Vizita sekrete e Albert Einstein në Shqipëri? Dalin në dritë argumente të reja!

Lauri

Anunnak
Vitin 1931. Albert Einstein mund të ketë kryer një vizitë të fshehtë në Shqipëri. ثshtë pajisur me një pasaportë shqiptare, mbase edhe me emër të ndryshuar. Burimet e deritanishme dëshmojnë se këtë pasaportë e ka marrë në Pogradec. Mandej, pas një qëndrimi treditor, ka vijuar axhenën e tij përgjatë atyre viteve të mundimshme e të rrezikshme njëkohësisht, si për të, ashtu edhe për të gjithë hebrenjtë. Teza e guximshme e diskutuar edhe më parë në radhët e studiuesve e historianëve shqiptar, rikthehet me një analizë të re në librin e studiuesit Shaban Sinani, "Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi". Mes shumë dëshmive e fakteve mjaft intriguese të këtij libri (i sapobotuar nga shtëpia botuese "Naimi"), historinë befasuese që lidhet me gjeniun e madh, studiuesi Sinani e trajton që në kapitullin e parë e të monografisë së tij. "Ka të dhëna se në vitin 1931, në Shqipëri mund të ketë zhvilluar një udhëtim incognito ,edhe shkencëtari i famshëm A. Einstein.


Dokumentet provojnë se në fillimin e atij viti ai ka pasur një kontakt shkresor me konsullatën shqiptare në Leipzig", - shkruan Sinani, ndërsa argumenton se, "kohët e fundit është shërbyer një burim shkresor nga Bashkia e Pogradecit, i pacertifikuar ende (sepse nuk është lëshuar nga shërbimi arkivor), sipas të cilit, në vitin 1931 kjo bashki ka lëshuar një certifikatë qytetarie (pasaportë) në emër të A.Einstein-it". Sidoqoftë, pyetja: "A e ka vizituar Shqipërinë në fillimin e viteve 1930 shkencëtari nobelist me prejardhje hebreje, Albert Einstein?", kërkon të tjera argumente për ta vërtetuar. Sipas studiuesit Sinani, studimi më i plotë për këtë argument mbetet ai i dr.Jovan Bashos, në të cilin janë sistemuar të dhëna të karakterit dokumentar dhe të tjera të karakterit memoaristik. Por, kërkimi i burimeve provuese autentike ka ndeshur në vështirësi. "Përgjithësisht, kërkimi i është përmbajtur tezës së një udhëtimi të fshehtë të Einstein-it në Shqipëri. Po të ndiqej një tezë tjetër, e një udhëtimi zyrtar, gjurma e kësaj vizite do të gjendej si në shtypin e kohës, ashtu dhe në burimet arkivore. Edhe për sa i përket mundësisë së pajisjes me pasaportë shqiptare nga qeveria mbretërore, është ndjekur i njëjti arsyetim: kjo pasaportë mund t'i jetë lëshuar në një emër tjetër. Në fakt, në kronografinë zyrtare të jetës së Einstein-it nuk gjendet asnjë e dhënë për një udhëtim të mundshëm të tij në Shqipëri dhe për zotërimin e një pasaporte shqiptare. Të gjitha këto të panjohura e vështirësojnë kërkimin, por nuk e pamundësojnë", - argumenton Shaban Sinani.

Letërkëmbimi me Bernstein

Shaban Sinani argumenton më tej në monografinë e tij se, burimet e tërthorta, të ndërlidhura me ato memoaristike dhe të arsyetuara në një disiplinë të fortë mendimi, mund të çojnë në përfundime bindëse rreth kësaj enigme të madhe. "Marrin rëndësi në mënyrë të veçantë disa burime që përshkruhen në 'Guide to the Papers of Herman Bernstein (1876-1935) 1899-1935', RG 713 (Regest nr. 713). Sipas këtyre të dhënave, në arkivat e ministrit të atëhershëm fuqiplotë të SHBA në Tiranë, pikërisht në vitet 1930-1933, gjenden dokumente që përmbajnë nota diplomatike për veprime rutinore konsullore, ose për dhënie vizash apo lehtësim procedurash vistimi", - shkruan Sinani. Por, sipas tij, mbi të gjitha e përforcon argumentin e mundësisë së një vizite të fshehtë të Einstein-it në Shqipëri letërkëmbimi i ambasadorit Bernstein personalisht me të dhe interesimi i shprehur zyrtarisht prej këtij të fundit për ardhjen e tij në Shqipëri, interesim i shprehur edhe për një tjetër personalitet amerikan me një rol historik në fushën e edukimit, Charles Telford Erickson.

Në foto së bashku

Fakti që Herman Bernstein dhe Albert Einstein dëshmohen në foto të përbashkëta prej vitit 1928 deri në vitin 1933, sipas të gjitha gjasave në Tiranë, merr një rëndësi parësore logjike dhe burimologjike, thotë studiuesi Shaban Sinani. Por, sidoqoftë kjo çështje mbetet e hapur për kërkime jo vetëm në arkivat e ambasadorit Bernstein, por sidomos në burimet shqiptare, në ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme (shërbimi konsullor në Leipzig dhe në Vjenë), në arkivat administrative dhe financiare të Bankës së Shqipërisë, në arkivat e portit detar të Durrësit dhe në arkiva të tjera. Sipas Sinanit, marrin një rëndësi parësore edhe disa fakte të tjera, që zbulohen pikërisht përmes arkivave të H.Bernstein. "Në koleksionin e fotove të periudhës së shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri gjendet, krahas A. Enistein-it, ndër të tjera edhe një prej dy miqve të tij të tjerë shumë të rëndësishëm, jo vetëm për mbrojtjen e hebrenjve para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe në themelimin e shtetit të Izraelit: Judah Leon (Leib) Magnes dhe Chaim Weizmann", - argumenton Sinani, ndërsa fokusohet pikërisht në arkivat e ambasadorit Bernstein, si një prej burimeve kyçe ku duhen vijuar hulumtimet. Nga ky arkiv, Sinani veçon regjistrin 713, ku shënjohen seria, nënseria, kutia, dosja dhe viti, të dhëna këto të mjaftueshme për të thelluar kërkimin. Në përshkrimet e të dhënave që ofron regjistri 713, emri i Albert Einstein-it figuron shpesh. Në nënserinë 16, që përmban foto, me vit më të hershëm 1928 dhe me vijueshmëri të papërcaktuar, por jo më vonë se viti 1934, kur Herman Bernstein ndahet nga jeta, pra pikërisht në periudhën kur ai shërbeu në Shqipëri si ambasador i SHBA, emri i Albert Einstein-it është i pari, argumenton studiuesi Sinani, duke lënë të hapur këtë tezë intriguese për të vijuar kërkime të mëvonshme, çka do të sillte fakte e dokumente shkencore që do të vërtetonin vizitën e fshehtë të fizikantit të madh në Shqipëri në vitin 1931.

Tri dëshmi për vizitën e Ajnshtajnit në Shqipëri

A ka qenë Albert Ajnshtajni në Shqipëri? A kemi fakte të dokumentuara për këtë gjë? Në lidhje me këtë temë, unë di tri dëshmi

Dëshmia I
Dr. Jani Basho (1892-1957), vëllai më i vogël i gjyshit tim, u diplomua në Vjenë në vitin 1921. Pas disa specializimesh atje ai u kthye në Shqipëri, në tetor 1927. Gjatë qëdrimit 14-vjeçar në Vjenë, Dr. Basho ishte kryetar i Shoqatës së studentëve shqiptarë "Albania" dhe kryeredaktor i revistës së tyre "Djalëria". Fill pas kthimit në atdhe, u emërua në detyrën e shefit të Seksionit të Shëndetësisë në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare, drejtorit të Spitalit Ushtarak dhe mjekut personal të Mbretit Zog (1928 - 1935)… Ato që unë di në lidhje me temën e sipërtreguar, ai ia kishte treguar babait tim, Kozma Bashos (1927-1994) që e kishte nip dhe e trajtonte si djalin e tij, në fillim të viteve '50, kohë kur babai punonte në sektorin e Ihtiologjisë të Institutit të Shkencave të Natyrës dhe Dr. Basho ishte drejtor i Maternitetit të Tiranës. Babai më ka treguar se Dr. Basho i kish thënë atij, që Ajnshtajni kishte ardhur në Shqipëri në fillim të viteve '30, kishte qëndruar 3 ditë dhe kishte marrë pasaportë shqiptare. Dr. Basho kishte ndërhyrë te Mbreti, e kishte shoqëruar gjatë qëndrimit në Shqipëri, kohë kur e kishte pritur edhe vetë Mbreti Zog. Madje, Dr. Basho kishte shkëmbyer edhe disa letra me të, ku Ajnshtajni e falenderonte për mirësinë e treguar dhe i tregonte për vështirësitë e jetës së tij. Mjerisht, ne na mungojnë këto letra të cilat u dogjën në shkurt të vitit 1945 (bashkë me shumë libra e dokumente të tjera), gjatë shtetëzimit të shtëpisë dhe klinikës së Dr. Bashos, dy shtëpive pranë njëra-tjetrës në qendër të Tiranës, midis Postës Qendrore dhe ish-Gjykatës së Lartë. Si është njohur Dr. Basho me Ajnshtajnin? Në ç'kohë? Këtyre pyetjeve unë nuk di t'u përgjigjem se nuk mbaj mend të m'i kenë thënë, por do t'i kthehem përsëri më poshtë këtij diskutimi.
Dëshmia II
Geraldina Apponyi-Zogu (Nëna Mbretëreshë) (1915-2002). Para se të rivinte në Shqipëri në qershor 2002, Nëna Mbretëreshë i dha një intervistë një gazetari anglez, intervistë e cila u botua në atë kohë në revistën angleze "Style", nën titullin "Kthimi i Mbretëreshës". Ajo i deklaroi gazetarit se, Mbreti Zog i kishte thënë që: "Ajnshtajni ka ardhur në Shqipëri, është takuar me të dhe ka marrë pasaportë shqiptare". Ajo nuk përcaktoi datë, por shtypi shqiptar i asaj kohe (2002) shkroi se kjo kishte ndodhur më 1938, duke e lidhur gabimisht me vitin e martesës së saj në Shqipëri. Historikisht dihet që Ajnshtajni udhëtoi për të fundit herë nga Southemptoni (Angli) në Amerikë, në tetor të vitit 1933.
Dëshmia III
Ajati Bega, ish-bankieri i mirënjohur i Bankës Kombëtare Shqiptare, histori e treguar nga Prof. Dr. Skënder Koja, ish-drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore (1971 - 1987). Prof. Koja më ka treguar se në kohën kur ai ishte drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, një punonjës i Institutit i përsëriste vazhdimisht se një fqinji i tij, e pikërisht Zoti A. Bega e kishte takuar Ajnshtajnin në Tiranë. Prof. Koja bisedoi vetë me të, dhe dëshmia e A. Begës ishte sa më poshtë: "E kam takuar Ajnshtajnin në Tiranë në fillim të viteve '30, kur ky erdhi në Bankë e më kërkoi veprime të Bankës Shqiptare me një bankë të shtetit gjerman, veprime që banka jonë nuk i kishte kryer ndonjëherë, për shkak të mosekzistencës së lidhjeve me bankat gjermane në atë kohë. Më tha emrin, të cilin nuk e kisha dëgjuar deri atëherë. Atëherë mu desh të pyes dhe dola në mjediset e pasme të bankës, ku pashë që dera e drejtorit (i cili ishte italian) ishte e hapur. Trokita dhe hyra duke i thënë që një i huaj me emrin Albert Ajnshtajn kërkonte një veprim bankar që nuk e kishim bërë ndonjëherë. Drejtori shtangu dhe më tha që ky ishte një nga emrat më të mëdhenj të botës. I thashë se ai ishte tek sporteli. Atëherë drejtori la punët që kishte, e priti me nderime dhe unë nuk di të them ç'bëri me të, se nuk më ngeli mua të merrem me problemin për të cilin ky njeri i ishte drejtuar Bankës Shqiptare".
* * *
Atëherë, përpara këtyre tri dëshmive çdonjëri prej nesh ka të drejtë të bëjë pyetjen: A ka ardhur Ajnshtajni në Shqipëri për të marrë një pasaportë? Përgjigja ime është: - Po, se të tria dëshmitë janë serioze dhe të pavarura nga njëra-tjetra. - Po, pse në Shqipëri?
Së pari, përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në vendimet e Lidhjes së Kombeve të viteve 1921 dhe 1926, të cilat e ngarkonin Shqipërinë për të dhënë dokumentacion identifikimi për hebrenjtë. Nuk duhet të harrojmë se një nga problemet kryesore që diskutohej në Lidhjen e Kombeve në atë kohë ishte problemi i hebrenjve, problem i cili u zgjidh pastaj vite më vonë e pikërisht me 1948 kur u themelua "de facto" shteti i Izraelit. Pyetjes pse u zgjodh pikërisht Shqipëria unë nuk di t'i përgjigjem, por këto vendime ruhen në Arkivën e Shtetit Shqiptar, dhe Prof. Dr. Shaban Sinani ka mbajtur një kumtesë të suksesshme në Izrael lidhur me këtë temë. Së dyti ishte lidhja me Dr. Bashon, i cili mund ta bënte këtë punë pa probleme duke ruajtur fshehtësinë, për shkak të pozicionit të tij në atë kohë, pozicion që u përmend më sipër.
- A e ka përmendur Ajnshtajni apo biografët e tij "historinë e tij shqiptare"? Nga sa kam lexuar dhe mundur të hulumtoj unë: - Jo, veç duhet ditur që jeta e tij ka kaluar nëpër vështirësi të shumta, ndaj jo më kot vetë ai ka shkruar: "Më duhen shekuj që të përshkruaj peripecitë e pafund të jetës sime".

Shënim:
Prof. As. Dr. Jovan Basho, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Shërbimi Gastroenterologji/Hepatologji, QSU "Nënë Tereza", Tiranë. Shkrimi i mësipërm është marrë me shkurtime nga një studim mjaft i gjerë, i njohur si studimi më i plotë deri më sot mbi këtë argument, botuar në vitin 2008 në monografinë: "Prania historike dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës".
Admirina Peçi
gsh
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top