Mero BAZE
Sokol Olldashi nuk ja doli dot. Fati i kishte rezervuar vdekjen në një natë të zezë, në një moshë të artë, dhe në një vend, për të cilin ishte përpjekur ta bënte më të mirë. La pas Glaukun dhe Kleitin, gruan dhe nënën e tij të vuajtur, që provoi bllokun dhe ferrin e komunizmit, si dhe tranzicionin e trazuar shqiptar, duke i rrëmbyer në fund dhe djalin, me të cilin lidhi jetën.
Sokol Olldashi ishte një nga miqtë e mij të vjetër gazetarë. Shumë vendime në jetën e tij dhe jetën time janë të përbashkëta, të marrë nga të dy. Kemi qenë bashkë në ditë të vështira, disa herë dhe mes plumbave dhe nuk na gjeti gjë. Kemi qenë bashkë në ngjarje politike dhe sociale, në humbje dhe fitore, në dëshpërime dhe gëzime dhe s’na ka gjetur gjë. Arrita vonë në Qafë Krabë, në momentet e fundit të jetës së tij dhe nuk pata fuqi ti ulërisja për të vetmen gjë që mendoja gjithmonë, se do ta mundte atë njeri në jetë; Shpejtësia!
Kisha vite që nuk rrija me të për shkak të politikës, por jam i lehtësuar që javët e fundit, ndaja me të orët deri në mesnatë. Si një ndëshkim për gjithcka, më ngeli barra t’ia jepja lajmin e hidhur Kelës, shoqes së tij më të mirë në jetë, të cilën mu desh ta shoqëroja nga Qafë Kraba, ku Sokoli nuk na priti të ndaheshim, deri në shtëpinë ku e priste e ëma, me gjëmën e hapur.
Nuk ja doli dot!
Një rregull i pashkruar diktoi fatin e tij në një cop rruge, që nuk pranoi, as të shkonte ti priste shiritin. Në një jetë aq të trazuar, ku të mirat dhe të këqijat kanë ecur me shpejtësinë e sekondës së fundit të tij, ai shpejtoi ti bëj të gjitha.
Sot ndërsa do ta përcjellim në banesën e fundit, ende pa zbritur nën tokë, dua ti them disa fjalë që ta njohin më mirë ata që nuk e njohën dhe ta respektojnë më shumë ata që e kanë fyer.
Sokoli nuk është një aksident mes nesh, edhe pse iku nga një aksident. Ai ishte një adoleshent që ja doli ti mbijetoj një krize të diktuar familjare nga komunizmi, duke jetuar mes nënës dhe babait dhe duke u bërë motivi i mbijetesës së atij rregjimi, për të cilin fatkeqësisht kishin kontribuar dhe gjyshërit e tij. Ai ja doli të ishte një nxënës i shkëlqyer dhe një maturant i pjekur dhe i vetdijshëm në vitin 1990, kur era e lirisë ndjehej në Shqipëri.
Ai ja doli të ishte një studnet i shkëlqyer i viteve të para të pluralizmit, një aktivist politik i qart dhe me personalitet, që ndjente dhe sëmundjet e demokracisë bashkë me vlagën e entuziazmit të saj.
Ai ja doli ti jepte nënës së tij një jetë normale, duke e shpërblyer vuajtjet e saj me gëzimin e suksesit të tij. Ai ishte një student me ëndrra që shkruante poezi, që i binte kitarës dhe që nuk merrte seriozisht artikujt e vet politik.
Ai ja doli të hynte në PD në ditët e saj më të këqija, në një opozitë mbijetese dhe të shquante mes errësirës që diktonte kursi politik i saj.
Prej viti 2001 ai u bë deputet i parlamentit shqiptar, si drejtues i rinisë së PD dhe vdiq si parlamentar.
AI shkëlqeu si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë në vitet 2005 – 2007, përballoi me dinjitet garën me Edi Ramën në vitin 2007, duke pasur në krah një parti të ndarë, pro dhe kundër tij, dhe udhëhoqi për gjashtë vjet Ministrinë më të rëndësishme në vend nga viti 2007, atë që nisi të ndërtoj aq shumë rrugë, por që jeta e tij, mbaroi para tyre.
Një jetë me kaq shumë ngjarje në kaq pak kohë, u përket gjithmonë atyre që dijnë se c’bëjnë me jetën e tyre, por që nuk dijnë se c’bëjnë me trupin e tyre. Nuk e përfillte rrezikun fizik deri në atë shkallë, sa krijonte mitin e njeriut të fort dhe të pamposhtur. Kam plot episode grindjeje nga jeta ime e përbashkët me të, që nisnin e mbaronin të gjitha tek fakti, që ai donte të ishte në timon. Adrenalina që i jepte shpejtësia dhe rreziku, ishin një arsye përse ai eci aq shpejt, përse ai jetoi aq shumë gjëra dhe përse iku duke injoruar ligjet e jetës.
Vetëm aksidenti mund ta merrte një njeri që nuk kishte asgjë aksidentale në jetën e tij, një njeri që kishte një plan për gjysmën tjetër të jetës, i cili mund të na vlente të gjithëve. Uroj të mos gëzohet askush nga mungesa e tij dhe ligjet banale të jetës fizike. As ata që ja bënë kaq nervoze dhe të zhgënjyese segmentin e fundit të jetës./ Tem