e të prerë. Grekomanët e Korçës nën udhëheqjen e Efraimit i kërkuan takim konsullit, duke iu lutur nga ana tjetër që Mborja të mos ndodhej prezent në bisedimet që do të zhvilloheshin, sepse sipas tyre, i ati i Mborjes ishte shkaktari i djegies së Voskopojës dhe familjes së tij si antikristiane; Nën insistimin e T.Mborjes, konsulli i takoi grekomanët dhe kur ata filluan të shpifnin për familjen Mborja ai ua preu fjalën duke i quajtur «gënjeshtare». Me ketë fjalë i nxori jashtë. Ketë skenë tragjike për grekomanët Mborjes ia kishin treguar si konsulli Haven, po ashtu dhe çifti Kenedi. Konsulli i bëri një vizitë zyrtare edhe komandantit të ushtrisë franceze, kolonelit Descoins, i cili qe shprehur në favor të popullit shqiptar. Pas dy ditësh shkojnë në Pogradec, ku komandanti i asaj zone major Mortier, mbështet të drejtat e vendit tonë, sa një shqiptar shumë i mirë. Ai foli edhe kundra grekëve, serbëve dhe italianëve, si edhe kundra politikës franceze që i përkrahte ata dhe pretendimet e tyre. Konsulli dhe Mborja mbetën shumë të kënaqur nga ato që dëgjuan nga goja e një oficeri madhor frëng. Në Delvinë ishte paralajmëruar Leonidha Frashëri, nënprefekt i Delvinës, një nga atdhetarët më të mirë të asaj kohe. Edhe atje të gjitha kërkesat të paraqitura ishin për pavarësinë kombëtare. Vetëm në fshatin Himarë u shfaqën disa persona që kërkuan protektoratin italian, ndërsa në fshatin Vuno grupi më i madh i fshatit i kryesuar nga i vëllai i Spiro Kolekës, kërkoi me këmbëngulje vetëqeverimin e Shqipërisë. Josef Haveni nga Delvina shkoi në Vlorë, ku qëndroi për të përgatitur raportin për fazën e udhëtimeve nëpër Shqipërinë jugore, duke u dhënë plotësisht të drejtë shqiptarëve, duke vënë në dukje edhe çështjen e Vlorës, si një e drejtë që i takon Shqipërisë. Atë raport Tefik Mborja, me motoskaf e çoi urgjentisht në ambasadën amerikane në Romë dhe menjëherë u kthye përsëri tek konsulli në Vlorë. Pak ditë më vonë konsulli me Mborjen nisen me vapor për në Durrës, ku ndodhej komandanti italian i veriut, gjeneral Ferrero. Konsulli Haven u paraqit tek gjenerali, por pritja nuk ishte si ajo e gjeneral Piacentinit. Në Durrës ishte qeveria e Turhan Pashës, dhe ministrat që u gjetën atje, Sami Vrioni dhe Mehdi Frashëri, u shprehën në favor të protektoratit italian, ndërsa atdhetarët durrsakë bënë po atë gjë që kishin bërë edhe atdhetarët e qyteteve të tjera. Në Tiranë konsulli Haven u takua me të gjithë atdhetarët që kishin në krye Sotir Pecin, të cilët u shprehën si të gjithë atdhetarët e tjerë shqiptarë.

Më datën 13 prill 1919 konsulli u nis për në Shkodër ku qëndroi vetëm një natë. Atje francezët ashtu si edhe në Korçë, nuk lejuan të bëhet asnjë demonstratë, por Komiteti i Kosovës bashkë me komitetin veprues, së bashku me atdhetarët shkodranë, formuan një delegacion i cili kontaktoi me konsullin dhe i shprehu atij po atë kërkesë sikurse të gjithë atdhetarët e tjerë Në këtë kohë, mbas vrasjes së Preng Bibë Dodës në Krujë dhe plagosjes së majorit Eden, udhëtimet në zonën e Shkodrës duhej të bëheshin me kujdes. Me masat që u morën nga atdhetarët, konsulli mbërriti shëndoshë e mirë në Krujë, ku iu rezervua një pritje shumë e ngrohtë. Me konsullin u takua edhe një delegacion i kryesuar nga Babai i bektashinjve, i cili pati po ato kërkesa sikurse të gjitha kërkesat e atdhetarëve të qyteteve të tjera. Nga Kruja shkoi në Vlorë, ku mori fund edhe udhëtimi i tij nëpër Shqipëri. Atje, në Vlorë konsulli Haven përpiloi edhe raportin e fundit.

Në këtë raport përfundimtar ai shfaqte mendimin se «Shqipëria është një vend që qeveriset vet, sepse i ka të gjitha elementet e duhura që i nevojiten për vetëqeverim dhe nuk është i nevojshëm ndonjë protektorat». Mbasi e mbaroi raportin ia jep Mborjes për ta dorëzuar ne ambasadën e ShBA-së në Romë, duke e porositur që të jetë shumë vigjilent deri në dorëzimin e raportit. Mborja e dorëzoi raportin në ditët e para të muajit maj dhe detyra e tij si edhe ajo e konsullit morën fund. Pas 4-5 muajve Athina i dërgoi Washingtonit një memorandum, sipas të cilit konsullin amerikan Haven e kishin blerë shqiptarët dhe se qeveria greke i quante gënjeshtra të gjitha informacionet që jepte raporti i konsullit. Gjatë periudhës së zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris, konsulli Haven kishte qenë në dispozicion të delegacionit amerikan dhe personalisht të Presidentit W.Willson. Konsulli Joseph Emerson Haven në vitin 1921 kthehet sërish në shërbimin konsullor amerikan dhe shërbeu deri në vitin 1924 si konsull i SHBA-së në Trieste, më pas deri në vitin 1929 ai ishte konsulli amerikan në Firence. Vitet e fundit të jetës së tij, afërsisht tetë vite, ai i kaloi pothuaj në qetësi, me shumë pak punë, si konsull pranë Republikës së San Marinos, ku edhe vdiq më 24.05.1937.

(lajmishqip.com)
#
 
Redaktimi i fundit:
Nejse,ai la dicka pas per Departamenti e Shtetit Amerikan per Shqiperine dhe Ballkanin.Amerikanet i verifikojne gjerat para se te veprojne.Si orientim ata nuk marin keshillat e kishes ortodokse ose informacionin e qeverive.
 
Paska qene me fat shqiperia dhe shqipatret qe nje konsulli amerikan, pak i informuar për Shqipërinë, i ka degjuar me shumë vëmendje edhe me shumë dashamirësimikpritesit e vet shqipatre
Pasi en ato vite konsujt evropine dhe ne sallonet e evropes per shqiptaret ishte e modes shprehja : "Ata jane njerez te eger"
Paskemi qene me te vertet me fat qe na ka vizituar ne ate kohe nje burre i mencem , pasi vetem nje njeri i menceur mund te dale mbi opinionin e te tjeterve dhe te vendose drejtesi . Edhe pse drejtesia akoma nuk eshte vene tek ne
Qofte e afert dita kur Amerikanet te vene me te vertete drejtesi te plote per ne
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top