Ditën e sotme shënohet 30 vjet nga ngjarjet e dhjetorit 1990, që shënjuan lëvizjet e para pro demokracisë, duke tronditur themelet e regjimit komunist.
Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore ‘90. Të organizuar ata marshuan nga “Qyteti Studenti” drejt qendrës së Tiranës.
Atë natë, marshimi i tyre ndaloi mes “Qyteti Studenti” dhe bulevardit të Tiranës, pa mundur të kryqëzohej me rrugën e asnjë prej intelektualëve apo pedagogëve. Rradhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 persona.
Por në errësirë, policë me skafandra, sambistë (forcat speciale) dhe agjentë të shumtë të Sigurimit të Shtetit u shfaqën nga të gjithë anët. Ata përdorën çdo mjet për t’i thyer, por studentët nuk u ndalën, as atë natë dhe as në ditët që pasuan. Të nesërmen me 9 dhjetor, studentët konfirmuan një kërkesë të qartë drejtuar Ramiz Alisë, e ndarë në disa pika, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.
Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.
Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditë te para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuan përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.
opinion.al