Titulli: BB thyen tabun ne Shqiperi !
Rrëfimi i djalit tim ishte shokues, prisja që ai të martohej”
Natën e së shtunës së spektaklit, ajo ishte e emocionuar. I kishin thënë se Klodi, biri i saj do t’i bënte një surprizë. Nuk arrinte ta imagjinonte se çfarë, por në jetën e tyre ata kishin ndarë çdo gjë bashkë, prandaj dhe surprizën e imagjinonte të bukur, si vetë marrëdhënia e tyre. Ndërkohë në studio, aty ky bëhet spektakli i çdo të shtune, ishte e motra e Klodit dhe disa miq të tij. Dikush nga stafi i kishte pyetur nëse mamaja, e cila do ta ndiqte nga shtëpia, ishte vetëm apo e shoqëruar. E megjithatë gjithçka që prodhonte imagjinata e tyre në ato momente, ishte shumë larg asaj që pritej të ndodhte në të vërtetë. Në dhomën e rrëfimit, me lot në sy Klodian اela, 35 vjeç bën rrëfimin më delikat të jetës së tij, më të guximshëm për realitetin shqiptar dhe më të dhimbshëm për zemrën e një nëne, e cila deri në ato momente nuk dinte asgjë. “Mama prano homoseksualitetin tim!”. Një rrëfim i gjatë dhe prekës, i hedhur i gjithi në letër dhe më pas lot pa fund prej tij dhe gjithë audiencës që i përcillte me ankth dhe habi ato momente. Me siguri në ato çaste gjithkush mund të pyeste veten, si po e përjetonte mamaja e Klodit atë rrëfim? A kishte ditur ajo diçka më parë? A kishte me të vërtetë kjo histori nota kaq dramatike për familjen e Klodit apo gjithçka po bëhej thjesht për show? Lumja, mamaja e Klodit dhe e katër fëmijëve të tjerë, një grua rreth të gjashtëdhjetave që e kishte jetuar jetën me kurajo, forcë dhe optimizëm, që kishte vuajtur e kaluar vështirësi, por më në fund ia kishte dalë për mrekulli në misionin e saj si nënë dhe si grua, atë natë pa që bota po i shkërrmoqej para syve. A ishte biri i saj ai që po i fliste nga ekrani, para gjithë shqiptarëve, e që po i rrëfente sekretin më të madh të jetës së tij? A ishte ai Klodi, djali i saj i preferuar me të cilin kishte një lidhje shumë speciale, një marrëdhënie që i kapërcente kufijtë klasikë nënë-bir për të qenë shumë, shumë shokë? Ajo nuk paska ditur një të vërtetë të madhe, një të vërtetë shokuese... E nëse të gjithë u përlotën atë natë, Lumja qau sa gjithë vitet e jetës së saj të marra së bashku. Ndërkohë i bënte vetes pyetje pa fund, pse nuk ma ka treguar më parë, pse zgjodhi këtë mënyrë, pse duhej ta bënte në fund të fundit?
Lumja është një grua e fortë, ajo ka rritur pesë fëmijë për të cilët sot është krenare. Të gjithë tashmë të rritur, kanë gjetur rrugën e tyre të jetës, të gjithë kanë arritur të përmbushin pritshmëritë e saj si nënë. Por Klodi ka bërë shumë më tepër. I larguar nga Shqipëria që adoleshent, ai sot ka ndërtuar në Itali një jetë që emigrantë të tjerë si ai as që mund ta ëndërrojnë. Me vështirësi dhe sakrifica, me vullnet dhe shumë pasion, ai sot ka një punë të mirë dhe një ekonomi të fortë. Por si gjithmonë ai dëshiron që gjithçka ta ndajë me familjarët e tij e sidomos me nënën që e ka pikë të dobët... Por rrëfimin më të rëndësishëm të jetës së tij, ai vendosi ta ndajë me të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm me të... Gjithçka që ndodhi më pas në familjen e Klodit e sidomos përjetimet e nënës së tij, një gruaje shqiptare e cila i përket atij brezi që i mban veshët mprehur për të mësuar se çfarë mendon opinioni përreth saj, do t’ju a përcjellim në një rrëfim prekës nga vetë mamaja e Klodit e cila nuk ka mundur të mbajë nën fre emocionet, dhimbjen dhe lotët edhe gjatë bashkëbisedimit tonë.
Të shtunën e kaluar, djali juaj rrëfeu të fshehtën e tij. Ju si e pritët?
Për mua ishte një rrëfim shumë i rëndë, nuk e prisja. Unë kam patur gjithmonë një marrëdhënie shumë të afërt me Klodin ashtu si me të gjithë fëmijët e tjerë. Kemi qenë si shokë, por këtë të fshehtë nuk ma ka rrëfyer asnjëherë.
Ju thoni që i keni qëndruar shumë afër djalit tuaj, si ka mundësi që nuk kishit nuhatur diçka rreth prirjeve të tij seksuale?
Asnjëherë nuk kam nuhatur diçka të tillë. Dëshira ime si nënë ishte që ta shihja mirë dhe që një një ditë të martohej e të krijonte familjen e tij.
Kur i kërkonit që të martohej, çfarë ju thoshte?
Më përgjigjej se “nuk më pëlqen, akoma nuk e kam vendosur, nuk e kam gjetur atë që më përshtatet mua”.
Gjatë bisedës ju treguat se keni jetuar shumë vite në Itali pranë tij. A ju ka prezantuar ai ndonjëherë me ndonjë mikeshë speciale?
Kur kam jetuar në Itali, ai më ka prezantuar një mikeshën e tij italiane, një vajzë që më pëlqente shumë. Me të ai pati rreth tre vite miqësi dhe unë e imagjinoja si të dashurën e tij, mbase edhe si bashkëshorten e tij të ardhshme. Më pas u ndanë...
Ju keni rritur tre djem të tjerë përveç Klodit, çfarë të veçante kishte ai në krahasim me ta?
Klodi ka qenë gjithmonë një tip artisti, shumë i dhënë pas artit, muzikës, kërcimit. Ka qenë pjesë e ansamblit të Lezhës si valltar. Përveç kësaj ai ishte shumë besimtar, shkonte në kishë sistematikisht. E veçanta e tij në krahasim me djemtë e tjerë ishte se ai ishte shumë i dhënë mbas meje, por edhe pas vëllezërve dhe motrës së tij. Më ndihmonte gjithmonë në punët e shtëpisë dhe ishte maniak i pastërtisë.
Ju thoshte ndonjëherë që ka një sekret të cilin në një moment të caktuar do ta ndante me ju?
Jo asnjëherë, unë mendoja se çdo gjë ma kishte treguar.
A keni arritur të gjeni një spjegim pse Klodi, megjithë lidhjen tuaj speciale, vendosi që këtë rrëfim ta bëjë publikisht?
Nuk arrij ta kuptoj, për mua nuk ka spjegim... Do ta pyes djalin kur të dalë nga “Big Brother”.
Stafi i “Big Brother” ju kishte dhënë ndonjë sinjal për këtë që do të ndodhte?
Dija thjesht se do të më bënte një surprizë, as që më shkonte ndër mend se bëhej fjalë për këtë lloj rrëfimi kaq tronditës.
Më pas çfarë ndodhi?
Ishte shumë e rëndë për mua dhe mendoj se çdo nënë do ta kishte përjetuar si unë, prandaj mund ta imagjinoni vetë. Por më pas, kur arrita të qetësohem dhe të reflektoj për gjithçka ndodhi, mendova që duhet ta pranoj këtë realitet pasi ai është im bir dhe madje do ta mbështes e do ta dua edhe më shumë.
Na rrëfeni ndonjë detaj rreth marrëdhënies tuaj, të cilën ju e cilësoni si shumë speciale?
Klodi është një djalë shembullor, ai është kujdesur gjithmonë për mua, në çdo detaj, madje edhe për garderobën time. Gjithçka që unë vesh, është e përzgjedhur prej tij. Ai është një djalë model në sjelljen me nënën.
Si kanë qenë reagimet e njerëzve pas rrëfimit të Klodit?
T’ju them të drejtën akoma nuk jam përballur me askënd, por duke ditur se në çfarë ambienti jetojmë, çfarë opinioni na rrethon, pak a shumë e imagjinoj reagimin.
Tani pas rrëfimit, si iu duket sjellja e Klodit brenda shtëpisë?
E shoh pak të rënë moralisht. Pikërisht kjo më jep shtysë që ta mbështes dhe ta dua edhe më shumë. Pra ai nuk ka komportimin e atij që është çliruar pasi ka thënë një të fshehtë që e mundonte. Mbase tani ka ardhur momenti që unë t’i kthej borxhin e gjithë atyre viteve që ai është përkujdesur për mua në mënyrë të jashtëzakoshme. Unë duhet ta mbështes, por sikleti i tij qëndron te fakti se ai nuk e di këtë, prandaj dhe vuajtja e tij vazhdon.
Për çfarë po vuan më shumë ai?
Ai thjesht mendon për mua, për paragjykimet me të cilat do të përballen familjarët e tij. Ju e keni parë që te koka e krevatit ai ka të shkruar “mami të dua shumë”. Qetësia ime është shumë e rëndësishme për të.
Një i ri i suksesshëm në perëndim, i realizuar në çdo pikëpamje, pse duhet të vijë në Shqipëri, në një program televiziv dhe të rrëfejë një të vërtetë kaq tronditëse, sidomos për familjarët?
Sinqerisht nuk kam një shpjegim pasi nuk e di, por Klodi, duke qenë një person shumë i çiltër dhe i sinqertë, mbase ka dashur të thyejë një tabu, të guxojë ai i pari. Ai nuk pranon që të shtiret në jetë, të hiqet ai që nuk është.
Tani që Klodi rrëfeu sekretin e tij, si kanë reaguar djemtë e tjerë dhe vajza, a e dinin ata më parë?
Ata e dinin të gjithë përveç meje. Kur iu kërkova shpjegime dhe mbi të gjitha kur iu bëra pyetjen se përse nuk më kishin thënë asgjë, të paktën ata, përgjigja e tyre në fakt më bindi; “Jeta e Klodit i përket vetëm atij dhe duhej që ai ta vendoste nëse do ta thoshte ose jo”.
Si ju duket reagimi i banorëve ndaj Klodit pas rrëfimit të tij?
I shoh të gjithë të përfshirë në lojë, e mbështesin thjesht që të mos bëjnë figurë të keqe, që të duken të emancipuar. Mendoj që janë të paktë ata që e mbështesin dhe ato janë kryesisht femrat. Më lëndoi qëndrimi i Valonit pak ditë më parë kur tha që nuk i duron dot lesbikët dhe gejt, në sy të Klodit. Nuk tregohet burrëria me këtë mënyrë, por me tolerancë.
Kush mendoni se e mbështet sinqerisht?
Deri tani më e afërt me Klodin më duket Domenika, sepse ajo ka jetuar në perëndim dhe është më e avancuar në mentalitet. Po ashtu edhe Bledi, Olta, Edi dhe Seldi. Pjesa tjetër po bën lojën e të emancipuarve.
Më lart ju thatë se Klodi po vuan për ju. Si keni menduar t’ia përcillni edhe atij mesazhin se edhe kësaj here, siç keni bërë gjithmonë, ju do ta mbështesni?
Nëse do të më jepej mundësia, do të doja t’i nisja një mesazh drejtpërdrejt djalit duke i thënë se “je im bir, të mirëkuptoj dhe të dua pafundësisht”. Në këtë mënyrë edhe ai do të ndjehej më rehat.
Mendoni se Klodi mund ta fitojë “Big Brother”?
Nëse loja do të bëhet e sinqertë, mendoj se mund ta fitojë. Por nëse banorët brenda shtëpisë, por edhe votuesit jashtë, do të kenë një ngarkesë paragjykimi, natyrisht që nuk do ta lejojnë që të jetë ai fituesi.
A mendoni se pjesëmarrja në “Big Brother” është një hap i parë drejt rikthimit të Klodit në Shqipëri?
Klodi e do shumë botën e televizionit dhe kjo mendoj se ka qenë arsyeja pse ai vendosi të marrë pjesë në këtë program. Edhe në Itali miqësia e tij është kryesisht me artistë. Por Klodi do shumë edhe vendin e tij dhe mbase ai po mendon tashmë që ta organizojë ndryshe jetën e tij, mes Italisë dhe Shqipërisë.
Si e imagjinoni takimin tuaj më Klodin sapo ai të dalë nga “Big Brother”?
Do të jetë një takim shumë emocionues, jam e sigurtë. Di që sapo ta përqafoj, do t’i heq një ankth të brendshëm. Pas takimit me mua, ai do të jetë më i çliruar. Do të jetë një takim i përshkuar nga malli, ndjesitë e fajit dhe dashuria pa fund. Mall për largësinë, ndjesi faji që nuk arritëm të themi gjithçka mes njëri- tjetrit dhe dashuri sepse ai është im bir, është djali im i mrekullueshëm.
Gazeta Panorama