Ngjarja e fundit i ka ndodhur një qytetari nga Vlora, B.F. (po përdorim iniciale sepse na ka kërkuar anonimatin, por rrethanat dhe detajet janë konfirmuar edhe nga burime alternative në dijeni të ngjarjes). Vetë protagonistët e ngjarjes, administratorët e faqes së kryeministrit, kryeministri vetë dhe personi i implikuar e njohin gjithashtu sepse postimi në FB e Berishës është bërë me emër mbiemër në rrugën normale të postimeve online.
“Do doja të ndaja me ju dhe t’u tregoja një eksperiencë aspak të këndshme e cila tregon për nivelin e demokracisë në vend dhe vërteton më së miri se po jetojmë në një shtet diktatorial – shkruan denoncuesi në një letër dërguar dy ditë më parë kryeredaktorit të DITA. Burime afër policisë së Vlorës konfirmuan më pas rrethanat.
Ngjarja ka zënë fill pas kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook si një arritje të madhe që ka bërë Shqiperia shumëfishimin e importimit të internetit.
Rrëfen qytetari që ka bërë denoncimin: “E pyeta kryeministrin se çfarë të mirash fiton një vend nga rritja e importeve? Të njejtën pyetje e postova në profilin e kryeministrit dhe në profilin tim…”
اfarë ka ndodhur më pas?
“Pas disa minutash një person i prezantuar online me emrin Tuq Nezaj fillon të komentojë me sharje dhe fyerje në profilin tim. Për të mos degjeneruar biseda më tej e fshiva këtë postim. Por ky person Tuq Nezaj filloj të më dërgonte mesazhe private duke më kërcënuar edhe për jetën. Mesazhi i fundit që më dërgoi është ky: “Unë të thashë ik tash, o pasha dervish luzhen, e mos më bën që ta shpejtoj procedurën se kam me të heq zvarrë nëpër Vlorë…”
Kur i sipërcituari Tuqi ka shkruar më pas edhe se ishte “interesuar” dhe “ia prisha gjumin shefit të komisariatit Vlorës” – qytetari në fjalë ka menduar se bëhej fjalë për bllof e kërcënime verbale dhe vetëm kaq. Por… Këtu nis pjesa më bandite dhe më rrugaçërore e kësaj historie, e përdorimit të shtetit si bandë kundër qytetarëve. Qytetari ka një zyrë të vogël private imobiliare.
“Në zyrën time erdhën dy policë të cilët më pyetën për emrin dhe pas kësaj më kërkuan të shkoj me ta në komisariat se kishin urdhër nga shefi. U tmerrova jo nga frika por për dy arsye te tjera. E para kjo vërteton se po jetojmë në një shtet diktatorial ku nuk mund të themi mendimin tonë as në Facebook dhe e dyta si ka mundësi që një person militant i një partie t’i japë urdhra një drejtuesi policie?! E njoh pak a shumë strukturën dhe hierarkinë drejtuese të policisë së shtetit pasi dikur ka qenë endrra ime të studioja në Akademinë “Arben Zylyftari”. Kam mbetur vërtet i habitur se si drejtori apo shefi i Komisariatit Vlorë kanë marrë urdhër nga një person i tillë dhe kanë urdhëruar shoqërimin tim në komisariat… Ju lutem emrin tim mos e publikoni. Ju përshëndes dhe ju uroj punë të mbarë!”.
Gjatë këtyre dy ditëve DITA ka bërë verifikime mbi ngjarjen dhe ajo rezulton e vërtetë. Në biseda private, pa qenë në dijeni se po flasin me gazetarë, policë lokalë të Vlorës konfirmojnë ngjarjen dhe urdhrin e marrë, duke shtuar se “kanë shkuar për të shoqëruar qytetarin B.F. dhe i kanë thënë që shefi kërkon që të vish në zyrë vetëm për një bisedë (!!). Janë larguar kur qytetari në fjalë ka bërë rezistencë duke u thënë: “Nëse keni urdhër ndalimi më tregoni urdhrin dhe arsyen, nëse shefi juaj kërkon vetëm të flasë me mua, le të vijë ai tek unë…”.
Fakti që policë të shtetit me uniforma dhe në detyrë shkojnë t’u bëjnë presion dhe të terrorizojnë e frikësojnë qytetarët për një postim në FB-në e Berishës është skandaloz. Përdorimi i policisë së shtetit si bandë nga persona civilë strukturash paralele të “partisë së Berishës” të kujton metodat paranaziskine dhe është alarmues e indinjues për çdo qytetar të përgjegjshëm të këtij vendi./Dita