Shqipëria dhe centralet bërthamore

WxP

Staf në FV.AL
Krahas burimeve regjenerative të energjisë nga dielli, ngrohja e tokës, graviteti i krijuar nga lëvizja e planetëve si burim i konsiderueshëm i energjisë është dhe bërthama e atomit, që së bashku me bartësit e tjerë të energjisë, qymyrin, naftën e gazin formojnë burimet jo regjenerative të energjisë elektrike. Energjia bërthamore përdoret nga shumë vende për prodhimin e energjisë elektrike. Aktualisht në të gjithë botën janë rreth 440 centrale bërthamore në shfrytëzim, me anë të cilëve prodhohet rreth 10% të prodhimit të përgjithshëm botëror të energjisë elektrike. Por qëndrimi ndaj kësaj energjie ndryshon në vendet e ndryshme të industrializuara, kështu Italia, Austria etj., janë të tërhequra nga ndërtimi i centraleve bërthamore, përparësi në këtë drejtim kanë dhënë Amerika, Franca, Anglia dhe në veçanti dekadat e fundit, Gjermania e Suedia. Në vendin tonë kohët e fundit është hedhur ideja për ndërtimin e centraleve bërthamore.
Burimi kryesor i energjisë i fituar nëpërmjet bërthamës së zbërthyeshme është izotopi i uranit 235, zbërthim i cili ka filluar që në vitin 1938. Urani është një element i rrallë radioaktiv, gjurmët e të cilit gjenden në sasi të vogla pothuajse në të gjithë rruzullin tokësor, gjë që bëhet dhe shkak i rrezatimeve natyrale radioaktive. I njohur është rodoni, gazi që shfaqet si produkt i zbërthimit në natyrë të uranit, i cili rrezikon shëndetin e njerëzve. Urani gjendet më shumë i koncentruar në Kanada, Australi, Afrikë të Jugut, Kazakistan, etj.
Momentalisht urani është i disponueshëm dhe rezervat e shfrytëzueshme të tij mund të shkojnë nga 70 deri në 100 vjet. Përveç minierave të uranit, ku nxirret uran me koncentrim të lartë, përbërje të uranit kanë dhe një numër i madh metalesh të tjera, por për shkak të koncentrimit të ulët të uranit në këto metale nevojiten të nxirren e të përpunohen masa të mëdha të këtyre mineraleve në sipërfaqe të konsiderueshme.
Një centrali bërthamor i nevojiten për shfrytëzim gjatë një viti rreth 25 tonë uran. Duke krahasuar me prodhimin e të njëjtës sasi elektriciteti nëpërmjet bartësve të tjerë të ngurtë të energjisë, për shembull nga një termocentral me qymyrguri nevojiten rreth 2.5 milionë tonë qymyr. Por shpesh për përfitimin e 25 toneve uran nëpërmjet bakrit, i cili përmban një koncentrim të ulët të uranit deri në 1%, duhet të nxirren e të përpunohen rreth 15.000 deri 35.000 tonë mineral. Megjithatë nisur nga raporti 1:100.000 i lëndës së parë të përdorur për prodhimin e të njëjtës sasi energjie elektrike, qartësohet plotësisht leverdishmëria e përdorimit të centraleve bërthamore.
Por defektet e ndodhura në disa centrale bërthamore si në Kinë, në Amerikë në vitin 1979 në centralin bërthamor të Harrisburgut (pa dëmtime të mëdha) dhe sidomos defekti në centralin e اernobilit në Ukrainë, që pati dëme e pasoja katastrofike, kanë vënë në diskutim funksionimin e disa centraleve të tjera bërthamore ekzistuese përsa i përket sigurisë së tyre. Në këtë kontekst filloi zbatimi i masave shumë të larta të sigurisë dhe zgjedhja e varianteve më të kushtueshme e më të përshtatshme në zbatimin e një teknologjie të sigurisë së lartë, sidomos për funksionimin normal të procesit të zbërthimit të atomit në reaktorët e centraleve bërthamore.
Nisur nga fakti i rritjes së çmimit të naftës, i pakësimit të rezervave botërore të naftës e qymyrit, i shkallës së lartë të ndotjes së mjedisit nga shfrytëzimi i konsiderueshëm i këtyre lëndëve djegëse për prodhimin e energjisë si dhe pasojat mjaft negative që ka sjellë kjo ndotje, janë motivacione që kanë detyruar shumë studiues e qeveri të shteteve të zhvilluara industriale të arrijnë në konkluzionin e leverdishmërisë për ndërtimin dhe instalimin e centraleve të reja bërthamore për të përballuar kërkesën në rritje të konsumatorëve për energji elektrike. Aktualisht në 25 vendet më të industrializuara në Evropë ka një rritje vjetore të konsumit të energjisë elektrike sa i gjithë konsumi vjetor i Austrisë. Centralet bërthamore dhe termocentralet me gaz karakterizohen nga kostoja relativisht e ulët e shfrytëzimit të tyre kundrejt termocentraleve me naftë apo qymyr, nga emisionet shumë të ulëta të gazeve të çliruara prej tyre, si dhe nga furnizimi pa probleme me këto lëndë të para të këtyre centraleve. Një problem tjetër te centralet bërthamore janë mbetjet pas zbërthimit të uranit, të cilat përmbajnë një shkallë të lartë radioaktiviteti. Aktualisht po punohet nga shkencëtarët e vendeve të industrializuara për konstruimin e reaktorëve bërthamorë për të arritur realizimin e procesit të shkrirjes së bërthamës të uranit, që është një teknologji e re moderne, por që sipas shkencëtarëve kërkon kohë të gjatë eksperimentuese që të arrihet siguri e lartë në vënien nën kontroll të plotë të procesit të shkrirjes së bërthamës. Përparësi e jashtëzakonshme e aplikimit të kësaj teknologjie është se eliminohet plotësisht prania e radioaktivitetit në mbetjet që aktualisht kanë centralet bërthamore pas kryerjes së procesit të zbërthimit të bërthamës të atomit të uranit.
A jemi të përgatitur dhe a ka kushte optimale vendi ynë për ndërtimin e shfrytëzimin e centraleve bërthamore?
Së pari: Kostoja e lartë si dhe kohëzgjatja mbi 15 vjet për ndërtimin e një centrali bërthamor, bëhen shkaqe që nuk e zgjidhin aktualisht (por vetëm në perspektivë) problemin e mprehtë që ka vendi ynë për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të konsumatorëve.
Së dyti: Parandalimi i plotë i çdo lloj defekti në centralin bërthamor kërkon aplikimin e teknologjive moderne në të gjitha impiantet e pajisjet e tij, për të realizuar një siguri të shkallës së lartë gjatë shfrytëzimit të tyre, kjo gjë rrit në mënyrë të ndjeshme koston e këtyre centraleve.
Së treti: Kërkesat për siguri shumë të lartë për ndërtimin e shfrytëzimin e një centrali bërthamor, kërkon dhe personel shumë të kualifikuar, specialistë e profesionistë me përvojë e eksperiencë të gjatë praktiko”teorike për këtë fushë, gjë që aktualisht vendit tonë i mungojnë apo kërkon një kohë të gjatë për t’u përgatitur.
Së katërti: Vetëm nëpërmjet aplikimit të një teknologjie moderne bashkëkohore siç ekziston në centralet bërthamore në shfrytëzim në vendet e industrializuara, mund të eliminohen defektet me pasoja katastrofike. Efekt pozitiv ka në këtë drejtim dhe funksionimi i Komisionit Internacional të Defekteve për centralet bërthamore, i cili për çdo shkelje të konstatuar ndalon funksionimin e mëtejshëm të tyre.
Së fundi: Sot për të gjitha vendet e në veçanti për vendet e industrializuara, në qendër të vëmendjes qëndrojnë realizimet e objektivave të perspektivës për të arritur siguri të lartë të furnizimit dhe furnizimi pandërprerje me energji elektrike i konsumatorëve. Këto dy aspekte, që në vendin tonë lënë shumë për të dëshiruar, forcojnë mendimin e domosdoshmërisë të sigurimit në vend të kapaciteteve prodhuese e transmetuese. Në këtë drejtim është e nevojshme të bëhen planifikime për perspektivën, të studiuara e plotësisht të zbatueshme, që krahas realizimit të masave përgatitore për ndërtimin e centralit bërthamor, aktualisht prioritet i duhet dhënë shfrytëzimit të burimeve të reja të rinovueshme energjetike e në veçanti burimeve ujore, të cilat me investime më të vogla e në kohë më të shkurtër bëhen faktor të rëndësishëm për rritje të ndjeshme të kapacitetit prodhues të sistemit tonë energjetik.
*Ekspert i njohur i ndërtimit dhe shfrytëzimit të hidrocentraleve

Panorama
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top