Trashëgimia, një territor ende i pasigurt

Love

βeℓℓe â๓e
  • Objektet e humbura të trashëgimisë kulturore pas viteve ‘90. 2200 objekte rezultojnë të humbura, ndërsa puna për gjetjen e tyre nga Interpoli duket e vështirë, pasi një pjesë e tyre janë të pafotografuara

910-Portreti-i-Herkulianes-i-ri-anesore-150x150.jpg
1872-Pafte-Folke-150x150.jpg
Shtatoret-e-kthyerja-nw-Butrint_12-Shkurt-2008_1-150x150.jpg
Shtatoret-e-kthyerja-nw-Butrint_12-Shkurt-2008_5-150x150.jpg


Trashëgimia kulturore është një nga fushat që ka pësuar më shumë dëme pas viteve ‘90. Nga një vend “i virgjër” për sa i përket trashëgimisë historike, kaosi politik-social pas viteve ‘90 do ta kthente trashëgiminë kulturore në një terren të artë për grabitësit. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore objektet e humbura këto 22 vite kapin shirën 2200, ndërsa numri i tyre mendohet të jetë më i madh, pasi një pjesë e tyre nuk kanë qenë të deklaruara apo inventarizuara. Humbjet më të mëdha kanë ndodhur në vitet l993, l995, l996 dhe në vitin l997. Pas vitit 2000 numri i objekteve të humbura është 155. Lista e objekteve të humbura tashmë ndodhet në duart e Interpolit, i cili këto vite ka kthyer vetëm një pjesë shumë të vogël të tyre, pasi vetëm 243 objekte janë të shoqëruara me foto. “Ajo çfarë e bën të vështirë punën për gjetjen e këtyre objekteve dhe kthimin tek Muzetë apo Galeritë që i përkasin, është fakti se pjesa më e madhe e tyre janë pa foto. Duke pasur parasysh kohën në të cilën ka ndodhur grabitja, një pjesë e objekteve kanë qenë të pafotografuara, çfarë e bën të vështirë gjetjen e tyre”, thotë Ferdinant Yzeiri, specialist i QKIP. Në morinë e objekteve të humbura futen dhe objekte si unaza, vëthë, varëse, byzylykë, tokëza, identifikimi i të cilave është disi i vështirë. Po ku kanë ndodhur vjedhjet më të mëdha këto vite? Muzeu Historik i Burrelit ka numrin më të madh të objekteve të humbura, gjithsej 542, nga të cilat 29 objekte janë vjedhur në vitin 1991 dhe në vitin 1997. Muzeu i armëve në Gjirokastër kap një shifër të lartë objektesh të vjedhura, 163 të tilla, të ndodhura në 8 raste: në shkurt, prill dhe korrik 1991, në shkurt, gusht l992 dhe në prill dhe nëntor l993. Kryesisht janë shpata, pisqolla, harbi, vezme argjendi, thika, revolverë të markave të ndryshme, kobure stralli, kobure argjendi, dylbi, pushkë stralli, etj. Në Muzeun e Zekatëve më 19 tetor 1991 janë vjedhur 28 objekte. Ndërsa në Qendrën Muzeore Obelisk në tetor të 1991-shit janë vjedhur 130 objekte etnografike. Muzeu Historik i Përmetit ka humbur 77 objekte në vitet 1991-1993. 147 objekte etnografike, arkeologjike janë vjedhur në Muzeun Historik të Tepelenës. Në Muzeun Historik të Pogradecit janë vjedhur 87 objekte në vitin 1997.

Artet figurative

Ndërsa këto vite është folur vetëm për vjedhjet në fushën e arkeologjisë, janë përmendur shumë pak vjedhjet që janë bërë në artet figurative. Dhe pse pjesa më e madhe e tablove dhe skulpturave të krijuara në atë periudhë janë me tematika nga arti i soc-realizmit, ato përbëjnë një vlerë në epokën e krijimit të një arti në vendin tonë. Teksa shohim listën që disponon QKIPK të tablove të humbura nga galeritë e rretheve shohim vepra të autorëve si Edi Hila, Myslim Mulliqi, Hasan Nallbani, Arben Golemi, Odise Paskali, Adrian Devolli, Nikolin Ivanaj, Kolë Miraj, Serxhio Petrela, Qani Civeja, Sotir Capo dhe shumë autorë anonimë, tablotë e të cilave janë zhdukur. Nuk mungojnë në listën e veprave të vjedhura dhe piktura dhe skulptura kushtuar ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Në Muzeun Historik në Mat është vjedhur një tablo në vitin 1990 me titullin “Enver Hoxha në Martanesh”, autori është anonim. Po në këtë vit, një shtatore e Enver Hoxhës është vjedhur po në këtë muze, sërish nga një autor anonim. Në objektet e vjedhura futen dhe objekte që datojnë para përfundimit të luftës në Shqipëri si ato të humbura në Muzeun e Dibrës që i përkasin viteve 1912-1939. Në Galerinë e Arteve në Berat ka pasur humbje të mëdha në piktura të autorëve të njohur si Nallbani, Hila apo Mulliqi.

Objekte të kthyera

Më 12 shkurt 2008, shtatore të vjetra romake janë kthyer në Muzeun e Butrintit. Historiku i objekteve të riatdhesuara në Shqipëri fillon në vitin 1991 me Dean, e cila u rikthye në vendin tonë nga qeveria italiane. Sot Dea gjendet e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 2005 kthehen nga Greqia në Muzeun e Butrintit kokat prej mermeri të Agribës, Herkulianës dhe koka e një fëmije.
Të tria skulpturat ishin vjedhur nga Muzeu i Butrintit gjatë bastisjes së ndodhur në vitin 1991. Portreti i Herkulianës dhe ai i fëmijës u gjetën në Muzeun Nacional Arkeologjik të Athinës, ndërsa ai i Agribës në Muzeun Arkeologjik të Janinës. Në janar të vitit 2008 në Athinë, pikërisht në Akropol, ministrit shqiptar i dorëzohet shtati i Artemisës dhe Apollonit, që kanë qenë të ekspozuara në Muzeun e Pireut në Greqi. Në vitin 2009 rikthehet në Shqipëri “Koka e Zeusit” Askelepios, një objekt me vlera unike për arkeologjinë shqiptare, i grabitur në vitin 1991 nga Muzeu Kombëtar i Butrintit të Sarandë. Muzeu Arkeologjik i Butrintit duket më fatlumi në listën e objekteve të riatdhesuara, ku nga 11 objekte të vjedhura në harkun kohor 1991-1994, 8 prej tyre i janë kthyer shtetit shqiptar, ndërkohë që për 2 ka të dhëna që ndodhen në Greqi, por ende nuk dihet fati i 18 ikonave të vjedhura në vitin 2008 në Kishën e Kryqit në Labovë, por dhe shumë objekteve të tjera.

Trashëgimia ende në rrezik

Dhe pse numri i objekteve të vjedhura ka rënë ndër vite, Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet më të pasigurta për sa i përket terrenit të trashëgimisë kulturore. Një pjesë e madhe e këtyre objekteve rrezikon të zhduket në botën e padukshme të koleksionistëve privatë, gjë e cila rrit numrin e vjedhjeve për këtë treg goxha të mirë për grabitësit. Pasiguria që ofrojnë sitet kulturore është një tjetër element që nxit vjedhjen. Vjedhja dhe dëmtimi i Onufrit në Kishën e Shën Premtes në Elbasan dhe “dorëzimi” që bëri Ministria e Kulturës me deklaratën që “nuk mund të ruajë dot objektet” bën që trashëgimia të jetë ende një zonë në rrezik. Përfaqësues të UNESCO-s shpesh kanë vënë theksin te situata kritike që ndodhet Shqipëria për sa i përket vjedhjes dhe trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore. Moszbatimi i ligjit “Për trashëgiminë kulturore” është një tjetër arsye e situatës kritike në vend. Sipas ligjit, të gjitha objektet që dalin jashtë shtetit, qoftë për një afat të përcaktuar, qoftë përgjithmonë (shitje, dhurim, ndryshim vendbanimi etj.), duhet të regjistrohen në bazën e të dhënave për të marrë lejen përkatëse. Në rastin kur janë pronë private ato, sipas ligjit, duhet të kontrollohen nga Komisioni Shtetëror i Vlerësimit, i cili i sugjeron MTKRS-së lejimin ose moslejimin e lëvizjes së objekteve të trashëgimisë konform ligjit. Por shpeshherë ky ligj është i pazbatueshëm edhe nga vetë institucionet shtetërore, edhe pse ligji shqiptar i trashëgimisë kulturore parashikon edhe sanksione për lëvizjen e objekteve të pasurive kulturore me statusin trashëgimi kulturore. Parku Kombëtar i Butrintit dhe ai i Apolonisë vijojnë të jenë më të ekspozuarit nga rreziku i vjedhjeve dhe trafikimit të objekteve arkeologjike


Objektet shqiptare në Luvër dhe Londër

Historia e vjedhjeve të objekteve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri daton që para hyrjes së komunizmit në Shqipëri. Dy luftërat botërore kanë sjellë humbje të mëdha në këtë fushë. Muzetë më të njohura në botë, prej kohësh kanë si pjesë të koleksioneve të tyre pjesë të pasurisë sonë kulturore. Në muzeun e famshëm britanik mund të shohësh një statujë bronzi nga Shqipëria Veriore. Në Luvër ndodhen një mori objektesh, një pjesë e të cilave janë marrë nga Apolonia, si një kokë femre, portreti i një fëmije në mermer i hequr nga muret e manastirit të Pojanit më 1859, një mbishkrim i ujësjellësit të Durrësit në mermer në kohën e Aleksandër Severit, kokë kau me lule, sërish nga Durrësi, etj. Disa objekte shqiptare ndodhen dhe në Muzeun e Beogradit.



GRABITJET Nث VITE



Muzeu Arkeologjik, Tiranë: Janë vjedhur 85 objekte arkeologjike (unaza, vëthë, varëse, byzylykë, fibula, tokëza, etj. Më 4.6.1991, janë vjedhur 82 objekte, ndërsa në vitin 1990, 2 objekte dhe në vitin 1994, 1 objekt.

Muzeu Arkeologjik, Durrës: Janë vjedhur 57 objekte zbukurimi: (byzylykë, varëse etj.), por edhe terakota, amfora, skulptura, stela, objekte të përdorimit të përditshëm. Tre objekte janë vjedhur në muajt prill, qershor dhe tetor 1991. Vjedhja më e madhe prej 82 objektesh është bërë më 14 mars 1997.

Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Veprave të Artit: Janë vjedhur gjithsej 375 objekte të evidentuara nga inventarët e bërë një herë në pesë vjet, sipas rregulloreve të muzeve. Theksojmë se këto objekte janë të fondit dhe ruhen në magazinë me të gjitha kushtet e sigurisë dhe të mirëmbajtjes.

Muzeu Arkeologjik në Apoloni: Janë vjedhur 29 objekte (Amfora, buste, relieve, portrete, helmeta, etj., në periudhën 1991-1994.

Drejtoria e Kulturës Kombëtare Rajonale, Berat; 11 ikona janë vjedhur në korrik, 1997. Denoncimi është bërë menjëherë në Drejtorinë e Policisë së Beratit, si dhe në Ministrinë e Kulturës.

Muzeu Arkeologjik, Butrint: Janë vjedhur 10 objekte në vitin l991 dhe 1 objekt në vitin l994. Janë gjetur dhe kthyer 8 objekte dhe 2 objekte dyshohet se janë në Greqi.

Drejtoria e Kulturës Kombëtare Rajonale, Gjirokastër. Janë vjedhur 18 ikona në vitin 2008.

Muzeu Historik në Burrel. Janë vjedhur gjithsej 542 objekte, nga të cilat 29 objekte në vitin 1991 dhe në vitin 1997 gjithë pjesa tjetër e muzeut me 513 objekte, për të cilat disponojmë vetëm listën.

Muzeu i Armëve: Janë vjedhur 163 objekte në 8 raste: në shkurt, prill dhe korrik 1991, në shkurt, gusht l992 dhe në prill dhe nëntor l993. Kryesisht janë shpata, pisqolla, harbi, vezme argjendi, thika, revolverë të markave të ndryshme, kobure stralli, kobure argjendi, dylbi, pushkë stralli, etj.

Muzeu i Kulturës Popullore është vjedhur 3 herë në vitin l991 në muajt mars, prill dhe maj. Vjedhja më e madhe i përket 24 prillit l991, ku u grabitën 126 objekte etnografike (veshje, shtroje e mbuloje, objekte të përdorimit të përditshëm, objekte personale, objekte argjendi, filigrani, bronzi etj).

Muzeu i Zekatëve, më l9 tetor l991 janë vjedhur 28 objekte.

Qendra Muzeore Obelisk, në tetor l991, janë vjedhur 130 objekte etnografike.

Muzeu Historik në Ersekë: Janë vjedhur 34 objekte si basorelievi në bronz “Dëshmorët e Kolonjës”, Kallamar prej bronzi, vezme baruti etj.) Vjedhjet janë bërë në nëntor l993, l995, l996 dhe në vitin l997.

Muzeu Historik, Përmet: Janë vjedhur 77 objekte. Në vitin l991, 26 objekte nga të cilat 8 armë ndërsa në mars, qershor dhe nëntor l992, 12 objekte .

Muzeu i Kulturës Popullore në Përmet.
Janë vjedhur 43 objekte në dy raste gjatë muajit shtator 1994, ( armë, veshje, objekte zbukurimi etj).

Muzeu Etnografik në Elbasan: Gjithsej 55 objekte. Në shkurt 1991 janë vjedhur 25 ikona dhe 7 objekte etnografike, ndërsa në maj 1992, 3 armë. Në qershor 2011 janë vjedhur 20 objekte etnografike.

Muzeu Historik, Lushnjë: Janë vjedhur 4 ikona.

Muzeu Historik Librazhd; Janë vjedhur në vitin l991, 42 objekte (maja heshtash, enë balte, shpata romake, kama të periudhës mesjetare, objekte të përdorimit të përditshëm si: kërraba druri, sëpata, çekiç, hanxharë etj.)

Muzeu Historik, Peshkopi. 11 objekte. Në muajin shkurt 1991, 3 revolverë dhe në muajin nëntor l991, 2 objekte arkeologjike.

Muzeu Historik, Gramsh. Gjithsej janë vjedhur 21 objekte në vitin l997 për të cilat disponojmë fotot përkatëse.

Muzeu Historik, Fier. ثshtë vjedhur 1 kobure stralli, më 30 tetor l991.

Muzetë në Shkodër: Janë vjedhur 30 objekte.

-Muzeu Historik- Objekte argjendi të traditës, armë trofe, armë të vjetra(celina e armë të ftohta), ora e Migjenit e grabitur më 5.3.1992)

-Muzeu i Kështjellës, Shkodër: Celina (kobure me mbushje nga gryka), copë 10 (grabitur më 15.8.1990).
Armë luftarake mesjetare e objekte të tjera, grabitur më 12.5.1991. Bustet e mbretërve ilirë, Agron, Teuta e Gent, të punuara në gur dhe 1 amforë romake, grabitur më 28.01.1993.

Shtëpia Muze e Pashko Vasës: 4 celina, 2 kuti duhani, 1 pipë argjendi dhe l shpatë.

Muzeu Historik, Tepelenë: 147 objekte etnografike, arkeologjike, vjedhur në vitet l991-l992 dhe në vitin 1993.

Muzeu Historik, Pogradec: 87 objekte etnografike të vjedhura në vitin l997, për të cilat disponojmë fotot.

Muzeu Historik, Vlorë: 10 objekte vjedhura në periudhën 1994-1995.

Muzeu Etnografik, Vlorë : Vjedhur 8 objekte në vitin 2006.

Muzeu historik Mallakastër: 1 objekt, kambanë kishe e vjedhur në qershor 2011.

Galeria Kombëtare e Arteve: 1 peizazh vjedhur në 2009.

Muzeu Etnografik Gjirokastër: 373 objekte të humbura.

Muzeu Historik Elbasan: 1 objekt i humbur.

Galeria e Arteve Berat: 13 objekte të humbura.

Instituti Monumenteve të Kulturës: 2 objekte të humbura.
G.Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top