Zagarja e gjahtarëve të gënjeshtrave në Serbi

Kresha

A pretty face can never trick me
Karla e përkëdhelte shpeshherë Serbinë kur krijonte përshtypjen se Serbia po bashkëpunonte me të, por kriminelët më të dëgjuar serbë të luftës "nuk kapeshin dot".


Shkruan: Abdi BALETA

Nuk dimë se me çfarë tjetër ta krahasojmë rolin që ka luajtur ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, që me trillimet e saj në librin "Gjuetia" ua ka sjellë në shteg gjahtarëve serbë të gënjeshtrave përgojimin e shëmtuar se UاK-ja dhe Shqipëria paskan vrarë 300 robër serbë për t'u marrë organet e brendshme për kontrabandë. E kishim vënë re me kohë se Karla del Ponte ishte shmangur shumë nga rruga e hetimeve serioze, të ndershme dhe të moralshme të krimeve serbe të luftës në ish-Jugosllavi dhe nga detyra e saj për të vënë me kohë e me vendosmëri para përgjegjësisë penale ndërkombëtare autorët e vertetë të krimeve të tilla.
Karla e përkëdhelte shpeshherë Serbinë kur krijonte përshtypjen se Serbia po bashkëpunonte me të, por kriminelët më të dëgjuar serbë të luftës "nuk kapeshin dot". Disa janë ende në liri. Shmangien më flagrante politike të Karlës nga roli i saj si juriste e vumë re kur tentoi të vinte shenjën e barazimit midis krimeve që kishin bërë ushtria dhe milicia e Milosheviçit për të kryer gjenocid e spastrim etnik në Kosovë dhe aksioneve ushtarake që ndërmerrte UاK-ja në kushte tejet të vështira për të mbrojtur shqiptarët.
Karla sfidoi turpshëm vuajtjet dhe të drejtat e shqiptarëve, ndjenjat e bashkësisë ndërkombëtare që dënonte gjenocidin serb, si dhe moralin e drejtësinë ndërkombëtare kur tentoi të vinte shenjën e barazisë midis krimit masiv serb dhe luftës së shqiptarëve për mbijetesë e për çlirim në Kosovë.
Këtë shmangie nga roli i saj si përfaqësuese e akuzën ndërkombëtare kundër një gjenocidi në kontinentin evropian Karla e bëri këtë në mënyrën më të shëmtuar e me kryeneçësi duke thirrur si të pandehur në Hagë për "krime lufte" njërin nga komandantët më të shquar të UاK-së, Ramush Haradinajn, që në kohën kur Karla formuloi akt-akuzën ishte edhe kryeministër i Kosovës. Shërbim e shpërblim më të madh Milosheviçit e Serbisë prokurorja nuk mund t'u bënte.

Shpallja e Haradinajt i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare ishte patjetër një dështim i rëndë për rrugën politike të shtrembër që kishte marrë Karla në trajtimin juridik të konceptit dhe të rasteve të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi. Ky vendim i Gjykatës me siguri do ta ketë tronditur shumë prokuroren, do të ketë shkaktuar turbullirë në ndjesitë e saj dhe do të ketë nxitur ligësinë për hakmarrje në mendjen e saj. Në nderin e saj si eksperte juridike e atij niveli ku e kishin vendosur do të ishte që vendimi gjyqësor për çështjen e Haradinajt t'i kishte shërbyer për të nxjerrë edhe ajo një mësim të vonuar, për të ndrequr konceptet e saj juridike dhe për të pastruar ndjesitë politike që e kishin shtyrë në rrugën e gabuar të barazimit të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës me krimet monstruoze të Serbisë që bënte spastrim etnik e gjenocid në Kosovë.

Portretit politik e juridik të Karlës do t'i bënte shumë mirë një fshirje njollash para se të hynte në shërbimin diplomatik të vendit të saj, Zvicrës. Por "çuditërisht" pikërisht në këto çaste Karla del Ponte bëri veprimin më të rëndë e më të turpshëm që mund të bëjë një funksionar i lartë i drejtësisë ndërkombëtare, kur lëshoi si lopa bajgën në mes të rrugës, "dyshime serioze" se në një stan në Shqipëri ishin therur si kecat 300 serbë të kapur nga UاK-ja, të cilëve u ishin marrë organet e brendshme për të bërë kontrabandë me to. Fjalën stan nuk e kam vënë në thonjëza, sepse ajo shtëpia fshatare në krahinën Matit, sado e rregulluar të ketë qenë nga të zotërit, për të bërë operacioe të marrjes së organve njerëzore për transplantim e trafikim përbën mjedis edhe më të papërshtatshëm se një stan i zakonshëm në bjeshkë për të therur tufa të tëra kecash. Marrjet e organeve njerëzore për transplantim në Shqipëri nuk realizohen dot as në sallat më të mira të kirurgjisë, e jo më në një shtëpi fshati në thellësi të vendit. Kaq shumë "organe" të grabitura për transplantim do të linin shenja që langojtë serbë apo hetuesitë e Karlës të kishin rënë me kohë në gjurmët e tyre se ku shkuan, kush i mori, si u blenë e si u shitën. Deri tani askush nuk ka thënë ndonjë fjalë për këto.

Karla del Ponte qysh në fillim duhej të kishte qeshur me trillimin që i kishin servirur serbët. Por ajo e paskësh marrë atë trillim tejet seriozisht dhe pat nisur për në Mat një ekip shumë të gjerë hetuesish e ekspertësh ndërkombëtarë që bënë në atë shtëpinë e zakonshme fshatari në Mat të gjithë vëzhgimet e hetimet e mundshme me solucionet e paisjet më të sofistikuara dhe u kthyen duarbosh tek prokurore Karla, sepse nuk kish çfarë të gjenin. Kaq duhej t'i mjaftonte Karla del Pontes ta ndjente veten të turpëruar para kolegëve të saj që kishin marrë dijeni për këtë aventurë hetimi të rrallë në historinë e gjurmimit të krimeve të luftës. Karla duhej të ishte ndjerë e fyer nga ata që ia kishin servirur këtë episod për hetim.

Karla nuk u ndje për afër 4 vjet, çka mund të dukej se ajo turpërohej dhe para vetes kur kujtonte se në çfarë bataku intrigash e kishin tërhequr sharlatanët e shpifjeve serbe. Por në librin "Gjuetia" që e botoi në Itali në gjuhën italiane, pasi nuk ishte më prokurore, Karla nuk qëndroi pa lehur si zagarja e gjahtarëve të propagandës shpifëse serbe, që të çonte gjahun propagandistik në pritë të tyre. Vetëm pasi i lëshoi dhe lehjet e fundit kundër UاK-së e Shqipërisë mori rrugën diplomatike drejt Argjentinës.

Kur u bë i njohur libri i Karlës çdo njeri i ndershëm duhet ta ketë shtruar pyetjen : pse kjo prokurore e rrallë në histornë e drejtësisë penale ndërkombëtare nuk ka çuar për vite të tëra punën deri në fund një hetim që e kishte nisur dhe kishte dyshime faktike apo intuitën juridike se mund të zbulonte ndonjë të vërtetë të tmerrshme? Pse kjo prokurore e rrallë ndërkombëtare një dyshim të sajin, që e kanë hedhur poshtë 10 apo 15 juristë e ekspertë ndërkombëtarë të mobilizuar prej saj pasi kanë hetuar në vendin e dyshuar të ngjarjes, sapo ka dorëzuar detyrën e kryehetueses e ringjall si dyshim shumë serioz me të cilin dikush duhet të merret? Ku është serioziteti profesional e moral i kësaj prokuroreje të vendosur në pozitë kaq të lartë, kur jo vetëm me mendjelehtësi, por dhe me poshtërsi, nis një hetim të kotë, nuk bindet edhe pasi hetimi është bërë, hesht për vite të tëra dhe pastaj si pa të keq dyshimet që i kanë ngulitur në mendje serbët i lëshon nëpërmjet një libri si fakte që mund të kenë ndodhur e duhen hetuar sërish? اfarë serioziteti profesional e moral ka një hetuese e tillë që edhe pas përgënjeshtrimeve që kanë bërë kolegët e saj të punës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës nuk ka guximin qytetar të sqarojë publikisht pse ka lajthitur dhe pse ka vepruar në atë mënyë, duke qenë krejt e vetëdijshme se deklaratat e saj do të shkaktonin sherre të mëdha ndërshtetërore dhe do të përdoreshin nga njerëzit e politikës e të drejtësisë më kriminele në Europë, ato të Serbisë?

Pikërisht kjo po ngjet tani kur një valë e re propagande e fëlliqur serbe shpërtheu pas vizitës që bëri në Tiranë prokurori serb Vukçeviç, për të shtruar para kolegëve shqiptarë " çështjen e organeve të trafikuara të serbëve të vrarë". Qysh kur nisi fushata e parë e pahijshme rreth "zbulimit " të Karla del Pontes shumë mekanizma dhe persona që ishin në dijeni dhe kishin për detyrë të shpreheshin nga Shqipëria sqaruan mjaftueshëm si qëndronte e vërteta. Madje opinioni publik në Shqipëri u ndje pakëz i tradhtuar nga organet e drejtësisë dhe nga shtypi shqiptar që nuk i kishin vënë në dijeni me kohë për këtë intrigë të shëmtuar serbe, qysh kur në Mat kishin bërë hetime të dërguarit e Karla del Pontes, katër vite më parë.
Shumë shqiptarë janë të zemëruar që organet shqiptare të drejtësisë për të plotësuar kërkesat sherrxhije të Karla del Pontes kishin lejuar atëherë të shqetësohej në atë mënyrë një familje e ndershme në Mat, e cila kishte punët e hallet e veta të jetës dhe nuk kishte përse të përgojohej nga burokratë ndërkombëtarë e nga kriminelë serbë. Pati mjaft kërkesa që organet shtetërore shqiptare të nisnin një proces penal ndërkombëtar kundër Karla del Pontes. Kalimi i kohës i ftohu gjakrat dhe pak nga pak për shqiptarët emri i Karlës mbeti një kujtim i keq që nuk e vlente të merreshe më tej me të.

Por ata që e futën Karlën në këtë lojë kanë nevojë për vazhdimin e lojës. Prandaj në fund të muajit tetor u shfaq në Tiranë prokurori serb Vukçeviç me dy ndihmës të tij, sa për të bërë një takim me kryeprokuroren e Shqipërisë Ina Rama dhe për t'u kthyer pastaj në Beograd që të vihej në lëvizje makina shpifëse serbe, se provat që nuk i ka pasur del Ponte, që nuk i ka as Serbia, kanë ekzistuar, por qenkan zhdukur me një urdhër të kryeministrit shqiptar Sali Berisha, sipas kërkesës së Ramush Haradinajt. (gazeta "Shqip", 30 tetor 2008). Pra, Vukçeviç bën një akuzë që as nuk vërtetohet dot, as ka nevojë të vërtetohet, sepse edhe me kaq serbët mund të vazhdojnë fushatat e tyre propagandistike në stilin gënjeshtar për të cilin ata janë shumë të specializuar. Ky ishte misioni i udhëtimit të Vukçeviçit në Tiranë, sa për të nisur episodin e ri të propagandës shpifëse.
Zhurmuesja e propagandës serbe mund të heshtë tani, por gjahtarët serbë të shpifjeve vazhdojnë të ndjekin gjahun që ka "zbuluar" ajo në pyllin e librit "Gjuetia".
Kësaj radhe langojtë e shpifjeve nga Beogradi po i fusin më shumë në siklet shqiptarët se zërat nga "Gjuetia" e Karla del Pontes. Prokurorja e përgjithëshme e Shqipërisë, që ndoshta ende nuk e ka marrë vesh as vetë përse priti prokurorin provokator serb Vukçeviç, ka qenë e detyruar të bëjë njëfarë vetëmbrojtjeje se ajo ka ka vepruar sipas ligjit dhe se i ka thënë serbit se në Shqipëri nuk është bërë trafik organesh. ( gazeta "Shqip 30 tetor 2008) Vukçeviçi me siguri nuk priste që Ina Rama t'i pohonte se në Shqipëri është bërë trafik organesh, por atij i duhej një udhëtim në Tiranë për të dëshmuar para serbëve se po i mbron shumë të zhdukurit e tyre, se Serbia po e shtrin edhe në Shqipëri hetimin për zhdukjen e 300 vetave. Vukçeviçit i duhej ky udhëtim për të krijuar idenë se roli i tij është më shumë të hetojë për krimet e luftës që janë bërë kundër serbëve se të hetojë kriminelët serbë që kanë bërë krime lufte. Pra Vukçeviçi hiqet se Serbia po merr atë rol që nuk e bëri dot si duhej Karla del Ponte që në gjykimin e kriminelëve të luftës në ish-Jugoslavi të vihet shenjë barazimi të plotë midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është dëmi që sjell mbërritja e Vukçeviçit në Tiranë.
Por për këtë shkarje të padëshiruar të drejtësisë shqiptare është fajtore dhe diplomacia shqiptare, sepse kjo diplomaci duhej ta kishte përgatitur më mirë terrenin brenda në Shqipëri që politika e diplomacia serbe të mos korrnin "fitoren Vukçeviç". Drejtësia dhe diplomacia shqiptare duhet t'ia kishin bërë të qartë diplomacisë e drejtësisë serbe se nuk kishte vend për udhëtim të Vukçeviçit në Tiranë, sepse për problemin që interesohej ai, kishte tagër vetëm Gjykata Ndërkombëtare në Hagë dhe ajo i kishte bërë me kohë veprimet e duhura.
Më e keqja është se vizita e Vukçeviçit në Tiranë ka lënë pas një grindje më shumë midis propagandistëve që i mbështesin qeveritarët dhe atyre që mbrojnë rolin e prokurores së përgjithëshme të Shqipërisë. Më 31 tetor në gazetën "Koha Jonë" në Tiranë u shfaq një titull shkrimi "Ina Rama legjitimoi serbët. Kosovarët kundër pritjes së prokurorit serb mbi pretendimet për trafik organesh nga UاK". Shkrimi paraqitej si huazim nga gazeta e Prishtinës "Ekspress". Por dihen bashkëpunimet gazetareske midis Tiranës e Prishtinës që mundësojnë lojëra të pahijshme kur materialet e përgatitura në Tiranë i qarkullojë nëpërmjet Prishtinës para se të botohen për t'i bërë më tronditëse për lexuesin në Shqiëpri. Gazeta "Koha Jonë", sikurse kanali televiziv "Klan", këto kohët e fundit ka qenë në pararojë të sulmeve kundër prokurores së përgjithëshme. Kurse "Gazeta Shqiptare" që mban anën e Ina Ramës të njëjtin episod e shtjellonte nga një këndvështrim tjetër "Kosova kritika Shqipërisë pse priti prokurorët serbë".

Më mirë do të ishte që prokurorët serbë të mos ishin pritur. Nuk ka vend për kontakt as për mirësjelle në raste të tilla, kur është e sigurtë se serbët i duan kontaktet vetëm për të kurdisur ndonjë djallëzi e poshtërsi. Edhe pse Ina Rama e priti Vukçeviçin nuk duhet kaluar në kacafytje brenda mekanizmave të shtetit shqiptar, sepse përsëri serbët përfitojnë. Rama as ka legjitimuar, as mund t'i legjitimojë akuzat serbe.
Kurse sulmet e Vukçeviçit ndaj kryeministrit të Shqipërisë duhen parë si një thikë me dy presa: për të acaruar plagën e grindjeve brenda shqiptare rreth "çështjes Fazliç" dhe për të tërhequr Shqipërinë në debate të zgjatura në rrafsh ndërkombëtar, duke e larguar diplomacinë e Shqipërisë nga puna kryesore e saj për njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Karla del Ponte në Argjentinë mund të zbavitet nëse ka dashur pikërisht këtë gjë që zërat e saj për nxitjen e gjahut antishqiptar të lëshuara në "Gjuetia" të vazhdojnë jehonën në Ballkan dhe të nxisin gjahtarët serbë të gënjeshtrave të mos i lëshojnë nga dora çiftet e shpifjeve të tyre.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top