Butrinti.

Bilderberg

Anëtar i ri
Si paraqitej Butrinti nga kartografi i njohur Vincenso Maria Coronelli plot 320
vjet më parë? Një hartë e panjohur e cila botohet për herë të parë, paraqet
“Butrintin me rrethina” dhe është botuar në vitin 1688. Teknika e punimi të kësaj harte-gravure, është me stampim, e incizuar në fletë bakri, dhe e botuar pa ngjyra

BUTRINTI 1688 NJث HARTث E PABOTUAR Nث SHQIPثRI

Shkruan: Artan Shkreli Revista “MILOSAO”


Kur i apasionuari Auron Tare, alias “cerberi i Butrintit”, më tregoi hartën venedikase që po botojmë këtu, mbeta i shtangur dhe pata një impuls të papërmbajtur të bëja publike disa fakte në lidhje me të si dhe me kohën e botimit të saj. Me një vështrim pak të kujdesshëm, merret vesh se kjo hartë ka dalë nga dorë e kartografit të njohur Vinceso Maria Coronellit (1650-1718). Ai punoi kryesisht në Venetي duke lënë pas, veç tjerash, hartat me të detajuara të kohës për Arbëninë. Disa konsiderata mbi personalitetin e françeskanit të madh, At Coronellit i pata shprehë më herët në një shkrim timin mbi “Kartografinë përrallore të Arbënisë Coronelliane”, dhe për këtë nuk dua të zgjatem më këtu, por dua të qëndroj ca mbi hartën e tij të Butrintit.


Harta paraqet “Butrintin me rrethina” dhe është botuar në vitin 1688, pra para 320 vjetësh. Nga sa duket harta bën pjese në përmbledhjen pishtullore (pishtull=fashikull) titulluar “Citta’, fortezze, ed altri Luoghi, principali Dell’Albania, Epiro e Livadia, e particolarmente i posseduti da Veneti” (Qytete, fortesa dhe vende te tjera te rendesishme te Arbënisë, Epirit e Livadisë e veçanerisht zoterimet e Venedikut) botuar në Venecje. Por grafika të tilla do të gjejmë edhe në vepren tjeter të Coronellit “Dete, gjinj, ishuj, plazhe, porte, qytete, fortesa e vende të tjera të Istrisë, Kvarnerit, Dalmacjes, Arbënisë, Epirit e Livadisë”, vepër e cila do të bëhej bazë të dhënash për një a dy breza kartografësh nga e Evropa Qendrore e Perëndimore.
Teknika e punimi të kësaj harte-gravure, është me stampim, e incizuar në fletë bakri, dhe e botuar pa ngjyra - sikurse tregohet më poshtë. Formati i grafikes është, si gjithnjë, në përputhje me standardin 44.7 x 59.8 cm, të fletës së ashtuquajtur perandorake, (dhe nënfish i saj). Vizatimi eshte i plotë dhe brenda formatit; kjo theksohet nëpërmjet një kornize të skicuar me dopio-vizë.

Harta, e cila mban nr. 57 (?), është relativisht e varfër në përshkrime, pasi territori që ajo përfshin është i kufizuar. Veriu shenohet në kartë me shigjetë harku dhe përputhet bukur mirë me drejtimin real të topografisë së vendit, ndërsa shkalla e hartës jepet sipas njësive të vjetra të matjes tokësore, me passi (hapa). Njësia bazë, e dhënë në skalimetrin krahasues në fund të fletës, është 700 hapa, dhe duke përllogaritë (pas doracakëve të vjetër) se 1 hap (passo) H” 1.4 m, del se 700 hapa H” 980 m, pra afër 1 km. Si rrjedhim, saktësia në shenimit e këtij territori është e shkallës së lartë.



Mikrotoponimet e shenuara janë vetëm tetë, të cilësuara si më poshtë:
1. Acque morte; 2. Butrintٍ; 3. Canale di Corfù; 4. P. Dalmura; 5. P. Vatى (?); 6. Palude (2 here); 7. Poulla F.; 8. S. Dimitri.

Duke gjykuar nga shenjat diakritike të germave latine të përdorura, kuptohet se dialekti i shkrimit është italishtja e Venetisë. Mënyra e shkrimit (germa kapitale ose jo, apo shkronja te medha ose te vogla) përcakton edhe rëndësinë e toponimit në hartë. Ky rend duket se nuk është i rastësishëm, për arësye se Coronelli nuk qe thjesht një kartograf i mirë; katër vjet para se të hartonte këtë kartë, më 1684-en kish formuar të parën shoqëri gjeografike në botë emërtuar Akademia Kozmografike e Argonautëve. Afërmendsh një ndër detyrat e kësaj shoqërie, ish dhe normimi e standartizimi i shenjave grafike ndër harta, si dhe krijimi i një gjuhe teknike të kuptueshme për të gjithë. Ky është motivi pse shkrimi më i rëndësishëm këtu është CANALE DI CORFظ. Ashtu veprohet edhe sot.
 

Attachments

  • BUTRINTI1688.jpg
    BUTRINTI1688.jpg
    50 KB · Shikime: 20
  • VincensoMariaCoronellit.jpg
    VincensoMariaCoronellit.jpg
    45.3 KB · Shikime: 17
Këtë vit pra, mbushen plot 320 vjet nga realizimi i kësaj harte (e cila do ribotohej me sukses edhe më 1706-en), por që atëherë morfologjia e territorit të Butrintit duket se ka ndryshuar fare pak:

1. Acque morte – Ujra të Vdekura; me këtë term Coronelli shënon anën e djathtë, përtej kanalit që bashkon detin Jon me liqenin e Butrintit. Duket se në kohë të tij kjo pjesë ka qenë e mbuluar prej ujerave të detit, por në një thellësi të paperfillshme; aq sa të konsiderohej si zone me ujra të vdekura (ndenjura). Kështu në terminologjinë e kohës shënoheshin cektinat e skajme, ku nuk mund të afrohej barka pasi rrezikonte ngecjen në ranishte. Coronelli nuk na jep hollësi të tjera për këtë pjesë, por në harta të mëpastajme shihet se venedikasit e përdorin këtë xhep të amullt të detit për peshkore (rezervat peshku). Kjo verehet në hartat e fundit të ‘700-ës, e sidomos në hartën e Kontit Guilleminot më 1826, ku shënohet edhe rrethimi i peshkores nga ana e detit. Me kalimin e kohës, në 2-3 shekuj, kuota e tokës eshte ngritur në këtë vend dhe një vegjetacion i lehtë e ka shoqeruar këtë ngritje. Ky fakt i pat nxitë bonifikuesit e socializmit për ta shndërruar tokën e re në tokë buke, e për këtë u drenuan ujrat me ndihmën e një hidrovorit. Por duket se përpjekja nuk pati ndonjë sukses (mgjth për vite aty u mbollën kultura bujqësore): kripa e asaj toke dhe përmbytja e hera-hershme e saj nga ujrat e larta të detit bënë që pas viteve ’90 të hiqej dorë nga një mund i tillë dhe toka ti kthehej gjendjes së saj natyrale. Natyra po e shpërblen këtë rikthim. Sot aty, mes bimësise karakteristike (që e duron kripën) kanë gjetë strehë një mori zogjsh të rrallë dhe një turizëm interesant zoologjik ka marrë udhë. Janë me dhjetra ata që çdo sezon shohin me tejqyra e dylbi morinë e pashoqe të zogjve, për të cilët Butrinti është bërë tashmë ndërkombtarisht i njohur. Jo se nuk ka më një zonë me ujra të vdekura aty pari, porse ajo është shtyrë e ngucur tej në drejtim të detit.

2. Butrintٍ – Venedikasit, por dhe osmanet, e kanë ditë gjithnjë se ç’përfaqesonte ai truall aty, me gjithë të kaluarën e tij. E pas tyre edhe frëngjtë e me rradhë. Inglizët e patën përshkruar shpesh në udhërrëfimet e tyre, e madje edhe skicuar nga këndvështrime të ndryshme, kështuqë na tingullon paksa pabesueshëm ajo që Ugolini pohon, se në fillim të shek. XX paskësh “zbuluar” Butrintin e lashtë. E jo vetëm hartat venedike, por edhe ato frënge e inglize, deri vonë në shek. XIX, emertesat e zonës së Butrintit i barabisnin me ato që Virgjili përshkruante në Eneiden e tij (kur kur Eneu dhe i jati, Ankizi, mbërrijnë në Buthrot). Në fakt At Coronelli, dëftohet kartograf vërtet modern, pasi nuk i referohet toponimisë së Virgjilit, por asaj bashkëkohore të shek XVII. Dihet se ai e ka shëtitë pjesën më të madhe të zoterimeve venedike në Adriatik e Jon, e për nga mënyra se si e skicon Butrintin, duket qartë se e ka vizituar atë. Treqindenjezet vjet më parë shohim se çuka e Butrintit ish ende e pamveshur nga pylli dhe se muret e qytezës antike shkriheshin me ato bizanto-mesjetare. Coronelli me një përpikmeri të admirueshme vizaton të tre muret rrethuese të Butrintit – mure që më pas do zbuloheshin nga ekspeditat arkeologjike të shek. XX. Dhe sikurse shihet, edhe distanca ndërmjet tyre vizatohet me mjaft përpikmëri (krahaso Genplanin modern sipas orientimit Nord). Veç akropolit dhe mureve rrethuese aty shfaqen edhe tre objekte të mirëpërcaktuara: njëra syresh, në breg të liqenit, ajo më në veri, është bazilika paleokristiane; një tjetër më në jug, duhet të jetë kulla e madhe katërkendore venedikase; dhe një tjeter objekt pranë saj, por rrethuar nga ujerat, i takon të jetë një fortifikim që na rezulton se shënon lindjen e Kalasë Trekëndore të Butrintit - kur dukej se muret e qytetit gjysëm të rrenuar asokohe nuk mjaftonin më për ta mbrojtur atë vend.

Edhe emertimi Butrinto shfaqet mjaft i konsoliduar, ndërkohë që në “Tabelën e Peutingerit” qyteti shenohet në trajten Rutharoto, e në një hartë të periudhës së Renesansës, më 1571, përpiluar nga Camotti, del në trajten Butiritro. Vetë Ugolini na bën me dije se në vitet Njezet të shekullit të shkuar, banorët vendas (vetëm vllehë e shqiptarë) e quanin atë zonë Vuthro. Pra emërtesa e qytetit të lashtë, që sipas mitit ish themeluar nga ikanaket trojanë, qe ruajtur për mrekulli në të folmen e çamëve autoktonë, madje në një trajte më të vjetër e të pahuazuar, sipas kalesës: Buthrot-Vuthrot-Vuthro. Forma e sotme e italianizuar Butrint, sikurse shumë novacione të panevojshme në Shqipen e Re, ka zbythur padrejtësisht formën historike çame: Vuthro.

3. Canale di Corfù – kanali i Korfuzit. Shqiptarët e kohës së Coronellit thonin “i Qerfozit”, emërtese që mbijetoi deri në fillim të shek. XX e u zhduk pa lënë gjurmë nga librat tanë, gjithë pas veprimit të terminologjisë së re e të mbrapshtë, që shqiptarët e pavarësuar përftuan gabimisht në të gjitha fushat, duke hequr dorë më dëshirë nga një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë gjuhësore-toponomastike e cila kish shekuj që ish formuar (kështu b. fj. Tune–Danub, Ruzalem–Jeruzalem, Rrushë–Raguze, Siqeli–Sicili, Vuthro-Butrint etj.). Sot i themi Ngushtica e Korfuzit ndëkohe që italianet ja kane dalë të ruajnë emërtimin tipik venedikas duke vijuar ta quajne atë Canale di Corfù; e sikundër Ngushticën e Otrantos (të cilës ne dikur i thonim Otrent) vijojnë ta quajnë po sipas idiomës venedike Canale d’Otranto - por kjo gjë nuk vlen për ujëra që nuk rriheshin ekskluzivisht nga venedikasit sikunder Ngushtica e Gjibraltarit të ciles kësaj here nuk i thonë më kanal, por ngushticë: Stretto di Gibilterra.
4. P. Dalmura – bëhet fjalë për gjirin, apo Liqenin e Almurës siç quhet sot. Forma Dalmura s’është gjë tjetër veçse reminishencë e një drejtshkrimi mesjetar që nyjen e përparme të emrit e bashkon me emrin vetë sipas kaleses: Dalmura < D’Almura < di Almura. Shpesh kjo emërtese shfaqet edhe si Gjiri ose Liqeni i Aramerasit, por duket se Arameras ka pasë jetë paralele, por origjinë të perbashket me ate Almura. Dhe vërtet, ndër harta Almura del hera-herës edhe si Armura ose Armyros (shih Guilleminot 1865) e që këtu gabimisht Armeras-Arameras. Po çdo të thotë Almura?

Shtegun e spjegimit për këtë e marrim nga përmendja që Hipokrati i bën një lëngu me përbërje sulfuri, të cilin ai e quan almura udata (almura udata), i ngjashem me lëngun e kripur të lotëve e që e rekomandon për purga (pastrime) të ndryshme. Duhet të kemi parasysh këtu se krejt liqeni i Butrintit është pjeserisht i ëmbël e pjesërisht i kripur, dhe se hera-herës aty ndodhin emetime sulfurore të cilat vijnë nga thellësia duke shkaktuar ngordhje masive të florës së liqenit. Kjo përbërje e ujrave të Butrintit, për të lashtët kurative me gjasë, duket se i ka dhënë emrin gjirit tonë.

5. P. Vatى (?) – Ky toponim nuk është i qarte as nga domethënia e as nga pikëpamja shkrimore. E jo vetëm kaq, por nuk është krejt e qartë se çfarë përfaqëson në këtë rast germa “P”: Punta apo Porto? Në kartografinë e vjetër venedike gjenden të dy format, por në rastin tonë nuk bëhet fjalë për Port, pasi cektina e skajme e ujrave aty (acque morte) nuk lejon bankimin e anijeve a barkave; dhe del kështu se bëhet fjalë për Punta (it: pikëz) në kuptimin e një kepi të vogël, pas së cilit fillon pjesa shkëmbore e bregut duke vazhduar drejt jugut. Kjo konfirmohet edhe në një harte të kësaj zone të një shekulli më parë, të Camotti-t më 1571, kur përballë Butrinitit, në Korfuz, ai shënon Punta di S. Nicola për Kepin e shën Nikollës aty. Por në këtë rast nuk kemi të bëjme me një kep të mirfilltë, se sa me një pikë nga ku bregu zë e bëhet shkëmbor. Kjo pikëz e përcaktuar qartë në hartë do të këtë qenë asokohe “një shkëmb që del nga uji” e që në shqipe i thonë gumë.

Sa i takon emerteses Vati, kjo është një emertese e rrallë venedike, por duke u nisur nga legjenda e Butrintit, duket e kalkuar nga një toponim më i hershëm vendas të cilit sot nuk ja gjejmë fillin. Bëhet fjalë për Gumen e Orakujve, apo Profetëve shumësi i të cileve në italishte bën Vati. Pra me këtë emërtesë mund të hidhet dritë mbi një emër më të motshem të këtij vendi (dikur kyç) që sot është zhdukur.

6. Palude përmendet dy herë në hartën tonë, e do të thotë kënetë ose ligatinë. Në fakt kjo Palude mbi Acque Morte këtu paraqitet e shkëputur nga vija e detit, por në harta të mëvonëshme ajo del si vijim natyral i bregut të ceket. Për këtë arsye, në momentin që kjo mbytet e freskohet hera-herës nga uji i detit, kthehet në një peshkore të rëndësishme. Ndryshe qëndron puna me këneten tjetër, me lart, e cila ndodhet ngjitur me Liqenin e Butrintit. Duket se në atë kohë, ky territor, është pjesë përbërëse e liqenit (nën kodrën që e ndan nga Liqeni i vogël i Rizës), por sot toka është ngritur dhe ajo nuk ekziston më. Me gjasë ky kënetizim i kësaj pjese të bregut ka ndodhë në Mesjetën e parë, pasi sot në këtë zonë, dhe në të tjera aty pranë, janë zbuluar reperte arkeologjike të qytetit romak i cili në kohërat e paqme të Augustit filloi të shtrihej jashtë mureve të Butrintit, nga ana tjeter e kanalit të Vivarit.

7. Poulla F. Shënon atë që sot quajmë Kanali i Vivarit. Në hartën e Coronellit mësojme se Lumi Pavllo, në shek. XVII derdhej në Kanal të Vivarit. Ai vinte nga ana e djathte e kënetes pranë Liqenit të Butrintit dhe bashkohej me kanalin aty ku sot ndodhet Kalaja Trekëndore (në piken ku tani ndodhet Bukuroshi). Kuptohet se Lumi Pavllo është spostuar artificialisht për në atë pike, pasi nëpërmjet tij bëhej rrethimi me ujë i kullës – me sa duket strategjike – që ish dhe bërthama e parë e kështjellës së mëvonëshme që do të ngrihej ne koherat osmane. Rrjedha e lumit vinte në lëvizje një mulli me ujë të ndërtuar pikërisht aty e që sot i kanë mbetë veç themelet. Kjo është harta e vetme që njohim e cila tregon për ekzistencën e një kulle që në shekullin e XVII, aty ku ndodhet kalaja trekendore sot dhe që na konfirmon përdorimin e lumit Pavllo për rrethimin e saj me ujë. Sot ky lumë derdhet në jug të pikës që po e quajmë Guma e Profeteve, aty ku fillon dhe pjesa shkëmbore e bregut. Në antikitet, kur dhe atëherë lumi nuk rridhte në kanal të Vivarit, ai quhej Akeront – emër që e mban edhe gjatë gjithë Mesjetës deri në ag të kohërave të reja dhe riemertohet Pavllo, kur ndodh nje rihelenizim i glosave të rajonit. Mbetet e errët origjina e emrit të lumit (Paulus-Paulos-Pavlos).
8. S. Dimitri. Në do harta të mëvoneshme del edhe si S. Demetrius. Ky mikrotoponim shënon ekzistencën e një kishe kushtuar Shen Mitrit buzë kanalit të Vivarit. Kjo kishë, e cila para kësaj harte dilte vetëm në burime të shkruara, ka qenë kishë katolike në kuadër të dioqezave latine të cilat në Butrint e Korfuz jetuan më gjate se në vendet e tjera (të cilat ndodhen në ndikimin ortodoks). Duket se me kalimin e viteve, pranë saj lindi edhe një fshat i vogël peshkataresh i cili në fund të shek. XVIII quhej S. Erina (Shën Terina) por që nuk pat jetë të gjatë. Kisha e Shen Mitrit sot nuk ekziston më. Mbi themelet e saj, me gjasë u ndertua një repart ushtarak në kohen e Socializmit e që më pas u rehabilitua e përshtat nga A. Tare si strukturë pritëse për vizitorë. Ndofta sot është me vend të bëhen gërmime sondimi për të përcaktuar madhësine dhe cilësinë e Shën Mitrit, e në këtë mënyrë do kemi një kuadër më të plotë territorial e monumental të këtij brezi të shkurtër që përbehet nga Kanali i Vivarit, por që është kaq i mbrujtur me histori.

Saktësia e hartës le kështu për të kuptuar se qellimi i saj ishte i destinuar për përdorim ushtarak. Por ç’ndodhte në اamëri në të largetat vite ’80 te shek. XVII, kur Coronelli, kozmografi më i rëndësishëm i Serënissimës Republikë të Venedikut, përunjej aq shumë sa të merrej vetë me përshkrimin e ligatinave të Butrintit? Ndofta do shkruaj herën tjetër për këtë.
Në Shqiperi ndjeshmëria e ulet për hartat historike të gjeografisë së vendit ndjehet veçanërisht në studimet mbi territorin, të cilat rezultojnë vërtetë të mangëta. Një ndjeshmëri me e larte ndaj dokumentit kartografik, do kish balancuar sado pak atë kujtesë të dobët të gjindjes sonë dhe atë vetëdije, shpesh jo të formuar, mbi rëndësinë që paraqesin faktet e transmetuara drejtpërdrejtë nga territori ku jetojmë. Dikur albanologët e huaj, e më pas ata vendas (në menyre të veçantë u shqua Nikoll Gazulli), konsideronin veçanërisht të domosdoshme studimin e hartave të vjetra; por sot ndër ne - me përjashtim të ndonjë inisiative, të jashtezakonshme për optikën e institucioneve tona, sikundër ajo Lucia Nadinit më 1998 - nuk ndjehet asnjë nevojë për publikimin dhe studimin e pasurisë kartografike të territorit shqiptar. E pra nuk është i papërfillshem numri i kartave detare, portulanëve dhe hartave ushtarake që arkivat shtetërore, bibliotekat publike dhe koleksionet private zotërojne tashmë.

#
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top