Territori i sundimit të Gjon Kastriotit në Mesjetë

Lauri

Anunnak
Dr. Musa Ahmeti

Në katalogun e diplomave origjinale të Arkivit Historik të Dubrovnikut, me signaturë: nr. 793 ruhet diploma e Gjon Kastriotit, lëshuar më 25 shkurt të vitit 1420 me këtë shënim: “Gjon Kastrioti ju jep favore tregtarëve dubrovnikas dhe përcakton tatimet doganore”. Diploma është e shkruar në letër të cilësisë së lartë gjysmëkarton dhe është e vulosur. Boja e përdorur për shkrimin e saj nuk ka nevojë për koment, sepse i ka rezistuar pa asnjë dëmtim 594 vjetëve të kaluara. Letra e kësaj diplome nuk ka filigranes (shenja uji) edhe pse ndonjëri nga ata që ka shkruar për të ka pohuar në mënyrë të gabuar se ka shenja filigranes!

s1_zpsf72eebe9.jpg
Ilustrimi 1 - Diploma e Gjon Kastriotit nga 25 shkurti i vitit 1420 - recto

Diploma që po botojmë me këtë rast është e njohur nga studiuesit dhe historianët, po për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtes së vjetër mund t’i lexojnë lehtësisht (shih ilustrimin nr. 1). Përveç kësaj botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe, transkriptim e transliterim. Logjika e studimit përcjellës e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit.


s2_zps0962327d.jpg

Ilustrimi 2 - Diploma e Gjon Kastriotit nga 25 shkurti i vitit 1420 - verso
Botimi sipas metodave bashkëkohore, me një editim kritik, i shoqëruar me faksimile, me transkriptim në sllavishte të vjetër, dhe i përkthyera rishtas shqip, por edhe i shoqëruar me komente përkatëse përmbajtjesore, duke shmangur për aq sa është e mundur “detajet e lodhshme” të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë, është një mënyrë që këto dokumente burimologjike për historinë mesjetare shqiptare të fillimshekullit XV të jenë të sakta e të përdorshme për të gjithë të interesuarit.
Kjo diplomë prezantohet për herë të parë në këtë formë të plotë para studiuesve, medievistëve, historianëve dhe specialistëve shqiptarë, por edhe lexuesit të gjerë, me faksimile, me transkriptim [tejshkronjëzim] në alfabetin cirilik, (shih ilustrimet 3 e 4) e përkthyer në shqip e komentuar dhe e shoqëruar me një studim përkatës. Deri më sot ajo është botuar nga këta studiues: L. Thalloczy, Zvei Urkunden…, 1899, v. XXI, f. 95 dhe në: Illyrisch-Albanische Forschungen…, 1916, vëll. I, f. 146; S. Novaković, Zakonski spomenici..., 1912, f. 793, nr. 10; L. Stojanović, Stare srpske povelje..., 1934; J. Radonic, Đuradj Kastriot..., 1942, f. 2, nr. 2; Burime, 1962, f. 233, nr. 152, botohet përkthimi shqip i diplomës pa u shënuar emri i përkthyesit; T. Geci, Gjon Kastrioti..., në: Fjala, tetor 1968, f. 18 dhe po ai: Mbi sfragjistikën... , 1969, f. 241, boton përkthimin shqip me faksimil; K. Frashëri, Skënderbeu..., 2002, f. 83 boton vetëm faksimilen që është i palexueshëm; K. Frashëri, Skënderbeu dhe lufta..., f. 18-19, boton transliterimin në sllavisht dhe përkthimin në shqip (pa shënuar e emrin e përkthyesit në shqip) së bashku me faksimilen që është i palexueshëm, 2005, f. 19, ku në të gjitha këto botime ka lëshime dhe gabime të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur t’i korrigjojmë ato, gjithnjë duke u mbështetur në origjinalin e diplomës e jo duke bërë përshkrim të përshkrimeve ose duke kopjuar punën e të tjerëve.



s3_zps5a3cae24.jpg

Ilustrimi 3 - Transkriptimi i diplomës së Gjon Kastriotit nga 25 shkurti 1420 me grafema latine

Ne nuk jemi marrë kësaj radhe me botimet në shqip dhe autorët që kanë botuar këto përkthime, apo në një rast edhe një “transkriptim” të saj e as me botimet shumë të dobëta të faksimileve të origjinalit (përkatësisht ato janë krejt të palexueshme), për shkak se të gjitha botimet e bëra, të kësaj diplome janë me shumë gabime, duke qenë se këta, autorët shqiptarë, nuk e kanë njohur sllavishten, e aq më tepër nuk kanë pasur njohuri për paleografinë e sllavishtes mesjetare dhe leximin cirilik e glagolitik, pra ata kanë marrë tekstin e diplomës të botuar e transkriptuar nga të tjerët pa u thelluar në studimin e tij, përkatësisht pa korrigjuar apo përmirësuar gabimet e bëra në botimet e mëhershme.
Teksti i diplomës është i shkruar në 11 rreshta e jo në 10 siç është pohuar deri me sot (shih faksimilen e origjinalit, ilustrimi nr. 1). Diploma është e shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema cirilike me elemente të glagolicës, me ngjyrë të zezë, me shkrim të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi, sikurse mund të vërehet edhe nga ilustrimet që po botojmë (shih ilustrimin nr. 1). Ajo ka qenë e palosur në tre pjesë të barabarta vertikalisht dhe një herë horizontalisht. Nga thyerjet e palosjes, letra është dëmtuar në rreshtin e pestë e gjashtë, por dëmtimet janë të vogla dhe nuk paraqesin problem në lexim. Dëmtime të vogla, të parëndësishme ka edhe te palosja e parë dhe e dytë si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht. Kjo diplomë është restauruar në fund të shekullit XIX (shih ilustrimin nr. 2) me një letër të thjeshtë, të bardhë jo me shumë kujdes, por restaurimi nuk ka mbuluar asnjë shënim që ndodhej në pjesën verso (të pasme) të diplomës. Në anën verso të diplomës ka dy rreshta tekst, si duket shënim i kohës së mbërritjes së diplomës në Dubrovnik. Teksti është në gjuhën latine: “Leter de dominio Juan Chastroi (sic!) sano chonduso ali merch”, ka edhe plot 12 vula. Nga shekulli XIX janë 11 vula të gjitha në formë vezore dhe një e rrumbullakët e madhe e fillim shekullit XX, (shiko ilustrimin nr. 2) të gjitha janë vula zyrtare të Arkivit Historik të Dubrvovnikut nga shek. XIX e XX.
Për sa i përket shkrimit, siç ishte zakon i kohës, ajo ka shkurtesa të shumta, të cilat i kemi zbërthyer në transkriptim [tejshkronjëzim]. Në kllapa të vogla “()” kemi vënë grafemat që mungojnë në fjalët përkatëse sipas leximit të sotëm të sllavishtes, ndërsa në kllapa të mëdha katrore “[]” kemi vënë grafemat e shkurtesave të fjalëve që ishte praktikë e kohës, kurse në kllapa të drejta “||” kemi vënë numrin e fillimit të rreshtit të tekstit të diplomës. Në transkriptim [tejshkronjëzim] kemi ruajtur të gjitha shenjat e interpunktimit të kohës. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim i ndonjë grafeme apo fjalë: gjithçka është lënë siç është në origjinal.


s4_zpsabc52b2a.jpg

Ilustrimi 4 - Transkriptimi i diplomës së Gjon Kastriotit nga 25 shkurti 1420 me alfabetin cirilik

Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale e lëshuar nga kancelaria e Gjon Kastriotit është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit, medievistët e historianët, që nuk janë specialist të paleografisë sllave, sidomos asaj cirilike dhe glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime [tejshkronjëzime] të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imtë dhe në disa raste, shenjat e veçanta të shkruesit (scribes-it) (që për ne nuk është i njohur deri me tani), vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin [tejshkronjëzimin]. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetë të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike.
Dimensionet e diplomës janë: horizontalisht 29. 2cm e vertikalisht 16. 5cm [29. 2 x 16. 5cm]. (Dimensionet e dhëna deri me sot nuk kanë qenë të sakta e korrekte). Dimensioni i tekstit të diplomës është horizontalisht 21cm dhe vertikalisht 10cm [21 x 10 cm]. ثshtë evidente se letra në të cilën është shkruar diploma e Gjon Kastriotit ka qenë me dimensione më të mëdha. Në rastin tonë teksti është shkruar në letër në formën horizontale të saj e jo vertikale siç ishte praktikë e kohës.
Në fund të tekstit, paksa në të majtë është vula e Gjon Kastriotit. Vula është e rrumbullakët e shtypur në dyllë të kuq, në një copë letër të veçantë që është e vendosur mbi letrën origjinale. Copa e letrës ka dimensione 3cm x 3cm dhe është më e trashë se letra e diplomës. Ndërsa dimensionet e vulës janë 1. 2cm x 1. 2cm, me një perimetër prej 3. 2cm që len të kuptohet se kjo është një vulë e vogël, ngjashëm me vulën e ashtuquajtur “sekrete” të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Kjo vulë e themi me sigurinë më të mëdha është më e hershme se sa data e lëshimit të dokumentit që po shqyrtojmë, 25 shkurti 1420, por ne deri me sot nuk kemi ndonjë gjurmë të saj. Po ashtu është e sigurt se vula “matrica” origjinale është prej metali, po prej cilit metal ne këtë nuk mund ta pohojmë sepse deri me sot nuk është gjetur “matrica”. Vula është e mbuluar pastaj me një letër të hollë e cila e vështirëson shumë identifikimin e elementeve të saj, qoftë të figurës në brendësi apo të shkrimit anash. Vula është e dëmtuar dhe me shumë vështirësi mund të bëhet identifikimi i figurës që është në pjesën e brendshme të saj. Sipas asaj që vërehet sot, në gjendjen e tanishme të vulës, në brendësi është figura e Shën Mërisë me një fëmijë në krah, me kokë të kthyer paska në të majtë. Nga grafemat e rrethit të vulës me shumë vështirësi dallohen vetëm tre: “C”. . . “A”. . . “T”, që janë të alfabetit latin e jo cirilik, grafemat e tjera është e pamundur të identifikohen. (VIJON)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top