Historia shqiptare

Territori dhe popullsia

Në periudhën antike treva që nga malet e Llogarasë dhe të Kudhësit me rrjedhjen e mesme të Vjosës në veri dhe deri në gjirin e Ambrakisë dhe në kufijtë e Etolisë në jug, që nga malet e Pindit në lindje e deri tek brigjet e detit Jon në perëndim, përbënte një njësi gjeografike-politike më vete të formuar historikisht dhe të njohur me emrin Epir, nga greqishtja e vjetër Apeiros që do të thotë stere, tokë.
Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin në fillim çdo vend kontinental përballë ishujve. Po me këtë kuptim, p.sh., Homeri e quan Akarnaninë Epir, gjithashtu më vonë edhe Tukididi. Kështu i quanin edhe brigjet përkundrejt tyre banorët e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore.
Ky emër i përdorur në fillim si një emër i përgjithshëm për të caktuar pozitën kontinentale të krahinës etnikisht ilire, që ndodhej përballë tyre, u shndërrua më vonë në një nocion të përveçëm gjeografik, që i atribuohej një krahine të veçantë me kufijtë pak a shumë të përcaktuar historikisht.
Në këtë kuptim emri Epir ndeshet për të parën herë tek shkrimtari grek i fundit të shek. VI p.e.sonë, Hekateu, kur thotë se Oriku është liman i Epirit, dhe pak më vonë tek Pindari, i cili e quan Epirin “të famshëm me hapësira kodrash të shkëlqyeshme ... që fillojnë nga Dodona e deri në brigjet e Jonit”.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë, me transformimin e bashkësisë molose në një shtet të ri federativ, të quajtur epirot, që përfshinte pjesën më të madhe të popullsisë së këtij territori duke pasur një nënshtetësi të vetme, epirote, emri Epir merr tani një kuptim të përcaktuar qartë politik.
Shkrimtari grek i shek. IV p.e.sonë numëron në këtë kohë në Epir vetëm 14 fise, por nga burimet e tjera historike-epigrafike rezulton që ky numër të ketë qenë shumë më i madh. Nga fiset më kryesore ilire, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë politike të kësaj krahine, përmenden sidomos thesprotët, kaonët, molosët etj. Ndërmjet këtyre fiseve ndodhnin luftëra të vazhdueshme për epërsi territoriale dhe politike dhe kishte një prirje për separatizëm midis sundimtarëve të veçantë të tyre. Kjo gjendje vazhdoi të paktën deri në fillim të shek. IV p.e.sonë, kur mbretërit molosë arritën t’u imponohen shumë prej fiseve fqinje epirote dhe të krijonin një mbretëri të fuqishme, me bazë federative, që autorët grekë e quanin Koinon të molosëve.
 
Koinoni (Lidhja) e Moloseve


Marrëdhëniet politike të Lidhjes me Maqedoninë

Pas viteve 60 të shek. IV p.e.sonë në politikën e jashtme të Lidhjes Molose vihen re ndryshime të dukshme, që çuan në zgjerimin territorial dhe në fuqizimin e mëtejshëm politik të saj.
Në këtë kohë në kufijtë verilindorë të Epirit filloi të mëkëmbet me shpejtësi shteti maqedon. Gjatë sundimit të Filipit II Maqedonia u shndërrua në një monarki të fuqishme të centralizuar, në një forcë kryesore politike dhe ushtarake në Ballkan.
Duke shfrytëzuar krizën e shteteve greke, Filipi pasi zgjeroi dhe konsolidoi shtetin e vet, nuk vonoi të ndërhynte edhe në çështjet e brendshme të tyre duke zhvilluar një politikë konsekuente hegjemoniste mbi to. Në këtë drejtim Epiri duhet të shërbente si një mbështetje për të shtrirë kontrollin maqedon në brigjet perëndimore të Greqisë, për këtë qëllim Filipi II i dha një rëndësi të veçantë vendosjes së një aleance të qëndrueshme me Lidhjen Molose. Për këtë aleancë ishte interesuar dhe vetë Lidhja, sa kohë që Maqedonia do t’i linte dorë të lirë për ta çuar më tej politikën e zgjerimit të mëtejshëm të kufijve të saj. Dhe jo rastësisht Arryba, i cili kryesonte në këtë kohë Lidhjen, shpejtoi të lidhte krushqi me Filipin II, duke i dhënë këtij të fundit në vitin 357 p.e.sonë mbesën e tij, Olymbinë për grua.
Midis viteve 360-344 p.e.sonë, Lidhja Molose shënon një zgjerim të mëtejshëm të territorit të saj nga verilindja duke arritur kufirin më të largët në këtë drejtim deri tek Parauejtë në pellgun e Përmetit, Timfejtë dhe Orestët në luginën e sipërme të Haliakmonit.
Por në vitin 344 p.e.sonë, Lidhja detyrohet të heqë dorë nga këto krahina, të cilat Filipi II ia kaloi Maqedonisë. Kur pak më vonë Athina nisi të përzihet në çështjet e brendshme të Epirit, duke rrezikuar pozitat e Maqedonisë në Epir, Filipi II sulmoi ushtarakisht Ambrakinë duke kaluar nëpër territorin shtetëror të Lidhjes. Pasi mposhti Ambrakinë dhe nënshtroi kolonitë helene të elejve në Kasopi, Buketin, Pandosinë dhe Eletren, zboi nga froni Arrybën, aleatin e lëkundur dhe të pabindur të Maqedonisë, i cili kërkoi strehim në Athinë. Në krye të Lidhjes Molose vuri kunatin e vet Aleksandrin 20-vjeçar, të mbiquajtur Molos, të cilit i dorëzoi dhe qytetet që sapo i kishte pushtuar. Për ta angazhuar edhe më shumë ndaj Maqedonisë, Filipi II i dha Aleksandrit për grua të bijën, Kleopatrën, dhe e përkrahu atë në politikën e zgjerimit territorial të shtetit molos. Gjatë sundimit të Aleksandrit (342-331 p.e.sonë), Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë e saj në drejtim të krahinave jugore dhe veriperëndimore të Epirit. Nën kontrollin e Lidhjes hynë tani jo vetëm kolonitë elease, por edhe tërë Kasopia fqinje, të cilat u bënë aleatë të saj (symnatios), duke gëzuar një farë autonomie dhe të drejtën që të prisnin monedhat e tyre.
Aleksandri arriti t’i imponojë pushtetin e tij dhe Koinonit të thesprotëve, deri atëhere i pavarur, megjithëse territorialisht në përfitim të Lidhjes Molose, e cila ushtronte mbi të presion të vazhdueshëm, për të dalë në det. Jashtë kontrollit të shtetit molos ende mbetej në këtë kohë Koinoni i kaonëve, që vazhdoi të ruante pavarësinë e tij. Zgjerimi territorial në drejtim të pjesës më të zhvilluar nga pikëpamja social-ekonomike të Epirit dhe në mënyrë të veçantë dalja e tij gjerësisht në det, e fuqizuan edhe më shumë ekonomikisht dhe politikisht shtetin molos, dhe hapën rrugë për një intensifikim të lidhjeve sidomos me brigjet perëndimore të Mesdheut.
Në vitin 334 p.e.sonë Tarenti kërkoi nga Aleksandri molos ndihmë ushtarake, meqenëse po rrezikohej pavarësia e qytetit dhe e aleatëve të tij nga lukanët. Aleksandrit do t’i jepej mundësia që të përhapte influencën e Epirit edhe në qytetet e tjera të Italisë së Jugut, për të cilën ishin të interesuara shtresat sunduese të vendit, që ai përfaqësonte dhe në mënyrë të posaçme ajo tregtare. Kjo u bë nxitje që Aleksandri të ndërhynte aktivisht në çështjet e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Pasi ia la sundimin e Mbretërisë Epirote gruas së vet sa kohë që ai do të mungonte, Aleksandri u nis për në Itali me forca të kufizuara, sipas Aristotelit me 15 anije ushtarake dhe mjaft anije tregtare. Me të zbritur në Itali, ai e zgjeroi bërthamën e ushtrisë së tij relativisht të vogël, me forca tarentine si edhe me mercenarë, me lukanë të dëbuar dhe me kontingjentet që i vunë në dispozicion qytetet e tjera greke të kërcënuara nga fiset italike.
Në fillim Aleksandri korri një sërë fitoresh kundër lukanëve dhe samnitëve, futi në dorë Heraklenë, koloninë e Tarentit, Sipontin e Apuljes etj., dhe për një kohë ai e konsideroi veten sundimtar të plotë mbi to. Nga kjo pozitë, ai bëri marrëveshje dhe me qytete të tjera, madje dhe me Romën. Nga vendet e kontrolluara prej tij dërgoi për në atdhe 300 familje të shquara si pengje. Më vonë lukanët dhe samnitët e morën veten dhe me forca të shumta të bashkuara, filluan të ushtrojnë përherë e më tepër presion mbi ushtrinë epirote dhe të aleatëve të saj numerikisht më të pakët, derisa në dimrin e vitit 331-330 p.e.sonë, pas një beteje të përgjakshme pranë Pandosisë, jo larg Kozencës, forcat e Aleksandrit u thyen keqas dhe ai mbeti i vrarë në këtë betejë.
Me rrjedhimet që patën këto ngjarje në Epir mbyllet dhe etapa e parë e zhvillimit historik të shtetit federativ epirot.
 
Lidhja Molose (çereku i parë i shek. IV p.e.sonë).

Struktura e saj organizative
Gjatë sundimit të Alketës, birit të Tharypës, shteti molos mori zhvillim të mëtejshëm. Nuk është përcaktuar me saktësi se në ç’kohë dhe në ç’rrethana e trashëgoi fronin. Dihet se në vitin 385 p.e.sonë ai gjendej i strehuar politik tek Dionizi, tirani i Sirakuzës. Në burimet historike nuk jepen as motivet që e shtynë Alketën të braktiste fronin. Ka mundësi që ky, duke dashur të vazhdonte politikën e aleancës me Athinën, në një kohë kur kjo kishte pësuar tashmë humbje ushtarake dhe diplomatike nga Sparta, të ketë ndeshur në kundërshtimin e partisë filospartane. Në këtë kohë kjo filloi të aktivizohej shumë, sidomos pas fitoreve të Agesilaut në Akarnani (389-388 p.e.sonë), që i hapën rrugën Spartës për të shtrirë ndikimin e vet jo vetëm në Greqinë Veriperëndimore, por edhe në Epir.
Dionizi që ishte interesuar dhe po vepronte aktivisht për të vendosur një kontroll efektiv në detin Adriatik dhe mbi rrugët që të çonin për në Epir, e mirëpriti Alketën dhe e ndihmoi atë që të rikthehej në fronin e humbur. Me këtë mënyrë tirani i Sirakuzës synonte të siguronte një aleat të ri, që do të përkrahte pikësynimet e tij politike dhe tregtare në brigjet e Ilirisë dhe të Epirit. Për këtë qëllim në vitin 385 p.e.sonë, Dionizi bëri një marrëveshje me Alketën për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin e shtetit të molosëve duke i siguruar një ndihmë efektive në kontingjente luftarake dhe armatime. Ky sulm i papritur i forcave të bashkuara iliro-sirakuzane, u shkaktoi molosëve rreth 15 000 të vrarë sipas Diodorit të Sicilisë. Përforcimet që u dërgoi Sparta molosëve nuk e ndryshuan gjendjen e tyre të vështirë. Siç duket, ajo nuk u angazhua aq shumë në këtë luftë, pasi nuk ishte e interesuar të hynte në konflikt me Dionizin. Kështu ky aksion i nxitur prej tiranit të Sirakuzës përfundoi me sukses dhe me rivendosjen e Alketës në krye të shtetit molos.
Pasi përforcoi pozitat brendapërbrenda mbretërisë, Alketa vazhdoi politikën e zgjerimit territorial të shtetit të tij të filluar që në kohën e Tharypës, rivendosi marrëdhëniet e ndërprera për pak kohë, me Athinën. Në vitin 377 ndihmoi aktivisht Lidhjen e dytë detare të Athinës, duke lehtësuar veprimet e saj luftarake kundër Spartës në pellgun e Jonit. Në vitin 372 p.e.sonë Alketa i dha mundësi një reparti prej 600 pelltastësh të Stesiklit, të kalonin nëpër territorin molos dhe të lidheshin në Korkyrë përmes bregut të Epirit.
Me politikën e tij ekspansioniste, Alketa arriti të shtrijë sovranitetin e vet mbi një territor të konsiderueshëm të Epirit. Sipas një mbishkrimi dekretor të viteve 370-368 p.e.sonë kufijtë e Mbretërisë Molose që trashëgoi në këtë kohë i biri i tij Neoptolemi, shtriheshin në lindje deri në Hestiotiden perëndimore, në verilindje deri në kufijtë e Orestides në luginën e sipërme të Haliakmonit dhe në veriperëndim përmes një rripi toke deri në kufijtë e Parauejes në rrjedhjen e mesme të Vjosës. Molosët dolën në det siç duket në zonën e Kestrinës, në veri të lumit Kalama (Thiamis). Nga perëndimi pas aneksimit të Dodonës në fund të shek. V p.e.sonë, molosët e shtrinë kontrollin e tyre deri tek lugina e sipërme e Aheronit.
Kjo shtrirje territoriale e Mbretërisë Molose në kohën e Alketës, duket se përputhet plotësisht me cilësimin që i bën këtij sundimtari Polidami i Fardales në një fjalim të transmetuar nga historiani e gjenerali grek Ksenofoni, kur e quan atë “sundimtar suprem të Epirit”.
Këto të dhëna burimore dhe epigrafike tregojnë se në kohën e këtij sundimtari dhe të pasardhësit të tij kishte avancuar mjaft procesi i bashkimit politik të popullsive të veçanta të Epirit, proces ky që çoi në krijimin e organizimit më të gjerë shtetëror që njihet me emrin Lidhja e Molosëve.
Duke gjykuar nga të dhënat mbishkrimore të kësaj periudhe, në këtë Lidhje përveç molosëve bënin pjesë edhe shumë popullsi të tjera epirote, si tripolitët, kelaithët, paialët, arktanët, genoait, ethenestët, onopernët, etj. Këto grupe të veçanta etnike merrnin pjesë në qeverisjen e kësaj lidhjeje përmes përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, të cilët në dekretet mbishkrimore quhen demiorgë ose synarhontë.
Një mënyrë e tillë qeverisjeje, i jepte këtij formacioni të ri shtetëror karakter federativ, por nën hegjemoninë e molosëve.
Lidhja Molose, e cila përfaqësonte etapën e parë në procesin e zgjerimit dhe të konsolidimit progresiv të shtetit federativ të Epirit, kishte një strukturë organizative të brendshme të përcaktuar qartë me institucione legjislative dhe ekzekutive. Në krye të Lidhjes së Molosëve qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve. Por pushteti i tij, ashtu siç e thekson Aristoteli, ishte i kufizuar. Mbreti kur merrte pushtetin në dorë, ishte i detyruar të bënte fli në altarin e hyut të luftës në Passaron dhe të betohej përpara përfaqësuesve të shtetasve të tij, se do të sundonte sipas ligjeve të vendit. Përfaqësuesit nga ana e tyre, i premtonin mbretit se do ta përkrahnin atë gjatë sundimit të tij. Ky betim tradicional midis mbretit dhe përfaqësuesve, ishte një formë e trashëguar nga rendi i vjetër fisnor, por që tani merr një përmbajtje të re duke siguruar me këtë ndikimin e aristokracisë në drejtimin e kësaj lidhjeje shtetërore.
Mbreti ishte komandant suprem i ushtrisë së Lidhjes Molose dhe gëzonte një pushtet të padiskutueshëm në kohë lufte. Pas mbretit funksionari më i lartë në Lidhjen Molose vinte Prostati, një magjistrat eponym që zgjidhej për çdo vit nga komunitetet e ndryshme etnike të bashkuara në këtë lidhje. Ai kryesonte kuvendin e popullit, e thirrte atë, drejtonte punët e tij, paraqiste propozimet për t’u miratuar etj.
Në mbishkrime së bashku me prostatin përmendet edhe sekretari, që zgjidhej për çdo vit zakonisht nga i njëjti fis, të cilit i përkiste dhe prostati. Kuvendi i popullit përbëhej, me sa duket, nga të gjithë burrat e aftë për luftë, qofshin këta molosë apo anëtarë të bashkësive të tjera që përfshiheshin në Lidhjen e Molosëve. Ky kuvend votonte vendime, të cilat akordonin të drejta qytetarie, proksenie dhe privilegje të tjera. Në këtë kuvend legjislativ mund të merrnin pjesë të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë të të gjitha komuniteteve etnike të përfshira në Lidhjen e Molosëve. Kuvendi mund të mblidhej disa herë në vit, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme. Vendi i mbledhjeve të tij ishte Passaroni, megjithëse ato mbaheshin edhe në qendra të tjera, si p.sh. në Dodonë etj.
Vendimet apo ligjet për të cilat votonte Kuvendi, përgatiteshin siç duket nga një institucion tjetër i veçantë, nga Këshilli. Ky ndoshta ishte ai senat për të cilin flet Justini duke ia atribuar krijimin e tij mbretit Tharypë.
Organ tjetër, i ndryshëm nga Këshilli, ishte dhe kolegji i përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme në Lidhjen e Molosëve, me anë të të cilëve ato merrnin pjesë në drejtimin e përbashkët të punëve të shtetit. Në krye të këtij kolegji, qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve dhe dy magjistratët e zgjedhur çdo vit, prostati dhe sekretari, të cilët mund të ishin molosë ose jo. I tërë ky organizim shtetëror i jepte Lidhjes Molose, që përfaqësonte njëkohësisht dhe shtetin më të fuqishëm në Epir deri në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë, formën e një shteti federativ monarkik.
 
Mbretëria e Molosëve gjatë sundimit të Tharypës (423-385 p.e.sonë)

Në çerekun e fundit të shek. V p.e.sonë shtetin e molosëve e kryesonte Tharypa (423-385 p.e.sonë), i cili, sipas një lajmi të Tukididit, e trashëgoi fronin mbretëror të babait në një moshë të mitur duke pasur për një kohë si tutor Sabylintin, prijësin e atintanëve.
Tradita historike i atribuon këtij sundimtari një seri reformash të karakterit ekonomik, ushtarak dhe kulturor, të cilat çuan në zgjerimin dhe në forcimin e mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Në radhë të parë ato prekën formën e hershme të qeverisjes dhe legjislacionin e vjetër të vendit. Kuvendi i popullit si organ i trashëguar nga rendi i komunës primitive, mori tani përmbajtje të re. Në organet drejtuese të shtetit, rol të rëndësishëm fillon të luajë prostati, funksionari më i lartë i shtetit pas mbretit. Ky zgjidhej për çdo vit në Kuvendin e Popullit nga rrethet aristokratike, të cilat ushtronin fuqishëm autoritetin e tyre në kuvend. Duke qëndruar pranë mbretit, si mbrojtës i ligjeve të vendit, prostati në fakt e kufizonte shumë pushtetin mbretëror, dhe me këtë ai ruante të palëkundshme pozitat e aristokracisë në veprimtarinë politike të shtetit.
Kjo formë e kufizuar e pushtetit qendror nga aristokracia e tokës, si edhe ligjërimi i të drejtave të tjera të saj, i japin Mbretërisë Molose atributet e një shteti me mbeturina të theksuara të rendit fisnor.
Mbretëria Molose që në fillim të veprimtarisë së saj politike tërhoqi vëmendjen e shteteve fqinje të Mesdheut dhe sidomos të Athinës dhe të Spartës, të cilat sapo kishin nisur midis tyre konfliktin e armatosur për supremaci ekonomike dhe politike në Greqi. Në këtë konflikt historikisht të njohur si Lufta e Peloponezit dhe që, siç dihet, zgjati me ndërprerje të vogla plot 28 vjet (432-404 p.e.sonë) dhe pati pasoja të rënda për Greqinë, të dyja palët ndërluftuese bënë përpjekje që të siguronin përkrahjen e shtetit të ri të molosëve, meqë territori i tij zinte një pozicion mjaft të favorshëm strategjik me rrugën midis brigjeve veriperëndimore të Greqisë dhe të Maqedonisë e Thesalisë.
Në fillim ishte Sparta ajo që ushtroi ndikimin e saj mbi shtetin molos. Në vitin 429 p.e.sonë, molosët i ofrojnë asaj deri ndihmën ushtarake, duke dërguar kontingjente të konsiderueshme luftëtarësh për pushtimin e qytetit Stratos të Akarnanisë.
Mirëpo edhe pas kësaj fushate të pasuksesshme, e cila synonte të dobësonte ndikimin e Athinës në këtë zonë kufitare të Epirit, diplomacia athinjote nuk hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetin e molosëve. Ajo kishte shumë nevojë për përkrahjen e këtij shteti të ri energjik në qendër të Epirit. Përmes territorit të tij Athina mund të kontrollonte nga shpina maqedonët e paqëndrueshëm të Perdikës si dhe thesalët, me të cilët ajo sapo kishte krijuar lidhje miqësore pas kryengritjes së lynkestëve (433 p.e.sonë).
Nga ana tjetër, me këto marrëdhënie Athina synonte të kishte edhe përfitime ekonomike. Se sa rëndësi i jepte Athina lidhjeve me shtetin molos, këtë e tregon dhe fakti se ajo në këtë kohë merr përsipër edukimin e Tharipës së vogël në një nga shkollat e Athinës dhe e pret atë më vonë në Athinë me nderime të veçanta duke e regjistruar si qytetar nderi.
Për vendosjen e marrëdhënieve të mira me Athinën ishte i interesuar gjithashtu edhe vetë shteti i molosëve, i cili kërkonte të siguronte përkrahje për politikën e zgjerimit territorial që projektoi Tharypa, të cilën ai filloi ta realizonte në vitet e fundit të jetës së tij.
Këto marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe politike me Athinën i hapën rrugë depërtimit të ndikimit të qytetërimit helen, i cili u shfaq në strukturën organizative të shtetit, në ndërtimet, në përdorimin e gjuhës dhe të shkrimit grek në rrethet e aristokracisë dhe të administratës shtetërore, në trajtimin tipologjik dhe metrologjik të monedhave të para molose sipas prototipave të monedhës atike të fundit të shek.V dhe fillimit të shek. IV p.e.sonë. Ky ndikim do të shfaqet gjithashtu dhe në jetën kulturore e artistike, qendra e së cilës bëhen qytetet. Në Passaron, p.sh., mendohet të jetë ftuar dramaturgu i shquar grek Euripidi, për të vënë në skenë tragjedinë e tij “Andromaka”, ku lavdërohej origjina dinastike e mbretërve molosë. Kjo vepër ndikoi shumë në kultivimin e mitit gjenealogjik të molosëve, sipas të cilit zanafilla e tyre i referohet tani Molosit, biri i Neoptolemit të Akilit dhe i Andromakës, të vesë së Hektorit, që pas shkatërrimit të Trojës erdhën dhe u vendosën në Epir.
 
Gjendja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore e Epirit në fundin e shek. V dhe gjatë shek. IV p.e.sonë

Nga fundi i shek.V dhe sidomos gjatë shek. IV p.e.sonë, në Epir vihet re një zhvillim i mëtejshëm i ekonomisë në të gjitha degët e saj: në bujqësi, blegtori, e sidomos në zejtari; zhvillohet prodhimi i mallrave, zgjerohen lidhjet tregtare etj.
Në Epir shfaqet tani një faktor shumë i rëndësishëm që luan një rol të ndjeshëm në zhvillimin e mëtejshëm, ky është qyteti epirot. Kështu në fundin e shek. V dhe në gjysmën e parë të shek. IV, sipas të dhënave burimore historike dhe arkeologjike, lindin qytetet Kasope, në krahinën e Kasopisë në skajin jugperëndimor të Epirit dhe Elea afër Velianit në krahinën Eleatis të Thesprotisë. Në Epirin Qendror lindin qytetet Passaron (Gardhiqi), kryeqendra tradicionale e shtetit të molosëve dhe qyteti i Kastrisë që identifikohet me Euremenin ose Tekmonin antik.
Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë urbanizimi në Epir mori përpjesëtime më të mëdha dhe rritet akoma më shumë pesha e tij në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Lindin qytete të reja, midis të cilave në Thesproti, Elina (Dymokastro), Kutçi dhe Gitana (Gumani) që sipas Tit-Livit, duhet të ishte qendra kryesore e Koinonit të thesprotëve; në Kaoni, Teqeja e Melanit, Himara, Foinike (Finiqi), që ishte qyteti më i madh dhe më i fortë i Kaonisë dhe kryeqendra e saj.
Qytetet e Epirit, ashtu sikurse dhe ato të Ilirisë, ishin të fortifikuara me mure të fuqishme prej blloqesh shumëkëndëshe ose të ndërthurura me teknikë muraturash trapezoidale apo kuadratike sipas kushteve të veçanta të terrenit ose të guroreve. Për përforcimin e mureve ngriheshin kulla në vendet më të atakueshme nga armiku. Në sistemet më të hershme fortifikuese këto kulla mungonin ose ishin dukuri të rralla. Vetëm nga gjysma e dytë e shek. IV, ato hynë në përdorim të gjerë si një komponent i nevojshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm të teknikës luftarake.
Mënyra antike e prodhimit i dha një hov të menjëhershëm prodhimit zejtar dhe sidomos atyre degëve që lidheshin me ndërtimet. Brenda mureve mbrojtëse të këtyre qyteteve kishte muratorë, gurskalitës, farkëtarë, poçarë, tjegullabërës, arkitektë etj. Zhvillimi i degëve të ndryshme të zejtarisë dhe shtimi i prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nxitën dhe më tej zgjerimin e tregtisë brendapërbrenda, me kolonitë helene të bregut të Jonit dhe sidomos me krahinat fqinje mesdhetare. Kjo e fundit zhvillohej më tepër përmes trafikut detar, të përcaktuar nga vetë pozicioni i favorshëm bregdetar i krahinave, megjithëse funksiononin në këtë drejtim dhe rrugët tokësore.
Në qoftë se deri në shek. V p.e.sonë Epiri lidhjet ekonomike i mbante kryesisht me Korinthin dhe kolonitë e tij në brigjet e Jonit, nga fundi i këtij shekulli ai filloi të orientohet edhe nga Athina. Tani janë mallrat e prodhimit atik, ata që mbizotërojnë në tregjet e Epirit. Prej këtej Athina si këmbim tërhiqte prodhime bujqësore e sidomos blegtorale, lëkura, lëndë druri etj., për të cilat ajo kishte gjithnjë nevojë. Në zhvillimin e tregtisë detare rol të veçantë luanin edhe portet detare në brigjet e Kaonisë, si Onkesmi, Himara, Butrinti etj.
Zgjerimi dhe intensifikimi i tregtisë çoi nga ana e vet në shtimin progresiv të prodhimit të mallrave, bëri të nevojshme lindjen dhe qarkullimin e monedhës autonome. Në fillim ishte Lidhja e Molosëve ajo që hedh e para në treg monedhën e vet (rreth viteve 400 p.e.sonë). Këto ishin monedha kryesisht prej bronzi, megjithëse pati në këtë kohë edhe prerje jetëshkurtër dhe të kufizuar monedhash prej argjendi. Më vonë filluan të presin monedha edhe qytete të veçanta dhe në fund të shek. IV edhe shteti federativ i epirotëve.

Mbretëria e Molosëve gjatë sundimit të Tharypës (423-385 p.e.sonë)
Në çerekun e fundit të shek. V p.e.sonë shtetin e molosëve e kryesonte Tharypa (423-385 p.e.sonë), i cili, sipas një lajmi të Tukididit, e trashëgoi fronin mbretëror të babait në një moshë të mitur duke pasur për një kohë si tutor Sabylintin, prijësin e atintanëve.
Tradita historike i atribuon këtij sundimtari një seri reformash të karakterit ekonomik, ushtarak dhe kulturor, të cilat çuan në zgjerimin dhe në forcimin e mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Në radhë të parë ato prekën formën e hershme të qeverisjes dhe legjislacionin e vjetër të vendit. Kuvendi i popullit si organ i trashëguar nga rendi i komunës primitive, mori tani përmbajtje të re. Në organet drejtuese të shtetit, rol të rëndësishëm fillon të luajë prostati, funksionari më i lartë i shtetit pas mbretit. Ky zgjidhej për çdo vit në Kuvendin e Popullit nga rrethet aristokratike, të cilat ushtronin fuqishëm autoritetin e tyre në kuvend. Duke qëndruar pranë mbretit, si mbrojtës i ligjeve të vendit, prostati në fakt e kufizonte shumë pushtetin mbretëror, dhe me këtë ai ruante të palëkundshme pozitat e aristokracisë në veprimtarinë politike të shtetit.
Kjo formë e kufizuar e pushtetit qendror nga aristokracia e tokës, si edhe ligjërimi i të drejtave të tjera të saj, i japin Mbretërisë Molose atributet e një shteti me mbeturina të theksuara të rendit fisnor.
Mbretëria Molose që në fillim të veprimtarisë së saj politike tërhoqi vëmendjen e shteteve fqinje të Mesdheut dhe sidomos të Athinës dhe të Spartës, të cilat sapo kishin nisur midis tyre konfliktin e armatosur për supremaci ekonomike dhe politike në Greqi. Në këtë konflikt historikisht të njohur si Lufta e Peloponezit dhe që, siç dihet, zgjati me ndërprerje të vogla plot 28 vjet (432-404 p.e.sonë) dhe pati pasoja të rënda për Greqinë, të dyja palët ndërluftuese bënë përpjekje që të siguronin përkrahjen e shtetit të ri të molosëve, meqë territori i tij zinte një pozicion mjaft të favorshëm strategjik me rrugën midis brigjeve veriperëndimore të Greqisë dhe të Maqedonisë e Thesalisë.
Në fillim ishte Sparta ajo që ushtroi ndikimin e saj mbi shtetin molos. Në vitin 429 p.e.sonë, molosët i ofrojnë asaj deri ndihmën ushtarake, duke dërguar kontingjente të konsiderueshme luftëtarësh për pushtimin e qytetit Stratos të Akarnanisë.
Mirëpo edhe pas kësaj fushate të pasuksesshme, e cila synonte të dobësonte ndikimin e Athinës në këtë zonë kufitare të Epirit, diplomacia athinjote nuk hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të përmirësuar marrëdhëniet me shtetin e molosëve. Ajo kishte shumë nevojë për përkrahjen e këtij shteti të ri energjik në qendër të Epirit. Përmes territorit të tij Athina mund të kontrollonte nga shpina maqedonët e paqëndrueshëm të Perdikës si dhe thesalët, me të cilët ajo sapo kishte krijuar lidhje miqësore pas kryengritjes së lynkestëve (433 p.e.sonë).
Nga ana tjetër, me këto marrëdhënie Athina synonte të kishte edhe përfitime ekonomike. Se sa rëndësi i jepte Athina lidhjeve me shtetin molos, këtë e tregon dhe fakti se ajo në këtë kohë merr përsipër edukimin e Tharipës së vogël në një nga shkollat e Athinës dhe e pret atë më vonë në Athinë me nderime të veçanta duke e regjistruar si qytetar nderi.
Për vendosjen e marrëdhënieve të mira me Athinën ishte i interesuar gjithashtu edhe vetë shteti i molosëve, i cili kërkonte të siguronte përkrahje për politikën e zgjerimit territorial që projektoi Tharypa, të cilën ai filloi ta realizonte në vitet e fundit të jetës së tij.
Këto marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe politike me Athinën i hapën rrugë depërtimit të ndikimit të qytetërimit helen, i cili u shfaq në strukturën organizative të shtetit, në ndërtimet, në përdorimin e gjuhës dhe të shkrimit grek në rrethet e aristokracisë dhe të administratës shtetërore, në trajtimin tipologjik dhe metrologjik të monedhave të para molose sipas prototipave të monedhës atike të fundit të shek.V dhe fillimit të shek. IV p.e.sonë. Ky ndikim do të shfaqet gjithashtu dhe në jetën kulturore e artistike, qendra e së cilës bëhen qytetet. Në Passaron, p.sh., mendohet të jetë ftuar dramaturgu i shquar grek Euripidi, për të vënë në skenë tragjedinë e tij “Andromaka”, ku lavdërohej origjina dinastike e mbretërve molosë. Kjo vepër ndikoi shumë në kultivimin e mitit gjenealogjik të molosëve, sipas të cilit zanafilla e tyre i referohet tani Molosit, biri i Neoptolemit të Akilit dhe i Andromakës, të vesë së Hektorit, që pas shkatërrimit të Trojës erdhën dhe u vendosën në Epir.
 
Aleanca (Symahia) Epirote.

Fundi i sistemit monarkik në Epir

Pas vdekjes së Pirros, Aleanca Epirote filloi gradualisht të humbiste fuqinë e saj të mëparshme politike dhe ushtarake. Me gjithë përpjekjet e bëra për të ruajtur zotërimet e mëparshme në Maqedoni, në Greqi dhe në Iliri, ajo qe e detyruar më në fund të tërhiqej prej tyre. Trashëgimtarit të Pirros, Aleksandrit, që në fillim iu imponua një luftë e rrezikshme nga mbreti i ilirëve Mytili, të cilën më vështirësi mundi ta përballonte. Kurse Demetri II, e detyroi atë të hiqte dorë jo vetëm nga Maqedonia, por për një kohë dhe nga vetë Epiri, mbi të cilin vendosi kontrollin e tij. Pasi qe rikthyer në atdhe me ndihmën e etolëve, Aleksandri u përpoq edhe një herë që të rimëkëmbte fuqinë e dikurshme të Aleancës Epirote por më kot, pasi ajo kishte marrë tatëpjetën.
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë, Mbretëria Epirote përjetoi periudhën e fundit të ekzistencës së saj, e mbërthyer në një krizë të ashpër, e cila rrëmbimthi e çoi deri në brerjen e themeleve të regjimit monarkik. Depërtimi gjithnjë e më i thellë i skllavopronarisë në fshatin epirot, po shkatërronte dhe po shpronësonte përherë e më shumë prodhuesit e vegjël të lirë fshatarë, që dikur përbënin masën kryesore dhe më energjike të ushtrisë federative epirote dhe çoi në dobësimin e fuqisë dhe të kompaktësisë ushtarake. Kjo krizë e brendshme u acarua dhe më tepër nga situatat e jashtme jo të favorshme për Aleancën Epirote. Përreth saj vepronin tani shtete të tilla të fuqishme, si Maqedonia, Lidhja Etole dhe Shteti ilir, të cilët kërkonin secili të fusnin nën kontrollin e vet Epirin, meqë ai zinte një pozitë kyçe në planet e politikës së tyre pushtuese. Në këto situata sundimtarët epirotë u treguan të paaftë të qeverisnin vendin. Aristokracia epirote, duke parë më në fund se ata nuk ishin më në gjendje të mbronin dhe të përkrahnin si dikur qëllimet e saj, e shfrytëzoi pakënaqësinë e popullit për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë regjimit të vjetëruar monarkik në Epir. Ajo e realizoi këtë me vrasjen në vitin 234/233 p.e.sonë të mbretëreshës Deidames, që ishte dhe sundimtarja e fundit prej dy shekujsh e dinastisë së Ajakidëve
 
Pirroja në Itali

Në vitin 280 p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe të përbërë kryesisht nga kontingjente molosësh, thesprotësh dhe kaonësh (20 000 këmbësorë, 3 000 kalorës, 2 000 varkëtarë e 500 hobetarë), Pirroja u nis për në Itali, duke pasur me vete dhe 200 elefantë. Pasi arriti në Tarent ai mori menjëherë masa për ta vënë qytetin në pozita lufte; rekrutoi ushtarë nga popullsia qytetare dhe në krye të forcave të bashkuara i doli përpara ushtrisë romake që po përparonte në drejtim të qytetit. Të dy ushtritë kundërshtare u ndeshën pranë Heraklesë. Këtu u zhvillua beteja e parë, në të cilën Pirroja korri një fitore të shkëlqyer, që ia ngriti lart autoritetin mbretit epirot në sy të aleatëve. Në anën e tij kaluan tani dhe fiset italike kundërshtare të Romës, si edhe pjesa më e madhe e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Fitorja e Heraklesë, megjithatë nuk e zgjidhi fatin e luftës. Në vitin 277 p.e.sonë, Roma grumbulloi forca të tjera të mëdha dhe e detyroi Pirron të hynte përsëri në luftë me të. Por në një betejë të ashpër dhe të përgjakshme që u zhvillua pranë Askulit, Pirroja arriti t’i thyente për të dytën herë romakët. Ata nuk mundën t’i qëndronin manovrimit taktik luftarak të Pirros dhe aq më pak sulmit të tërbuar të elefantëve, të cilët sollën panik në ushtrinë romake. Pirroja fitoi edhe kësaj radhe, por kjo fitore i kushtoi atij humbje shumë të mëdha. Që atëherë fitore të tilla me humbje u bënë zakon të quhen fitore pirrike ose “fitore e Pirros”. Pavarësisht nga sukseset e para të shpejta dhe të bujshme të Pirros, gjendja e tij në Itali sa vinte e vështirësohej. Forcat epirote të ndodhura larg atdheut të tyre, vinin gjithnjë duke u pakësuar dhe duke u dobësuar, ndërsa Roma kishte ende rezerva të shumta materiale e njerëzore për të vazhduar luftën. Pirroja, megjithatë, nuk u tërhoq nga fushata e tij në Itali. Mirëpo, pa përfunduar ende paqen me romakët, ai u nis për në Sicili për t’i shkuar në ndihmë Sirakuzës, të cilën e kishin sulmuar kartagjenasit. Për të kontrolluar gjendjen në Itali, ai la vetëm disa garnizone.
Në vitin 276 p.e.sonë, forcat aleate epirote, greke dhe italike të udhëhequra nga Pirroja, i shpartalluan keqas pushtuesit e ishullit dhe i zbuan ata pothuaj nga tërë Sicilia. Kjo fitore e shpejtë dhe e shkëlqyer e rriti pushtetin politik dhe ushtarak të Pirros, saqë siciliasit e deklaruan atë prijës dhe mbret të tyre. Por Pirroja, si gjithnjë i papërmbajtur në aspiratat e tij të guximshme politike, filloi menjëherë të ushqejë mendimin për t’u hedhur në Afrikë edhe pse nuk e kishte të sigurt akoma gjendjen në Itali. I prerë në vendimin e tij, ai iu vu përgatitjes së flotës dhe organizimit të ushtrisë, pa menduar se ata kërkonin rezerva të mëdha njerëzore dhe financiare, të cilat siciliasit e lodhur nga luftërat dhe anarkia që kishte pllakosur vendin pas vdekjes së Agathoklit, nuk mund t’i siguronin. Nga ana tjetër, ndërhyrja arbitrare e Pirros në punët e brendshme të qyteteve të Sicilisë dhe shkelja nga ai e traditave të tyre demokratike, bëri që Pirroja të humbiste dita-ditës e më shumë besimin në ishull dhe të bëhej objekt sulmesh dhe komplotesh të rrezikshme për jetën e tij dhe fatin e ushtrisë epirote. Këtë situatë të brendshme plot turbullira dhe pasiguri, e shfrytëzoi menjëherë Kartagjena, e cila dërgoi ushtri të mëdha për ripushtimin e ishullit. Të përkrahur tani edhe nga qytetet opozitare, kartagjenasit arritën me lehtësi t’i shkaktonin humbje mbretit epirot. Në duart e tij mbeti vetëm Sirakuza, por edhe prej saj atij iu desh të hiqte dorë, meqenëse në këtë kohë romakët kishin rifilluar sulmet kundër aleatëve dhe garnizoneve të tij në Itali. Me t’u kthyer në Itali, Pirroja riorganizoi forcat e veta dhe të aleatëve të tij dhe u drejtua menjëherë kundër dy konsujve romakë, të cilët me legjionet e tyre po vepronin në drejtime të ndryshme. Në këtë situatë ai vendosi t’i thyejë ato veçmas, sa kohë që ende nuk ishin bashkuar. Sulmoi në befasi legjionin romak që gjendej pranë Beneventit. Këtu u zhvillua edhe beteja e tretë dhe e fundit për Pirron në Itali, ku pësoi disfatë të plotë. Pasi qe tërhequr me humbje të mëdha në Tarent, Pirroja provoi të kërkojë ndihma nga Antigon Gonata dhe Antiohu i Sirisë për ta vazhduar luftën kundër Romës, por më kot. I lodhur dhe pa pasur ndonjë shpresë për të realizuar i vetëm qëllimet e tij në Gadishullin Italik, ai u kthye në Epir me ushtrinë epirote që i kishte mbetur, duke lënë në Tarent vetëm të birin e tij Helenin.
Në luftën kundër Romës Pirroja angazhoi forca të mëdha epirote dhe aleate, që mbulonin mjaft mirë legjionet e kundërshtarit dhe manovroi me sukses për një kohë në operacionet luftarake, duke vënë në përdorim një sistem taktik luftimi nga më të përparuarit e kohës. Mirëpo ushtria që komandonte Pirroja, ndryshonte nga përbërja dhe fryma luftarake nga ajo e kundërshtarit. Ajo nuk e kishte kompaktësinë e ushtrisë romake të përbërë nga nënshtetasit e vet, por ishte një ushtri më tepër mercenarësh, të armatosur më së miri dhe të udhëhequr nga një strateg i talentuar, por që kishte hyrë në një aventurë ushtarake.
Pas dështimit të fushatës italike, Pirroja u përpoq të shfrytëzonte në favor të tij gjendjen e krijuar në Ballkan. Së pari, vendosi të shtinte në dorë Maqedoninë. Në vitin 274 p.e.sonë ai hyri në luftë me sundimtarin e saj Antigon Gonatën, i cili sa kohë që Pirroja luftonte në Itali, kishte arritur suksese në konsolidimin e pushtetit të tij qoftë në Maqedoni, qoftë dhe mbi një pjesë të Greqisë. Ai arriti të pushtojë një territor të gjerë të Maqedonisë. Antigonit i mbeti vetëm pjesa në lindje të lumit Vardar. Ishte e qartë se epirotët nuk mund të bëheshin zot të tërë Maqedonisë sa kohë që Antigoni mbante akoma në dorë Maqedoninë bregdetare dhe rrugët e komunikacionit detar. Në këto rrethana Pirroja vendosi ta luftonte kundërshtarin në Peloponez, i cili gjendej nën kontrollin e tij. Në vitin 272 p.e.sonë, pa siguruar ende mirë pozitat e tij në tokat e pushtuara të Maqedonisë, ai arriti në Lakoni. Këtu iu desh të përballonte presionin e forcave spartane dhe maqedone të bashkuara kundër rrezikut epirot. Pasi korri një sërë fitoresh të reja, Pirroja sulmoi më në fund Spartën dhe Argosin, me të cilat zhvilloi luftime të ashpra, por pa rezultate. Gjatë përleshjeve në rrugët e Argosit, Pirroja u plagos dhe ashtu siç ishte i dërrmuar, ra në duart e kundërshtarëve, të cilët e vranë. Ushtria epirote e mbetur pa prijës qe çorganizuar dhe më në fund u shpartallua.
Me luftërat e tij pushtuese në Ballkan, Itali dhe në Sicili, Pirroja e rriti shumë fuqinë politike të shtetit epirot dhe autoritetin e tij në botën mesdhetare. Gjatë sundimit të tij, Epiri arriti të bëhet një nga shtetet më të fuqishme të kohës helenistike.
Në këto luftëra Pirroja pati përkrahjen e plotë të aristokracisë e të skllavopronarëve epirotë, gjithnjë të etshëm për pushtime e lavdi, kurse si mbështetje kishte ushtrinë e vet të stërvitur mirë, të përbërë kryesisht nga fshatarë të lirë, të gatshëm për të luftuar, meqë lufta për ta ishte një mjet fitimi, burim plaçke dhe pasurie. Në këto suksese të veprimeve ushtarake ndikoi edhe situata e jashtme e favorshme për të, dhe pikërisht turbullirat e anarkia që krijoheshin herë pas here në shtetet fqinje nga rrethanat e ndryshme politike.
Këto suksese të shpejta luftarake, megjithëse jo të qëndrueshme, i duhen atribuar në një farë mase dhe vetë manovrimit taktik, të përsosur për atë kohë, të forcave ushtarake gjatë luftimit, që ishte kryesisht meritë e aftësive të shquara taktiko-luftarake të Pirros.
Fitoret e njëpasnjëshme dhe guximi i tij i provuar në beteja të shumta, e rritën së tepërmi autoritetin e Pirros në sy të bashkëluftëtarëve të vet dhe e forcuan aq shumë pushtetin e tij, sa që arriti të sundonte dhe të vepronte i lirë nga çdo kufizim kushtetues i aleancës epirote mbi territoret e pushtuara. Në këtë drejtim ai shkoi aq larg sa caktoi, siç duket, edhe fëmijët e tij si mbretër trashëgimtarë në Itali dhe në Sicili.
Në këto vende Pirroja preu, në kundërshtim me kushtetutën federative epirote, edhe monedha ari e argjendi personale me legjendë “Mbreti Pirro”; por ato, siç kuptohet nga mungesa e tyre në trevat e Epirit, nuk duhet të jenë lejuar të qarkullonin brenda territorit të Aleancës, ku vazhdonin të kishin vlerë vetëm prerjet tradicionale të Federatës së epirotëve.
Në qoftë se në territoret e pushtuara Pirroja sillej si monark i pakufizuar, brenda Aleancës ai mbetej ashtu si dhe më parë mbret i molosëve dhe udhëheqës me pushtet të kufizuar i Federatës epirote.
Pirroja qe një nga strategët më të mëdhenj të kohës helenistike. Kur e pyetën njërin nga shokët e Aleksandrit të Maqedonisë, se kush ishte tani strategu më i shquar, ai iu përgjigj: “Pirroja kur të arrijë moshën e pjekurisë”. Ndërsa më vonë Hanibali, një ndër komandantët më të përmendur të botës antike, i dha Pirros vendin e dytë pas Aleksandrit, kurse vetes vendin e tretë. Pirroja qe njëkohësisht dhe teoricien i madh në artin ushtarak, por planet e tij të gjera nuk ishin gjithnjë të studiuara dhe kishin karakterin e aventurave ushtarake. Talenti i tij ushtarak nuk plotësohej me largpamjen e një politikani të matur dhe të pjekur. Synimet e tij ambicioze u bënë pa llogaritur mirë tendencat e zhvillimit të vrullshëm ekonomik dhe politik të shtetit të ri romak dhe potencialin ushtarak të tij, si dhe mundësitë e kufizuara materiale e njerëzore të Aleancës Epirote. Për këtë arsye dhe humbja përfundimtare e Pirros në këtë ndërmarrje të madhe përtej Adriatikut qe një përfundim i natyrshëm dhe i pashmangshëm.
 
Epiri në kohën e sundimit të Pirros (297-272 p.e.sonë)

Në fillim të shek. III p.e.sonë, Epiri del nga kriza e vështirë dhe me pasoja të rënda politike që e kishte mbërthyer pas vdekjes së Aleksandrit Molos dhe vihet në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror dhe politiko-kulturor.
Nga një politikë e paqëndrueshme e brejtur nga kontradikta të brendshme dhe presione nga jashtë, shteti epirot kalon tani në një politikë energjike të pavarur, me një perspektivë të gjerë në fushën e forcimit të pushtetit shtetëror dhe të zgjerimit territorial të tij, që u realizuan me një shpejtësi dhe me një mënyrë të paparë deri atëherë. Gjatë sundimit të Pirros shteti epirot bëhet një fuqi imponuese e kohës me një pushtet të fortë mbretëror, me një potencial të madh ushtarak si dhe me një autoritet politik të shquar në botën mesdhetare të kësaj kohe.
Pirroja vendosi marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të asaj kohe dhe i forcoi lidhjet me martesa të shumta që bëri me bijat e sundimtarëve të tyre. Që kur ishte në oborrin e Ptolemeut I, Pirroja qe martuar me të bijën e tij Antigonën, më vonë pas vdekjes së saj, me Lanasen, të bijën e Agathoklit të Sirakuzës, prej së cilës mori si prikë dhe Korkyrën që ai kishte pushtuar dhe pastaj edhe me të bijat e sundimtarëve ilirë, Audoleonit të paionëve dhe të Bardhylit të Ri. Pirroja i kushtoi vëmendje të posaçme organizimit të ushtrisë, përpunimit të një strategjie efektive luftarake, për të cilat kishte njohuri të mëdha teorike, si dhe rritjes së aftësisë luftarake të ushtrisë. Ai favorizoi gjithashtu dhe përparimin ekonomik dhe kulturor të vendit që u pasqyrua në zhvillimin dhe në intensifikimin e mëtejshëm të urbanizimit të Epirit. U zhvillua një veprimtari e dendur ndërtuese në qytetet ekzistuese si në Dodonë, Ambraki apo në qytetet e tjera të reja epirote, midis të cilëve Berenike, Kasopi dhe Antigonea në Kaoni, të cilët mbajnë emra që kanë të bëjnë me siguri me kohën e sundimit të Pirros. Për një nivel të lartë të artit të ndërtimit në këtë kohë dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në Molosi, ku mendohet të ketë qenë dhe Fylakeja antike.
Pirroja projektoi një politikë të jashtme aktive ekspansioniste. Ai ndërhyri në çështjet e ndërlikuara të botës greko-maqedone dhe italike me mendimin që të krijonte një shtet të madh epirot, i cili do të përfshinte Ballkanin dhe përtej detit, Gadishullin Italik.
Së pari, Pirroja e drejtoi vëmendjen nga Maqedonia, ku pas vdekjes së Kasandrit kishin shpërthyer turbullira për trashëgimin e fronit. Këtë gjendje të vështirë të Maqedonisë e shfrytëzoi për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj si përkrahës i Aleksandrit, të birit të Kasandrit. Me këtë rast Pirroja i shkëputi Maqedonisë mjaft krahina që gjendeshin në atë kohë nën kontrollin e saj dhe pikërisht Tymfenë e Paraunenë epirote të pushtuara nga Filipi II, Amfilokinë, Akarnaninë dhe Ambrakinë, të cilën e bëri kryeqytet të mbretërisë së tij.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë nuk vazhduan shumë dhe u prishën në vitin 294 p.e.sonë, kur Demetër Poliorketi zhduku aleatin e tij Aleksandrin dhe mori në duar frenat e Mbretërisë Maqedone. Në këtë situatë Pirroja duke mos qenë më i sigurt në kufijtë lindorë të mbretërisë së tij, u vu në opozitë të hapur me sundimtarin e ri maqedon dhe aderoi në aleancën antimaqedone që u krijua pak më vonë në Greqi. Në vitin 289 p.e.sonë, Demetri duke dashur t’u imponohej kundërshtarëve të vet, pushtoi Etolinë dhe sulmoi Epirin, por Pirroja kundërveproi menjëherë. Pasi theu maqedonët në Etoli, duke u shkaktuar atyre humbje shumë të mëdha, i detyroi ata të tërhiqeshin dhe nga Epiri.
Kundër Demetrit të Maqedonisë filloi të veprojë pak më vonë koalicioni i sundimtarëve helenistikë: Ptolemeu i Egjiptit u nis me një flotë të madhe dhe ngriti kundër tij qytetet e Greqisë, kurse Lysimaku, sundimtar i Trakisë dhe i një pjese të Azisë së Vogël, hyri në Maqedoninë Veriore duke e shkretuar atë. Kjo gjendje vuri në lëvizje edhe Pirron, i cili e sulmoi Maqedoninë nga jugu. Ky iu drejtua qytetit Edisa, dhe e pushtoi atë pa hasur në ndonjë qëndresë të madhe, meqë forcat më të rëndësishme të ushtrisë së Demetrit ishin dislokuar në veri kundër Lysimakut. Pirroja ndërkaq përparonte pa ndonjë qëndresë nga ana e maqedonëve dhe arriti, madje, të shpallej mbret i tyre. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi qe detyruar t’i ndante zotërimet e tij në Maqedoni me Lysimakun, i cili pretendonte se kishte dhënë ndihmesë në sukseset e Pirros duke mbërthyer për një kohë forca të shumta të Demetrit në kufirin verior të Maqedonisë. Këto lëshime të Pirros mënjanuan konfliktin e mundshëm me Lysimakun, por nuk zhdukën kontradiktat midis tyre.
Në këtë kohë, zotërimet e shtetit epirot në Ballkan arritën zgjerimin e tyre më të madh. Pirroja sundonte tani jo vetëm mbi tërë Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të Thesalisë në lindje, mbi krahinat greke në jug të Epirit, ku bënin pjesë Ambrakia, Amfilokia e Akarnania. Në veri zotërimet e tij shtriheshin dhe mbi një pjesë të vogël të Ilirisë, si edhe mbi disa ishuj të Jonit ku bënte pjesë edhe Korkyra. Kjo hapësirë territoriale, megjithatë, nuk përbënte një organizim të qëndrueshëm politik rreth një bërthame të fuqishme qendrore, as edhe një komunitet territoresh dhe popullsish të bashkuara me interesa të përbashkëta, por një konglomerat popujsh me zhvillim jo të njëllojtë social, ekonomik dhe politik, të nënshtruar nga ushtria epirote në krye të së cilës qëndronte si komandant Pirroja. Kjo ishte arsyeja që këto zotërime, në rastin më të volitshëm, u shkëputën nga varësia e Epirit. Dhe ky rast u shfaq menjëherë pas shpartallimit të Demetrit në Azi. Lysimaku që e ndiente tani veten të lirë dhe kohën të përshtatshme për të aneksuar tërë Maqedoninë, u drejtua me forca të mëdha kundër Pirros dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga pushtimet në Maqedoni dhe në Thesali.
Ndërkaq në Italinë e Jugut u zhvilluan ngjarje, të cilat nuk lanë pa tërhequr vëmendjen e sundimtarit epirot, sidomos tani pas humbjes së Maqedonisë. Qytetet greke të Italisë së Jugut, me të cilat Epiri kishte vendosur me kohë lidhje tregtare, të dobësuara nga lufta e konkurrenca ndërmjet tyre, nuk qenë në gjendje të zhduknin kontradiktat e ashpra që karakterizonin marrëdhëniet midis tyre.
Këtë gjendje e shfrytëzoi me sukses Roma, e cila ndërhyri për t’i zgjidhur këto kontradikta në të mirën e vet. Por ky fakt ngjalli pakënaqësi tek Tarentinët, që hynë në konflikt të hapur me romakët. Duke mos e përballuar epërsinë e forcave romake, me të cilët u bashkuan si aleatë edhe lukanët, mesapët dhe tarentinët kërkuan ndihmën e Pirros.
Shtetit epirot iu dha për të dytën herë mundësia që të ndërhynte aktivisht në punët e brendshme të qyteteve të Italisë së Jugut. Qarqet sunduese të Epirit e mirëpritën këtë ftesë, duke shpresuar se lufta në Itali do t’u sillte përfitime të mëdha. Pirroja iu përgjigj me kënaqësi kësaj thirrjeje, duke menduar se kishte ardhur koha për të bërë hapin e rëndësishëm në formimin e një perandorie të madhe në perëndim.
 
Shteti i ri epirot në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë

Pas vdekjes së Aleksandrit molos, shteti i Epirit u gjet përpara vështirësive serioze, të shkaktuara nga grindjet e brendshme midis grupeve të ndryshme politike të shtresave sunduese, si edhe nga krijimi i situatave të jashtme të jo të favorshme, që çuan në prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë.
Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vu tani Olymbia. Kjo, fill pas vdekjes së vëllait, qe kthyer në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, me të cilin ishte në opozitë. Duke ardhur në Epir ajo zboi nga regjenca Kleopatrën (330-328 p.e.sonë) dhe filloi të sundojë shtetin epirot si tutore e të nipit të mitur, Neoptolemit II për një kohë dhe bashkë me Ajakidin të birin e Arrybës.
Në vitin 317 p.e.sonë, përpjekjet e Olymbisë për të marrë pushtetin në Maqedoni, u kurorëzuan me sukses, por vetëm për pak kohë, pasi qe e detyruar ta lëshojë atë nga presioni ushtarak që i bëri asaj Kasandri, i biri i Antipatrit. E ndjekur prej tij Olymbia u strehua në Pella, ku më kot priti ndihmën e Ajakidit, meqenëse një pjesë e madhe e ushtrisë së tij kundërshtoi vendimin për të hyrë në luftë me Maqedoninë. Kjo revoltë e ushtarëve, aktivizoi në prapavijë elementët promaqedonë, të cilët e detyruan këshillin e aleancës më në fund të dëbojë Ajakidin nga froni dhe të rivendosë lidhjet me Maqedoninë. Olymbia e lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe nga sulmet e pareshtura të armikut, u dorëzua më në fund dhe u vra nga kundërshtarët e saj. Kjo disfatë në frontin e luftës, i dha shkas një vale të tërbuar ndjekjesh kundër përkrahësve të Ajakidit. Opozita kërkoi të zhdukte edhe të birin e tij, Pirron dyvjeçar, por nuk arriti, pasi njerëzit e tij e dërguan fshehurazi tek mbreti ilir Glaukia, me të cilin Ajakidët kishin lidhje.
Për të shuar qëndresën antimaqedone në vend, Kasandri vendosi në Epir një regjim pushtimi. Ai e bëri këtë siç duket, me qëllim që të ishte i lirë në zbatimin e politikës së tij pushtuese në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Por ky presion i vazhdueshëm politik dhe shoqëror i Maqedonisë, shkaktoi një valë të papërmbajtur zemërimi midis popullsisë epirote, e cila u hodh në opozitë të hapur me shkelësit e të drejtave të saj. Këtë pakënaqësi e shfrytëzoi Ajakidi. Ky, pasi u kthye në atdhe në vitin 313 p.e.sonë, me ndihmën e përkrahësve të tij nga Etolia, mundi të organizojë me lehtësi ushtrinë epirote dhe sulmoi kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ndodhi në një kohë kur Maqedonia sapo kishte filluar luftën kundër etolëve dhe ilirëve. Megjithatë kjo fushatë e Ajakidit nuk pati sukses dhe vetë mbreti mbeti i vrarë në fushën e betejës.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi as më vonë, kur në krye të shtetit epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit. Ai bëri shumë përpjekje për t’u shkëputur nga Maqedonia, por pavarësisht nga sukseset e përkohshme, ai u detyrua më në fund të pranonte paqen me kundërshtarin në kushte të favorshme për këtë. Alketës II iu desh të ndryshonte dhe politikën e vet dhe të bënte aleancë me Maqedoninë. Ky veprim krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Ndërkaq, veprimet e tij arbitrare, shkaktuan zemërimin e popullsisë, që shpërtheu në një kryengritje hakmarrëse dhe që përfundoi me vrasjen e Alketës II dhe të bijve të tij.
Në vitin 307 p.e.sonë u duk sikur gjendja do të ndryshonte. Glaukia, duke mos e parë me sy të mirë fuqizimin e ndikimit maqedon në Epir, ndërhyri me forcë në punët e brendshme të tij dhe vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe bashkë me të edhe ndikimin e tij. Por ky nuk zgjati më shumë se 5 vjet, pasi Kasandri organizoi me njerëzit e vet shfronësimin e Pirros, në një kohë kur ai ende nuk kishte forcuar mirë pozitat e tij, dhe vendosi në fron Neoptolemin II. I ndodhur në këtë kohë jashtë Epirit, Pirroja u vu në shërbim të sundimtarëve helenistikë, Demetër Poliorketit dhe Ptolemeut të Egjiptit për disa vite me radhë. Në këto vende ai pati rast që të shohë e të mësojë shumë si nga jeta shoqërore, ashtu edhe nga arti luftarak i këtyre vendeve, ku dhe u dallua së tepërmi duke treguar shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në një varg betejash.
Në vitin 297 vdekja e Kasandrit të Maqedonisë dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj sundimit arbitrar të Neoptolemit II, e ndihmuan Pirron që të rikthehej në atdhe. Për këtë veprim ai qe përkrahur dhe nga Ptolemeu, i cili shpresonte të kishte në personin e Pirros një mbështetje efektive për planet e tij në Greqi. Pasi zbarkoi në brigjet e Epirit me forcat e veta ushtarake të sjella nga Egjipti dhe duke gjetur përkrahjen e popullit që, sipas Plutarkut, e priti duke e përshëndetur me mbiemrin “Shqiponjë”, Pirroja u vendos më në fund në fronin e Mbretërisë Epirote. Në fillim ai u përpoq të përforconte pozitat e tij në Epir, dhe këtë e arriti me durim, duke e ndarë për një kohë fronin me Neoptolemin II, i cili kishte ende përkrahës në qarqet sunduese. Kur ia arriti këtij qëllimi, dhe, pasi mori vesh se rreth tij po kurdisej një kurth nga përkrahësit e Neoptolemit, Pirroja e vrau këtë, dhe pas kësaj shpejtoi të përqendronte të tërë pushtetin mbretëror në duart e veta.
 
Formimi i shtetit të epirotëve dhe organizimi politik i tij

Në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ndodhën ndryshime të një rëndësie të veçantë në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Molosëve shndërrohet tani në një formë të re shtetërore të një karakteri gjithnjë federativ, si edhe më parë, por me një emërtim të ri kushtetues, të quajtur aleancë e epirotëve.
Ky shtet i epirotëve, siç rezulton nga të dhënat e ndryshme burimore të kohës, u formua nga bashkimi i shtetit të molosëve me aleatët (symahoi) e tij, me Kasopene dhe qytetet e Eleasë fqinje me të, si edhe me shtetin e thesprotëve.
Nuk njihen me saktësi motivet që çuan në konsolidimin juridik të këtij organizimi të ri shtetëror; po kështu ekzistojnë mendime të ndryshme rreth saktësimit të datës së kësaj ngjarjeje, duke e vendosur atë në kohën e Aleksandrit ose fill pas vdekjes së tij kur ishte regjente e shoqja e tij Kleopatra. Në qoftë se do të pranohet se organizimi i kësaj forme të re shtetërore u bë nga Aleksandri Molos, përpara se ai të fillonte fushatën luftarake në Itali, atëherë kjo duhet të ketë qenë rrjedhojë e fuqizimit të mëtejshëm të Mbretërisë Molose. Por, nëse formimi i saj do të ketë ndodhur fill pas vdekjes së Aleksandrit, ky organizim duhet parë si rrjedhojë e dobësisë së autoritetit të sundimtarëve molosë. Megjithatë, është e sigurt, se rruga drejt kësaj zgjidhjeje të re në organizimin shtetëror të vendit qe hapur nga Aleksandri me politikën e federimit të territoreve të reja që i ishin atashuar Lidhjes Molose.
Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkike dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në të. Në kuadrin e kësaj federate çdo bashkësi e madhe apo e vogël etnike kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit, prostatin e tij. Bashkësitë merrnin pjesë në qeverisjen e shtetit epirot nëpërmjet kolegjit të përfaqësuesve (damiorgë) të tyre, që dilte nga çdo komunitet i veçantë etnik.
Institucionet drejtuese të këtij shteti nuk ndryshonin nga pikëpamja funksionale nga ato të Lidhjes Molose. Ndryshimi i emrave të tyre nga molos në epirot, nuk shprehin ende ndonjë diferencim real të institucioneve shtetërore. Në këtë drejtim mund të thuhet se Lidhja e Molosëve vazhdon, zgjerohet, por pa u dobësuar, në një formë të re, në atë të shtetit epirot.
Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej gjithnjë nga familja mbretërore e molosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por tani si mbret i shtetit epirot. Si edhe më parë, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin “i molosëve” ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit epirot. Ai kishte për detyrë të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë, t’i drejtonte ato, të bëhej interpret midis mbretit dhe nënshtetasve në këmbimin e premtimeve reciproke në faltoren e Zeusit Arcios, në Passaron etj.
Eklesia e molosëve, ia lëshon vendin tani një asambleje të re më të gjerë ku merrnin pjesë popullsia e tërë shtetit epirot. Kjo asamble me funksione legjislative, që miratonte edhe dekretet shtetërore quhej Symahia e epirotëve.
Kjo federatë me karakter të theksuar politik-ushtarak merrej edhe me çështje të veçanta ekonomike dhe financiare që ishin në funksion të saj. Kështu p.sh. në bazë të një mbishkrimi dekretor të viteve 317-312 p.e.sonë, gjetur në Dodonë, nxirret përfundimi se të ardhurat doganore ishin caktuar të mblidheshin për llogari të kësaj aleance.
Me krijimin e kësaj kushtetute konfederale epirote, ndryshoi dhe sistemi i mëparshëm monetar. Monedhat e molosëve, të thesprotëve dhe të kasopasve, të cilat qarkullonin deri atëherë në Epir si monedha autonome, zëvendësohen tani me një prerje të përbashkët për të tërë Epirin, gjë që pasqyrohet qartë dhe në legjendën e tyre, “e epirotëve”. Nuk dihet me saktësi se ku qenë prerë këto monedha të Symahisë. Mund të mendohet të ketë qenë Dodona, ku më vonë do të provohet dhe ekzistenca e një punishteje monetare. Por kjo nuk përjashton mundësinë që ato të jenë prerë dhe në ndonjë vend tjetër, si p.sh. në Pasaron.
Aleanca epirote, me gjithë ndryshimet që mund të ketë pësuar gjatë jetës së saj, historikisht vazhdoi të ekzistonte rreth një shekulli deri në vitet 334-233 p.e.sonë, kur u zëvendësua nga Lidhja Republikane Epirote.
 
Lidhja epirote


Organizimi i Lidhjes Epirote dhe karakteri i saj

Kur kontradiktat e thella politike çuan në përmbysjen e regjimit monarkik në Epir, Aleanca Epirote që deri në atë kohë ekzistonte si një formë shtetërore federative nën hegjemoninë e mbretërve molosë, reformohet tani mbi një bazë të re republikane, pak a shumë sipas modelit të Lidhjes fqinje etole, duke u quajtur dhe Lidhja Epirote. Kjo ishte një lidhje politike që u siguronte të drejta të gjitha bashkësive të veçanta epirote që bënin pjesë në të dhe që ruanin, në kuadrin e kësaj federate, vetëqeverisjen e brendshme të tyre. Pra, edhe këtu si më parë mbetej parimi federativ i shtetit, por tani i bazuar mbi një konstitucion të ri, që nuk njihte më privilegje apo hegjemoni të ndonjërit prej anëtarëve të saj, siç ndodhte në Aleancën e mëparshme, ku kryesonte mbreti i molosëve. Në këtë aspekt Lidhja paraqitej si një formë më e lartë shtetërore, më kompakte dhe operative. Të gjithë anëtarët e saj kishin një shtetësi dhe njiheshin zyrtarisht me emrin e përbashkët epirotë. Lidhja, ashtu sikurse dhe aleanca epirote ruante të drejtën të merrte vendime në emër të të gjithë epirotëve, pavarësisht se kishte edhe bashkësi që qëndronin ende jashtë saj, siç ishin p.sh. kasopiasët dhe athamanët.
Organi më i lartë i Lidhjes ishte Kuvendi i Përgjithshëm me fuqi të mëdha këshillimore dhe vendimore, që nuk ishte i pranishëm, (të paktën nuk është provuar ende), në federatën e mëparshme monarkike. Këtu mund të merrnin pjesë të gjithë nënshtetasit e saj të lirë. Kuvendi zgjidhte magjistratët federativë dhe vendoste mbi çështje të karakterit politik, ushtarak, ekonomik e shoqëror. Kështu ai vendoste për luftë ose për paqe, për thirrjen e popullit nën armë, për aleanca me shtetet e tjera, për të zgjedhur dhe për të ftuar delegacione, për t’u dhënë të huajve të drejta qytetarie, pronësie etj. Ai ushtronte dhe funksionet e instancës më të lartë gjyqësore. Organi më i lartë ekzekutiv ishte Këshilli i Lidhjes, që përbëhej nga përfaqësues të zgjedhur të anëtarëve të saj. Në krye të këshillit qëndronte kolegji prej tre strategëve që duhet të përfaqësonin ndoshta të tri grupet më të mëdha etnike të Epirit: molosët, kaonët dhe thesprotët. Por mbi ta dominonte vetëm njëri, i ngarkuar me funksionin e komandantit ushtarak, funksion të cilin e ushtronte më parë mbreti i molosëve. Nëpunës të tjerë të Lidhjes ishin dhe sekretari i këshillit, hiparku, komandanti i kalorësisë etj.
Kryeqyteti i Lidhjes tani u bë Foinike, kryeqendra e Kaonisë. Këtu mblidhej zakonisht dhe Këshilli i Lidhjes, megjithëse të tilla mbledhje, siç duket, organizoheshin edhe në qytete të tjera të Epirit.
 
Shteti Ilir Fuqi Mesdhetare - Luftërat kundër Romës

Në historiografinë moderne është bërë zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun e djathtë të Naronës, përballë ishullit Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug. Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve, ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej Naronës në veri. Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i zëvendësonin ata me labeatët, të cilët kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve, vetëm te historiani Dion Kasi, një burim i vonë i shekullit II të erës sonë, kurse autorë të tjerë, më të hershëm e më të besueshëm, e përmendin si një mbret të ilirëve. Më në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta dhe lidhje afërie me dinastinë pushtuese. Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara, ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë thelbit të çështjes: formacioni politik për të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari, qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni. Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të shek. III p.e.sonë i një mbretërie ardiane shumë më të gjerë e më të fuqishme se të parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të drejtë është vënë në dukje se kësaj teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri e enkelejve është një krijesë e historiografisë moderne. Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake. Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse është vënë në dukje me të drejtë, në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet shtrirjes së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë qartë se banorët e këtij shteti quhen si më parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe sundimtarët “mbretër ilirë”. Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III p.e.sonë ose pak më parë, shteti ilir të ketë njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti ilir. Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë) të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të këtyre luftërave janë vetëm një prelud i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij historik në ngjarjet politike të kohës. Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi historia e kundërshtarëve politikë të Romës, paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është të justifikojë në këtë vepër pushtimet romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”. Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht propagandistik. Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike. Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta të tradicionit të vjetër.
 
NGJARTJET Në PRAG Të LUFTëS ME ROMëN

Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për luftë

Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por më të mëdha ishin ato në Romë. Reagimi romak është transmetuar në dy versione. Versioni i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatë për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve ilirë, të cilët prej kohësh u binin në qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet përfunduan në grindje dhe fyerje, që çuan në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet janë dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që me të drejtë është konsideruar si një formulim tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.
Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte vendosur garnizone në to. Por meqë zuri të sulmojë me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan delegatë së bashku me isejtë, por delegatëve u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin e Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës dhe e qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten, por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet aspak në gojë.
Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve, Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej “e drejta njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të cilin do të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet e mëtejshme të Republikës, një motivacion banal, të cilin politika romake do ta përsëriste të paktën edhe një herë tjetër më vonë kundër ilirëve dalmatë. Por këtë herë prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi, se romakët u shpallën luftë dalmatëve për t’i nënshtruar, “por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë. Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të marrë masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për forcimin e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë shkëputur pas sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta ia kushtoi sigurimit të bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen e krijuar një pozitë me rëndësi zinin Isa në veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat më delikate që do të synonte armiku dhe zotërimi i tyre do të luante një rol të dorës së parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha shpejtoi të vërë dorë mbi to.
Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët vendosën bllokadën e saj. Pak më vonë, në pranverë të vitit 229, një ekspeditë e madhe u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit dhe Korkyrës. Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin drejt jugut, një pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në det të hapur, u bashkuan përsëri me forca të tjera për të vazhduar lundrimin drejt Korkyrës. Sapo mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve dhe të aheasve. Në të njëjtën kohë erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe delegatë nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh. Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes, u dolën ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit Paksos. Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një e pestë u fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen me shpejtësi për t’i shpëtuar fatit të të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën fatin e kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi nga detarët ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon nën komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u kthyen dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën kundër Ilirisë.
 
Fushata e vitit 230 kundër Epirit

Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që Agroni e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja e tij e parë, Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm apo një uzurpim nuk dihet me saktësi, por ardhja e saj në fuqi paraqet një rast të veçantë në të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia e së ëmës t’i ketë lënë vendin thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore të mos ketë pasur një tjetër më të afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk donte t’ia kalonte këtë të drejtë një dege tjetër të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit. Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet. E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm të shtresës sunduese ilire, “miqtë” e mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta “ushtroi - siç thotë Polibi, - drejtimin e punëve”.
Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Maqedoninë. Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin, një forcë ushtarake dhe detare ilire, “jo më e vogël se ajo e Agronit”, u vu përsëri në lëvizje drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje armike gjithë anëdetjen dhe t’i shtrinte veprimet deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota do të mbante nën presion armikun deri në skajet më të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve e të aheasve, kurse forcat kryesore do të godisnin nga deti dhe nga toka objektivin kryesor, Epirin. Forcat detare ilire zbritën në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote, Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët galë t’u dorëzonin qytetin, e zunë atë pa vështirësi. Epirotët të shqetësuar dërguan forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur mirë të vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se një ushtri tjetër ilire prej 5 000 vetash, nën komandën e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat epirote që u dërguan kundër tyre nuk e ndaluan dot marshimin ilir. Ndërkaq ilirët që kishin zënë Foiniken ndërmorën një sulm të fuqishëm kundër lëmit epirot që ndodhej në anën e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushë të luftës shumë të vrarë e të plagosur; vetëm një pjesë mundën të shpëtojnë e të ikin tek atintanët. Por edhe këtë radhë dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.
Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma nuk vonoi t’u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën në vendin e quajtur Helikanon (një vend i paidentifikuar) diku në pellgun e Vurgut. Këtu erdhën dhe pushtuesit e Foinikes bashkë me forcat e Skerdilaidit, që duhet të kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga qafa e Skarficës për të arritur në Foinike. Të dyja palët u radhitën përballë njëra-tjetrës, por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqeshin nga Epiri, për t’u dalë përpara dardanëve që po sulmonin nga lindja dhe për të qetësuar disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.
Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet, por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë punët e tyre. Ata përfunduan më parë një armëpushim me epirotët, në bazë të të cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete, me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundohet. Përfaqësuesit epirotë arritën me të shpejtë te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe të ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akarnanët, të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët. Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca me akarnanët krijoi tani një kufi të largët, por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit ilir.
 
Aleanca iliro-maqedone.

Sulmi kundër Medionit
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir kishte arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë se “Agroni, mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të tij përfshinin një trevë të gjerë që nga Narona deri në Aoos me përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë. Qytetet e veriut, Lisi, Skodra, Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme ilire dhe përbënin bazën e shtetit ilir.
Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria Dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia ishin të kapërthyera nga luftërat e ashpra socialo-politike dhe rivaliteti midis tyre. Në mesin e shek. III pozita e Maqedonisë ishte lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon Gonatës për të ruajtur hegjemoninë e saj në Greqi nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij Demetri II u gjet në një situatë edhe më të vështirë. Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse më në fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo Etole dhe Ahease ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja e monarkisë në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij vendi nga aleanca me Maqedoninë për t’u bashkuar me koalicionin republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më shumë gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm të Maqedonisë. Në vitin 231 të dy lidhjet e shtuan presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë. Pothuajse në të njëjtën kohë një sulm i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar, shpërtheu mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë, si rrallë ndonjëherë, Demetri kishte nevojë për aleat dhe këtë e gjeti te sundimtari i shtetit ilir, Agroni.
Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet historike të kohës. Versioni i Polibit, që është edhe burimi i vetëm për këtë çështje, sipas të cilit se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të holla për të ndihmuar qytetin akarnan Medionin, që mbahej i rrethuar nga etolët, duket se shpreh tendencën e këtij autori për t’u rezervuar ilirëve një pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan pas kësaj e sqarojnë më mirë politikën e shtetit ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.
Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë qe përfunduar dhe ajo i vinte këto dy shtete kundër koalicionit republikan në Greqi dhe kundër rrezikut që vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë real në Epir dhe mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij. Ky ishte shkaku i kësaj aleance, për hir të së cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim, disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit, për të kënaqur aspiratat ilire në këto anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me 5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin, prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast. Ata ishin aq të sigurt saqë kishin filluar të bënin llogaritë për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën përpara të papriturës së hidhur. Ilirët që ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën me të shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në formacion luftarak u sulën kundër lëmit etol. Ilirët ditën ta maskojnë mirë lëvizjen e flotës së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin e Ambrakisë, pa u diktuar. Por edhe sikur të kishte ndodhur ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në gjendje t’u dilte atyre përpara. Duke përshkruar këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të veçantë befasisë në taktikën ilire dhe qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre. Në të vërtetë ruajtja e fshehtësisë në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë elemente të domosdoshme të taktikës luftarake. Por këta nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave. Pesha që kishte “rreshtimi i tyre” dhe përqendrimi i forcës goditëse në pikën më të dobët të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët të shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve. Medionasit, që deri atëherë qëndronin të mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në shpinë. Të asgjësuar, etolët lanë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre luftarake.
Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë greke, që krenohej me traditat e saj luftarake, për fitoren mbi galët në vitin 270 dhe që për gati 10 vjet me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues. Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç’pasoja mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit, gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet për një ndërhyrje të gjerë në këtë vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan menjëherë plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë pas të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.
 
Lufta e pare iliro-romake

Paqja e vitit 228 dhe pasojat e luftës së parë

Ndërkaq Mbretëria Ilire kishte filluar të shpërbëhej. Duke parë këtë gjendje, në pranverë të vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit e saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes qenë të rënda. Sipas Polibit, Teuta detyrohej: 1. t’u paguante romakëve një tribut, 2. të hiqte dorë nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete vetëm pak vende dhe 3. të mos lundronte në jug të Lisit me më shumë se dy anije, por edhe këto të paarmatosura. Të formuluara me terma kaq të përgjithshëm këto kushte janë bërë objekti i diskutimeve të shumta. Përpjekjet që janë bërë për të shpjeguar ndryshimet territoriale që iu bënë Mbretërisë Ilire dhe për të përcaktuar gjendjen juridike të tokave të shkëputura prej saj kanë çuar në përfundime të ndryshme, të cilat në ndonjë rast ishin të tilla që nuk mund të cilësohen as si hipoteza.
Për një kohë ka zotëruar një mendim, sipas të cilit, romakët i ndanë pushtimet e tyre në dy pjesë. Në veri krijuan një shtet të vogël që përbëhej nga ishulli i Farit dhe disa toka të bregdetit përballë. Në krye të atij ata vunë tradhtarin Demetër Farin, me qëllim që të vëzhgonte dhe të njoftonte për çdo veprim të Mbretërisë Ilire. Me tokat e tjera të pushtuara në jug romakët krijuan një protektorat, që shtrihej prej Lisit e deri tek malet Akrokeraune dhe ato Kaone. Në këtë protektorat u përfshinë, përveç Dyrrahut, parthinëve dhe atintanëve, edhe qytetet Dimale, Aulona, Oriku, Bylisi, Amantia e deri Antigonea e largët. Këtyre u shtoheshin edhe ishujt Isa e Korkyra.
Ndryshe nga kjo pikëpamje, më realist është mendimi që nuk njeh ndonjë teprim lidhur me të ashtuquajturin protektorat romak në Iliri. Me të drejtë është vënë në dukje se ai nuk ka përbërë kurrë një rrip të pandërprerë toke, që nga Lisi e deri te bregu kontinental përballë Korkyrës, por ka qenë përbërë, ashtu si e nënkupton Polibi dhe e shpreh Apiani, nga Apolonia, Dyrrahu dhe territoret e tyre, nga ishujt Korkyra, Isa dhe nga parthinët e atintanët, pa asnjë territor më tepër nga ato që i ishin dorëzuar Romës. Lisi, i cili në bazë të traktatit përbënte një kufi detar, nuk pranohet edhe si kufi tokësor midis Mbretërisë Ilire dhe protektoratit romak. Duke u nisur nga kjo është shprehur mendimi se disa toka në jug të protektoratit mbetën përsëri nën vartësinë e Mbretërisë Ilire, me gjithë vështirësitë që paraqiste kjo vartësi për të qenë reale. Me këtë sistem, traktati i siguronte Romës lundrimin e qetë në ngushticën e Otrantos dhe mbikqyrjen me anë të protektoratit të Mbretërisë Ilire, duke i hequr kësaj çdo mundësi që të bëhej përsëri një fuqi e madhe.
Kohët e fundit janë bërë përpjekje që këto mendime të zëvendësohen me një tezë të re, sipas së cilës zotërimet romake kufizohen gjithashtu me tokat e Dyrrahut, të Apolonisë, të parthinëve dhe të atintanëve, por parthinët shtriheshin në luginën e mesme dhe të epërme të Shkumbinit, kurse atintanët në اermenikë. Kështu protektorati ngushtohet, por shtrihet thellë në lindje. Rreth tij pastaj vendosen një sërë zonash të pavarura, që shërbejnë, sikurse thuhet, si amortizatorë për zotërimet romake. Në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës vendoset zotërimi i Demetër Farit, që ndante protektoratin nga Mbretëria Ilire; në lindje zotërimet romake, duke depërtuar thellë deri në burimet e Drinit të Zi, ndanin mbretërinë ardiane nga aleatët e saj maqedonë dhe bllokonin rrugët nga Maqedonia për në brigjet e Adriatikut; më poshtë Dasaretia, që zinte territorin midis Devollit dhe Osumit, u bë gjithashtu një zonë e pavarur dhe formoi një amortizator tjetër ndaj Maqedonisë; më në fund, në jug zona që hyri në vartësinë e Romës përfundonte në territorin e Apolonisë, që takonte bregun e Vjosës, por nuk përfshinte Aulonin, Orikun, Bylisin dhe Amantien. Këto katër qytete formonin një grup të pavarur ose neutral, me fjalë të tjera një amortizator tjetër ndaj Lidhjes Epirote.
ثshtë e pabesueshme që romakët të kenë projektuar dhe realizuar një sistem të tillë mbrojtës, të paktën në mënyrë të ndërgjegjshme, siç na paraqitet. Senati nuk mund të zbatonte një politikë jo realiste. Shtete të tilla të vogla nuk mund të kishin një vlerë reale, sepse fuqitë që qëndronin pas këtyre të ashtuquajturve amortizatorë nuk do t’i përfillnin ato, nuk do t’i konsideronin si pengesë. Në fakt të gjitha sulmet që shpërthyen më vonë prej Mbretërisë Ilire apo Maqedonisë kundër zotërimeve romake nuk kanë ndeshur në pengesën e këtyre lloj shteteve dhe nuk ka të dhëna që mbrojtja romake të jetë mbështetur në to. Përveç kësaj, disa fakte të veçanta që përfshihen në këtë tezë janë krejt arbitrare. Kështu, është e pabazuar vendosja e zotërimeve të Demetër Farit në veri të Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës dhe, po kështu, nuk qëndron lokalizimi i atintanëve në اermenikë.
Duke pranuar si të drejtë mendimin që zotërimet romake në tokën ilire formoheshin nga Dyrrahu, Apolonia dhe parthinët e atintanët, mbetet sidoqoftë e paqartë shtrirja territoriale e këtyre zotërimeve. Përpjekjet për lokalizimin e parthinëve dhe të atintanëve nuk kanë dhënë përfundime të kënaqshme. Në qoftë se për parthinët ka ardhur duke u saktësuar mendimi që ata, si banorë të tokave në shpinë të Dyrrahut, shtriheshin prej Ardaksanit e deri në Aps (Apsos), për atintanët mendimet e studiuesve ende nuk përkojnë. Megjithatë, po t’i çlirojmë këto pohime nga ndonjë interpretim jo i drejtë i burimeve dhe të lëmë mënjanë si të dyshimta, ato burime që i shtrijnë atintanët deri në Dodonën e largët apo në luginën e Drinos, atëherë do të vërejmë se burimet kryesore e më të besueshme e vendosin këtë popullsi në shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën e sotme. Kështu, parthinët e atintanët së bashku zinin gjithë bregdetin prej Ardaksanit deri në Aps (Apsos) me një shtrirje në lindje që përfshinte edhe brezin kodrinor të ultësirës bregdetare. Në këtë territor bënin pjesë një varg qytetesh ilire, midis të cilave ka të ngjarë edhe Dimale, por jo Bylisi, që zinte skajin më jugor.
Me vënien nën sundimin e tyre të tokave më të rëndësishme të bregdetit, romakët likujduan kështu zotërimet e Mbretërisë Ilire në jug. Edhe në qoftë se në këto anë mbeti ndonjë zonë që nuk u përfshi në zotërimet romake, siç mund të ishte Bylisi me rrethin e afërt të tij, Dasaretia apo ndonjë zonë tjetër e brendshme malore, ato në fakt mbetën të shkëputura nga Mbretëria Ilire, me të cilën edhe më parë, për vetë natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë kishin lidhje të forta. Koinoni i bylinëve, si një bashkim i popullsisë dhe i qendrave të vogla përreth, që na përmendet në burimet epigrafike i takon, me sa duket, kësaj kohe.
Nga analiza e pikave të traktatit arrihet në përfundimin se Roma e reduktoi shtetin ilir në një mbretëri të vogël në veri të Lisit. Në jug ajo krijoi një zotërim të vetin që formohej nga Dyrrahu, Apolonia, parthinët dhe atintanët. Këtë zotërim ajo do ta përdorte si një bazë për të garantuar respektimin e traktatit dhe për të shtypur çdo përpjekje për rimëkëmbjen e shtetit ilir. Zotërimet (dinasteia) e Demetër Farit përbënin gjithashtu një kundërpeshë ndaj Mbretërisë Ilire në veri, kurse krahinat apo qytetet e tjera të jugut, që mbetën të shkëputura nga kjo mbretëri, u lanë të papërfillura me besimin që, si njësi të vogla, favorizonin pozitën e Romës në këto anë. Ndalimi, sipas traktatit, i lundrimit në jug të Lisit kishte për qëllim të kufizonte nga ana tjetër fuqinë detare të Mbretërisë Ilire; për këtë do të shërbenin në mënyrë të veçantë zotërimi i Isës dhe i Korkyrës. Kështu me anë të këtij traktati Roma siguronte të gjitha masat e mundshme për ta dobësuar shtetin ilir dhe për ta mbajtur atë nën kontroll, por jo për ta asgjësuar plotësisht.
Në marrëdhëniet me Romën Mbretëria Ilire mbeti, pas përfundimit të traktatit, një shtet tributar. ثshtë thënë se tributi ka qenë një dëmshpërblim që do të paguhej me këste, megjithëse masa dhe mënyra e shlyerjes së tij në traktat nuk përcaktohet. Gjendja juridike e qyteteve dhe e popullsive që u përfshinë në zotërimet direkte të Romës nuk është gjithashtu e qartë. Marrja e tyre nën të ashtuquajturën mbrojtje nga Roma lejon të nënkuptohet se ato qenë vënë nën një lloj varësie. Ka shumë të ngjarë që këto të jenë konsideruar nga ana formale si “aleatë” apo “miq” që u lejohej e drejta e një vetadministrimi të kufizuar. Por në fakt ato ishin të varurit e Romës dhe si të tillë nuk mund të hynin në marrëdhënie të lira me shtetet e tjera. Përveç kësaj, ata ishin të detyruar të pranonin në çdo kohë ushtritë romake dhe t’i furnizonin ato me ushqime apo t’i plotësonin me kontingjente ndihmëse tokësore e detare, siç ndodhi, qysh në vitin e parë të pushtimit, në dimrin e vitit 229/228 dhe më vonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Demetër Farin, që u vu në shërbim të Romës, si dinast i varur i një zotërimi të vogël në ishullin e Farit dhe brigjet e Dalmatisë.
Gjatë konfliktit Maqedonia, Lidhja Epirote dhe Akarnania kishin mbajtur një qëndrim që nuk pajtohej me detyrimet e tyre si aleatë të shtetit ilir dhe me interesat e tyre politike në përgjithësi. Ky qëndrim shpjegohet me një varg rrethanash. Sado me rezerva ta kenë parë këta aleatë rritjen e fuqisë ilire, dalja e Romës në brigjet lindore të Adriatikut nuk mund të ishte për ta më e mirë. Por, nga ana tjetër, nuk shohim, të paktën burimet nuk na e thonë, që krahas masave mbrojtëse me karakter ushtarak, shteti ilir të ketë marrë edhe masa për vënien në lëvizje të aleatëve të tij. Duket qartë se ilirët, ashtu edhe aleatët e tyre nuk arritën t’i përfundonin përgatitjet për t’i dalë përpara rrezikut që po i kërcënonte. Jo vetëm kaq, por vetë Maqedonia u gjend në këtë kohë e rrezikuar seriozisht nga një sulm dardan, i cili i kushtoi jetën sundimtarit të saj, Demetrit II. Ky fakt nuk ishte pa rëndësi në zgjedhjen e momentit të përshtatshëm për shpërthimin e konfliktit të armatosur kundër ilirëve. Edhe në qoftë se ky sulm ishte krejt i pavarur, nuk mund të mos merret parasysh fakti që ai përkon në kohë me ngjarjet e përshkruara më lart. Në këto rrethana romakëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse të ndanin dhe të paralizonin aleatët jugorë, Lidhjen Epirote dhe Akarnaninë prej mbretërive ilire. Këtë detyrë ata e zgjidhën duke drejtuar goditjen e tyre të parë kundër Korkyrës dhe Apolonisë.
Pasi rregulluan punët në Iliri, romakët përcaktuan edhe qëndrimin e tyre ndaj aleatëve dhe armiqve të shtetit ilir. Në gjendjen e re të krijuar senati deshi t’u jepte atyre një provë më të qartë të pozitës së Republikës. Menjëherë pas përfundimit të traktatit të paqes, konsulli që mbeti në Iliri u dërgoi një delegacion etolëve dhe ahejve për t’u shpjeguar arsyet e ndërhyrjes dhe të luftës në Iliri dhe për t’u bërë të ditur kushtet e paqes që u kishin imponuar ilirëve. Përfaqësuesit bënë çmos të justifikonin këtë iniciativë të Romës, duke nxjerrë në pah pasojat e “lumtura” që rridhnin prej saj për helenët. Kujdesit dhe mirësjelljes së tyre të shtirë, lidhjet e mëdha greke qenë detyruar t’u përgjigjeshin duke i pritur këto delegacione plot respekt dhe duke dhënë kështu, miratimin e tyre për këto veprime të Republikës. Më vonë delegatët vizituan edhe dy qytete të mëdha tregtare, Korinthin dhe Athinën, që përfaqësonin kundërshtarin më të vendosur të Maqedonisë dhe jo vetëm gjetën të njëjtën pritje, por si asnjëherë më parë, u lejuan të merrnin pjesë në lojërat istmike. Krenaria greke ishte thyer dhe Roma kishte bërë në këtë drejtim hapin e parë konkret. Nga ana tjetër, Maqedonia, Epiri dhe Akarnania, aleate të Mbretërisë Ilire, nuk u vizituan. Me këtë qëndrim mospërfillës Roma u dha të kuptojë atyre se në cilën anë ishin simpatitë e saj.
 
Shkaqet e luftës. Veprimet ushtarake

Problemi i ndërhyrjes romake në Iliri ka qenë për historiografinë një tezë e parapëlqyer, rreth së cilës janë zhvilluar mjaft diskutime. Pikëpamja që ka qenë për një kohë të gjatë më e pranuar është se shkaku kryesor i kësaj ndërhyrjeje ka qenë pirateria ilire, që i sillte dëme të rënda tregtisë italike. Duke përsëritur Polibin, kjo ndërhyrje u paraqit si një konflikt që iu imponua senatit romak, në kundërshtim me vullnetin e tij, “për të frenuar veprimet e sundimtares mendjelehtë ilire”. Tezës që e shikonte ndërhyrjen romake si pjesë të një plani për një ekspansion më të gjerë në lindje iu kundërvu versioni se Roma as në këtë kohë e as më parë nuk ka pasur një politikë orientale. Më vonë kjo teori u përsërit dhe në ditët tona. Pasues të saj i atribuojnë monarkisë ardiane një “rol organizues” që i dha piraterisë ilire “pamjen e një imperializmi fillestar” dhe si pasojë bëri që “zgjerimi ilir të ndeshet me interesat romake”.
ثshtë e rëndësishme të sqarohet në këtë rast nëse ishte pirateria ilire ajo që çoi në konfliktin iliro-romak dhe që bëri të pashmangshme luftën apo shkaqe të tjera më të thella.
Pirateria lindi dhe u zhvillua tek ilirët, ashtu sikurse dhe te popujt e tjerë të Mesdheut, në një stad të caktuar të zhvillimit të tyre historik. Kështu, burimet i përshkruajnë etruskët, në gjysmën e dytë të shek. IV, si një popull që terrorizonte lundrimin në Adriatik dhe në Egje; etolët në shek. III kishin gjithashtu një nam të keq si piratë. Edhe vetë romakët, pretenduesit e mbrojtjes së rendit, e kanë ushtruar piraterinë në prag të erës sonë. Tek ilirët ajo luajti një rol të dukshëm qysh nga fundi i shek. IV. Ky mendim pajtohet si me njoftimet e autorëve antikë, ashtu dhe me vetë zhvillimin shoqëror e politik të ilirëve në këtë kohë. Pirateria ishte një dukuri e pandarë e shoqërisë skllavopronare, që e shoqëroi atë në forma të ndryshme gjatë gjithë ekzistencës së saj.
Por veprimet ilire që përshkruan Polibi dhe që kanë të bëjnë me ngjarjet në prag të konfliktit të armatosur me Romën, nuk kanë aspak karakter piratesk. Ato ishin pjesë e politikës së shtetit ilir lidhur me gjendjen e krijuar në Greqi. Prandaj përpjekja e studiuesve për t’i shpjeguar shkaqet e ndërhyrjes romake me anë të piraterisë ilire nuk është e përligjur. Nuk kanë munguar orvatjet për të kërkuar shkakun e luftës edhe te “frika e zakonshme e romakëve ndaj fqinjit të fortë”. Por edhe ky nuk është një shpjegim i plotë. Ndërhyrja e Romës lidhej në rastin konkret me rrezikun që paraqiste ky fqinjë i fortë, aleati i Maqedonisë për aspiratat e saj në kushtet e një Greqie të dobësuar nga lufta e brendshme. Sukseset në perëndim e kishin rritur oreksin e qarqeve sunduese skllavopronare romake dhe e kishin bërë më të fuqishme tendencën për të mos e ndarë sundimin e Mesdheut me fuqi të tjera, kurse dalja e shtetit ilir në arenë u shkonte ndesh këtyre tendencave. Midis kontradiktave të thella që kishin përfshirë në këtë kohë botën mesdhetare, ato të shtetit ilir me Romën dolën në plan të parë dhe shkaktuan konfliktin e armatosur të vitit 229. Në të ardhmen këto kontradikta do të thellohen e do të shtrihen gjithnjë më në lindje, duke sjellë me vete konflikte të reja të armatosura.
Që nga sulmi kundër Foinikes deri tek ardhja e delegatëve kishte kaluar një vit. Megjithatë, kjo çështje ziente qysh prej 2 vjetësh, nga ngjarja e Medionit. Gjatë kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç e pamë, hapat e nevojshëm diplomatikë për përgatitjen e opinionit publik. Ishin grumbulluar gjithashtu forca të konsiderueshme ushtarake, të cilat në rastin e rënies së Korkyrës u vunë menjëherë në lëvizje. Një flotë prej 200 anijesh dhe një ushtri prej 20 000 këmbësorësh do të merrte pjesë në këtë operacion, të cilin do ta drejtonin dy konsujt që ishin në fuqi atë vit. Kjo tregon se sa i madh ishte preokupacioni i romakëve për fushatën ilire dhe sa të ndërgjegjshëm ishin ata për vlerën reale të kundërshtarit të tyre. Nuk ishte kjo, pra, një çështje kaq e lehtë dhe e thjeshtë, siç është bërë zakon të paraqitet.
Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti t’i dalë rrezikut përpara. Qytetet e mëdha të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe Korkyra, të cilat do të përbënin pikëmbështetjet kryesore të mbrojtjes, kishin mbajtur një qëndrim negativ. Plani për pushtimin me forcë të tyre nuk pati sukses. Kur romakët iu drejtuan Korkyrës, flota dhe forcat ilire ishin të shpërndara dhe të angazhuara në bllokadën e Dyrrahut dhe të Isës. Garnizoni ilir i Korkyrës kishte mbetur i izoluar dhe kësaj iu shtua tradhtia e Demetër Farit. Romakët, që edhe kështu kishin ardhur me forca të mëdha (200 anije), i gjetën portat e hapura dhe e zunë qytetin pa vështirësi. Forca të tjera të nisura nga Brindisi dhe ato të Korkyrës, pasi u bashkuan, iu drejtuan Apolonisë e më pas Dyrrahut dhe i zunë po me kaq lehtësi. Shtresa sunduese e këtyre qyteteve, e cila e kishte përcaktuar pozitën e vet që më parë, i mirëpriti pushtuesit; ajo u tregua e gatshme të hyjë në ombrellën romake mjaft që të ruante pozitat e veta dhe të siguronte pasurinë e tregtinë. Këtë politikë ndoqi edhe aristokracia parthine e atintane, e cila ishte e lidhur ngushtë me interesa ekonomike me qytetet fqinje, Dyrrahun dhe Apoloninë, ajo shpejtoi gjithashtu, siç thotë Polibi, “t’u nënshtrohej me dashje” romakëve dhe të sigurojë “miqësinë e tyre”.
Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes së vijës bregdetare, ilirët nuk qenë në gjendje dhe nuk patën kohë të organizonin një qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në veri të Dyrrahut romakët ndeshën në kundërshtimin ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në dorë. Polibi nuk jep hollësira për luftën e tyre, thotë vetëm se i “i nënshtruan”, por këtë radhë nuk përdor më shprehjen “me dashje” si në rastin e parthinëve dhe atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të heshtë për qëndresën e fortë të qytetit Nutria, pushtimi i të cilit u kushtoi romakëve shumë ushtarë dhe oficerë të vrarë. Duke përparuar drejt veriut gjatë bregdetit, thuhet se romakët morën edhe qytete të tjera, por emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë që Isën e bllokuan romakët dhe ilirët, që e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbone, kurse Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit.
Fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht fatin e luftës. Viset e pushtuara në veri, konsujt i lanë nën mbikqyrjen e Demetër Farit dhe vetë u kthyen në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre tokësore. Njëri prej tyre u nis për në Romë duke marrë me vete pjesën më të madhe të forcave; tjetri mbeti në Iliri me 40 anije dhe si rekrutoi ushtarë në qytetet që ishin rreth e rrotull, vendosi ta kalojë aty dimrin për të vigjëluar ardianët dhe popullsitë e tjera që ishin vënë nën “mbrojtjen” e Romës.
 
Lufta e dyte iliro-romake


Lufta për ribashkimin e shtetit ilir

Lufta e dytë e la shtetin ilir të përçarë dhe në një kaos të brendshëm politik. Ndërsa Pineu u mbeti “besnik” romakëve, Skerdilaidi vepron ende më 218 si aleat i Maqedonisë, duke përkrahur Filipin në ndërmarrjet e tij detare të atij viti. Por i penguar nga komplotet dhe trazirat që i kishin shkaktuar dinastët e qyteteve të Ilirisë, nuk mundi të dërgonte më shumë se 15 anije, baras me gjysmën e atyre që kishte premtuar. Nga ana tjetër, kontingjente ilire, nën komandën e Demetrit vepronin krahas forcave maqedone në Greqi dhe luanin një rol të parëndësishëm në operacionet e mbretit maqedon kundër etolëve dhe aleatëve të tyre.
Gjendja në Iliri ishte shumë e rëndë edhe për shkak të luftës së brendshme, e cila po ziente në qytete prej disa vitesh. Polibi e paraqet këtë si një luftë që zhvillohej në sferat e larta sunduese, midis dinastëve të qyteteve dhe sundimtarëve të lartë të shtetit ilir. Megjithatë nuk ka dyshim se ajo ishte shumë më e ndërlikuar. Në situatën e rëndë që jetonte Iliria, ajo shprehte si kontradiktat në gjirin e shtresës sunduese, ashtu edhe ato midis saj dhe shtresave të tjera të ulëta qytetare. Orientimet promaqedone dhe proromake, si edhe rrymat decentralizuese dhe centralizuese ishin shprehja e jashtme e saj.
Ndërkaq, ndërsa në Greqi vazhdonte me furi lufta midis Maqedonisë dhe Lidhjes Etole, në të cilën qenë tërhequr edhe ilirët përkrah aleatëve të njërës apo tjetrës palë, në perëndim shpërtheu lufta vendimtare midis Romës dhe Kartagjenës, e njohur si Lufta e Dytë Punike. Kontradiktat midis fuqive të mëdha mesdhetare dhe rezultatet e kësaj lufte patën një ndikim të thellë në orientimet politike të fuqive ndërluftuese në Greqi dhe rënduan edhe më shumë gjendjen e Ilirisë. Kështu me gjithë dështimet që kishte pësuar në vitin 217, Roma nuk ngurroi të dërgonte përfaqësues në Iliri për të bërë presion politik me qëllim që të ruante pozitat e saj në brigjet e Adriatikut dhe të mënjanonte një qëndrim eventualisht të kundërt nga ana e Pineut. Ajo nuk la mënjanë edhe Maqedoninë, të cilën e konsideronte si armike potenciale të saj. Të dërguarit e senatit i vunë në dukje Pineut se ishte vonuar në shlyerjen e tributit dhe se po të donte ta shtynte duhej të jepte pengje, kurse Filipit i kërkuan dorëzimin e Demetrit pa përfilluar kështu pozitën e tij të pavarur.
Por rezultatet e luftës me Hanibalin ishin të tilla që nuk mund të mos errësonin këto hapa të senatit. Në Maqedoni ato u pritën me entuziazëm dhe ngjallën një shpresë për largimin e rrezikut romak, i cili qëndronte pezull mbi këtë vend qysh nga lufta e parë iliro-romake. Lajmi i fitores së Hanibalit, pranë liqenit të Trazimenit e bëri më të vendosur Filipin. I nxitur edhe nga Demetri, ai mori aty për aty vendimin të çlirohej nga lufta në Greqi për t’u drejtuar kundër Romës.
Kur Filipi nuk kishte përfunduar ende paqen me etolët në Naupakt (verë e vitit 217), ishte hedhur në luftë kundër tij Skerdilaidi. Polibi tregon se një flotë e tij kishte dalë papritmas në Leukas, sulmoi dhe rrëmbeu disa anije të Filipit dhe pastaj vazhdoi lundrimin drejt Maleas, duke zënë e plaçkitur rrugës tregtarët. Në të njëjtën kohë, Skerdilaidi kishte sulmuar Filipin nga toka, kishte pushtuar Piseun, një qytet i vogël në Pelagoni, dhe, pasi kishte bërë për vete qytetet e Dasaretisë, midis të cilave edhe qytetin e rëndësishëm Antipatrean, kishte kryer sulme edhe kundër një pjese të Maqedonisë në kufi me këto qytete.
Shkakun pse sundimtari ilir, ish-aleat i Maqedonisë, u gjend papritur në luftë me Filipin dhe u prish me të, Polibi e shpjegon në mënyrë të thjeshtëzuar. Ai thotë se Skerdilaidi ishte zemëruar me mbretin maqedon, sepse “nuk i kishte dhënë të hollat që i detyrohej sipas marrëveshjes”. Një shpjegim i tillë nuk mund të jetë bindës edhe në qoftë se ky fakt është i vërtetë; shkaqe më të thella duhej të kenë tronditur marrëdhëniet e tij me Maqedoninë.
Ajo që preokuptonte Skerdilaidin vitet e fundit ishte kapërcimi i vështirësive të brendshme që vinin nga trazirat e dinastëve të qyteteve. Në verën e vitit 217 ai i kishte eleminuar ato me sukses dhe mbase përmes tyre kishte arritur t’i jepte fund përçarjes politike që ekzistonte midis tij, Demetrit dhe Pineut. Nuk ka dyshim se pas kësaj ai u bë sundimtar i vetëm i shtetit ilir dhe është fakt që për Pineun nuk bëhet fjalë më në burimet. Roma duhet të mos i jetë kundërvënë Skerdilaidit, në veprën e tij të ribashkimit, kurse për Maqedoninë kjo nuk mund të thuhet. Përveç premtimeve, Filipi, që përkrahte Demetrin, nuk i kishte dhënë atij asnjë ndihmë konkrete. Shtrirja e pushtetit të Skerdilaidit mbi qytetet e Dasaretisë, që u bashkuan me të vullnetarisht, nuk duhet të jetë mirëpritur në oborrin mbretëror në Pela dhe ka shumë të ngjarë që këtu të ketë zanafillën e vet edhe konflikti i armatosur midis sundimtarit ilir dhe Filipit.
 
Përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia romake.

Lufta e dytë
Në vështrimin e parë mund të duket se punët në Iliri u rregulluan në atë mënyrë që garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe një sundim të qetë për pushtuesin. Megjithatë, ngjarjet politike treguan se as ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët, nuk donin të pajtoheshin me gjendjen e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire, në vend të Teutës, që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar. Nuk dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin e Romës, por është e sigurt se duke shtrirë pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire, Demetri u forcua mjaft. Nuk duhet përjashtuar që në këtë rast ai të ketë pasur edhe përkrahjen e komandantit të njohur të Teutës, Skerdilaidit, me të cilin bashkëpunoi për një kohë.
Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i Demetrit nga miqësia me Romën, që u pasqyrua në veprimet e pavarura të tij. Në vitin 223 ai mori pjesë në invadimin e Peloponezit si aleat i mbretit të Maqedonisë, Antigon Dozonit dhe në vitin pasues forcat ilire të komanduara prej tij luajtën një rol vendimtar në betejën e Selanisë. Këto veprime të Demetrit, megjithëse nuk drejtoheshin haptazi kundër Romës, shprehnin qartë tendencën e tij për t’u shkëputur nga varësia romake dhe preknin me këtë pozitën e Republikës në Iliri.
ثshtë pohuar se Farosiani mundi të veprojë lirisht për shkak të “indiferentizmit” që treguan romakët ndaj ngjarjeve në Lindje, ose sepse ekzistonte një keqkuptim në përcaktimin e marrëdhënieve midis ilirëve dhe Republikës, që buronte nga mënyra e ndryshme e të menduarit dhe të kuptuarit të këtyre marrëdhënieve nga palët. Por do të ishte gabim të hidhej poshtë vlerësimi që i bënte Polibi situatës dhe të nënvleftësohet ndikimi që patën ngjarjet në Itali dhe Greqi ndaj qëndrimit të Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas lehtësuan veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan pozitën e Farosianit. Para Romës së kërcënuar në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë. Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur ambicjet e tij pas luftës së parë, kurse ai tani donte të forconte pozitat e fituara si sundimtar i shtetit ilir, duke shfrytëzuar vështirësitë e Republikës.
Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri dhe provoi ta frenonte Demetrin. “E thirri në Romë, sepse ishte bërë kryelartë dhe i rëndë...”, por pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe u hodh në veprim të hapur kundër Romës. Në vitin 221 bëri për vete istrianët dhe së bashku me ta sulmoi anijet italike, kurse më 220 ndërmori veprime edhe më të guximshme; pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin nën vartësinë e Romës dhe nxiti një kryengritje të atintanëve, rezultat i së cilës qe largimi i tyre prej romakëve. Më në fund, në përkrahje të veprimeve maqedone në Greqi, ai ndërmori së bashku me Skerdilaidin një ekspeditë detare kundër Pylosit (në Meseni) dhe këndej u hodh me anijet e tij kundër Cykladeve.
Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në gjendje të merrte masa kundër Demetrit, por sidoqoftë në vitet e fundit gjendja për të qe bërë më e favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e rëndë e luftës me galët, kurse në Greqi pas vdekjes së Antigon Dozonit ishin riaktivizuar, jo pa nxitjen e saj, armiqtë e Maqedonisë, me shpresën se pasardhësi i tij, Filipi V, për moshën e re nuk do të ishte në gjendje të mbante frenat e vendit.
Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin e Dozonit, një e çarë u vërtetua edhe në marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo u shfaq pas dështimit të sulmit kundër Pylosit, por shkaqet duhen kërkuar më thellë. Skerdilaidi nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën e tij në Iliri. Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu, me ndërmjetësinë e mbretit të athamanëve, që e kishte të tijin, ai mori një vendim të papritur: u lidh me etolët dhe i ndihmoi në veprimet e tyre kundër aleatëve të Maqedonisë. Shenja të mospajtimit me politikën e Demetrit ishin shfaqur në Iliri edhe më parë. Forca ilire të kundërta me të kishin sulmuar Maqedoninë në kohën kur Demetri luftonte përkrah Dozonit në Selasi dhe mbreti maqedon qe detyruar të kthehej me të shpejtë për të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë Demetri qe detyruar të merrte masa të rrepta ndaj kundërshtarëve të tij në qytetet e Ilirisë e t’ua jepte pushtetin miqve të besuar. Tani që Skerdilaidi kishte marrë vendim, Filipi V u detyrua të ndërhynte vetë për ta neutralizuar dhe në takimin që pati me të mundi ta bindë që të largohej nga etolët me premtimin se “do ndihmonte për të rregulluar punët e Ilirisë”; megjithëse Skerdilaidi pranoi të lidhte aleancë me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë nuk gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm për t’u zhvilluar e forcuar.
Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana tjetër, t’u shpallte këtyre luftë, por si përgjigje pati një kryengritje të “kleomenistëve”, miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr nga ngjarjet në Greqi, Filipi qe detyruar të lërë mënjanë çështjet e Ilirisë dhe Farosiani mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi senatit të ndërhyjë me forca të armatosura për të rivendosur autoritetin e tronditur në brigjet lindore të Adriatikut. Kjo i duhej Romës edhe për një arsye tjetër të rëndësishme: në perëndim kishin filluar të bëheshin gjithnjë më të qarta shenjat e një konflikti të afërt me Kartagjenën.
Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën për të dytën herë me ushtritë e tyre në brigjet e Ilirisë. Këtë radhë ata e drejtuan goditjen kundër pikave më të rëndësishme të mbrojtjes së Demetrit në jug kundër qytetit Dimale, kurse në veri kundër kryeqendrës së tij, Farit. Megjithëse këto dy qendra ishin shumë të fortifikuara dhe me gjithë masat mbrojtëse që kishte marrë Demetri, Dimale nuk i qëndroi sulmit romak veçse një javë. Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një dredhie taktike të romakëve; konsulli e shkatërroi krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë duke u larguar fshehurazi me një anije të vogël dhe arriti te Filipi, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij si këshilltar i keq i mbretit të Maqedonisë.
Polibi tregon se pas kësaj konsulli “pushtoi dhe pjesën tjetër të Ilirisë dhe i rregulloi punët si deshi vetë”. Ky pohim nuk duhet të jetë i saktë, sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin ende të pavarur në veprimet e tij dhe si aleat të Filipit në vitin 218. Me sa mund të gjykohet prej Apianit, vetëm Pineu iu nënshtrua romakëve dhe nënshkroi me ta marrëveshje e traktate të dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e prekën dhe me sa duket e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur traktatin e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë dhe qytetet e tjera. Konsujt duhet të kënaqeshin këtë radhë me dëbimin e Demetrit dhe të ktheheshin me të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali e kishte sfiduar keq Republikën me veprimet e tij në Spanjë. E konsideruan se me këtë aksion kishin treguar në mënyrë të mjaftueshme forcën e Romës, pa e zgjeruar luftën në Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë; morën me vete skllevër dhe plaçkë të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë
 
Lufta maqedono-romake dhe ngjarjet ne Iliri

Pasojat e luftërave romako-maqedone për Ilirinë

Luftërat që u zhvilluan në truallin ilir gjatë çerekut të fundit të shek. III p.e.sonë patën pasoja të rënda për Ilirinë.
Mbretëria e cunguar dhe e dobësuar ilire, pasi kishte dështuar në përpjekjet e saj për të dalë nga gjendja e krijuar prej dy luftërave të mëparshme, u gjend këtë radhë në një aleancë të detyruar me Romën. Si e tillë asaj i takoi të mbante një pjesë të peshës së luftës në dobi të Republikës. Krahinat në jug, që ishin shkëputur nga mbretëria prej kohësh, u kthyen në rezerva strategjike të Romës; qytetet e parthinëve dhe të atintanëve qenë detyruar të kontribuojnë në këto luftëra pushtuese të Romës me trupa ndihmëse dhe të strehojnë e të furnizojnë ushtritë pushtuese. Duke u kthyer në fushë lufte, këto krahina kaluan herë në duar të romakëve, herë të maqedonëve dhe më se një herë u grabitën dhe u shkretuan.
Gjatë luftës së dytë maqedone u dëmtua në mënyrë të veçantë Dasaretia. Qytetet e saj u plaçkitën e u rrënuan; Antipatrean e shkatërruan nga themelet dhe popullsia e saj u masakrua; Pelioni u plaçkit dhe i morën skllevër banorët e qytetit që përbënin forcën prodhuese kryesore; fshatarësia dasarete u detyrua të braktiste vatrat e saj dhe të merrte malet në kohën kur ushtritë pushtuese romake grabisnin hambaret e saj.
Luftërat e vazhdueshme ndikuan rëndë edhe mbi gjendjen ekonomike të Dyrrahut dhe të Apolonisë. Si aleatë të Romës këto qytete qenë detyruar të përballonin një varg detyrimesh ushtarake dhe ekonomike. Dyrrahu, i cili mbeti pak i mënjanuar nga teatri kryesor i veprimeve luftarake, duket se i përballoi më me lehtësi këto detyrime. Ruajtja e standardeve dhe e simboleve tradicionale në prerjet e tij monetare dëshmon për një farë stabiliteti në jetën ekonomike e politike të qytetit. Por Apolonia, e cila shërbeu si kryeura e zbarkimit të trupave romake në Iliri dhe si pika më e synuar e maqedonëve në kundërveprimet e tyre ndaj Romës, e ndjeu më shumë peshën e luftës. Barra e rëndë e detyrimeve që rridhnin nga aleanca me Romën dhe shkretimi i tokave nga sulmet e Filipit V e rënduan shumë gjendjen ekonomike të këtij qyteti. Për ta përballuar këtë gjendje apoloniatët u detyruan të intensifikojnë prerjen e monedhave prej bronzi dhe të hidhnin në treg variante të reja monedhash që ndryshojnë herë pas here simbolet e tyre. Me detyrime të rënda ngarkuan romakët edhe qytetet e afërta me Apoloninë: Bylisin, Orikun dhe Amantien. ثshtë për t’u shënuar se në këtë kohë monedhat e këtyre qyteteve huazojnë simbolet e prerjeve apoloniate, gjë që u imponohet me dashje ose pa dashje, nga nevoja për të përballuar së bashku peshën e luftës.
Kështu, paqja e vitit 196 e gjeti Ilirinë të raskapitur nga luftërat e gjata dhe të dobësuar ekonomikisht e politikisht.
 
Lufta e dytë maqedono-romake. Dështimi i Filipit V

Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur kontradiktat midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita që ruajti Maqedonia në Iliri nuk ishte aspak e favorshme për Republikën, por ajo e bënte këtë hap vetëm e vetëm që të çlirohej dhe të përqendronte forcat për betejat e ardhme vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana e tij e kishte kuptuar se për të nuk kishte rrugë tjetër, veçse të forconte pozitat në Ballkan dhe në Lindje, ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet në vitet që pasuan. Ndërsa Roma ishte duke përfunduar luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori një varg veprimesh diplomatike dhe ushtarake në Lindje: përfundoi një aleancë me Atalin III të Sirisë, zgjeroi pushtimet në Egje, duke u shtrirë deri në Helespont, shtoi presionin mbi Greqinë dhe u mori disa toka etolëve, goditi në veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin e Foinikes bëri pushtime të vogla në Iliri që i lejuan t’u shkëpuste romakëve parthinët.
Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të përfundonte paqen. Fitimtarët, që edhe më parë nuk e kishin duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që t’u cenoheshin interesat e tyre në Iliri dhe në përgjithësi nuk mund ta shihnin me sy të mirë forcimin e pozitave të tij në Lindje.
Goditjen vendosën t’ia japin nga Iliria. Në vjeshtë të vitit 200 dy legjione zbritën në Apoloni dhe ngritën lëmin në afërsi të lumit Aps. Këtej filloi sulmi kundër pozitave të Filipit në Dasareti. U dërgua menjëherë një ekspeditë kundër Antipatreas, sepse ky qytet i rëndësishëm ishte pika më e përparuar e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë kyçe në rrugën që kalonte përmes luginës së Devollit për në Maqedoni. Me një sulm të shpejtë forcat romake zunë tri kështjella në rrethet e qytetit (Karagun, Geruntin dhe Orgesin) dhe sakaq u gjendën para mureve të tij. Komandanti romak u mundua të hyjë në Antipatrea me anën e marrëveshjes, por paria, duke pasur besim te madhësia e qytetit, te muret dhe pozita e tij e mbrojtur kundërshtoi të dorëzohet. Atëherë romakëve iu desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi shumë shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti romak u soll në mënyrë barbare. Ai urdhëroi masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe pasi plaçkiti qytetin, e dogji dhe i shkatërroi muret mbrojtëse të tij. Pas kësaj romakët pushtuan edhe dy qytete më të vogla në thellësi: Kodrionin dhe Knidin dhe pasi lanë një garnizon në Kodrion u kthyen në lëmin e tyre në Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi shumë pozitën e romakëve; ata kishin asgjësuar një bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse me vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë në thellësi pikën e kontaktit me armikun dhe kishin hapur rrugën për operacionet e ardhshme.
Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë. Thirri në lëmin e tij në Aps mbretërit e vendeve fqinje me Maqeoninë, midis të cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin e Athamanisë dhe u mori atyre premtimet për ndihmë në luftën kundër Filipit. Por përpjekjet për të tërhequr etolët përsëri në luftë dështuan, kurse Epiri i mbeti besnik Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë të ethshme për fushatën e stinës së ardhshme të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i Epirit dhe i Lidhjes etole në jug ai i përqendroi forcat në veri. Me qëllim që të mënjanonte rrezikun e një depërtimi dardan në Maqedoni, dërgoi forca për të mbyllur grykën e Pelagonisë. Me forcat kryesore u vendos diku në afërsi të malit Lynkus duke pritur një sulm të konsullit dhe të Pleuratit, që mendonte se do t’i vinte përmes luginës së Genusit në drejtim të Lyhnidit. Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin e tij. Duke rimarrë operacionin u shty më tej në Dasareti dhe nëpër luginën e Apsosit (Devollit) doli në fushën e Korçës. Këtu u furnizua me drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë dhe prej këndej mbërriti në Oresti dhe Elimioti.
Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë konsulli, Filipi shpërnguli forcat nga Pelagonia dhe Lynku në drejtim të jugut. Por me këtë i hapi rrugën Pleuratit i cili, me sa duket, pasi çliroi parthinët, ndoqi luginën e Genusit dhe arriti në Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan nga veriu në Maqedoni. Në këtë kohë romakët u kthyen përsëri në Dasareti dhe pushtuan qytetin Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë, konsulli la këtu një garnizon dhe si mori me vete plaçkën dhe skllevërit, e solli ushtrinë përsëri në krahinën e qetë të Apolonisë, aty prej nga ishte nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë përpjekje të mëdha për të përballuar pas kësaj, në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët që kishin hyrë në Maqedoni, kurse në jug athamanët dhe etolët, të cilët pas sukseseve të romakëve kishin vendosur të hynin përsëri në luftë kundër mbretit të Maqedonisë. Kështu në dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199 Filipi u dëbua nga tokat e parthinëve dhe Dasaretia, ndërsa kundër tij u ngritën përsëri etolët dhe popullsi të tjera të vogla fqinjë.
Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet ushtarake u shpërngulën në jug, në luginën e lumit Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin treguar romakëve se rruga për në Maqedoni, përmes Dasaretisë ishte e lidhur me vështirësi serioze përsa i përket furnizimit dhe rezervat e kësaj krahine nuk i përballonin dot nevojat e ushtrisë romake. Duhej kërkuar një rrugë tjetër më e sigurt. E tillë paraqitej lugina e Aosit që të çonte në Maqedoni përmes Thesalisë. Kjo krahinë ishte një hambar i sigurt për një ushtri që do të shkëputej kaq shumë nga bazat e saj. Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve në luftë gjendja në jug ishte bërë më e favorshme për romakët, prandaj depërtimi në zemër të Greqisë përmes luginës së Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik dërgoi në pranverë të vitit 198 një pjesë të forcave që të zinin grykën e Antigonesë, duke menduar se romakët mund të merrnin rrugën përmes luginës së Drinos dhe fushës së Malësisë për të dalë në Thesali. Mbas disa ditësh arriti edhe vetë me forcat kryesore dhe, si e pa gjendjen, vendosi t’ia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes së ngushticës së Aosit, e cila megjithëse nëpër një rrugë më të vështirë, por më të shkurtër, të çonte gjithashtu në Thesali. Pa lëshuar grykën e Antigonesë ai vendosi forcat në të dyja anët e lumit Aos. Mbrojtjen e krahut të majtë, nga ana e malit Asnau (mali i Golikut), dhe grykën e Antigonesë ia besoi komandantit të tij, Atenagorës, kurse krahun e djathtë, d.m.th. atë nga ana e malit Merop (mali i Shëndëlliut) dhe rrugën që kalonte nga kjo anë buzë lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë të dyja grykave qëndruan për një kohë të gjatë të pavendosur për të sulmuar, sepse pozitat e mbretit maqedon ishin shumë të forta. Gjatë kësaj kohe nuk munguan edhe përpjekjet për të arritur në një marrëveshje, por Filipi shpresonte në rezultate më të mira dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.
Ndërkaq romakët mundën të siguronin një dalje në shpinë të Filipit me ndihmën e njërit prej parisë epirotase. I zënë në befasi nga mbrapa dhe i goditur me forcë në ballë, Filipi u detyrua të lërë pozicionet e tij të fuqishme dhe të tërhiqej me humbje të mëdha. Duke ndjekur armikun, romakët u bënë shumë shpejt zotër të një pjese të mirë të Greqisë Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit, por që nuk kishte hyrë në konflikt të armatosur, u afrua me romakët. Së shpejti edhe Lidhja Epirote-Ahease u shkëput nga aleanca me Maqedoninë.
Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin përqendruar në Thesali. Në betejën që u zhvillua në afërsi të Kinoskefales, Filipi mori goditjen vendimtare dhe u detyrua të kërkonte paqe. Kushtet e paqes qenë shumë të rënda. Filipi detyrohej të hiqte dorë nga gjithë Greqia dhe nga zotërimet e tij aziatike, t’u kthente romakëve tokat e pushtuara në Iliri që ishin njohur nga paqja e Foinikes dhe të prishte flotën, duke e zbritur atë në pesë anije. Për të kënaqur kërkesat e aleatëve të tyre, romakët bënë shumë ndryshime territoriale dhe u njohën autonominë disa krahinave të vogla, të cilat ishin ngritur kundër Filipit, gjë që e thelloi edhe më tepër përçarjen politike në Greqi. Me pushtimin e Dasaretisë dhe të Atintanisë, romakët i zgjeruan zotërimet e tyre në Iliri dhe e shtynë kontaktin me Maqedoninë në thellësi. Pleuratit i njohën të drejtën mbi parthinët dhe Lyhnidin dhe me këtë i zgjeruan kufijtë e shtetit ilir nga jugu deri në Genus, kurse në lindje përfshinë penestët deri te liqenet Lynkeste, duke vënë kështu edhe shtetin ilir në kontakt direkt me Maqedoninë në kufijtë e vjetër lindorë.
Por duke e detyruar Filipin të kthehej në kufijtë e vjetër e të ngushtë të Maqedonisë dhe duke u asgjësuar si fuqi detare, romakët nuk kishin ndërmend të asgjësonin tani për tani shtetin maqedon dhe as të shfarosnin vetë Filipin. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të aleatëve grekë lidhur me këtë çështje, konsulli u tha se “ishte e qartë se liria e Greqisë kërcënohej nga forca e mbretërve maqedonë, por po të shkatërrohej kjo mbretëri ... trakët, ilirët, grekët ... do të dyndeshin në Greqi”.
 
Koalicioni antimaqedon

Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte duart e lira në Iliri, më vonë punët ndryshuan. Me marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211), romakët filluan të shijojnë frytet e para të epërsisë së armëve të tyre mbi Hanibalin. Pas kësaj ata riaktivizuan politikën e tyre në lindje: më 211 përfunduan një aleancë me etolët, në të cilën tërhoqën më vonë edhe disa shtete të tjera greke, Atalin e Pergamit si dhe shtetin ilir, të përfaqësuar nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm ndaj politikës pushtuese të Filipit, romakët arritën kështu të krijojnë në Ballkan një koalicion të fuqishëm antimaqedon, që ua lehtësoi shumë peshën e luftës përtej Adriatikut.
Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte duke dimëruar. Duke ditur se gjendja e krijuar në Greqi do ta tërhiqte plotësisht andej, ai vendosi të siguronte më parë shpinën e mbretërisë nga rreziku ilir; ndërmori papritur një ekspeditë kundër tokave të Orikut dhe Apolonisë dhe shkretoi viset fqinje të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim që të linte pas frikë dhe terror. Në pranverë iu kthye Greqisë, por aleatët ia kishin marrë iniciativën dhe duke e goditur në shumë anë e detyruan të vihet në pozita mbrojtëse.
Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në Iliri, sepse në bisedimet për paqe, që u zhvilluan midis tij dhe etolëve në Falaia dhe pastaj në Aigon, mbretit iu kërkua t’u kthejë romakëve Atintaninë dhe Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet e tij më veriore. Bisedimet dështuan dhe problemi në këtë rrugë nuk gjeti zgjidhje. Por, po këtë vit, Skerdilaidin e gjejmë në Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe një vit më vonë, më 208, midis panikut që kishte kapur aleatët e Maqedonisë në Greqi, Filipit i erdhi lajmi shqetësues nga mbretëria: “Skerdilaidi dhe Pleurati ishin vënë në marshim”. Hollësitë rreth këtij sulmi ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por fakti që ky marshim kishte ngjallur shqetësime në Maqedoni tregon se sundimtarët ilirë kishin zbritur thellë në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat maqedone të paktën nga pushtimet e tyre veriore, Lisi dhe tokat e ardiejve.
Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë një rënie të luftës kundër mbretit maqedon. Romakët që deri atëherë kishin luftuar kundër Filipit me forca të pakta, u tërhoqën nga fusha e betejës, duke menduar se ia kishin arritur qëllimit të tyre për të larguar Filipin nga ndërhyrja në perëndim. Shembullin e tyre e ndoqi dhe Atali, i thirrur në atdhe për nevoja të mbretërisë. Pesha e luftës mbeti kështu mbi aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar këtë gjendje, Filipi përqendroi goditjen mbi etolët dhe më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të veçantë.
Në këto rrethana romakët u detyruan të dërgojnë me të shpejtë forca në Iliri. Në pranverë të vitit 205 zbritën në Dyrrah me 10 000 këmbësorë dhe 1 000 kalorës me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve, parthinët dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën kundër maqedonëve. Duke pushtuar pa vështirësi tokat e tyre, romakët arritën në Dimale, të cilin e rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një pjesë të forcave të tyre me 15 anije në Etoli me shpresë se mund të prishnin paqen.
Këtu në Apoloni të dyja palët, nën ndikimin e disa rrethanave, shprehën dëshirën për të mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja në Itali kishte ndryshuar; Hanibali kishte pësuar humbje të rënda në Itali dhe aleanca me të kishte humbur çdo kuptim për Filipin. Edhe romakët e ndienin veten të lodhur nga lufta e gjatë me Kartagjenën. Të dyja palët ishin të prirura për një paqe ose të paktën për një armëpushim të gjatë. Epirotët u vunë në rolin e ndërmjetësit dhe Foinike, kryeqyteti i tyre, u bë qendër e bisedimeve. Paqja u vendos dhe sipas kushteve të marrëveshjes, romakëve u njihej e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të vogla pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë dhe, kuptohet, Dasaretinë. Midis aleatëve të Romës është përfshirë edhe sundimtari i shtetit ilir, Pleurati, i cili tani përmendet pa të atin, Skerdilaidin. Në marrëveshje nuk thuhet shprehimisht cilat qenë të drejtat që i njiheshin atij. Paqja, pa dyshim, i jepte fund gjendjes së luftës midis mbretit ilir dhe Maqedonisë ndërsa çështje territoriale, të pazgjidhura midis tyre, me sa duket, nuk kishte. Fakti që në bisedimet e Foinikes nuk bëhet fjalë më për Lisin dhe ardianët tregon se çështja kishte gjetur zgjidhje që më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.
 
Agresioni i Filipit V kundër Ilirisë

Koha të cilën Skerdilaidi e kishte zgjedhur për t’i rikthyer shtetit ilir Dasaretinë nuk ishte aspak e përshtatshme. Filipi sapo ishte çliruar nga lufta në Greqi dhe nuk kishte asnjë vështirësi për t’u drejtuar kundër tij. Aq më tepër që kjo ndërmarrje përputhej edhe me planin e tij të madh për të dalë në brigjet e Adriatikut prej nga ëndërronte të hidhej në Itali. Me një fushatë të shpejtë ai pushtoi qytetet rreth liqenit Lyhnid dhe ato të Dasaretisë, deri në Antipatrea.
I vendosur në ndërmarrjen e tij, Filipi e zgjeroi vitin tjetër ndërhyrjen në Iliri, duke iu drejtuar asaj këtë radhë nga deti. Pasi ndërtoi në skelat e Maqedonisë 100 anije, në verë të vitit 216 doli në ishujt e Jonit. Kur u sigurua se flota romake ishte larg, lundroi për në brigjet e Ilirisë. Në planin e tij ishte pushtimi i Apolonisë, të cilën e mendonte si bazën më të përshtatshme për aksionin e tij të ardhshëm. Por, kur iu afrua grykës së Aosit, mori papritur, lajmin se anijet romake ishin drejtuar për në Apoloni. Pa sqaruar ende fuqinë e kundërshtarit, flota maqedone u tërhoq në panik. Skerdilaidi që e kishte ndjerë rrezikun e një sulmi nga deti ua kishte bërë të ditur këtë gjë romakëve dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre. Në përgjigje të kësaj kërkese romakët shkëputën nga flota e tyre e Sicilisë 10 anije pesërremëshe dhe i dërguan në Apoloni. Ishte kjo skuadër e vogël që shkaktoi panik te maqedonët dhe dështimin e tyre.
Pasojat e kësaj ngjarjeje qenë edhe më serioze. I kërcënuar nga Maqedonia, sundimtari ilir qe detyruar të kthehej me fytyrë nga Roma, pasi kishte luftuar kaq vjet për të shpëtuar prej saj. Me agresionin kundër Ilirisë, Filipi kishte bërë një hap fatal për vetë fatin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi: kishte bërë që interesat e sundimtarit ilir të përputheshin detyrimisht me ato të Republikës. Që nga kjo kohë Skerdilaidi do të vepronte si aleat i Romës, duke i dhënë politikës së shtetit të tij një kurs të ri që do të ndiqej për rreth katër dekada me radhë.
Drejtimi që kishin marrë punët qysh prej vitit 217 u përcaktua edhe më qartë pas fitores së Hanibalit në Kanë. Në vitin 215 Filipi dhe Hanibali përfunduan një traktat aleance sipas të cilit zotoheshin të ndihmonin njëri-tjetrin në luftën kundër Romës. Në traktat nuk përfilleshin aspak interesat e shtetit ilir. Klauzola sipas së cilës romakët nuk duhet të mbeteshin “zotër të Korkyrës, as të Apolonisë e Epidamnit, as të Farit, as të parthinëve dhe Dimales, as të Amantisë”, i njihte praktikisht Maqedonisë të drejtën e sundimit në Iliri. Po të pranojmë se përfundimi i një aleance midis Kartagjenës dhe Maqedonisë ishte objekt bisedimesh qysh prej kohës së Dozonit dhe se qe vonuar për shkak të pavendosmërisë së Filipit, atëherë në dritën e klauzolës së sipërme ka arsye të mendohet se lakmitë e Maqedonisë kanë qenë prej kohësh një shqetësim për Ilirinë dhe mbase kanë pasur edhe ato ndikimin e tyre në marrëdhëniet midis Skerdilaidit e Filipit.
Duke përcaktuar sferat e interesave marrëveshja përcaktonte edhe zonat e veprimeve ushtarake. Në frymën e marrëveshjes të dyja palët ndërmorën në vitin 214 veprime të përbashkëta në Itali dhe Iliri. Ndërsa Hanibali sulmoi Tarentin, Filipi u drejtua sërishmi kundër qyteteve bregdetare të Ilirisë. Me një flotë prej 120 lembesh u fut në Aos dhe provoi të merrte Apoloninë, por shpejt u bind se kjo nuk ishte një punë e lehtë. Atëherë papritmas u drejtua kundër Orikut, të cilin e pushtoi me sulmin e parë, sepse nuk ishte aq i mbrojtur. Ndërkaq mbante të ngujuar Apoloninë dhe shpresonte ta merrte me qetësi, duke menduar se romakët nuk do të ishin në gjendje ta shqetësonin në operacionet e tij. Por ndodhi e kundërta. Reagimi i romakëve qe i menjëhershëm: një flotë prej 50 anijesh pesërremëshe u nis nga Brindisi dhe pushtoi Orikun që Filipi e kishte lënë në duart e një garnizoni të vogël. Pastaj pa u vonuar forcat romake u gjendën në Apoloni, ku hynë natën pa u diktuar. Këndej së bashku me forcat e qytetit, sulmuan në befasi kampin e Filipit, të cilin e gjetën krejt të pambrojtur. Afër 3 000 maqedonë mbetën në fushën e betejës ose u zunë robër. Mbreti provoi të ikte nga deti, por si e gjeti grykën e lumit të mbyllur nga flota romake, dogji anijet e veta dhe u tërhoq nga toka për në Maqedoni me mbeturinat e ushtrisë.
Dështimi para mureve të Apolonisë i tregoi Filipit se plani për daljen në brigjet e Adriatikut dhe kalimi në Itali nuk ishte një punë e lehtë. Në të dy vitet që pasuan ai e ndryshoi drejtimin e sulmit të tij: nënshtroi atintanët, parthinët bashkë me qytetin e tyre Dimalin dhe u fut në tokat e ardianëve, duke u shtyrë në veri deri në Lis. Mendimi se atij iu nënshtrua edhe Skodra, madje se u shtri deri përtej lumit Narona, nuk qëndrojnë dhe kanë gjetur pak përkrahje. Veprimet e dy viteve të fundit dëshmojnë për një strategji të re politike-ushtarake të Filipit, që synonte të zgjeronte pushtimet në Iliri. Marrja e Lisit, megjithëse i siguroi një dalje në det, nuk mund të lidhet me planin e vjetër të kalimit në Itali. Qyteti ishte shumë larg brigjeve të përtejme të Adriatikut dhe sa kohë që Dyrrahu dhe Apolonia ishin në duart e romakëve, çdo kalim përmes detit ishte i paracaktuar të dështonte. Duket më e besueshme që Filipi të jetë interesuar në këto çaste në radhë të parë për vendosjen e një sundimi të shëndoshë në Iliri me perspektivën e dëbimit të plotë të romakëve prej këndej, kurse plani i kalimit në Itali të ketë ardhur duke u zbehur. Pushtimet e tij ishin padyshim një rezultat me rëndësi: ato ngushtuan shumë zotërimet romake në Iliri dhe duke hyrë si pykë midis tyre dhe shtetit ilir, e ndanë këtë të fundit prej romakëve.
 
Lufta e tretë Iliro-Romake. Rënia e shtetit Ilir.

Copëtimi i tokave të shtetit ilir

Menjëherë pas mbarimit të luftës romakët u morën me ndarjen administrative të tokave të shteteve të mundura. Senati romak i shpalli “të lirë” ilirët e maqedonët; në të vërtetë, sikurse e treguan ngjarjet e mëvonshme, ai shpalli humbjen e pavarësisë së tyre. Në një mbledhje që u bë në Skodra, në vitin 167 p.e.sonë, ku morën pjesë pesë të dërguar të posaçëm nga Roma dhe përfaqësuesit e parisë ilire proromake, komandanti i ushtrisë Lue Anici shpalli vendimet e senatit romak. Tokat e shtetit ilir u ndanë në tri njësi administrative të veçanta. Në krahinën e parë, me qendër Lisin, qenë përfshirë tokat përreth këtij qyteti deri te lumi Mat në jug. Njësia e dytë administative përbëhej nga krahina e banuar prej labeatëve, qendra e së cilës ishte Skodra. Në krahinën e tretë bënin pjesë viset bregdetare ilire në veri të Skodrës deri te lumi Narona, duke përfshirë qytetet Rizen e Olcin. Pushtuesit romakë shpallën gjithashtu se të gjithë ilirët, që nuk ishin bashkuar me Gentin në luftën kundër Romës nuk do të paguanin taksa, kurse ilirët e tjerë do t’i jepnin shtetit romak gjysmën e taksave që i kishin paguar mbretit Gent. Romakët larguan nga qytetet dhe kështjellat ushtritë e tyre dhe në krye të njësive administrative të formuara rishtas vunë përfaqësues nga paria ilire, përkrahëse të politikës pushtuese të Romës në Iliri.
اfarë fshihej prapa “Lirisë” së dhënë nga Roma? Për të kuptuar këtë duhet marrë parasysh pohimi i autorëve antikë, që theksojnë se Iliria e Maqedonia, të mundura ishin vënë “nën pushtetin e popullit romak” dhe se ilirët e maqedonët do të jetonin “të lirë” vetëm mbasi romakët t’u jepnin atyre kushtetutën, duke rregulluar ligjet dhe duke caktuar taksat. Pastaj tri krahinat ilire të ndara dhe të bazuara mbi autonominë e “civitates-ve” bashkësive, do të kishin organet e tyre administrative, por nuk do të kishin të drejtë për të pasur asnjë lloj marrëdhënie gjinie, ekonomike e politike midis tyre. Në këtë mënyrë ndërpriteshin lidhjet ekonomike, bëhej i pamundur një bashkim ushtarak i tyre dhe shmangej kështu rreziku i një kryengritjeje.
Krahinat e qytetet ilire në jug të lumit Mat, të cilat nuk kishin bërë pjesë në shtetin ilir të Gentit, sundimtarët e paria e të cilëve qysh në dy luftërat e para iliro-romake kishte mbajtur krahun e Romës, siç qenë parthinët e atintanët, romakët i mbajtën nën protektoratin e tyre. Të tjerët që nuk kishin marrë pjesë në luftë, si bylinët, amantët, dasaretët etj., i lanë përsëri më vete. Qytetet greke Korkyra, Apolonia e Dyrrahu ruajtën autonominë e tyre, por mbetën baza të rëndësishme ushtarake për veprimet luftarake të mëvonshme të Romës në Ballkan. Për pjesëmarrjen në luftën kundër shtetit ilir senati romak u ndau atyre 220 anijet që ishin pjesë e plaçkës së zënë në Iliri.
Në tokat e shtetit të Epirit, ku romakët kishin hasur gjatë veprimeve ushtarake një qëndresë të fortë, pas shkatërrimeve të mëdha, pas masakrave që bënë legjionet romake dhe shndërrimit në skllevër të një pjese të madhe të popullsisë, u vendos një regjim i rreptë ushtarak. Vetëm qytetit Foinike, bashkë me një territor të vogël të banuar nga kaonët, romakët u lanë një farë autonomie, sikurse tregojnë disa mbishkrime dhe monedhat e prera prej këtij qyteti.
Kështu pas mbarimit të luftës së tretë iliro-romake, Iliria e Jugut u copëtua ekonomikisht e politikisht. Të vëna nën protektoratin e Romës ose duke pasur një farë autonomie, krahinat e qytetet ilire nuk mundën të zhvillonin si më parë ekonominë e tyre. Disa degë të prodhimit, si nxjerrja e metaleve e ndërtimi i anijeve u ndërpre dhe kaluan në duart e romakëve. Megjithëse disa qytete të Ilirisë së Jugut vazhduan prerjen e monedhave autonome, qarkullimi monetar dhe marrëdhëniet tregtare nuk kishin më atë intensitet që kishin pasur para luftërave iliro-romake. Në këtë kohë u forcua edhe më tepër pozita e shtresës së pasur ilire, e skllavopronarëve të mëdhenj, të cilët e mbështetnin politikën e Romës dhe kërkonin të përfitonin nga rrethanat e reja ekonomike e politike për të shtuar pronat e pasuritë e tyre.
Kjo gjendje që u krijua në Ilirinë e Jugut në fund të shek. III dhe gjatë shek. II p.e.sonë nuk zgjati shumë. Ajo qe e varur në përgjithësi nga politika që Republika do të ndiqte në Gadishullin Ballkanik dhe nga synimet pushtuese të saj. Dy ngjarje që ndodhën brenda një kohe të shkurtër, agresioni romak ndaj krahinave veriore ilire dhe kthimi i Maqedonisë në provincë e bënë të qartë qëndrimin që do të mbante Roma kundrejt ilirëve. Romakët, pas kryengritjes maqedone të vitit 149 p.e.sonë, krijuan provincën e Maqedonisë dhe përfshinë në të të gjitha krahinat ilire në jug të lumit Mat.
 
Lufta e tretë iliro-romake

Kështu në çastin kur konflikti kishte arritur kulmin e tij, mbreti ilir kishte vendosur të hynte në luftë kundër Romës, duke e zgjedhur këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e pavarësisë politike. Vendimi i tij u prit me entuziazëm në Maqedoni, në Rod dhe duhet menduar edhe në vise të tjera të Ballkanit, sepse ngjallte shpresa për fitoren mbi romakët.
Genti nuk vonoi të vepronte. Pasi kishte grumbulluar në Lis një forcë të konsiderueshme prej 15 000 vetash, u hodh në sulm. Me forcat kryesore u drejtua kundër qytetit Basania, i cili siç na ka mbërritur në tekstin e Livit, ishte 5 milje nga Lisi. Ky qytet ishte në aleancë me romakët. Genti u mundua ta bëjë për vete atë me anë të bisedimeve, por mbasi nuk pranoi të nënshtrohej, e rrethoi. Ndërkaq të vëllanë Karavandin e dërgoi me 1 000 këmbësorë dhe 50 kalorës, në veri për të nënshtruar fisin e Kavëve. Qyteti Durn e priti mirë, kurse qyteti tjetër i mbylli dyert Karavandit. Genti nuk pati sukses edhe në operacionet detare. Flota e tij prej 80 anijesh që ishte dërguar të godiste tokat rreth Dyrrahut dhe Apolonisë dhe, me sa duket, të vendoste kontrollin mbi rrugën detare që lidhte të dy brigjet e Adriatikut, u thye në afërsi të Apolonisë në ndeshjen me flotën romake dhe qe e detyruar të tërhiqej në drejtim të veriut.
Pas kësaj romakët, që kishin përqendruar ndërkaq forcat e tyre në Genus, u drejtuan kundër mbretit në Basania. Forcat romake, dy herë më të mëdha në numër, mbasi pushtuan qendrat e rëndësishme gjatë rrugës, u gjendën para mureve të Skodrës. Boshllëku që është krijuar në tekstin e Livit nuk jep mundësi për të njohur hollësitë e këtyre veprimeve luftarake.
Qëndresën e fundit Genti e bëri në Skodra. Ai shpresonte shumë në këtë qytet që e kishte zgjedhur si kryeqendër të mbretërisë, sepse pozita e tij ofronte një mbrojtje të sigurt. Dhe me të vërtetë i rrethuar nga dy lumenj, Klausali dhe Barbana dhe i fortifikuar mirë, qyteti mund të përballonte me sukses një rrethim të gjatë. Por mbreti nuk diti ta organizonte mirë mbrojtjen. Në vend që forcat ilire të qëndronin brenda mureve rrethuese të qytetit dhe t’i shmangeshin përleshjes në fushë të hapur, u futën në betejë aty ku armiku kishte epërsi numerike, dhe i theu keqas. Pasi dështuan edhe përpjekjet e vëllait të tij, Karavandit, për të grumbulluar forca të tjera nga krahinat përqark, Genti u dorëzua.
Dhjetë ditë më vonë pas rënies së Skodrës, në betejën që u zhvillua në Pydna u shkatërrua përfundimisht dhe ushtria maqedone. Njëherësh me Ilirinë dhe Maqedoninë romakët nënshtruan dhe Epirin. Genti dhe Perseu bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër të shumtë lufte u dërguan në Romë.
Kështu u nënshtruan dy shtetet e fuqishme të Ballkanit dhe u vendos në këto krahina sundimi romak
 
Lufta e tretë romako-maqedone, veprimet luftarake të vitit 171

Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe masat ushtarake për të asgjësuar Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat kryesore, të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në Ballkan.
Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin e forcave të para në brigjet e përtejme të Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë dhe 300 kalorës. Ky kontingjent i vogël që dërgohej si pararojë e ushtrisë konsullore, pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti lëmin e vet në afërsi të Nymfeut, në tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej 2 000 vetash u dërgua menjëherë për të zënë, siç na thuhet, “fortesat e dasaretëve dhe të ilirëve”. Po të gjykojmë nga të dhënat e mëvonshme, forcat romake duhet të jenë vendosur në këtë kohë në Lyhnid, Uskanë dhe në disa kështjella rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në ngjarjet e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një qëllim të largët strategjik. Ai duhet të siguronte pozitat romake në Iliri, të mbante të hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe të bënte presion mbi Mbretërinë Ilire, duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia.
Më vonë forca të pakta u dërguan në Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si garnizone të vogla që kishin më tepër karakter simbolik. Një kontingjent i veçantë u dërgua në Thesali për të zënë Larisën si një pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë pozitat e përparuara në Iliri e Thesali, në pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej nga Thesalia. Ushtria konsullore pasi zbriti në Apoloni, përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën thesale; këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut që kishin zënë rrugën e hyrjes për në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë 43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja palët iu shmangën betejave vendimtare dhe stina e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë rezultat të shënuar, duke i lënë kundërshtarët në pozitat e mëparshme, fillestare.
Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë Ilire. Ndërsa ushtria konsullore u nis për të zbritur në Apoloni, flota romake vuri dorë mbi 54 anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit dhe i përfshiu në përbërjen e forcave detare që do të zinin Qefaloninë dhe do të vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje të forcave tokësore romake. Më vonë romakët duket se ndërmorën një aksion të dytë, shumë të rëndësishëm, kundër Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin disa qytete në Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet i paidentifikuar, u bëri një qëndresë të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte forcat romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre qyteteve. Nuk është thënë qartë për ç’qëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë një ngjarje që ndoshta mund të lidhej me të, do të ishte ajo që ka të bëjë me ndryshimet në kufirin jugor të Mbretërisë Ilire. Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet për ta bërë atë për vete, senati urdhëroi aneksimin e tokave dhe të qyteteve parthine që i pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e Mbretërisë Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa vite më vonë. Në këtë rast Karnunti dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me të duhen kërkuar në veri të Genusit. ثshtë për t’u shënuar se si për rastin e grabitjes së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën në kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari ilir nuk jep asnjë shenjë kundërshtimi, sepse, me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.
 
Politika e jashtme e Gentit

Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Romën, Genti u kujdes të vendosë marrëdhënie të mira me fqinjët ballkanikë. Qysh në fillim të sundimit të tij, ai ia arriti të vendoste lidhje miqësore me fqinjën lindore, Mbretërinë Dardane. Këto marrëdhënie mbreti i përforcoi me një martesë dinastike dhe sado e ndërlikuar që u bë më vonë gjendja politike në Ballkan, nga burimet nuk del që ato të jenë prishur.
Por bazën e politikës së jashtme të shtetit ilir në këtë kohë e përbënin marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë. Synimet ekspansioniste të Romës kishin diktuar një politikë të tillë qysh në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit. Tani në kohën e Gentit, vazhdimi i kësaj politike bëhej edhe më i nevojshëm, sepse, në fund të viteve 80 dhe sidomos gjatë dekadës së re, senati e shtoi presionin politik mbi shtetet e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë mbi Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire. Burimet letrare nuk hedhin dritë mbi marrëdhëniet e tij me sundimtarin e Maqedonisë Perseun, në vitet e para të sundimit të Gentit, por në to vihet re qartë një paralelizëm në qëndrimin armiqësor të Republikës (Romës) ndaj tyre. Nga ana tjetër, materiali numizmatik dëshmon për lidhje të ngushta ekonomike dhe si rrjedhim edhe politike, midis Mbretërisë Ilire dhe Maqedonisë.
Marrëdhëniet e Gentit me Perseun dokumentohen më mirë në prag të luftës së fundit. Dy lajme të Livit që lidhen me fundin e vitit 173 dhe fillimin e vitit pasues hedhin dritë mbi këto marrëdhënie. Njëri ka të bëjë me vrasjen e Artetaurit, një dinasti të vogël që përkrahte politikën romake diku në Iliri, ndoshta në zonën e pushtuar nga romakët dhe që në burime paraqitet si një aksion i kombinuar i Perseut dhe i Gentit. Lajmi tjetër bën fjalë për dy sulme të Gentit kundër tokave të Isës dhe përkon në kohë me aktivitetin që zhvillon Perseu për të përmirësuar pozitat e tij në jug dhe në lindje. Këto ngjarje që shkaktuan shqetësimin e romakëve dhe të aleatëve të tyre nuk mund të merren thjesht si një produkt i propagandës romake që synonte t’i paraqiste të dy sovranët si provokatorë. Livi, sipas Polibit, pohon se, krahas delegatëve që vijnë nga Lindja me ankesa kundër Perseut, delegatë nga Isa vijnë para senatit për të akuzuar Gentin për atë që “ishte në një mendje me mbretin e Maqedonisë dhe që të dy së bashku po përgatitnin luftën kundër romakëve”. Gjendja ishte e tillë që u impononte të dy sovranëve nevojën e veprimeve të bashkërenditura për të përballuar rrezikun romak që sa vinte bëhej më kërcënues. Megjithatë është fakt se duke u përgatitur për t’i bërë ballë këtij rreziku, të dy sovranët nuk donin një konflikt të hapur me Romën, fuqia e së cilës nuk ishte për të mos u përfillur. Prandaj Genti, ashtu siç bën edhe Perseu, u shpejtua të dërgonte delegatë në Romë “për të larë nga fajet që i ngarkonin isasit”. Senati nuk pranoi të bisedonte me të dërguarin e mbretit dhe i bëri të ditur pakënaqësinë e tij duke e shoqëruar me kërcënime. Duke dashur, nga ana tjetër, që ta izolonte plotësisht Perseun, senati provoi ta bindë Gentin që të shkëputej nga miqësia me mbretin maqedon dhe të bashkonte armët e tij me ato të romakëve. Genti qëndroi në pozitat e tij dhe delegati romak u kthye në atdhe i dyshuar se ishte korruptuar me të hollat e mbretit ilir. Me këtë ndërpriten përpjekjet romake për të tërhequr Gentin nga ana e tyre.
Kështu në pragun e luftës kundër Maqedonisë, kur Roma zhvillonte një veprimtari të etshme diplomatike, të shoqëruar me presion të madh politik, për të izoluar Perseun, sundimtari ilir nuk mori anën e Republikës. Livi e paraqet Gentin të lëkundur, por faktet tregojnë se as këtë radhë, as më pas, mbreti ilir nuk tregon shenja lëkundjeje në qëndrimin e tij ndaj Romës. Ishte vetëm përgatitja e pamjaftueshme që do ta pengonte për të dalë në fushën e betejës kundër saj.
 
Përpjekjet për forcimin ekonomik e politik të Mbretërisë

Kërcënimi i ri romak diktonte nevojën e përgatitjeve për t’i dalë përpara një konflikti të hapur, i cili siç tregojnë ngjarjet, ishte i pashmangshëm. Duke e kuptuar qartë këtë detyrë, Genti i kushtoi gjithë vëmendjen e tij forcimit ekonomik dhe politik të mbretërisë.
Midis masave me karakter ekonomik ajo që na dëshmohet më mirë nga burimet është veprimtaria e dendur monedhaprerëse që zhvilloi Genti. Krahas Skodrës dhe Lisit mbreti u njohu të drejtën e prerjes së monedhave edhe dy qyteteve të tjera të mëdha, Rizonit dhe Lyhnidit, si dhe dy fiseve të rëndësishme Labeatëve e Daorsëve. Kjo zgjeroi shumë qarkullimin monetar dhe e shtriu atë në viset më të thella të mbretërisë. Rëndësi të veçantë patën përpjekjet e Gentit për vendosjen e një sistemi të përbashkët monetar në mbretërinë e tij. Për këtë qëllim ai ndërpreu prerjet e vjetra të punishtes së Skodrës dhe në vend të tyre hodhi në treg monedha të reja. Tani monedha kryesore e Skodrës në vend të Zeusit, mban në faqe portretin e mbretit, kurse në shpinë, duke ruajtur si simbol anijen ilire, vendin e legjendës së qytetit e zë titulli dhe emri i mbretit.
Monedhën me mburojë përkrenare që u fut në sistemin monetar të Skodrës qysh prej kohës së Pleuratit, Genti vazhdoi ta presë, por edhe kësaj i hoqi legjendën e vjetër dhe në vend të saj vuri titullin dhe emrin e vet. Kjo tregonte se Genti i kishte hequr Skodrës autonominë monetare dhe punishten e bashkësisë qytetare e ktheu në punishte mbretërore.
Ndryshe prej Skodrës mbreti u njohu Lisit, Labeatëve dhe Daorsëve të drejtën që monedhat e tyre t’i siglojë me emrin e bashkësisë qytetare apo fisnore (?as????? Ge?????), por edhe këta i detyroi të respektojnë standardin shtetëror: të pajisin monedhat e tyre me portretin e mbretit dhe anijet ilire, si dhe t’u japin të njëjtën masë e peshë që kishin monedhat e prera në punishten mbretërore të Skodrës.
Më vonë mbreti shtiu në dorë edhe punishten monetare të Lisit dhe i ndaloi qytetit prerjen e monedhave autonome; që nga kjo kohë ai krijoi për Skodrën, Lisin dhe krahinat qendrore të mbretërisë, një sistem monetar të përbashkët të përbërë nga tri monedha: dy prej tyre ishin monedhat e njohura që priteshin në punishten mbretërore të Skodrës; njëra me portretin e mbretit - anijen ilire, dhe tjetra me mburojë - përkrenare. Monedha e tretë ishte monedha e vjetër, e vogël e Lisit, e cila paskëtaj do të siglohej me titullin dhe emrin e mbretit. Në sistemin e ri monedha e parë përfaqësonte nominalin, kurse dy të tjerat nëndarjet e tij.
Sistemi monetar që vendosi Genti në zonën qendrore nuk u shtri edhe në qytetet periferike të mbretërisë. Monedhat prej argjendi të Rizonit me mburojë - pegas dhe ato prej bronzi të Lyhnidit me mburojë gjysmë anije, të prera në emër të bashkësisë qytetare (??ss?t??, ?aك?at??, ?a??s??) dëshmojnë për një farë autonomie në marrëdhëniet ekonomike të këtyre qyteteve me mbretërinë.
Gjatë sundimit të Gentit, Skodra, Lisi dhe qytete të tjera të mbretërisë fituan një gjallëri të madhe ekonomike. Rrezja e qarkullimit të monedhave të prera në emër të mbretit apo të qyteteve e të fiseve në punishtet e Skodrës, Lisit, Rizonit, Lyhnidit etj., u shtrinë në skajet më të thella të Mbretërisë Ilire dhe në disa raste edhe përtej kufijve të saj. Në jug monedhat e Gentit zbresin deri në Dyrrah e Apoloni. Vetë prerjet e daorsëve dhe të labeatëve si dhe monedhat e gjetura në Mat, Peshkopi, Malësi e Madhe dhe në krahinat e thella të Malit të Zi, tregojnë se qarkullimi monetar kishte depërtuar dhe në krahinat e brendshme malore.
Politika e ndjekur prej Gentit në fushën e prerjeve monetare mund të konsiderohet një reformë e vërtetë, që i lejoi mbretit të përqendrojë në duart e tij mjete të fuqishme financiare. Dëshmi e qartë e kësaj është përmbajtja e thesarit mbretëror që u kap nga romakët. Livi na thotë se në arkën e mbretit u gjetën 27 ponde ari, 19 ponde argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha ilire argjendi. Kjo ishte një shumë e madhe që mbreti e kishte grumbulluar nga të ardhurat e pronarëve mbretërorë dhe taksat e rënda që u kishte vënë nënshtetasve.
Dendësimi i prerjeve monetare dhe përpjekja për të përqendruar në arkën shtetërore sa më shumë mjete financiare diktohej në radhë të parë nga gjendja ndërkombëtare. Rreziku romak sa vinte bëhej më i qartë dhe mbreti duhej të shtonte përpjekjet e tij për forcimin e ushtrisë dhe të flotës. Fakti që në kohën e shpërthimit të konfliktit efektivi i ushtrisë ilire numëronte 15 000 veta, me të cilët Genti u drejtua kundër romakëve (pa llogaritur këtu garnizonet e veçanta të qyteteve) dhe fakti që flota ilire numëronte ende në fund të luftës 220 anije, tregon se sundimtari ilir e kishte vlerësuar drejt këtë rrezik dhe u kishte kushtuar gjithë vëmendjen përgatitjeve për ta përballuar atë.
Ato elemente të organizimit shtetëror që në burimet e periudhës së sundimit të Agronit apo të pasardhësve të tij dolën në mënyrë sporadike, tek Genti vijnë e plotësohen dhe problemi bëhet më i qartë në tërësinë e tij.
Në kohën e Gentit, edhe pse e cunguar, Mbretëria Ilire shtrihej ende në një territor mjaft të gjerë dhe përfaqësonte fuqinë e dytë pas Maqedonisë, në pjesën perëndimore dhe jugore të Gadishullit. Pasi i dhanë Pleuratit Parthen dhe Lyhnidin, romakët i njohën Mbretërisë Ilire si kufi jugor Genusin; në lindje ajo përfshinte edhe tokat e Penestisë, kurse në veri pas shkëputjes së dalmatëve nuk shtrihej më tej se krahina rreth gjirit të Rizonit.
Kryeqytet i mbretërisë ishte Skodra. Njësitë administrative të saj duket se përputheshin me territorin rreth qyteteve. Ato kishin si qendër një qytet të rëndësishëm dhe rreth tij një varg kështjellash, të cilat mbronin kryeqendrën dhe gjithë krahinën. Një njësi të tillë formonte Rizoni me kështjellat e vogla rreth këtij gjiri. Që nga koha që Skodra u bë kryeqytet i mbretërisë duket se qendra e Labeatëve kaloi në Meteon. Në jug, si shembull mund të sillet krahina e penestëve, për të cilën burimet lejojnë të nënkuptohet se formonte një tërësi të tillë. Uskana, qyteti më i madh i penestëve, ishte kryeqendra e krahinës, kurse kështjellat që përmenden rreth saj ishin, me sa duket, qendra me funksione më të ngushta administrative e mbrojtëse.
Burimet nuk sjellin të dhënat e nevojshme për të përcaktuar sa njësi të tilla kishte mbretëria, megjithatë, duhet menduar se atje ku kemi një qytet të rëndësishëm, rreth tij kemi dhe një krahinë që formonte një njësi administrative të mbretërisë. Nuk mund të kërkohet kjo për krahinat e thella malore ku jeta qytetare nuk u zhvillua. Rolin e qendrave kanë mundur ta luajnë këtu vetëm fortesat e vogla që shërbenin si seli e aristokracisë së fiseve.
E mbështetur në ekonominë e përparuar skllavopronare të qyteteve Mbretëria Ilire e Gentit paraqitet me tipare të qarta të një monarkie të tipit helenistik. Pushteti më i lartë ishte në duart e mbretit. Ashtu si dhe parardhësit e tij ai mbante titullin “mbret i ilirëve” dhe sundonte si një mbret romak dhe nuk njihej në burimet ndonjë organ tjetër që të kufizonte veprimet e tij. Anëtarë të veçantë të familjes mbretërore zinin detyra me përgjegjësi në punët e shtetit, por rolin më të rëndësishëm në jetën politike e luanin “miqtë” e mbretit. Ata ishin bashkëpunëtorët më të afërt e më të besuar të tij. Këtë institucion, që ishte tipik helenistik e ndeshim në Mbretërinë Ilire për herë të parë gjatë sundimit të Teutës; “miqve” ajo u besoi drejtimin e punëve të shtetit. Në kohën e Gentit “miqtë” e mbretit luanin një rol të dukshëm në qeverisjen e vendit dhe ngarkoheshin me misione të rëndësishme diplomatike.
Mbreti ishte kryekomandant i forcave të armatosura tokësore dhe detare. Veprimet ushtarake i drejtonte vetë ose ua besonte komandantëve të veçantë. Bërthamën kryesore të ushtrisë që ishte mbështetja kryesore e pushtetit mbretëror e përbënin kontingjentet e rregullta, të cilat sipas rastit qëndronin si garnizone në qytete ose përqendroheshin për të ndërmarrë një ekspeditë apo për të përballuar luftimet në një front të caktuar. Burimet nuk bëjnë fjalë për forca ndihmëse në përbërjen e ushtrisë ilire, por nuk duhet përjashtuar mundësia që fiset malore të kenë ushqyer ushtrinë mbretërore me forca të tilla, sa herë që i thërriste mbreti, duke qenë të komanduara nga krerët e tyre.
Njësi e flotës ilire është lembi, një anije e vogël, por e shpejtë dhe e manovrueshme. اdo lemb, përveç rremtarëve, kishte edhe 50 luftëtarë që përbënin njësinë bazë të forcave ushtarake detare dhe mbase edhe tokësore ilire.
Mbreti kishte nën kontroll punishtet monetare dhe autorizonte prerjen e monedhave në emër të vet ose të bashkësisë qytetare e fisnore. Një aparat fiskal vilte taksat me të cilat Genti kishte ngarkuar shtetasit; kurse burgjet dhe nënkuptohet, një aparat dhune garantonin rendin e vendosur nga shtresa sunduese dhe përfaqësuesi i saj më i lartë, mbreti.
Në marrëdhëniet me botën e jashtme shtetin e përfaqësonte gjithashtu mbreti; ai shpallte luftën dhe përfundonte paqen, lidhte aleanca, zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta ose përmes përfaqësuesve caktonte pengje për të garantuar një marrëveshje, merrte hua etj.
Administrimi i qyteteve dhe i krahinës që lidhej me to u besohej dinastëve, të cilët mbreti mund t’i zëvendësonte. Në zonën qendrore të mbretërisë Genti arriti ta kufizonte shumë autonominë e qyteteve dhe ta dobësonte autoritetin e dinastëve lokalë, të cilët në burimet njihen ndryshe dhe si “principa illyriorum”.
Siç shihet, në këtë periudhë shteti ilir paraqitet me një strukturë të gjithanshme dhe me organe administrative që ishin ngarkuar me funksione të ndryshme në veprimtaritë për forcimin e pushtetit qendror dhe konsolidimin e shtetit. Reforma monetare ishte një shprehje e qartë e kësaj politike. Kontradiktat në plan ndërkombëtar që mplekseshin me ato sociale, të brendshme, e diktonin një politikë të tillë. Genti e përçoi këtë pa ngurrim dhe me rezultat në zonën qendrore të mbretërisë.
 
Gjendja politike në Ballkan e në Iliri pas vitit 196

Ardhja në fuqi e Gentit dhe gjallërimi i forcave antiromake në Iliri
Pasi fitoi luftën e dytë me Maqedoninë, Roma u kujdes të forconte pozitat e saj në Greqi dhe të zinte këtu vendin e Maqedonisë. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi me mjeshtëri kontradiktat që ekzistonin midis shteteve greke; duke përkrahur Lidhjen e Ahesë asgjësoi lëvizjen e Nabisit në Spartë, më pas u dha fund pretendimeve të Lidhjes Etole për hegjemoni në Greqi dhe njëherësh me këtë u preu rrugën synimeve të Antiohut të Sirisë mbi këtë vend.
Në këto ngjarje Mbretëria e dobët Ilire, e varur dhe e lidhur me detyrime ndaj Romës, veproi si aleate e saj. Pleurati qe detyruar të dërgonte flotën e tij kundër brigjeve të Greqisë dhe të ndihmonte me këtë për fitoren romake mbi etolët në vitin 189.
Edhe Filipi V mori anën e romakëve. Ai i ndihmoi ata kundër Nabisit dhe pastaj edhe në luftën kundër etolëve dhe Antiohut. Duke u përzier në këtë luftë Filipi shpresonte të përmirësonte pozitat e tij dhe u mundua t’i kthejë Maqedonisë një pjesë të tokave të humbura, por romakët e detyruan të tërhiqej në kufijtë e vitit 196, duke i dhënë të kuptonte se nuk kishin ndërmend të ndanin me të pozitat e tyre në Greqi.
Interesat e Maqedonisë u ndeshën përsëri me politikën agresive të Romës. Filloi një periudhë e re marrëdhëniesh të acaruara, që çuan dalëngadalë në konfliktin e fundit të armatosur midis tyre. Përgatitjet për luftë gëlltitën për shumë vite me radhë burimet më të rëndësishme ekonomike dhe ngritën në këmbë forca ushtarake që nuk kishte njohur më parë historia e luftërave të këtyre dy vendeve. Me luftën e ashpër politike për të bërë aleatë dhe përkrahës ato e shtrinë konfliktin mbi një zonë të gjerë të Ballkanit dhe të Lindjes. Shtetet e kësaj zone dhe shtresat e ndryshme shoqërore u tërhoqën në konflikt sipas interesave të tyre politike dhe ekonomike.
Historia e shtetit ilir në këtë kohë është e lidhur ngushtë me përpjekjet që bëhen në Maqedoni dhe në Ballkan për të përballuar rrezikun e ri romak. Gjendja që u krijua pas luftës kundër etolëve dhe Antiohut dhe ngjarjet e lidhura me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Romës gjetën një vlerësim të ri në Iliri. Politika agresive e Romës që synonte tani asgjësimin e plotë të shtetit maqedon nuk mund të pritej mirë nga shtetet e vogla të Ballkanit, duke përfshirë këtu edhe shtetin e dobësuar ilir. Gjendja e ekuilibruar që ishte krijuar nga prania përballë njëra-tjetrës në Gadishull e forcës maqedone dhe asaj romake, ishte i vetmi faktor që kishte siguruar, në një mënyrë ose në një tjetër, mbijetesën e këtyre shteteve. Prishja e kësaj gjendjeje nuk ishte në interesin e tyre. Duke vlerësuar drejt këtë rrezik u gjallëruan dhe u aktivizuan forcat antiromake në Iliri. Si pasojë, në vitet e fundit të sundimit të Pleuratit vihet re një kthesë në marrëdhëniet e mbretit ilir me Romën, që u shpreh në afrimin e tij me Maqedoninë. Të dhënat numizmatike dëshmojnë për vendosjen e lidhjeve të ngushta ekonomike dhe politike midis shtetit ilir dhe Maqedonisë. Edhe prania e trupave ilire në përbërjen e garnizonit të Kasandresë që provohet nga Livi dhe që sipas fjalëve të tij “i pat dërguar prej kohësh Pleurati”, vërteton këtë mendim.
Senati reagoi me forcë të madhe kundrejt qëndrimit të ri ilir, veçanërisht pas ardhjes në fuqi të Gentit, i cili pasoi Pleuratin në vitin 181. Politika romake u drejtua kundër mbretit të ri me tërë ashpërsinë e saj. Ai u akuzua si nxitës për rifillimin e piraterisë nga ana e ilirëve dhe për trajtimin e keq që po u bëhej gjoja aleatëve të Romës dhe qytetarëve romakë në Korkyra Nigra. Me këtë pretekst senati caktoi në vitin 178 një flotë të posaçme prej 10 anijesh, e cila do të vepronte në Adriatik për të ruajtur nga flota ilire ujërat midis Ankonës dhe Tarantos.
Brenda vendit mbreti u vu, jo pa nxitjen e Romës, përpara vështirësive edhe më serioze. Kundër tij u ngritën dalmatët, të cilët u shkëputën nga mbretëria. Përpjekje të tilla u bënë edhe nga krerë të fiseve të tjera. Gentit iu desh të bënte një luftë të ashpër kundër aristokracisë së lartë me tendenca proromake, e cila kishte përkrahës edhe në oborrin mbretëror. Në këtë luftë ai nuk u ndal as përpara sakrifikimit të vëllait, Platorit, që Roma synonte ta vinte në fron në vend të tij.
 
Mbretëria e Dardanisë

Mbretëria Dardane doli në skenën historike në shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.sonë Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake. dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 e.sonë. Mëvehtësia e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që në vitin 279 e.sonë të krijohej njësia e veçantë administrative-politike romake, Provinca e Dardanisë
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top