Titulli: Shkodër, 4 të rinj shuhen në aksident
“Nënë, po vijmë. Për 1 orë jemi në Shkodër”
Ktheheshin nga festa e ditëlindjes së shokut të tyre në Tiranë. Telefonata e fundit para aksidentit që u mori jetën 5 maturantëve.
Policia: Të dy mjetet ishin me shpejtësi. Arrestohet drejtuesi i kamionit që u përplas me autoveturën e të rinjve në kryqëzimin e Kryebushatit
-“Për një orë jemi në Shkodër”. Këto janë fjalët e fundit që Elvije Duli ka shkëmbyer me të birin e saj të vetëm, Raelvin, 17 vjeçarin që humbi jetën në një aksident të rëndë, bashkë me tre shokë të tij. Ka mundur t’i mbijetojë asaj “prite” fatale të një kamioni, vetëm drejtuesi i mjetit Osman (Andi) Meraja, i cili mban shpresën gjallë të pesë familjeve për të parë në jetë njërin prej tyre. Në lidhje me gjendjen e tij, policia e Shkodrës mbrëmë vonë konfirmoi faktin se i riu vijonte të mbahej në jetë, ndërsa vëmendja e të gjithë mjekëve të Shkodrës është përqendruar mbi jetën e tij. Policia e qytetit verior në bashkëpunim me mjekët kanë vijuar për gjatë gjithë ditës së djeshme të jenë në gatishmëri në familjet e viktimave, por edhe te familja e Andit për të mbajtur nën kontroll gjendjen e tyre shëndetësore. Ka qenë vetë Drejtori i Policisë së Shkodrës që ka mbajtur të koordinuar gjatë gjithë kohës veprimet mes spitalit dhe policisë për të bërë të mundur parandalimin e ndonjë tragjedie tjetër në familjet e prekura. Aksidenti që mori jetën e katër të rinjve dhe plagosi rëndë drejtuesin e mjetit, shok dhe bashkëmoshatar i viktimave, ndodhi pak pas mesnatës së të hënës në kryqëzimin e Kryebushatit, pikë që gjendet në aksin Lezhë-Shkodër, ku rruga që ndërpret këtë aks, vjen nga Vau i Dejës. Pikërisht nga kjo rrugë ka hyrë kamioni me targa të Pukës, i cili ka qenë duke kryer transport të lëndëve drusore. Policia ka kryer arrestimin e shoferit të kamionit, Prengë Ndreca.
Tragjedia
Andi Meraja 18 vjeç, Raelv Duli 17 vjeç, Xheni Anamali 17 vjeç, Ledio Pirani, 18 vjeç dhe Orlend Mreça 17 vjeç, mësohet se janë nisur nga Shkodra dhe kanë mbërritur në Tiranë mbrëmjen e së hënës për të marrë pjesë në festën që kishte organizuar një shok i tyre për ditëlindje. Të rinjtë mësohet se janë bashkuar në një lokal nate në Tiranë dhe pas festës janë kthyer për në qytetin e tyre. Djemtë kanë qenë duke udhëtuar me një mjet BMW me targa të Shkodrës në timonin e së cilës ka qenë Andi Meraja. Në Kryebushat, në kryqëzim, makina është përplasur me një kamion që transportonte lëndë drusore dhe që po hynte në rrugën kryesore. Nga të dhënat e para mësohet se përplasja ka qenë fatale, pasi të dy mjetet kanë qenë me shpejtësi të madhe. Aksidenti është mësuar fillimisht nga shoferë të rastit që kanë lëvizur në rrugë. Drejtues mjetesh pasi kanë lajmëruar policinë, janë përpjekur për të dhënë ndihmën e parë. Ndër të pesë të rinjtë, vetëm njëri jepte ende shenja jete. Policia dhe ambulancat kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa Raelvi, Xheni, Ledio dhe Orlendi kishin ndërruar jetë në vend. Drejtuesi i kamionit ka qëndruar i shokuar në vendin e ngjarjes, ndërsa Shkodrën e ka pllakosur zija. Trupat e pajetë të viktimave u janë dorëzuar familjarëve të tyre, të cilët kanë kryer edhe ceremoninë mortore të djemve të tyre. Ndërsa familja, gjithë Shkodra dhe thuajse gjithë vendi janë bashkuar me Andin, djalin që ka shpëtuar dhe besohet se do t`i mbijetojë atij aksidenti.
Kush ishin 4 të rinjtë që humbën jetën
Tre prej djemve që humbën jetën në atë aksident të rëndë të mëngjesit të dy ditëve më parë ishin pa baba. Ledio, Raelvi dhe Orlendi ishin fëmijët e vegjël të familjeve të tyre. Realvi kishte një motër më të madhe se veten, ndërsa Ledio dhe Orlendi kishin edhe nga një vëlla më të madh. Të pesë djemtë, ishin maturantë dhe mësonin në tri shkolla të ndryshme të qytetit të Shkodrës. Raelvi dhe Orlendi ishin maturantë të “Gjuhëve të Huaja”, Andi dhe Xheni, maturantë të shkollës “28 Nëntori”, ndërsa Ledio Pirani ishte nxënës, po maturant, i shkollës “Kolë Idromeno”. Të gjithë djemtë jetonin në një lagje, ndërsa i ndanin vetëm disa muaj në moshë nga njëri-tjetri.
Nisur nga përmasa e tragjedisë së djeshme Bashkia e Shkodrës ka shpallur ditën e djeshme ditë zie, ndërkohë që janë pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore. Ndërkaq mbrëmë kanë reaguar edhe krerë të shteti me mesazhe ngushëllimi për familjarët, kurse me qindra persona janë bashkuar me dhimbjen e familjeve të viktimave në rrjetin social Facebook. Krah ngushëllimeve për humbjen e katër jetëve, janë transmetuar edhe lutjet për shpëtimin e jetës së Andit.
Aksidenti për shkak të shpejtësisë së madhe
Një grup ekspertësh teknik janë gjetur në vendin e ngjarjes mëngjesin e djeshëm dhe menjëherë kanë marrë në dorë kryerjen e aktit të ekspertimit teknik. Nga të dhënat e para dhe nga matjet që janë kryer pas zbardhjes së ditës është fiksuar se në të vërtet ajo që vërehej lehtësisht ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara të të dy automjeteve. Sipas të dhënave të para, edhe pse ende policia e Shkodrës nuk ka arritur në një përfundim në lidhje me shkaqet e sakta të kësaj përplasjeje fatale që iu mori jetën katër personave dhe plagosi një tjetër. Referuar edhe dëshmisë së dhënë në polici nga shoferi i mjetit tip kamion që po vinte nga Vau i Dejës në drejtim të aksit kryesor të rrugës Shkodër-Lezhë, mësohet se ai për asnjë moment nuk ka mundur të qartësojë pamjen e atij çasti fatal. Paçka se policia saktëson se gjendja e tij mendore është tejet e rënduar dhe nuk është dokumentuar një dëshmi e tij, pozicionet ku janë gjetur dy mjetet përcaktojnë se ndërprerja e rrugës nga ana e kamionit ka qenë me shpejtësi të madhe, paçka se për të hyrë në rrugën kryesore drejtuesit të mjetit i është dashur të hyjë edhe në kryqëzim. Policia dhe ekspertët ende nuk kanë përcaktuar se me çfarë shpejtësie ka hyrë në rrugën kryesore makina kamion, pasi për të mundësuar kthimin majtas në drejtim të Lezhës, i duhej të kryente edhe një gjysëm rrotullimi.
Policia e Shkodrës nuk ka dalë ditën e djeshme me asnjë version përfundimtar në lidhje me shkakun e aksidentit, ndërsa burime jo zyrtare po policore bëjnë me dije se kamioni ka patur problem në sistemin e ndriçimit ndërsa mjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë ka qenë me shpejtësi të madhe. Gjithashtu theksohet se mjeti që transportonte lëndë drusore nuk ka patur dokumentacion të rregullt, por këtu nuk fiksohet nëse bëhet fjalë për mungesë dokumentacioni për ngarkesën apo për makinën. Policia ka theksuar vetëm faktin se kamioni i ka ndërprerë rrugën BMW-së.
Reagon Rama: Masa të menjëhershme në rrugë
Për tragjedinë e djeshme në Shkodër ka reaguar edhe kryeministri i vendit Edi Rama. Dalja e deklaratës së tij ka ndodhur orëve të mbrëmjes ndërsa ka ngushëlluar familjet e katër viktimave përmes rrjetit social Facebook. Pavarësisht se mesazhi i tij ka qenë i shkurtër dhe konciz, shefi i qeverisë ka bërë me dije se do të merren të gjitha masat për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve të tilla. Pavarësisht se në këtë kontekst, kryeministri përcakton edhe kufijtë e së mundurës duke theksuar se duhet të punohet për të shmangur aksidente që kërcënojnë jetë njerëzish deri aty ku është e mundur. “Janë rrokullisur drejt së përtejmes, shumë më shpejt se vrapi i makinave që i sosi frymën, jetët e katër djemve të rinj nga Shkodra, që zhytet në zi me vuajtjen e katër familjeve, të cilat nuk ka fjalë t’i ngushëllosh. Por, unë dua të shpreh, në radhë të parë, si prind hidhërimin tim tejet të thellë për tragjedinë, që mori katër jetë të reja. Si përfaqësues i shtetit shqiptar, dua të shpreh vendosmërinë për të marrë në vijimësi të gjithë masat e nevojshme, që do të parandalonin, deri aty ku është e mundur, tmerre të tilla dhe aksidentet rrugore, që vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh për jetët e qytetarëve tanë. Durim e forcë paçi -dua t’u them si bashkëqytetar katër familjeve. Qoftë i ndritur vendi e kujtimi i djemve tuaj”.
Basha: Lajmi më ka tronditur pa masë
Po mbrëmjen e djeshme ka reaguar dhe ka përcjell ngushëllime nga Tirana edhe kryebashkiaku i Tiranës dhe njëherësh Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Edhe kreu i selisë blu ka bërë reagimin e tij nëpërmjet rrjetit social, ku ka shprehur dhimbjen për humbjen e katër të rinjve por pa shtuar asnjë lloj komenti për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Basha në faqen e tij iu drejtohet katër familjeve të tragjedisë së djeshme: “Lajmi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Raevlit, Xhenit, Ledios dhe Orlendit më ka tronditur pa masë. Nuk ka fjalë as ngushëllim që mund të lehtësojë dhimbjen e familjarëve të katër të rinjve që u ndanë tragjikisht nga jeta. Jam sot pranë jush në dhimbjen dhe zinë që ka pllakosur familjet tuaja. Zoti u dhëntë forcë dhe kurajo për të përballuar këtë dhimbje të madhe”.
/Shekulli