Shqiperia, ja drejtesi ja diktature

Ashtu si në fillim të viteve ‘90, Shqipëria ndodhet sot përsëri në një udhëkryq historik. Dhe përsëri dilema politike është: demokraci liberale apo diktaturë, sundim apo liri? Njëra rrugë me përqendrimin e pushteteve në një dorë nuk mund të mos shpjerë në diktaturë, larg Evropës, larg NATO-s, në skllavëri. Rruga tjetër, ajo e ndarjes së pushteteve, nuk mund të mos shpjerë në demokraci liberale, në Evropë, në NATO në liri. Më në fund, këmbanat e rrezikut po bien edhe në “inglisht”. Pak ditë më parë qe edhe ambasadori britanik në Tiranë që nënvizoi, gjatë një interviste, se cenimi i institucioneve të pavarura të shpie drejt diktaturës. Nga do t‘ia mbajë Shqipëria? Eshtë një dilemë që do të marrë përgjigje shumë shpejt. Sepse sot po debatohet për reformën në drejtësi dhe raporti i pushtetit të drejtësisë me pushtetin politik, është një formë thelbësore e dilemës mes demokracisë dhe diktaturës: A do të bëhet në Shqipëri drejtësia e pavarur apo do të mbetet skllave e politikës? Ky është sot mejdani i betejës së mbrapme mes lirisë dhe diktaturës.
***
Kush i ka të gjitha pushtetet nuk mund të qeverisë, por e ka të pamundur të mos sundojë. Qeverisja është tipar i demokracisë liberale, sundimi i diktaturave dhe autoritarizmave. Qeverisja presupozon ndarjen e pushteteve, sundimi bashkimin e tyre. Shumë politikanë po flasin sot për “reformën në drejtësi”, por sa sinqerisht e kanë? Sepse që të mbështesësh me zemër drejtësinë, duhet të mos kesh depozituar në jetë interesa të ndëshkueshme nga drejtësia. Dhe interesat, pasi depozitohen, vështirë se reformohen. Nuk është njeriu që reformon interesat, por interesat që reformojnë njeriun. Për të mirë apo për të keq. Interesat vetëm mbrohen. Madje, me tërbim. Prandaj jo pak politikanë shfaqen sot si kundërshtarë të fshehtë të një reforme të vërtetë të drejtësisë. Sepse vijnë nga pushtete të korruptuara, ose janë përfaqësues pushtetesh të korruptuara. Interesa të vjetra dhe të reja korruptive i shtyjnë të sabotojnë një reformë në drejtësi, që i kërcënon me ndëshkimin e korrupsionit të të gjitha qeverisjeve të derisotme. Për shkak të rinovimit të ngadalshëm, një pjesë e konsiderueshme e asaj, që quhet klasë politike, shfaqet në konflikt interesi me një reformë reale në drejtësi ndërkohë që vullnetet politike janë një faktor i rëndësishëm për reformën. Kemi hyrë në një qark vicioz dhe ai nuk mund të çahet pa hyrë në lojë forca të tjera. Cilat mund të jenë ato?
Juristët, të cilët në fakt, po luajnë një rol më aktiv se kurrë për të kundërshtuar projektet dhe projektligje të shumicës që shihet qartë, se synojnë një “reformë” që e mban drejtësinë të kontrolluar nga politika dhe pushteti, një “reformë” që e mban prokurorinë nën kontrollin, presionin dhe mëshirën e një politike të korruptuar. Ata politikanë dhe parti politike që aspirojnë vërtet çlirimin e drejtësisë nga thonjtë e politikës, duhet të mbështesin prokurorët dhe gjyqtarët si dhe shoqatat e tyre në përballje me tendencat autoritariste të qeverisë, dikasterit të drejtësisë dhe titullarit të saj Alibeaj.
“Ndërkombëtarët” janë një tjetër faktor që po shfaqet më aktiv duke këmbëngulur për opsionin e një drejtësie të pavarur. Të gjithë përfaqësuesit e Perëndimit po deklarohen për drejtësinë e pavarur, gjithnjë e më shumë ambasadorë dhe, akoma më teknikisht, edhe misioni “Euralius” në një formë apo në një tjetër, kanë shfaqur rezerva ndaj projekteve të qeverisë. Një opozitë e vërtetë duhet t‘i mbështesë ata, nëse është opozitë e vërtetë e një pushteti që synon të mbajë të kapur drejtësinë.
***
Shihet qartë se një rol të rëndësishëm për të dalë nga rrethi vicioz i skllavërimit të drejtësisë nga politika dhe i politikës nga korrupsioni, ka vetë politika. Diç më pak se dy dekada pasi u përmbys komunizmi, liria është e detyruar të ndeshet përsëri me diktaturën që po ringjallet, pikërisht për faktin se politikanë si Berisha dhe Nano, që morën në dorë drejtimin e proceseve politike 18 vjet më parë, nuk lejuan që të krijohet një pushtet i pavarur i drejtësisë. Sistemi komunist u përmbys, por nuk u përmbysën raportet e pushtetit politik me pushtetin e drejtësisë, raportet e partisë në pushtet me shtetin. Dhe mund të ketë ndodhur të ketë liri pa demokraci, por jo liri pa drejtësi. Me përmbysjen e komunizmit Shqipëria arriti një gjysmëdemokraci (pluralizëm dhe zgjedhje larg së qenurit të rregullta), por ende jo lirinë që buron nga ndarja e pushteteve. Sepse Partia Demokratike, që erdhi në pushtet, vazhdoi të drejtojë me grusht të hekurt të gjithë vendimmarrjet e gjyqësorit që kishin rëndësi politike. Pjesën tjetër e plotësoi korrupsioni në rritje. PD dhe lideri i saj i përjetshëm, Sali Berisha, vazhduan të përdorin prokurorinë për të goditur kundërshtarët politikë deri edhe liderin e opozitës në atë kohë, Fatos Nano.
Kapja e pushtetit të drejtësisë (prokurorisë dhe gjykatave në të gjitha nivelet) ishte edhe shkaku thelbësor i degradimit të qeverisjes që nuk mund të mos precipitonte në kolapsin e shtetit në vitin 1997. Sipas konkluzioneve edhe të FMN ishte pushteti absolut i ish-presidentit Berisha që pengoi drejtësinë të ndërhynte në kohë për të hetuar dhe bllokuar piramidat. Madje, Berisha shkoi edhe më larg. Deklaroi publikisht se paratë e futura në piramida ishin të pastra, duke iu kundërvënë edhe dyshimeve të antimafies italiane, një deklaratë që i nxiti shqiptarët të hidhnin në piramida miliona të, tjera që nuk do t‘i merrnin më. Sikur drejtësia të kish qenë e pavarur, e lirë nga interesat korruptive të pushtetit dhe politikës, e lirë nga Berisha, Shqipëria do ta kish shmangur krizën e thellë dhe kolapsin e shtetit. Viti ‘97 tregoi se ku të shpie “drejtësia” e skllavëruar nga politika. Ky kancer nuk u kurua as me ardhjen në pushtet të socialistëve. E mbetur skllave në thonjtë e politikës, drejtësia nuk u lejua të ndëshkojë korrupsionin e PD, si dhe krimet e vitit të mbrapshtë ‘97. Për të bllokuar drejtësinë PD dhe strategu i saj Berisha, intensifikuan protesta të dhunshme, duke shantazhuar me destabilizimin e vendit. Drejtësia nuk u lejua të ndëshkojë as aktet e rënda politike si grushti i shtetit i shtatorit ‘98. Dhe këtu kanë përgjegjësi edhe “ndërkombëtarët” që të shantazhuar po ashtu me destabilitet nga Berisha, ndërhynë që për atë krim të rëndë kundër shtetit të mos hetohet as Berisha dhe as ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij. Ndaj, kur sot kritikojnë Topallin se i jep direktiva prokurorisë për hetimin e Gërdecit, “ndërkombëtarët nuk bëjnë gjë tjetër veçse korrigjojnë një gabim të tyre të vjetër. Dhe aty ku pas krimit nuk vjen ndëshkimi, drejtësia nis e jep shpirt dhe krimi pjell krim. Mungesa e drejtësisë dhe veprimit të ligjit çoi në korrupsion edhe pushtetin e socialistëve. Eshtë po i njëjti shkak që ka çuar në korrupsion edhe më të thellë deri edhe mafioz, pushtetin e dytë të “demokratëve” të Sali Berishës. Ky i fundit ka sy e faqe dhe del e flet si një kaudilio për idealin e tij personal të antikorrupsionit, duke pasur si sfond kupolën e llahtarshme të shpërthimit në Gërdec që është sinteza tragjike më elokuente e trafiqeve, korrupsionit të një kupole mafioze në qeverisje. Sikur të kishim pasur drejtësi të pavarur nuk do të kishim pasur Gërdec. Pas Gërdecit dje u zbuluan në median shqiptare edhe lidhjet e kësaj kupole të pushtetit me “trafikantin rajonal” Damir Fazlliç, këshilltar konfindencial i Kryeministrit dhe i sapo arrestuar në Bosnje. Gazetari Mero Baze, deri dje një nga mbrojtësit më të zellshëm të Berishës, por sot një nga denoncuesit më të ashpër të tij, ka publikuar në “Tema” detaje të hollësishme të bashkëbizneseve të trafikantit Fazlliç me njerëz të familjes Berisha dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij si ministri Basha. Duken si biznese që bien erë pastrimi parash. Dhe Fazlliç rezulton të jetë ndjekur penalisht në Bosnjë dhe Kroaci, pikërisht për pastrim parash, ndërkohë që këshilltari i Xhinxhiç, Kryeministrit serb të vrarë nga klani i Zemunit, ka pohuar se Fazlliç përdorej që “të mbarojë punët më të ndyta korruptive nga Shqipëria deri në Bosnje”. Dhe ky trafikant ka qenë edhe këshilltar i Kryeministrit që përbetohet natë e ditë ekraneve për idealin e antikorrupsionit. A do ta hetojë prokuroria këtë skandal të radhës? Nëse jo, si mund të shpëtojë Shqipëria nga diktatura e kësaj kupole korruptive me ramifikim ndërkombëtar pa krijimin e një drejtësie dhe prokurorie të pavarur?
***
Cili do të jetë roli i opozitës politike në këtë moment historik? Do të bashkohet fuqishëm me gjyqtarët dhe ndërkombëtarët për t‘i imponuar pushtetit të korruptuar të Berishës një pushtet drejtësie të pavarur, apo e shantazhuar nga Berisha për shkak të korrupsionit të vjetër që trashëgon nga 8 vjet qeverisje, do të arrijë një pakt me Berishën në kurriz të pavarësisë së drejtësisë pra, edhe të lirisë? Nëse ndodh kjo e fundit, do të qe një konsensus i një korrupsioni rozë me korrupsionin blu kundër lirisë së drejtësisë. Nëse jo, do të thotë që e gjithë opozita politike të mobilizojë të gjithë qytetarët dhe në aleancë me juristët, prokurorët, gjyqtarët dhe ndërkombëtarët ti imponojnë pushtetit të korruptuar të Berishës një reformë në drejtësi që do ti japë liri jo vetëm drejtësisë por edhe Shqipërisë. Ashtu si në vitin 1991 sot është në lojë liria. Atëherë shqiptarët arritën të çlirohen nga komunizmi. Po çlirimi është vetëm një akt që nuk zgjat shumë pa u krijuar sistemi që mundëson dhe jetëgjatëson lirinë. Dhe themel i një sistemi të tillë është, drejtësia e pavarur. Shqiptarët e kanë në dorë ti japin edhe një herë shans lirisë, demokracisë dhe aspiratës për integrim në Europë. Thirrja liri-demokraci(!) duhet të ringjallet edhe më e fuqishme në parullën liri-drejtësi! Ka ardhur ora të provohet se cilat nga partitë e opozitës janë të vendosura për një drejtësi të pavarur, si kusht bazë për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Sepse kjo është detyra e opozitës së vërtetë politike përballë një pushteti autoritarist dhe klase politikanësh thellësisht të korruptuar që ndërsa flasin për reformën në drejtësi, farkëtojnë me projektligje pranga të reja për drejtësinë. Sot, si 18 vjet më parë aspirata e shqiptarëve për liri përballet me një tjetër diktaturë, diktaturën e mafies dhe korrupsionit.


Andrea Stefani
Gazeta Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top