Darius
DENY IGNORANCE
Festa faraonike e Lalzit që “u shpëtoi syve tanë”
Lajmi mbi 45 vjetorin e Ilir Metës, tok me festën që u organizua me këtë rast, tok me raportimin mediatik të lajle-lule-izuar që iu bë kësaj ngjarjeje, tok me një si kërshëri metropolitane që fryhej e fryhej (dy-tri orë përpara festës në Lalëz, teksa ishim në përurimin e librit të Rudina Xhungës, secili pyeste secilin: po ty të ka ftuar Ilir Meta?), tok dhe me një dëshirë transversale të të gjithë honxhobonxhove të Shqipërisë së këtyre kohëve për të qenë atje (e bukura ish se mes të ftuarve ishin dhe dhjetra njerëz të Berishës), të gjitha këto pra kanë pasur një efekt tronditës tek opinioni publik. Sikur ne të kishim një shtyp që do kish interes për atë që mendonte e ndjente opinioni ynë publik, faqet e para të gazetave e titujt kryesorë të lajmeve në TV do të ishin të llojit: “Shqiptarët janë të skandalizuar nga arroganca e pacipësia e njerëzve me pushtet”. Mirëpo ne nuk kemi një shtyp të tillë. Ne kemi një shtyp tjetër, një shtyp që këtë festë faraonike në mes të mizerjes e raporton si të ish fjala për një ndeshtrashë zbavitëse të showbiz-it nacional.
Ilir Meta i ka qejf sondazhet, dhe faktet kanë treguar se di t’i bëjë (sondazhin që bëri para zgjedhjeve të 23 qershorit, e që atë e nxirrte në kuotat elektorale që më pas u konfirmuan nga shifrat e KQZ-së nuk ia besonte askush; por ja që doli ashtu siç thosh ai), e prandaj do bënte mirë që ta bënte një sondazh lidhur me atë që mendojnë shqiptarët mbi harbimin që u bë në Lalëz me rastin e datëlindjes së tij. E sikur ta bënte këtë sondazh, do kuptonte se shqiptarët, që të gjithë, edhe ata që kanë votuar për të, kanë mbetur në rastin më të mirë pa gojë nga kjo që morën vesh.Ka qenë një ngjarje plot xixa, bujë, pompë e tangërllik parvenu-sh (45 vjetori nuk është as ndonjë përvjetor me ndonjë ngarkesë të veçantë). Ka qenë atje një pjesë e establishmentit (600 vetë, thonë) që e sundon këtë vend prej më shumë se 20 vitesh (foljen “sundoj”, në vetën e tretë njëjës, jeni të lutur ta merrni në kuptimin më të parë, gërmë për gërmë), politikanë, intelektualë publikë, biznesmenë, këngëtarë, balerinë, artistë, shkrimtarë, të majtë e të djathtë, etj, etj. Në krye binin në sy kryeministri, dhe sebepçiu, kreu i Kuvendit.
Ka ndonjë të keqe në këtë mes? Jo domosdoshmërisht. Jo apriori. Dhe ndërsa jap këtë përgjigje të qetë, të ftohtë, pa pikë emocioni, për pyetjen që shtrova vetë, po lë të nënkuptohet se nuk ka asnjë problem me kostot e kësaj darke. Të kuptohemi, kostoja ka qenë me siguri e ububushme. Më thanë, se vetëm çadra e ngritur, me ndriçimin e me të gjitha elementet rekuizitivë, skenikë e regjizorialë, ka kushtuar sa qimet e kokës. Nuk po e jap shifrën që më thanë, pasi nuk kam fuqi ta dokumentoj, ama kush ish atje të betohej se e gjithë ajo ngjarje kullonte luks e shkapërderdhje. Ish gjëja më mondane që është parë këtyre anëve në mijra vite histori. Por – përsëris – po bëj sikur nuk ka asnjë problem, asnjë për be, me kostot stratosferike të asaj mbrëmjeje, po e përjashtoj në mënyrë absolute mundësinë që kjo darkë mund të jetë sponsorizuar nga tangjente, nga biznesmenë të lidhur me pushtetin, apo nga njerëz të bërë biznesmenë me ndihmën e pushtetit, po supozoj se Meta është në gjendje t’i mbulojë vetë shpenzimet që janë bërë me atë rast, është në gjendje t’i mbulojë me të ardhura që ai i ka të fituara në mënyrë legjitime, po supozoj pra se kuturisja me fjalët “shiko se deri ku ka arritur korrupsioni!” është një kuturisje ligavecësh, që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër në këtë botë, veçse të bëjnë aluzione prej dashakeqi, të denigrojnë, të baltosin, të shpifin, etj, etj. Ju e kuptoni se çfarë sforcimi psiko-mental na duhet për ta bërë, e për ta besuar, këtë supozim, por unë po e bëj.
Por edhe pas këtyre supozimeve mbetet prapëseprapë një problem. E gjitha ajo që ndodhi në Lalëz, e që mediat e panë si një ngjarje me rëndësi kombëtare dhe e mbuluan në mënyrë krejt akritike, madje me prirjen e gatishmërinë për ta raportuar plot ngjyra të gëzueshme, të qasej si një gjest aq arrogant, sa ti, i kapur në befasi, zë e pyet veten: Mirë të gjitha, po nuk mund t’na e kursenin këtë gjë? Nuk mund të na e kursenin këtë show? Unë nuk kam përgjigje për këto pyetje. Por kam një vëzhgim për të ndarë me ju: Asnjë opinion e koment kritik mbi këtë festë nuk u shkruajt e nuk publikua në gazetat shqiptare. Nuk u ndjenë as gazetarët që me këtë pushtet kanë një marrëdhënie armiqësore by default. I vetmi zë që u dëgjua ishte ai i Lulzim Bashës. “Provokacion”, e quajti këtë harbim, dhe kjo është tamam fjala e duhur. Por nuk ka ndonjë shqiptar që beson se Bashës i është shpifur njimend prej kësaj feste. Basha është duke bërë thjesht politikë. Përveç kësaj, ka shumë gjasa që dikush t’i ketë tërhequr veshin për këtë çalltisje. Dikush që, edhe pse s’mundi të shkonte, dërgoi të vetët atje. Në Lalzin e famshëm dhe historik.