Si është familja shqiptare?

Si është familja shqiptare
Shkruar nga: Faik Konica

Faik Konica
Botuar më 1938

Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme, si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë e mbi të gjithë babanë, fjala e të cilit sa të jetë gjallë është ligj brenda caqeve të familjes. Ndërsa kur vdes babai, autoritetin e të zotit të shtëpisë e merr mashkulli më i moshuar i familjes. Nuk është nevoja të thuhet se një femër e shtëpisë, me përjashtim të nënës, zë një pozitë inferiore. Ky ligj i pashkruar i familjes ndoshta mbështetet në idenë se femra është pjesë e familjes, vetëm derisa nuk është martuar. Lidhur me këtë është interesante të vihet në dukje se kur vjen koha që anëtarët meshkuj, e pikërisht vëllezërit, të hapin shtëpinë e tyre, gjithë pasuria e prindërve ndahet barazisht ndërmjet tyre. Anëtarët femra nuk marrin pjesë në këtë ndarje. Në Shqipëri pothuaj nuk njihen testamentet e bëra nga babai. Në raste të jashtëzakonshme, kur pasuria është shumë e madhe, gjë mjaft e rrallë ndër fshatarët babai mund të mund të ndajë një pjesë parash për të bijat. Ndonëse nëna respektohet shumë, rrallë merret mendimi i saj për zotërimin e pronës.
Tipari karakteristik kryesor i gruas shqiptare është dashuria e saj për shtëpinë dhe për mjedisin e qetë, si deh përkushtimi ndaj traditave të vjetruara. Këtu fshihen si fuqia e saj, ashtu edhe dobësia e saj, sepse kjo frymë konservatore e bën atë përgjithësisht të dyshojë për idetë e reja. Që në moshë të vogël vajza nis të përgatitet për ditën kur do të bëhet nuse, bën qëndismat e rrobat që do të jenë paja e saj. Kjo punë kërkon mjaft vjet. Ajo ka pasoja të dyfishta: e pasuron shtëpinë e ardhshme me sende artistike dhe njëkohësisht ka vlerë morale, duke e përqendruar mendjen e vajzës së re te rëndësia e jetës që do të bëjë si zonjë e re shtëpie. Kam frikë se ka edhe një pasojë të keqe: i bën vajzat e reja shumë serioze, nuk i lë të merren me lojëra të shëndetshme e të qeshin lirisht; kjo u jep vashave shqiptare një pamje murgeshash të reja të bukura, por të rënda.
Udhëtarët kanë qenë të pranishëm disa herë në martesat shqiptare dhe i kanë përshkruar pak a shumë me përpikëri. Një dasmë shqiptare është një punë e madhe, që i ngjan një panairi ose një karnavali, me muzikë, valle e me argëtime të gjithfarshme, që disa herë zgjat deri një javë. Ndërkaq nusja merr mësimet e para se çfarë është vjehrra. Komedia dhe letërsia gojore popullore kanë përhapur kudo një tip të caktuar vjehrre, që nuk është edhe aq e këndshme. Gjithmonë është e padrejtë të bësh përgjithësime, por sidoqoftë në Shqipëri një nuse e re e martuar shpesh e ka pisk punën në duart e një vjehrre që i ka qëllimet e mira, por është tepër e rreptë. Megjithatë, sapo bëhet e qartë se nusja pret të bëhet nënë, gjithçka ndryshon për mirë. Në Shqipëri ka një mendim të nderuar prej kohësh se fëmija nuk do të jetë i shëndoshë, nëse nënës së ardhshme nuk i plotësohen të gjitha dëshirat që ka për çdo gjë dhe nëse nuk i përmbushen trillet e tekat. Kështu nëna e ardhshme shpesh përfiton nga kjo gatishmëri tradicionale për ta kënaqur dhe çdo gjë të mirë që kërkon të hajë ose të pijë ia gjejnë, madje dërgojnë edhe një njeri veçan për ta gjetur në ndonjë qytet tjetër. Dhe në të vërtetë ka një proverb në gjuhën shqipe, që do të thotë: t'ia çosh si nusja e re në shtëpi.
Nuk ka mjek të pranishëm, kur lind një fëmijë shqiptar. Nënën e ndihmojnë një a dy babo, gra të mira që nuk dinë asgjë për anatominë e fiziologjinë dhe që e bëjnë punën e tyre pa i sterilizuar duart, vetëm sa i lajnë me sapun. ثshtë e qartë që atëherë nuk janë të rralla rastet e vdekjeve.
Pak kohë pas lindjes fëmijën e lidhen me dizgje. Këta janë rripa të ngushtë prej liri të bardhë të pastër, disa metra të gjatë dhe fëmija lidhet fort disa herë nga koka te këmbët, duke lënë të lirë vetëm sytë, hundën dhe gojën. Kjo mbështjellje absurde i ngjan pak veshjes së një mumjeje egjiptiane. Fëmija kthehet në një të burgosur, që nuk lëviz dot e ndonëse rripat i ndërrojnë disa herë në ditë foshnja asnjëherë nuk lihet e lirë që t'i ushtrojë gjymtyrët për një kohë të gjatë. Ky trajtim i gabuar, i përgjithshëm në Shqipëri dhe i vjetër prej mijëra vjetësh, vjen nga një frikë e tepruar se mos foshnja bie nga djepi dhe mbetet i gjymtë. Djepi në Shqipëri është shumë i lartë dhe pasi e kanë tundur mirë e foshnja është nanurisur për ta zënë gjumi me një këngë të vjetër, nëna largohet për punët e shtëpisë pa pasur frikë se do të ndodhë ndonjë e keqe. Kjo lidhje e foshnjës ka edhe një epërsi të dyshimtë: që lejon të mbahet më lehtë foshnja kur nxirret nga djepi, sepse e mbështjellë si kopan ajo i ngjan një kukulle të ngurtë ose një pakoje që mund ta vësh në çdo pozicion, mjaft që të mos e vësh me kokë teposhtë.
Derisa arrin moshën tre vjeç, për fëmijën kujdesen mirë, por me metoda të gabuara, tradicionale e të paditura. Pasi mbush tre vjeç, atë e lënë praktikisht të lirë të kujdeset për veten, të bredhë korijeve me shokët e lodrave, të vrapojë arave, kur ka diell ose të rrokulliset këmbëzbathur, kur ka dëborë. E ëma e ushqen, e lan dhe e vesh, por për të tjerat është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Kjo liri e pakontrolluar është në kundërshtim të hapur me skllavërinë si mumje në djep dhe e zhvillon që herët një ndjenjë pavarësie. Kjo ndoshta i bën fëmijët edhe pak të pashtruar. Megjithatë në Shqipëri koha e lodrave për fëmijët është e shkurtër. Nevojat e rënda ekonomike i detyrojnë t'i drejtojnë energjitë për veprimtari të dobishme që në moshë të njomë./TO/

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top