Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
Ledia Dushku

Kur Ismail Qemali u nis nga Stambolli për në Bukuresht, Lufta e Parë Ballkanike kishte hyrë në fazën e fundit. Ushtria osmane e thyer po mundohej më kot t’i bënte ballë sulmit të ushtrive ballkanike. Parimi i ruajtjes së status- quo-së, i pranuar nga Fuqitë e Mëdha pa plasur mirë lufta, ishte tashmë një kartë e djegur. Qëllimet “parimore” të fillimit të Luftës nga Aleatët Ballkanikë, ia kishin lënë vendin kontradiktave mes tyre në lidhje me ndarjen e trashëgimisë osmane. Ecuria e luftës dhe përparimi i ushtrive ballkanike në viset shqiptare, jo vetëm shqetësoi, por edhe ndërgjegjësoi më shumë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Kishte ardhur koha për veprime konkrete dhe të shpejta, në mënyrë që Shqipëria të kishte të ardhme politike, në të kundërt, gjasat ishin që ajo të copëtohej mes shteteve fituese ballkanike. Merita e Ismail Qemalit dhe e mbështetësve të tij qëndronte pikërisht në vlerësimin e drejtë të një situatë të tillë, vlerësim që solli më pas reagimin në kohën dhe vendin e duhur për shpalljen e pavarësisë.
***
Po pse Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht? Përveç arsyes që lidhet me mbështetjen që ai, me të drejtë, mendonte se do të gjente tek shqiptarët e kolonisë së Bukureshtit, mendoj se ka edhe një arsye të dytë. Ajo mendoj se lidhet direkt me planin që Ismail Qemali pretendonte të realizonte. Lufta Ballkanike sigurisht që do të sillte një ri përcaktim të kufijve në Ballkan. Sipas tij, zgjerimi i frontit sllav ishte evident. Në një situatë të tillë, Rumania, Shqipëria dhe Greqia duhej të ishin pjesë e frontit të dytë në Ballkan. Kështu, së afërmi Ismail Qemali mendonte se Ballkani do të ndahej në dy kampe: nga njëra anë vendet sllave Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi nga ana tjetër Rumania, Shqipëria dhe Greqia. Vetëm kështu, ai mendonte se do të mund të arrihej një lloj ekuilibri në Ballkan. Dëshira për vendosjen e një ekuilibri të tillë ishte sipas tij, një nga arsyet pse Austro-Hungaria ishte aq e vendosur për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë. Për jetësimin e një ekuilibri të tillë, krijimi i Shqipërisë ishte domosdoshmëri dhe ai nuk duhej mbështetur vetëm nga Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera të Mëdha, por të paktën edhe nga Rumania dhe Greqia.
***
Menjëherë sapo mbërriti në Bukuresht, Ismail Qemali u takua me ministrin e jashtëm rumun, Take Ionesku, i cili e siguroi për mbështetjen që Rumania do t’i jepte çështjes shqiptare. Ndër të tjera ky interes lidhej edhe me popullsinë vllahe, të cilën ajo pretendonte ta shkëpuste nga ndikimi grek, duke e bërë pjesë të shtetit të ardhshëm shqiptar. Ismail Qemalit i mbetej për të konfirmuar mbështetjen për çështjen shqiptare nga Fuqitë e Trepalëshit dhe Greqia.
Javën e parë të nëntorit, Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi e Kristo Meksi, la Bukureshtin dhe iu drejtua Vjenës, ku mendohej se do të gjenin mbështetje për të ardhmen e Shqipërisë. Në takimet që Ismail Qemali zhvilloi me përfaqësuesit austriakë e italianë, u bind se kishte ardhur koha për ta lënë mënjanë autonominë dhe për të kaluar drejt pavarësisë. Pasi arriti të sigurojë mbështetjen e tyre, mbetej për të biseduar edhe me qeverinë greke. Nëse ajo mbështeste pavarësinë e Shqipërisë, rruga për diskutime të mëtejshme me Greqinë mbetej e hapur.
Ashtu sikurse kishte ndodhur edhe në momente të tjera të rëndësishme për shqiptarët, Ismail Qemali nuk kishte hezituar të kërkonte mbështetjen e Greqisë zyrtare. Ai vazhdonte të mendonte se qeveria greke përkrahte luftën e popullit shqiptar dhe të besonte se ajo do të mbështeste interesat e përbashkëta të Greqisë dhe të Shqipërisë. Në fakt, Mbretëria Greke ishte në dijeni të lëvizjeve të Ismail Qemalit. Që më 6 nëntor të 1912, fill pas mbledhjes që Ismail Qemali bëri me përfaqësues të kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ambasadori grek atje kishte njoftuar Ministrinë e Jashtme mbi qëllimin e Ismail Qemalit për të mbledhur në Vlorë, anëtarët e komiteteve brenda dhe jashtë Shqipërisë në një kuvend kombëtar, i cili do të themelonte një qeveri të përkohshme në krye të së cilës do të ishte ai vetë. Në takimin e mesit të nëntorit të vitit 1912, Ismail Qemali vuri në dijeni ministrin e jashtëm grek, nëpërmjet ambasadorit grek në Vjenë, në lidhje me iniciativën e tij për shpalljen e pavarësisë dhe mbështetjen që kishte arritur të siguronte nga Austro-Hungaria. Qeveria shqiptare që do të krijohej prej tij, nuk do të merrte pjesë në luftën ballkanike. Në atë kohë Greqia në dallim nga Serbia nuk kishte zbarkuar ende fuqishëm në territoret shqiptare. Ajo vetëm kishte rrethuar Janinën. Nëpërmjet një njoftimi të tillë, Ismail Qemali, duket se synonte nga njëra anë të ndalte okupimin e territorit shqiptar nga ushtria greke dhe nga ana tjetër të qetësonte disi Greqinë në lidhje me pjesëmarrjen shqiptarëve në luftë si pjesë e ushtrisë osmane. Duke qenë i vetëdijshëm në lidhje me problemet që mund të shkaktonte çështja e kufijve greko-shqiptare, ai i kërkoi Greqisë njohjen e qeverisë e tij me rezervën e një përcaktimi të kufijve në të ardhme. Në këmbim të predispozitave të mira që Greqia do të shprehte ndaj Shqipërisë, kjo e fundit merrte përsipër të mbështeste Greqinë kundër koalicionit sllav. Kjo mbështetje të lë të mendosh se Ismail Qemali vazhdonte ende të besonte në planin e tij për krijimin e një fronti antisllav, duke dashur ta shkëpuste Greqinë nga koalicioni ekzistues ballkanik dhe ta bënte pjesë të tij.
***
Por a ishte e gatshme Greqia të mbështeste shqiptarët në një ndërmarrje të tillë, tepër të rëndësishme për të ardhmen politike të viseve të tyre?
Brenda zyrtarëve greke kishte një rrymë që mbante një qëndrim më realist ndaj shqiptarëve. Ajo promovohej nga drejtori i zyrës shqiptare në Ministrinë e Jashtme Greke njëkohësisht edhe këshilltar politik i komandantit të ushtrisë së Epirit, Sahturis. Ai ishte njohës shumë i mirë i çështjes shqiptare, madje ishte edhe hartues i disa raporteve e studimeve të hollësishme në lidhje me të, për qeverinë greke. Duke mbështetur shqiptarët për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, Sahturisi dhe përkrahësit e tij pretendonin të evitonin një pushtim të mundshëm të Vlorës prej Italisë dhe njëkohësisht t’i tregonin Evropës dhe pjesës dërrmuese të shqiptarëve qëllimet e mira që Greqia kishte duke ndihmuar në themelimin e shtetit shqiptar, por pa toleruar në çështjet kufitare. Nëpërmjet një ndihme të tillë, ajo rrymë mendonte të shkëpuste Shqipërinë nga ndikimi i Austro-Hungarisë dhe mbi të gjitha nga ai i Italisë. Por mbledhjet e qeverisë treguan se mendimet e Sahturisit ishin pakicë. Ato u mbështetën vetëm nga një ministër. Të gjithë të tjerët ishin kundër.
Qëndrimin e qeverisë greke në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, e shpreh përgjigja e datës 16 nëntor 1912, që qeveria greke i transmetoi konsullit grek në Trieste, për Ismail Qemalin. “T’i thuash - i rekomandonte ai, - se nuk ke marrë ende orientime nga qeveria jote, por je i mendimit se qeveria greke do të duhej të njihte kufijtë e Shqipërisë”. Në pamje të parë të duket se një tekst i tillë, mbështet shqetësimin që kishte edhe Ismail Qemali, pra atë të kufijve. Përgjigja të krijon përshtypjen se Greqinë nuk e shqetësonte akti i shpalljes së pavarësisë. Duket se kështu u kuptua ajo edhe nga Ismail Qemali. Në takimin që ai pati me konsullin austriak në Durrës, para se të nisej për në Vlorë, i konfirmoi atij premtimin që qeveria greke i kishte bërë atij për shpalljen e pavarësisë.
***
Duket se qeveria greke nuk ishte e gatshme të deklaronte hapur qëndrimin e saj. Jam e prirur të mendoj se pavarësisht simpative reciproke që ajo dhe Ismail Qemali kishin pasur në vazhdimësi për njëri-tjetrin, qeveria greke nuk ishte e gatshme ta mbështeste pavarësinë e Shqipërisë për shkak të marrëdhënieve të afërta me Serbinë, qëndrimit që ajo kishte marrë tashmë në mbështetje të planit serb për copëtimin e territoreve shqiptare dhe frikës se shqiptarët do të kërkonin që territoret jugore të pretenduara prej saj të ishin pjesë e shtetit shqiptar. Por, ajo nuk kishte as fuqi që ta pengonte shpalljen e saj, sepse Ismail Qemali kishte siguruar mbështetje ndërkombëtare të Fuqive të Trepalëshit. Në një situatë të tillë, qeveria greke u përpoq ta vononte shpallje e Pavarësisë, të paktën deri në mbajtjen e Konferencës së Londrës. Në mungesë të reagimit shqiptar, Austro-Hungaria dhe Italia do ta kishin më të vështirë të mbronin çështjen shqiptare dhe fqinjët më të lehtë për të legjitimuar pretendimet e tyre në viset shqiptare.
Një politikë e tillë u shpreh së pari në mos heqjen e bllokadës së Vlorës, duke e detyruar anijen austriake me Ismail Qemalin në bord, të drejtohet për në Durrës. Së dyti në atmosferën penguese që atij ju rezervua në Durrës nga mitropoliti i qytetit, Jakovi. Qëndrimet e tij si ndaj shpalljes së pavarësisë ashtu edhe ndaj pushtimit të qytetit nga ushtria serbe, ishin në mbështetje të politikës greke. Zbritja e ushtrisë serbe në Durrës, shikohej nga shtypi grek, si faktor frenues i aktit të Shpalljes së Pavarësisë. I cilësuar nga një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve si “nacionalist anadollak”, Jakovi, në marrëveshje me autoritetet osmane të qytetit, doli në mbrojtje të sistemit të vjetër osman duke kundërshtuar hapur ngritjen e flamurit shqiptar në Durrës nga Ismail Qemalin. Meshat e mbajtura prej tij, kishin lënë mënjanë punët fetare për t’i përkushtuar punëve politike. Në to, Ismail Qemali cilësohej të ishte një fanatik mysliman e aventurier, dhe Pavarësia e Shqipërisë si prishëse e harmonisë mes të krishterëve e myslimanëve. Me asistencën edhe të konsullatën greke në Durrës, ortodoksëve të qytetit iu ishte bërë thirrje për t’i mbajtur shpresat tek pushtimi i shpejtë i qytetit nga forcat serbe. Ndërkohë me anë fletushkash, tregtarëve ortodoksë durrsakë u bëhej thirrje, ta shihnin me kënaqësi pushtimin e qytetit nga serbët, sepse komanda serbe do t’u jepte atyre përkrahje. Jakovi së bashku me një kryqëzor grek ishte nga pritësit e parë të serbëve në Durrës. Parullat e hedhura nga besnikët e tij shprehnin hapur kënaqësinë e pushtimit të qytetit nga serbët.
***
Në fakt, Greqia, megjithëse e dëshiroi vonesën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pa dashjen e saj ka gjasa të ketë ndikuar në të kundërtën. Nga një material i gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin e Ismail Qemalit, Kuvendi i shqiptarëve i cili do të shpallte pavarësinë, pritej të mbahej ditën e hënën, më 2 dhjetor 1912. Mbajtja e tij në atë datë sipas materialit në fjalë, lidhej me ardhjen Myfid Libohovës nga Janina, ku kishte shkuar të takonte komandantin e ushtrisë osmane, Esat pashë Janinën dhe kishte arritur të shmangte arrestimin e Ismail Qemalit nga forcat osmane. Duke tentuar të priste lidhjen telegrafike nënujore, Vlorë-Otranto, e cila pretendohej se përdorej nga organet osmane për të transmetuar lajme të rëndësishme ushtarake, Greqia duhet t’i ketë detyruar shqiptarët të shpejtonin mbajtjen e Kongresit, pa pritur ardhjen e Myfit Libohovës dhe të një pjese të delegatëve. Të vënë në dijeni mbi përpjekjen greke, përfundimi me sukses i të cilës shkëpuste edhe lidhjen e Vlorës me botën e jashtme dhe pengonte njoftimin e shpalljes së pavarësisë, delegatët shqiptarë të mbledhur në Vlorë shpallën pavarësinë e Shqipërisë, disa ditë përpara, të enjten më 28 nëntor 1912.

*) Master/ Instituti i Historisë, Tiranë G.Sh​
 
Titulli: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

feja gjithmone ka futur hundet ne punet to dhe asnjehere sna ka mbeshtetur ne deshiren e popullit per liri dhe gjuhe.
Sa per greqine dhe mbeshtetjen qe na ka dhene per shpalljen e pavaresise ..... Me duket si anektode.!!

 
Titulli: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Po kush i shpik keto gjera ???????? greqia donte nese kishte mundesi te merte te gjithe Shqiperin, ketu na dali qe edhe e paska ndihmuar !!!!!!!!
 
Titulli: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Shqiperia,kali i trojes dhe Cameria.Se`sa e ka ndihmuar lexoni se si u vendos Cameria te kalonte nen greqine.Kush komision e vendosi,kush ishte kryetar Komisioni dhe kush e vrau kete kryetar komsioni.
I lini keto teori te ndyta qe mbajne ere pagese te piste ..Shikonperfundimin,faktin se cfare ndodhi.Cameria asht pothuaj sa Shqiperia si siperfaqe.Propaganda per ke behet,per budallenjte natyrisht.Shqiptaret nuk jane te tille.
 
Redaktimi i fundit:
Titulli: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Greket kane qene gjithmone kunder nesh,gjate gjithe historise se kombit tone.Absurde.....
 
Pe: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Ne nuk i hame keto dokrra.
Greket kane thene:-Me lekuren e shqiptareve do te bejme kepuce.
E tani na del se po ndihmon kosoven.
Sa ka ec shkenca
 
Pe: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Po mbase ka ndodhur edhe keshtu , por kjo sdo te thote qe donin pavaresine tone sepse na kishin ne zemer ..

Mund te donin qe te ishim te pavarur e pastaj te na copetonin me serbine ..;)

Gjithmone bota diplomatike ecen me plane afatgjate ...

Sic kishte shkruajtur edhe nje serb , qe do vendosim disa serb ne kufi te kosoves dhe shqiperise ,qe ne fund te duket sikur kosovaret jane te ardhur ...
 
Pe: Greqia ndihmoi Pavarësinë e Shqipërisë

Ndoshta kane afruar ndihme ne shkembim te tokave shqiptare gjere ne Vjose... :p
Akoma na dua shume sidomos vorio epirin edhe ne enderr iu del nga dashuria e madhe qe kane per ne..
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top