Ja kush janë personalitetet që prehen jashtë atdheut

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Shumë personalitete të shquar të historisë shqiptare ende nuk i kanë eshtrat dhe varrin në vendin e tyre. Edhe në rastet kur dikush merr iniciativë për të kthyer eshtrat, ceremonitë nuk janë ashtu si duhet.
. Janë plot dyzet nga figurat më të shquara të Shqipërisë që jetuan në kohëra të ndryshme, banesën e tyre të fundit e kanë jashtë vendit. Madje, katër nga krerët më të mëdhenj që kanë drejtuar Shqipërinë, si mbreti i Ilirisë, Genti, "Heroi ynë Kombëtar", Skënderbeu, Pashai i Janinës dhe mbreti i Shqipërisë, Zogu I, nuk i kanë eshtrat në Shqipëri. Por kësaj liste i shtohen edhe personalitete si Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ernest Koliqi, Vaso Pasha, Halim Xhelo, Aleksandër Moisiu, Martin Camaj etj, të cilët edhe pse dhanë kontribut të çmuar për Shqipërinë, u prehën në dhe të huaj, shpeshherë duke lënë edhe amanetin që trupin e tyre ta varrosnin atje ku kishin lindur.
Varret që mbetën pa atdhe
Mbreti i Ilirisë gjatë Luftës së Tretë Iliro-Romake, i cili drejtoi luftën kundër Perandorisë më të madhe të asaj kohe, Romës, nuk mundi dot t'i bëjë ballë ushtrisë më të madhe të asaj kohe. Ai iu dorëzua legjioneve romake, së bashku me familjen e tij, me qëllim që këto të mos kryenin masakra ndaj popullsisë vendase. Mbreti Gent, vdiq në vitin 146 para erës sonë dhe u varros në Gubbio, afër Peruxhias në Itali. Por nëse varri i mbretit Gent, në Itali, është i paprekur dhe eshtrat e tij ndodhen aty, ai i heroit tonë në qytetin e Lezhës është bosh. Sipas historianëve, eshtrat e "Heroit tonë Kombëtar", nuk ndodhen më në varrin e tij. Pasi sipas historianëve, në vitin 1478, kur forcat osmane arritën të pushtonin të gjithë qytetet shqiptare, ato arritën të gjenin varrin e Skënderbeut. Pasi e hapën, ushtarakët më të lartë turq morën eshtrat e "Heroit tonë Kombëtar", për t'i përdorur si hajmali për të qenë më të fortë dhe më trima në luftë, ashtu siç kishte qenë edhe prijësi i arbëreshëve për afro 25 vjet me radhë. Por nëse të gjithë njerëzit kanë një varr, ka nga ata që mund të kenë edhe dy.

B]Personalitetet me dy varre[/B]
Pashai i Janinës, Ali pashë Tepelena, dhe themeluesi i Tiranës, Sulejman pashë Bargjini, janë dy nga figurat e historisë së popullit tonë që kanë dy varre. Sulejman Pasha, sipas historianëve, duke qenë shumë i dashuruar me vendet arabe, la si amanet para se të vdiste që trupi t'i varrosej në Tiranë aty ku sot ndodhet monumenti i tij, ndërsa zemra në Bagdadin e largët, në Irak. Por nëse Sulejman Pasha e kishte lënë me amanet që të varrosej në dy vende, Pasha i Janinës nuk e kishte kërkuar vetë një gjë të tillë. Ai pasi arriti të bënte zap gjithë Shqipërinë e Jugut nën emërtimin Pashallëku i Janinës, solli tek Porta e Lartë një pështjellim të madh. Për këtë arsye ndaj tij u vendos e gjithë ushtria osmane. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Por në të vërtetë nuk ndodhi kështu, pasi më 5 shkurt 1822, Ali pashë Tepelena u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua në Stamboll tek sulltani, ndërsa trupin e varrosën në Janinë, që atëbotë ishte territor shqiptar. Një dervish kokën e Aliut e varrosi pranë të bijve me këtë mbishkrim, "Këtu është varrosur koka e të famshmit Ali pashë Tepelena, ish-qeveritar i Janinës, i cili për më tepër se 30 vjet qeverisi i pavarur në Shqipëri".

Amanetet
Por një fat të keq ka pasur edhe mbreti i fundit i shqiptarëve, mbreti Zog I. Ai u detyrua të largohet nga Shqipëria, pas pushtimit të vendit nga Italia në prill të vitit 1939. Mbreti i shqiptarëve vdiq në Paris, Francë, në vitin 1961. Me gjithë amanetin e tij, ai nuk mundi të varroset në Shqipëri, pasi vendi në atë kohë udhëhiqej nga diktatura komuniste. Por edhe pse Shqipëria ka 15 vjet që ka dalë nga regjimi i egër komunist, amaneti i mbretit Zog nuk është vendosur në vend. Kohët e fundit është bërë një kërkesë për kthimin e eshtrave të mbretit Zog në Shqipëri dhe përmbushjen e amanetit të tij. Amaneti i diplomatit dhe shkrimtarit të shquar Faik Konicës, që vdiq në Amerikë në vitin 1942, u përmbush vetëm pas 63 vitesh, në vitin 1995. Miku i tij i ngushtë Fan Noli u mundua menjëherë pas vdekjes së Konicës që trupi i tij të kthehej në atdhe, duke e mbajtur atë për 6 vjet në morg, por nuk arriti ta realizojë dot. Por të varrosur në dhe të huaj janë edhe shumë nga rilindësit tanë si dhe politikanë të njohur të viteve '40, të cilët u detyruan të emigrojnë pas vendosjes së regjimit komunist në vend.

Lista e figurave që u janë kthyer eshtrat

1. Ismail Qemali, 1932
2. Naim Frashëri, 1976
3. Sami Frashëri, 1976
4. Abdyl Frashëri, 1976
5. Asdreni, 1970
6. Hasan Prishtina, 1977
7. Faik Konica, 1995
8. Aleksandër Kondo, 2005
9. Dom Nikollë Kaccorri, 2011

Kërkesa për kthimin e eshtrave të mbretit Zog

Një grup prej 43 deputetësh, ka kërkuar në vitin 2003 kthimin e eshtrave të mbreti Zog, në Shqipëri. Ata hartuan një projektligj për dhënien e një statusi të veçantë familjes mbretërore. Sipas kërkesës së deputetëve, eshtrat e mbretit Zog duhen të kthehen në atdhe dhe të prehen me nderime në vendin ku ka qenë e varrosur Nëna Mbretëreshë, në Parkun Kombëtar të Tiranës. Por vetëm pas gjashtë vitesh qeveria shqiptare është kujtuar për kthimin e eshtrave.

Lista

1. Mbreti Gent, mbreti i Ilirisë në vitin 171-167. Varri në Peruxhia, Itali, vdiq më 146 p.e.s

2. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, prijësi i shqiptarëve për 25 vjet, varri në Lezhë, vdiq më 1468, eshtrat u marrë nga turqit si hajmali

3. Sulejman pashë Ballgjini, themeluesi i Tiranës, 1614, varri në Tiranë, zemra në Bagdad, Irak

4. Ali pashë Tepelena, Pashai i pashallëkut të Janinës për 31 vjet. Trupi i varrosur në Janinë, në vitin 1822, koka në Stamboll

5. Hoxha Tasin, rilindës shqiptar, varri në Stamboll, Turqi

6. Eqerem bej Vlora, ministër në Perandorinë Osmane, varri në Vjenë, Austri

7. Fan Noli, politikan, shkrimtar dhe klerikë, varri në Boston, SHBA, vdiq më 1965

8. Ahmet Zogu, mbret i shqiptarëve për 11 vjet, varri në Paris, Francë, vdiq më vitin 1961

9. Luigj Gurakuqi, atdhetar dhe pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë 1912, varri në Bari, Itali, vdiq më 1925

10. Vaso Pasha, rilindës shqiptar, varri në Liban, vdiq më 1892

11. Mit'hat Frashëri, kreu i Ballit Kombëtar, varri në Neë York, SHBA, vdiq në vitin 1949

12. Branko Merxhani, publicist i njohur i viteve '30, varri në Turqi, vdiq në vitin 1981

13. Ernest Koliqi, shkrimtar, ministër në qeverinë fashiste, varri në Itali, vdiq në vitin 1975
14. A.Z.çajupi, shkrimtar rilindës, varri në Kajro, Egjipt, vdiq në vitin 1930

15. Halim Xhelo, atdhetar, pjesëmarrës në Luftën e Spanjës, varri në Spanjë

16. Xhafer Deva, ministër i Brendshëm gjatë pushtimit gjerman, varri në Kaliforni, SHBA, vdiq në vitin 1978

17. Mehdi Frashëri, politikan dhe atdhetar i njohur, varri në Itali

18. Tajar Zavalani, gazetar i BBC-së, publicist i njohur, varri në Amerikë, vdiq në vitin 1976

19. Rexhep Mitrovica, kryeministër i qeverisë kuislinge në Shqipëri, varri në Itali, vdiq në vitin 1967

20. Aleksandër Moisiu, aktor i njohur i viteve '30, varri në Itali, vdiq në vitin 1935

21. Hasan Dosti, ministër në qeverinë kuislinge, varri në Los Angelos, SHBA, vdiq në vitin 1958

22. Ali Këlcyra, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri Itali

23. Patër Anton Arapi, ministër në qeverinë kuislinge, varri në Itali

24. Koço Muka, ministër në qeverinë kuislinge, varri në Aleksandri, Egjipt, vdiq në vitin 1947

25. Ago Agaj, ministër në qeverinë kuislinge, varri në SHBA

26. Preng Previzi, ministër i qeverisë kuislinge, varri në Belgjikë, vdiq në vitin 1977

27. Vangjel Koça, publicist i njohur në vitet '30, varri në Greqi

28. Naum Veqilharxhi, rilindës, varri në Rumani, vdiq në vitin 1846

29. Qemal Jusufati, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Itali

30. Ragip Frashëri, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Stamboll, Turqi

31. Ali Kelmendi, një nga drejtuesit komunist të viteve '30, varri në Francë, vdiq në vitin 1939

32. Martin Camaj, shkrimtar i njohur, varri në Munih, Gjermani, vdiq në vitin 1992

33. Mustafa Kruja, ministër i qeverisë kuislinge, vdiq në Niagara, Falls, SHBA, më 27 dhjetor 1958

34. Xhemal Aranitasi, komandant i Mbrojtjes në Mbretërinë Shqiptare, varri në Turqi, vdiq në vitin 1961

35. Salih Myftija, një nga anëtarët e kabinetit në qeverinë kuislinge, varri në Turqi

36. Abaz Ermenji, kryetari Ballit Kombëtar, varri në Paris, Francë, vdiq në vitin 2003

37. Filip Shiroka, poet dhe prozator i njohur shkodran, varri në Bejrut, Liban, vdiq në vitin 1935

38.Vasil Andoni, sekretar i kabinetit i qeverisë kuislinge, varri Itali

39. Abaz Kupi, atdhetar nacionalist, varri në SHBA,
vdiq në vitin 1976

B:t.observer
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top