Nuk ka ndryshim dhe as ndarje nga tranzicioni pa demaskuar në themel, dhe pa ndëshkuar autorët, shkaktarët e vërtetë prej të cilëve Shqipëria u pushtua nga korrupsioni 32 vjeçar,që çoi në degradimin e shoqërisë shqiptare, nga humbja e të gjitha vlerave e virtyteve më të larta që kishim si komb, nga ky armik i tmerrshëm i patriotizmit, c'kombëtarizimit i cili po e shpopullon, boshatis dhe dëbon shqiptarët nga ky vend.
Çdo ditë shohim nëpër konferenca a takime me strukturat e partive Sali Berishën dhe Ilir Metën duke denoncuar aferat korruptive të qeverisë Rama.
Dhe mirë bëjnë. Po vetë këta të dy sa të besueshëm janë për popullin?
KURRË ! Edhe këta për hallin e tyre dhe të Edi Ramës punojnë.
Jo vetëm pushteti politik i të gjitha ngjyrave ( Blu, Mavi) dhe bishtat e tyre, por dhe ai ekonomik janë bërë bashkë. Dhe pushteti i katërt është skajshmërisht i njëanshëm,analistë e gazetarë i shërbejnë verbërisht këtyre dy pushteteve, ndërrojnë kahje servilizmi duke shkuar andej nga ata paguhen më shumë, pra, shumë prej tyre janë mercernarë, ashtu si pothuajse të gjitha mediat, me pak përjashtime.Televizionet e gazetat, sot janë vënë në shërbim të regjimit të korrupsionit pavarësisht se duken sikur informojnë dhe bëjnë kritikë.
Prandaj çlirimin e Shqipërisë nga korrupsioni do ta bëjnë vetëm të rinjtë, të pa korruptuarit, figurat që do mendojnë për gjeneratat e këtij vendi.
Fakt i pa kundërshtueshem është, që Partia Demokratike me Berishën kryetar ka qenë dhe ka funksionuar si një parti apo organizatë pseudo e djathtë dhe që ka zbatuar me përpikmëri platformën “KATOVICA“ gjatë këtij tranzicioni me marrëveshje të fshehtë në bashkëpunim me Partinë Socialiste dhe me të gjithë spektrin neokomunist të paskomunizmit.
Pasojë e këtij mashtrimi demokratik paskomunist dhe të një dëmi të jashtëzakonshëm të politikës paskomuniste është se në Shqipëri u instaluar sistemi kriminal i korrupsionit.
Shqipëria për 50 vite ishte e pushtuar nga komunizmi, dhe pas vetë - rënies së komunizmit Shqipëria u pushtua nga një pushtues tjetër akoma dhe më i keq, u pushtua nga KORRUPSIONI.
Kohët e fundit Drejtësia e re shqiptare po heton dy raste superskandaloze korrupsioni dhe hajdutërie, ai i investimit korruptiv te inceneratorëve nga qeveria e Edi Ramës, dhe ai i privatizimit të kompleksit Partizani nga ish qeveria Berisha.
Të dyja këto hetime, janë shembuj vërtetimi se kështu kanë keq - qeverisur të dyja partitë që dolën nga PPSH dhe kualicionet qeveritare gjatë këtij tranzicioni, kështu janë bërë privatizimet, tenderimet dhe investimet, pra është bërë batërdia me vjedhjet e grabitjet e pronave, me paranë publike e deri sa shteti shqiptar realisht është totalisht i falimentuar edhe nga borxhet, e ndoshta Shqipëria është shteti më borxhli në botë.
Pasojat e pritshme të këtij pushtimi të Shqipërisë nga korrupsioni janë: largimi në masë i popullsisë aktive për punë dhe boshatisja e frikshme e qyteteve dhe e fshatrave, mos zhvillimi i pritshëm ekonomik dhe demokratik, funksionimi i shtetit shqiptar si një shtet privat, tribal, klanor, oligarko-mafioz dhe antipublik; Pasojë e këtij pushtimi të Shqipërisë nga korrupsioni është sundimi i anti-ligjit, krimeve të ndryshme si ekonomike,financiare e ordinere; pasojë e këtij pushtimi nga korrupsioni politik e social është kanabizimi i vendit; pasojë është krijimi i një imazhi negativ te opinioni ndërkombëtar; pasojë e montimit të këtij sistemi korruptiv në Shqipëri është goditja dhe ndëshkimi i vlerave të larta të patriotizmit, intelektualizmit, të moralit, ndershmërisë etj.
Problem i shqiptarëve është çlirimi nga korrupsioni, gjë e cila arrihet vetëm me largimin e kësaj bande kriminale 32 vjeçare, e kësaj 3 -je që si lanë kusur këtij vendi. Zgjedhjet lokale po afrojnë, të fillojë që nga këto zgjedhje, çmontimi i pushtetit korruptiv i të 3 partive, derivate të PPSH dhe daljen në pension të Sali Berishës, Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Të gjithë të rinjtë që e duan progresin e këtij vendi duhet të luftojnë me të gjitha format që ti largojnë këto hijena politike.