Historia shqiptare

Mbretëria Dardane në luftën kundër Romës

Pas pushtimit të Paionisë e të Maqedonisë nga romakët marrëdhëniet e dardanëve me ta ndryshuan. Që nga kjo kohë për parinë sunduese dardane u bë e qartë se me romakët nuk kishte vend më për bashkëpunim, i cili nuk u kishte sjellë përveç dëmeve, asnjë përfitim. Në kufijtë jugorë vendin e shtetit maqedon e kishte zënë Roma, synimet e së cilës për nënshtrimin e plotë të ilirëve nuk mund të fshiheshin. Tradhtisë së romakëve dardanët iu përgjigjën, në fillim me sulme kundër viseve të pushtuara prej tyre ose duke mbrojtur kundërshtarët e Romës. Më vonë, pas largimit të skordiskëve, të cilët me sulmet e tyre kishin dobësuar Mbretërinë Dardane, dardanët u radhitën në luftë kundër romakëve përkrah fqinjëve të tyre lindorë, medëve. Veprimet e përbashkëta të medëve e të dardanëve, për disa dekada e penguan depërtimin e ushtrisë romake në viset e tyre. Ekspeditat e ndryshme romake të viteve 97 e 85 p.e.sonë gjetën një qëndresë të fortë te medët e dardanët dhe përpjekjet për t’i nënshtruar jo vetëm që nuk patën sukses, por përfunduan me humbje për Romën. Në vitin 84 dardanët bënin pjesë në fiset ballkanike që duke sulmuar provincën romake të Maqedonisë arritën deri në Delf. Për komandantët e mëkëmbësit romakë u bë e qartë se dardanët ishin kundërshtarë të fortë dhe për nënshtrimin e tyre duheshin forca të mëdha ushtarake dhe një përgatitje e veçantë për luftë në të cilën objekti kryesor i goditjes do të ishin dardanët.
Këto masa i mori konsulli romak Gai Skribon Kurioni, i dërguar në vitin 76 p.e.sonë në provincën e Maqedonisë në krye të pesë legjioneve. Me këto operacione luftarake Roma donte të arrinte nënshtrimin sistematik të fqinjëve veriorë të provincës maqedone. Kryengritja që bëri njëri nga pesë legjionet fill pas zbarkimit në Iliri tregon se në qarqet ushtarake të Romës jehona e ekspeditave të dështuara kundër dardanëve dhe qëndresa e këtyre të fundit ishin një fakt tanimë i njohur. Frontini shkruan në Stratagemat, se “kur në luftën e Dardanisë, njëri nga pesë legjionet, e vendosura në rrethinat e Dyrrahut ngriti krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se nuk kishte ndërmend të ndiqte komandantin e paarsyeshëm dhe një ekspeditë të vështirë e të rrezikshme, Konsulli G. Kurioni, urdhëroi katër legjionet të dilnin të armatosura dhe të radhiteshin në formacion luftarak me armë të zhveshura”. Katër legjionet e sjella nga Kurioni dhe ushtria romake që ndodhej në provincën e Maqedonisë sulmuan Mbretërinë Dardane dhe u futën në Dardani. Burimet e shkruara romake nuk japin të dhëna të drejtpërdrejta për atë se si u zhvillua kjo “luftë me dardanët”, që qe një luftë e vërtetë për nënshtrimin e Dardanisë, si dhe për përfundimin e saj. Por dihet se ushtria romake ka gjetur një qëndresë të fortë dhe u soll mizorisht me dardanët. Kujtimi i masakrave romake në Dardani u ruajt për një kohë të gjatë. Në shek. IV e.sonë Amian Marcelini, duke shkruar për dënimet me dhjetim që perandori Valentinian i dha ushtrisë së tij, e krahasonte atë me mizorinë e Skribon Kurionit në Dardani. Ky i fundit pas kësaj lufte arriti me ushtrinë e tij deri në Danub dhe më vonë festoi edhe triumfin në Romë. Por në burimet e shkruara dardanët dalin edhe më vonë si kundërshtarë të romakëve. Në bazë të këtyre të dhënave kuptohet që edhe pas ekspeditës së Kurionit nuk ndodhi një nënshtrim i plotë i Dardanisë, por më tepër një varësi nëpërmjet së cilës dardanët kishin disa detyrime kundrejt romakëve. Disa ngjarje të mëvonshme tregojnë se dardanët edhe pse të dobësuar nga luftërat kundër romakëve dhe nga pasojat e tyre, vazhduan të kundërshtonin politikën pushtuese të Romës.
 
Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i dardanëve në shek. III-II p.e.sonë

Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.sonë u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibari) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim lumi Drin e mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir. FV e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.
Për mungesë të dhënash burimore nuk e njohim ende mirë organizimin e brendshëm të Mbretërisë së Dardanëve.
Nga të dhënat burimore të derisotme, që janë të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin se dardanët nuk arritën atë zhvillim ekonomik e shoqëror dhe atë organizim politik e shtetëror që patën shtetet fqinje bashkëkohëse të Ilirisë së Jugut e të Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë se dardanët qenë në një shkallë të tillë të zhvillimit që përjashtonte praninë tek ata të një organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e strukturës shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane, e lindur mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka qenë thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht luftërat me Maqedoninë. Nuk është vetëm “etja për plaçkë” ajo që i shtynte dardanët në luftë me maqedonët. Luftëra plaçkitëse nuk ka bërë vetëm Mbretëria Dardane, ato i kanë bërë në Greqi edhe sundimtarët maqedonë, sikurse edhe më vonë komandantët romakë. Luftërat dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën e dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por duhet thënë se në kohën e lulëzimit të saj edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste, kryesisht kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.
Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria Dardane, ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej nga mbretërit, të cilët janë përpjekur të mbrojnë interesat e shtetit të tyre edhe nëpërmjet lidhjeve martesore.
Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror ishte i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte fuqinë ushtarake të të gjithë dardanëve. Nga ato pak burime që njihen, del se ushtria dardane ka qenë një ushtri e rregullt, e organizuar mirë, në bazën e së cilës qëndronte falanga me tetë mijë luftëtarë. Ajo ishte një ushtri e përbërë nga këmbësorë të armatosur rëndë, që manovronte në luftë sipas një taktike të veçantë. Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria dardane po tërhiqej nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone; “dardanët, - shkruan Tit-Livi, - kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullta përballë armikut, beteja u zhvillua njëlloj si në një luftë të vërtetë”. Dhe më poshtë ai shton: “Por sapo dardanët viheshin në rrugë, njerëzit e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë e këmbësorinë e tyre të lehtë, kurse dardanët nuk kishin ushtri të këtij lloji dhe ishin ngarkuar me armë të rënda... U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen”. Një ushtri e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore. Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.sonë mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një ushtri prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni, ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë robër, kurse në betejën e vitit 170 p.e.sonë kundër Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë. Këto shifra të larta, të cilat tregojnë fuqinë ushtarake të Mbretërisë Dardane, edhe pse mund të duken të tepruara, bashkë me të gjitha veprimet luftarake të saj, janë dëshmi e pranisë së një organizimi shtetëror në Dardani.
Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike të prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë mbështetur në radhë të parë në zhvillimin e bujqësisë. Rrafshinat e Dardanisë kanë qenë pjellore dhe të përshtatshme për të gjitha degët e bujqësisë. Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë, ka bërë që te dardanët të mbizotërojë popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet karakteri rural i popullsisë. Një burim me vlerë për të njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe format e pronësisë tokësore te dardanët në shek. III p.e.sonë janë të dhënat e Agatharkidit. Në veprën e tij “Evropaikon”, ai shkruan se “dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte një mijë... kurse një tjetër edhe më shumë. Secili nga këta [skllevër] në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet”. Duke pranuar mendimin e përgjithshëm se me termin dulloi=skllevër, duhet kuptuar një popullsi fshatare e varur, vërtetohet prania te dardanët e një shtrese të pasur që zotëronte prona të mëdha tokësore dhe të një popullsie të shpronësuar, e cila kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm “skllevërit” që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e luftës. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që në luftën e vitit 216 p.e.sonë ushtria dardane mori me vete 20 mijë robër nga Maqedonia. Por kjo nuk ka qenë forma e vetme e pronësisë së tokës në Mbretërinë Dardane. Te dardanët ka pasur edhe një shtresë të fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët bashkë me zejtarët e lirë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. Edhe gjatë pushtimit romak, kur skllavëria si sistem ekonomiko-shoqëror u përhap në një shkallë të gjerë, fshatarët e lirë mbetën një forcë e madhe në provincën e Dardanisë. Një degë gjithashtu e rëndësishme në jetën ekonomike të dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve. Në mungesë të të dhënave të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet marrë parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere në kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve dhe e metalpunuesve dardanë.
Nga mesi i shek. IV p.e.sonë disa nga vendbanimet e fortifikuara të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane. Ato u ngritën pranë xeherorëve ose në rrafsh e në udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte një prej qyteteve të hershme, i cili u ngrit afër minierave të argjendit rreth shek. V p.e.sonë. Në njoftimet fragmentare të autorëve antikë ato quhen me termat polis, urbs, oppidum. Straboni përmend si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake, Novobërda etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë, përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu, autor i shek. II e. sonë përmend katër qytete të vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë: Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.
Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike mund të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të tilla, si vegla pune, stoli e prodhime qeramike që janë zbuluar në disa qendërbanime të fortifikuara dhe që janë prodhime vendase, dëshmojnë për transformimin e tyre në qendra zejtare. Monedhat maqedone, ato të Damastionit e të qyteteve Dyrrah e Apoloni etj., si edhe objekte të ndryshme të importuara duhen marrë si tregues të këmbimit mall-para dhe të një veprimtarie tregtare mjaft të gjerë që arrinte deri në Adriatik e në detin Egje.
 
Bashkëpunimi dardano-romak kundër maqedonëve (Shek. II p.e.sonë)

Gjendja e krijuar në Ballkan në fund të shek. III p.e.sonë, pas paqes që shteti maqedon bëri me etolët dhe romakët, që i dha mundësi atij për të sulmuar dardanët, nuk vazhdoi gjatë. Livi shkruan se në vitin 200 p.e.sonë, pas ekspeditës së suksesshme të romakëve në Dasareti (kundër Maqedonisë) tek lëmi i romakëve erdhën mbretër të ndryshëm e prijësa fqinjë të maqedonëve, midis të cilëve Pleurati, i biri i Skerdilaidit dhe Batoja, i biri i Longarit. Ata i ofronin komandantit romak ndihmë ushtarake kundër maqedonëve. Dardanët u futën përsëri në koalicionin antimaqedon, por tani të përgatitur nga Roma për qëllimet e saj. Ky koalicion e afroi Mbretërinë e Dardanëve edhe me shtetin ilir. Duke bashkëpunuar me ushtrinë romake që kishte arritur në kufijtë e Maqedonisë dhe duke i bashkërenditur me të veprimet luftarake, paria sunduese dardane shpresonte se me premtimet territoriale që i kishte bërë Roma, do të realizonte aspiratën e saj të vjetër, futjen e Paionisë nën varësinë e saj. Kështu në luftën e dytë romako-maqedone morën pjesë edhe dardanët.
Veprimet e para që ndërmori shteti maqedon në luftën kundër romakëve qenë ato kundër aleatëve të tyre, dardanëve, të cilët, sipas Livit, bashkë me etolët formonin dy mbështetje të mëdha për romakët. Këto veprime u përqendruan në mbylljen e në forcimin e grykës së Pelagonisë, një rrugë tjetër kalimi e përdorur nga dardanët sidomos pas afrimit të tyre me sundimtarët e Ilirisë së Jugut. Në vitin 199 p.e.sonë, nën presionin e ushtrive romake Filipi V i largoi forcat ushtarake të komanduara nga djali i tij Perseu që mbanin ngushticat e Pelagonisë dhe në këtë mënyrë u hapi rrugën për në Maqedoni ushtrive ilire të Pleuratit e të dardanëve. Edhe në këtë luftë maqedonët i konsideruan dardanët si armiq më të rrezikshëm. Duke u tërhequr para forcave kundërshtare, sundimtari maqedon mori masa vetëm kundër dardanëve, të cilët pasi kishin plaçkitur Maqedoninë e Sipërme bashkë me romakët, u tërhoqën drejt viseve të tyre. Ushtria dardane që po largohej nga Maqedonia, e sulmuar nga maqedonët u detyrua të rreshtohej për luftim. Beteja që vuri përballë ushtrinë e armatosur rëndë të dardanëve kundër kalorisë e këmbësorisë së lehtë të stërvitur mirë të Maqedonisë përfundoi pa fitoren e asnjërës palë. Taktika që përdori ushtria dardane bëri që në këtë betejë ajo të mos kishte humbje të mëdha dhe të mos mbetej asnjë rob në duart e armikut.
Në vitin 197 p.e.sonë, pas betejës së Kinokefalit që përfundoi në favor të romakëve, u vendos një armëpushim midis Romës e Maqedonisë. Dardanët, megjithëse luftuan përkrah romakëve, ndryshe nga shteti ilir, nuk patën asnjë përfitim, kështu u bë e qartë politika e diferencuar e Romës dhe synimet e qëndrimi i saj ndaj shteteve të ndryshme ballkanike. Pakënaqësia e krijuar tek paria dardane ndaj romakëve, pas ngjarjeve të mësipërme, shkaktoi një të çarë të thellë në marrëdhëniet midis tyre. Ata filluan përsëri të bëjnë një politikë të pavarur që e provon edhe fakti se etolët në vitin 190 p.e.sonë, u kërkuan dardanëve ushtarë me pagesë në luftën kundër romakëve.
Nga ana tjetër, maqedonët përfituan nga paqja e qëndrimi hakmarrës i romakëve kundër dardanëve, të cilëve iu desh të luftojnë të vetëm kundër një armiku të egërsuar. Për këtë qëllim, Filipi V, me forca të shumta sulmoi dardanët dhe në betejën që u bë pranë qytetit Stobi në Paioni e theu ushtrinë e tyre. Por dardanët mbetën për maqedonët gjithnjë kundërshtarë të fortë që nuk e ndërprenë luftën kundër tyre. Duke e ndjerë forcën e Mbretërisë Dardane dhe mospajtimin e saj me politikën maqedone, sundimtarët e Maqedonisë menduan ta shkatërrojnë atë me anën e forcave të treta. Për këtë Filipi V i shfrytëzoi bastarnët që banonin në krahinën e Danubit.
“Qëllimi i Filipit, - thotë Tit-Livi, - ishte që të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në tokat e tyre bastarnët. Ai [Filipi V], mendonte se prej kësaj do të kishte një përfitim të dyfishtë, nga njëra anë, do të zhdukej fisi i dardanëve, i cili gjithmonë kishte qenë armik i rrezikshëm i Maqedonisë dhe shqetësonte mbretërit e saj në çaste të vështira, kurse, nga ana tjetër, do të dërgonte bastarnët në Itali që ta shkretonin atë pasi të linin në Dardani gratë dhe fëmijët e tyre”.
Bastarnët invaduan viset dardane në vitin 179 p.e.sonë të ndihmuar edhe nga trakët e skordiskët, fqinjë veriorë e lindorë të tyre. Invazionet dhe qëndrimi i bastarnëve në viset e dardanëve krijoi për këta të fundit një situatë shumë të vështirë, kurse Perseu, pasardhësi i Filipit V, mundi ta vazhdonte i qetë luftën kundër Romës. Dardanët e pësuan për të dytën herë nga aleatët e tyre romakë. Roma nuk i dha asnjë përgjigje ankesës së delegatëve dardanë që njoftonin senatin romak se invazioni i bastarnëve ishte i përgatitur dhe i nxitur nga Maqedonia. Të mbetur përsëri vetëm, sundimtarët dardanë grumbulluan ushtrinë e tyre dhe i sulmuan bastarnët. Beteja përfundimtare, tregon Tit-Livi, u zhvillua nën muret e një qyteti dardan. Kjo betejë, të cilën e fituan dardanët, edhe pse Livi nuk e përmend këtë, përfundoi me largimin e bastarnëve nga FV në dimrin e vitit 176-175 p.e.sonë.
Atë që shteti maqedon nuk mundi ta bëjë me anën e bastarnëve, u përpoq ta bënte me forcën e armëve të tij. Në vitin 172 p.e.sonë në krye të ushtrisë maqedone që sulmoi Mbretërinë Dardane u vu vetë mbreti Perseu. Fitorja e përkohshme nuk i lëkundi dardanët dhe nuk pati ndonjë rëndësi të madhe, sepse në dy vitet që pasuan Mbretëria e Dardanëve përmendet si një fuqi e rëndësishme në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë ata e forcuan miqësinë me shtetin ilir nëpërmjet një lidhje martesore të Teutës, bijës së mbretit Monun, me Gentin. Kjo aleancë u shoqërua me një veprimtari ushtarake të përkohshme kundër Maqedonisë në kufijtë perëndimorë të saj, por sukseset e Perseut në krahinën e banuar nga penestët dhe politika antiromake që filloi të bënte Genti e afruan shtetin ilir me shtetin maqedon. Koniunktura politike që u krijua në prag të luftës së fundit të romakëve kundër shtetit maqedon e shtetit ilir e detyroi Mbretërinë Dardane të afrohej përsëri me romakët, etolët e penestët kundër maqedonëve. Por me gjithë pjesëmarrjen e tyre në koalicionin antimaqedon edhe pas mundjes përfundimtare të Maqedonisë, dardanët nuk e morën Paioninë. “Dardanëve, të cilët kërkonin Paioninë, pasi ishin kufitarë me tokat e tyre, komandanti romak, - thotë Livi, - iu përgjigj se u jepte liri gjithë atyre që qenë nën sundimin e Perseut. Duke mos u dhënë Paioninë e kërkuar prej tyre, u dha të drejtën të tregtonin kripë”.
 
Dardanët në shek. IV p.e.sonë.

Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane
Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte bërë asokohe fuqia politike-ushtarake më e madhe në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.sonë ai sulmoi edhe shtetin ilir.
Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedon kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.
Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi të fuqishme. FV asokohe përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore, që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u nxitën, në radhë të parë, nga politika e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet miqësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në mënyrë të vazhdueshme dardanët.
Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.sonë “mbreti i dardanëve” kishte dërguar delegatë te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh në luftën kundër keltëve. Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve, nëpër të cilën deshën të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin e invazionit të keltëve.
Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III p.e.sonë. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve, dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte një forcë politike-ushtarake e fuqishme. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i sundimtarit të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjët jugorë.
Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër: gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht kufijtë e saj në veri e në jug.
Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve maqedonë kundrejt fqinjëve të tyre iliro-veriorë dhe në mënyrë të veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët herëpashere janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë, dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.
Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë, luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedon për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonë u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.sonë, duke përfituar nga rasti që shteti ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir, “një pjesë e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”. Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise. Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që kalonte mbretëria maqedone sulmuan tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i Maqedonisë Demetri II.
Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi në duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja e re e krijuar nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni mundi të nxirrte dardanët jashtë Maqedonisë e Paionisë dhe nga të gjitha viset që kishin pushtuar në vitet e fundit të sundimit të Demetrit II. Në qytetin paion Bylazora, në luginën e lumit Aksios, maqedonët vendosën një garnizon të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një rëndësi të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur në luginën e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën në drejtim të Maqedonisë. Një forcim i tillë i maqedonëve në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq më tepër kur në brigjet perëndimore të Adriatikut kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika e Romës kishte ardhur në kontakt me Maqedoninë. Kjo gjendje herët a vonë do t’i çonte të dyja palët në luftë.
Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë burimet e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë sundimit të këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen e krijuar në Paioni, as me pretendimet hegjemoniste të Maqedonisë. Në vitin 219 p.e.sonë, kur Filipi V ndodhej në Peloponez ushtria dardane çliroi atë pjesë të Paionisë që mbanin të pushtuar maqedonët dhe bashkë me të edhe qytetin Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste luftën në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij në kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit. Forcimi i kufirit verior të mbretërisë maqedone dhe zotërimi i Bylazorës, që sipas Polibit do ta vështirësonte hyrjen e dardanëve në Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre të fundit. Në një pasazh të Livit tregohet se sundimtari maqedon u kthye përsëri në vitin 211 në kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia në pjesën jugperëndimore të Dardanisë, dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit) një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme e sulmeve të dardanëve.
Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri me shtetin maqedon gjatë sundimit të Filipit V, pavarësisht që nuk arritën të zgjidhnin në favor të tyre çështjen e vartësisë së paionëve, e dobësuan mjaft Maqedoninë dhe u bënë një pengesë serioze për realizimin e ndërhyrjeve ushtarake që synonin rivendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi. Për Mbretërinë Dardane u krijua një situatë e favorshme në konfliktin me Maqedoninë pas agresionit të Filipit V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208 p.e.sonë, dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin e një krahine ilire juglindore, sulmuan Maqedoninë. Ndërsa ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në qytetin Lyhnid dhe në zonën përreth tij, ushtria dardane zbriti deri në Orestidë, një krahinë në kufirin jugperëndimor të Maqedonisë. Kësaj radhe, duke bashkëpunuar me forcat ilire të Dasaretisë, ushtria dardane kaloi nëpër Pelagoni në kufirin perëndimor të mbretërisë maqedone. Futja e ushtrive ilire në tokat e shtetit maqedon dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga ana e ushtrisë së dardanëve e detyruan mbretin maqedon të hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi, bënë që Filipi “të tërhiqej edhe nga lufta kundër romakëve dhe e vunë përpara domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë e vet”. Me këto ngjarje të fundit duhet të lidhet edhe një lajm i Justinit, sipas të cilit “dardanët kishin filluar të shkretojnë krahinat kufitare të Maqedonisë dhe kishin marrë 20 mijë robër”. Më pas, vazhdon ai, Filipi V duke analizuar situatën e vështirë në të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi që fushatën e parë ta bënte kundër dardanëve, sepse ata përbënin një kërcënim serioz dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake. Për zbatimin e këtij vendimi ai luftoi kundër dardanëve në vitet 208 e 206 para e.sonë.
 
FV paraurbane

Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në protohistorinë dardane gjatë shek. VI-IV p.e.sonë. Në këtë fazë protourbane fuqizohet aristokracia fisnore, e cila akumulon pushtetin, duke krijuar kështu bazë për një shtresë të ardhshme skllavopronare.
Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.sonë shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët sollën në trojet dardane importe të shumta luksoze për të plotësuar nevojat e aristokracisë vendëse gjithnjë në rritje.
Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua nga mesi i shek.V p.e.sonë. Zejtarët poçarë, prodhonin enë me çark sipas traditës vendëse dhe sipas modeleve helene.
Vendbanimet e fazës protourbane gjenden ende në kodra, por me elemente më të avancuara arkitektonike, siç janë themelet me gurë e me lidhje të thatë. Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë të vendosjes së tyre rrëzë kodrave apo në rrafsh, gjë që bëhet tipike në fazën vijuese, me krijimin e qendrave urbane.
Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës së hershme ilire.
 
Territori dhe popullsia

FV shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek.III p.e.sonë, në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.
FV kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi.
Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit, fushave pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës së përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria Dardane në shek.IV-II p.e.sonë njohu lulëzimin më të madh.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve, galabrëve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim, fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.sonë, mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë. Në shek.V p.e.sonë këto fise banonin në hapësirën midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë) dhe Timakus (Timok).
Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë, lidhet me glosën indoevropiane dardh -a, shqip: dardha, dhe do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si Naissus-Nish, Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani, si Scardus mons (Mali Sharr), Drinus (Drini) etj.
Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire. Në epokën e hekurit, ata formuan një kulturë me veçori lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta me kulturën ilire. Vendbanimet në këtë kohë janë ngritur në kodra gjeostrategjike, pranë burimeve të qëndrueshme ekonomike. Vendbanimet rrethohen me ledhe prej dheu, përforcohen me gjerdhe, apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat gradina, gadisha e gradisha, disa prej tyre që banuan edhe në antikitetin e vonë e në mesjetë, njihen me toponimet gjytet dhe kala.
Deri në shek. IV p.e.sonë varrimi kryesor është bërë në nekropole tumulare, si në gjithë trevën tjetër ilire. Në fazat e hershme të epokës së hekurit ka edhe varrime me urna - kultura Bërnicë (shek. XI-IX p.e.sonë).
 
Qëndresa e Ilirëve kundër pushtuesve Romak

Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedon ishin bërë pengesa më e fuqishme kundër pushtuesve romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më të rëndësishme në Ballkan i kishte hapur Romës rrugën për të vazhduar më tej politikën e saj ekspansioniste në këtë gadishull dhe më tej në Lindje. Në shekullin II p.e.sonë dhe në shekujt që pasuan, Roma i shtriu luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e tjera të Ilirisë së brendshme dhe të asaj veriore. Objekt i synimeve të Romës u bënë, në radhë të parë Mbretëria Dardane dhe federata e dalmatëve, dy formacione shtetërore ilire, të cilat dolën në skenën politike më vonë. Mbretëria Dardane, siç u pa në kreun e mëparshëm, përmendet në burimet e shkruara edhe para këtyre luftërave dhe del si kundërshtare e fortë e ekspansionit maqedon në Ilirinë Verilindore, duke arritur zhvillimin e saj më të madh në pjesën e dytë të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë. Në këtë shekull të fundit dardanët u bënë gjithashtu edhe kundërshtarët më të fortë të pushtuesve romakë. Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset e tjera të veriut, që u bënë simbol i qëndresës kundër romakëve për një shekull e gjysmë. Kryengritjet e njëpasnjëshme të ilirëve morën karakter të gjerë duke përfshirë thuaj gjithë trevën ilire nga Danubi në veri deri në skajet jugore të Ilirisë. Në prag të erës sonë shpërtheu kryengritja e madhe e ilirëve, e quajtur kryengritja e Batos, e cila qe kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të mëparshme dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake duke e detyruar të hiqte dorë nga politika e saj agresive në Evropën Qendrore.
 
Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër pushtuesve romakë

Në shek. II p.e.sonë, dalmatët shfaqen në Ilirinë e Veriut si një fuqi politike aktive. Tokat e banuara prej tyre deri në atë kohë ndodheshin në krahinën e brendshme, në jug të Alpeve Dinarike, ku gjendej edhe kryeqendra politike e tyre, kështjella e Delminit. Në këtë krahinë dalmatët krijuan një federatë të fuqishme, e cila erdhi duke u shtrirë në drejtim të bregdetit. Në federatën e dalmatëve u përfshinë edhe disa popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e.sonë territori i saj u zgjerua mjaft, në këtë territor qenë përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por edhe ato bregdetare. Në veri treva e federatës arriti deri te lumi Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë liburnët. Në jug, në fillim ishte lumi Tilur (Cetina), por më vonë kufiri arriti deri te rrjedhja e poshtme e Naronës (lumi i sotëm Neretva), në brigjet jugore të së cilës banonin daorsët. Më i vështirë është përcaktimi i kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë me një krahinë malore, por ka shumë të ngjarë që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët, në Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së federatës së dalmatëve, brenda këtyre kufijve dhe detit Adriatik ishte thuajse tërësisht malore, por nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha. Kjo veçori e relievit të viseve dalmate dhe kullotat e pasura të rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e blegtorisë, kanë bërë që blegtoria të ishte baza kryesore e ekonomisë dhe që vetë dalmatët të njihen më tepër si blegtorë. Bujqësia vinte në rend të dytë, kurse xehtaria ka qenë më pak e zhvilluar.
Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe te dalmatët sikurse tek ilirët e tjerë, në periudhën e parë të hekurit kishte filluar shthurja e bashkësisë primitive dhe diferencimi ekonomik e shoqëror. Në gjirin e shoqërisë së dalmatëve ishte krijuar një shtresë e veçantë që zotëronte kope të mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria fisnore, që u vu në krye të federatës dhe e udhëhoqi në luftërat e ndryshme. Kësaj kohe i përkasin edhe një tok qendërbanimesh të fortifikuara, të quajtura zakonisht “gradina” të ngritura përreth pllajave të brendshme, rrënojat e të cilave janë ruajtur deri në ditët tona. Këto qendërbanime të fortifikuara apo kështjella ngriheshin në majat e sheshuara të disa kodrave të ulta dhe janë të njëkohshme. Ato përveç mbrojtjes natyrore ishin të fortifikuara me ledhe gurësh që dalmatët bënë kundër pushtuesve romakë. Ndryshonte prej tyre Delmini, kryeqendra e dalmatëve, të cilën Straboni e ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet e disa autorëve të tjerë antikë, ai ka qenë shumë i fortifikuar, i rrethuar me mure të larta dhe i vështirë për t’u pushtuar. Për të njohur natyrën e qendërbanimeve të fortifikuara të dalmatëve mund të ndihmonte arkeologjia; por ato qendërbanime kanë mbetur ende të pastudiuara mirë. Sidoqoftë ato nuk u zhvilluan si qendra qytetare, veçse me ndonjë përjashtim të rrallë, por i shërbyen kryesisht popullsisë blegtorale. Duke qenë blegtoria degë kryesore e ekonomisë së viseve të brendshme dalmate, në këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë. Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të leshit dhe krijimit të punishteve të tekstilit. Në popullsinë blegtorale të dalmatëve pati një zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga pyjet e pasura të viseve të tyre.
Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike, tregojnë se te dalmatët e viseve të brendshme u ruajt më gjatë organizimi fisnor; për marrëdhëniet ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët e brendshëm bën fjalë Straboni kur shkruan se, ende në kohën e tij, dalmatët e ndanin tokën çdo tetë vjet dhe se ndryshe nga banorët e bregdetit, përdornin monedhat. Nga kjo e dhënë e Strabonit kuptohet se nuk ishte fjala për tokat e kulturave bujqësore, ku ekzistonte prona private, por për kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe tek ilirë të tjerë, të ishin prona të përbashkëta. Por, në të njëjtin vend Straboni shkruan se Salona ishte një skelë e dalmatëve dhe se në viset e tyre ka pasur qendërbanime të shumta (sipas tij numri arrinte në 50); qytete të rëndësishme, përveç Salonës e Delminit, kanë qenë Propona, Ninia, Andetri etj. ثshtë e qartë se njoftimi i parë i Strabonit u përket viseve të brendshme, kurse në krahinën bregdetare gjendja ishte krejt ndryshe. Në ishujt fqinjë dhe në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit e të Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura prej kësaj të fundit. Në krahinën bregdetare ku ndodheshin të gjitha qendrat qytetare që u përmendën më sipër, janë gjetur materiale arkeologjike e monedha, midis të cilave edhe monedha të Dyrrahut e të Apolonisë, tregues të një zhvillimi ekonomik e shoqëror të përparuar. Në këtë krahinë të gjerë të federatës së dalmatëve organizimi fisnor po ia lëshonte vendin shoqërisë skllavopronare. Ka qenë ky zhvillim që pati treva e federatës së dalmatëve, i cili e bëri këtë të fundit një fuqi politike të rëndësishme në brigjet e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.
Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë sundimit të Pleuratit dalmatët qenë në vartësinë e shtetit ilir, por për një kohë të shkurtër. Me vdekjen e Pleuratit dhe me ardhjen e Gentit në krye të shtetit ilir në vitin 181 p.e.sonë ata u bënë përsëri të pavarur. Pas shkëputjes nga shteti ilir federata e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë kohë dalmatët bashkuan rreth vetes edhe popullsi të tjera ilire, të cilat qenë detyruar t’i jepnin federatës si tribut, bagëti dhe grurë. Në viset bregdetare adriatikase, Traguri e Epeti, dy qytete që ishin nën varësinë e kolonisë sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë Salonës, qenë detyruar t’i jepnin gjithashtu një tribut federatës së dalmatëve. Dalmatët u përpoqën njëkohësisht të nënshtronin daorsët, të cilët zotëronin vetëm krahinat pas bregut të majtë të rrjedhjes së poshtme të lumit Naretva. Daorsët para vitit 168 p.e.sonë bënin pjesë në shtetin ilir dhe me rënien e këtij të fundit kishin hyrë nën protektoratin e Romës.
Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në viset bregdetare jugore, nuk mund të mos ngjallte shqetësime në shtetin romak, që ndiqte një politikë pushtuese në viset veriore ilire. Këtë politikë pushtuese shteti romak e justifikonte, gjoja për të mbrojtur kufijtë lindorë të Italisë. Kështu pati vepruar që në kohën e luftërave iliro-romake, ndërsa në vitin 178 p.e.sonë ushtria romake, pasi kishte thyer qëndresën e istrëve, kishte pushtuar gjithë gadishullin e banuar prej tyre. Duke zbatuar më tej politikën pushtuese Roma sulmoi edhe federatën e dalmatëve. Për luftën kundër dalmatëve romakët përdorën si pretekst ankesat e daorsëve e të Isës, të cilët ishin nën tutelën e Romës, dhe sjelljet e këqija të dalmatëve kundër delegatëve të tyre. Vepra e Polibit, që është burimi kryesor për këto ngjarje, tregon se nuk qenë veprimet e dalmatëve shkaku i luftës, por plani i Romës, i përgatitur me kohë për të pushtuar trevën veriore ilire. “Duke ndërmarrë një fushatë kundër dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën anë do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak të popullit të tyre dhe, në anën tjetër, do t’u jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i detyronin t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për këto arsye romakët u shpallën luftë dalmatëve, por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënë këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve ndaj përfaqësuesve të tyre”.
Në vitin 156 p.e.sonë ushtria romake duke pasur si bazë rrjedhjen e poshtme të lumit Naretva filloi sulmin kundër dalmatëve. Përpjekja e parë e ushtrisë romake për t’u futur në viset e dalmatëve përfundoi keq dhe ajo u detyrua të kthehej përsëri në bazën e nisjes. Konsulli romak G. Mark Figuli, duke shpresuar se do t’i zinte dalmatët në befasi, i sulmoi përsëri ata në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan me sukses sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës së tyre Delminit, por një vit më vonë, pas përgatitjesh të mëdha, romakët duke përdorur të gjitha mjetet mundën të pushtojnë Delminin. Burimet e shkruara nuk bëjnë fjalë për gjendjen që u krijua pas luftës. Ngjarjet e mëpastajme tregojnë se lufta vërtet përfundoi keq me pushtimin e Delminit, por jo me nënshtrimin e dalmatëve. Pas kësaj lufte romakët e zgjeruan agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke sulmuar japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve patën si pikënisje kufirin verilindor të Gadishullit Italik dhe si bazë për fushatat e tyre kundër ilirëve shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin e Istrisë, ku shteti romak kishte vendosur një koloni me qytetarë romakë. Japodët e panonët, ashtu si dalmatët i vazhduan për një kohë të gjatë luftërat kundër pushtuesve romakë. Me qëndresën që i bënë shtetit romak për më se njëqind vjet - nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë - popullsitë ilire të veriut, e detyruan atë të dërgonte në viset e tyre ushtri të reja, por pa arritur rezultate të dukshme. Në krye të popullsive veriore ilire, në luftën kundër romakëve, qëndronin dalmatët, të cilët për shumë vjet me radhë mbetën kundërshtarët më të fortë të Romës.
Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.sonë kundër pushtuesve romakë luftuan edhe ardianët. Ardianët ishin një nga popullsitë e mëdha ilire që jetonte në brigjet e Adriatikut të Mesëm deri në afërsi të liqenit të Shkodrës. Viset e tyre, që bënin pjesë në shtetin ilir, pas vitit 168 p.e.sonë, ishin futur në njërën nga krahinat pseudoautonome të krijuara nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës dhe të qëndresës së federatës së dalmatëve kundër Romës, ardianët e ndryshuan statusin e vendosur në vitin 168 dhe u bënë të pavarur. Në përpjekjet për të forcuar pozitën e tyre në një krahinë të varur politikisht nga shteti romak, ata u ndeshën së pari me “aleatët” e këtij shteti. Sipas Tit Livit ardianët e pleurejtë “shkretonin Ilirinë që ishte nën romakët”. Përpjekjet e ardianëve e të pleurejve për të forcuar pavarësinë e tyre, në një kohë kur edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve romakë, krijuan për Romën një situatë të vështirë, të rënduar edhe nga kryengritja e skllevërve në Sicili. Për të dalë nga kjo situatë shteti romak dërgoi në viset e ardianëve e të pleurejve një ushtri relativisht të madhe, të përbërë nga 10 mijë këmbësorë e 600 kalorës. Mënyra se si u zhvilluan luftimet tregon se sulmi romak i gjeti ardianët e pleurejtë të papërgatitur për një luftë e qëndresë të gjatë. Burimet japin njoftime vetëm për një betejë që u bë në vitin 135 p.e.sonë, ku romakët i thyen ardianët e pleurejtë. Pas kësaj lufte shteti romak, për të shmangur një kryengritje e re, i shpërnguli me forcë ardianët nga bregdeti në viset e brendshme malore të Hercegovinës së sotme
 
Kryengritjet e ilireve


Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të erës sonë

Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të erës sonë
Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë ka qenë ajo e viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet nga kryengritjet e tjera për shtrirjen e gjerë të saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire, për luftën e paepur të kryengritësve dhe për gjendjen e vështirë që krijoi për shtetin romak. Kryengritja filloi në një kohë kur Perandoria Romake, duke vazhduar politikën pushtuese të saj, po përgatitej për luftën kundër markomanëve gjermanikë, të cilët kishin krijuar në tokat e اekisë së sotme një federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar romak kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte detyruar të jepnin rekrutë për luftërat e reja pushtuese. Për luftën kundër markomanëve ishte përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh, e cila do të plotësohej me reparte ndihmëse. Ushtarët e këtyre reparteve do të rekrutoheshin kryesisht tek fiset e mëdha të veriut: dalmatët, desidiatët, panonët etj. Rekrutimi i bërë me forcë i shtyti përsëri në kryengritje ilirët, që ishin rënduar edhe nga pagesa e taksave. Dalmatët edhe para kësaj kryengritjeje kishin qëndruar të qetë. Të parët u ngritën desidiatët dhe shumë shpejt kryengritja u përhap edhe tek popullsitë e tjera ilire, nga lumenjtë Sava e Dava në veri, deri tek lumi Mat në jug, ku u ngritën pirustët. Kjo ka qenë kryengritja më e madhe ku, për të parën herë, një tërësi popullsish ilire rrokën armët së toku dhe u hodhën në luftë kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse ilire përbëhej nga 200 mijë këmbësorë e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë: nga Bato Desidiati dhe nga një tjetër Bato e Pini nga fisi i breukëve panonë. Duke bashkërenditur veprimet e tyre, kryengritësit ilirë filluan operacionet në tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish u drejtuan nga krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar mjaft qytete e kështjella, zbritën në jug deri në afërsi të qytetit të Apolonisë, në provincën e Maqedonisë. 2) Një grup tjetër kryengritësish u drejtua nga veriperëndimi, për të çliruar krahinat ilire në kufi me Italinë dhe për të forcuar mbrojtjen në këto vise. 3) Një pjesë tjetër e kryengritësve qëndroi në brendësi të viseve dalmate, duke pasur si detyrë jo vetëm çlirimin e plotë të vendit, por edhe organizimin e mbrojtjes.
Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para të tyre u bënë shqetësuese për romakët, të cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara në pjesën veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj lufte e tronditi shumë pushtetin qendror romak. Në Romë u shpall mobilizimi i përgjithshëm. Vetë perandori Oktavian lëshoi kushtrimin në senat, se “në dhjetë ditë, po të mos merren masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë brenda në Romë”. Perandori kërkoi që për nevojat e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin një pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën nën armë veteranët e luftërave të mëparshme dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit e liruar. Me markomanët shteti romak bëri një marrëveshje, e cila u lehtësua edhe nga fakti që nuk kishin filluar veprimet e luftës. Legjionet romake, të dërguara kundër markomanëve dhe të vëna nën komandën e Tiberit, morën urdhër të drejtohen për në Iliri, ku ziente kryengritja.
Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake, gjatë dy viteve të para të luftimeve me legjionet romake, iniciativa ishte në duart e kryengritësve, të cilët duke vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi e goditnin ushtrinë romake në befasi dhe në disa drejtime në një kohë, sulmonin kolonat e furnizimit etj. Në luftë kundër kryengritësve ilirë, shteti romak solli nga Siria dy legjione nga më të fortat, kërkoi ndihmën e aleatit të tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe dërgoi në Ilirik komandantët më të mirë ushtarakë. Ushtria romake gjatë operacioneve në viset ilire përdori të gjitha mjetet për të mposhtur qëndresën e ilirëve, forcën e armëve, djegien e qendërbanimeve të ilirëve kryengritës, shkatërrimin e arave, të kopshteve e të pyjeve, vrasjen e kthimin e popullsisë ilire në skllevër. Në vitin e tretë të kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të krijuar pas dimrit të fortë në vitet 7/8, duke përdorur intrigat dhe përçarjet, romakët mundën me anë premtimesh të bënin për vete Baton, njërin prej prijësve breukë. Megjithëse Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit dhe u dënua si tradhtar, kryengritësit panonë ishin përçarë dhe ushtria romake mundi ta shtypte qëndresën e fiseve kryengritëse të Panonisë.
Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën krahinat dalmate. Shteti romak, në luftën kundër kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha forcat ushtarake të grumbulluara. Kryengritësit ilirë, ndër të cilët forcën kryesore e përbënin dalmatët, qenë të detyruar t’u bënin ballë sulmeve të një ushtrie armike disa herë më të madhe dhe që zotëronte mjete të shumta lufte. Kryengritësit dalmatë treguan në luftimet kundër legjioneve romake një trimëri e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan dëme të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës së Andetrit, në Dalmati romakët nga rrethues u shndërruan në të rrethuar dhe shpëtuan nga një katastrofë e madhe, të ndihmuar përsëri nga tradhtia e disa përfaqësuesve të parisë vendase. Në mbrojtje të një kështjelle tjetër, Arbudës, me kryengritësit u bashkuan edhe gratë, të cilat për të mos rënë në duart e armiqve u hodhën me fëmijët e tyre në zjarrin që kishte përfshirë kështjellën dhe në humnerat poshtë saj. Kështjellat dalmate, të mbrojtura nga kryengritësit ranë në duart e pushtuesve romakë si gërmadha dhe pa banorë. Popullsi të veçanta ilire e vazhduan qëndresën edhe pas rënies së kështjellave dalmate. Të fundit që u mposhtën qenë desidiatët e pirustët, të cilët sikurse shkruan historishkruesi romak Velei Paterkuli, pjesëmarrës në luftën kundër kryengritësve ilirë, “ishin pothuaj të pathyeshëm në sajë të pozitës së vendeve dhe të maleve, të natyrës së tyre të egër, të zotësisë së tyre të çuditshme për të luftuar...”.
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë, sipas historishkruesit romak Suetonit, “ishte më e tmerrshme nga të gjitha luftërat e jashtme pas luftës punike”. Gjatë luftës për mposhtjen e kryengritjes shkruan një tjetër historianshkrues antik, “shumë njerëz humbën dhe u shpenzua një sasi e madhe të hollash. Sepse gjatë kësaj lufte u desh të mblidhej shumë ushtri, ndërsa plaçka e luftës ka qenë shumë e paktë”. Pasojat e kryengritjes së madhe ilire, dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake, që nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një luftë të re, u dukën shumë qartë në disfatën e në humbjen e tri legjioneve në pyllin e Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e madhe e ilirëve e viteve 6-9 krijoi në Perandori një situatë të nderë e të vështirë. Ajo i dha fund periudhës agresive të politikës së jashtme të Oktavianit. Shteti romak u detyrua të hiqte dorë nga politika e tij pushtuese kundër markomanëve gjermanikë dhe Evropës Qendrore.
Raprezaljet që bënë romakët në viset ku shpërtheu kryengritja qenë të tmerrshme. Kryengritësve iu mor toka dhe çdo gjë që kishin; disave u prenë duart, kurse shumë të tjerë u shitën si skllevër. Vetëm pas më shumë se një shekulli e gjysmë luftimesh pushtuesit romakë mundën të mposhtnin qëndresën e armatosur të ilirëve dhe t’i nënshtronin “në një farë mënyre”. Straboni shkruante asokohe se shkretimi i Ilirisë “ka filluar prej shumë kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar as sot e kësaj dite për shkak të kryengritjeve...”. “Romakët po ngrehin lëmet në shtëpitë e tyre”.
Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë ndonëse nuk pati lëvizje të mëdha të organizuara të ilirëve kundër romakëve, qëndresa e ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër romanizimit e asimilimit vazhdoi gjatë.
 
Kryengritjet e ilirëve në mesin e shek. I p.e.sonë

Megjithëse popullsitë e ndryshme ilire ishin mundur në beteja të veçanta nga ushtria romake, kjo e fundit nuk e kishte thyer përfundimisht qëndresën e tyre. Pas luftërave mbrojtëse filluan kryengritjet. Mizoritë e ushtrive romake, veprimet arbitrare të komandantëve e të qeveritarëve romakë, taksat e rënda, plaçkitjet e grabitjet e pushtuesve i shtynë në kryengritje ilirët e veriut dhe të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë e më i rëndë; në krahinat e pushtuara nuk ishin të siguruara as gjëja, as nderi dhe as jeta e ilirëve.
Kjo bëri që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë, gjatë krizës politike që kaloi Republika Romake për shkak të luftës civile, lufta çlirimtare e ilirëve të zgjerohej edhe më shumë. Në krahina të ndryshme të Ilirisë, sidomos në ato bregdetare u krijua një situatë e favorshme, e cila u dha shkas përpjekjeve për çlirim. Duke pasur synime të qarta politike, ilirët u përpoqën të përfitonin nga konfliktet që lindën në gjirin e klasës sunduese romake. Kështu në vitet 50 të shek. I p.e.sonë një pjesë e qyteteve (ku ishin vendosur qytetarë italikë) që kishin filluar të zhvilloheshin ekonomikisht, morën anën e Cezarit; paria ilire, e nisur nga interesat e saj jetësore, përkrahu kundërshtarin e tij, Pompeun.
Të parët që morën armët dhe u ngritën kundër romakëve qenë pirustët; në vitin 50 p.e.sonë ata sulmuan krahinat jugore të vëna nën administrimin e Cezarit. Shteti romak mori masa mbrojtjeje kundër pirustëve kryengritës, dërgoi forca të reja ushtarake dhe fortifikoi qytetet. Ne kemi dëshminë e tri mbishkrimeve latine të gjetura në Lezhë dhe të vetë Cezarit për rindërtimin e fortifikimeve të Lisit, që duhet të ketë qenë një nga qytetet e para të sulmuara nga pirustët.
Atë që nuk mundën ta bënin pirustët, dëbimin e pushtuesve romakë nga vendi i tyre, e bënë dalmatët. Në vitet 50 të shek. I p.e.sonë dalmatët rimëkëmbën federatën e tyre. Në kufirin verior me liburnët ata çliruan qytetin Promona dhe thyen ushtrinë e fortë romake të dërguar kundër tyre nga Cezari. Në vitet 47-48 në një betejë të madhe ata shkatërruan tërësisht ushtrinë romake të përbërë nga 15 kohorta këmbësorësh e 3 000 kalorës. Më shumë se 2 000 ushtarë, 30 centurionë e 4 tribunë romakë u vranë në këtë betejë. Me disfatë përfunduan edhe operacionet e tjera të ushtrisë romake, e cila u thye, duke humbur edhe flamujt. Sipas Apianit, dalmatët pas këtyre betejave “nga plaçka e shumtë që zunë jo vetëm u pasuruan në të holla, por rritën fuqinë e tyre ushtarake”. Dalmatët mbetën të pavarur dhe të fuqishëm edhe pas vdekjes së Cezarit.
Kundër pushtuesve romakë u ngritën edhe parthinët, tokat e të cilëve gjatë luftërave u bënë shesh lufte. Me pasoja për ta qe lufta midis Cezarit e Pompeut që shkatërroi ekonominë e tyre. Gjatë kësaj lufte ushtritë romake grabitën popullsinë parthine dhe krijuan aty një gjendje pasigurie. Për herë të parë parthinët ngritën krye në vitin 48 p.e.sonë, por kryengritja më e madhe e tyre ka qenë ajo e vitit 39, gjatë së cilës u shkaktuan pushtuesve romakë humbje të mëdha. Por në luftimet u vranë rreth 5 000 kryengritës. Sipas tregimit të Apianit, edhe pasi ishte shtypur kryengritja, njëri prej komandantëve romakë, Mark Antoni, do të ndihmonte ushtrinë që kishte në tokat ilire dhe me qëllim që ta bënte të pasur dhe njëkohësisht ta stërviste, e hodhi këtë ushtri kundër parthinëve.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. I fise të tjera kryengritëse ilire të veriut vazhduan të luftojnë kundër pushtuesve romakë. Oktaviani, që ishte bërë në vitet 40 sundimtar i vetëm i shtetit romak, u detyrua të vinte vetë në viset ilire të çliruara në krye të një ushtrie prej 8-10 legjionesh (pothuaj 1/5 e ushtrisë së tij). Me këtë fushatë të madhe ushtarake Oktaviani kërkonte të forconte njëkohësisht edhe pozitën e tij në Itali. Në vitin 35 p.e.sonë ushtria i sulmoi nga toka dhe nga deti liburnët, kaonët dhe japodët. Këta të fundit u bënë legjioneve pushtuese një qëndresë të madhe. Në qëndresën ilire të kësaj kohe mbetet si një shembull i madh lufta për mbrojtjen e Metulit, qytetit kryesor të japodëve. Romakët mundën të pushtonin këtë qytet vetëm kur ai u shkatërrua i tëri dhe kur ishin vrarë mbrojtësit e tij. Për të mos rënë në duart e armikut, gratë metulase me fëmijët e tyre u hodhën në zjarrin që përfshiu qytetin. Shteti romak sulmoi pastaj edhe fise të tjera ilire si panonët, dalmatët e dardanët.
Pas kësaj fushate të përgjakshme që u kushtoi rëndë romakëve, këta të fundit arritën deri në Danub, duke hapur edhe rrugën tokësore që lidhte krahinat danubiane me detin Egje. Ilirët kryengritës, që luftonin jo të bashkuar u mundën nga ushtria e madhe romake e armatosur dhe e organizuar mirë. Por popullsitë ilire nuk iu nënshtruan pushtuesit as pas fushatës së viteve 30, me gjithë masat e marra nga shteti romak, largimin me forcë prej vendit të tyre të shumë kryengritësve dhe kthimin në skllevër të robërve të zënë gjatë luftërave pushtuese.
 
Gjendja Ekonomiko-shoqërore dhe administrimi i Ilirisë në shek. I-III e.sonë

Organizimi administrativ i Ilirisë

Në fund të shek. I.p.e.sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), ku qenë përfshirë krahinat e Ilirisë Veriore. Provinca e Ilirikut përfshinte një territor shumë të gjerë: në veri arrinte deri në Danub, kurse në jug deri te lumi Mat; në lindje provinca e Ilirikut shtrihej në qendër të Ballkanit, duke përfshirë në përbërjen e saj edhe territorin e Serbisë së sotme. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshëm krijimin në pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër. Provinca e Mëzisë - me këtë emër u quajt provinca e re - përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëhere kishte bërë pjesë në provincën e Maqedonisë.
Kryengritjet dhe në përgjithësi kundërshtimi që iu bë pushtimit në viset ilire, sidomos në ato të provincës së Ilirikut e detyruan shtetin romak të rishikojë marrëdhëniet me provincat dhe të riorganizojë aparatin administrativ. Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë provinca e Ilirikut u nda më dysh: në jug u krijua provinca e Dalmatisë dhe në veri ajo e Panonisë. Në etapën e fundit të organizimit administrativ të provincave ilire, nga Perandoria e hershme Romake (shek. II e.sonë), u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania e Etolia, në jug të tij.
Provincat e nënshtruara e të qetësuara në një farë mënyre, ishin nën mbikëqyrjen e senatit romak, kurse provincat që kishin rëndësi strategjike, ku gjendja ishte e pasigurt dhe ku ishte e nevojshme të mbaheshin reparte ushtarake, vareshin drejtpërdrejt nga perandori. Në Iliri provinca perandorake ishin Panonia, Dalmatia, Mëzia e Epiri, kurse Maqedonia ishte provincë e varur nga senati.
Në krye të provincave qëndronin sundimtarë të posaçëm, mëkëmbësit, të cilët sipas rëndësisë së provincave ishin të rangjeve të ndryshme. Në provincën perandorake të Dalmatisë, mëkëmbësi ishte në rangun e konsullit (legatus) (Augustipropraetore). Provinca e Epirit hynte në grupin e provincave të dorës së dytë dhe sundohej nga mëkëmbës që vinin nga shtresa e kalorëve romakë. Në krye të provincës së Maqedonisë kanë qenë vënë senatorë në rangun e propretorit.
Mëkëmbësit emëroheshin në administrimin e provincës për një vit, duke pasur edhe funksionin e lartë gjyqësor dhe politikën fiskale. Në provincat ku mbaheshin reparte ushtarake ata kishin në dorë edhe pushtetin ushtarak. Mëkëmbësit kanë qenë zotër të vërtetë të provincave dhe kanë pasur një pushtet të pakufizuar. Veprimtaria e mëkëmbësve në provincat ka qenë jashtë çdo kontrolli, ata kishin në duart e tyre jetën e banorëve të provincave dhe shfrytëzonin postin e tyre për interesat vetjake, duke shtuar pasurinë e tyre me anë të grabitjeve sistematike. Në përgjithësi veprimet e mëkëmbësve të provincave karakterizoheshin nga një arbitraritet i theksuar. Shembull i abuzimeve dhe i plaçkitjeve të sundimtarëve romakë, i shthurjes dhe i paligjshmërisë së plotë në provincat, ishte bërë provinca e Maqedonisë, gjatë sundimit të mëkëmbësit romak Kalpurn Pizonit, në vitet 57-55 p.e.sonë. Në një ligjëratë të mbajtur kundër Pizonit, oratori i njohur romak Ciceroni, e ka përshkruar gjendjen e krahinave ilire në provincën e Maqedonisë të asaj kohe me këto fjalë: “Dyrrahu e Apolonia të shkatërruara... parthinët e bylinët të gënjyer, Epiri krejt i shkatërruar ... të gjithë kanë provuar se ti kishe ardhur vetëm për t’i vjedhur, plaçkitur, keqpërdorur dhe trajtuar si armiq...”.
Në provincat ilire mëkëmbësit kishin mjaft nëpunës ndihmës, midis tyre ishin kuestorët që merreshin me financat, prokuratorët që drejtonin degë të ndryshme të ekonomisë dhe legatët që kryenin detyrat e tyre në ushtri dhe në gjyqe. Një detyrë themelore e mëkëmbësve dhe e ndihmësve të tyre ka qenë mbledhja e taksave nga popullsia ilire. Shteti romak kishte përpunuar një sistem të hollësishëm të nxjerrjes së taksave dhe të detyrimeve të tjera në popullsitë e viseve të pushtuara. Taksat kryesore kanë qenë ato që paguheshin për tokën dhe ato për frymë (tributum soli dhe tributum capiti). Baza e sistemit fiskal romak ka qenë regjistrimi i pasurisë. Me caktimin e taksave janë marrë prokuratorët, të cilët i caktonin ato sipas të ardhurave, sipërfaqes dhe cilësisë së tokës. Këto taksa, në fillim i paguanin vetëm banorët vendës, të cilët romakët i quanin “peregrini” (të huaj). Më vonë taksat u shtrinë edhe mbi qytetarët romakë të vendosur në provincat ilire.
Përveç taksave të drejtpërdrejta, popullsia vendëse ka qenë e shtrënguar të paguante edhe taksa të tjera të tërthorta, që merreshin pjesërisht në të holla e pjesërisht në natyrë, si p.sh. taksën për ndërtimin e rrugëve, për pyllin, për peshkimin dhe taksën doganore. Taksa doganore apo e kufirit paguhej për disa mallra të importuara që kalonin nëpër rrugët tokësore lumore ose detare nga një njësi administrative-doganore në tjetrën. Një njësi doganore më vete përbënte Iliriku (portorium Illyrici), në të cilën qenë përfshirë provinca e Dalmatisë, e Panonisë, e Mëzisë, e Norikut dhe më vonë provinca e Dakisë. Nga banorët e provincave ilire nxirreshin shuma të mëdha në të holla për mbajtjen e administratës romake dhe të reparteve ushtarake të dislokuara në to. Të gjitha taksat e abuzimet e nëpunësve romakë rëndonin thuajse tërësisht mbi popullsinë e thjeshtë. Përfaqësuesit e pushtetit perandorak, legatët, prokuratorët, fajdexhinjtë e tregtarët italikë i shihnin provincat si objekt grabitjeje. Një nga provincat që u shkatërrua shpejt nga veprimtaria grabitqare e sundimtarëve romakë ka qenë provinca e Maqedonisë. Pasiguria e krijuar në këtë provincë, kundërshtimet dhe kryengritjet e banorëve të saj kundër qeveritarëve romakë, bënë që më vonë ajo të kthehej nga një provincë e administruar nga senati në një provincë perandorake.
Grabitjet dhe barra e rëndë e taksave kanë qenë më të theksuara në krahinat bregdetare dhe në ato të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacioneve, ku kishte gjithfarë nëpunësish romakë. Në viset e brendshme dhe në krahinat malore të provincave ilire, pushtuesit romakë nuk mund të vendosnin marrëdhënie të tilla vartësie as edhe të nënshtronin plotësisht banorët vendës ndaj autoriteteve shfrytëzuese të perandorisë. Shumë krahina e bashkësi territoriale ruajtën për një kohë të gjatë një vetadministrim të brendshëm. Këto bashkësi, të quajtura civitates, ishin të përbëra nga qendërbanime të vogla e fshatra që kishin përreth tyre një territor bujqësor të gjerë, që shtrihej në kufijtë e vjetër të popullsive ilire dhe që ishte pjesërisht tokë private dhe pjesërisht pronë e përbashkët. Në krye të civitates-ve ka pasur një prefekt (praefectus civitatis) që zakonisht zgjidhej midis ushtarakëve të reparteve të afërta. Në këto bashkësi prefektët ushtronin autoritetin e tyre në emër të shtetit romak, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të merrej asnjë vendim. Më vonë oficerët romakë u zëvendësuan nga përfaqësues të parisë vendëse që kishin marrë qytetarinë romake. Duke organizuar bashkësitë vendëse sundimtarët romakë, mundën të siguronin një farë kontrolli mbi popullsinë vendëse dhe ta tërhiqnin atë në jetën e shtetit romak. Në burimet mbishkrimore përfaqësuesit e parisë ilire të vënë në krye të bashkësive autonome, si p.sh. te dalmatët, japodët, desidiatët e dokleatët, janë quajtur praepositi (kryetarë). Pranë tyre ka pasur edhe një këshill fisnor, i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të parisë vendëse, principes, që ishin gjithashtu njerëz të besuar të Romës. Kjo shtresë e parisë ilire erdhi gjithnjë duke u kufizuar; nga gjiri i saj kanë dalë më vonë ata që bënë përpjekjet e fundit, por pa rezultat, për të mëkëmbur perandorinë e hershme romake dhe për të mbajtur gjallë skllavopronarinë që ishte në shthurje e sipër.
Për të lehtësuar sundimin e tyre romakët krijuan krahina të mëdha gjuhësore-administrative, të quajtura kuvende (conventus provinciae). Në provincën e Dalmatisë ka pasur tri kuvende. Në kuvende merrnin pjesë përfaqësuesit e shtresave sunduese të qyteteve dhe të parisë ilire të bashkësive territoriale; midis tyre zgjidhej për një vit, kryetari i kuvendit dhe prifti i kultit të perandorit.
 
Zejtaria, tregtia dhe komunikacioni

Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe lulëzimi i jetës qytetare në shekujt e parë të erës sonë në provincat ilire ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimin që morën degët e ndryshme të ekonomisë, zejtaria, tregtia dhe bashkë me ta rrjeti i komunikacionit. Me gjithë ngritjen që pati në dy shekujt e parë të perandorisë provinca e Maqedonisë, ku qenë përfshirë edhe Iliria e Jugut dhe Epiri, këto nuk arritën gjendjen që kishin pasur në kohën kur qenë të pavarura. Ndryshe prej tyre, në krahinat e brendshme e të veriut, në Dalmati, Panoni, Dardani etj., vendosja e mënyrës antike (romake) të prodhimit u pasua nga një zhvillim ekonomik më i lartë se ai që kishin pasur më parë.
Në këtë periudhë u zhvilluan në Iliri ato degë të zejtarive, prodhimet e të cilave ishin të destinuara për të plotësuar kërkesat e një rrethi të gjerë konsumatorësh, në radhë të parë të vendasve. Në këtë kategori hynin veglat e punës, orenditë shtëpiake, enët prej balte, qelqi dhe stolitë. Zhvillimi i metalurgjisë dhe i disa zejeve të rëndësishme u pasua me futjen në përdorim të një sërë veglash të reja pune, të cilat e shtuan edhe më tej prodhimin. Njëkohësisht vërehet edhe krijimi, sidomos në qytetet e mëdha, të punishteve, të cilat i zotëronin skllavopronarë të njohur italikë, sikurse është rasti i kandilave prej balte të pjekur të prodhuar në Bylis nga firmat e njohura FORTIS e FELIX të Italisë së Veriut, të cilat ishin llogaritur gjithashtu për tregun vendës. Nga fundi i shek. I dhe sidomos në shek. II të e. sonë bëhet i zakonshëm edhe në provincat prodhimi i kandilave me firmë, me kallëpe të sjella nga Italia. Në qytetet e mëdha ku zejtaria ka qenë më e zhvilluar zejtarët ishin të bashkuar sipas zejeve në shoqata (collegia). Disa mbishkrime të zbuluara përmendin kolegjet e zejtarëve që punonin hekurin, gurin e drurin. Shumë qytete të Ilirisë kanë qenë të njohura për prodhimin e tullave e të tjegullave, të armëve, të tekstileve etj.
Një nga degët e ekonomisë që mori një zhvillim të madh në krahinat ilire në shek. I-III të erës sonë dhe për të cilën pushtuesit treguan një zell të madh ka qenë shfrytëzimi i minierave. Pas pushtimit të Ilirisë edhe minierat e arit, të argjendit, të bakrit e të hekurit të Dalmatisë, të Dardanisë e të viseve të pirustëve u bënë prona të shtetit romak dhe patën një rëndësi të madhe për perandorinë. Shfrytëzimin e minierave perandorake ose e bënte vetë shteti ose ua jepte sipërmarrësve të vegjël romakë. Në minierat punonin, në kushte të këqija, skllevërit dhe banorët e lirë vendës. Minierat e provincave ilire filluan të shfrytëzoheshin në mënyrë intensive në shek. II e.sonë. Flori, historian i shek. I-II të e.sonë, tregon se pas kryengritjes së viteve 6-9 romakët i shtrënguan dalmatët “të gërmojnë tokën dhe të nxjerrin prej saj arin”. Më vonë minatorët dalmatë e pirustët u dërguan me forcë për të punuar në minierat e provincës së Dakisë.
Një rol jo të vogël në jetën e krahinave ilire ka luajtur edhe tregtia. Më e zhvilluar ishte tregtia që bënin qytetet si qendra të prodhimit zejtar me periferinë e tyre bujqësore dhe me viset e brendshme, në të cilën merrnin pjesë gjerësisht shtresat e gjera të popullsisë vendëse. Një zhvillim të madh mori gjithashtu tregtia tranzite dhe ajo që bëhej në Gadishullin Italik e në provincat mesdhetare të perandorisë, që ishte në duart e shtresës së tregtarëve negotiatores, të cilët u dukën në viset ilire që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë. Nga tregtia përfituan ato krahina që ishin në afërsi të qendrave të mëdha tregtare ose të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacionit. Qendra të rëndësishme tregtare të kësaj kohe qenë Dyrrahu, Salona, Jader etj., në skelat e të cilave shkarkoheshin mallra të ndryshme që drejtoheshin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Sipas një burimi të shkruar, nga krahinat dardane eksportohej djathë, kurse Dalmatia, përveç djathit, eksportonte lëndë druri të përshtatshme për ndërtime dhe hekur.
Qytetet dhe qendërbanimet e rëndësishme të provincave ilire të kësaj kohe kanë qenë lidhur me rrugë. Shteti romak, fill pas pushtimit të tyre, nisi ndërtimin e rrugëve të reja dhe rregullimin e rrugëve të vjetra. Një rrugë e njohur dhe e rrahur ka qenë rruga Egnacia (e ndërtuar fill pas formimit të provincës së Maqedonisë (mesi i shek. II p.e.sonë), mbi rrugën më të vjetër të Kandavisë), e cila duke u nisur nga Dyrrahu e Apolonia dhe duke kaluar nëpër Thesalonik arrinte në Bizant (Kostandinopojën e mëvonshme), pasi kishte përshkuar një pjesë të mirë të krahinave jugore të Ballkanit. Sipas Strabonit, rruga Egnacia ka qenë e gjatë 553 milje, afërsisht 830 km. Ajo ishte rruga më e shkurtër dhe më e sigurt midis Italisë së Jugut, Greqisë Veriore, Maqedonisë e Azisë së Vogël. Një rrugë e rëndësishme transballkanike ka qenë edhe ajo që nisej nga bregdeti jugor i Adriatikut, kalonte nëpër Lis, kapërcente Drinin dhe dilte në Dardani duke arritur në Nais. Në Nais ajo lidhej me rrugën që vinte nga Veriu (Danubi), nga Singiduni e Viminaci dhe që mbaronte në Thesalonik. Rrugë të tjera të dorës së parë kalonin gjatë bregdetit për në veri dhe për në jug. Të dhëna më të plota për këto rrugë gjenden në itineraret (lista rrugësh e harta grafike, të hartuara që në fillim të shek. III e.sonë), që janë një burim i çmueshëm për rrugët e lashta, ku jepen edhe emrat e vendbanimeve dhe situata gjeografike. Mjetet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve dhe krahët e punës romakët i nxirrnin nga popullsia vendase. Gjatë këtyre udhëve ka pasur vende për këmbimin e kuajve (mutatio) dhe stacione të posaçme me bujtina (mansio).
 
Qytetet

Duke filluar nga shek. I i e.sonë në krahinat ilire ndodhën ndryshime edhe në jetën qytetare. Këto ndryshime u bënë natyrisht në pajtim me traditat vendase të urbanizimit dhe me kushtet e reja politiko-ekonomike të krijuara në tre shekujt e parë të erës sonë.
Kështu në Ilirinë e Jugut dhe në Epir, gjatë shekujve të mësipërm nuk u ngritën qytete të reja, madje në krahasim me periudhën pararendëse numri i tyre u pakësua. Nuk kanë të bëjnë me procesin e urbanizimit të asaj kohe, disa kështjella (castra), me karakter thjesht ushtarak, të cilat u ngritën gjatë rrugëve më të rëndësishme.
Me pushtimin romak dhe me organizimin administrativo-ekonomik provincial pjesa më e madhe e qyteteve autoktone nuk i kishin më funksionet ekonomike e politike që kishin pasur më parë dhe, duke mos pasur mundësi të zhvilloheshin më tej, filluan të bien. Në kushte të tilla banorët e disa qyteteve e qytezave të fortifikuara ilire braktisën vendbanimet kodrinore-malore dhe zbritën në fushë. Disa prej tyre, megjithëse u kthyen administrativisht në gjendjen e fshatrave, nuk kanë pushuar së qeni qendra qytetare, të tjerat u bënë vendbanime fshatare duke u marrë kryesisht me bujqësi. Pati edhe ndonjë qendërbanimi të fortifikuar ilire, që duke pasur qysh në fillim karakter mbrojtës u shndërrua si qendër e një garnizoni ushtarak romak.
Shpëtuan nga rrënimi për dy-tre shekuj pak qytete që përfituan nga politika e diferencuar që zbatuan në fillim autoritetet pushtuese romake. Kjo politikë mbështetej në qëndrimin proromak të disa qyteteve gjatë periudhës së luftërave iliro-romake dhe ndikohej nga fakti se romakët për një farë kohe nuk qenë në gjendje të qeverisnin drejtpërdrejt të gjitha krahinat bashkë me të gjitha qytetet e pushtuara. Në krye të këtyre qyteteve ishte ai i Apolonisë, ku u ruajtën krahas autonomisë së brendshme edhe traditat kulturore-artistike helenistike, gjuha greke dhe punishtja monetare, ku priteshin monedha deri në fillim të shek. III të erës sonë. Statusin e vjetër dhe një autonomi të brendshme ruajtën edhe qytetet Amantia e Foinike.
Një impuls të ri në zhvillimin e tyre ekonomik e kulturor patën në të gjithë Ilirinë qytetet që morën statusin e kolonisë dhe të municipit. Në Ilirinë e Jugut koloni romake u bënë Skodra, Dyrrahu, Bylisi dhe Buthroti, kurse në Ilirinë e Veriut dhe të brendshme si koloni të rëndësishme qenë Narona, Salona, Jader, Epidauri dhe Skupi. Të dhënat që kemi për këto koloni tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së tyre përbëhej nga italikë të ardhur aty, nga veteranë të legjioneve romake dhe banorë me prejardhje nga Lindja. Kjo popullsi, pavarësisht nga përbërja etnike, kishte të drejtën e qytetarisë romake dhe formonte shtresën më të pasur të qyteteve. Në duart e saj ishin përqendruar postet më të rëndësishme administrative. Mbajtja e tyre, që konsiderohej detyrë nderi, ishte e lidhur edhe me detyrime në fushën e ndërtimeve, të zbukurimit të qyteteve etj. Përfaqësuesit e shtresës së pasur, kalorët, financonin shfaqje teatrale, garat sportive dhe luftërat e përgjakshme të gladiatorëve. Të hollat për të gjitha këto nxirreshin nga puna e skllevërve dhe e masës së gjerë të popullsisë së varfër.
Në përbërjen e shtresave të larta ka pasur edhe ilirë të pasur, përfaqësues të shtresës skllavopronare ose të parisë së vjetër fisnore, të cilët kishin marrë qytetarinë romake. Në një situatë të tillë, paria provinciale ilire, si një shtresë e privilegjuar, e cila më të shumtën i përkiste shtresës së kalorëve dhe prej nga dilnin edhe komandatë ushtarakë, u bë një përkrahëse e shtetit romak, sepse ajo shihte te pushteti i fortë perandorak mbrojtësin e interesave të saj.
Shtresat e tjera të popullsisë së lirë, me të drejta qytetare, përbëheshin nga pronarët e vegjël të tokave, zejtarët e tregtarët. Banorët vendës që në to kanë qenë të paktë, sepse qenë dëbuar që në fillim, madje edhe nga zonat periferike bujqësore, nuk kishin të drejta politike dhe kryenin punë të rënda si punëtorë krahu, druvarë, barinj etj.
Kolonitë, bashkë me municipet, kanë qenë baza ekonomike të Romës dhe njëkohësisht bërthama përçuese të politikës së asimilimit të popullsisë ilire. Veprimtaria ekonomike e kulturore e tyre ka qenë e lidhur ngushtë me Romën e modelet romake dhe gjuha zyrtare e tyre ka qenë gjuha latine.
Institucionet municipale ishin të njëjta në të gjitha qytetet-koloni të Ilirisë dhe ishin organizuar sipas shembullit të Romës. Organ drejtues ka qenë këshilli i qytetit ordo decuriorum, i cili vendoste për çështjet më me rëndësi. Pushteti ekzekutiv ushtrohej nga një kolegj prej dy magjistratësh të lartë, të zgjedhur për 5 vjet, duumviri quinquennales. Funksionarë të tjerë të qytetit ishin edilet (aediles), të cilët kujdeseshin për ndërtimet publike e furnizimin e popullsisë, kuestorët (questores), që kishin nën kontrollin e tyre arkën e shtetit. Në administrimin e qytetit një detyrë e lartë ka qenë detyra e mbrojtësit ose e patronit të kolonisë (patronus coloniae), i cili ishte i ngarkuar nga perandori për të mbrojtur interesat e saj.
Në krahinat ilire, përveç qyteteve-koloni në shekujt e parë të erës sonë një rol të rëndësishëm kanë luajtur disa qendërbanime të vogla të quajtura municipe, të cilat kanë pasur një vetëqeverisje më të kufizuar. Municipet zotëronin gjithashtu prona tokësore në periferinë e afërt; zejtaria e tregtia nuk kanë qenë aq të zhvilluara dhe në përgjithësi në këto qendërbanime nuk ka pasur institucione, që ishin karakteristike për kolonitë. Municipe ka pasur edhe në viset e brendshme, disa prej të cilave kanë qenë lidhur me minierat. Një municip i tillë ka qenë Ulpiana në Dardani (afër Prishtinës), e ngritur në fillim të shek. II të erës sonë pranë një qendre minerare, që u bë shpejt qendra kryesore e krahinës. Në municipet e zonave të brendshme popullsia ishte thuajse tërësisht vendase, në to puna e skllevërve ka qenë përdorur fare pak, për të mos thënë aspak, kurse banorët ilirë në pjesën më të madhe të tyre kanë qenë marrë me bujqësi e blegtori. Në këto qendërbanime u ruajtën më të forta traditat e lashta vendëse dhe politika asimiluese e shtetit romak gjeti një kundërshtim e një qëndresë më të madhe se në rajonet bregdetare.
Burimet e shkruara antike tregojnë për ekzistencën në Iliri të disa qendërbanimeve të vogla të fortifikuara, të cilat i quajnë castella ose oppida (kështjella apo qyteza), banorët e të cilave nuk kishin të drejtën e qytetarisë romake. Këto kështjella e qyteza ilire ishin edhe qendra të njësive krahinore të brendshme civitates-ve, ku qenë vendosur paria vendase dhe autoritetet provinciale të perandorisë që zbatonin politikën sunduese të saj.
 
Marrëdhëniet agrare. Krijimi i latifondeve

Që në shek. I p.e.sonë, por në mënyrë të veçantë pas shek. I e.sonë, shteti skllavopronar romak filloi zbatimin në viset ilire të një politike agrare, në thelb të së cilës ishte marrja me forcë, konfiskimi i tokave më të mira e pjellore, të cilat i shpalli “ager publicus”, prona të shtetit romak. Një pjesë të madhe të tokave të konfiskuara Roma ua dha qytetarëve romakë, kolonistëve romakë e italikë dhe veteranëve të ushtrisë, të cilët banonin në periferinë e qyteteve, duke i shndërruar në toka të qyteteve që qenë kthyer në koloni e në municipe. Por nga fondi i tokave të grabitura morën prona edhe përfaqësuesit e aristokracisë tokësore; në këtë mënyrë në Iliri u krijuan ekonomitë e mëdha bujqësore, latifondet. Latifondet gjendeshin kryesisht në fushat, zonat e ulëta kodrinore dhe në luginat e ulëta të lumenjve, më tepër pranë rrugëve të mëdha, sepse ato furnizonin me prodhime bujqësore qendërbanimet e mëdha. Nga burimet e shkruara del se zotërime të mëdha tokash, latifonde ka pasur në krahinat bregdetare dhe në fushat e brendshme. Përreth Buthrotit ka pasur prona të mëdha tokësore Pompon Atiku, që i përkiste parisë skllavopronare romake, kurse në rrethet e kolonive të Ulpianës e të Skupit, në Dardani, zotëronte prona të gjera tokësore familja patrice romake e Turëve.
Me gjithë konfiskimet tokësore pushtuesit romakë i lanë toka edhe popullsisë ilire dhe në këtë drejtim vepruan sipas qëndrimit që mbanin kundrejt fiseve të ndryshme. Në mënyrë të veçantë pronat tokësore të vendasve u ruajtën në viset e brendshme ilire, ku në shekujt e parë të erës sonë, një pjesë e madhe e popullsisë jetonte, ende në fshatra, e organizuar në bashkësi fshatare. Pjesëtarët e këtyre bashkësive fshatare, krahas pronës së përbashkët, kullotave, djerrinave e pyjeve zotëronin ngastra toke, të cilat i punonin vetë, me mjetet e tyre.
Skllavopronarët romakë, pas tyre dhe paria ilire, vazhduan të konfiskonin tokat duke bërë përpjekje të reja për t’i rritur pronat e tyre tokësore. Të dhënat mbishkrimore tregojnë se në fillim të shek. II të erës sonë, territori bujqësor i qytetit të Dyrrahut arrinte deri në Skampin (Elbasan) që ishte një fshat “vicus” i varur nga Dyrrahu. Mbishkrimet latine, të zbuluara në fshatra të ndryshme të fushës së Tiranës dhe që i takojnë shek. I të erës sonë mbajnë emra jo ilire, çka do të thotë se edhe në këtë zonë pronat bujqësore u ishin marrë vendësve. Në lidhje me grabitjen e tokave të bashkësive fshatare vendëse me shumë interes është një mbishkrim i shek. II të erës sonë i zbuluar në tokat e orestëve, që banonin në krahinat kufitare juglindore ilire. Në këtë dokument mbishkrimor, i gjetur pranë Vatinës, theksohet e drejta e njohur e orestëve për zotërimin e tokave shtetërore në territorin e qytetit Vatina. Në mbishkrim theksohet gjithashtu se nga kjo e drejtë përjashtohen “të huajt”, në këtë rast pronarët romakë të tokave që kërkonin të zgjeronin pronat e tyre tokësore. Një organizim të ngjashëm me orestët, pra edhe marrëdhënie agrare të ngjashme me ta kanë pasur edhe dasaretët. Një veçanti e krahinave të banuara nga orestët, dasaretët dhe popullsitë e tjera malësore të Ilirisë Juglindore është mungesa, në gjetjet arkeologjike, e dokumenteve mbishkrimore në gjuhën latine. Kjo mungesë mund të shpjegohet vetëm me një status të posaçëm të këtyre krahinave ilire.
Marrëdhëniet e reja agrare të vendosura në Iliri gjatë sundimit romak e keqësuan shumë gjendjen sidomos të asaj pjese të fshatarësisë ilire që i ishin grabitur tokat. Fshatarët e mbetur pa tokë u detyruan të iknin dhe të kërkonin punë si argatë në qytetet dhe në minierat. Ata që mbeteshin në fshat për të jetuar, u shtrënguan të punonin si mëditës - arrendatorë - në pronat tokësore të qyteteve dhe të latifondistëve romakë. Në veprën e tij “Mbi ekonominë fshatare” shkrimtari romak Varroni shkruan për ekzistencën në shek. I të erës sonë të fshatarëve të varur, të skllavëruar në borxhe, të cilët ai i quan “obaerati”, që sipas tij gjendeshin me shumicë në Iliri dhe punonin në vende e në kushte të vështira. Edhe gjendja e fshatarëve të lirë nuk ishte aspak e mirë; mbi ta rëndonin taksa e detyrime të ndryshme, të cilat i çuan në shkatërrim të plotë. Shumë prej fshatarëve të shpronësuar, në pamundësi për të përballuar jetën hynin në borxhe, shpeshherë duke u kthyer edhe në skllevër. Skllevërit në përgjithësi i bënin punimet bujqësore në latifondet dhe në pronat tokësore të qyteteve.
Zhvillimi i ekonomive bujqësore në territoret e konfiskuara nga qytetet, rritja e pronave të mëdha tokësore e shpejtoi procesin e zëvendësimit të pronës së përbashkët (prona kolektive u bë pronë e “shtetit romak”) me atë private dhe pati si pasojë shtrirjen dhe thellimin më tej të marrëdhënieve skllavopronare në fshatin ilir. Ky proces preku edhe pronat e vogla private në ato vise që hynin nën administrimin e qyteteve ose ku kishte mundësi të zhvilloheshin latifondet. Më pas u bënë përpjekje për t’i shtrirë marrëdhëniet e reja agrare edhe në viset e brendshme. Megjithatë, në krahinat e brendshme ilire vazhdoi të ruhej edhe prona e vogël tokësore dhe fshatarët e lirë. Në këto krahina blegtoria, krahas bujqësisë, mbeti një degë e fuqishme e ekonomisë së popullsisë ilire.
 
Iliria në periudhën e rënies së perandorisë romake.

Provincat ilire

Me ndarjen e Perandorisë Romake në fund të shek. IV provincat ilire mbetën me perandorinë e Lindjes, Bizantin. Edhe pasi u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine struktura ekonomiko-shoqërore e provincave ilire nuk ndryshoi. I vetmi ndryshim ishte se ato u bënë krahina periferike të perandorisë, çka ndikoi më vonë në jetën e tyre.
Në Perandorinë Bizantine, ku bënin pjesë krahina të pasura me qendra të mëdha zejtare dhe ku ruheshin fshatarët e zejtarët e lirë, kriza e skllavopronarisë nuk ishte ndjerë aq shumë. Edhe pse nuk arriti të ndalonte dyndjet e “barbarëve” në Ballkan, Perandoria Bizantine me burimet e saj ekonomike mundi të përballonte gjendjen e krijuar gjatë këtyre dyndjeve dhe të qëndronte si një shtet i madh edhe një mijë vjet të tjera. Kurse perandoria e Perëndimit nuk mundi të rezistojë para sulmeve të “barbarëve” dhe në vitin 476 ra në duart e gjermanikëve, të udhëhequr nga Odoakri.
Në shek. V-VI provincat jugore e juglindore ilire si Prevali, FV, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër, pas shkatërrimeve e dëmeve të shkaktuara nga invazionet barbare u mëkëmbën, madje në shek. VI patën një farë ngritjeje që u vu re në shumë drejtime.
Bujqësia mbeti edhe në këta shekuj një degë e rëndësishme e ekonomisë. Karakteri i pronave bujqësore mbeti ai që kishte qenë edhe më parë. Në disa vendime shtetërore që i takojnë vitit 535 duket shumë qartë gjendja e pronave bujqësore në Ilirik. Qëllimi i këtyre vendimeve ishte ndalimi i përpjekjeve të pronarëve të mëdhenj dhe i fajdexhinjve për t’u marrë fshatarëve borxhlinj tokat e bagëtitë. Në pronat e mëdha bujqësore figura qendrore ka qenë koloni. Në legjislacionin e asaj kohe flitet për kolonë të lirë e kolonë të varur. Të parët, krahas tokës që merrnin nga pronarët, kishin edhe ngastra e vegla të tyre, kurse të fundit ishin të lidhur pas tokës; as vetë, as edhe fëmijët e tyre nuk mund të largoheshin nga vendet ku ishin regjistruar. Më vonë, midis kolonëve nuk kishte më asnjë ndryshim çka u pasqyrua më pas edhe në legjislacion.
Edhe në shekujt V-VI në provincat ilire nuk qenë zhdukur pronat e vogla tokësore; në viset malore vazhdonin të ruheshin edhe bashkësitë e lira fshatare. Si më parë, edhe tani shteti bizantin duke ruajtur pronat e vogla fshatare dhe duke ndaluar rrënimin e tyre, kërkonte të siguronte një prodhim sa më të madh drithërash, të mblidhte taksat dhe të rekrutonte ushtarë. Fshatarët ishin të detyruar të kryenin edhe angari të shumta në hapjen e rrugëve, në ndërtimin e urave e të kështjellave. Për t’u shkëputur nga vështirësitë ekonomike, ngarkesat e shumta me taksa, veprimet e padrejta e dhuna e nëpunësve të financave dhe për të mos u kthyer në kolonë, fshatarët kërkuan mbrojtjen e pronarëve të mëdhenj me ndikim që ishin të interesuar të kujdeseshin për ta (v. 468). Lindi kështu patronazhi latifondar, i cili u përhap mjaft saqë perandorët nxorën urdhra për ta ndaluar atë.
Rrënimi i fshatarësisë u bë më i theksuar, veçanërisht në fund të shek.V dhe në fillim të shek.VI, kur ajo u ngarkua me taksa edhe më të rënda. Fshatarët e provincave ilire qenë të detyruar t’u paguanin pronarëve të mëdhenj të tokave një taksë të re në të holla, ndërsa shtetit në ar. Të gjitha këto ndihmuan në ruajtjen në këto provinca të marrëdhënieve mall-para, por fshatarët qenë shtrënguar të shisnin në treg prodhimet e tyre ose të merrnin hua nga fajdexhinjtë. Duke mos qenë në gjendje për të paguar me kohë borxhet ata duhet t’u dorëzonin atyre gjithçka zotëronin dhe pastaj të kërkonin mjete jetese në qytetet ose të hynin në radhët e ushtrisë. Në këtë mënyrë, në ushtrinë e perandorisë së hershme bizantine hynë shumë ilirë.
Për provincat jugore ilire të asaj kohe ka qenë karakteristik zhvillimi i bujqësisë në qendërbanime të vogla, të fortifikuara, të cilat, sikurse tregojnë të dhënat e arkeologjisë, të shek. V-VI, ishin bërë qendra të rëndësishme ekonomike. Por në këta shekuj ekzistonte një ndryshim midis provincave jugore e veriore; këto të fundit i përballuan të parat goditjet e sulmeve të “barbarëve”. Në provincat jugore që nuk u prekën aq nga inkursionet e barbarëve dhe qenë krahina pa trupa të rregullta ushtarake, u ruajt në mënyrë më kompakte popullsia e vjetër fshatare e qytetare. Burimet e shkruara tregojnë se edhe në shek. V dardanët përbënin një popullsi të madhe e kompakte, kurse nga burimet mbishkrimore rezulton se në këtë provincë edhe në shek. VI vazhdonin të ruheshin emra vetjakë e emra fshatarësh ilirë.
Në provincat ilire edhe në shek. V e VI jeta qytetare vazhdoi pa ndërprerje, megjithëse numri i qyteteve ishte pakësuar edhe më shumë. Hierokli, në udhërrëfyesin e tij të shek. VI përmend në katër provincat jugore ilire, emrat e 27 qyteteve, disa prej të cilave ishin edhe qendra peshkopale. Sidoqoftë, me gjithë numrin e pakësuar të qyteteve dhe krizën e skllavopronarisë, në shek. VI, në Iliri kishte ende qytete relativisht të pasura ose qytete që kishin ruajtur rëndësinë e tyre. Në këtë kohë, pas shkatërrimeve të shekujve paraardhës, ka qenë karakteristike një rigjallërim i jetës në qytet dhe në fshat, dhe një qëndrueshmëri në raportet mall-para.
Që nga fundi i shek.V dhe gati gjatë gjithë shek. VI, kur ndodhi rilulëzimi i jetës qytetare, numri i monedhave u shtua në mënyrë të ndjeshme. Monedha të kësaj kohe, e sidomos monedhat e perandorit Justinian, të perandorit Justin qarkullonin gjerësisht; ato gjendeshin jo vetëm në qytetet, por edhe në qendërbanime të fortifikuara e të vogla e në zona të brendshme malore.
Në pjesën ballkanike të perandorisë së Bizantit një qytet i madh ka qenë Dyrrahu. Në Dyrrah vinin anije nga vende të ndryshme të Mesdheut, kurse rrugët tokësore që niseshin nga ky qytet nuk e kishin humbur rëndësinë e tyre. Këtu ndodheshin punishtet dhe arsenalet që furnizonin me armë e me mjete të tjera ushtrinë e flotën perandorake. Qyteti, dy herë i dëmtuar nga tërmetet dhe nga pushtimi i gotëve, ishte mëkëmbur dhe zbukuruar me mure të reja. Perandori bizantin Anastasi (v. 491-518) që ka qenë me origjinë nga ky qytet, e rrethoi Dyrrahun me një kurorë trefishe muresh mbrojtëse dhe ndërtoi aty një hipodrom të madh. Shkrimtari i shek. VI, Prokopi nga Gaza, e përshkruan Dyrrahun “si një qytet të madh që zgjatet nga toka në det, që ka me tepricë nga ato që mund të prodhojë toka e deti”.
Ndërtime me karakter fortifikues në provincat jugore ilire janë bërë edhe pas sundimit të Anastasit. Prokopi i Cezaresë, bashkëkohës i perandorit Justinian ka shkruar se ky i fundit, për të mbrojtur perandorinë e provincat e saj nga sulmet e mundshme të barbarëve, ndërtoi e rindërtoi një varg kështjellash. Vetëm në tri provincat ilire jugore sipas listës së hartuar nga autori i mësipërm, numri i qendërbanimeve të fortifikuara arrinte deri në 168. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se në shek. V-VI në Iliri janë ndërtuar një tok kështjellash, shumë prej të cilave nuk përfshihen në listën e atyre kështjellave, që sipas Prokopit të Cezaresë janë ndërtuar e rindërtuar nga perandori Justinian. Përveç qyteteve të rrethuara rishtas me mure, por shpeshherë të kufizuar në sipërfaqe të vogla, vërehen në këta dy shekuj përpjekje të vetë popullsisë për të fortifikuar qendërbanime të reja ose për t’u kthyer në kështjellat e vjetra. Sikurse është provuar nga të dhënat arkeologjike, në këta shekuj vihet re një rritje e rolit ekonomik të qytezave të reja të fortifikuara, sidomos në ato krahina ku ishte dobësuar autoriteti perandorak. Kjo bëri, sidomos në periudhën parafeudale, që të rigjallërohet popullsia vendëse dhe që krahinat e brendshme të fitojnë një rëndësi të veçantë, e cila do të shfaqet që nga shek. VII e më tej në vendosjen e feudalizmit si sistem ekonomik.
Në shek. VI u krijuan kushtet jo vetëm për ndërtime me karakter mbrojtës, por edhe për ndërtime të tjera me karakter monumental. Kësaj kohe i përkasin ndërtime të shumta të kultit të krishterë në qytetin e Bylisit, Butrintit si dhe në qendrat e tjera të vogla. Këto kanë qenë monumentet e fundit të shoqërisë antike.
Në shek. VI autoriteti perandorak ishte ende i fortë në krahinat bregdetare dhe në qytetet. Qytetet e provincave ilire nuk kishin më magistraturat municipale, as edhe vetadministrimin e vjetër. Ato kishin rënë në duart e funksionarëve perandorakë. Nga paria e vjetër sunduese kishte mbetur një pakicë e vogël e përbërë nga pronarët e mëdhenj të tokave. Funksionarët shtetërorë dhe të kishës i ruajtën të paprekura pozitat sunduese. Nga radhët e kësaj shtrese qenë zgjedhur edhe perandorët. I tillë ka qenë edhe Anastasi që vinte nga gjiri i aristokracisë senatoriale të Dyrrahut. Por edhe në këtë kohë ushtria vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm në shtetin e Bizantit dhe prej asaj vazhduan si më parë, të dilnin perandorët. Ushtarakë ilirë, që kishin bërë karrierë në ushtrinë bizantine qenë edhe perandori Justin I (518-527) dhe ai Justinian (527-565). Sipas një burimi të shkruar bizantin perandori Justin, fshatar me origjinë nga FV, duke mos siguruar dot jetesën në vendlindjen e tij kishte shkuar në Konstantinopol dhe kishte hyrë në radhët e ushtrisë, ku arriti më pastaj deri në postin më të lartë shtetëror.
Me kohë, në qarqet sunduese të provincave ilire, si kudo në perandori, një rol të madh filloi të luante kisha e krishterë e përfaqësuar nga kleri i lartë, i cili për shërbimet kundrejt perandorisë merrte si dhuratë toka e pasuri të ndryshme. Në shek. VI kisha e krishterë ka pasur prona të saj në provincat e Bizantit prej nga nxirrte të ardhura të mëdha.
Shek. VI përbën përpjekjen e fundit të rigjallërimit të antikitetit në Ballkan. Në gjysmën e dytë të shek. VI dhe në gjysmën e parë të shek.VII do të rifillojnë invazione e dyndje të reja popujsh, të cilat do të sjellin ndryshime në përbërjen etnike të gadishullit dhe do të çojnë në rënien e plotë të sistemit antik të prodhimit. Në Perandorinë e Lindjes, në të cilën bënin pjesë edhe provincat ilire, ku skllavopronaria ka qenë më pak e zhvilluar, procesi i shthurjes së mënyrës antike të prodhimit dhe vendosja e feudalizmit u bë më me ngadalë.
 
Tiparet e krizës në provincat ilire

Shthurja e sistemit antik të prodhimit, që përfshiu gjithë perandorinë dhe që ishte arsyeja themelore e krizës së saj, nuk pati kudo përpjesëtime të njëjta. Në Lindje dhe në Ilirik, ku prona private ishte zhvilluar më ngadalë, kjo krizë nuk qe aq katastrofike sa në provincat perëndimore.
Pas shek. III e. sonë edhe në provincat ilire bujqësia fitoi një rëndësi të madhe. Në fshatin ilir, deri në fund të shek. IV e. sonë ka pasur një rritje të prodhimit bujqësor. Sipas burimeve të shkruara në Ilirik ka pasur fshatarë të pasur që kishin skllevër, të cilët ishin, kryesisht, robër lufte me origjinë gote. Në provincat ilire, për një farë kohe u gjallëruan edhe pronarët e mëdhenj të tokave, që i shtuan pronat e tyre pas rënies së qyteteve. Por latifondet qenë relativisht të pakta dhe të kufizuara në ultësirat bregdetare.
Me gjithë gjendjen e keqe që u krijua në Perandorinë Romake, në provincat ilire fshatarët e lirë mbetën edhe për një farë kohe një forcë e madhe. Për ruajtjen e popullsisë së lirë fshatare dhe për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi prej borxheve, ishin të interesuar edhe perandorët, të cilëve u duhej si rezervë për ushtrinë dhe për taksat e ndryshme. Në zonat e brendshme malore ilire kishte edhe bashkësi fshatare, pjesëtarët e të cilave ishin zotërues tokash.
Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një zhvillim të bujqësisë dhe të vendbanimeve fshatare në Iliri në shek. III-IV. Veglat bujqësore prej hekuri ishin të zakonshme dhe mbizotëruese në inventaret e varreve të kësaj kohe, që u takonin vendbanimeve fshatare kryesisht të vogla. Vendbanimet fshatare u shtuan edhe në zonat e brendshme; disa prej tyre qenë lidhur me minierat e ndryshme, të cilat në kohën e krizës kishin kaluar në duart e banorëve vendas.
Në pronat bujqësore të provincave ilire filloi të shtohet numri i kolonëve, një dukuri që njihej edhe më parë. Kolonët në fillim kanë qenë qiramarrës të lirë dhe vinin kryesisht nga radhët e fshatarëve të rrënuar dhe të mbetur pa tokë. Kolonë zunë të bëheshin edhe robërit e luftës. Borxhet, që erdhën duke u shtuar i shkatërruan kolonët, fillimisht të lirë, dhe i bënë pjesë të pandarë të tokës. Në përgjithësi gjendja e kolonëve edhe në Ilirik ka qenë e keqe dhe nuk ndryshonte nga ajo e skllevërve. Në kushte të tilla kolonët braktisnin shpesh tokat dhe arratiseshin. Perandori Konstandin, me anë të një dekreti, kishte shpallur se të gjithë ata që fshihnin kolonët e ikur gjobiteshin, kurse kolonët e arratisur duhej të ktheheshin me forcë në vendbanimin e tyre. Ky ligj u përsërit disa herë, por pa sukses. Në vitin 371 të e. sonë u lëshua një urdhër i posaçëm për kolonët e Ilirikut. Tani ligjet ndalonin shitjen e kolonëve pa tokën, kështu që këta të fundit u shndërruan në një shtresë shoqërore që lidhej me tokën.
Të gjitha masat që mori perandoria në kohën e krizës në fushën e marrëdhënieve agrare kishin të bënin me politikën fiskale të saj. Taksat që paguanin pronarët e tokave caktoheshin jo vetëm sipas sipërfaqes së tokës që ata kishin, por edhe nga numri i frymëve, i njerëzve që punonin në to. Kolonët mbetën të lidhur me tokën, ata ishin paraardhësit e bujkrobërve të kohës së mesjetës.
Pas shek. III e. sonë kriza e tatëpjeta e përgjithshme pati përfshirë edhe mjaft qytete të provincave ilire, sidomos të atyre jugore, duke ndikuar në rënien e jetës qytetare, ndonëse jo në atë masë si në pjesën perëndimore të perandorisë. Qytete të rëndësishme, si Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinike, Antigonea e ndonjë tjetër që si koloni, municip apo qytet “i lirë” i qenë përshtatur organizimit administrativ, me fillimin e krizës së sistemit antik të prodhimit e me rënien e ekonomisë morën tatëpjetën për t’u zhdukur më vonë bashkë me ato qytete ilire që kishin filluar të binin që në dy shekujt e parë të erës sonë. Disa prej këtyre qendrave të vjetra qytetare nuk mundën të qëndrojnë si të tilla edhe pse u bënë qendra peshkopatash. Një dukuri që nis të duket në shek. IV e. sonë ka qenë ngritja e gjallërimi i disa qytezave të lashta e të reja, të fortifikuara me nismën e fuqinë e popullsisë vendase, roli ekonomik i të cilave u rrit, i ndihmuar nga kriza ekonomike e politike e perandorisë.
Në rrënimin e qyteteve ndikuan faktorë të ndryshëm. Së pari, duhet theksuar rënia e pronës së vogël e të mesme bujqësore të lidhura me qytetin, të cilat kishin ruajtur deri vonë tiparet e një ekonomie skllavopronare. Gjatë shek. IV pronat tokësore të qyteteve u fortifikuan nga perandorët dhe nga kleri kristian ose kaluan në duart e pronarëve të mëdhenj. Pronat e mëdha tokësore dhe fshatrat me bashkësi të lira luanin asokohe një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të perandorisë. Në këto prona e fshatra u zhvillua edhe zejtaria, me të cilën u morën në latifondet skllevërit e kolonët dhe në fshatrat zejtarët e lirë. Pranë tyre u zhvendosën një pjesë e popullsisë së qyteteve dhe u krijuan tregjet. Qytetet humbën edhe autonominë e privilegjet e vjetra duke kaluar nën vartësinë e prokuratorëve, të cilët ishin emëruar nga sundimtarët e provincave. Edhe gjendja e shtresës së lartë qytetare ishte keqësuar shumë. Kuritë që kishin zënë vendin e dekurionëve të mëparshëm, të cilët mbanin ofiqet administrative në qytetet, u pakësuan. Ata jo vetëm që duhej të nxirrnin nga qytetet detyrimet e taksat, por ishin të detyruar të paguanin edhe vetë. Detyra e kurive u bë një barrë e rëndë; nën shtrëngimin e sundimtarëve, në disa qytete ajo u bë e trashëgueshme. Kurialët që të shpëtonin nga detyrimet e rënda largoheshin nga qytetet, duke ikur në fshat ose duke u futur në ushtri. Në gjysmën e dytë të shek. IV ndonjë perandor bëri përpjekje për të rimëkëmbur kuritë qytetare, por pa sukses. Rendi i kurive e kishte jetuar kohën e tij. Qytetet mbetën në duart e nëpunësve perandorakë, të cilët u pasuruan në sajë të shpërdorimeve që bënin në kurriz të shtresave të ulëta qytetare. Kjo gjendje vazhdoi në ato qytete që përballuan krizën.
Në provincat jugore jeta qytetare nuk u shua; pati edhe qytete, të cilat mbetën si qendërbanime të rëndësishme, sidomos në ultësirën bregdetare. Në një burim të shkruar, kur tregohet për pushtimet e bëra nga Teodoriku në provincën e Epirit të Ri thuhet: “askush nuk do të duronte që ai të mbante qytete kaq të mëdha”. Qyteti më i madh në trevën jugore ilire, i cili jo vetëm ruajti fizionominë e tij, por nga shekujt V e VI, sidomos në këtë të fundit, pati një zhvillim e lulëzim të mëtejshëm, ka qenë Dyrrahu. Ai ishte njëkohësisht edhe kryeqendër e provincës dhe seli peshkopale. Një funksion të tillë ka pasur edhe qyteti i Skodrës. Mbetën si qendra qytetare, edhe pse për një farë kohe u degraduan si kështjella me karakter më tepër ushtarak, qytetet e qytezat e lashta të Lisit, të Antipatresë, të Aulonit, të Kaninës, të Adrianopolit, të Justinianopolit, të Buthrotit etj. Në shekujt IV-VI pati edhe kështjella ushtarake që u kthyen në qendra qytetare, sikurse ndodhi me Skampinin.
Një tablo tjetër kemi në qytetet e provincave veriore dhe të brendshme ilire, të cilat kishin reparte ushtarake të shumta. Në disa qytete, si në Salona, Naisi e ndonjë tjetër ka pasur një ngritje të madhe të atyre degëve të zejtarisë që lidheshin me ushtrinë. Për këtë qëllim u zgjerua punimi i hekurit dhe punishtet për përpunimin e tij. Në provincat ballkanike prodhohej rreth 40% e armëve të ushtrisë romake. Qyteti Nais i Dardanisë ishte njëri nga qytetet ku ndodheshin punishtet e mëdha perandorake për prodhimin e armëve. Nga provincat e Dalmatisë dhe të Dardanisë, sipas një burimi të shkruar të kohës, vazhdonin të tregtoheshin si mallra të kërkuara, hekuri, druri dhe prodhimet blegtorale.
Por me gjithë zhvillimin që patën disa qytete, gjendja që u krijua në përgjithësi në qytetet e provincave ilire që kishin përballuar krizën, qe e rëndë. Kjo bëri që perandorët të merrnin disa masa për të shmangur rrënimin e shtresave të ulëta e të mesme qytetare të përbëra nga zejtarët, tregtarët, pronarët e tokave, sepse ndryshe rrezikoheshin të ardhurat shtetërore. Për këtë qëllim në qytetet e Ilirikut u krijua institucioni për mbrojtjen e shtresave të ulëta qytetare, i cili duhej të kishte pushtet në çështjet policore, juridike dhe financiare. Por këto masa nuk u zbatuan dhe gjendja e vështirë e popullsisë së qyteteve të Ilirikut nuk u përmirësua; nëpunësit perandorakë vazhduan veprimet e tyre grabitëse, sepse më vonë dolën dekrete të tjera që kishin të njëjtën frymë. Ashtu si në pronat bujqësore e në fshatrat, edhe në qytete u lëshuan urdhëresa perandorake që të siguronin pagesën e rregullt të taksave dhe furnizimin e ushtrisë me mallra e prodhime të ndryshme. Në shek. IV të gjithë zejtarët qenë shtrënguar të regjistroheshin në kolegje nga të cilat as fëmijët e tyre që trashëgonin zanatin nuk mund të largoheshin. Por si skllevërit, kolonët e fshatarët e varfëruar, edhe shtresat e ulëta qytetare nuk e duruan këtë gjendje, ndaj ngritën krye, duke u bashkuar edhe me “barbarët” që invadonin gjithnjë e më shpesh Gadishullin Ballkanik.
 
Kriza e sistemit antik të prodhimit dhe e Perandorisë Romake

Duke filluar nga shek. III e. sonë, në Perandorinë Romake mënyra antike e prodhimit i kishte shteruar mundësitë e saj për një zhvillim të mëtejshëm dhe filloi të shkonte drejt rënies. Skllavëria nuk sillte të ardhura si më parë. Rendimenti i skllevërve, që nuk kishin asnjë nxitje për punë, bëhej gjithnjë e më i pakët, kurse shfrytëzimi i tyre më pak i leverdisshëm dhe skllevërit e tepërt ishin bërë një barrë e rëndë për pronarët e tyre. Marrëdhëniet e vjetra po bëheshin një pengesë në rrugën e zhvillimit shoqëror. Filloi kështu kriza e përgjithshme e sistemit antik të prodhimit.
Në fushën e ekonomisë kriza u shfaq me rënien e prodhimit, me varfërimin e masave të gjera të popullsisë, dobësimin e lidhjeve tregtare midis krahinave e provincave të ndryshme. Në shumë qytete pati një ulje të nivelit të jetës, çka është vërejtur edhe në zbulimet arkeologjike. Me rënien e qendrave të mëdha zejtare banorët e provincave nisin t’i prodhojnë në vend sendet për të cilat kishin nevojë, por kësaj radhe për një rreth të ngushtë konsumatorësh. Në gjendjen e krijuar duke filluar nga shek. IV u rrit edhe më shumë roli i bujqësisë. Ajo u bë dega vendimtare e prodhimit në gjithë botën antike. Ekonomia e latifondeve, që ishte bazuar në punën e skllavit nuk sillte më të ardhura ndaj, ekonomia e vogël u bë përsëri e vetmja formë e bujqësisë që sillte fitime.
Banorët e provincave mbetën gjithnjë nën presionin e vazhdueshëm të taksave, prej të cilave nëpunësit perandorakë kërkonin të nxirrnin burime të ardhurash sa më të mëdha. Burimet e shkruara antike përmendin Probin, sundimtarin e Ilirikut, i cili që nga fundi i shek. III e.sonë, duke mbledhur taksat në mënyrë të padrejtë, i kishte dobësuar krahinat veriore ilire, para se ato të shkatërroheshin nga barbarët.
Një shenjë tjetër e krizës ishte edhe dobësimi i pushtetit qendror në perandori. Gjendja e keqe e popullsisë qytetare e fshatare u bë shkak për shpërthimin e kryengritjeve. Në kryengritjet me skllevërit e kolonët u bashkuan si fshatarët e varfër, dhe vegjëlia e qyteteve. Lufta e tyre e tronditi thellë regjimin perandorak. Shpeshherë perandorët e sundimtarët për të shtypur kryengritjet e popullsive të provincave kërkonin ndihmën e barbarëve. Kështu veproi perandori Honor me gotët e udhëhequr nga Alariku: në vitin 395 e. sonë kishin ngritur krye taulantët dhe duke mos qenë në gjendje të shtypte “kryengritjen e shtetasve të tij”, Perandori dërgoi kundër ilirëve vizigotët që ishin futur asokohe në Ballkan.
Në acarimin e krizës së përgjithshme të sistemit antik të prodhimit një rol jo të vogël kanë luajtur sulmet e “barbarëve”. Kufijtë veriorë e verilindorë që nga shek. III e këtej filluan të sulmoheshin gjithnjë e më shumë nga fise të ndryshme “barbare”.
Një nga shfaqjet më të rënda të krizës që ndikoi në dobësimin e perandorisë ka qenë edhe prirja e qarqeve sunduese të provincave për t’u shkëputur nga pushteti qendror dhe sidomos lufta për pushtet ose lufta midis senatit e ushtrisë, midis perandorëve të senatit e perandorëve të ushtrisë, bashkë me ta edhe ndryshimet e shpeshta në fron. Mbështetja e vetme e sigurt e pushtetit perandorak u bë ushtria. Në periudhën e krizës dhe pas saj, pjesa më e madhe e ushtrisë vinte kryesisht nga popullsia fshatare e provincave. Në provincat periferike një vend të dorës së parë zinin provincat ilire, sidomos ato veriore e lindore ku ishin përqendruar njësi ushtarake të shumta dhe ku prona e vogël e tokës kishte një peshë të madhe. Ushtria, e cila vinte nga këto shtresa, u bë mburoja e fundit e perandorisë dhe filloi të luajë një rol vendimtar në ngjarjet politike të kohës. Nga gjiri i saj u krijua një pari e fortë provinciale e interesuar për ruajtjen e skllavopronarisë dhe e gatshme për të luftuar kundër skllevërve, kolonëve dhe shtresave popullore, të cilat ngrinin krye herë pas here
Në vitin 212 e. sonë, i imponuar nga fillimet e krizës dhe situata e krijuar si pasojë e saj, perandori Karakalla shpalli ediktin e tij, me anë të të cilit popullsive të provincave të konsideruara deri atëhere “të huaja” iu dhanë të drejtat e qytetarisë romake. Perandoria Romake e mori këtë masë për të zgjeruar bazën shoqërore mbi të cilën mbështetej pushteti qendror dhe për rëndësinë që kishin provincat e pasura të Gadishullit Ballkanik. Në këtë mënyrë u thellua edhe më shumë procesi i “provincializmit” dhe i “barbarizmit” të Perandorisë Romake. Masat e marra nga perandorët në shek. III dhe më vonë nuk mundën të ndalonin krizën e përgjithshme dhe të ruanin skllavopronarinë. Këtë nuk mundën ta bënin as disa nga përfaqësuesit e shtresave sunduese provinciale, të cilët arritën të bëhen edhe perandorë.
Në shekujt III-IV e. sonë, madje deri në shek. IV në krye të Perandorisë Romake kanë qenë disa perandorë me prejardhje ilire. Perandorë “ushtarë” ilirë kanë qenë: Deci, Klaudi II, Aureliani, Probi, Diokleciani dhe Konstandini. Burimet e shkruara bashkëkohëse tregojnë se këta perandorë, si përfaqësues të qarqeve sunduese provinciale, në vija të përgjithshme ndoqën një politikë, e cila synonte të forconte pushtetin e perandorit, të ruante skllavopronarinë dhe të shtypte lëvizjet kryengritëse. Ata forcuan ushtrinë dhe me anën e saj u përpoqën të mbronin kufijtë e perandorisë nga sulmet e jashtme. Figura më kryesore midis perandorëve ilirë ka qenë Diokleciani, një ilir nga qyteti Dioklea (në provincën e Dalmatisë), që sundoi në vitet 284-305. Diokleciani ndoqi të njëjtën politikë si paraardhësit e tij, por ai bëri edhe disa reforma administrative e ushtarake. Perandoria Romake u nda në katër prefektura dhe 12 dioceza. Në pjesën lindore të saj gjendej prefektura e Ilirikut, e cila ndahej në tri dioceza e në disa provinca. Tokat shqiptare që nga gjysma e parë e shek. IV, qenë përfshirë në provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, ku bënin pjesë Dalmatia e Jugut, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, në provincën e Dardanisë me qendër Skupin, ku hynin pothuaj të tëra krahinat e Kosovës së sotme, në provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun, që përmblidhte krahinat e Shqipërisë Qendrore e Jugore deri te lumi Vjosa dhe në provincën e Epirit të Vjetër, me qendër Nikopolin, ku hynin tokat në jug të Vjosës deri në gjirin e Prevezës.
Me reformat e tij ushtarake Diokleciani e rriti numrin e legjioneve dhe formoi me ushtarë të zgjedhur njësi ushtarake të lëvizshme, të cilat në kohë lufte shoqëronin sundimtarët dhe në kohë paqeje qëndronin si garnizone në qytetet e kështjellat e provincave.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në mënyrë të veçantë gjatë shek. IV në provincat ilire u bënë ndërtime me karakter fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë të ndryshme. Në radhë të parë këto punime u bënë në provincat veriore dhe shërbyen për mbrojtjen e kufijve nga sulmet e “barbarëve”. Por edhe në provincat e brendshme jugore, po për qëllime ushtarake u rifortifikuan shumë qytete dhe u ngritën kështjella të reja. Ndryshe nga ato të veriut, përveç detyrës së mbrojtjes së Perandorisë nga invazionet e “barbarëve”, që mund të hynin në Gadishullin Ballkanik, ato patën edhe një mision tjetër, shërbyen për qëndrimin e garnizoneve dhe për të përballuar kryengritjet e vendësve, të cilat u shtuan në situatën e krijuar nga kriza e rendit skllavopronar.
Reformat administrative e ushtarake dhe ndërtimet fortifikuese të bëra nga Diokleciani e vonuan pak rënien e Perandorisë Romake, por nuk mundën ta ndalonin. Në këtë drejtim një rol jo të vogël kanë luajtur provincat veriore e verilindore ilire, por ndihmuan edhe rrethanat politike, sidomos lufta kundër sulmeve të barbarëve në kufirin danubian. Kjo luftë kishte një karakter të dyfishtë për perandorët e komandantët ushtarakë ilirë, ishte një luftë për mbrojtjen e vendit të tyre, por edhe për mbrojtjen e Perandorisë me të cilin ishin lidhur ngushtë interesat e tyre.
Në sajë të disa masave që mori paria e re provinciale, duke përfshirë edhe atë ilire, u bë e mundur të përballohej për një farë kohe kriza e Perandorisë Romake. Por ato nuk mundën ta shmangnin atë.
 
Kultura ne provincat ilire

Qëndresa e ilirëve ndaj romanizimit

Gjatë gjithë periudhës së pushtimit, Perandoria Romake, zbatoi në provincat ilire një politikë asimilimi, ose, sikur është cilësuar ndryshe, romanizimi. Për të realizuar këtë politikë dhe për të forcuar pushtimin, shteti romak ka synuar që në krye të tërhiqte dhe të bënte për vete parinë vendëse. Për këtë, që herët, kësaj shtrese iu dha e drejta e qytetarisë romake dhe poste të ndryshme në administratën provinciale. Edhe rekrutimi i të rinjve në ushtrinë romake që Roma ka zbatuar gjerësisht në disa provinca, si në Dalmati, Panoni e Dardani ndikonte në këtë politikë të forcimit të sundimit të saj në Iliri. Të rinjtë e rekrutuar, që në fillim kryenin detyrimin ushtarak në formacionet ndihmëse të ushtrisë romake (në burimet e shkruara latine përmenden kohortat dalmate e dardane dhe kalorët dalmatë). Shteti romak i largonte nga vendlindja, i dërgonte në provincat veriore dhe në ato të Afrikës. Në këtë mënyrë, nga njëra anë, zëvendësoheshin humbjet e ushtrisë gjatë luftërave pushtuese, ndërsa, nga ana tjetër, dobësohej qëndresa e popullsisë ilire.
Në tregjet e provincave ilire shiteshin asokohe prodhimet e punishteve të mëdha italike e jashtitalike. Në fushat e ndryshme të prodhimit, në metalurgji, në zejtari dhe në bujqësi hynë në përdorim një tok veglash të reja pune më të përsosura e më praktike. Bashkë me to u përhapën edhe stoli e objekte zbukurimi të reja. Përhapje të gjerë ka pasur edhe qeramika romake e kuqe me lustër, e quajtur “terra sigillata”, dhe në të njëjtën kohë u bë uniformizimi i shumë prodhimeve të qeramikës. Në përgjithësi në provincat ilire, sidomos në shekujt I-II të e.sonë, kishin hyrë elemente të kulturës materiale e artistike romake, bashkë me to edhe disa shfaqje të kulturës shpirtërore, që kishin marrë karakter kozmopolit dhe ndesheshin edhe në provincat e tjera.
Duke u nisur nga kjo pamje e përgjithshme që kanë pasur provincat ilire në tre shekujt e parë të erës sonë, disa dijetarë kanë shfaqur mendimin se sikurse popujt e tjerë, dakët, galët, iberët, edhe ilirët u “romanizuan” plotësisht. Sipas tyre asimilimi nga ana e Romës u bë “me anë të gjuhës, të antroponomisë, të fesë dhe të disa shfaqjeve shoqërore-politike”. Mirëpo, argumentet që sjellin dijetarët për “romanizimin” në tërësi të ilirëve, nuk arrijnë ta provojnë këtë. Duhet pasur parasysh fakti se procesi i romanizimit, preku gjerësisht shtresat e larta të popullsisë vendëse, të cilat për shkak të pozitës së tyre të privilegjuar ishin më të ekspozuara ndaj ndikimeve romake, por jo masën e popullsisë ilire. Pastaj ky proces nuk u zhvillua njëlloj në të gjitha krahinat e fushat e jetës dhe ndikimet e tij kanë ndryshuar nga njëra krahinë ose provincë në tjetrën. Kështu p.sh. procesi i romanizimit mori përmasa më të gjera në Ilirinë Veriore, ku u zhvillua edhe dalmatishtja, një gjuhë romane, e cila u zhduk përfundimisht në shek. XIX.
Një argument që përdoret për të provuar romanizimin e ilirëve është përhapja e gjuhës latine si gjuha zyrtare e kohës. Ka edhe gjuhëtarë që i mbahen pikëpamjes se përdorimi i gjerë i gjuhës latine në të shkruar e në të folur, bëri që gjuha ilire të zhduket. Dokumentet mbishkrimore të zbuluara në provincat ilire tregojnë se gjuha latine ka qenë gjuha e administratës dhe e kulturës dhe nuk ka pasur në çdo kohë dhe kudo një përhapje të gjerë. Në mënyrë shumë të qartë kjo vërehet në provincat e Ilirisë Jugore, ku numri i mbishkrimeve latine është shumë i vogël dhe i kufizuar, madje edhe në kolonitë romake dhe në periferinë e tyre të afërt. Në shumë krahina të këtyre provincave, sidomos në brendësi të vendit, nuk ka dëshmi mbishkrimore të përhapjes së gjuhës latine. Gjuha latine nuk mundi asnjëherë t’i zinte vendin gjuhës ilire si mjet shprehës në marrëdhëniet shoqërore e familjare, madje as në qytetet ku ilirët bashkëjetuan me banorët italikë të ardhur. Hieronimi, një ilir nga Dalmatia dhe që ka jetuar në shek. IV të e. sonë, shkruante se ilirët në kohën e tij flisnin gjuhën e tyre, e cila ndryshonte nga gjuha latine. Për më tepër, vetë prania e gjuhës shqipe në trevat e Ilirisë Jugore dëshmon qartë kundër romanizimit të një pjese të madhe të popullsisë së këtyre trevave.
Një fushë tjetër, ku del qartë gjithashtu, qëndresa ilire, është onomastika, ruajtja e emrave tradicionalë vendës, si tek njerëzit, emrat e vendeve, lumenjve, maleve etj. Emra vetjakë ilirë ka me shumicë në mbishkrimet latine të gjetura në provincat e ndryshme ilire. Emra ilirë ka edhe në monumentet mbishkrimore që u takojnë edhe personave zyrtarë e ushtarakëve që kishin marrë qytetarinë romake dhe ishin dërguar për të kryer shërbimin ushtarak larg atdheut. Ilirët ruajtën, bashkë me qendërbanimet, e tyre edhe emrat e lashtë. Si të tilla mund të përmenden Skodra, Lisi, Dyrrahu, Aulona, Skupi, Naisi etj. Të rralla kanë qenë edhe midis qendërbanimeve të reja, që u zhvilluan si qytete, ato që mbanin emra romakë. U ruajtën, gjithashtu, edhe emrat e shumë lumenjve e maleve, si Drilon (Drin), Mathis (Mat), Skardi (Sharr) e shumë të tjerë, të cilët kanë mbetur si të tillë deri në ditët tona.
Ilirët nuk i kishin humbur vetitë e tyre kulturore e etnike dhe këtë e tregojnë riti i vjetër i varrimit me vendosjen e trupit në varr dhe mënyra e ndërtimit të varreve. Në monumentet skulpturore, kryesisht në gurët e varreve, përveç emrave ilirë, figurat e skalitura mbajnë edhe veshjen popullore ilire. Studiuesve të këtyre monumenteve u ka rënë në sy se shumica prej tyre, sidomos relievet, janë punuar disi më ndryshe nga ato të njohura si vepra të skulpturës romake. Ato ruajnë disa tradita të artit helenistik, të gërshetuara me një stil vendës, që është i ngjashëm dhe rrjedh nga ai i gdhendjes së drurit.
Një fushë tjetër ku pushtuesit romakë u ndeshën me traditat e lashta vendëse dhe ku hasën qëndresë, ka qenë besimi, feja. Romakët nëpërmjet kolonive e qytetarëve romakë përhapën hyjnitë e panteonit të tyre. Në të njëjtën kohë ata mundën që të unifikonin disa hyjni të vjetra vendëse me ato romake duke u dhënë edhe veshjen e jashtme, emrin latin (interpretatio romana). Në këtë mënyrë hyu i madh i parthinëve u barazua me Jupiterin romak, por në mbishkrimet ai do të cilësohet Jupiter Parthinus, sikurse hyjnesha e Kandavëve, kulti i së cilës ishte shumë i përhapur; ajo barazohej me Dianën e do të quhej Diana Candavensis - (Diana e Kandavëve). Në Dalmati hyun e vjetër ilir Vidas romakët e identifikuan me Silvanin e tyre, mirëpo në relievet ai vazhdoi të paraqitej me atributet e vjetra. Shumë nga kultet e vjetra ilire, me gjithë interpretimin romak, edhe gjatë tre shekujve të parë të e.sonë, vazhduan të zinin një vend të rëndësishëm në jetën shpirtërore të ilirëve.
Të nisur nga këto fakte e të dhëna të tjera, dijetarë të ndryshëm e gjithnjë më të shumtë e kundërshtojnë tezën e “romanizimit” të ilirëve. Duke sjellë argumente gjuhësore, arkeologjike e jashtarkeologjike këta dijetarë kanë provuar se edhe pas futjes nën sundimin romak, ilirët nuk u shfarosën dhe as u asimiluan, por ruajtën elemente të shumta të kulturës shpirtërore e materiale, u ruajtën si një popullsi kompakte dhe e qëndrueshme, se “kombësia ilire i qëndroi romanizimit më mirë” në Ilirinë Jugore (pak a shumë tokat e banuara sot nga shqiptarët) dhe se gjatë sundimit romak, me përjashtim të disa qyteteve bregdetare, si Dyrrahu, Apolonia etj. në tokat e brendshme populli duhet të ketë folur ilirishten.
 
Kultura në kohën e vonë antike (shek. IV-VI)

Gjendja ekonomike e politike që u krijua në provincat ilire në shek. IV të e. sonë ndikoi edhe në zhvillimin e kulturës, nxiti gjallërimin dhe vazhdimin e traditave kulturore të lashta. Në shekujt që pasuan, kultura materiale, bashkë me ndikimet bizantine filloi të marrë tipare të qarta anase, mbi bazën e të cilave do të formohet kultura e hershme shqiptare. Ajo nuk pati atë zhvillim të madh si më parë, por në këtë lindën elemente të reja të rëndësishme (si në kulturën materiale, dhe në marrëdhëniet shoqërore), të cilat në mesjetë u zhvilluan në mënyrë më të plotë.
Ndryshe nga periudha pararendëse, në provincat ilire u zhvilluan më tepër ndërtimet me karakter fortifikues ushtarak dhe ato me karakter fetar, të krishterë. Në grupin e parë hynin kryesisht kështjellat e reja dhe kështjellat e lashta të fortifikuara për qëllime ushtarake, ndërtimi dhe rindërtimi i të cilave pati filluar që në shekullin IV dhe arriti kulmin në shek. VI në kohën e sundimit të perandorit Justianian, i cili sikurse shkruan biografi i tij, në dy provincat Epir i Ri dhe Epir i Vjetër, ndërtoi dhe rindërtoi 94 kështjella.
Nga qytetet, në të cilat u bënë ndërtime të mëdha e të rëndësishme që prekën edhe sistemin e brendshëm urbanistik ka qenë Dyrrahu. Këto ndërtime u bënë në kohën e sundimit të perandorit bizantin Anastas, që ishte me origjinë nga ky qytet. Nga këto objekte, me të vërtetë monumentale, janë ruajtur pjesë të sistemit fortifikues: muret rrethuese trefishe të Dyrrahut të ngritura nga perandori Anastas, të cilat llogaritet të kenë qenë 4 400 m të gjata, rreth 12 m të larta dhe 3,50 m të gjera. Me interes është edhe rrjeti i kanalizimeve që dëshmon gjithashtu për një qytet të madh dhe mjeshtra të aftë.
Arkitektura e banesave, siç kanë treguar zbulimet arkeologjike, nuk pati ndryshime të dukshme. Si në planin, ashtu edhe në ndërtimin e saj u ruajtën traditat e lashta.
Monumentet arkitektonike që lidhen me fenë e krishterë, dhe që ishin karakteristike për antikitetin e vonë kanë qenë bazilikat. Këto godina kulti janë me interes për planimetrinë e tyre, plastikën dekorative dhe për dyshemetë me mozaikë. Përsa u përket planimetrive janë gjetur bazilika të thjeshta me tri anijata (në Tepe të Elbasanit) dhe bazilika të tipit trikonke (në Lin të Pogradecit). Shpesh godinat e kultit paleokristian janë ngritur mbi ndërtime më të lashta, duke ndryshuar planimetritë e tyre (bazilika në Tiranë, pagëzimorja e Butrintit).
Rrënojat e një bazilike monumentale janë zbuluar në qytetin e sotëm të Ballshit, që në mesjetë u bë një qendërbanim i rëndësishëm shqiptar (në burimet mesjetare është njohur me emrin Kefalonia-Glavinica). Në këtë bazilikë monumentale është vërtet e pasur dhe me vlerë artistike plastika dekorative arkitektonike. Në plastikë përveç kapiteleve, harqeve, arkitrave, spikasin në mënyrë të veçantë disa pilastra e panele të perdes ndarëse të altarit. Si pilastrat, dhe panelet janë punuar në reliev, kanë një trajtim të mirë artistik dhe një dekoracion të pasur ku nuk mungojnë elementet zbukuruese tradicionale vendase.
Midis monumenteve të skulpturës të kohës së vonë antike dhe që nuk lidhen me kultet fetare janë disa relieve mortore, të punuara nga artistë vendas. Këto relieve nga mënyra e trajtimit artistik, kompozimit, frymëzimit, modelimit e nga paraqitja e figurave dhe veshja e tyre, përbëjnë një tërësi që i veçon nga ato relieve sepulkrale të zakonshme për tre shekujt e parë të erës sonë. Ajo që i bën edhe më interesante këto vepra artistike ilire (sepse u takojnë ilirëve), është se ato janë gjetur jo në qendra qytetare, por në lokalitete të brendshme, në fshatra dhe se figurat që mbajnë paraqesin zakonisht njerëz të punës, fshatarë e zejtarë. Karakteristike për këtë kohë janë edhe disa portrete tek të cilët nuk vërehet as idealizmi i artit grek, as natyralizmi i skulpturës romake; portretet pasqyrojnë qoftë edhe në mënyrë të thjeshtë karakterin burrëror, por edhe të rreptë të popullsisë ilire.
Karakteristike për periudhën e vonë antike ka qenë lulëzimi i artit të mozaikut. Duke filluar nga shek. IV e. sonë arti i mozaikut përhapet edhe në viset e brendshme të provincave ilire, duke u lidhur në fillim me qendërbanimet rurale, “vilat” fshatare dhe më pas me godinat e kultit, bazilikat paleokristiane. Në këta mozaikë janë të pranishme, krahas elementeve të reja dekorative, edhe ato tradicionale më të lashta. Kështu në dyshemetë me mozaikë të godinave të kultit vërtet mbizotërojnë figurat që përfytyrojnë kafshë, shpendë e peshq tipike për artin masiv paleokristian, por krahas tyre, në kornizat që rrethojnë emblemat vërehen elemente dekorative gjeometrike, figura rombesh, motivi i gërshetës, i rrathëve që priten etj., që lidhen me një traditë të lashtë. Mozaikët e kohës së vonë antike, nga të cilët janë zbuluar mjaft në këto vitet e fundit, tregojnë për një lulëzim të këtij arti, sidomos në shek.V e VI dhe për praninë e atelieve mozaikpunuese vendase.
Në antikitetin e vonë ndodhën ndryshime të dukshme edhe në kulturën materiale. Zhvillimi i bujqësisë u shoqërua me futjen në përdorim dhe përsosjen e një sërë veglash bujqësore. Shfrytëzimi intensiv i vendbanimeve me metale bëri të nevojshëm shtimin e përmirësimin e veglave të minatorëve. Shek. IV, sipas të dhënave arkeologjike, me gjithë krizën e përgjithshme, ka qenë periudhë e një gjallërimi të zejtarive, të qyteteve të mëdha dhe të qendrave të brendshme. Kjo vërehet në prodhimin e stolive, ku vendin e parë e zënë fibulat, të cilat edhe në këtë kohë vazhdojnë të kenë një funksion praktik e estetik. Një përhapje të gjerë kanë pasur fibulat e gjoksit të tipit të quajtur me koka qepe dhe ato me këmbë të përthyer, pararendëse të fibulave të përdorura nga shqiptarët në mesjetën e hershme.
Edhe qeramika masive (tullat e tjegullat), edhe qeramika e përdorimit të përditshëm nuk ndryshon shumë nga ajo e shekujve pararendës. Ndërsa në elementet dekorative përdoret pikturimi me breza ngjyrë kafe e të kuqe, trajtat e enëve thjeshtohen. Gjithnjë e më shpesh enët prej balte të pjekur zbukurohen me motivin e gropëzuar, çatalla dhe vija rrethore ose të valëzuara të gërricura, motive këto të traditës ilire.
Përsa i përket kulturës shpirtërore për antikitetin e vonë kultet e besimit fetar të krishterë, përhapen gjithnjë e më shumë në popullsinë e provincave ilire. Feja e krishtere, e cila në fillim lindi si një fe e shtresave të varfra, të cilat mendonin të gjenin tek ajo rrugën e shpëtimit, u përqafua më vonë edhe nga shtresat e pasura dhe u bë fe zyrtare.
 
Kultura në shekujt e parë të erës sonë

Në shek. I të e.sonë, me pushtimin e plotë të Ilirisë, nisi të përhapej edhe kultura romake, duke u ndërthurur me kulturën vendëse ilire dhe duke zhdukur pak nga pak edhe ndryshimet kulturore që ekzistonin deri atëherë midis krahinave ilire. Një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës romake në provincat ilire ka luajtur aparati administrativo-ushtarak i pushtuesve romakë. Vatra kryesore të përhapjes së kulturës romake u bënë kolonitë e municipet, ato qytete, të cilat si pasojë e organizimit të ri administrativ u bënë qendra të rëndësishme ekonomike dhe patën një jetë të gjallë kulturore-artistike. Dukuritë më të shumta kulturore, të ndikuara nga Roma, zunë vend, në masën më të madhe, tek banorët e ardhur nga Italia ose nga provincat e tjera dhe te përfaqësuesit e shtresës së pasur vendëse.
Në provincat ilire, sikurse edhe në provincat e tjera të perandorisë romake u zhvilluan arkitektura zyrtare, skulptura - veçanërisht portreti, arti i mozaikut dhe piktura murale.
Pushtuesit romakë për nevojat e tyre bënë ndërtime të shumta, të cilat në disa raste ndryshuan planet e vjetra urbanistike të qyteteve. Këto ndryshime në planin urbanistik të qyteteve të vjetra në provincat jugore ilire u bënë sepse romakët nuk ngritën ndonjë qytet të ri. Më qartë ato shihen në Buthrot e Apoloni. Në njërën nga tarracat e mëdha, të formuara në kodrën ku shtrihej qyteti i Apolonisë, në pjesën perëndimore të saj, gërmimet kanë nxjerë në dritë tepricat e një ansambli godinash me karakter shoqëror të ngritura në fillim të shek.II e.sonë. Këto ndërtime, që i takojnë lagjes qendrore të qytetit, u bënë mbi rrënojat e godinave më të lashta ose duke i ndryshuar ato që i përkisnin gjithashtu qendrës së qytetit para pushtimit romak.
Në ansamblin e godinave të kësaj pjese qendrore të qytetit, bënin pjesë një teatër i vogël i mbuluar (odeon), një bibliotekë dhe një godinë me një fasadë monumentale, e quajtur në literaturën arkeologjike, monumenti i agonotetit, e cila ka shërbyer si seli e këshillit të qytetit (buleteurion). Me interes është këtu edhe mbishkrimi i skalitur në arkitekturën e fasadës që tregon, jo vetëm se kush e kishte ndërtuar këtë godinë monumentale, por edhe se me rastin e inaugurimit të saj ishin organizuar dyluftime midis 25 çifte gladiatorësh. Kjo supozon se në atë kohë në Apoloni ekzistonte një arenë amfiteatër i madh dhe se luftimet e gladiatorëve ishin shfaqje të futura nga shtresa skllavopronare sunduese e italike. Me kompleksin e godinave me karakter shoqëror të mësipërme lidhej edhe një hark triumfi me tri porta, i ngritur në mes të sheshit dhe një rrugë magjistrale, e cila nga godina e këshillit zbriste në drejtim të lagjeve të pjesës perëndimore të qytetit, ku ndodheshin edhe banesat e parisë skllavopronare apoloniate. Të gjitha këto godina nga pikëpamja e planimetrisë dhe e teknikës së ndërtimit nuk ndryshojnë nga ato bashkëkohëse të ngritura në provinca të tjera ballkanike.
Një plan të ri urbanistik ka pasur, në shekujt e parë të erës së sonë, edhe qyteti i Buthrotit. Nuk ka të dhëna që të provojnë nëse në fillim të erës sonë ndryshoi plani urbanistik i qytetit të Dyrrahut. Megjithatë, dihet se në këtë qytet, në shek. II, u ndërtua një amfiteatër i madh, një pjesë e të cilit është zbuluar.
Një zhvillim të mirë ka pasur në tre shekujt e parë të e. sonë edhe arti plastik, skulptura. Skulpturën e kësaj kohe e njohim në mënyrë të veçantë nga zbulimet e bëra në rrënojat e Apolonisë. Karakteristike për skulpturën apoloniate të kësaj kohe është se një pjesë e mirë e veprave skulpturore i mbetën besnike traditave të artit klasik e helenistik ose riprodhojnë vepra më të njohura të artit grek, kurse në portretet shpesh janë zbatuar rregullat kompozicionale dhe të skalitjes karakteristike për skulpturën romake. Në vargun e gjatë të skulpturave apoloniate të tre shekujve të parë të erës sonë ka vepra origjinale, të denja për mjeshtra të zotë e me përvojë të madhe, portrete të stilit augustian e më të vona, si busti i Karakallës e ndonjë tjetër, por ka edhe kopje të veprave klasike, të cilat kanë një forcë të madhe shprehëse, janë shumë të bukura dhe dëshmojnë për një pjekuri artistike të autorëve të tyre (portreti i Demostenit, busti i Filozofit e ndonjë tjetër). Ndryshe ka ndodhur në relievin sidomos atë mortor, ku nuk ndeshen më kompozimet e bukura të stileve sepolkrale apoloniate dhe në vend të tyre skaliten relieve me një dekoracion uniform e monoton të marrë nga repertori i stileve romake.
Në plastikën e vogël vendin kryesor e zënë figurinat prej bronzi, të gjetura në qytete dhe në lokalitete fshatare. Në këto figura bronzi të vogla, të prodhuara më të shumtën në seri, të cilat lidhen me hyjni ashtu edhe me personazhe laike (aktorë, fëmijë, atletë etj.), ka edhe modele me vlera artistike të vërteta.
Një përhapje të gjerë, gjatë periudhës së pushtimit romak ka pasur edhe arti i mozaikut. Edhe mozaikët dhe zhvillimi i tyre, ashtu sikurse veprat më të bukura të arkitekturës dhe të skulpturës, kanë qenë lidhur me shtresat e larta të provincave, si të atyre të qyteteve, ashtu edhe të vendbanimeve fshatare, të zotëruesve të vilave e latifondistëve. Në këta mozaikë ku mbizotëron dekoracioni gjeometrik ndeshen edhe elemente e skena të marra nga mitologjia greke e tejlashtë (Akili e Pentesilea në mozaikët e Apolonisë etj.).
Ndryshime të dukshme ndodhën edhe në kulturën materiale e shpirtërore, veçanërisht në qytetet dhe në periferitë e tyre. Krahas me futjen në prodhim të një sërë veglash të reja pune, gjatë shekujve të parë të pushtimit romak hyjnë në përdorim edhe stoli të reja, një pjesë prej të cilave lidheshin me modele veshjesh të ardhura. Midis stolive vendin e parë e zënë fibulat, funksioni i të cilave sigurohej nëpërmjet një thumbi ku kapej gjilpëra, duke u zënë vendin atyre fibulave ku mbyllja sigurohej nëpërmjet një spiraleje, nga dilte gjilpëra. Fibula të kësaj kohe të llojit të quajtur “Aucissa”, me këmbë përthyer ose të tipit “pincete” përhapen gjerësisht në provincat jugore ilire.
Me forma e teknikë të re paraqitet në tre shekujt e parë të erës sonë edhe qeramika, duke përfshirë edhe qeramikën e ndërtimit. Përveç punishteve të poçarisë vendëse, që prodhojnë forma enësh të zakonshme, edhe në provincat e tjera romake, një përhapje të gjerë mori në dy shekujt e parë (në drejtim më tepër si imitacion) qeramika e quajtur “terra sigillata”. Në këtë kohë zgjerohet më shumë edhe përdorimi i enëve prej qelqi.
Në qytetet e në zonat fshatare deri në thellësi hyjnë në përdorim tjegulla - solene e kaliptere - të lakuara, tulla me trajta e përmasa të ndryshuara, ndërsa në ndërtim hynë llaçi e gëlqerja, të cilat sollën ndryshime në teknikën e ndërtimit, në cilësinë dhe në pamjen e godinave.
Ajo që bie në sy në gërmimet e zbulimet arkeologjike është se këto ndryshime në kulturën materiale sikurse shfaqjet e tjera të kulturës së veçantë, i takojnë ultësirës bregdetare, periferive të qyteteve dhe disa luginave të përshkuara nga rrugë magjistrale. Në këto krahina është vërejtur edhe prania e kulteve të hyjnive romake dhe më rrallë edhe të hyjnive me prejardhje lindore. Viset e brendshme ilire u prekën shumë më pak nga ndikimet e kulturës romake. Në përgjithësi në këto krahina elementet e kulturës materiale e shpirtërore romake janë të pakta, ndërsa ato vendase më të shumta. Ky raport do të thellohet edhe më tepër në shekujt që pasojnë, në kohën e krizës së skllavopronarisë, kur elementet kulturore vendase, tradicionale e të reja zënë një vend gjithnjë e më të madh në jetën e banorëve të provincave ilire.
 
Materiali:

Në vitin 1959 u botua në Tiranë vëllimi i parë i Historisë së Shqipërisë, i cili, së bashku me vëllimin e dytë, që doli më 1965, përbën veprën e parë shkencore përgjithësuese për Historinë e Shqipërisë, të hartuar nga një grup autorësh. Historia e lashtë (Ilirët) përbënte pjesën e parë të vëllimit të parë të botimit të vitit 1959. Ajo shërbeu si bazë për hartimin e tekstit të ri të Historisë së Shqipërisë që u përgatit dhe u botua si maket për diskutim në vitin 1973. Pjesa e parë e vëllimit të parë të këtij botimi të ri (1973) përfshinte periudhën e historisë së lashtë, nga fillimet e shoqërisë njerëzore e deri në fillimet e mesjetës së hershme shqiptare. Ajo u përgatit nga prof. Selim Islami (redaktor përgjegjës), prof. dr. Muzafer Korkuti, prof. Frano Prendi dhe prof.dr. Skënder Anamali. Në vitin 1977, historia e lashtë u botua e ripunuar dhe e plotësuar me të dhëna të reja nga këta autorë, në formë dispense, për përdorim të brendshëm. Ky tekst, me pak shkurtime, u botua edhe në frëngjisht më 1985 si vëllim më vete, për t’u shfrytëzuar nga studiuesit dhe nga lexuesit e huaj, me titullin Les Illyriens - Aperçu historique, Tirana, 1986. Pjesa e parë, Ilirët, që përfshihet në këtë botim të ri (vëllimi i parë), është mbështetur në variantet e vitit 1977 dhe 1985, por të ripunuara dhe të plotësuara prej të njëjtit grup autorësh: Krerët I dhe II janë hartuar nga prof. dr. Muzafer Korkuti. Krerët III dhe V janë hartuar nga prof. Selim Islami. Kreu IV është hartuar nga prof. Frano Prendi. Krerët VI, VII dhe VIII janë hartuar nga prof. dr. Skënder Anamali. Prof. dr. Edi Shukriu ka shkruar në pjesën Mbretëria Dardane (Kreu VI) sythet: Territori, popullsia e kultura dhe FV paraurbane. Përgatitja për botim (redaktimi) e pjesës Ilirët, me ndryshimet përkatëse u bë nga prof. dr. Muzafer Korkuti.
 
Sa desha te mesoja ne Histori po si perfundim me ngelen.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top