Si ndodhi (F)rrokada

Ndryshimi i papritur i situatës pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, duke rrëzuar provat e prokurorisë dhe dëshminë më të fortë të procesit, atë të dhënë nga dëshmitari i mbrojtur, Arben Ndoka. Mark Frroku hyn dhe del nga Gjykata e Lartë me buzëqeshje, por me pranga në duar. PD: Pafajësia e Arbenit u shkëmbye me heshtjen e Markut. Reagon LSI: “Sekseri” i gjyqtarëve po bën parimorin

Nga Leonard Bakillari



Me një vendim surprizë, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2013.

Vetëm pak çaste përpara se Gjykata e Lartë të caktonte masën e sigurisë për deputetin Mark Frroku, trupi gjykues i Krimeve të Rënda rrëzoi të gjitha provat e prokurorisë kundër Arben Frrokut. Vendimi u konsiderua surprizë nga të gjithë, përveç avokatëve të Frrokut, të cilët pas seancës thanë se gjithçka ishte e pritshme për shkak të pafajësisë së të pandehurit.

Rreth orës 14:00, trupi gjykues i kryesuar nga Dritan Hallunaj, ish-kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nisi leximin e argumenteve pas analizimit të provave të mbledhura përgjatë një procesi 13-mujor. Prova më e fortë e prokurorisë, dëshmia e Arben Ndokës u zhvlerësua nga gjykata, e cila argumentoi se ky dëshmitar që pretendon se ka parë Arben Frrokun në automjetin nga ku u qëllua për vdekje komisari Dritan Lamaj, kishte shkuar me 4 minuta vonesë në vendin e ngjarjes.

Kaq mjaftoi që të pranishmit në sallë të paramendonin fundin e vendimit, i cili u lexua vetëm pak minuta më vonë nga gjyqtari Hallunaj: Pafajësi për të gjitha akuzat. Teksa në Gjykatën e Krimeve të Rënda lexohej vendimi i pafajësisë për Arben Frrokun, një tjetër trup gjykues në Gjykatën e Lartë, i kryesuar nga një tjetër anëtar i KLD-së, Artan Broci, ishte tërhequr për vendimin ndaj Mark Frrokut, vëllai i Arbenit dhe njëkohësisht deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Vendimi i Gjykatës së Lartë u shpall pasi Arben Frroku kishte fituar pafajësinë, ndërsa vëllai i tij Mark Frroku u rikthye në qeli pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”.

Për rreth një orë, gjyqtari Hallunaj rrëzoi njëra pas tjetrës provat e prokurorisë ndaj Arben Frrokut, për të cilin u kërkua dënimi me burgim të përjetshëm për akuzën e rëndë të vrasjes së komisar Dritan Lamajt. Sipas gjykatës, nga analizimi i pamjeve filmike që shfaqin vrasjen e Lamajt, dhe njerëzit që ishin aty të pranishëm, dëshmitari i mbrojtur Arben Ndoka shfaqet në vendngjarje 4 minuta pas krimit.

“Identifikimi i Arben Frrokut si një nga personat që ndodhet në automjetin me të cilin po largoheshin autorët e veprës penale menjëherë pas ngjarjes nga dëshmitari Arben Ndoka, është një provë e vetme, për më tepër vërtetësia e saj vihet në dyshim”, tha gjykatësi Hallunaj. “Rezulton që nga pamjet filmike nuk rezulton vërtetësia e thënieve të dëshmitarit”, – argumentoi gjykata, duke cituar pjesë nga dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur dhe bashkëshortes së tij, të cilët tashmë janë larguar nga Shqipëria.

Një tjetër element që sipas gjykatës e bën të pavlefshme dhe pavërtetë dëshminë e Arben Ndokës është takimi me dy oficerët e lartë të policisë, Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj, të cilëve u ka rrëfyer se autori i vrasjes së komisarit ishte shtetasi Arben Frroku. Sipas prokurorisë, dëshmitari i mbrojtur ka deklaruar se me zyrtarët e policisë është takuar në banesën e tij dhe pasi u ka treguar targën e automjetit që kishte parë, Agron Kuliçaj, asokohe zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka kryer një telefonatë duke i dhënë policisë targën e automjetit të dyshuar. Por nga dëshmia e bashkëshortes së dëshmitarit të mbrojtur rezulton se në banesën e tyre nuk ka shkuar asnjë zyrtar policie natën e vrasjes së komisarit, madje ajo ka pohuar se në shtëpinë e tyre nuk ka shkuar askush.

Ndërsa citonte dëshminë e Tonin Vocajt, gjykata tha se takimi është bërë në banesën e një shokut të dëshmitarit të mbrojtur, ndërsa kur ai ka pohuar emrin e personit të dyshuar si autor të vrasjes, Vocaj nuk ka qenë i pranishëm në takim. Më tej trupi gjykues është ndalur në një tjetër element, që sipas akuzës provon se i pandehuri i ka lënë qëllimisht telefonin e tij shtetasit Jak Jaku, me të cilin u arrestua në Selanik, me qëllim që të provohej alibia se ai në momentin e krimit ndodhej në qytetin e Elbasanit me drejtim doganën e Kapshticës.

“Akuza duke e konsideruar plotësisht të provuar se i pandehuri është njëri prej autorëve të vrasjes, këtë fakt e shpjegon me pretendimin se i pandehuri ka lënë të dy telefonat e tij para ngjarjes në automjetin e drejtuar nga shtetasi Jak Jaku dhe pas vrasjes, me një mjet tjetër ka udhëtuar me të njëjtën trajektore”, thotë gjykata.

Ndërsa më tej argumenton se nga të dhënat e kompanive celulare rezulton se të dy telefonat kanë kryer thirrje në të njëjtën kohë duke u loguar në të njëjtën antenë. Një tjetër provë e prokurorisë që u rrëzua nga gjykata gjatë vendimit të djeshëm kishte të bënte me gjurmët e pretenduara të barutit në rrobat e të pandehurit Frroku.

“Në rastin konkret në pallton e të pandehurit ku janë gjetur elementët kimikë, sipas ekspertit lënda e gjetur nuk është marrë në mënyrën e duhur dhe nëse do të merrej në formën e kërkuar atëherë do të mund të konkludohej nëse do ishte i pranishëm apo jo elementi antimonium në ekspertizë”, thotë gjykata në vendim.

Pas argumenteve të gjykatës që rrëzojnë të gjitha provat e prokurorisë, përfshi edhe dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur, kreu i trupit gjykues shpalli të pafajshëm Arben Frroku, i cili u mbajt për më shumë se 13 muaj në qeli nën akuzën e vrasjes së komisar Dritan Lamaj.

Ai la qelinë e paraburgimit 302 rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, ndërsa thuajse në të njëjtën kohë në të njëjtin paraburgim u transferua vëllai i tij Mark Frroku, ndaj të cilit Gjykata e Lartë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet belge ku Frroku po gjykohet për akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim.

Në përfundim të seancës ndaj Arben Frrokut, avokati i tij tha se ishte i lumtur për vendimin e pafajësisë, pasi nga gjykimi u provua ajo që kishte thënë klienti i tij dhe mbrojtja që në nisje të këtij procesi gjyqësor.

“Gjatë seancave gjyqësore u provuar se Arben Frroku nuk kishte lidhje dhe në momentin që ndodhi vrasja ai ishte në Selanik. Jemi të kënaqur me këtë vendim. Prokuroria dha argumente që nuk qëndrojnë, sepse nuk mund të jetë objektivisht edhe në Tiranë edhe në Selanik. I ndjeri ka pasur lidhje edhe me shumë persona të tjerë dhe Prokuroria duhet të kishte hetuar edhe në pista të tjera”, tha avokati Tonin Prendi.

Pas vendimit të pafajësisë, prokuroria paralajmëroi se do të apelojë vendimin e Gjykatës sapo të njihet me argumentet e plota të trupit gjykues.



Gjykata e Lartë lë në burg Frrokun, deputeti rikthehet në qeli

Pas një seance që zgjati rreth tri orë e gjysmë, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për deputetin Mark Frroku, këtë radhë i akuzuar nga autoritetet belge për një vrasje të kryer 16 vite më parë.

Seanca gjyqësore është zhvilluar vetëm një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 113 vota pro kërkesën e Prokurori për autorizimin e arrestimit të tij. Pas rreth 3 orë e gjysmë seancë me dyer të mbyllura, pesëshja e trupit gjykues me relator Artan Brocin dhe anëtarët Ardian Nuni, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj dhe Tom Ndreca, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke vendosur të lërë në qeli deputetin kristiandemokrat.

Frroku u paraqit në Gjykatën e Lartë rreth orës 12:30, përpara fillimit të seancës gjyqësore, ndërsa nuk e fshehu buzëqeshjen sapo zbriti nga automjeti i policisë, e cila e shoqëroi nga Drejtoria e Policisë së Tiranës. Frroku doli nga ambientet e Gjykatës së Lartë rreth orës 16:00, kur trupi gjykues e kishte marrë vendimin për ta lënë atë në qeli për akuzën e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1999 në Bruksel.

Por prokuroria argumentoi se përveç kësaj vrasje, ndaj Frrokut duhet të caktohet masa e sigurisë “arrest me burg” edhe për një tjetër hetim të nisur në Shqipëri që ka të bëjë me mosjustifikimin e pasurisë dhe dyshimet për pastrim parash nga aktiviteti kriminal që Frroku dyshohet se ka kryer jashtë vendit. Në dalje të Gjykatës së Lartë, Frroku është shfaqur sërish i buzëqeshur, ndoshta për shkak se vëllai i tij kishte fituar lirinë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

“Para zotit dhe në ndërgjegjen time jam i pastër , drejtësia le të bëjë punën e vet” , tha Frroku teksa dilte nga Gjykata e Lartë me pranga në duar por i buzëqeshur. Ndërsa avokatët mbrojtës të deputetit Mark Frroku janë shprehur të befasuar pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Lartë, duke deklaruar se do të apelojnë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim.

“Jemi të befasuar nga vendimi, do ta apelojmë. Ndalimi dhe arresti në burg, të paligjshme”- tha avokati Gjokutaj, ndërsa avokati tjetër Vishaj u shpreh se “do ta dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asnjë provë që implikon Mark Frrokun”, thanë avokatët e tij.

(c) Mapo
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top