Të ikësh a të mos ikësh?!

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Të ikësh a të mos ikësh?!

Do t’i pëlqente më shumë të bënte gazetarin investigues në terren. Ose t’i rikthehej krijimtarisë letrare. Por pak kohë më parë bëri prapë zgjedhjen e gabuar: Drejtorin e Informacionit në TV Klan. Ku duket se do të marrë vendimin e ndryshimit të madh: të shkëputet nga gjithçka e të shkruajë romanin e tij të parë. Kur? Kohën, Andi Bejtja nuk mund ta përcaktojë

Zefina Hasani

Nëse gjendesh për herë të parë në ambientet e reja të TV Klan-it për të gjetur zyrën e Drejtorit të Informacionit, Andi Bejtja, duhet pa diskutim të endesh dyerve të katit të dytë e të pyesësh më shumë se një punonjës, derisa gishti tregues i ndonjërit prej tyre të të tregojë me saktësi derën ku duhet të trokasim. Ndryshe, as që kishim për ta kuptuar se dera pa mbishkrim ishte pikërisht ajo që po kërkonim. Ashtu si vështirë se do të kishim besuar se ajo hapësirë e planifikuar aq dhe e arreduar ashtu, ishte me të vërtetë zyra e Drejtorit të Informacionit në TV Klan, nëse Andi Bejtja nuk do të ndodhej aty, i ulur mes gazetave të vendosura rrëmujshëm mbi tryezë e mes dy fotografive, stampuar estetikisht në korniza të mëdha, enkas si për të dëshmuar dualizmin e tij.



Në foton përballë është Bejtja gazetar, i fiksuar në ditën kur intervistoi në Shtëpinë e Bardhë presidentin George W. Bush, pak kohë para se ai të kryente vizitën e tij të parë në Shqipëri.

Në foton tjetër, vendosur në të majtë të tryezës, është një portret, të cilin fotografi Roland Tasho ia realizoi vite më parë, kur krijoi koleksionin e portreteve të shkrimtarëve shqiptarë, pjesë e të cilëve ishte dhe Bejtja.

Duket sikur këto dy momente i përkasin një kohe tjetër. Vetë Bejtja i mëshon edhe më shumë kësaj përshtypjeje teksa pohon krejt pa ngurrim, sapo ka ndjerë endjen e vazhdueshme të shikimit tonë nga njëra foto tek tjetra, se tashmë nuk po bën dot më as gazetarin (që del në terren për të intervistuar me operatorin nga pas apo qoftë dhe vetëm me një laps e pak letër në dorë) e as shkrimtarin (që shkëputet me ditë të tëra nga gjithçka tjetër, derisa të përfundojë produktin, mbi kopertinën e të cilit mund të vërë pastaj emrin e tij).

Dhe as që ka për t’i bërë, për aq kohë sa do të vazhdojë të jetë i përfshirë në ritmet e punës që vërshojnë çdo ditë në zyrën e Drejtorit të Informacionit. ثshtë i bindur tashmë se të paktën edhe përgjatë këtij viti elektoral do të mbetet rob i lajmeve politike dhe i postit që ka.



Kjo është zgjedhja që bëri në ditët kur sapo ishte larguar nga “Vizion Plus” (ku gjithashtu ishte Drejtori i Informacionit), pa e ditur se çfarë do të bënte pas kësaj dhe ndjen përgjegjësinë për ta respektuar deri në fund. Siç në fakt e ka respektuar të gjitha herët kur i ka thënë “po” një oferte (si atëherë kur nisi eksperiencën e tij të parë në median televizive në Top Channel dhe më pas kur kaloi tek “Vizion Plus”). Veçse, nëse atëherë ishte kryekëput i përfshirë në ingranazhet e mekanizmit gjigant të lajmit, tani po ndihet gjithnjë e më i tërhequr nga dëshira për t’iu rikthyer krijimtarisë. Tani e gjen veten shpesh e më shpesh (sidomos në këta 5-6 muajt e fundit) duke menduar për skedat e romanit të tij të parë, i cili duket se është pjekur në mendjen e tij, aq sa mund të ulet dy apo tre orë në ditë për ta sistemuar e për të kaluar më pas në fazën finale: shkëputjen fare e nga gjithçka për 2-3 muaj radhazi, derisa t’i japë dorën e fundit historisë së tij.



Por duket se momenti për të marrë këtë vendim kaq të rëndësishëm nuk ka ardhur ende. Deri atëherë, duket se Andi Bejtja do të vijojë të qëndrojë me këmbët në tokë, në terrenin që tashmë i përket. Do të vijojë përpjekjet për të formësuar çdo ditë e më shumë filozofinë e tij për edicionet e lajmeve në TV Klan, i bindur tashmë se puna që di të bëjë më mirë është pikërisht kjo që po bën: Drejtor i Informacionit.



Nëse shtatë vjet më parë i duhej kohë të sistemonte edicionet e lajmeve e të vendoste një linjë të caktuar të raportimit e informimit publik, tani nuk i duhen më shumë se 5 minuta për ta bërë diçka të tillë. Pas kurseve të kryera jashtë Shqipërisë, kryesisht për radion dhe median televizive, pas eksperiencave të gjata, prej 3 vjetësh e gjysmë në Top Channel (ku gjithçka duhej të niste nga zero) e po kaq në “Vizion Plus” (ku pothuajse gjithçka do të ndërtohej nga fillimi), Bejtja ka ndier gjithnjë e më shumë lehtësira në punën si Drejtor i Informacionit. Por, gjithsesi, kjo nuk do të thoshte aspak se do të ndihej komod në ditët e para në postin e tij të ri, në TV Klan. Arsyeja? Formati disi konservator që ky televizion vazhdon të ruajë me fanatizëm për vite me radhë. Ndaj zgjodhi këtë herë një metodë tjetër: t’i bëjë ndryshimet pak e nga pak. Ndërhyrjet e para që u bënë ishin thjesht vizive. “Unë jam nga ata njerëz që dikur besoja më shumë tek fjala sesa imazhi, por me kohë kuptova se në një televizion imazhi jo vetëm që është më i rëndësishmi, por është dhe primari.” Ndaj dhe informacioni i parë që Bejtja të jep për sezonin e ri në TV Klan, ka të bëjë me oraret e mirëpërcaktuara tashmë të spikereve të lajmeve. “Të gjitha kanalet televizive botërore e kanë të personalizuar çdo edicion lajmesh e këtë teori do të ndjekim dhe ne në “Klan”. Në edicionin kryesor të ditës, pra në 19.30, në studio do të jetë gjithmonë Sonila Meço, ndërsa në edicionin e mbrëmjes, pra në 23.00 do të jenë gjithmonë Reiz اiço dhe Fjoralba Mishaxhi. Por sigurisht që ndryshimet nuk do të mbeten vetëm me kaq. “Do të ketë ndryshime dhe në strukturën e edicioneve. Nëse në mesditë lajmet do të vijnë thjesht si kronika raportuese të paprekura, në 19.30 edicioni do të marrë formën e një reviste televizive, ku lajmi do të analizohet më thellë. Ndërsa në darkë, më shumë se edicion, do të kemi një emision informativ, ku do të diskutohen me të ftuar a lidhje telefonike temat kryesore të ditës e ku do të përfshihen dhe lidhjet direkte me shtypshkronjat për ta bërë prej andej leximin e shtypit të ditës së nesërme”. Hë për hë kaq duket se do të jenë ndryshimet e tij. Jo pse kaq i mjaftojnë, por pse e ka të qartë se në këtë vit elektoral, çfarëdo që të ndodhë, do të mbytet nga zhvillimet politike. “Megjithatë do të synoj që brenda gjashtë muajve, brenda këtij televizioni të krijohen dy departamente, një për lajmet e një për specialet. Për të mos thënë se ideale do të ishte që për çdo sektor të kishte nga një redaktor.” Ide e vështirë kjo për t’u realizuar (në kuptimin e investimit) në një kohë të tillë, kur pushtetin në Klan e kanë marrë tashmë figurat e njohura: Blendi Fevziu, që do të jetë tashmë katër herë në javë me “Opinion”-in e tij, Andi Bushati me “Zonë e ndaluar”, Aida Shtino me “Njerëz të humbur”, Vera Grabocka me “Më shumë dashuri”, Ardit Gjebrea me “E diela në TV Klan” apo dhe Bledi Strakosha, Sonila Meço dhe The SHBLSH, që do të nisin së shpejti emisionet e tyre po në këtë ekran. اka vetë Andi Bejtja duket se nuk do ta bëjë dot as këtë herë.



E ka gati një shpjegim për këtë. Për të ideuar një emision të tijin, do t’i duhet më parë të shpëtojë nga rutina e lajmeve, prej së cilës është detyrimisht i mbërthyer. E jo vetëm kaq. “Duke qenë drejtor lajmesh në një televizion ku ka gjithmonë një politikë të caktuar editorialiste, e ke të vështirë të japësh mendimin tënd për ndonjë çështje a ngjarje, sepse s’është çudi që opinioni të të dalë në rrymë të kundërt me frymën e përgjithshme të televizionit. Kjo më ka bërë që fatkeqësisht të jem gjithnjë e më pak prezent, jo vetëm në ekran, por dhe në shtypin e shkruar, çka më ka sjellë një lloj bllokimi për të mos menduar dot asgjë tjetër përveç lajmeve. Por ky lloj bllokimi ka ardhur dhe për një arsye tjetër: prej veljes në përgjithësi nga politika. Kam kohë që s’ndihem më entuziast për asnjë forcë e asnjë personazh politik, ndaj dhe më është dukur gjithmonë e me më pak vlerë të shkruash për politikën”. Ndaj ka reaguar vetëm në raste ngjarjesh të mëdha. Ndaj e ka ndier më shumë mungesën e të shkruarit në atë që mund të quhet gazetaria e vërtetë sesa tek rubrikat e opinioneve në faqe gazetash. “Do të më pëlqente të dilja në terren, jashtë Tiranës, për të intervistuar personazhe e zbuluar çështje të fushave të ndryshme apo për të bërë një emisioni jashtë studiove televizive, siç po e bën Andi Bushati, të cilin e përshëndes për këtë gjë. E duke qenë se vetë s’do mundem ta bëj dot, do të përpiqem që të paktën të fus në programacionin e televizionit të Klan-it një format të ngjashëm me atë që krijova në Top Channel”. E ka fjalën për një emision të tipit “Jashtë Bulevardit”, gjë gjithsesi nuk dihet se kur do të konkretizohet. Ashtu si dhe shumë ide të tjera që Bejtja po bluan këto kohë në mendje, me dëshirën për të sjellë sa më shumë gjëra të reja në hapësirën e informacionit në TV Klan.

Entuziazmi që e rrëmben Bejten ndërsa rendit njëra pas tjetrës të gjitha këto projekte, të bën ta harrosh atë pohimin e tij të sinqertë, që në krye të takimit, se mendimi për t’iu rikthyer tërësisht letërsisë tani është më i fortë se kurrë. Por ja ku vjen momenti që ai e kujton vetë përsëri. “Më shkëputi Dor Keko për njëfarë kohe nga ky vrull pune. Siç edhe u bë publike pak ditë më parë në “Gazetën Shqiptare”, ai kishte lënë një testament ku kërkonte që shkrimet e tij të fundit t’ia redaktoja unë. Kështu që, gjatë muajit korrik, m’u desh të punoja mesatarisht 2-3 orë në ditë, kryesisht pas orës 12 të natës, derisa e bëra gati për botim prozën e mbetur të Kekos. Redaktimi pas vdekjes së autorit ishte shumë i vështirë. Pasi u konsultova me shumë botues, brenda dhe jashtë vendit, vendosa t’i lë krijimet e Dorit ashtu siç ishin, pa u shtuar asgjë. Thjesht pastrova fjalitë nga ana gjuhësore e u vendosa tituj tregimeve të tij”.

Për Bejten, e gjithë kjo punë ishte e vështirë, dhe për vetë faktin se është shkëputur prej vitesh (prej gati 26 vitesh) nga letërsia dhe nga proceset e mirëfillta letrare, përfshi këtu edhe leximin.



ImageGjithsesi ishte një ngacmim i mirë. Por rikthimi në letërsi duket se s’ka për të mbetur thjesht me redaktimin e librit të Teodor Kekos. Nuk e di se kur, por tashmë e di se si: me një roman. “Proza është projekti që mendoj se do të më rikthejë në treg si shkrimtar. Skedat e mia, të cilat kam filluar t’i shkruaj që në vitin 2000, janë plot tashmë e për herë të parë ndiej se e kam të projektuar në mendje romanin tim të parë”. Ndaj kohën e tij të lirë ka filluar ta shfrytëzojë gjithnjë e më shumë për të mbushur edhe më skedat, që të mos harrojë kështu asgjë çfarë i kalon në mendje. “Kur bëhet fjalë për letërsi, e rëndësishme është që e gjitha të piqet mirë më parë në mendje. Pastaj pjesa e të shkruarit është gjëja që më shqetëson më pak”. Ndaj nuk e nxiton asgjë që të presë mbërritjen e natyrshme të momentin të duhur, bashkë me të cilin beson se do t’i kthehet dhe diçka tjetër, që i mungon prej shumë kohësh, poezia. “Më duket se i kam shkëputur lidhjet dhe me poezinë, por kam përshtypjen se me uljen për të shkruar prozë, do të kthehet edhe ajo. Ashtu si dhe leximi. Në gjithë kohët që jam marrë me gazetari, që prej viteve kur punoja te “Koha Jonë” e më tej, por sidomos në këto shtatë vitet e angazhimit në televizion, shkëputjet nga poezia, proza, leximi, pra letërsia, ka ardhur duke u thelluar gjithnjë e më shumë. Pati një lloj rikthimi në vitet ‘93-‘94 tek “Aksi”, jo vetëm pse gazeta ishte letrare, por dhe sepse kontaktet dhe bisedat mbi letërsinë me Dorin ishin shumë më të pranishme”. Derisa Bejtja do të largohej për në Angli, duke shënuar kështu fundin e marrëdhënieve të ngushta me letërsinë. Në gjithë vitet që do të vinin pas, edhe pse miqtë e tij më të mirë (përveç Teodorit, edhe Robert Shvarc, Kujtim اashku e Andi Bushati) do t’ia kujtonin në çdo moment se turpi dhe krimi më i madh që mund të bëjë një njeri është shpërdorimi i talentit, Bejtja nuk do të bënte dot ndryshe. “Dhe vazhdoj edhe sot e kësaj dite ta shpërdoroj talentin tim, përveç disa rasteve sporadike kur jam ulur për të shkruar poezi për ndonjë tekst kënge të Ardit Gjebreas”. Edhe në kësi rastesh, këtij të fundit i është dashur të këmbëngule e ta mbyllë diku vetëm, derisa poezia të merrte formën finale. E mesa duket është pikërisht kjo mënyra që mund ta bëjë zap Andi Bejten. Nëse pjesa më e mirë e shkrimtarëve mund të shkruajnë prej dhimbjes, ai mund të shkruajë vetëm prej vetmisë.

Ndaj dhe kur të vijë ai momenti kur do të ndiejë se duhet të shkruajë romanin e tij të parë, do të shkëputet nga gjithçka. Për t’u rishfaqur vetëm pasi të ketë vendosur dhe pikën e fundit në librin e tij. Më tej? Bejtja nuk ka asnjë përgjigje për këtë. Nuk e di se çfarë faze do të fillojë pas botimit të romanit. Nëse do t’i kushtohet tërësisht letërsisë apo nëse do të kthehet sërish tek ajo zyra e vogël dhe e arreduar thjesht në ambientet e reja të TV Klan-it. Edhe nëse ndodh kjo e fundit, gjithsesi do të jetë shumë i qetë me një roman të vendosur diku aty, mes dy fotografive që i përkasin kohëve të shkuara, si një dëshmi e gjallë se tashmë detyrimi ndaj miqve dhe vetes është plotësuar.





BOKS



Së shpejti....



Romani, që s’dihet se ç’titull do të ketë, do të renditet si i katërti botim që vjen me emrin e Andi Bejtes. I pari, një vëllim me poezi titulluar “Fall” do të pasohej shpejt nga një tjetër përmbledhje me poezi e tregime (në 1995) titulluar “Hon”. Ndërsa afro tre vjet më pas (më 1998) do të botohej libri me poezi “Apokalipsi kurrë nuk ndodh”. Tani është koha e romanit, përmes së cilit Bejtja do të sjellë historinë e Shqipërisë në tranzicion, rënien e komunizmit dhe ngritjen e sistemit të ri. Si na gjeti ne një përmbysje e tillë kohësh dhe si lëvizim të gjithë ne, si personazhe të kësaj historie.



somario



“Fatkeqësisht kam qenë gjithnjë e më pak prezent, jo vetëm në ekran, por dhe në shtypin e shkruar, çka më ka sjellë një lloj bllokimi për të mos menduar dot asgjë tjetër përveç lajmeve. Por ky lloj bllokimi ka ardhur dhe për një arsye tjetër: prej veljes në përgjithësi nga politika”



“Kam kohë që s’ndihem më entuziast për asnjë forcë e asnjë personazh politik, ndaj dhe më është dukur gjithmonë e me më pak vlerë të shkruash për politikën”.



“Do të më pëlqente të dilja në terren, jashtë Tiranës, për të intervistuar personazhe e zbuluar çështje të fushave të ndryshme apo për të bërë një emisioni jashtë studiove televizive”



“Proza është projekti që mendoj se do të më rikthejë në treg si shkrimtar. Skedat e mia, të cilat kam filluar t’i shkruaj që në vitin 2000, janë plot tashmë e për herë të parë ndiej se e kam të projektuar në mendje romanin tim të parë”.



“Më duket se i kam shkëputur lidhjet dhe me poezinë, por kam përshtypjen se me uljen për të shkruar prozë, do të kthehet edhe ajo. Ashtu si dhe leximi”



“Vazhdoj edhe sot e kësaj dite ta shpërdoroj talentin tim, përveç disa rasteve sporadike kur jam ulur për të shkruar poezi për ndonjë tekst kënge të Ardit Gjebreas”





Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top