Porsa në prendverën e vitit 1955 Khruhçovi me Bulganinin bënë vizitën e parë në Belgrad për t'u pajtuar me Titon, duke ia hedhur politikës së Stalinit fajin e përçarjes, komunistët shqiptarë nisën t'a ndienin gjallë frikën se mos Rusia ia linte Shqipërinë Jugosllavisë, si përpara 1948-ës. Për të gjetur një pështetje tjetër përjashta, krerët e Tiranës zunë të vështronin nga Kina, e cila, për disa arësye sociale, kulturore e gjeo-politike, do të ketë gjithmonë kundërshtime me Rusinë, pavarësisht nga çdo ideologji. Marrëdhëniet shqiptaro-kineze filluan të bëheshin më të ngushta, dhe si ambasador i Shqipërisë në Pekin shkoi një nga shokët e besuar t'Enver Hoxhës. Shtypi dhe propaganda e Tiranës u vunë të flisnin shumë më tepër për Kinën se sa për Bashkimin Sovjetik, duke i trumbetuar në të katër anët ato pak ndihma n'oriz, grurë e sheqer që Mao Ce-tungu mundi t'iu dërgonte miqve shqiptarë.
Por gjendja e Shqipërisë ndodhej në shkallën e fundit. Ndihmat e Rusisë e të satelitëvet s'kishin mundur t'a mëkëmbin. Planet pesëvjeçarë kishin dështuar njëri pas tjetrit. Kështu në fillim të vitit 1957, nëntë vjet pas shkëputjes nga Jugosllavia, ekonomia shqiptare ishte në buzë të greminës. Atëhere dy gjelat e regjimit, Hoxha dhe Shehu, rendën në Moskë për të lypur një ndihmë më të madhe. Rusët pranuan t'ua fshinin nga defteri borxhet e vjetra prej nja 400 milionë rublash dhe t'iu çelnin kredi të tjera, por me kusht që këtë rradhë t'a merrnin ata vetë në dorë jo vetëm organizimin dhe drejtimin ekonomik të vendit, por edhe mbikqyrjen e të gjitha degëvet t'administratës shtetërore. Sipas kësaj marrëveshjeje që u nënshkrua në Moskë nga Hoxha e Shehu, në Prill të 1957-ës, Shqipëria hynte tërësisht ndën kontrollin e Rusisë Sovjetike. Vetëm me këtë kusht kjo i çelte një kredi të re prej 300 milionë rublash për zbatimin e planit të tretë pesëvjeçar. Por as ndihma e Rusisë, as ajo e اekosllovakisë, e Hungarisë dhe e Gjermanisë lindore, të cilat premtonin se do të dërgonin maqina dhe personel teknik, nuk mundën t'a ndryshonin gjendjen ekonomike të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, afrimi gjithmonë m'i dukshëm i Moskës me Belgradin dhe kushtet e rënda që ajo iu vuri komunistëvet shqiptarë për dhënien e ndihmës, i forcuan dyshimet e këtyre se Jugosllavia kishte për Rusinë një rëndësi shumë më të madhe nga Shqipëria, e cila, me zbulimet e reja në lëmin e armëvet bërthamore, e kish humbur edhe vleftën e dikurshme si bazë strategjike. Masat kundrejt rrezikut jugosllav filluan menjëherë. Në Nëntor të vitit 1956, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan në Tiranë (me gjithë ndërhyrjen e Khruhçovit për t'i shpëtuar) gjeneral Dali Ndreu dhe e shoqja, Liri Gega, figura të rëndësishme në Komitetin Qendror të Partisë, por që shikoheshin si miq të Jugosllavëvet. Katër vjet më vonë, në Nëntor të vitit 1960, Partisë komuniste iu desh të përjashtonte përsëri nga Komiteti Qendror dy antarë fort të rëndësishëm, Koço Tashkon dhe Liri Belishovën, si miq të Moskës. Kjo krizë bëri që mbledhja e Kongresit të katërt të Partisë të shtyhej dy herë, gjersa më në fund mundi të mbahej më 13 Shkurt 1961, pas dërgimit me bujë të një delegacioni në Kinë, i cili lidhi me Pekinin një varg traktatesh ekonomike e financiare, përveç atyre që patën qënë nënshkruar më 15 Jenar 1959. Marrëveshja e vitit 1961, sipas të cilës Kina do t'i jepte Shqipërisë mjetet teknike e financiare për vazhdimin e planit të tretë pesëvjeçar, ndonëse në të vërtetë s'ishte veçse një pështetje morale për Partinë dhe Kongresin e saj, shënon kthesën e plotë të komunizmit shqiptar drejt Kinës.
Në Maj 1959, Khruhçovi pat bërë një vizitë në Shqipëri me qëllim që të davariste retë e moskuptimit ndërmjet politikës së tij dhe Partisë komuniste shqiptare, duke dashur si duket të sqaronte çështjen e afrimit me Jugosllavinë, çështjen e "bashkëjetesës paqësore" me botën kapitaliste dhe ndoshta natyrën e lidhjeve ekonomike e të çdo lloji ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Por u kuptua se as kjo vizitë nuk pati shumë sukses me gjithë bujën që bëri. Ftohja ndërmjet komunistëvet shqiptarë dhe Blokut sovjetik u bë përditë m'e ndieshme dhe m'e dukshme. Mospërfillja dhe përbuzja që u bëhej "stalinistëve" shqiptarë nga ana e delegatëve rusë dhe të vendeve satelite nëpër mbledhjet e ndryshme ndërkombëtare i kish rënë në sy kujtdo dhe shtypi i përbotshëm nisi të fliste haptas.
Përpara Kongresit të katërt të Partisë, më 13 Shkurt 1961, Enver Hoxha dha një lajm me bujë se ishte zbuluar gjoja një komplot kundër regjimit, i shtytur prej Greko-Jugosllavëvet me përkrahjen e Flotës VI amerikane të Mesdheut. Pas një "gjyqi" theatror sipas zakonit, ku i tërë "proçesi" ishte i trilluar fund e krye, të pandehurit, nër të cilët edhe një kundër-admiral, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan në Maj t'atij viti. Një muaj pas këtij "proçesi", Rusët u tërhoqën nga baza detare e Vlorës dhe e Sazanit. Njëkohësisht zu të largohej edhe personeli teknik rus ose i vendevet të tjera satelite. Kjo këputje e marrëdhënievet me Blokun sovjetik u bë e dukshme për cilindo, por komunistët e Tiranës përpiqeshin t'a mbanin të fshehur akoma.
Mirëpo Khruhçovi nuk e ndjeu nevojën e fshehjes dhe e shpalli botërisht konfliktin me klikën e Tiranës përpara Kongresit XXII të Partisë komuniste ruse, që u mlodh në Moskë më 17 Tetor 1961, dhe ku "shokët" shqiptarë nuk ishin ftuar fare. Përveç Kinezit Shu En-lai, asnjë nga delegatët e Partivet komuniste të botës nuk mori anën e Shqiptarëvet.
S'është nevoja të zgjatemi këtu mbi përgjigjet e Tiranës, demostratat e organizuara, ulërimat e shtypit dhe të radios, fjalimet e krerëvet, zhurma të njëllojta me ato që u bënë kundër Jugosllavisë në kohën e përjashtimit të kësaj nga grupi i satelitëvet. Edhe Khruhçovi u vu në rradhën e Titos: "revizonist", mohonjës i "marksizëm-leninizmit" etj. Marrëdhëniet me Rusinë sovjetike u këputën fare, ato me satelitët e tjerë u ftohën krejt. Personeli teknik i tyre u tërhoq prej Shqipërie.
Ishte treguar një mendje politike e rrallë ky Enver Hoxha kur shkruante e thoshte, më 1943, se "popullsitë, në Kosovë, do të merren vesh vetë në mes të tyre dhe do të vendosin nga të shkojnë" dhe se Shqiptarët do të kishin "mprojtjen e Bashkimit Sovjetik, mprojtësin e shteteve të vogla dhe të gjithë popujve"! Sesi "vendosi vetë populli i Kosovës" u pa dhe po shihet vazhdimisht; vrasjet në masë që përmendëm më sipër, operacioni policor i vitit 1956, që iu theu gjymtyrët në tortura një numuri të madh Kosovarësh, "zbulimet" e Shtatorit 1966 mbi tmerret dhe metodat e çfarosjes që policia e Rankoviçit kish përdorur kundrejt Shqiptarëvet të Kosovës, aq sa u muar me to edhe shtypi ndërkombëtar, provuan se politika e Serbëve përsa i përket Kosovës, cilido që t'ishte regjimi i tyre, mbetej ajo e vitit 1913. Sa për "mprojtjen e Bashkimit Sovjetik, mprojtësin e shteteve të vogla e të gjithë popujve" edhe kjo u pa sesi e "mprojti" Hungarinë më 1956 duke shtypur me dhjetra mijë Hungarezë ndënë rrotat e tanksevet dhe sesi e "çliroi" اekosllovakinë, në Gusht 1968, kur e mbuloi më divizionet e koracuara e i zuri frymën një populli 15 milionësh.
Pas këputjes së marrëdhënievet me Moskën dhe pothuajse me gjithë grupin e shtetevet satelitë, Shqipëria komuniste u pështet tërësisht në përkrahjen morale dhe ndihmën ekonomike e financiare të Kinës. Ndonëse, sipas marrëveshjevet, kjo do t'i çelte Shqipërisë një kredi prej 125 milionë dollarësh, ndihmat u ndërprenë disa herë, mbasi Kina ishte vetë një vend i uritur e i prapambetur. Mandej personeli teknik që dërgoi Kina për të zëvëndësuar Rusët dhe specialistët e tjerë t'Evropës lindore, nuk kishte aftësinë e atyre. Kështu ekonomia shqiptare kaloi nëpër një tjetër krizë paralizimi. Prej shtetevet jo-komunistë t'Evropës Shqipëria ka lidhje diplomatike vetëm me Italinë, Francën, Austrinë dhe Turqinë. Mirëpo prej këtyre nuk mund të kërkonte specialistë, jo vetëm sepse nuk donte t'iu hapte "sekretet" e ekonomisë së saj "socialiste", por kishte sidomos frikën se me anën e tyre mund të përhapej në popull fryma e idevet të lira të Perëndimit. Megjithatë, n'ato rrethana, pati deri diku ndihmën e Italisë me të cilën i përmirësoi disi marrëdhëniet.
Shqipëria kishte një rëndësi shumë të madhe për Kinën sepse mund t'i vlente kësaj si baza m'e largët n'Evropë e në Mesdhe për të mbajtur e përhapur idetë e komunizmit kinez sipas profetit Mao Ce-tung. Dihet se Kina kërkon të dalë në krye te komunizmit botëror përmbi Rusinë sovjetike. Mao Ce-tungu paraqitet si udhëheqësi i vërtetë i
marksizëm-leninizmit. Pothuajse në të gjitha partitë komuniste t'Evropës ka një rrymë, të çfaqur a të fshehtë Maoiste. Tirana është bërë kryeqendra e propagandës komuniste kineze për tërë Evropën dhe Lindjen e Afërme. Në këto kushte, kuptohet se sa rëndësi ka Shqipëria për Kinën. Vajtjet e ardhjet, mburrjet dhe lavdërimet, ndërmjet Tiranës dhe Pekinit kanë qënë nga më të përzemërtat. Rrugët, ndërtesat, shkëmbinjtë, janë mbushur tani me mbishkrime kineze, dhe fytyra e Mao Ce-tungut, që zëvendëson atë të Titos, të Stalinit, të Khruhçovit, del kudo si perëndia e re e marksizëm-leninizmit. Për të bërë diçka që t'i shëmbëllente
Revolucionit Kulturor kinez, u hoqën gradat në ushtëri, u detyruan intelektualët që të shkonin herë pas here për të bërë punë krahu, u qitën fetë jashtë përdorimit etj. Kina ka vazhduar t'a ndihmojë Shqipërinë pak a shumë, mbasi e ka bërë bazën e propagandës së saj n'Evropë. Thuhet se gjer më sot ka në Shqipëri nja 5000 kinezë si teknikë e specialistë në degët e ndryshme t'ekonomisë. Por çështja që ka bërë më fort bujë në qarqet ndërkombëtare është vendosja e disa bazave armësh bërthamore, mbi tokë dhe për nëndetëse, që Kina ndërmori në Shqipëri menjëherë pas pushtimit të اekosllovakisë prej Bashkimit Sovjetik, në Gusht 1968. Ku do t'a nxjerrë Shqipërinë aventura e re me Kinën ? Këtë do t'a tregojë e ardhmja. Dimë vetëm se vendosja e bazave atomike kineze mund të përbëjë një rrezik shumë të madh për popullin shqiptar.
Mbas gjithë këtyre peripetive, gjendja ekonomike në Shqipëri dhe shtypja e tmerri kanë mbetur të pandryshuar. Sikur t'iu vihej vesh propagandës dhe statistikavet zyrtare, ai vend duhej t'ishte bërë parajsë e vërtetë dhe foleja e lumturisë mbi tokë, ose "Zvicër e Ballkanit" siç thonë disa halldupë që paguhen me ndonjë kockë për të llomotitur përjashta. Por në Zvicër mund të hyjë e të dolë kushdo, kurse Shqipëria e tërë është një burg dhe fushë përqëndrimi ku jo vetëm të jashtëmit s'mund të shohin asgjë përveç ndonjë rrugë, fabrikë a fermë shtetërore model nëpër të cilat i përcjell të shoqëruar policia, por as Shqiptarët e brendshëm nuk mund të qarkullojnë lirisht prej një vendi në tjetrin pa një lejë të veçantë, si në një shtetrrethim të përhershëm. Prej Shqipërie nuk lejohet të dalë kurkush përveç agjentëvet të regjimit. Përse? Nga frika se mos...ata që dalin nuk këthehen më kurrë? Por cili është ai që nuk do të donte të këthehej në parajsën? E përse nuk venë të jetojnë n'atë çerdhe lumturie halldupët që bëjnë propagandë përjashta për të mirat e regjimit ?
Gjëja m'e organizuar te komunistët, përveç policisë dhe spiunimit, është propaganda dhe ajo që thuhet "vënia në skenë". Ata nuk lënë askënd të qarkullojë lirisht; deri diplomatët e shtetevet me të cilët kanë lidhje janë gjithmonë nën vrejtje, dhe jo vetëm që s'mund të venë ku të duan, po edhe s'mund të qarkullojnë veçse nëpër disa rrugë të caktuara. Kur vjen ndonjë grup i rrallë turistësh nga ana e Jugosllavisë, e merr policia nën vrejtje në kufi, e shëtit nëpër disa rrugë, i tregon ndonjë fabrikë "model", siç thamë, e çon në ca hotele e restaurante të pregatitur për atë qëllim, dhe s'i ndahet gjersa e nxjerr jashtë andej nga erdhi. Kështu, përveç atyre që gënjejnë, askush nuk sheh gjëkafshë nga jeta e vërtetë e popullit, në Shqipëri, e cila qëndron e fshehur, e mbyllur prapa perdevet.
Sipas propagandës së tyre, janë ndërtuar kaq hidroçentralë si burime energjie, kaq fabrika të ndryshme, kaq shkolla, spitale e shtëpi të kulturës, kaq banesa për punëtorë, janë zbuluar kaq miniera, tharë e përmirësuar kaq toka dhe prodhimi është shtuar kaq përqind në krahasim me atë që ishte vjet ose parvjet, por nuk japin kurrë një sasi prodhimi në shifra konkrete, sa tonë grurë për shembull u prodhuan sivjet dhe sa qenë prodhuar vjet ose parvjet. Duke dhënë si statistikë se prodhimi i sivjetëm, në këtë degë, e kapërceu pesëdhjetë për qind atë të vjetmin ose qind për qind atë të parvjetmin, propaganda komuniste iu ngjan flluskavet të sapunit ose balonavet të fëmijëvet që ngrihen përpjetë me erë. Sikur këto statistika t'ishin të vërteta, përse populli vuan për bukën e gojës, nuk gjendet një fshatar me këpucë në këmbë veçse me goma të vjetra, nuk gjen një fytyrë të qeshur, s'gjen njeri që të flejë një mbrëmje i qetë nga frika se mos e marrin në mes të natës në polici, ku e rrahin, ose në "konferenca", ose për "punë vullnetare", ose për të bërë manevra ushtarake në mes të dimrit, i xhveshur e i zbathur, se "po na sulmon Amerika"? Për të vajtur prej një qyteti në tjetrin, duhet pritur disa javë leja dhe vendi n'autobus. Prej një fshati në tjetrin s'mund të shkohet pa pasur një arësye, pa një lejë të shkruar nga këshilli i fshatit prej ku nisesh dhe të vërtetuar nga këshilli i fshatit ku vete.
Edhe sikur komunistët të kenë ndërtuar disa bloqe prej çimentoje me të cilët mburren sot, a këta do t'a bëjnë lumtërinë njerëzore të një populli që jeton në konditat e treguara më sipër? Piramidat e ndërtuara prej Faraonëvet t'Egjiptit kanë qënë dhe mbeten monumente jashtëzakonisht më të bukura, por në themelet e tyre nuk kishte rrjedhur ndoshta aq djersë, aq gjak, as kishin rënë aq kocka skllevërish sa në themelet e bloqevet prej çimentoje ndërtuar nga regjimi komunist shqiptar i sotshëm. Nuk ka mbetur vend pa u përlyer me gjak, nuk ka mbetur burrë pa u rrahur, pa u shnderuar, nuk ka mbetur fëmijë pa u tronditur nga rënkimi i prindërvet, nuk ka mbetur familje pa u mbuluar në zi.
Reformat e mëdha të komunistëvet, të cilat kishin për qëllim zhdukjen e
klasëvet dhe transformimin rrënjësor të shoqërisë mbi një bazë jetese kolektive, e cila do të sillte begatinë ekonomike, lirinë dhe, si rrjedhim, lumtërinë, prunë të kundërtën: skllavërinë.
Cili është komunizmi? Si një nga theorikët e mëdhenj socialistë (domethënë iluzionistë) të shekullit XIX, Karl Marksi merr triadën idealiste të dialektikës së Hegel-it, e materializon, dhe ia përshtat zhvillimit evolutif dhe revolucionar të shoqërisë njerëzore. Nxjerr prej saj, si një varg gënjeshtrash, theorinë e luftës së klasëvet dhe të materializmit historik. E lidh kështu të tërë dinamizmin e historisë në një antagonizëm të vetëm, në atë midis klasëvet kapitaliste dhe proletare. E ka ngritur këtë antagonismë në shkallën e një realiteti të domosdoshëm, absolut, pavarësisht nga çdo vullnet ose ndërgjegje njerëzore. Ky mekanizëm materialist varet vetëm nga mjetet e prodhimit. Janë pra mjetet e prodhimit që krijojnë të gjitha lidhjet politike, juridike, intelektuale dhe morale midis njerëzvet. Këto lidhje ndryshohen prej kohës së parmendës në kohën e motorrit.
Rrallëherë ka parë njerëzia një mëndjelehtësi të këtillë në historinë e mendimit. Këto lloje theorie kanë mbetur si një përrallë romantike, që s'kanë asnjë të vërtetë shkencore, dhe aq më pak filozofike. Prandaj s'mund të besohen veçse prej fanatikësh të interesuar, që mbyllin sytë përpara çdo utopie për të kënaqur ambicionet anormale të tyre.
Nuk po zgjatemi më shumë me theoritë
marksiste-leniniste, të cilat nuk kanë prurë veçse drame të tmerrshme në njerëzi, kur shohim se ç'ka ngjarë nëpër vendet komuniste dhe veçanërisht në Shqipëri.
E para, ndryshimi i klasëvet nuk mund të zhduket krejt n'asnjë shoqëri njerëzore dhe aq më pak në shoqërinë komuniste, ku
klasa e re (siç e quajti një nga shokët e tyre, Jugosllavi Djilas), e cila përbëhet prej antarëvet të partisë dhe burokratëvet të çdo dege, ka mbi masën popullore një fuqi shtypëse shumë herë më të madhe, më të shtrënguar nga ç'e kishin Faraonët e Egjiptit, Satrapët e Lindjes, Feudalët e Kohës së Mesme dhe të gjithë ata që kanë sunduar mbi njerëz. Sepse n'ato kohë nuk kishte mjete as njihëshin mënyra organizimi për t'a mbledhur e kontrolluar jetën e njerëzvet deri në brendësinë e vatrës familjare, deri se ç'flet i shoqi me të shoqen. Kështu, në regjimin komunist, ndarja e shoqërisë në dy klasë, n'ata që kumandojnë dhe n'ata që binden, është m'e tmerrshme se në çdo tjetër organizim shoqëror, qoftë edhe ndënë tiranët e çmendur si Neroni apo Kaligula.
E dyta, liri nuk mund të ketë kurrë atje ku njeriu, përveç atyre që kumandojnë, shikohet si një mizë përdhese e bashkësisë shoqërore, ku jeton si në një regjiment dhe bie e ngrihet me urdhërin e kujdestarit të
kolkhozës a të
kolektivës. Sa për
begatinë ekonomike, është ajo që duket sheshit në botën komuniste dhe që në Shqipëri ndodhet në një shkallë shumë më t'ulët akoma. Vetëm klasa kumanduese ka magazitë e saja të veçanta. Pra pa këto të dyja, pa lirinë dhe begatinë, s'ka sesi vjen as lumtëria.
Prova m'e dukshme që komunistët e kanë pothuajse të tërë popullin kundër tyre është mënyra tiranike e qeverimit të tyre. Masat nuk mund të mbahen veçse me anën e policisë dhe të terrorit. Ata që drejtojnë ose kumandojnë
kolektivat ekonomike nuk kanë veçse një kujdes: të përmbushen
normat që urdhëron Partia, pa shikuar sesi e shtypin fshatarin a punëtorin gjer në palcë, sesi i heqin kafshatën e fëmijëvet, sesi e përdorin më keq se një kafshë dhe i japin vleftë më pak se veglavet të punës. Kurse antarët e Partisë shpifin e spiunohen ndërmjet tyre duke i ngrënë kokën njëri-tjetrit për t'i zënë vendin. Frika e Partisë kundrejt popullit është e tillë sa që sheh kundërshtarë kudo; dhe zhduk herë pas here duke trilluar "proçese" të gënjeshtërt fund e krye ose duke vrarë me anën e policisë së fshehtë jo vetëm ata që dyshohen si kundërshtarë të tanishëm, po edhe të tjerë që mund të bëhen të dëmshëm më vonë. Frika e komunistëvet është pathologjike dhe tërë bota e di sesi zhvillohen "proçeset" nëpër "gjyqet" e tyre. Kjo ngjan sidomos kur kanë një qëllim politik, për të trilluar gjoja një ndërhyrje të jashtëme ose për t'ia hedhur përgjegjësinë e dështimit të planevet ekonomike ndonjë "sabotimi" të brendshëm. Vendimi për zgjedhjen dhe zhdukjen e viktimavet merret nga qendrat e Partisë. Pastaj, për propagandë ose për tmerr, luhet theatri i "gjyqit të popullit", ku paditë, proçeset dhe deri "pohimet" e të pandehurvet nuk kanë asgjë të vërtetë. Viktimavet, me anën e torturavet që iu bëjnë nëpër bodrumet e burgjevet, iu thyejnë çdo vullnet qëndrese dhe ua mësojnë përmendsh dialogun e kurdisur që do të zhvillohet ndërmjet tyre dhe trupit "gjykues". Dialogu është një gënjeshtër e thurur që në fillim e në mbarim: viktimat padisin vetvehten duke u njohur fajtorë për krimet më të rënda kundrejt shtetit dhe Partisë, përpara "gjykatësve" aktorë theatri dhe një publiku partizanësh që përpjek duart, vërshëllen ose pështyn të pandehurit. Ky është "gjyqi i popullit" i shpikur prej Stalinit dhe i ruajtur në Shqipëri pikë për pikë.
Por dëmi m'i madh që komunizmi i ka prurë kombit shqiptar është rrëzimi n'anën morale, prishja e karakterit, prishja e gjuhës, prishja e çdo vlefte që mund të quhej kombëtare. Besimin fetar në Zotin e kanë zëvendësuar me besimin në Partinë (domethënë n'Enver Hoxhën e Mehmet Shehun), rreth së cilës kanë krijuar një mistikë sikur ajo është e vërteta absolute. Ungjillin dhe Kuranin i kanë zëvendësuar me
marksizëm-leninizmin, i cili duhet besuar me të njëjtën bindje mistike sikur përmban të vërtetën absolute. Dhe mburren qenërisht se gjoja e kanë liruar mendjen dhe ndjenjën e popullit prej fanatizmit fetar, kurse në të vërtetën s'bëjnë tjetër veçse e zëvendësojnë atë me fanatizmin për Partinë, i cili është m'i dobëti dhe m'i poshtri i të gjithë fanatizmavet, sepse kërkon t'a uli njeriun në radhën e skllevërve të dikurshëm t'Orientit që duhej t'adhuronin si perëndi Faraonin ose despotët e tjerë. Sipas shkallës morale të komunistëvet, është
e mirë çdo gjë që i shërben Partisë, dhe
e keqe, çdo gjë që s'i shtrohet asaj. Si vlefta më të larta mbahen gënjeshtra, spiunimi, trathëtia e vrasja, nëqoftëse ashtu e don interesi i Partisë. Si fëmijë më të mirë, më të pajisur, çmohen ata që spiunojnë prindët, mësuesit, shokët. Gjatë Luftës, iu bënin antarëvet edukimin e ri sipas moralit komunist, sesi të vrisnin mizorisht deri prindët e tyre, sesi të gënjenin, sesi të spiunonin shoku shokun, sesi të përdornin çdo mjet (ashtu edhe vajzat) për t'ia arritur qëllimit të Partisë. Ndonjë që stepej përpara krimevet më çnjerëzore, e dënonin ose e tallnin si tip të dobët që nuk xhvishej dot nga ndieshmëria borgjeze.
Pra ç'mund të pritet si zhvillim kulture në një klimë morale të këtillë, Regjimi i sotshëm mburret për numrin e shkollavet, për Institutin e Albanologjisë, për Universitetin, për punë t'organizuar n'anën shkencore, letrare e artistike. Por ç'vleftë kanë shkollat nëqoftëse nuk formojnë njerëz, dhe si mund të formohen njerëzit në një sistem krimi, shtypjeje, përdhunimi, gënjeshtre, hipokrizie, ku i duhet thënë së bardhës "e zezë" dhe së zezës "e bardhë", Nëqoftëse njeriu ka mundur të ngrihet lart gjatë qytetërimevet, kjo ka ardhur pikërisht në saje të lirisë së mendimit dhe të shprehjes së sinqertë të ndjenjës. Pa këto s'mund të ketë veçse skllevër t'ulët, të dobët e dredharakë.
Në një klimë të këtillë nuk mund të priten krijime të vërteta mendore, letrare e artistike, sepse kushti i pare i këtyre llojeve krijimesh është liria e shprehjes, çiltëria. Ata që mbahen për shkrimtarë shqiptarë ndën regjimin komunist janë ca fytyra të mjeruara, që s'mund të bëjnë tjetër gjë veçse të veshin me një formë "letrare" profkat propagandistike të Partisë. Shpeshëherë këto profka përkëthehen keq prej gjuhëve të huaja, dhe shqipja është bërë si një gjuhë skele ndërkombëtare. A këtë "shërbim" patën shpresuar flamurtarët e Rilindjes prej brezit që do të vinte pas tyre?
Sepse komunistët nuk lejojnë asnjë tjetër mendim politik përveç atij që cakton Partia, kjo nuk do të thotë që Shqiptarët s'mendojnë.
Por mendimet e tyre, brenda në Shqipëri, nuk mund të çfaqen as t'organizohen në lëvizje.
Mbasi Balli Kombëtar pat qënë ana tjetër, që e kundërshtoi komunizmin me armë, është e kuptuarshme që ajo lëvizje të ketë lënë kujtime të pashlyershme dhe deri diku t'idealizuara. Sipas provavet të gjertanishme, jo vetëm prej brezit të vjetër ata që patën qënë me Ballin Kombëtar jetojnë ose vdiqën me ato ndjenja, po edhe në brezin e ri ka një shumicë të madhe që mbahet me ato mendime. Dhe është e natyrshme: sa më shumë që komunizmi shtyp e shtrëngon, aq më fort njerëzit kërkojnë një tjetër grupim se ku të pështeten, ose të paktën se ku të shpresojnë. Mbasi vetë propaganda komuniste e ka paraqitur Ballin Kombëtar si antagonistin numër një, dhe mbasi tek të pakënaqurit, nëpër
kolkhozat, nëpër fushat e përqëndrimit, në punët e detyruara e, me sa kemi dëgjuar, nëpër shkollat, është e pamundur që të mos flitet, qoftë edhe nënkuptuaras, me një farë mallëngjimi për Ballin Kombëtar, kjo lëvizje duhet të ketë akoma rrënjë në ndjenjat e Shqiptarëvet.
Por brezat e rinj ndjekin gjithmonë zhvillimin e kohëvet, e prandaj nuk duhet menduar kurrë se format e së kaluarës, cilatdo që të kenë qënë, do të përsëriten në t'ardhmen. Një gjë të këtillë nuk duhet t'a mendojnë as udhëheqësit e Ballit Kombëtar.
Mendimi i Shqiptarëvet shprehet lirisht në mërgim. Por të mërguarit s'janë veçse një përzjerje, një tollovi e atyre mbeturive që rryma e ngjarjeve hodhi përjashta. Dhe s'mund të kenë veçse atë psikologji, atë botëkuptim që kanë pasur gjithmonë dhe që iu dha rrugët e mërgimit, pikërisht sepse nuk qenë të zotët për të ndërtuar në vend asgjë të përbashkët. Më të shumët e tyre - në fund të shpirtit - kanë mbetur me ndjenjat e fisit, të bajrakut, të fesë, të tarafit, të krahinës, të katundit, të tregëtarit, të beut e t'agajt, por i fshehin këto nën emra partish, grupesh, shoqatash, që thonë të njëjtat fjalë, kanë të njëjtin program për
liri e
demokraci, digjen prej së njëjtës flakë atdhedashurie, thërresin për bashkim, e s'mblidhen dot kurrë as pesë veta tok. Ata që mbanin dje flamurin e fashizmit, sot duan të mbajnë atë të demokracisë, ata që iu hiqnin udhën ushtërivet të huaja, duan tani të vihen në krye t'atdhetarëvet, dhe çdo spiun policie, çdo lamash kafeneje, hiqet më trim, m'i mençëm nga ca që kanë mbi shpatulla tridhjetë vjet luftë kombëtare. Natyrisht, në këto kushte s'mund të ketë kurrë bashkim, sepse bashkimi, në politikë, do të thotë bashkërenditje e vleftavet dhe nënshtrim i të gjithëve me një farë disipline në shërbim të një qëllimi të përbashkët. Kurse seicili prej elementevet që përmendëm më sipër e kupton bashkimin si një
panair, ku çdo lamash të shquhet mbi të tjerët, t'i shërbejë atij që e paguan, të bëjë si t'i teket, ose të mos bëjë asgjë por të quhet sikur bën.
Në këtë grumbull të pa-emër e të pa-formë, ka edhe asish që tregojnë vullnet të mirë për të bërë diçka. Këta përgjithësisht janë prej atyre që patën treguar vullnet të mirë edhe në Shqipëri. Mbasi më të shumët ishin antarë të Ballit Kombëtar, Midhat Frashëri formoi më 1949, në Paris, Komitetin Kombëtar "Shqipëria e Lirë", të cilin vazhdon t'a kryesojë autori i këtij studimi.
Pa çfaqur kurrëfarë mtese se ai është e vetëmja forcë ose e vetëmja dritë shqiptare - siç duan të thonë kundërshtarët e tij - Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë" është munduar të mbajë dhe t'iu tregojë Shqiptarëvet rrugën e vërtetë drejt shpëtimit t'atdheut. ثshtë përpjekur të mbledhi rreth vehtes forcat shqiptare më të shëndosha, më të nënshtruara njëj qëllimi kombëtar, forca me të cilat mund të ndërtohet diçka, por nuk ka penguar kurrë asnjë tjetër organizim forcash kombëtare nëqoftëse gjinden ndokund.
Programi i Komitetit Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" është për bashkimin e të gjithë Shqiptarëvet në një shtet të pavarur, ndën një regjim lirie e drejtësie ku çdo Shqiptar t'a ndiejë vehten zot vendi, ku mbi burrërinë e lashtë, mbi vetijat e bukura të kombësisë shqiptare, të lartësohet kultura, shkallë-jetesa, besimi në kombin, bashkëpunimi në paqe dhe ndjenja e barasisë me popujt më të përparuar t'Evropës.
Për t'ecur drejt këtij qëllimi, Komiteti Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" dhe Balli Kombëtar që mbahet si shtylla kryesore e tij, i kanë dhënë rëndësinë më të madhe shtytjes së
kulturës kombëtare dhe forcimit të
moralit kombëtar tek Shqiptarët. Komiteti Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" -që e shikon kombësinë shqiptare në tërë shtrirjen ethnike të saj dhe jo vetëm brenda kufijvet politikë të Shqipërisë- ka bërë shumë përpjekje përjashta për të mprojtur të drejtat e popullsisë shqiptare të Kosovës dhe ka tërhequr vëmendjen e organizatave ndërkombëtare mbi rrezikun që krijon për paqen, për bashkëjetesën e popujve t'Evropës, shtypja e pamëshirëshme e asaj popullsie prej autoritetevet jugosllave. Komiteti është munduar gjithashtu të sqarojë botën e jashtëme sesi qëndrojnë punët ndërmjet Shqipërisë dhe propagandës mashtronjëse të Grekëvet.
Duke e ditur se n'atë grumbull Shqiptarësh të mërgimit që nuk bëjnë pjesë në të dhe që s'janë të zotët për asnjë bashkim politik ka edhe njerëz të kulturës, Komiteti Kombëtar-Demokrat "Shqipëria e Lirë" e shikon me kënaqje dhe e çmon çdo punim të tyre në lëmin e letërsisë dhe të gjuhësisë. Sepse një nga të këqiat më të mëdha që po i bëjnë komunistët kombit shqiptar është prishja e gjuhës. Me prodhimet e tyre "letrare" të dala nga zyrat e propagandës, gjuha e bukur shqipe është katandisur në një frazeologji pothuajse të pakuptuarshme, ku fjalitë janë mbushur jo vetëm me fjalë, skaje e shprehje të huaja, po edhe ndërtohen pas mënyrës së sllavishtes a të gjuhëve të tjera. Prishja e gjuhës prish edhe tiparet e natyrëshme të strukturës mendore të një populli, sepse mendja, logjika, përfytyrimi i gjëravet, janë ngushtësisht të lidhura me gjuhën. اdo kulturë kombëtare e, për rrjedhim, çdo shpirt kombëtar qëndron mbi gjuhën. I jemi mirënjohës gjithkujt që mundohet të punojë me kujdes për kërthnezjen dhe zhvillimin e filizave të natyrshëm në trungun mijëra-vjeçar të gjuhës shqipe.
link: Historia ndryshe -