Shpella e shkruar - Lepenicë (VLORE)

Lauri

Anunnak
Si grafist dhe dezajner shpreh keqardhjen time për shkatërrimin e kësaj kryevepre të Artit të pikturës Shqiptare, që është dhe simboli i shkallës më të lartë të Artit grafik, jo vetëm shqiptar por edhe botëror. Për mua, imazhet e Shpellës së Shkruar të Lepenicës, janë jo vetëm të pakrahasueshme për nga vlera historike, por edhe sa u takon vlerave artistike. Simbolet antropomorfe të stilizuara në shkallën më të lartë të shprehjes se artit grafik, si në një ekran gjigand prej guri, paraqesin gjenezën e shoqërisë njerëzore. Tek simbolet grafike të Lepenicës janë logot e arketipeve të “Babait”,“Nënës së Madhe”, “Fëmijës primordial” si dhe “Kafshës”, të cilat ekzistojnë brenda secilit prej nesh . Grafikat e Lepenicës na transmetojnë arketipin e “Shtëpisë”, “Qytetit” dhe “Varrezës”. Ato janë mesazhet e koduara të respektit për njeriun, familjen, natyrën, kafshën, territorin dhe shoqërinë. Ato janë kodet me të cilat paraardhesit tanë, na transmetojnë jo vetëm esencën e jetës, por edhe të vdekjes.
Shkatërrimi i kësaj kryevepre nuk ka të bëjë me shkatërrimin thjesht të disa vizatimeve.”abstrakte”. Për konceptin e kriminelit shkarravitës që në vetvete është vetë një shkarravinë, këto arketipe nuk janë gjë tjetër veçse disa shkarravina pa kuptim, mbi të cilat ai dëshiron të lerë shenjën (logon) e ekzistencës së tij të shkatërruar. Akti i shkatërrimit nuk ka të bëjë aspak me figurën, por me vetë esencën e kësaj shkarravine të gjallë. Struktura konfuze dhe energjia e pakontrolluar e shkarravinës, nuk mund të pajtohet me harmoninë dhe elegancën e stilizuar të prototipit të përpunuar prej mijëra e mijëra vjetësh, përpunim që ka ardhur si rezultat i gjetjes së raportit delikat të harmonisë së njeriut me vetveten, me të ngjashmit e tij dhe me natyrën. Shkarravina nuk e njeh rregullin, harmoninë, elegancën. Ajo është në vetvete dalja nga rregulli dhe harmonia. Në substancën e vet, ajo ka kaosin, shkatërrimin dhe vetëasgjesimin.
اdo gotitje dhe çdo gërvishje thike në Gurin e Shpellës së Shkruar të Lepenices është nje goditje që i bëhet secilit prej nesh, është një plagë e hapur në kulturën dhe ndërgjegjen e këtij populli.
Shkarravinat nuk e kuptojnë se vrasja e imazhit të prototipit nuk është gjë tjetër, veçse një akt i pastër vetvrasjeje kamikaze për të gjithë shoqerinë njerëzore. Dëshira perverse për të vrarë imazhin, nuk është gjë tjetër veçse një reagim që lind nga impotenca për të vrarë mishërimin e imazhit. Shkarravina, me një dëshirë perverse për të vrarë një imazh, në mënyrë koshiente, kryen një akt inkoshient të vrasjes së “Nënës së Madhe”, të “Babait” , të “Fëmijës” , të “Kafshës” dhe natyrës.

Akti i shkatërrimit të këtyre prototive është një ogur i zi për të gjithë ne që jemi pjesë integrale e këtyre simboleve. Imazhet e tmerrshme aktuale të Gurit të Shpellës së Shkruar të Lepenices janë produkt i skenarit të tragjikomedisë së shoqërisë shqiptare. Skena makabre e goditjeve mbi figurat antropomorfe në ekranin e madh të gurit të shkruar është esenca e skenave dhe kronikave makabre që shohim çdo ditë në ekranet e televizioneve tona.
Aktet e dhunës, krimit, përdhunimit dhe shkatërrimit në shoqërinë tonë e, mbi të gjitha, krimi brenda familjes, janë produkti final i psikologjisë së “Shkarravinës” e cila e fillon rrugën e krimit, duke marrë si “target” prototipet e Gurit të Shpellës së Shkruar të Lepenicës

Goditja e “Shkarravinës” në ekranin prej guri shkatërron përfundimisht komunikimin e të kaluarës me të ardhmen. Për “Shkarravinën” impotente, rëndësi ka vetëm arritja e joshjes së ekstazës së momentit. Për të arritur këtë moment, “Shkarravina” ka nevojë të urinojë, të godasë, të vrasë, të vjellë, ajo ka nevojë për seks, drogë, para e pushtet të momentit. E ardhmja dhe e shkuara nuk i intereson.
Për “Shkarravinën”, armiqtë më të mëdhenj janë Tempujt e shkrimit dhe këndimit. Ata janë shkaktarët kryesore të perversitetit dhe impotencës së saj.
ثndrra më e madhe e “Shkarravinës” është të futet në Tempujt e shkronjave dhe imazheve perfekte. Ajo e di se për t’u futur në atë botë, do kohë, mund, energji, punë, durim, perfeksion e sakrificë. “Shkarravina” e di se energjia e jetëshkurtër, por e fuqishme e saj, krijon qark të shkurtër me energjinë konstante, të krijuar prej mijëra e mijëra vitesh nga qeniet perfekte. Synimi kryesor i saj, ështe pikërisht “flashi” i këtij qarku të shkurtër, me të cilin ajo do të verbojë të gjithë ata, që nuk mund t’i arrijë dot. Për të mjafton një dritë e shkurtër, por verbuese, që më pas të krijojë errësirën, në të cilën shkarravina konsumon jetën e saj të shkurtër.
Nga Shpend Brengu
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top