Antonio Baldacci, publicisti italian që mbrojti Shqipërinë

Bilderberg

Anëtar i ri
Antonio Baldacci, publicisti italian që mbrojti Shqipërinë
20-11-2007


64dossier.jpg

Nga Dashnor KALOCI

Historia e panjohur e shkrimtarit e publicistit italian, Antonio Baldacci, i cili në 1933-in botoi në Romë një libër voluminoz për Shqipërinë, të titulluar “Studi Speciali Albanesi”. Jehona e madhe e atij libri në rrethet intelektuale europiane dhe artikulli i shkencëtarit gjerman, prof. dr. Franc Babinger, për Baldaccin, të cilin Mbreti Zog e emëroi konsull nderi në Itali.

Unë lutem që ky popull i harruar, pa asnjë arsye nga shtetet e huaja, muandobare të ruhet për ta respektuar gjithë bota si një monument i vetëm dhe i pashembullt i antikitetit, të atij antikiteti që shënon një kufi midis parahistorisë dhe historisë. Ky popull, meriton simpatinë më të çmuar të shkencës së sotme, nga pikëpamja jo më të ulët se nga ajo e para, meriton dhe të gjithë simpatinë tonë, mbasi ai përfaqëson potencën e Adriatikut, në kuptimin më të gjerë të fjalës që, ka arritur sot të përmblidhet vetëm në malet e tij të lartë që nuk kapërcehen dhe në fushat e tij, ku si trimi i pa frikësuar, është i plagosur duke i afruar popujt e tjerë fqinj, vdekjen e tij me përkrahjen e Europës”. Kështu thuhet, në mes të tjerash, në një prej faqeve të librit “Studi Speciali Albanesi”, të autorit italian, Antonio Baldacci, i botuar në Romë në vitin 1933. Autori i atij libri voluminoz për Shqipërinë dhe shqiptarët, ishte një mik dhe dashamirës i madh i vendit të shqiponjave, i cili që në fundin e shekullit XVIII, kur shumë nga shtetet europiane që ishin nën Perandorinë Otomane po kërkonin shkëputjen prej saj, ai ngriti zërin në mbrojtje të Shqipërisë, duke kërkuar që edhe ai vend i vogël, por me histori të madhe në brigjet e Adriatikut, të respektohet nga e gjithë bota si një monument i vetëm i antikitetit. Po kështu, edhe në vitin 1903, kur shumë shtete europiane i kërkuan Turqisë që të ndërmerrte reforma në vilajetet e saja në Maqedoni, Antonio Baldacci, botoi një artikull shumë të ashpër në gazetën “L’Italia Coloniale”, në të cilin i bënte të ditur diplomacisë europiane, se edhe Shqipëria kishte të drejtë t’i kërkonte reforma Turqisë, pasi ajo ishte zot i katër vilajeteve. Të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Antonio Baldacci, vazhdoi t’i mbronte me fanatizëm, duke dalë publikisht me shumë shkrime në gazeta dhe revista që botoheshin asokohe në Francë e Itali, ku ai kërkonte hapur pavarësinë e Shqipërisë. Gjë e cila kur u bë realitet në vitin 1912, nga shumë publicistë të asaj kohe u konsiderua si një profeci e Baldaccit. Të gjitha shkrimet për Shqipërinë dhe shqiptarët që kishte shkruar ndër vite, Antonio Baldacci i përmblodhi në një libër voluminoz të titulluar “Studi Speciali Albanesi”, të cilin e botoi në vitin 1933 në Romë. Ai libër pati një jehonë të madhe jo vetëm në rrethet intelektuale shqiptare dhe italiane, por edhe më gjerë në Evropë. Një ndër ata shkencëtarë të huaj që e mirëpritën librin e Baldaccit ishte dhe prof. dr. Franc Babinger, i universitetit të Berlinit, i cili në një artikull të tij, ku flet për një sërë autorësh gjermanë që janë marrë gjatë me çështjen shqiptare, ndërmjet të tjerash shkruan edhe për vlerat e librit të Antonio Baldaccit. Lidhur me atë ç’ka trajtohet në librin “Studi Speciali Albanesi” dhe vetë autorin e saj, Antonio Baldacci, bën fjalë shkrimi i mëposhtëm, të cilin e kemi shkëputur nga gazeta “Besa” e Tiranës e vitit 1933. Po kështu, bashkë me këtë shkrim, po japim edhe artikullin e shkencëtarit gjerman, prof. dr. Franc Babinger, i cili flet me superlativa dhe hollësi rreth librit të Baldaccit.

Jehona e librit të Baldaccit në Shqipëri

Në gazetën “BESA” të Tiranës, të datës 4 shkurt 1933 nën titullin, “Rreth botimit të një libri të Z. Antonio Baldacci mbi Shqipërinë”, shkruhet: “Shkrimtari i njohun italian dhe miku i vërtetë i Shqipërisë. Zoti Antonio Baldacci ka botuar tani shpejt një libër me titullin “Studi Speciali Albanesi”, në të cilin përmbahen disa nga veprat e tij që, ai i kishte shkrojtur disa vjet më parë, kur vendi ynë ishte nën sundimin Otoman, dhe ndofta nuk shpresohesh që të fitonte liria e vet, brenda në një kohë kaq të shkurtër në fakt, Zoti Baldacci asht një nga ata studiues që kan kuptuar ma mir se të tjerët rëndësinë që ka populli shqiptar në Ballkan dhe në Adriatik; ai ka ngritur zërin e tij dhe i ka kallëzuar popullit italian, se përtej bregut të Adriatikut, asht një komb që meriton respektin e tërë Europës, dhe si stërnip i Ilirianëve, duhet që Italia, më parë se të tjerët, t’i hedhi dorën për ta ngritur në shkallën që meriton. Në këtë drejtim Zoti Antonio Baldacci, ka parashikuar interesat e vërteta të Italisë dhe Shqipnis. Në miqësinë e të dy popujve ai beson se do të sigurohet e ardhmja e Adriatikut, që i takon pjesës më delikate të interesave Italiane. Në librin e ri, Zoti Antonio Baldacci, nuk ka bërë gjë tjetër, përveçse ka mbledhur, porsa i duheshin, artikujt e mëparshëm që ka shtypur në revistat e vendit dhe të huaja si ato të Francës dhe të Gjermanisë, ku çfaq mendime origjinale për të drejtat e popullit shqiptar, dhe mendohet që të formojë një opinion publik, se në mes të kombeve të tjera të Ballkanit, që kanë fituar pavarësinë e tyre, asht dhe populli shqiptar. Libri “Studi Speciali Albanesi”, përbëhet prej 300 faqesh dhe ndahet në tre pjesë: e para përmban çështje historike dhe politike, e dyta bën fjalë mbi gjendjen ekonomike dhe në pjesën e tretë ka përmbledhur disa nga veprat shkencore. Të tregojmë dhe sendet e pakta. Zoti Antonio Baldacci në vitin 1900 botoi një artikull në rivistën “Bolettino della Sociea Geografica Italiana” në të cilën mbasi tregon gjerë e gjatë historinë e vjetër të popullit shqiptar, në faqen 25 të librit në fjalë, thotë se: “Un lutem që ky popull i harruar, pa asnjë arsye, nga shtetet e huaja, muandobare të ruhet për të respektuar gjithë bota si një monument i vetëm dhe i pashembullt i antikitetit, të atij antikiteti që shënon një kufi midis parahistorisë dhe historisë. Ky popull, meriton simpatinë më të shquar të shkencës së sotme, nga pikëpamja jo më të ulët se nga ajo e para, meriton dhe të gjithë simpatinë tonë, mbasi ai përfaqëson potencën e Adriatikut, në kuptimin më të gjerë të fjalës që, ka arritur sot të përmblidhet vetëm në malet e tij të lartë që nuk kapërcehen dhe në fushat e tij ku si trimi i pa frikësuar, është i plagosur duke i afruar popujt e tjerë fqinj, vdekjen e tij me përkrahjen e Europës”. Në vitin 1903 kur ngjau revolucioni i Maqedonisë në Turqi, Europa vendosi të kërkonte prej Turqisë disa reforma për vilajetet e Maqedonisë. Në këtë rast Zoti Baldacci boton një artikull të rreptë në rivistën “L’Italia Coloniale” me datë 1903, në të cilën tregon se “dhe Shqipëria ka të drejtë të kërkojë reforma, dhe po të arrihen që të sigurohen të drejtat e Shqipërisë, atëherë nuk mbetet më vend për të tjerët në Ballkan, se ai popull është zot i katër vilajeteve të Turqisë”. Dhe këtë herë ato që shfaqte zoti Baldacci në vitin 1903, u vërtetuan në luftën Ballkanike, e cila rrodhi nga shkaku se Turqia po e njihte më vete Shqipërinë me disa privilegje. Në vitin 1906, në Belgrad dilte një fletore “Albanje”, në të cilën bëhesh fjalë se një prej princërve gjerman, paskësh në mend të bëhesh një ditë Mbret i Shqipërisë, për të cilën kishte filluar të mësonte edhe gjuhën shqipe. Në një kohë kur bisedohej shkëputja e Turqisë prej Ballkanit, sillnin parasysh dhe popullin shqiptar, për fronin e të cilit shumë veta mund të kishin shpresë. Në këtë moment Zoti Antonio Baldacci boton një artikull të ashpër në “Espanionisin Cvailes” ku shpjegon në një mënyrë të qartë periudhën e Austrisë dhe të Rusisë që ndiqnin për të arritur qëllimet e tyre, kur të ikte Turqia nga viset në fjalë, dhe tregon mendimin e tij se “Shqipëria do ta fitojë pavarësinë e saj kur të bëhet lufta e fundit e Ballkanit për ikjen e Turqisë; në atë kohë Shqipëria do të ketë edhe Mbretin e saj, me akordin e fuqive të mëdha. Nuk mund të thuhet se bëjmë ndonjë gjë të çuditur kur them se Fron i Shqipërisë duhet të mbahet prej një mbreti Kombëtar; dhe në qoftë se nuk do të gjendet ndonjë i këtillë, atëherë ai që të zërë fronin të mos jetë as gjerman, as austriak, as rus, por nga ndonjë racë tjetër”. Këto fakte dhe të tjera të zotit Antonio Baldacci, janë një provë e qartë që ai ato parashikonte disa vjet më parë, si profet i atyre fakteve, me të vërtetë u realizuan të gjitha; Shqipëria u bë e pavarur me Mbretin e Shqiptarëve, që po lartëson Shqipërinë në atë vend të lartë që paralajmëronte zoti Antonio Baldacci, për të qenë zonja e vendit të saj dhe ruajtësja e Adriatikut, që është pjesë e ndarë e atdheut Ilirianë. Pjesa tjetër historike dhe shkencore, të librit në fjalë, janë sende me shumë vleftë për t’u studiuar nga brezi i sotëm, se atje do të gjejnë elementë shumë të çmueshme për pjesët më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare si nga çdo pikëpamje. Ngushtësia tiranike e shtyllave të kësaj fletoreje nuk na premton të zgjatemi më shumë me hollësirat e këtij libri, ku përfytyrojmë disa nga problemet më interesante për çështjen shqiptare. Zoti Antonio Baldacci, ka shkruar dhe libra të tjerë mbi Shqipërinë, kur është dërguar prej ish-kryeministrit Italian, Crisspit, që është prej racës Shqiptare, dhe kështu iu dha rasti zotit Baldacci që të studionte atdhenë e Ilirianëve me tërë kuptimin e fjalës, për të cilin po mbush shtylla të vlefshme, me qëllim që të njoftoj popullin Italian, rëndësinë e Shqipërisë së pavarur dhe nevojën e përkrahjes së tyre prej Italisë. Për të gjitha këto që ka bërë zoti Baldacci, prej një kohe të gjatë prej më shumë se një e katërta e shekullit, në favorin e Shqipërisë, Naltmadhënia e Tij, Mbreti ynë, e ka emëruar Konsul gjeneral honorer i Shqipërisë në Itali. Pra librin e Zotit Antonio Baldacci “Studi Special Albanesi” të shtypur në Romë, e rekomandojmë nxehtësisht se është një vepër ku tregohet zemra e një miku të Shqipërisë, dhe mundimi i tij për mbrojtjen e idealit të Kombit shqiptar.

Shkencëtari gjerman rreth librit “Studi Speciali Albanesi”.

Prof. dr. Franc Babinger: Ja vlerat e librit të Baldaccit.

Libri “Studi Speciali Albanesi”, i shkrimtarit dhe publicistit italian, Antonio Baldacci, i botuar në Itali në vitin 1933, pati një jehonë të madhe jo vetëm në qarqet intelektuale italiane dhe shqiptare, por dhe më gjerë. Madje, ai libër u komentua edhe në rrethet e disa prej shkencëtarëve më të njohur evropianë, si prof. dr. Franc Babinger, i Universitetit të Berlinit, i cili në një shkrim të tij për autorë të ndryshëm gjermanë, që ishin marrë gjatë me studime për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndalet edhe në vlerat e librit “Studi Speciali Albanesi”, të Antonio Baldacci. Shkrimi i shkencëtarit gjerman, prof. dr. Franc Babinger (që po e botojmë të plotë në këtë shkrim), u përkthye dhe u botua edhe në gazetën “Besa” të Tiranës, në vitin 1933. Nën titullin “Literatura gjermane mbi Shqipërinë, Prej Prof. Dr. Franc Babinger, Universiteti i Berlinit”, në atë artikull shkruhet: “Shqipnia asht përshkruem në këto vitet e fundit shumë pak në hollësi dhe me sukses gati në të gjitha gjuhnat e Europës. Kryesisht në Itali kanë kallzue prej luftës botore, një interes të veçantë siç e provojnë të shumtat e veprave dhe pjesërisht të mëdha, për këtë vend të Ballkanit, i cili deri vonë pothuaj ka qenë i panjoftun dhe sidomos në disa vite të tij. Kështu p.sh. Antonio Baltaci, i cili i ka dedikue një jetë të gjatë studimit të florës, ka shtuar me botimin e tij “L’Albania” 1929 në Romë, në një mënyrë fort të dobishme numrin e veprave të çmueshme për Shqipërinë, duke dhënë mbi studimet e tij një pikturë e cila le me kuptua esencën e objektit me të cilën merret. Gjermania ka ndihmue jo ma pak se Italia dhe ka plotsue punimet italiane në shumë pika me randësi. Pa dyshim veprën gjermane mbi Shqipninë ia dedikojmë privat docentit të Berlinit, Dr. Herbert Louis, i cili si topograf ka marrë pjesë në udhëtimet gjeologjike që bani gjeografi austriak, Dr. Ernest Nowsek simbas urdhrit të qeverisë shqiptare. Dr. Herbert fitoi në këtë mënyrë një dije të thellë mbi vendin dhe njerëzit. Kështu vepra e tij “L’Albanien”, një studim i vendit duke u mbështetur kryesisht në udhëtimet e veta (Stuttgart J. Engelhorn) jep, megjithëse lakmon kryesisht të vërtetat gjeologjike, një ndihmë fort të frytshme për të njohur Shqipnin. Po këtij dijetari i dedikohet një kartë gjeografike e vendit (1:200.000) shumë e mirë e plotë, një kartë e cila u bashkëngjit së përkohshmes të shoqërisë gjeografike në rastin e njëqindvjetorit në vitin 1028. Shoku i tij në këtë kohë shëtitje, Dr. Ernest Nowak, i cili në shumë artikuj dhe trajtime ka kthjellum gjeologjinë e Shqipnisë po me masën e naltpërmendun, kështu që të dy dijetarët gjermanë mund të konsiderohen si çpërsëritsit e vërtetë të kartografisë shqiptare. Një tjetër dijetar, privat docent për Botanikë në Universitetin e Berlinit, Dr. Friderich Margraf, ka shëtitun për me studiue Shqipnin në fushatën e degës së tij (më 1924) dhe (1928) dhe u kthye me rezultate shumë të mira prej të mbrendshme të këtij vendi. Në pranverën e 1930-ës, botoi një vepër në gjuhën popullore dhe të ilustrueme me shumë piktura “In Albanien Bergen” (Stuttgart, Sirecker aud Shroeder) në të cilën përshkruan në një mënyrë të kjartë udhëzimet e tija të mbrendshmet, edhe veçanërisht shëtitjet e tija ndër malet. Shqipnia është një dorado për alpinistio, se malet e saj plot madhshti dhe bukuri, Tomorri, i dukshëm prej së largu, deri afër 2400 metra lartësi, Korabi bile deri në 2700 metra, lartësohen të fuqishëm në qiell, për të mos përmendun botën e bukur t’akujve në jugën e Mbretnis. Qysh sot guxojnë shumë udhëtarë me hye në të brendshmen e këtij vendi të tërhequn prej bukurive të natyrës dhe cilësive të rralla të banoret. Autori i këtij artikulli bani provën e parë duke botuar një libër më 1929 në “BEDEKERS DALMATIEN UNO DIE ADRIA” një tentativë kjo me i shërbye udhëtarëve si udhëheqës, të cilën e ka përsërit unnrechologu francez Leon Rey në një Guidë de Albanie, por duke heshtun mbi veprën e të parit. H.A. Barneizi, i cilli asht i njoftun për fotografitë e shkëlqyeshme të AFRIKثS, bani për qëllim me fotografue motive shqiptare dhe pikturat, të cilat ja ka shtuem librit të tij “EUROPAS VERGESSENS LAND” të shkruem me lehtësi, por dhe pak përcipërt, numërojn pa dyshim ndër më të bukurat që janë marrë mbi Shqipnin. Nën titullin “NEULAND ALBANIEN”, botoi vjet i lëvruemi shkrimtar Dr. Felderich Wallisech një libër (FRANCKSCHE UERLAGSHNDUELUNG STUTGART) i cili u ribotue për të dytën herë. Ata që e njohin Shqipnin me të vërtetë mirë, di të jenë në shumë pika të një mendimi të ndryshëm, dhe që duhet të qartohen disa gabime, të cilat shpresojmë do të çduken në një botim të mëvonshëm. Wallisch i cili asht emnue Konsul i përgjithshëm nderi, asht i mendimit që Shqipnia, që të baj një zhvillim të papritun dhe të parapamë dhe i shikon punët në mënyrë fort optimiste. Me gjith këtë, libri i tij, i shkruem në një stil të thjeshtë, jep një pasqyrë të goditun të vendit dhe të njerzvet. Edhe kur themeluesi i studimeve shkencore mbi Shqipnin, John Georg V. Hann prej Frankfurti (1811-1899) në librin “Albanesische Studen” (Janar 1854) vuni bazat për gjithë studimet e mëvonshme, ky vend konsiderohej edhe si një pikë e bardhë në kartën e Europës. Dhe qoft se sot asht studiuem në viset ma të rrezikshme dhe përshkruen shkencërisht në gjithë drejtimet, ky rezultat i dedikohet jo ma pak dijetarëve gjermanë. Vitet e fundit kanë dhanë përfundime shumë me randësi dhe asht për të shpresuem që s’kan mbaruem njoftimet fituese qysh nga lufta prej dijetarëve të shumtë gjermanë e austriakë, që kanë shetitun Shqipnin.

link: http://www.lajmishqip.com/modules.php?name=News&file=print&sid=3153
 
Redaktimi i fundit:
Pse u nda Shqipëria në fillim të shekullit XX
Si u tkurr Shqipëria e madhe nga 92 mijë kilometra katrorë në 28.000
Përgatiti Artan Gambeta

ANTONIO BALDACCI (Romë, 1917) - Anëtari i shoqërisë mbretërore gjeografike italiane Baldacci hedh dritë mbi realitetin shqiptar të asaj kohe. Projektet e Europës dhe lakmitë e fqinjëve

Në hyrje të librit voluminoz “Intireraret shqiptare”, bëhet e njohur se autori i tij prof. Antonio Baldacci është një ndër autorët që kanë dhënë një ndihmesë të madhe për të njohur Shqipërinë, “këtë vend ende plot mister dhe poezi”. Ky mbrojtës i palodhur i të drejtave të popullit shqiptar, ka studiuar pa ndërprerje Shqipërinë në të gjitha aspektet, si natyralist dhe etnograf i shquar. “Panorama” po i jep sot lexuesit kreun e parë të këtij libri, që është një shqyrtim i përgjithshëm mbi Shqipërinë e asaj kohe.

“Konferenca e Londrës, që e cungoi atë që duhej të ishte Shqipëria e pavarur, i jepte Shtetit të ri një sipërfaqe me rreth 28.000 km2, me 800.000 banorë. Kjo nuk ishte Shqipëria e Madhe që dëshironin patriotët. Ata do të donin të katër ish-vilajetet turke të Shkodrës (10.800 km2), të Janinës (17.000 km2), të Kosovës (32.900 km2) dhe të Manastirit (28.500 km2), së cilës i shtonin edhe një pjesë të vilajetit të Selanikut (rreth 3.000 km2), pra gjithsej 92.200 km2, me një popullsi prej rreth më se dy milionë e gjysmë banorë. Por kjo kërkesë e tyre ishte një aspiratë e tepëruar, sepse, ndërsa është e vërtetë që shteti i përkufizuar nga Konferenca e Londrës, nuk përmblidhte të gjithë familjen e madhe të shqiptarëve. ثshtë e vërtetë edhe se, brenda këtyre kufijve të pretenduar, intensiteti i grupeve të shqiptarëve zvogëlohet, sa më tepër ato largohen nga bërthama qendrore e përbërë nga Shteti i ri, deri në atë shkallë sa ato lejoheshin brenda popullsisë greke dhe sllave, që përbënin shumicën.

Krijimi i një shteti shqiptar të madhësisë mesatare, siç u projektua nga Evropa, dhe e banuar thuajse vetëm nga shqiptarë, ushqente shpresën se do të mënjanonin kërkesat këmbëngulëse fetare dhe politike në dobi të njërës ose tjetrës propagandë, dhe duke nxjerrë në pah një ndjenjë civile, do të sigurohej mirëqenia e atdheut të përbashkët. Tre besimet sunduese në Shqipëri, myslimanët, ortodoksët dhe katolikët, të cilave mund t´u shtohet edhe besimi i bektashinjve (rrethet administrative të Krujës, Beratit, Tepelenës, Gjirokastrës) duhet të binden për nevojën absolute që të ecin në një rrugë, që ua kërkon interesi më i lartë i atdheut. Rrëmbimi karakteristik i popullit shqiptar (ai thotë se e ka zemrën në grykë), sqima dhe ambicja e tij, frut i asaj lirie, që i hap rrugën mungesës së çdo frenimi dhe nënshtrimi të trashëguar prej shekujsh, duhet të ndreqen për t’i shërbyer këtij parimi më të madh, me qetësi e mend në kokë, sepse vetëm kjo mund të shpjerë në veprimtarinë e madhe të shtetit.

Do të ishte e dëshirueshme që të hynte si pjesë e Shqipërisë edhe pjesa më e madhe e vllehëve dhe veçanërisht ajo masë kompakte e Pindit, që iu dha Greqisë dhe që rrjedhimisht do të shkojë drejt zhdukjes. Popullsia vllahe, që ka jetuar gjithmonë në marrëdhënie të shkëlqyera me popullsinë shqiptare, dëshiron bashkimin me Shqipërinë, ku me qytetërimin e saj më të madh dhe veprimtarinë e shquar në fushën e blegtorisë, të bujqësisë, të mjeshtërive dhe të tregtisë, do të mund të ishte me dobi të pakufishme. Vllehët kanë të zhvilluar shpirtin e nismës të stërgjyshërve të tyre të lashtë romanë dhe po të mos ishin të detyruar të jetonin jashtë aspiratave të tyre, do të përfaqësonin një nga bazat më pozitive të rendit ballkanik. Mbretëria mesjetare bullgaro-rumune është në këtë vështrim shumë interesante. Ne, italianët, do të kënaqeshim, në qoftë se aspiratat vllahe do të plotësoheshin, sepse politika e qeverisë sonë, veçanërisht në njëzet vjetët e fundit, është përputhur gjithmonë me atë të Rumanisë në mbrojtje të romanizmit ballkanik.

Sulltani Abdyl Hamid u ka dhënë vllehëve, në saje edhe të nismës sonë, koncensionet më të mëdha. Patriotët arumuno-maqedonë kujtojnë edhe sot me mirënjohje të thellë iradën perandorake të vitit 1905, që i nderuari Fortis ia arriti ta siguronte nga sulltani plak…”

Përbërja e popullsisë shqiptare
“Grupi më i madh dhe interesant i arumunëve të Ballkanit është ai që njihet me emrin e fisit të frashëriotëve, që banojnë në krahinat e Korçës, Beratit dhe Përmetit në Epir, zonë që grekët duan t’ia shkëpusin Shqipërisë. Këta frashëriotë, që janë shpërndarë edhe në Maqedoni dhe Thesali, kanë ruajtur të paprekur, gjatë të përpjetave dhe të tatëpjetave të shekujve, karakterin latin të idiomës së tyre, të zakoneve dhe të veshjeve…

Ndërkaq vllehët e Pindit i kaluan përfundimisht Greqisë dhe jo Shqipërisë, siç kërkonin ata vetë. Greqia nuk u mjaftua me Pindin, por sulmoi me propagandën e vet edhe atë pjesë të Epirit që i ishte njohur Shqipërisë, me Gjirokastrën dhe me pjesën e mbetur nga vilajeti i vjetër i Janinës, si dhe me pjesën perëndimore të Manastirit, që nuk e kishte marrë Serbia. Gjirokastra ishte qyteti më vital i Shqipërisë së jugut, që përfshinte zonën ekstreme të sigurimit përballë Greqisë. Ky qytet duhej të përbënte një qendër tërheqëse me rëndësi shumë të madhe për popullsinë e shpërndarë shqiptare nëpër territorin grek. Për sa i takon krahinës së Gjirokastrës, le të kujtojmë se gazetat greke zhvilluan një fushatë për të mbështetur, kundër së vërtetës, pretendimin se shumica e popullsisë së kësaj krahine ishte greke.
Por, më 1896, konsulli i përgjithshëm italian në Janinë, komendatori Millelire i shkruante ambasadorit në Kostandinopojë se bejlerët dhe shefat e tjerë shqiptarë, nëpërmjet një italo-shqiptari, i quajtur Fanti, me origjinë nga krahina e Gjirokastrës, i kishin deklaruar se të gjithë, pa dallim, myslimanë dhe të krishterë, nuk do t’i bashkoheshin kurrë Greqisë dhe se, në rast të kundërt, do ta digjnin vendin dhe do të vrisnin fëmijët e tyre. Unë që po shkruaj e njoh vërtetësinë e këtij dokumenti, sepse duke udhëtuar shpesh nëpër Epir me komendatorin Millelire, dëgjoja çdo ditë aspiratat dhe ndjenjat e shqiptarëve të vilajetit të Janinës në atë kohë”.

Greqia dhe pretendimet e saj
“Greqia, shumë përpara luftës së dytë ballkanike, ia doli të bëjë me ndihmën e kishës, të shkollës, të agjentëve të qeverisë dhe atyre tregtarë, si dhe me anë të rrugëve të lundrimit, një politikë imperialiste në tërë Epirin deri në Seman, dhe me mbarimin e kësaj lufte kërkoi që patjetër e gjithë kjo zonë të njihej si greke. Por, kjo shpresë perëndoi: si rezultat i kundërshtimit të vendosur të Italisë dhe të Austrisë. Teza e tyre, e mbështetur më parë nga aleatët, domethënë teza e copëtimit të plotë të Shqipërisë, e detyroi Greqinë të zvogëlojë pretendimet, duke kërkuar vetëm zotërimin e gjirit të Vlorës, por jo të shkëmbit të Sazanit (që Greqia gjithnjë e ka konsideruar, kundër çdo të drejte dhe kundër çdo argumentimi gjeografik, se është pjesë e ishujve të Jonit), dhe duke kërkuar që kufiri greko-shqiptar të fillonte nga bregu i Adriatikut, rreth 15 kilometra në jug të vetë gjirit, për të mbërritur në drejtimin veri-lindje në liqenin e Ohrit dhe të bashkohej atje me kufirin serb.

Nga njëra anë Italia dhe Austria dhe nga ana tjetër Greqia u bindën më në fund ta dredhojnë kufirin në Pargë dhe pastaj në Kalamas, në mënyrë që kufiri i ri të mbaronte në kepin e Stilos. Me të drejtë, dy fuqitë e Adriatikut refuzuan të bëjnë lëshime të mëtejshme, edhe pse të dyja ishin fort të interesuara për rindërtimin e një shteti shqiptar të pavarur, që të ishte në mënyrë të mjaftueshme i fortë dhe vital, edhe pse deshën që kanali i Korfuzit, që ka një rëndësi të madhe strategjike, të mos binte tërësisht në duart e Greqisë, që ishte kthyer në një fuqi talasokratike jo e papërfillshme. Dihet veprimtaria e parreshtur e intrigave që ka zhvilluar më pas Greqia për të penguar ravijëzimin e kufirit jugor të Shqipërisë dhe për t’i marrë shtetit të ri shumë nga rajonet e tij më pjellorë dhe më të populluar (pa të cilët ai nuk mund të jetonte), duke dhunuar hapur parimin e kombësisë së popullit shqiptar. Vendi, mbi të cilin Greqia ka drejtuar lakminë e saj mund t’i vërtetojë shkencës dhe diplomacisë, mbi bazën e parimit të kombësisë, se Greqia nuk ka ndonjë të drejtë që t’ia vlejë të shqyrtohet.

Neve nuk do të na mungojë respekti për Greqinë, duke thënë se nuk ka kursyer asnjë mjet për të shkombëtarizuar për qëllimet e veta megalomane Epirin verior dhe qendror, siç kishte bërë më parë për Epirin jugor. Një studiues i çështjes epirote ka shkruar këto kohët e fundit: “ثshtë një fakt i padiskutueshëm se në Shqipërinë jugore po zhvillohet prej shumë vjetësh nga grekët një veprimtari e zellshme dhe këmbëngulëse për asimilimin dhe shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare. Grekët, nëpërmjet dhuratave të bollshme të helenëve pasanikë të shpërndarë nëpër botë, kanë mundur të mbjellin dendur në Shqipërinë jugore shkollat dhe kishat e tyre, dhe duke vlerësuar edhe faktin se shumë shqiptarë të jugut ndjekin besimin greko-ortodoks, kanë mundur të arrijnë suksese të theksuara.

Atje ku nuk kanë mjaftuar shkollat, kishat dhe paratë, kanë hyrë në skenë bandat greke për të ushtruar akte të prepotencës dhe brigandazhit në dëm të popullsisë shqiptare, që nuk pranon të braktisë gjuhën, zakonet dhe aspiratat kombëtare. Beteja për kombësinë është shpërthyer nga grekët jo rrallë në Shqipërinë jugore dhe gjatë shumë viteve me metoda të ashpra, të përdorura nga vetë grekët, nga bullgarët dhe nga serbët në krahinat e Maqedonisë”. Populli shqiptar i braktisur në fatin e vet, pa shkolla, pa kishat e veta, pa ndihma materiale dhe morale të përshtatshme për të kundërbalancuar punën sekrete dhe të hapur të të gjitha propagandave që e kanë copëtuar, është gjetur i dobët para propagandës panhelenike. Qeveria turke i dërgonte toskët të shtypnin revolucionet në Jemen dhe e shpopullonte vendin. Shumë popullata të futura në kurth dhe të lodhura nga qëndresa binin lehtas pre e lakmisë greke. Por, nuk u kthyen të gjithë helenë në shpirt dhe shumë shqiptarë të jugut që flasin greqisht jashtë shtëpisë, brenda mureve të banesës përdorin vetëm gjuhën kombëtare.

Ndryshe si mund t’i rezistosh propagandës greke? Mjafton vetëm një shembull i marrë rastësisht nga qindra e qindra të tjerë. Më 20 qershor 1905, një bandë brigandësh grekë hynë në Plasë, një fshat afër Korçës, i banuar sidomos nga arumunë, grabitën kishën, dogjën librat e shenjtë, terrorizuan popullsinë dhe u larguan, pasi afishuan këtë proklamatë për banorët: “Njoftojmë banorët se kush do të deklarohet me kombësi vllahe, ose do të dërgojë fëmijët e tij në shkolla vllahe, ose do të lutet në kishë vllahe, do të dënohet me vdekje dhe do t’i pritet koka”.

Elementi shqiptar në vështirësi
“Kjo situatë e tmerrshme, në të cilën gjendet elementi shqiptar nga njëra anë dhe ai vllah nga ana tjetër, të dy të braktisur në fatin e tyre, ka krijuar një gjendje të tillë, ku pushtimi grek i Epirit zyrtarisht shqiptar, i ka vënë vetes qëllimin që të shkatërrojë çdo gjë që nuk është greke; çdo gjë, dhe në rast nevoje i gjithë vendi të mbytet në gjak. Në këtë mënyrë, pas disa vjetësh nuk do të dëgjohet më në Epir asnjë fjalë shqip ose vllahisht. Por, a e kujtojnë rastësisht grekët pikëllimin që kish në zemër historiani i tyre Phrantses, kur thoshte i tronditur se Peloponezi ishte kthyer tërësisht në shqiptar? Ata shqiptarë kishin mbërritur aty nga Epiri, sikundër dëshmojnë emrat që të ardhurit e rinj u dhanë fshatrave të tyre dhe që riprodhojnë të gjitha vendet dhe emrat e Epirit, ata u bënë ushtarë nga despotët dhe arkondët grekë për t´u mbrojtur nga ndikimet e të huajve dhe statistikat greke janë akoma të detyruara edhe sot të rinjohin mijëra e mijëra shqiptarë që jetojnë në mbretërinë e vjetër greke.

Ne, italianët, mund të provojmë me rapsoditë të vërtetën që pohojmë. Në kohën e pushtimit turk në Greqi, popullsia e shumë fshatrave shqiptare emigruan në Italinë e jugut dhe në këngët e tyre kujtohet prejardhja nga Morea dhe riti i tyre është akoma ai grek. Bregdeti shqiptar qysh prej kohësh të lashta ka qenë hyrje-dalja e tregtisë nga Danubi në Adriatik dhe ka qenë, pra, pikësynimi gjithnjë i lakmueshëm i të gjitha aspiratave të popujve danubianë. Në Mesjetë, si dhe në lashtësi, rrugët e karvaneve ndërmjet Danubit dhe Adriatikut kanë qenë gjithmonë aktive, edhe nëpërmjet gërmadhave, dhe vazhdonin t´u shërbenin qyteteve kryesore që kishin porte të rëndësishme si Durrësi, Antivari, Kotorri, Raguza; ishin rrugë që vinin nga Kosova, Metohia dhe Serbia, dhe mund të quheshin arterie të bagëtisë e të mineraleve që çonin në vendet e perëndimit, si dhe të produkteve të industrisë e të qytetërimit perëndimor që çonin drejt vendeve danubiane. Këto trafiqe, si të eksportit, ashtu edhe të importit, lidheshin kryesisht me Italinë.

Trafiku me Bizantin dhe me Selenikun ishte i kufizuar. Rruga e Zetës, si dhe ajo nga Prizreni, Shkodra dhe Antivari kishin rëndësi të madhe edhe në kohën e turqve. Ura e Vezirit është vepër e Bushatllinjve, po ashtu si edhe ura më e vjetër e Mesit dhe shumë të tjera. Në jug vazhdonte veprimtarinë e vet rruga Egnatia, që fillonte në Durrës. Nga kjo rrugë kanë mbetur akoma gjurmët në terren dhe në rrugët e karvaneve. Por, pavarësisht nga dekadenca që pësoi vendi, për shkak të braktisjes dhe të anarkisë, këto dy rrugë të trafikut ndërmjet lindjes dhe perëndimit, mbetën shumë aktive deri në shekullin XIX. Dr. J.Muller, që ishte për një kohë të gjatë në shërbim të turqve në fillim të këtij shekulli, tregon se në territorin e Kosovës dhe të Metohisë mbërrinin edhe atëherë nëpërmjet rrugës së Zetës produktet e kulturës italiane dhe niseshin produktet e bujqësisë, të blegtorisë dhe të minierave. Deri në këta dhjetëvjeçarët e fundit, tregtia ndërmjet Prizrenit, Shkodrës, Adriatikut dhe Italisë ishte e leverdisshme, dhe kjo pavarësisht se vendi në tërësi ishte shpesh nën pushtetin absolut të banditëve, megjithëse turqit ishin kujdesur për sigurimin e rrugës, duke vendosur gjatë kësaj arterieje pika të shumta të rojeve.
Rrugët e karvaneve të Zetës dhe të Egnatias janë rrugë të transmetimit të emigracionit historik dhe të trafiqeve italo-ballkanike, të cilat në aspektin e fundit kanë humbur rëndësinë e tyre primitive vetëm pas ndërtimit të hekurudhës ndërmjet Beogradit dhe Selenikut; atëherë karvanet filluan të humbin rëndësinë e tyre në dobi të Selenikut dhe në dëm të Durrësit dhe të porteve të Adriatikut: Kosova, Metohija dhe Maqedonia, që më parë vinin në Adriatik, ndërruan rrugë drejt Egjeut”.

Serbët e kishin lënë veriun e Shqipërisë mes perëndimit e lindjes
“Qytetërimi serb mesjetar ka lënë në Shqipërinë veriore, vend i tranzicionit ndërmjet qytetërimit lindor dhe atij perëndimor, gjurmë të dukshme, sidomos në kisha dhe kështjella. Megjithatë, Shqipëria ka mbetur në varfëri dhe përzjerjet shqiptaro-serbe mesjetare nuk janë të rrënjosura thellësisht. Në malësitë ka mundësi që serbët të kenë qëndruar më tepër me forcë se me ligje, ata nuk kanë lënë gjurmë serioze të një asimilimi të vërtetë, megjithëse toponimia sllave është shumë e bollshme përsa u takon malësive. Zbulimet e fundit na bëjnë të njohur se udhëheqësit shqiptarë kishin mësuar mirë serbishten, si gjuhë të qeverisë dhe të aferave, por në familje kishin mbetur shqiptarë të përkryer. Dhe ndoshta sundimi serb u vendos fillimisht në fund të shekullit XIII për të ngacmuar shpirtin shqiptar. Në këtë kohë, në të vërtetë, ne fillojmë të kemi lajme për emigrime të shumta të shqiptarëve që nuk e duronin zgjedhën serbe në Shqipërinë qendrore, gjë që del qartë në kohët më të mira të qytetërimit sllav, kur apostulli i pavarësisë shqiptare, Karl Topia, shpërnguli krejt Balshajt dhe i vendosi në tokat e fiseve fisnike të Durrësit.
Këto lëvizje të fiseve malësore, që kanë lënë gjurmë të pandërprera në kujtesën e popullit, dhe që u shtuan në shekullin XIV, kanë qënë të detyruara, pa dyshim, nga përndjekjet e serbëve. Gjatë sundimit turk gjendja ka ndryshuar. Procesit të sllavizimit të kryer nga serbët iu kundërvu një proces shumë i fortë i shqiptarizimit, në vazhdim të të cilit serbizmi pothuajse u asgjësua. Por ndër shqiptarët mbetën të ndjeshme zakonet dhe legjendat e serbëve. Dhe ndërsa nga njëra anë shohim ndikimin që serbët kanë ushtruar në jetën intime familjare të shqiptarëve, nga ana tjetër vemë re se shqiptarët u kanë dhënë serbëve normat e së drejtës së tyre zakonore. Nuk ka dyshim se kuçët, piperët dhe vasojeviçët, siç tregojnë rapsoditë, nuk rrjedhin nga familje shqiptare. Martesa bëhen edhe sot ndërmjet serbëve të Malit të Zi dhe shqiptarëve katolikë të Shqipërisë kufitare. Përkundrazi, mirditorët ruajnë traditën se paraardhësit e tyre janë me origjinë sllave, dhe kjo mbështetet nga Hahni dhe Hequardi. Mendimi i shprehur nga këta dy udhëtarë është mbështetur nga dëshmitë e personave të denjë për t’i besuar, që i kanë vjelur këto kohët e fundit nga goja e mirditorëve (ndërmjet të cilëve edhe kapiteni Ndue Gjoni), të cilët thonë se janë të prejardhur nga tre vëllezër me origjinë nga fusha e Kosovës. Sipas kësaj legjende, një nga tre vëllezërit mbeti në atdhe, i dyti erdhi në Mirditë dhe i treti shkoi në Shalë”.

Përshtypje e rremë
“Edhe sot mirditasit dhe shalianët konsiderohen si kushërinj me lidhje martesore dhe, për më tepër, nuk do të ndodhë kurrë që një mirditor të marrë një vajzë nga Shala, ose anasjelltas. E gjithë kjo tregon se mbivendosjet e fiseve, të popujve dhe të ndikimeve kanë qenë të vazhdueshme si dallgët e një deti në stuhi në këtë zonë kufitare ekstreme të Ballkanit perëndimor dhe të humnerave dinarike, të Alpeve shqiptare, të Akroçeraunisë, ku popujt më të ndryshëm janë përleshur egërsisht për sundimin e detit dhe të pasurisë, në kërkim të vendqëndrimeve më të mira. Njeriu nuk është ndalur kurrë, dhe aq më tepër në këto anë, ku instinkti bredh si endacak i shqetësuar, ndoshta edhe nga vështirësitë e jetës endacake që u ka krijuar mjedisi i varfër në burime blegtorale ndërmjet kullotave bregdetare dhe maleve”.



#
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top