Të qenit kontingjent

WxP

Staf në FV.AL
Arbën Xhaferri

Në politikë ose punon sipas bindjeve të tua ose i pranon ato të huajat, thonë ata që kanë përvojë të madhe në këtë fushë. Do të doja që këtë konstatim të urtë ta zgjeroja në dimensione të tjera. Pra, popujt e ndryshëm ose punojnë për vete ose u shërbejnë të tjerëve. Shpesh herë popujt që kanë qëllime të qarta dhe kapacitete të mëdha ekonomike, financiare, teknologjike dhe ushtarake arrijnë që projektet e tyre t'ua imponojnë të tjerëve, duke i shndërruar ata në kontingjent të interesave të tyre.
Forma më banale e shërbimit ndaj të tjerëve është mercenarizmi, të qenit ushtar me pagë. Ekziston një pandehmë, që vështirë mund të verifikohet, sipas së cilës pohohet se shqiptarët, në mungesë të një elite projektuese të kauzës kombëtare, më shumë kanë luftuar si mercenarë për të tjerët sesa për veten. Po ashtu thuhet se kanë qenë sa të shkëlqyeshëm, po aq të tmerrshëm në këtë punë. Nga ana e tyre, moralistët thonë se në këto ekspedita, mercenarët shqiptarë paskan bërë shumë mëkate të cilat sot e kësaj dite i paguajnë.
Si mercenarë, shqiptarët kanë ndikuar që të mbrohen perandoritë, feudet e ndryshme, kanë dhënë kontribut të madh në çlirimin e popujve të tjerë nga zgjedha e huaj, të flijohen për interesat e të tjerëve që sot bëjnë çmos që ta ngulfatin çështjen shqiptare, si grekët dhe serbët bie fjala. Të gjithë dinë për rolin frymëzues të arvanitasve për çlirimin dhe themelimin e shtetit grek, por pak dihet për rolin e shqiptarëve në kryengritjet serbe për çlirim, për prejardhjen shqiptare të prijësit të tyre legjendar, Karagjorgjeviqit, apo për faktin se sulmin dhe pushtimin e kazermës së fortifikuar turke në Beograd, Kalamegdanit ka udhëhequr një çam, Kondo Bimbasha, me njësitin e tij shqiptar.
Shumë popuj, ideologë të ndryshëm politik dhe fetar, lindorë a perëndimorë, për shkak të konfuzionit lidhur me interesin kombëtar shqiptar, në vazhdimësi e trajtojnë atë si kontingjent të interesave të tyre. Këtë dukuri, të qenit kontingjent për interesa të huaja, në mënyrë gjeniale e ka portretizuar shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare në tregimin "Lamtumira e së keqes". Kadare rrëfimin e vendos në periudhën e ngrysjes së perandorisë osmane: "i poshter Aliu, qeveritari N. e dalloi karrocën qysh se u shfaq në rrugën madhe, në krye një brumbull i vogël e pastaj një arkë e zezë, që avitej me ngut", kështu e nis rrëfimin anticipues shkrimtari ynë i madh. Në këtë rrëfim, i poshter Aliu, pushtetar i Portës së Lartë, diku në skajet e territoreve shqiptare, e pret me drojë ardhjen e një zyrtari të lartë, të dërguar nga Dollma Bahçeja. Frika e tij është instiktive. Ai pandeh se dinjitari i oborrit të sulltanit ka ardhur t'ia marrë kokën. Pas shumë hetimeve, vuajtjeve, i poshter Aliu i llahtarisur kupton se në çfarë misioni paskësh ardhur i dërguari i sulltanit i cili tregon me brengë se Porta e Lartë është e detyruar t'i lëshojë këto troje dhe të tërhiqet në Azi, por hulumtojnë mundësinë se si ta bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët të varur, vullnetarisht dhe përjetësisht nga Perandoria Otomane. Në vazhdim ai shkoqit idenë e mbjelljes së frymës otomane që duhet ta pushtojë mendjen dhe shpirtin e shqiptarit që ata, edhe pas tërheqjes së administratës osmane të jenë shpirtërisht të varur prej saj. Pra, Porta e Lartë duke e trajtuar popullin shqiptar si kontingjent të vlefshëm në kuadër të strategjisë së tyre, harton një projekt për t'i vartësuar shqiptarët përjetësisht prej tyre, pa represion, pa ndihma, pa shpenzuar asnjë metelik, por thjeshtë me vullnetin e tyre.
Shpesh herë shqiptarët edhe pa projekte të tilla, të hartuara kushedi kurrë e kanë vënë veten në pozicion të kontingjentit për interesa të huaja ideologjike, qytetëruese apo shpirtërore. Kur Republika Popullore e Kinës ende nuk kishte prodhuar raketa interkontinentale, vendosi marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë për shkak të interesave të saja gjeostrategjike. Nga Shqipëria ajo rrezikonte çdo qytet të Evropës Perëndimore si dhe një pjesë të madhe të qyteteve të rëndësishme të Bashkimit Sovjetik në krye me Moskën. Pra, theksi i analizës bie te përcaktimi i lehtë i shqiptarëve që të punojnë për interesa të huaja, të pranojnë misione të rrezikshme për mbijetesën kombëtare. Imagjinoni çdo të ndodhte me shqiptarët dhe Shqipërinë e shndërruar në kontingjent në rast të një lufte botërore. Në këtë periudhë, pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria po ashtu trajtohej si kontingjent, si material harxhues nga jugosllavët dhe sovjetikët.
Kohët e fundit shfaqen sërish projekte ideologjike, që synojnë sërish popullin shqiptar ta trajtojnë si kontingjent të interesave dhe botëkuptimeve të huaja. Një kohë të gjatë ideologët e integralizmit islamik i trajtojnë myslimanët e Evropës si instrument, kontingjent të tyre në Evropë dhe në botë në përgjithësi. Kjo u pa qartë gjatë periudhës së krizës që u iniciua me botimin e karikaturave degutante të figurës së profetit Muhamed, të porositur nga një gazetë daneze. Pjesa dërmuese e personaliteteve botërore, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe ideologjike u distancuan dhe e cilësuan këtë provokim si blasfemi. Ata po ashtu u distancuan nga reagimet vandaliste të protestuesve që shkaktuan vdekjen e dhjetëra njerëzve të pafajshëm. Me këtë rast është me rëndësi të analizohen reagimet e ideologëve dhe islamistëve të ndryshëm që popujt i trajtojnë si kontingjente për realizim të botëkuptimeve të tyre.
Njëri ndër prijësit dhe dijetarët më autoritativë islamik, Yusuf el-Qaradawwwwwwi në Hutben, fjalimin e jashtëzakonshëm të mbajtur në njërën nga xhamitë më të mëdha të Katarit sugjeron masa konkrete, pragmatike si përgjigje ndaj përbuzjes së myslimanëve të gjithë botës me botimin e karikaturave fyese të botuara në disa gazeta evropiane. Ky ideolog i projektit për krijim të një uniteti mbi baza të parimeve islame, fjalimin e vet e nis me një konstatim të shpifur se dikur, nuk saktëson se kur, myslimanët kanë qenë unik, kanë qenë të bashkuar, ummet me plot kuptimin e fjalës, të mbrojtur nga përbuzjet e të tjerëve. Këtë e dëshmon me një të dhënë nga e kaluara ideale që vështirë mund të haset në realitet. "Kur Omer Abdul-Azizi ka kuptuar se një i burgosur mysliman paska qenë i përbuzur nga bizantinët i është drejtuar mbretit bizantin me këto fjalë: kuptova se një mysliman qenka i përbuzur prej jush, kështu që kur ta merrni këtë letër, lirojeni atë ngaqë, kundër jush do të nis një ushtri aq të madhe, saqë balli i saj do të jetë tek ju, ndërkaq ushtari i fundit tek unë". Pas kësaj, teologu i nderuar pohon se mbreti bizantin s'ka pasur çare pa e liruar të burgosurin mysliman.
Ideologu Yusuf el-Qaradawi sajon një të kaluar ideale, kur paska ekzistuar një ummet absolutisht solidar dhe unik kur myslimani ka qenë i lumtur dhe i mbrojtur. Këtë pohim vështirë se mund të mbështesin faktet historike që janë të pamëshirshme. Që në fillim të vendosjes së shtetit islam tre nga katër kalifët e parë kanë qenë të vrarë në mënyrë mizore, me atentate, për qëllime politike nga vetë myslimanët. Këto ditë, tetë ambasadorë nga shtetet myslimane të vendosura në Beograd e vizituan liderin e partisë radikale serbe, Tomisllav Nikoliqin, duke kërkuar nga ai që të ndikojë që Serbia të distancohet nga karikaturat famëkeqe. Këta ambasadorë nuk merrnin parasysh një fakt elementar që ka të bëjë me rolin e pamohueshëm të kësaj partie ekstreme, klerofashiste për gjenocidin e myslimanëve të Bosnjës dhe Kosovës. Kërkuan ndihmë nga njerëz që jo vetëm i përbuzin myslimanët, por kanë qenë edhe hartues të planeve për gjenocid.
Duke u nisur nga një fakt inekzistent, të unitetit ideal në një të kaluar të pacaktuar, i nderuari Yusuf el-Qaradawi sugjeron masa konkrete se si duhet të reagojnë të gjithë myslimanët e botës:
- të gjithë myslimanët e botës ta manifestojnë mllefin e tyre;
- të bojkotohet ai që përbuz vlerat e shenjta myslimane;
- të kërkohet nga myslimanët që të ushtrojnë presion ndaj shteteve të tyre, pra edhe ndaj Shqipërisë që t'i tërheqin ambasadorët e tyre nga ato shtete që kanë lejuar botimin e karikaturave të tilla përbuzëse, dhe
- të kërkohet nga Kombet e Bashkuara të nxirret vendimi ose ligji për ndalim të përbuzjes së profetëve të Zotit dhe vlerave të tjera të shenjta.
Në këtë kohë kur myslimanët në mënyrë mizore, të pandalshme dhe irracionale e vrasin njëri tjetrin, në kohën kur myslimanët nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët që për pasojë ka zvetënimin dhe përkeqësimin gjithnjë e më brengosës të sistemit të vlerave islame, në kohën kur shumë myslimanë jetojnë në shtetet të udhëhequra nga oligarkitë feudale, që nuk kontestohen nga ideologët islamistë, në kohën kur në shtetet perëndimore botohen libra që mohojnë dogmën krishtere, si bie fjala " "Kodi i Da Vinçit", kërkohet nga të gjithë myslimanët, pra edhe shqiptarët të krijojnë një unitet i paarritshëm vlerësimi dhe veprimi, një ummet përrallor ku popuj të ndryshëm trajtohen si kontingjente për projekte aventureske, joreale dhe të rrezikshme për mbijetesën e vetë myslimanëve. Nuk kërkohet mbështetja për humanizim dhe demokratizim të shoqërive myslimane, nuk kërkohet që të ndërpritet përbuzja e myslimanëve brenda shteteve islame, nuk shfaqet brengosja për shkelje të vazhdueshme të sunnetit të profetit Muhamed a.s. nga vetë myslimanët, por kërkohet uniteti kundër sistemit të vlerave Perwndimore. Me këtë rast e shoh të udhës të përmend porosinë nga një hadith interesant: " Kur Pejgamberi a.s. hyri në Mekkë dhe filloi t'i rrënojë përmendoret brenda Kaabes pat thënë: tani përfunduam me xhihadin e vogël, para nesh e kemi xhihadin e madh. Ashabët e pyesin, vallë çlirimi i Kaabes nuk qenka xhihad i madh?! Jo, u përgjigj, xhihadi i madh është lufta jonë me vetveten, me shpirtin tonë..." Kjo porosi sokratiane, e urtë e profetit është e përjetshme dhe universale, që ndriçon mendjen dhe shpirtin e njeriut duke e fisnikëruar atë.
Shpesh herë njerëzit që nuk e analizojnë vetveten, nuk janë të vetëdijshëm për sjelljet dhe deklaratat e tyre përbuzëse dhe cinike, që popullin e vet apo të tjerët, për shkak të interesave personale, politike, fetare e trajtojnë si kontingjent. Në antologjinë e cinizmave të këtilla do të hyjë gjithsesi edhe deklarata e një komandanti të UاK-së së Maqedonisë, tani politikan i cili gjatë fushatës elektorale iu drejtua masës:"Më parë ju kërkuam djemtë, tani kemi ardhur t' jua kërkojmë votat". اdo koment është i tepërt.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top