ShBA: Shqipëria vend burimi për trafiqe, qeveria nuk plotëson as ....

Зngjεll

___________
ShBA: Shqipëria vend burimi për trafiqe, qeveria nuk plotëson as standardet minimale për ta luftuar

Shqipëria është një vendburim për trafikun e qenieve njerëzore. Gjysma e viktimave të trafikut janë nën 18 vjeç dhe qeveria nuk plotëson as standardet minimale për të luftuar këtë trafik. Korrupsioni i kudogjendur pengon këtë betejë. Përfundimet shokuese janë të raportit vjetor të Departamentit të Shtetit të ShBA për trafikimin e personave.

Sipas raportit, shumica e të trafikuarve janë shqiptarë etnikë. Por ajo çka është shqetësuese për Departamentin Amerikan të Shtetit është se qeveria nuk ka ndjekur penalisht zyrtarët e implikuar në trafiqe të tilla.

“Shqipëria është një vendburim për burra, gra, dhe fëmijë, të trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar. Viktimat shqiptare trafikohen kryesisht në Greqi, si dhe në Itali, Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore, si dhe brenda në Shqipëri. Të dhënat në dispozicion tregojnë se më shumë se gjysma e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Shumica e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza të moshës 15 deri 25 vjeç dhe 90% janë shqiptare etnike. Fëmijë etnikë romë janë në rrezik më të madh për lypje të detyruar. Ekzistojnë të dhëna që burra shqiptarë janë trafikuar për punë të detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe vende të tjera fqinje”, - thuhet në raportin e DASH.

“Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi vullnet politik në rritje për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit të kaluar, sidomos nëpërmjet përparimit të bërë në përpjekjet e saj për të identifikuar viktima të trafikimit. Mbeten shqetësime lidhur me faktin, nëse qeveria ndoqi penalisht energjikisht kundërvajtës të trafikimit të punës dhe zyrtarë publikë që morën pjesë apo lehtësuan trafikimin njerëzor”, - vijon më tej raporti.

Në vitin 2008 ka patur më pak çështje trafikimi që janë ndjekur penalisht.

“Gjatë vitit 2008, Shqipëria ndoqi penalisht 22 çështje trafikimi, krahasuar me 49 në vitin 2007, si dhe dënoi 26 kundërvajtës trafikimi, krahasuar me shtatë gjatë vitit 2007. Të gjitha ndjekjet penale dhe dënimet kishin të bënin me trafikimin seksual të grave apo fëmijëve. Në vitin 2008, dënimet për kundërvajtësit e dënuar të trafikimit variuan nga dy deri në 25 vjet burgim”, - thuhet në raport.

Megjithatë, këto përpjekje janë penguar për shkak të korrupsionit të kudogjendur.

“Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë shqiptare mbeti një pengesë ndaj uljes së trafikimit njerëzor në Shqipëri. Qeveria raportoi se rastet e përfshirjes së zyrtarëve referuar në raportin mbi vitin 2008 u përcaktuan se kishin të bënin me kontrabandë, jo trafikim njerëzor”, - thuhet në raport.

“Qeveria nxiti viktimat të merrnin pjesë në hetime dhe ndjekje penale të kundërvajtësve të trafikimit; megjithatë, viktimat shpesh refuzuan të dëshmonin, ose ndryshonin dëshmitë si rrjedhojë e kanosjeve nga trafikantët apo frikës nga kanosjet. Viktimat nuk u penalizuan në Shqipëri për akte të paligjshme si rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit të tyre. Ligji shqiptar ofron alternativa ligjore për largimin e viktimave të huaja në vende ku ato mund të përballen me vështirësi apo ndëshkim.”/Tema/
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top