Integrimi brenda vetes

WxP

Staf në FV.AL
Xhorxh Berndar Shou thoshte se “Njeriu i arsyeshëm ia përshtat veten botës; njeriu u paarsyeshëm këmbëngul, duke u përpjekur që t’ia përshtatë botën vetes. Prandaj, i gjithë progresi varet te njerëzit e paarsyeshëm”.
E perifrazova këtë thënie të bukur të komediografit të shquar anglez për të treguar se e njëjta gjë ka ngjarë edhe me politikanët apo qeveritarët shqiptarë të viteve të tranzicionit, ku veprimi i përshtatjes së “vetes me botën” ka pasur të bëjë me mirëqeverisjen, kurse ai i përshtatjes së “botës me veten” ka qenë i lidhur me keqqeverisjen e vendit. Por më evidente këto shfaqje ishin në momentin kur çështja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian u bë një problem i shtuar për zgjidhje; pra në prag të çeljes së negociatave për nënshkrimin e MSA-së. Aspekti më tragjikomik i kësaj shfaqjeje ishte retorika e kundërshtarëve politik për afatin e integrimit të Shqipërisë, i cili kishte marrë karakterin e një premtimi elektoral të papërgjegjshëm në vend të një argumentimi real të problemit, megjithëse shumëkush prej tyre e kishte të qartë që, një proces i tillë më shumë se sa çështje dëshirash ishte çështje arritjesh konkrete, kryesisht të natyrës ekonomiko-institucionale. Në fillim të viteve 90 “kori” i qytetarëve shqiptarë thirri derisa u ngjir, “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, por u detyruan të ulin kokën para reformave, të cilat në shumicën e rasteve nuk u zhvilluan në drejtimin dhe me efektivitetin e duhur.
Pa dashur t’i rikthehem historisë, aspak të këndshme, të trajtimit politiko-kombëtar të çështjes, po përqendrohem në problemet aktuale që paraqet integrimi i vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në atmosferën e re të krijuar pas siglimit të faqes së parë të MSA-së nga presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, janë shuar të gjitha shpresat për të bërë demagogji dhe retorikë politike me një çështje të tillë kapitale, pasi tani e tutje, më shumë se sa me bisedime kemi të bëjmë me realizime. Nga ana tjetër, reformat e ndërmarra nga ekzekutivi në kuadër të këtij procesi apo qeverisjes në përgjithësi, përveçse produktive duhet të jenë edhe mbresëlënëse në opinion publik, në mënyrë që të mos krijohet mundësia e kundërveprimit apo pengimit politik nga opozita. Natyrisht, këtu nuk është fjala për t’i “zënë gojën” apo për t’i “marrë dorën” opozitës, po për t’i gjetur asaj “telat” e bashkëpunimit edhe në kulmin e nervozitetit të saj politik, gjithnjë në përputhje me ligjet, rregullat dhe parimet e tjera demokratike. Besoj se edhe presidenti i KE-së, Barroso, në këtë kontekst e artikuloi këshillën e tij kryesore gjatë fjalës përshëndetëse në Parlamentin shqiptar, duke e konsideruar integrimin “një sfidë kombëtare”. Një veprim i tillë politik është aspekt i integrimit brenda vetes, duke i dhënë kështu njëherë e mirë fund sjelljes së deritanishme, ku edhe për çështje të rëndësishme kombëtare, një parti “i bie gozhdës dhe tjetra patkoit”.
Por çështja e integrimit brenda vetës është shumë herë më e gjerë se sa marrëveshjet apo bashkëpunimet politike midis forcave të ndryshme, jo vetëm nga që mungojnë edhe instrumentet matës për një gjë të tillë. Siç dihet, mirëqeverisja dhe zhvillimi i duhur ekonomiko-shoqëror i vendit e bëjnë të panevojshëm apelin për një dekor të tillë politik, i cili shpesh merr forma groteske në sytë e publikut. Fjala vjen, kur qeveria respekton parimet demokratike në marrëdhëniet publike, nxit zhvillimin ekonomik të vendit, lufton korrupsionin, krijon klimën e duhur për investime të huaja, etj., parime të mira ekzekutivo-ligjore, atëherë ajo ka punuar në mënyrën më të mirë të mundshme për t’ia përshtatur “veten botës”. Marrja së afërmi nga Shqipëria e statusit të vendit kandidat për në BE përbën një profilaksi edhe për shfaqjen e veprimeve subjektive të ekzekutivit ndaj individëve dhe subjekteve të tjera, që do të thotë se, tani e tutje nuk është aq e lehtë si më parë për të cenuar të drejta e opozitës, lirinë e medias, pavarësinë e institucioneve, të drejtën e votës, konkurrencën e tregut, etj. Problem mbetet arritja e treguesve real në ekonomi dhe jetën shoqërore, të cilat përbëjnë sfidën kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE. Në fund të fundit, afati i integrimit të vendit tonë në BE është kurorëzim i zgjidhjes së këtyre problemeve. Ndaj, përllogaritja e tij nuk mund të filloj të bëhet sipas eksperiencës integruese të të tjerave, pa arritur më parë integrimin brenda vetes në disa drejtime kryesore:
Së pari, askush nuk mund të jap një afat të përafërt të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian pa kthimin dhe kompensimin e plotë të pronës në vendin tonë. Gjatë raportimit më të fundit publik të KSHKKP-së u bë e ditur se në drejtim të plotësimit të një detyre të tillë po ecet me hapin e breshkës. Ende nuk është përgatitur harta e trojeve të lira për kompensim fizik, ndërkohë që çështja kompensimit financiar, sipas kreut të këtij institucioni, parashikohet të shtrihet gjatë gjithë 10-15 viteve të ardhshme. Faktikisht, qeveria ka vendosur afate më të shkurtra kohe, por gjithsesi këtu llogaritë s’duhen bërë “pa hanxhinë”, nga asnjëra palë. Ndërkohë, shoqata “Pronësi me drejtësi” e ka ndërkombëtarizuar problemin, duke kërkuar deri dhe ndërhyrjen e Brukselit. Por problemi i pronave duket se është ndërlikuar më tej, ndërkohë që Parlamenti shqiptar sapo miratoi ligjin për legalizimin e zonave informale, pasi kështu fatura e kompensimit financiar rritet edhe më tej. Moskthimi dhe moskompensimi në afate sa më shkurtra kohe i pronës bëhet shkak objektiv për të mos investuar me ritmin dhe intensitetin e duhur për zhvillimin e ekonomisë dhe jetës shoqërore.
Së dyti, afatin e afërt të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian e vendos në pikëpyetje dhe një aspekt tjetër i integrimit brenda vetes, që lidhet me infrastrukturën e nderë rrugore. Fakt është se sikundër e ka përcaktuar edhe Banka Botërore në një raport të saj të kohëve të fundit, gjendja e infrastrukturës rrugore në Shqipëri është më se e mjerueshme. Sipas këtij institucioni të njohur të financave ndërkombëtare “vetëm 8% e rrjetit rrugor shqiptar ndodhet në gjendje të mirë, dhe rreth 80% e rrugëve janë të shkatërruara”. Nëse kjo situatë krahasohet me vendet e tjera të rajonit që kanë pak a shumë të njëjtën të kaluar politike, infrastruktura rrugore e Shqipërisë është 3-4 herë më keq se sa ajo e Bosnjë-Hercegovinës apo Unionit Serbi-Mali i Zi, 4-5 herë më keq se sa infrastruktura rrugore e Maqedonisë, Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë. Më alarmante situata është në rrugët sekondare dhe terciare që lidhin fshatrat dhe qendrat e tjera të banuara me rrugët kryesore. Përveç të tjerash mungesa e rrugëve të duhura ka shtuar migrimin e popullsisë nga zonat e thella apo qytetet periferike drejt aksit Tiranë-Durrës, duke krijuar disbalancime midis burimeve natyrore dhe pamundësisë njerëzore për t’i shfrytëzuar ato në interes të të gjithë ekonomisë shqiptare. Kryeministri Berisha ka premtuar se gjatë mandatit qeverisës ‘05-‘09, përveç korridorit Durrës-Prishtinë, segmentit Shkodër-Hani i Hotit, Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, boshtit të Jugut (Tiranë-Elbasan-Berat-Memaliaj-Gjirokastër-Sarandë), Rrugës së Arbrit etj., do të bëjë të mundur asfaltimin e rreth 4 000 km rrugë rurale, krahas ndërtimit të të gjitha akseve më të rëndësishme rrugore që lidhin skajet e Shqipërisë, në mënyrë që t’i shërbehet zhvillimit të turizmit dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë kombëtare nga bujqësia tek industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese, në të gjithë territorin e republikës. Megjithatë, realizimi i një objektivi të tillë duket i vështirë të arrihet brenda mandatit të parë qeverisës të demokratëve, për më tepër që një pjesë e mirë e këtyre projekteve duhen parë të harmonizuara me akset e Korridorit Tetë.
Së treti, procesi i integrimit përfundimtar i vendit në BE nuk mund të kurorëzohet para zgjidhjes përfundimtare të krizës energjetike, për të cilën deri tani ka vetëm projekte në letër. Siç dihet, në aspektin e lëndës energjetike për konsum, ekonomia e tregut të vendin tonë bazohet në prodhimin e HEC-eve dhe TEC-eve të ndërtuara qysh në kohën e monizmit dhe importin e këtij artikulli nga jashtë. Për 15 vjet rresht, gjatë periudhës së tranzicionit nuk është ndërtuar as një vepër e re energjetike, megjithëse projektet dhe premtimet s’kanë munguar asnjëherë. Predispozicioni i shtimit të prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet ndërtimit të veprave të reja në vitet e para të tranzicionit ishte kaq i pakët sa që edhe investimet e ndërmarra deri në fund të viteve 80 në veprën hidroenergjetike të Banjës, u lanë të shkatërroheshin së bashku me shumë objekte të tjera ineficiente të komunizmit. Zgjidhja e këtij problemi momentalisht ka ngecur te dilema e ndërtimit ose jo të disa TEC-eve në bregdetin e Vlorës, që, në fakt, përbën një “thikë me dy presa” për ekonominë tonë kombëtare. Sidoqoftë, afati më i shkurtër për ndërtimin e një vepre të rëndësishme energjetike del jashtë mandatit qeverisës të kabinetit “Berisha”, pavarësisht premtimeve që ai ka bërë për të zgjidhur një problem të tillë brenda 2-3 viteve të ardhshme.
Realiteti shqiptar, për shkak të trashëgimisë së mjerë komuniste dhe keqqeverisjes së shthurur socialiste, është i mbushur me plot sfida të tilla të integrimit brenda vetes, në radhë të parë, por këto tre aspekte që përmendëm më lart përbëjnë startin e zhvillimit të gjithanshëm të vendit në përputhje me standardet e BE-së.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top