Kresha
A pretty face can never trick me
SHKUP - Vazhdon rrahja e fëmijëve shqiptarë nga grupe huliganësh maqedonas. Viktimat e fundit janë katër 16 vjeçar shqiptarë, të rrahur në lagjen Aerodrom të Shkupit, pa ndonjë shkas apo pretekst. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00, kur katër të rinjtë kanë shkuar të japin testin e ndihmës së shpejtë, të nevojshme për patentë shoferi. Papritmas janë sulmuar nga mbi 20 të rinj maqedonas, ndërsa bilanci është ky: një në gjendje shoku, dhe tre me plagë të rënda trupore, raporton Alsat-M.
“Sa dolëm te udha, kur i pamë 20 veta, vrapuan, na zunë dhe na rrahën. Veç bërtitën, maqedonas ishin, edhe më si na zunë me bejsboll na rrahën. Ata ishin 20-30 vetë, ne ishim pesë vetë”, - deklaroi Riad Iljazi, njëri prej të rrahurve.
Prindërit e Riadit tregojnë se nga frika që të mos ndodhë kjo që ka ndodhur sot, e kanë hequr djalin nga shkolla e mesme ndërtimore “Zdravko Cvetkovski – GUC”, e cila ndodhet në Karposh IV.
“Kur rrihen shqiptarët nuk ka përgjegjësi, nuk ka kush i mbron. Ky shtet për mua është katastrofë. Sikur të ndodhë që shqiptarët t’i rrahin maqedonasit, ata kapen menjëherë. Shqiptarët kur rrihen, kryerësit nuk kapen asnjëherë. Nuk ka ndodhur rastësisht kjo”, - tha Naser Iljazi, babai i Riadit.
Të rrahurit janë nga fshatrat Lubin, Kopanicë dhe Bojanë. Menjëherë pas rrahjes, ata janë shtruar në Spitalin e Shkupit. Familjarët e tyre kërkojnë nga policia që rasti të zbardhet urgjentisht dhe huliganët të marrin dënimin e merituar. Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk është prononcuar për këtë rast.
(er.nu/koha/BalkanWeb)