Skënderbeu, hero ballkanik dhe europian më parë se kombëtar

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
skander-768x421.jpg


Një portret i Gjergj Kastriotit në Muzeun e Athinës

Pjesa e parë


Në një shkrim të tij të marsit 2005, ndërsa një vit më pas në moshën 69 vjeçare do të ndërronte jetë, shkrimtari Anastas Kondo tregonte një ngjarje që e kishte befasuar.

Ajo i kishte ndodhur në Athinë, në Muzeun e Historisë së Greqisë.

Në një nga sallat e tij, ndërsa nuk kishte parë të ekspozuar asgjë që pohonte ndonjë kontribut të shqiptarëve në historinë e vendit e sidomos të shtetit të pavarur helen, Kondo kishte ndeshur një portret të Gjergj Kastriotit.

Ndërsa ciceronia pas pyetjes për të shpjeguar diçka pati ngritur supet me padije, punonjësja shkencore e Muzeut, Evthimia Papasporu Karadhimitru i kishte paraqitur menjëherë të dhënat rreth portretit: “Numri i regjistrimit të objektit muzeal është 789. Objekti: Portret i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Përmasat, 0.60 x 0.50 m. Pikturë kavaleti me bojëra vaji në kanavacë. ثshtë dhuruar nga Dhim. K. Vasiliu. Ka hyrë në muze në janar të vitit 1891”.

Ndërkohë Anastas Kondo vuri re se në pjesën e sipërme djathtas të portretit ishte në latinisht mbishkrimi “GEORGIOUS CASTRIOTI VS SCANDERBECUS”.

Për dhuruesin e tij Muzeu nuk kishte asnjë të dhënë.

Kështu Dhimitër K. Vasiliu mund të ishte edhe një grek i pasur me kulturë, siç edhe ndonjë arvanitas i përgjëruar për atdheun e tij të vjetër. Sipas Kondos portreti ishte “punuar me dorë të sigurtë mjeshtri, i hedhur në kanavacë me bojra vaji, me mjekër të bardhë në gri, me beretën e njohur ala fiorentine të aristokracisë evropiano-perëndimore të Mesjetës, me sytë e thellë dhe hundën si të shqiponjës…”.

Dhe shkrimtari në atë shkrim ngulte këmbë se një portret të tillë dhjetë vite më parë në qytetin e Shkodrës e ruante familja Curani.

Sipas tij, portreti i Shkodrës me atë të Athinës ishin “binjakë”.

Ndryshonin vetëm në përmasat e tyre. Që të dy po ashtu ngjasonin me atë të Donatelos, të ruajtur në Galerinë Medici të Firences.

Kondo me këtë rast shkruante se “duke i njohur mirë dy portretet, atë të Shkodrës dhe tani edhe të Athinës, kam krijuar përshtypjen se në gjysmën e parë të shekullit të kaluar (XIX), kur Ballkani po i tregonte munxët Turqisë, në prag të Rilindjes Ballkanike, ndërkohë që u krijuan shtetet e para të pavarura, ka të ngjarë të ketë patur një ikonografi të tërë të Skënderbeut. Si me thënë një Skënderbejadë. Në ka hero të luftrave çlirimtare antiturke që i mungon aurola e shenjtit të Ballkanit, është ai”.

Kështu Anastas Kondo në një mënyrë të drejtpërdrejtë paraqet idenë se Gjergj Kastrioti ka qënë një hero ballkanik, jo vetëm kur ishte gjallë dhe kreu veprën e tij, por edhe më pas.

Për të ai ka qënë hero i krijimit të shteteve të pavarura të Ballkanit.

Në një farë mënyre këtë ndjesi pati kur ai, duke dalë nga Muzeu i shoqëruar prej punonjëses shkencore Karadhimitru, i bëri asaj pyetjen “Zonja ime, po çdo Skënderbeu në Muzeun e Historisë së Greqisë?”

Sipas Kondos, “Ajo nuk u habit. As hutim nuk pati, por shpejt e pamëdyshje,…. kur unë i papërgatitur prisja të më tregojë se Skënderbeu patjetër është vorioepiriot, …se vetë Skënderbeu në të djeshmen e largët e pat pohuar “se sipas kronikave tona jemi epiriotë”, zonja greke ma kthen “Si ç’do në muzeun tonë? Po Skënderbeu është mik i madh i Greqisë dhe pioneri i lirisë së Ballkanit. Ai qe i pari, që ndezi luftën kundër Turqisë”.

Viti i Skënderbeut, monumenti i madh në mes të Romës

monu.png


Në ballë të piedestalit ku në rrugën “Aventino” në Romë, në mes të sheshit “Albania”, ngrihet statuja mbi kal e Gjergj Kastriotit, përkushtimi për të formulohet si “mbrojtës i paepur i qytetërimit perëndimor”.

Ky fakt nuk u bë publik asnjëherë në Shqipëri, për sa kohë qëndroi i salduar në pushtet regjimi komunist.

Nuk u popullarizua kjo gjë as pas rënies së diktaturës.

Tashmë shumë emigrantë në kryeqytetin italian apo vise të tjera të tij çdo 17 janar, ditëvdekje e Skënderbeut, shkojnë në këtë vend dhe bëjnë fotografi si kujtim. Pak nga pak e bëri rregull një ceremoni të tillë edhe ambasada shqiptare në Romë si edhe ajo pranë Selisë së Shenjtë. Me këtë rast personeli diplomatik vendos një kurorë.

Kështu pas vitit 1990 fakti që si cilësimin më kryesor ndaj Gjergj Kastriotit italianët patën përcaktuar mbrojtjen e paepur të qytetërimit perëndimor jo vetëm nuk e dinin shumë bashkëkombas, por nuk ishte sipërmarrë asnjëherë ndonjë përpjekje për t’i vënë posaçërisht dhe me hollësi në dijeni.

Për t’i informuar gjerësisht shqiptarët mbi këtë gjë nuk u prodhua asnjë dokumentar kinematografik apo reportazh televiziv, nuk u botua asnjë editorial në faqe të parë gazete. Fakti nuk u përmend posaçërisht asnjëherë në ndonjë seancë të parlamentit shqiptar apo qoftë edhe në një miting partiak.

Para vitit 1990 fshehja bëhej qëllimisht, pas këtij çasti thjesht nuk kishte asnjë pasion për ta bërë të ditur.

Në korespondencën që autori i këtij libri ka me Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg (Giorgio Maria Castriota Scanderbeg), pasardhësin më të fundit të Skënderbeut nga dega e Napolit, kohë më parë mori dijeni për një gjë të veçantë.

Ai, kur libri në 2007 do të dilte në gjuhën italiane, do të shoqëronte me një tekst të shkurtër parathënës botimin në italisht të librit të Ludvig Holberg, më të njohurit shkrimtar dhe njeri të letrave të kulturës daneze dhe skandinave.

Midis shumë veprave të Holbeg ishte edhe “Histori dhe bëma të ndryshme të Heronjve të Mëdhenj”.

Aty ka një kapitull të titulluar “Princeps Epiri Giorgio Castriota, detto Scanderbeg” (“Princi i Epirit Gjergj Kastrioti, i quajturi Skënderbej”).

Xhorxho Maria Kastriota në hyrjen paraqitëse për stërgjyshin e tij që në fillim shkruan se “Vizioni pozitiv i njeriut Gjergj nuk ishte vetëm ai i epokës kur jetoi, si kështjellar e mbrojtës nga pushtimi osman në buzë të kufirit të Europës, por edhe sepse mbi të gjitha zotëronte virtutet e tij morale të drejtësisë, barazisë…”

Në mënyrën se si pasardhësi bashkëkohës i Skënderbeut e formulon cilësimin si mbrojtës i Evropës (“estremo baluardo difensivo Europeo”) në një përkthim tjetër, edhe ai i paqortueshëm, ky tekst do të merrte formën “europiani që ishte në mbrojtjen e kufirit tonë më të afërt”.

Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg në ato pak radhë të parathënies së tij për librin e Ludvig Holberg nuk harron të vërë në dukje se vepra e Gjergj Kastriotit është faqe e Historisë së Evropës. E ka shkruar vetë me gërmë të madhe fjalën “Histori”, duke dëshmuar se ndihet kryelartë me përkatësinë në kontinentin amë.

Siç mes nesh gjenden euroskeptikë, ka edhe eurokrenarë.

Besimi se Evropa (pra BE) do të bëhet një ditë një bashkim i fortë thirret prej anglishtes në gjuhën e studjuesve Eurohope (Euroshpresa). Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg është njëri prej këtyre besuesve.

I vjen kjo ndjenjë prej traditës mbi pesëshekullore të prejardhjes nga stërgjyshi i tij me emër të mirë në eurokontinent, apo sepse tashmë po kaq kohë brezat e Kastriotëve janë italianë dhe për rrjedhojë edhe mirëfilli evropianë, ka më pak rëndësi se vetë fakti. Logjika e rrjedhës së ngjarjeve të bën të mendosh se jo vetëm Gjoni, djali i vetëm i Skënderbeut dhe nëna e tij Donika, kur fare pak kohë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit kapërcyen detin dhe shkuan në Itali, nuk u bënë evropianë ketu.

Ata që në Shqipëri ndiheshin të tillë.

Gjatë gjithë rezistencës antiosmane edhe vetë Skënderbeu ndihej evropian, sepse gjesti i tij për t’u bërë mburoja e kontinentit nuk vinte nga nevoja apo thjesht loja e aleancave, por nga vetë përkatësia historike dhe kulturore. Kastriotët, siç edhe i gjithë populli dhe elita e tij e kohës, ndiheshin dhe ishin evropianë. Kur ra mbi Ballkan vala e madhe e pushtimit osman, të gjithë në këtë gadishull ishin të tillë.

Madje atëherë ndiheshin evropianë edhe më shumë se sot, kur kanë kapërcyer jo pa trauma dhe ndonjë pasojë tjetërsimi të një kalvari të tërë sundimi oriental.

Kastriotët erdhën në Itali si evropianë dhe këtu gjeneratat e trungut të tyre familjar vetëm e konsoliduan këtë ndjenjë përkatësie.

Ja përse Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg e dallon dhe e vlerëson me përparësi vlerën e veprës së stërgjyshit të tij si mbrojtës të qytetërimit evropian. ثshtë si të thotë që Skënderbeu me rezistencën e tij nuk mbrojti vetëm zemrën e eurokontinentit, hapësirën e tij gjeografike dhe Krishtërimin, por edhe rrënjët e tij personale, traditën dhe qytetërimin familjar si Kastriotë.

Gjergji para se të bëhej mburojë e Evropës, mbronte qytetërimin e popullit të vet. Vetëm kështu mund të shpjegohet theksi që Xhorxho Maria i vë dukshëm kësaj lidhjeje.

Në pesë rreshtat e kapitullit të fundit të tekstit hyrës për librin e Ludvig Holberg ai shkruan: “Në emrin tim dhe në përfaqësim të të gjithë familjes time, këtij botimi i uroj suksesin më të madh, duke besuar po ashtu se do të përbëjë edhe një urë ndërmjet Evropës së vjetër dhe asaj të re, ku me të drejtë në këtë të fundit pret të gjejë vendin e vet edhe Atdheu i Stërgjyshit tim të madh, Shqipëria”.

Viti i Skënderbeut, pasardhësit Kastrioti në Napoli dhe në Leçe

SKثNDERBEU, HERO BALLKANIK DHE EUROPIAN Mث PARث SE KOMBثTAR

Pjesa e tretë

Ndërkohë i njëjti episod si me Xhorxho Maria Kastriota Skanderbeg ishte përsëritur katër vite më parë me pasardhësin e Gjergj Kastriot Skënderbeut në degën e Leçes.

Sërish ishte i njëjti botues, Konstanco D’Agostino, i cili nxiti dhe publikoi më 2003 librin e shkrimtarit italian, gjykatësit të njohur Xhenaro Françone (Gennaro Francione). Ai titullohej “Skënderbeu, një hero modern”. Në vitin 2005 ky u përkthye edhe në gjuhën shqipe.

Botimi italisht, sigurisht më pas edhe ai shqip, kanë një parathënie të shkruar nga vëllezërit Alesandro e Xhulio Kastriota Skanderbeg. Në të, një faqe e gjysëm e tëra, duke vlerësuar botimin e atij libri, gjenden edhe këto mendime të tyre: “…kontribuon kështu në përhapjen e historisë shqiptare në Itali, duke shprehur një mirënjohje modeste, por shumë kuptimplote për atë që ka bërë populli shqiptar, edhe pse shumë shekuj më parë për ruajtjen e stabilitetit politik në Itali dhe për mbrojtjen e vlerave të kulturës perëndimore”.

gio-1.jpg




Në këtë parathënie ndodhen edhe fjalët: “Libri i Françones ndihmon në këtë lexim të Historisë midis dy popujve, në një moment kaq delikat, në të cilin Vendi i Shqiponjave troket në portat e Bashkimit Evropian me shpresë të gjejë njerëz dhe institucione të frymëzuara nga i njëjti shpirt solidariteti. Ky shpirt ishte thelbi i vërtetë i aksionit ushtarak të Skënderbeut, i drejtuar me efektshmëri prej tij për të përballuar pushtimin otoman të Shqipërisë dhe të të gjithë Evropës”.

Ndërkohë që kjo parathënie i ishte dorëzuar botuesit dhe ky pas disa ditësh librin do ta dërgonte për botim në një nga shtypshkronjat e Romës, për nevoja të njohjes sa më të gjërë publike të krijimit të tij Xhenaro Françone i bëri një intervistë të gjatë Alesandros.

Atë e përhapi menjëherë jo vetëm në disa lista interneti, por ajo u mor dhe u vendos dukshëm në website-n e arbëreshëve të Italisë, Arbitalia.

Mes të tjerash në atë bisedë stërnipi i Skënderbeut interpreton se aleancat e stërgjyshit të tij dhe heroit kombëtar të shqiptarëve e kishin një motivim kryesor. Ai ishte politik dhe fetar. Kishte të bënte me aleancën e madhe antiotomane. Sipas Alesandros “Si të mos sjellim ndërmend që Skënderbeu ishte një njeri i largpamjeve të mëdha? Aksioni i tij interpretohet vetëm duke u vendosur në një projekt politik me frymëzim evropian. Ai pa dyshim ishte një diplomat shumë i rafinuar, i zhdërvjellët për të mbajtur një rrjet të ngjeshur aleancash strategjike me fuqitë më të mëdha të Evropës së kohës së tij, nga Mbretëria e Napolit te Papati, nga Sinjoria e Venedikut te Dukati i Milanos. Sipërmarrjet e Skënderbeut, për bollëkun e të cilave janë dëshmitare arkivat më të rëndësishme publike italiane dhe e gjithë bibliografia e pafund për të, janë pjesë e paçmuar e historisë evropiane të shekullit të XV”.

Nga prilli 2003 deri në fund të vitit 2007, në hapësirën jo pak të shkurtër nga botimi i librit “Skënderbeu, një hero modern” të Xhenaro Françones deri tek “Histori dhe bëma të ndryshme të Heronjve të Mëdhenj” e Ludvig Holbergut, asnjë prej përfaqësuesve të degës së Kastriotëve të Leçes nuk ishte takuar me ndonjë prej asaj të Napolit.

As kishin biseduar në telefon. As kishin shkëmbyer një letër apo në internet ndonjë mesazh me email.

Por ishin takuar idetë e tyre. Ishin përputhur në një. Ishte tërësisht e njëllojtë siguria e tyre për dimensionin e dukshëm evropian të Gjergj Kastriotit dhe për misionin e tij të kryer me devotshmëri e bindje të plotë për mbrojtjen e kontinentit amë dhe të qytetërimit të tij.

Për aspak rastësi, por bindje e rrënjosur thellësisht në mendësinë e pasardhësve të Skënderbeut, edhe vetë struktura e përgjigjeve të dy degëve asnjëherë takuar, ishte e njëjtë. Të ngjashme në përmbajtje si dy pika ujë ato nuk i bëri aspak ndonjë ndërhyrje e botuesit D’Agostino. Si “dy pika ujë” ato nuk i bëri as niveli intelektual i Kastriotëve, sepse nisur nga fakti që njëri prej tyre ishte mjek shkencëtar, tjetri gjykatës me emër dhe Xhorxho Maria Kastriota drejtues i një dege banke, duhej të ndodhte pangjashmëria. Jo të njëllojta opinionet e Kastriotëve të degës së Napolit dhe të Leçes mbetën vetëm në stilin e të shkruarit.

Si dy pika ujë i bëri e vërteta që ata njihnin: stërgjyshi i tyre ishte një evropian i madh.

Duke mos qënë nismëtarë as shqiptarët në trojet e tyre amtare dhe as ata të shpërngulur përtej detit në emigracion, fjalët se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një mbrojtës i paepur i qytetërimit evropian, i kishin menduar, gjetur, formuluar dhe shkruar vetë italianët.

Dhe këtë gjë nuk e kishin bërë në ndonjë qytet periferik, siç përshembëll mund të ishte Bari apo Leçe, atje ku janë edhe gjurmët më të dukshme të veprimeve luftarake të Skënderbeut apo edhe shenjat e pronave të tij të falura nga mbreti Ferdinand i Napolit.

Këto fjalë të pazakonshme, ky përcaktim, madje ky titull “Mbrojtës i Qytetërimit Evropian”, nuk ishin gdhendur në një qytet të madh historik si Napoli, ku për shumë kohë në oborrin mbretëror jetoi Donika Kastrioti dhe djali i saj dhe ku vijoi pandërprerë dega më aktive e pasardhësve të Skënderbeut.

“Mbrojtës i paepur i qytetërimit evropian” ishin skalitur në mes të Romës, njërit prej qyteteve më të famshëm të botës. Në historinë e saj ajo është thirrur “Caput mundi” (“Qendra e botës”). Për shkak të numurit të lartë të vizitorëve të huaj Roma edhe tani është “Caput mundi” e turizmit global.

Ylli Polovina
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top