Terror mbi 200 pasagjeret shqiptare

Kanë parë vdekjen me sy rreth 200 pasagjerët shqiptarë që udhëtonin drejt Athinës, teksa ishin ulur në lokalin e vendpushimit të autobusëve të linjës Athinë-Tiranë, në Amfiloqi.


Incidenti i pashembullt ndodhi pak para agimit të së dielës, në një restorant në autostradën Patra-Janinë. Ngjarja duket si një demonstrim i armatosur në harkun e vetëm pak minutave. Mediat greke njoftojnë se 3 persona me maska dhe të armatosur me kallashnikovë hapën zjarr në brendësi të lokalit duke plagosur 3 persona. Pas ngjarjes ka reaguar edhe Ministria e Jashtme shqiptare, e cila kërkon vënien në pranga të autorëve.

Në raportin e mediave të vendit fqinj thuhet se një grup personash të armatosur plagosën mëngjesin e së dielës, tre shtetas shqiptarë. Duke iu referuar policisë vendore ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, në afërsi të qytetit e Amfiloqisë, 330 km larg nga Athina. Sipas policisë greke, disa persona të armatosur dhe me maska kanë sulmuar një lokal, ku ishin ndaluar tre autobusë të linjës Athinë-Tiranë. Si pasojë e këtij sulmi kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë; Efimi Bika, 65 vjeç, lindur në Përmet, Vangjel Stavro, 15 vjeç, lindur në Athinë dhe Soni Hodaj, 28 vjeç, lindur në Fier.

Sipas mediave greke, dy nga tre personat e maskuar dhe të armatosur, u futën nga hyrja kryesore, ndërsa tjetri nga dera mbrapa dhe u bënë thirrje klientëve, të gjithë emigrantë shqiptarë, të shtrihen barkas. Pasi bërtisnin me të madhe kriminelët nuk kanë ngurruar të hapin zjarr në ajër më armë. Në këtë moment ishte krijuar panik i madh dhe mjaft persona u munduan me çdo mënyrë të dilnin jashtë, duke thyer madje edhe xhamat e lokalit. Disa nuk mundën të largoheshin dhe mbetën brenda. Nga plumbat që shpërndaheshin gjithandej u plagosën dy persona, një i ri dhe një i mitur. Në vazhdimësi, teksa ishin duke dalë nga lokali keqbërësit nuk ngurruan të qëllojnë edhe mbi autobusin duke plagosur me plumb në qafë, pranë aortës, një grua të moshuar, e cila po trajtohet nga bluzat e bardha të spitalit të Agrinjos.

Nuk dihet ende se cilat janë motivet e ngjarjes së djeshme, por paraprakisht policia mendon se keqbërësit duhet të kenë synuar një grabitje të lokalit. Policia ka hedhur si një nga pistat e mundshme të hetimit edhe atë të larjes së hesapeve. Sipas mediave greke, drejtues lokalë e cilësojnë ngjarjen një “mesazh” për pronarët e restorantit, një grek dhe një shqiptar, por këta të fundit kanë mohuar të kishin marrë më parë kërcënime.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ralf Gjoni, informon se “me të marrë këtë njoftim ambasada jonë në Athinë, si dhe Konsullata e Përgjithshme në Janinë, kanë ndjekur me vëmendje të veçantë situatën e krijuar, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm si me autoritetet policore, spitalore, ashtu dhe me spitalin e Agrinjos. Po ashtu, përfaqësues të Ambasadës në Athinë dhe Konsulli i Përgjithshëm në Janinë ndodhen në vendngjarje”.

Nga komunikimet e vazhdueshme me spitalin e Agrinios, Ministria e Jashtme informon se shtetasit Vangjel Stavro dhe Soni Hodaj janë plagosur lehtë dhe kanë lënë dje spitalin, ndërsa shtetasja Efimi Bika, i është nënshtruar menjëherë një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe situata e saj paraqitet e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Ministria e Jashtme shqiptare u ka kërkuar autoriteteve kompetente të shtetit fqinj që të zbardhen sa më parë rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, si dhe të identifikohen e dënohen autorët e saj.


Burimi: Gazeta Shqip
 
Titulli: Terror mbi 200 pasagjeret shqiptare

Se mbaj mend ku lexova ne nje vend tjeter qe keta te bandes ishin shqiptar...edhe ka mundesi duke qene ai lokali nje nga ndalesat tipike te linjes.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top